Video e mëposhtme e publikuar nga Shpend Bengo, tregon Tiranën e vitit 1948.
Një fragment ky, i shkëputur nga dokumentari “Shqipëria e Re”, i regjisorit rus Ilia Kopalin, laureat i çmimit “Stalin”.
Siç dhe e shihni, ndryshimi me Tiranën e viteve 2020 është totalisht i dukshëm, duke treguar njëherësh jo vetëm progresin, por dhe babëzinë për të betonizuar dhe zotëruar çdo copë të kryeqytetit.
Marsida Najdeni, një nga mjeshtret e traditës së orëve të familjes Tufina, por dhe studiuese e rrënjëve të kryeqytetit propozon që rrugës “Kajo Karafili” t’i hiqet emri, sepse komunistët na kanë shitur një vrasës me pagesë për hero.
Kjo rrugë sipas saj duhet marrë emrin e intelektualit të rrallë tiranas, Shadan Toptani.
Propozim
Propozoj: Heqjen e rrugës “Kajo Karafili” jo shumë larg Piacës, një komunist vrastar me pagesë, i cili ka ekzekutuar me dhjetëra djem Tirone, shumë dhe ende pa varr. Për ta kthyher rruga “Shadan Toptani”, një artist i madh, atlet, piktor, skenograf, filatelist, pra intelektual i kategorisë së parë. Shadan do të thotë i begatë, edhe ai veç mirësi dhuroi. / KultPlus.com
Tirana këtë të martë i ngjante një dite krejt normale, pavarësisht se numri i të prekurve me Covid pëson rritje.
Në disa foto të shkrepura nga LSA, janë parë shumë qytetarë që ecin në rrugët e kryeqytetit të pashqetësuar dhe duke mos respektuar masat për të ruajtur distancën, apo për të mbajtur veshur doreza e maska./Express / /KultPlus.com
Do t’ju tregojmë sot për një nga kryeqytetet më ekzotike dhe tërheqëse europiane, shkruan Cristina Fernandez Gonzalez e revistës së njohur spanjolle të udhëtimeve, traveler.es.
”Tirana është rishfaqur fuqishëm pas dekadave vuajtje nga diktatura paranojake e Enver Hoxhës. Ajo që e la Shqipërinë plotësisht të izoluar nga bota dhe që, në një farë mënyre, i jep asaj këtë rol misterioz, atë të thesarit për ta zbuluar, që sot na pëshpërit në vesh këngë sirenash.
Tirana ka diçka që të fut në kurth. Kjo ju befason dhe ju fton ta ”zhvishni” atë dalëngadalë deri sa të zbuloni se cili është thelbi i saj i vërtetë. Dhe ne jemi të gatshëm ta ”zhveshim”. Për 48 orë, jo më pak.
Dita e parë
Ora 09:30. Pas një mëngjesi të bollshëm, i denjë për kampionë, për ditën turistike që na pret, vendosëm itinerarin apo pikënisjen e çdo rruge nëpër qytet: Sheshin ”Skënderbej” dhe 40 000 metra katroret e tij që na presin.
Nga kjo hapësirë e jashtëzakonshme, nderohet heroi kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i cili u vu në krye të luftës kundër osmanëve në shekullin XV. Statuja e tij ekuestriane dominon mbi gjithçka. Por, ky shesh është gjithashtu vendi i përsosur për të ndjerë pulsin e qytetit.
Por, gjithashtu, është vendi i përsosur për të matur pulsin e qytetit: i përshtatur për këmbësorë që nga viti 2017, nëse ndalojmë të shikojmë lëvizjen e jetës, do të shohim zotërinj të moshuar që shëtisin në kohën e lirë, të rinj me biçikletë rrugës për në vendet e tyre të punës dhe turistë të rastit duke masakruar me klikime aparatesh fotografike muralen e madhe që kurorëzon Muzeun Historik Kombëtar. Titulli i tij? Shqiptarët.
Ora 10:00. Sapo muzeu hap dyert e tij, ne jemi atje për të zbuluar dhe për të mësuar historinë e Shqipërisë. Vizita e plotë atje mund të zgjasë një jetë dhe prapë se prapë diçka do të na mungojë.
Ne bëjmë një udhëtim të shkurtër kohor që na çon nga Parahistoria në të kaluarën e tij ilire; nga pushtimi osman deri në Luftën e Dytë Botërore; nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë te, natyrisht, vitet e diktaturës së errët. Një orë e gjysmë ku pamë xhevahire si koka e Apolonit nga shekulli IV para Krishtit dhe deri te mozaiku i parë i zbuluar në Shqipëri: Bukuroshja e Durrësit.
Ora 11:30 Përsëri në shesh po hedhim një vështrim nga Banka Kombëtare, Hotel Tirana Internacional dhe Pallatin e Kulturës, me Operën në krye: ndërtesat e thjeshta, por monumentale në një stil racionalist vazhdojnë të flasin për kohët e shkuara dhe kontrastin me ato modernet, rrokaqiejt që ngrihen atje, në distancë, në sfond. Përpara nesh, Xhamia historike e Et’hem Beut nga shekulli XVIII, një nga ndërtesat më të vjetra në Tiranë. Të dy afresket e saj të jashtme dhe pikturat e brendshme janë një kënaqësi absolute.
Por, ne mund të gjejmë pamjen panoramike të sheshit edhe nga maja e Kullës së Sahatit, një tjetër nga reliket arkitektonike të qytetit, megjithëse kjo vështirë se përfshin ngjitjen në shkallët e pjerrëta dhe të ngushta në 35 metra lartësi.
Ora 12:00 Rrethinat e sheshit ”Skënderbej” vazhdojnë të na mbushin me histori të vjetra: ne hasim nëpër ato rrugë që ishin dhe akoma janë, Toptanasit, një nga familjet fisnike më të rëndësishme dhe më të pasura në Shqipëri, dhe ndërtesat e tyre të bukura.
Deri tani kemi kuptuar se Tirana është një qytet që më shumë ndihet sesa duket. Një qytet që na kërkon fort që ne ta ”gërvishtim” thellë nga brenda. Dhe për ta bërë këtë, asgjë nuk vlen më shumë sesa të vizitosh një nga mijëra bunkerët që Hoxha urdhëroi të ndërtonte në të gjithë vendin, e gjithë kjo nga frika e tij e jashtëzakonshme nga një sulm bërthamor nga armiqtë e tij.
Tirana ka dy që janë thelbësore. Për të vizituar Bunk´Art 1 do të jetë e nevojshme të kaloni disa orë, pasi ai ndodhet në periferi të qendrës historike: një kompleks i tërë, që përfshin zyra dhe dhoma gjumi për zyrtarët qeveritarë, apartamente për liderët politikë, madje edhe një kantinë, gjithsej 106 dhoma. Për afërsi dhe prakticitet, vendosim për Bunk´Art 2, ngjitur me sheshin ”Skënderbej”, që lidhej me korridore nëntokësore me Ministrinë e Brendshme, që do të kishin shërbyer në rast të ndonjë sulmi.
Përgjatë korridoreve të tij, në këtë bodrum të qytetit, fshihen deri në 24 ambiente të zymta, të shpërndara mes dhomave të marrjes në pyetje, qelitë për të arrestuarit, një dhomë dekontaminimi, një apartament luksoz për ministrin e Brendshëm dhe madje disa instalime artistike moderne.
Pamë panele informative dhe video me dëshmi, që jo vetëm na mësojnë shumë për historinë politike të Shqipërisë, por që edhe na ngritën qimet e kokës përpjetë.
Ora 14:00 Kur kuptojmë se stomaku po na kërkon ”karburant” dhe mendja diçka më të lehtë, çfarë të hamë? Ne zgjodhëm bulevardin me pemë ”Murat Toptani”, vetëm disa hapa larg, ku ndodhen edhe Teatri Kombëtar, Kinema “Millenium”, kopshte rastësore dhe tarraca të ndryshme. Në këtë zonë të qytetit, jeta rrjedh me një ritëm të ngadaltë, boritë e makinave janë larg. Më të afërtat janë cicërimat e zogjve, që rrinë pezull rreth tryezave, në pritje për të marrë çdo thërrime. Një mjedis i qetë dhe i përsosur për të ngrënë një vakt të lehtë, para se të vazhdoni rrugën.
Ora 15:30 Tani është radha e artit. Dhe rezulton se jemi pranë Galerisë Kombëtare të Arteve, një monument i vërtetë i trashëgimisë kulturore dhe një botë tjetër për të eksploruar përsëri historinë e Shqipërisë, këtë herë bazuar në krijimtarinë e artistëve të saj.
Në muret e saj shpaloset një festival i tërë pikturash dhe punimesh, me të cilat mund të zbulohet realizmi socialist, deri tek mostrat shumë interesante të propagandës komuniste. Paradoksalisht, ishte pikërisht këtë herë, kur censura ishte më e rëndë, që arti njohu rritjen më të shpejtë në vend.
Çdo devijim nga arti i promovuar socialist ishte rreptësisht i ndaluar. Veprat artistike duhej të idealizonin Enver Hoxhën. Ata që guxuan të anashkalonin rregullat u ndëshkuan rëndë. Për fatin tonë të mirë, pikturat dhe skulpturat për të tani janë shfaqur në muze.
Një shënim i fundit? ”Cloud” vepra artistike shumë origjinale e arkitektit japonez Sou Fujimoto që dekoron kopshtin në natyrë që prej vitit 2016, është një nga qoshet më të mrekullueshme dhe të paharrueshme në të gjithë Tiranën.
Ora 17:30 Ne zbresim rrugën drejt një prej ikonave të kryeqytetit, por jo përpara se të kalojmë pranë kalasë së vjetër të Tiranës, pronë e familjes Toptani, që vendosi ta rimodelojë atë dhe ta hapë së fundmi. Aty gjenden restorantet bashkëkohore të kuzhinës – pastat që përgatisin te ”Luga e Argjendtë” janë spektakolare, me dyqane origjinale, të përqendruara në delikatesat kombëtare, ashtu sikurse vajrat e ullirit të prodhuar në Vorë dhe sendet origjinale artizanale.
Ora 18:30 Dhe tani, po: pas një shëtitje të shkurtër që na çon përtej lumit Lana, shkojmë te ndërtesa e Piramidës. Piramida, një sulm autentik ndaj estetikës, e realizuar nga vetë vajza e Enver Hoxhës. Ndërtimi, që gjithashtu nuk kalon pa u vënë re, u krijua për të strehuar një mauzole në nder të babait të saj, megjithatë, gjatë luftës së Kosovës, funksionoi edhe si një qendër konferencash dhe seli e NATO-s.
Sot është krejtësisht e braktisur, pa roje. Jo pak njerëz guxojnë të ngjiten në muret e saj të pjerrëta deri në majë, me gjithë rrezikun që sjell aventura. Sigurisht, ka nga ata që thonë se soditja e perëndimit të diellit nga lart është gjëja më e mirë për të bërë në Tiranë.
Ora 19:30 Dhe më në fund arritëm në lagjen në modë, Blloku, lagje ku një pjesë e madhe e nomenklatura komuniste – përfshirë edhe vetë Hoxhën – banonin gjatë viteve të diktaturës.
Ajo ishte e mbyllur për njerëzit e zakonshëm për katër dekada. Kur mbaroi diktatura dhe tiranasit më në fund ishin në gjendje të përshkonin rrugët e saj, ata gjetën shtëpi që nuk kishin asnjë lidhje me ndërtesat e stilit komunist të pjesës tjetër të qytetit.
Sot, shumica e atyre shtëpive janë shndërruar në restorante, bare, kafene të lezetshme dhe klube. Shëtisim nëpër rrugët e saj dhe shijojmë si atmosferën e gjallë, ashtu edhe tezgat e librave.
Në kohën e darkës, ne zgjodhëm ”Salt”, në rrugën ”Pjetër Bogdani”, një restorant me një stil avangard, elegant dhe të rafinuar, dizajni i të cilit në format dupleks na bën të dashurohemi.
Specializuar në kuzhinën mesdhetare, ushqim deti dhe sushi, ajo gjithashtu ka edhe një ambient për koktej. Aty gjendet edhe ”Choko” që bashkon tradicionalen me modernen në të njëjtën pjatë.
Për një pije pas darke, ”Nunu Club” ka tavolina të larta dhe një zonë tarracë ku mund të shijoni me kënaqësi cilindo nga koktejet e shijshme në menunë tuaj.
Dita e dytë
Ora 10:00 Pas një dite të parë intensive, destinacioni i radhës ishte Pazari i Ri, megjithëse në realitet origjina e tij daton nga 1939.
Kjo hapësirë ku mëngjeset janë të mbushura me atmosferë u rimodelua në fund të vitit 2018 për t’u bërë një treg më në përputhje me ato europiane. Kjo është arsyeja pse, nga mesdita, dyqanet mbyllen, por restorantet hapen aty ku ne mund të kënaqemi me të gjitha llojet e shijeve. Gjithashtu, shpesh organizohen ngjarje kulturore si festivale, koncerte dhe panaire artizan ale.
Ora 12:00 Shkojmë për shëtitje me një itinerar shumë origjinal: ai që na çon të zbulojmë të gjitha ato fasada, që ishin pjesë e një projekti karakteristik të promovuar nga ish-kryetari i bashkisë së qytetit, Edi Rama, tani kryeministër i vendit. Që nga viti 2000, ai kërkoi t’i jepte një pamje të re të gjitha ndërtesave gri të kohës së komunizmit, të shpërndara në të gjithë qytetin. Si? Duke pikturuar fasadat e tyre me ngjyra dhe figura të ndritshme.
Guidat me rrugën e shënuar janë falas dhe mund të merren në Zyrën e Turizmit pranë sheshit ”Skënderbej”. Ka edhe itinerare të arkitekturës komuniste, historisë dhe temave të tjera dhe përfshin një mori fasadash më befasuese, të shpërndara përreth qendrës historike të Tiranës.
Artistë kombëtarë dhe të huaj kanë marrë pjesë në projekt si Ann Edholm nga Stokholmi, Franz Ackermann nga Berlini ose Tala Madani, nga Irani – të cilët vazhdojnë, edhe sot, duke reflektuar krijimtarinë e tyre përmes vizatimeve origjinale dhe muraleve mbi ndërtesat.
Qëllimi? Shndërrimi i Tiranës në një galeri të vërtetë të hapur arti.
Ora 14:30 Jemi duke provuar kuzhinën tradicionale shqiptare në restorant ”Oda”, një restorant komod i vendosur në një shtëpi të vjetër, kuzhina e të cilit kombinon receta antike me propozime të tjera më moderne.
Mjedisi? Autentik. Aq shumë, sa besojmë se po drekojmë në shtëpinë e një tirani: tavolina të ulëta prej druri, dekorim disi të veçantë dhe vëmendja më e kujdesshme sigurojnë një përvojë të shkëlqyer. Në pjatë, të gjitha llojet e propozimeve me një aromë Shqipërie: Qengji i pjekur, byrek me spinaq dhe patëllxhanë të mbushur.
Ora 16:30 Është e domosdoshme të shihni Shtëpinë e Gjetheve. Ky muze, i hapur në vitin 2017, zë ndërtesën e vjetër nga epoka komuniste që shërbeu si bazë për Sigurimin, policinë sekrete shqiptare.
Në dhomat e saj tregohet gjithçka që mund të imagjinohet për procedurat dhe sistemet e spiunazhit: pajisje fotografike, sisteme regjistrimi, mikrofonë, video, intervista…
Një univers paralel që tregon, edhe një herë, që ndonjëherë realiteti tejkalon trillimet.
Ora 18:30 Vendi ideal për t’i thënë lamtumirën Tiranës, këtij qyteti që na ka treguar kaq shumë fytyra të ndryshme, është mushkëria e gjelbër e kryeqytetit: 289 hektarët e Parkut të Madh janë vendi ideal ku të shëtisësh, të merresh me sport, të peshkosh në liqenin e tij artificial ose të pushosh, i shtrirë në lëndinë, pas një ditë të ngarkuar.
Në këtë pikë, një gjë është e qartë për ne, Tirana po ndryshon me hapa të mëdha, duke u munduar të kompensojë kohën e humbur, por pa hequr dorë nga e kaluara e saj, thelbësore për të kuptuar se cila është bërë sot.
Dhe për ta zbuluar atë, bëni mirë të nxitoni, sepse kur erërat e reja të Europës ta pushtojnë, ka për të qenë vonë. / KultPlus.com
Kanë kaluar disa javë që kur pandemia covid-19 preku edhe Shqipërinë, andaj që nga atëherë e deri më tani janë marrë masa të ndryshme nga qeveria.
Mirëpo tani me lehtësimin e këyte masave edhe qytetarët kanë filluar t’i kthehen normalitetit.
Në një fotografi të bërë nga Arben Bici, shihen një numër i madh qytetarësh në qytetin e Tiranës.
Orari i qarkullimit në Shqipëri është i ndarë, ku deri në orën 10:00 mundësi qarkullimi kishin pensionistët ndërsa duke filluar nga ora 11:00 deri në orën 17:30 kanë të drejtë qarkullimi prindërit me fëmijë nën moshën 14 vjeçare.
Ndërsa Edi Rama po ashtu njofton se në ditët në vijim do të ketë ende lehtësim të masave.
Në dekadat e fundit, fatkeqësitë natyrore me të cilat përballet njerëzimi, sa vijnë dhe shtohen duke marrë qindra-mijëra jetë njerëzore si pasojë e forcës shkatërrimtare të natyrës.
Por, a është Covid-19 një armik natyror i njerëzimit apo është vetëm një bumerang i sjelljes njerëzore ndaj natyrës?
Këto foto të shkrepura japin përgjigjen e duhur të kësaj pyetje!
Nga shifrat e publikuara thuhet se është ajri i ndotur që vret në mënyrë “të heshtur” rreth 4,2 milion jetë çdo vit në shkallë globale.
Por, siç dhe shihet kjo pandemi ka sjellë një të mirë, atë të pastrimit të “mjegullës vdekjeprurëse”. /tch/ KultPlus.com
Redaktorët e fotografisë në prestigjiozen “The Guardian” kanë zgjedhur disa prej fotove më të mira të ditës të shkrepura në vende të ndryshme të botës, mes tyre edhe një nga kryeqyteti shqiptar.
Bëhet fjalë për një foto të fiksuar nga fotoreporteri i Reuters, Florion Goga, mëngjesin e kësaj të hëne në kombinat, aty ku tregu u rihap me rregulla të reja nga Bashkia e Tiranës, me qëllim parandalimin e përhapjes së Covid-19.
Në qendër të fotos, është kapur momenti kur moderatorja e emisionit “Ora e Tiranës”, Enxhi Nasufi, po kalonte tunelin e dezinfektimit, teksa po xhironte episodin e radhës.
“Blerësit dezinfektohen para se të hyjnë në një treg, në Tiranë, pasi autoritetet kanë marrë masa për të ndaluar përhapjen e koronavirusit”,- thuhet në përshkrimin e fotos.
Fotot e tjera tregojnë se si qytetarë nga mbarë bota po respektojnë masat e marra nga shtetet e tyre, e deri tek foto nga Kina, ku jeta duket se po i rikthehet normalitetit, pasi autoritetet shëndetësore aty kanë njoftuar se vendi e ka kaluar tashmë pikun e koronavirusit./tch/ KultPlus.com
Pezullim i të gjitha aktiviteteve kulturore dhe mbyllja e muzeve dhe parqeve arkeologjike, në varësi të Ministrisë së Kulturës
Me qëllim mbrojtjen e shëndetit të popullatës nga infeksioni i shkaktuar nga COVID-2019, sipas urdhrit nr.132, datë 08.03.2020 të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, “Për mbylljen e aktiviteteve publike dhe jopublike dhe anullimin e grumbullimeve masive në vende të mbyllura apo të hapura”, duke parë interesin e vazhdueshëm të turistëve të huaj për të vizituar muzetë dhe parqet arkeologjike, por edhe numrin e madh të frekuentuesve të Bibliotekës Kombëtare, Ministria e Kulturës urdhëron: -Pezullimin deri në datën 3 prill 2020, të të gjitha aktiviteteve kulturore, konferencave, këshillave kombëtare, dëgjesave publike, të parashikuara për t’u zhvilluar në institucionet e varësisë: Teatri Kombëtar Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor Teatri Kombëtar Eksperimental, “Kujtim Spahivogli” Cirku Kombëtar Qendra Kombëtare, Kulturore për Fëmijë Arkivi Qendror Shtetëror të Filmit Biblioteka Kombëtare Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore
-Mbylljen deri në datën 3 prill 2020 të muzeve publikë në varësinë e Ministrisë së Kulturës -Mbylljen deri në datën 3 prill 2020 të parqeve arkeologjike -Pezullimin e shërbimit për përdoruesit dhe mbylljen e sallave të leximit në Bibliotekën Kombëtare -Protokolli për kërkesa/ ankesa pranë Ministrisë së Kulturës do të funksionojë me orar të reduktuar.
Kërkojmë mirëkuptimin e institucioneve kulturore private: kinema e muze, t’i bashkohet masave të ndërmarra nga Qeveria shqiptare, për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-2019./TCH / KultPlus.com
Tirana më 11 shkurt të vitit 1920 u shpall përkohësisht kryeqytet i vendit, duke kaluar më pas në etapa të ndryshme të evoluimit të saj, si gjatë Mbretërisë, periudhës së pushtimit nazifashist dhe komunizmit, si dhe në fazën e tranzicionit.
Gjatë periudhës 100-vjeçare me statusin e kryeqytetit të Shqipërisë, Tirana ka kaluar në faza të ndryshme historike të zhvillimit dhe transformimit të saj në një metropol modern, shkruan Anadolu Agency (AA).
Në Tiranën e sotme bashkëjeton historia me modernen, trashëgimia kulturore me trendet e reja të zhvillimit urbanistik, por edhe turizmi i shumëllojshëm, e ka shndërruar Tiranën në dekadën e fundit, në një atraksion turistik.
Tirana më 11 shkurt të vitit 1920 u shpall përkohësisht kryeqytet i vendit, duke kaluar më pas në etapa të ndryshme të evoluimit të saj, si gjatë Mbretërisë, periudhës së pushtimit nazifashist dhe komunizmit, si dhe në fazën e tranzicionit pas përmbysjes së sistemit diktatorial.
Gjatë një shekulli me statusin e kryeqytetin të Shqipërisë, Tirana ka arritur të ruajë edhe trashëgiminë e pasur kulturore dhe historike, ku sot pjesë e saj janë monumentet e kulturës të kategorive të ndryshme, si xhami, kala, ura, shtëpi karakteristike tiranase, dhe objekte të tjera që mbrohen nga shteti.
Sipas Fjalorit Enciklopedik Shqiptar (Botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, viti 2008) historia e Tiranës shënon një kthesë të rëndësishme në vitin 1614 (që konsiderohet edhe viti i themelimit të qytetit të sotëm), gjatë periudhës osmane, kur Sulejman Pashë Bargjini, një sanxhakbej, ndërtoi në qendrën e sotme të kryeqytetit një xhami, një han, një hamam dhe një furrë, që sot nuk ekzistojnë më.
Shpallja e Tiranës kryeqytet
Tirana pas shpalljes së pavarësisë së vendit në vitin 1912 vazhdoi të ishte një qytet me ndikim në vend, ndërsa pas shpalljes kryeqytet të Shqipërisë ka përjetuar ndryshime të mëdha sidomos sa i përket infrastrukturës dhe arkitekturës.
Organet e shtetit shqiptar që dolën nga Kongresi i Lushnjës siç ishin Këshilli i Naltë dhe qeveria u vendosën më 11 shkurt 1920 në Tiranë, që u caktua përkohësisht kryeqytet i Shqipërisë, kurse përfundimisht Tirana u shpall kryeqytet me statutin e Republikës Shqiptare në janar të vitit 1925, duke mbetur deri në ditët e sotme kryeqytet i vendit. Para se të merrte Tirana këtë status, kryeqytet i vendit shërbeu për disa vite Durrësi.
Ndërkohë edhe në kushtetutën e sotme të Shqipërisë mbrohet dhe caktohet statusi i Tiranës si kryeqytet i vendit.
Periudha e Mbretërisë në Shqipëri (1928-1939) shënon një zhvillim infrastrukturor të vendit, ndërsa në Tiranë mbizotëruan ndërtesat e stilit të arkitekturës italiane. Në periudhën e atyre viteve u ndërtuan sheshi kryesor i kryeqytetit, godinat e ministrive, banka kombëtare dhe një pjesë e Pallatit të Brigadave.
Tirana gjatë komunizmit (1944-1991)
Pas çlirimit të vendit në nëntor të vitit 1944 nga pushtuesit nazifashistë, në vend u vendos sistemi komunist, ku ish-udhëheqësi diktatorial Enver Hoxha, i kushtoi rëndësi ndërtimit të objekteve sipas modelit sovjetik, ndërsa statusi si kryeqytet nuk ndryshoi.
Muzeu Historik Kombëtar, Pallati i Kongreseve, Pallati i Kulturës (sipas modelit sovjetik), Tirana International Hotel, Piramida (ish-muzeu i diktatorit Hoxha), Galeria Kombëtare e Arteve dhe shumë pallate banimi janë ende sot disa nga objektet e mëdha dhe të njohura që janë trashëgimi e regjimit komunist.
Pallatet parafabrikate, ashtu si në shumë vende ish-komuniste të Evropës mbeten edhe sot si modele të ndikimit komunist mbi arkitekturën e ndërtimeve.
Pas vdekjes së diktatorit Enver Hoxha(1985), një muze në formën e një piramide u ndërtua në nder të tij, ndryshe e njohur si “Piramida”, ndërsa aktualisht kjo ndërtesë nuk kryen më funksionet e një muzeu.
Ajo që në atë periudhë vishej me mister, ishte zona e “Bllokut”, lagjja e famshme ku ishin të vendosura rezidencat e drejtuesve të lartë të shtetit komunist, ndërsa ishte një zonë e ndaluar që të lëviznin qytetarët. Pjesë e kësaj zone, ishte edhe vila ku jetonte ish-diktatori Enver Hoxha, e cila është një ndërtim i periudhës së komunizmit.
Gjatë komunizmit, përveç ndërtimeve sipas stilit sovjetik, nuk munguan as emrat e udhëheqësve komunistë nëpër institucione, sheshe dhe ndërmarrje të ndryshme, duke patur një ndikim edhe në organizimn e jetës politike dhe shoqërore të vendit.
Tirana e sotme si qytet modern dhe atraksion turistik
E pozicionuar pothuajse në pjesën qendrore të vendit, sot Tirana është qendra kryesore e jetës politike, ekonomike dhe kulturore të Shqipërisë, dhe qyteti më i madh i vendit, ndërsa nga pikëpamja demografike pjesë e qytetit janë përveç vendaseve edhe banorë që kanë ardhur pothuajse nga të gjitha qytetet e tjera të Shqipërisë.
Pas përmbysjes së regjimit komunist në vitin 1991, popullsia e Tiranës filloi të rritej ndjeshëm, për shkak të lëvizjes së popullsisë nga qytetet e tjera të vendit, drejt kryeqytetit. Ky ndryshim demografik, solli edhe ndryshime të tjera në infrastrukturë, duke u ndërtuar lagje të reja, ndërsa filluan ndërtimet masive të pallateve, objekteve dhe shesheve të reja, duke e transformuar Tiranën në një metropol modern.
Sipas të dhënave të publikuara nga Bashkia e Tiranës e cila drejtohet nga Erion Veliaj që nga viti 2015, qyteti ka aktualisht 811.649 banorë me një moshë mesatare 32 vjeç, ndërsa sot është një qytet dinamik e gjallërues, në një transformim të vazhdueshëm, si nga pikëpamja demografike ashtu edhe nga arkitektura.
Vitet e para të tranzicionit pas përmbysjes së diktaturës sollën ndërtime kaotike për shkak të lëvizjes së popullsie nga qytete e vendit drejt kryeqytetit, por pas vitit 2000, modelet e zhvillimit urban ishin në fokus të kryebashkiakëve, për ta shndërruar në një metropol të vërtetë evropian.
Gjatë periudhës 100-vjeçare me statusin e kryeqytetit të Shqipërisë, Tirana ka kaluar në faza të ndryshme historike të zhvillimit dhe transformimit të saj në një metropol modern. Në Tiranën e sotme bashkëjeton historia me modernen, trashëgimia kulturore me trendet e reja të zhvillimit urbanistik, por edhe turizmi i shumëllojshëm, e ka shndërruar Tiranën në dekadën e fundit, në një atraksion turistik. Tirana më 11 shkurt të vitit 1920 u shpall përkohësisht kryeqytet i vendit, duke kaluar më pas në etapa të ndryshme të evoluimit të saj, si gjatë Mbretërisë, periudhës së pushtimit nazifashist dhe komunizmit, si dhe në fazën e tranzicionit pas përmbysjes së sistemit diktatorial. ( Olsı Shehu – Anadolu Agency )
Në Tiranë monumentet e kulturës, bashkëjetojnë me ndërtesat e arkitekturës moderne, në disa raste të “fshehura”, por edhe të vendosura në qendër të Tiranës, si dëshmitare e kohës që u ngritën. Nga ana tjetër këto monumente luajnë një rol të rëndësishëm për rritje e numrit të turistëve, që vizitojnë Tiranën, e në të njëjtën kohë në promovimin e saj si destinacion turistik.
Kryeqyteti i Shqipërisë ka një mori monumentesh kulturore të karakterit historik që mbrohen nga shteti, por ato që tërheqin më shumë vëmendjen e vizitorëve pothuajse janë të vendosura në qendër të kryeqytetit, dhe zonën përreth saj, si Kalaja e Tiranës, Monumenti i Kapllan Pashës, Xhamia e Et’hem Beut, Kulla e Sahatit, Ura e Tabakëve, shtëpitë e vjetra që kanë statusin monument kulture.
Mozaikut të monumenteve të kulturës në Tiranë, gjatë viteve të tranzicionit i janë shtuar edhe objekte të tjera kulturore moderne, duke bërë një ndërthurje të shumë elementeve dhe gërshetim të kulturave.
Vetëm në Sheshin Skënderbeu dhe pranë tij, shikojmë që “dëshmojnë” disa periudha të historisë me ndërtesat tipike të tyre, siç është Xhamia Et’hem Beu e periudhës osmane, Muzeu Historik Kombëtar dhe Pallati i Kulturës të periudhës së komunizmit dhe ndërtesat e ministrive që i përkasin periudhës së Mbretit Zog.
Ndërsa vetë Sheshi Skënderbeu pësoi një transformim total në vitet e fundit, ku me mijëra metra katrorë janë shtruar me pllaka guri nga të gjitha trevat shqiptare.
Nga ana tjetër në kryeqytetin e Shqipërisë janë të hapur për vizitorët, përveç Muzeut Historik Kombëtar, edhe Muzeu Arkeologjik i Tiranës, Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”, Bunk’Art (ish-vendstrehimi antibërthamor i Shqipërisë komuniste) dhe Bunkart 2 që tregon për persekutimin komunist në Shqipëri, Muzeu i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe Muzeu Shkencave të Natyrës, ku turistët e huaj “udhëtojnë” në periudhat e ndryshme të historisë, jo vetëm të kryeqytetit, por të gjithë Shqipërisë.
Përveçse një metropol i mbushur me atraskione turistike për shkak të objekteve të trashëgimisë kulturore, nga ana tjetër Parku i Madh i Liqenit Artificial, Mali i Dajtit afër qytetit, përveç atraksione për turizmin e natyrës, ofrojnë për të gjitha moshat ambiente për argëtim.
Ndërkohë Tirana ka ruajtur edhe traditën e bashkëjetesës fetare, ndërsa metropoli i Shqipërisë është vendi ku po ndërtohet Xhamia e Namazgjasë, ndërsa janë edhe selitë e Kishës Katolike, Kishës Ortodokse dhe Kryegjyshata Botërore Bektashiane.
Në dy dekadat e fundit Tirana ka pësuar ndryshime edhe në pamjen e saj. Një pjesë e pallateve të ndërtuar gjatë kohës së komunizmit u lyen në ngjyra të ndezura. Kjo nismë ndërmor nga ish-kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama, kryeministri aktual i vendit i cili i ndikuar edhe nga profesioni i tij si piktor ai vendosi të transformojë fasadat e pallateve që ishin ndërtuar gjatë regjimit komunist, sidomos në sheshet dhe rrugët kryesore të kryeqytetit.
Sheshi i ri i qendrës së qytetit, pallatet shumëkatëshe dhe godinat e tjera social-kulture, restaurimi i godinave kryesore të ministrive në qendër të Tiranës, rinovimi i Pazarit të Ri, ndërtimi i stadiumit të ri “Air Albania” dhe shumë objekte të tjera e shndërruan Tiranën në një metropol modern i cili tërheq edhe vëmendjen dhe interesin e turistëve të huaj nga shumë vende të botës.
Ndërsa Tirana po mbyll shekullin e parë si kryeqytet i vendit, qyteti në dekadën e ardhshme në objektivat strategjikë të institucioneve të vendit synohet të shndërrohet në një qytet policentrik. / Gazeta e re / KultPlus.com
Pak javë më parë në “Një ditë me Dojnën” Visjan Ukcenaj është shprehur se “Aktorët nuk paguhen” nisur nga kjo frazë, Neritani Liçaj ka treguar se është e vërtetë. Madje ai vetë pavarësisht se është lindur dhe rritur në Tiranë, vazhdon të jetë edhe sot në një shtëpi me qira, shkruan Lapsi.al.
“Po e vërtetë, unë jam ende me qira. Le e rrit n’Tiron dhe jam me qira.”– është shprehur aktori.
Ndërsa për të rinjtë që kanë pasion aktrimin ai thotë se duhet ta ndjekin ëndrrën e tyre deri në fund.
“Mund të shtoj vetëm këtë, kush e ka vërtetë pasion le të ndjeki ëndërr, dhe pse është pa para, prap mbetet ëndërr.- ka përfunduar ai. /KultPlus.com
Tirana ka marrë një tjetër pamje përgjatë ditëve të fundit dhe tashmë është gati për të pritur festat e fundvitit.
Pas ndezjes së dritave te Pazari i Ri edhe Parku Europa pranë Sheshit Skëndërbej është zbukuruar me dritat e festës, ndërsa numri 2020 i kujton të gjithëve se jemi në prag të ndërrimit të viteve.
Bashkia është kujdesur këtë vit që të ketë një atmosferë edhe më të gëzueshme në këtë park, duke krijuar një tunel artistik me drita rretheqark tij, çka ka ngjallur interesin e shumë qytetarëve të cilët nuk kanë munguar që të fiksojnë këto moment edhe në foto.
Kryebashkiaku Erion Veliaj ka postuar edhe disa foto nga kjo atmosferë e gëzueshme ndërsa paralajmëron se ka akoma surpriza.
“Festat e fundvitit po afrojnë! Tirana ka nisur zbukurimet e dekoret me surpriza të reja për 2020. Prisni – prisni! Vetëm sapo kemi filluar…”, shkruan Veliaj. TCh / KultPlus.com
Tirana ka triumfuar në Amiens të Francës, ku mes 5 qyteteve kandidate mundi të shpallej zyrtarisht si Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022!
Lajmin e bukur e ka dhënë mbrëmjen e sotme vetë kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, ku Tirana u vlerësua për fokusin që ka pasur tek të rinjtë, duke filluar nga ata më të vegjlit me çerdhet, kopshtet, shkollat, këndet e lodrave e deri te studentët me rikonstruksionin e konvikteve, apo krijimin e një sërë lehtësirave që ofron tashmë karta e studentit e kthyer në një realitet.
“Tirana është zyrtarisht fituese e çmimit European Youth Capital 2022! Super lajm për qytetin e veçanërisht për të rinjtë që do jenë motori i vitit europian të rinisë 2022”, shkruan Veliaj.
Tirana ishte përzgjedhur si një nga pesë qytetet kandidate për t’u zgjedhur si Kryeqyteti Evropian për të rinjtë 2022. Nga dhjetëra qytete të Europës që aplikuan, mes pesë qyteteve finaliste ishte renditur edhe Tirana, krahas Kazanit (Rusi), Poznań (Poloni), Varaždin (Kroaci) dhe Baia Mare (Rumani). Qytetet finaliste për EYC 2022 u përzgjodhën nga një panel i pavarur si Parlamenti Evropian, Komiteti i Rajoneve, Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, etj.
Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një sërë nismash në organizimin dhe mbështetjen e aktiviteteve rinore si: Tirana Art Fest, Java Evropiane, Ditët e hapura të edukimit të BE, Ditët Rinore të Start Up-eve, Ditët e Rrjetëzimit të të Rinjve dhe Bizneseve etj.
“Kryeqyteti shqiptar ku përplaset historia e çuditshme dhe e ardhmja e ndritur e vendit”. Me këto fjalë e nis artikullin kushtuar Tiranës gazeta prestigjoze amerikane “New York Times”, e cila i bën një përshkrim ndryshimeve që ka pësuar vitet e fundit kryeqyteti shqiptar, por edhe potencialit për një të ardhme të shkëlqyer.
Artikulli i publikuar në gazetën më me influencë në SHBA thotë se gjatë pesë viteve të fundit, Shqipëria është cilësuar nga turistë si ai vendi i rrallë: një qoshe thuajse fare e pazbuluar e Europës, me një kryeqytet kozmopolitan, me restorante të reja, dyqane dhe galeri, që përzihen me trashëgiminë thuajse surrealiste të së kaluarës.
“Për të kuptuar përplasjen e epokave në Tiranë mjafton të vizitoni Sheshin “Skënderbej”, i rinovuar së fundi me shatërvane dhe pllaka të trëndafilta graniti, që mban mbi vete xhaminë me minare të Shekullit të XVIII, një Kishë Orthodhokse shqiptare në formë kubeje e hapur në vitin 2012, një sërë ndërtesash qeveritare që jehojnë arkitekturën fashiste të Italisë së Musolinit dhe një monolith brutal ku ndodhet Muzeu Historik Kombëtar. Tirana mund të mos jetë një skenë e fortë avantgarde, por ngacmon guximshëm me ikonoklasikën e saj – Piramida, një monument i madh kushtuar Hoxhës në qendër të qytetit, është sot një vend i njohur për skate boarder – dhe dëshirën për të jetuar, me të cilën ka joshur shumë turistë”, vijon artikulli i prestigjiozes amerikane. /KultPlus.com
Gazeta britanike “Standard” ka publikuar një artikull mbi qytetet më të lira për të pushuar në Europë, mes të cilave renditet edhe Tirana.
Bazuar në të dhënat e raportit të “Post Office Travel Money” dhe “Airbnb”, artikulli identifikon 10 qytete europiane, që sipas tyre, po shënojnë rritje të shpejtë të kërkesës nga turistët për akomodim.
Raporti përfshin të dhënat për 12 muajt e fundit, dhe rendit në krye të listës qytetin Lviv në Ukrainë. Tirana pason vendin e dytë në këtë renditje, si një nga qytetet më të mira dhe më të lira për të pushuar në Europë.
Lista vijon me Katovicën në Poloni, Kosice në Sllokavi, Kaunas në Lituani, Antalja në Turqi, dhe Bari në Itali.
Ndërsa, tre vendet e tjera që përmbyllin listën, janë: Moska në Rusi, Lisbona në Portugali, dhe Alkmaar në Holandë.
Sipas të dhënave të këtij raporti, Tirana është një destinacion i preferuar për turistët, pasi një fundjavë për dy persona në kryeqytetin shqiptar llogaritet të kushtojë në rreth 153.43 paund.
Më poshtë lista me 10 qytetet më të preferuara dhe çmimet për dy persona për një fundjavë:
Analistja dhe akademikja Zamira Çavo i ka dërguar një letër publike kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Letra lidhet me memorialin e ngritur te zona e liqenit artificial në kryeqytet në nder të të rënëve gjatë grushtit të shtetit në Turqi.
Në letrën e postuar në faqen e saj në Facebook, e që vjen pas reagimit të kryebashkiakut Veliaj lidhur me ngjarjen në fjalë, akademikja shprehet se ngritja e memorandumit është një turp kombëtar dhe një akt i parecedentë në historinë botërore.
Çavo e quan Veliaj “përdhosës të imazhit të Tiranës” dhe e pyet se çfarë e detyroi që ndërmori një akt të tillë.
Letra e plotë për kryebashkiakun Veliaj
Së pari ju falenderoj për shpejtësinë me të cilën u përgjigjet publikisht edhe ndaj një kërkese timen, për të na sqaruar në lidhje me memorialin te Liqeni.
Sinqerisht do kisha dashur të mos e kisha lexuar apo dëgjuar atë cka thatë. Nuk arrij dot ti besoj veshëve e syve! Në ndërgjegjen time isha gati e bindur se gjithcka thuhej në rrjetet sociale ishte një gënjeshtër e shëmtuar. Isha gati e bindur se ju nuk do mund ta kishit bërë dot kurrë një marrëzi të tillë! Dhe dini përse? Sepse në ekran ku ju nuk mungoni asnjë ditë, ju shfaqeni si njeriu që do Tiranën dhe qytetarët e saj më shumë se cdo gjë e q lodhet nga mëngjesi në darkë për ta bërë qytetin të ngjashëm me kryeqytetet e Europës. Nuk e besoja edhe për faktin se asnjë shqiptar qoftë edhe me nivelin minimal të dashurisë për vendin nuk do ta kishte bërë! Por ja që ju jo vetëm e paskeni kryer por dhe madje merrni guximin të na bëni ne fajtorë! Jo Z Veliaj, në këtë rast jeni ju që nuk keni gabuar, sepse ju keni bërë FAJ!
Shikoni cfarë guximi keni marrë kur thoni se: “Në atë territor ka mbi 50 pika, ku janë kujtuar raste të ndryshme, dhe secili ka mundësi të respektohet. Unë do të thosha t’i lëmë të vdekurit të qetë dhe kush do që t’i respektojë me një qiri, me një lule apo me një lutje, t’i lëmë gjithashtu të qetë. Tirana zemërmadhe ka vend për të gjithë. Ndaj, për të gjithë ata që vapa e gushtit i kapi në ngut për fletërrufe, s’ka ndodhur asnjë hata, le më tradhti apo ndonjë shkelje e kësaj natyre”.
Me gjeni vetëm një arsye, një të vetme, që unë ta pranoj këtë që thoni ju! Po si guxoni të ngrini një Memorial për ca njerëz të vdekur që nuk kanë asnjë lidhje me ne?! As eshtrat e as ngjarja nuk i ka lidhur me ne! Si guxoni e na thoni se ti lemë të vdekurit të qetë kur ju po na përdhosni ne të gjallët me këtë veprim sa antikombëtar aq edhe poshtërues??
Më thoni pse duhej realizuar një veprim të tillë ? Pse qyterai që lëviz në tokën e tij të shikojë ca emra të vdekurish që ranë për konflikte të tyre, pa asnjë lidhje me ne??? Deri diku do ta justifikoja një memorial për ata qindra emigrant që humbasin jetën cdo ditë në dete në kërkim të një jete më të mirë …!
Nuk arrij as ta perceptoj dot këtë që keni bërë e pale kuptoj justifikim që keni gjetur! Në Liqenin tim, tonin, të femijëve tanë, do na qëndrojë i ngulur ky memorial për ti treguar botës së cfarë pseudoshqiptarësh kemi nxjerrë në krye, se sa naiv jemi treguar si popull që i kemi besuar kësaj race të paskrupullt politikanësh!
Erion ju nuk jeni Zot I Tiranës! Ju kam mbështetur sa herë ka qenë nevoja për ti bërë mirë komunitetit. Por me këtë veprim tuajin, unë kuptoj se për ju nuk paska asnjë rëndësi qytetari i Tiranës, nderi i Tiranës dhe mbi të gjitha Shqipëria! Me gjeni një vend në botë që ka bërë një veprim të tillë ! Ky është jo vetëm një turp lokal, por kombëtar! Pale guxoni e më thoni të ndez një qiri në emrat e atyre që u vranë gjatë një grushti shteti në një vend që as më intereson fare!
Ndaj nga sot unë, po besoj edhe shumë të tjerë si unë, do t’ju shikojnë si një përdhosës të imazhit të Tiranës dhe jo si një kryeshërbëtor të saj!
Njëmijë cmime të blera ose të fituara poshtë e lart botës si kryebashkiak i suksesshëm, nuk do mund ta shlyejnë dot këtë marrëzi!
E së fundmi nuk e mora përgjigjen: Cfarë ju detyroi ta bëni një veprim të tillë??
Portrete, trupa, elementë grafikë, shkronja, hiper-realizmi në skaj të fotografisë. MuralFest, për vitin e dytë, e ka transformuar Tiranën në një muze të hapur.
Shumë artistë erdhën nga e gjithë bota për të pikturuar muret e qytetit. Ndër veprat, ato që spikasnin janë portretet njerëzore dhe pjesëza nga kultura pop, mjedisi urban dhe natyra.
18 artistë të artit mural të ardhur nga Italia, Argjentina, Spanja, Polonia, Rumania, Greqia, Anglia, SHBA etj., me pikturat e tyre, sollën në muret e Kryeqytetit bashkëveprimin mes ideve të pjesëmarrësve dhe komunitetit.
Ky aktivitet u mbajt falë bashkëpunimit të Dekor Tirana dhe laboratorit te artit urban 167B/street te Leçes, Itali me mbështetjen e Drejtorisë të Punëtorëve nr 3 – Bashkia Tiranë, Ambasadës të Rumanisë, Institutit Italian të Kulturës dhe Aleancës Franceze.
Për organizatorët e Festivalit, qëllimi i këtij aktiviteti është t’i japë vazhdimësi imazheve që shprehin vlerat njerëzore, shoqërore duke respektuar identitetin multikulturor.
MurAL Fest Tirana është një kontribut unik, i cili do t’i japë qytetit një nxitje për transformimin e Tiranës në kryeqytetin e artit dhe kulturës, një urë tregimesh të reja vizuale në Ballkan, si dhe bashkëpunime të pandërprera.
Jeta e përditshme, rruga dhe historitë e saj janë të ndërthurura, duke u rritur në mure dhe reinventuar në një përzierje të gjuhëve në një mënyrë për të krijuar identitetin dhe ridizajnimin e hapësirës urbane, duke synuar ndërtimin e një historie të re./ATSH/KultPlus.com
E rrethuar nga mali madhështor i Dajtit dhe liqeneve përreth saj, Tirana ofron një larmishmëri aktivitetesh në natyrë. Por, vizitorët nuk kanë nevojë t’u largohen kufijve të kryeqytetit shqiptar për të shijuar aventurat, shkruan Elisa Morton e faqes së specializuar për udhëtimet partner-britishairways.culturetrip.com., në shkrimin me titull ”Nga natyra te aventurat e qytetit – Si Tirana ofron më të mirën e të dyjave”.
Dikur një emblemë e kaosit urbanistik postkomunist, Tirana
bashkëkohore ka gjetur pikënisjen nga peizazhet e mrekullueshme që e rrethojnë.
Hapësira, liria dhe ndjenja e aventurës e karakterizojnë këtë qytet në
zhvillim, shtuar bollëkun e hapësirave të gjelbërta dhe dizajnin e fokusuar tek
njerëzit, kryeqyteti shqiptar po krijon emrin e tij si një destinacion për
eksploruesit urbanë.
I njohur gjerësisht si qendra e gravitetit të Tiranës,
sheshi “Skënderbej” është një shembull kryesor i ripërtëritjes së qytetit.
Ditët pa makina përreth sheshit të gjerë u kanë dhënë hapësirë këmbësorëve.
Stola me ngjyra të ndezura dhe ishuj të harlisur nga gjelbërimi ofrojnë relaks
për këmbësorët e lodhur, ndërkohë që është gjithashtu një qendër edhe për ata
që përdorin patinat.
Narrativa se Tirana po shkëputet nga e kaluara e saj
komuniste është ndoshta paksa e keqkuptuar; pasi qyteti është gjithashtu i
mbushur me kujtime arkitekturore interesante të para viteve ‘90, që po
përfshihen në metamorfozën e Tiranës për t’u shfrytëzuar nga një qytet i ri,
pjesa më e madhe e banorëve të rinj të të cilit nuk kanë kujtime nga periudhe
komuniste.
Piramida e Tiranës, një strukturë monumentale prej betoni që
fillimisht do të bëhej muzeum, është një vend popullor për aventura (ju mund të
shihni edhe disa banorë vendas që përpiqen të ngjiten në të). Ndërkohë, Parku i
Madh i Tiranës është një shesh lojrash i gjerë dhe i gjelbër ku mund të provosh
kajakun apo të zhytesh në një pishinë publike.
Parku është gjithashtu vendi i restorantit “Mullixhiu”, një
vend i rafinuar me dekor të ngjashëm me një kasolle druri në fshat. Menuja e
provës në këtë restorant “gourmet”, por me çmime të lira ofron një udhëtim
nëpër fushat pjellore dhe pyjet. Provoni një sallatë me kunguj dhe hurma,
gnocchi me shafran Elbasani ose jufka ala taljatel me djathë nga veriu i largët
i Shqipërisë.
Energjia e papërballueshme e Tiranës ka lindur nga e kaluara e saj e pasur dhe prirja për ndryshim – kështu që, ndërkohë që ana rurale mund të provokojë të dashuruarit e hapësirës për të ecur nëpër shtigjet malore, një ditë rreth qytetit garanton një aventurë urbane që nuk do të zhgënjejë.
Koncerti “Të gjitha rrugët të çojnë në Tiranë” do të vijë për publikun nesër në Amfiteatrin e Tiranës tek Liqeni. Në këtë koncert janë bërë bashkë tetë artistë të njohur, ku secili do të këndojë nga tre këngë . Këngëtarët vijnë me këtë koncert, duke ia dedikuar qytetit të Tiranës, skenës së madhe të të gjithë artistëve.
“Të gjitha rrugë t që të çojnë në
Tiranë është një koncert që do të ketë një
jetë të gjatë edhe do të vazhdojë edhe në
vazhdim. Kemi disa surpriza, kemi menduar për një shorte, edhe do
të ketë edhe shumë dhurata, që do të jepen në
fund të koncertit”, shprehet këngëtarja Rovena Dilo.
Ndërsa, këngëtarja e këngës popullore, Maya Aliçka, e quan
këtë koncert, një iniciativë shumë të mirë, sepse ka bërë bashkë artistë
artistë të mirëfilltë të skenës sonë.
“Është kënaqësi, sepse që të gjithë kolegët që
janë këtu, janë të mrekullueshëm m edhe mera
shumë të fortë të tregut. Është kënaqësi për mua,
që të tillë emra janë bashkë”, shton Aliçka.
Këngëtarja Lori Kaçka, e cila do të vijë për publikun me
këngën “I papamë” , shton edhe se: “Edhe pse jam korçare, nesër kam
menduar që të këndojë një porpuri të Veriut,
“Vallja e Tropojës” dhe të Rugovës, mendova që ta sjell në
një lloj kolazhi”.
Organizatori i koncertit na zbulon edhe emrat e artistëve të
tjerë pjesëmarrës.
“Janë gjithashtu artistët Eranda Libohova, Remzie dhe
Nexhat Osmani, Selami Kolonja, Gili, Orgesa Zaimi”, shprehet Eraldo Rexha.
Koncerti zhvillohet në datë 20 qershor në
Amfiteatrin e Tiranës tek Liqeni.
Këto dy vajza në foto janë motra dhe fotografia është realizuar në vitin 1920. Sipas gazetarit të Zërit të Amerikës, Ilir Ikonomi, dy motrat e varfra kishin ecur 40 km nga një fshat malor për të arritur në Tiranë.
Me anë të një statusi në “Facebook” gazetari shkruan:
Dy motrat shqiptare dhe një histori prekëse
Këto dy motra të varfra kishin ecur 40 kilometra nga një fshat malor për të arritur në Tiranë. Vajza në të majtë vuante nga një infeksion i rëndë në sy dhe, për të shpëtuar nga verbimi i plotë, kishte nevojë për një ilaç që shpërndahej nga farmacia e Kryqit të Kuq Amerikan në Tiranë. Motrat kishin sjellë me vete dy pula dhe gjashtë vezë për t’ia dhënë mjekut amerikan. Kur iu tha se ilaçi ishte falas, ato refuzuan dhe nuk donin të largoheshin pa lënë pulat dhe vezët që kishin sjellë. Një histori që flet shumë për karakterin dhe moralin. (Biblioteka e Kongresit, Uashington) 1920
Muzetë e Shqipërisë sot do jenë të hapura për publikun gjatë ditës e deri në mesnatë, ku vizitorë do kenë mundësi të shijojnë një rrugëtim mes historisë dhe artit falas.
Me rastin e 18 majit, Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, muzetë,
parqet arkeologjike dhe drejtoritë rajonale të vendit janë mobilizuar për të
ofruar një buqetë të gjerë ngjarjesh për publikun, nga nxënësit e shkollave e
deri te qytetarët artdashës.
Muzetë janë të shumtë në Shqipëri, ku vlen të përmenden
Muzeun e Ikonografisë “Onufri” dhe Muzeun Etnografik në Berat, muzetë
arkeologjikë në Durrës, Tiranë, Korçë, Muzeun e armëve dhe atë Etnografik në
Gjirokastër, Muzeu Etnografik në Sarandë, Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë
etj.
Tashmë këto muze çdo vit e më shumë po mirëpresin vizitorë të huaj dhe vendas. /atsh/KultPlus.com
Listës së projekteve të reja në Shqipëri, nga studio italiane “Stefano Boeri Architteti”, do i shtohet edhe një projekt tjetër. Bëhet fjalë për një kompleks të ndërtimit, për shumë familje i cili do të ndërtohet në Rrugën “Ibrahim Rugova”, në Tiranë.
Objekti i dazinuar në formë të kubeve të ndërthurura, zë një vend të rëndëishëm në hapësirën publike të Tiranës, duke mundësuar një lidhje të drejtpërdrejtë të ndërtesës me qytetin, transmeton Ndërtimi.info.
“Vëllimi duket si një përbërje e kube të mbivendosura: ajo vjen nga montimi vertikal i një serie të modulesh të banimit ashtu që secila njësi e jetesës të ketë të paktën një ballkon. Kjo zgjidhje arkitekturore lejon çdo apartament të ketë pikëpamje të ndryshme të perceptim të qytetit të Tiranës si tërësi”, u shpreh Drejtoresha e Projekteve, në “Stefano Boeri Architetti”, Francesca Cesa Bianchi.
Projekti i ri rezidencial, i vendosur në Rrugën Ibrahim Rugova, është ndërtesa e katërt në ndërtim e sipër në Tiranë e dizanjuar nga “Stefano Boeri Architetti”, përveç “Kubit të Artë”, në Rrugën Pjetër Bogdani, “Pyllit Vertikal” në Rrugën Dervish Hima dhe projektit të tri shkollave./Ndërtimi.info/ KultPlus.com
Pylli Vertikal nga Stefano Boeri“Kubi i Artë”, Tiranë- Stefano BoeriProjekti i tri shkollave në Tiranë- Stefano Boeri
Përpos gjelbërimit dhe ajrit të pastër, kodrat e Liqenit Artificial ofrojnë edhe një hapësirë plot ngjyra për vizitorët. Pas qilimit të parë dekorativ që tërhoqi jo pak vëmendjen e qytetarëve, shkallët e digës së liqenit janë “veshur” me një tjetër dekor plot ngjyra.
Vullnetarët e Korpusit të Paqes në Shqipëri së bashku me
Dekor Tirana dhe stafin e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit në Bashkinë e
Tiranës, kanë lyer qilimin me motive folklorike tek shkallët që zbresin nga
diga e liqenit deri tek një prej rrugëve hyrëse në park.
“1001 ngjyrat e Tiranës! Edhe
këtë vit, Peace Corps Albania bashkë me ekipet e parqeve dhe dekorit, shtruan
qilimin me motive popullore te shkallët e digës!”, shkruan kryebashkiaku Veliaj
në rrjetin social “Facebook”, teksa sjell edhe foto nga puna fantastike e të
rinjve.
Ata gjithashtu kryen dhe një aksion pastrimi përreth kësaj zone, pasi është një ndër vendet që vizitohet shumë nga qytetarët e gjithë grupmoshave, si dhe është edhe “mushkëria e kryeqytetit”.
Muzeu do të prezantojë për publikun vendas e të huaj një pjesë të historisë së Kadaresë apartamenti ku punoi dhe jetoi njeriu i madh i letrave shqipe, Ismail Kadare shumë shpejt do të hapet si muze për t’u vizituar nga qytetarët e Tiranës dhe turistët që vizitojnë kryeqytetin.
Pas vendimit të Këshillit Bashkiak, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me arkitekten e njohur Elisabetta Terragni ka restauruar të gjithë apartamentin për kthimin në muze të shtëpisë së shkrimtarit të madh në Rrugën e Dibrës. Me vendimin e sotëm në Këshillin Bashkiak i hapet rruga kthimit në muze.
“I shërben përveç tërheqjes së sa më shumë turistëve dhe zgjatjes së qëndrimit të tyre. Ismalili është produkti më i njohur “Made in Albania”. Krijohet një stacion tjetër në Tiranë jo vetëm Sheshi, liqeni, pazairi i ri, kalaja, galeria, tani shtohet edhe Shtëpia Kadare dhe më vjen shumë mirë që disa ditë më pas do kemi mundësi që dhe ta hapim”, tha Veliaj.
Muzeu do të prezantojë për publikun vendës e të huaj një pjesë të historisë dhe kulturës materiale dhe shpirtërore të periudhës totalitare përmes pasqyrimit të mënyrës së jetesës së shkrimtarit. Brenda apartamentit ekspozimi ndahet në mënyrë të qartë midis studios me dokumente origjinale, objekte, libra dhe mobilie dhe pjesës tjetër të banesës, ku merren njohuri për veprën e shkrimtarit dhe përfshihet këndi i leximit dhe ai SAL (suvenire, art dhe libra).
Me hapjen e një destinacioni me interes letrar e kulturor në krah të sheshit “Skënderbej”, bashkia synon të tërheqë tregun ndërkombëtar turistik, krijon një vlerë të shtuar për kryeqytetin, rrit numrin e turistëve si dhe edukon të rinjtë me veprat letrare të autorit me famë ndërkombëtare. Pjesë e projektit të bashkisë është edhe shtëpia e Dritëro Agollit, që gjendet një kat më lart në ndërtesën e famshme të para viteve ’90, të njohur edhe si “pallati me kube” dhe që mbart një histori më vete. /oranews