Tirana përzgjidhet si një nga tre qytetet më të transformuar në 2018

Në rrugëtimin e saj transformues, për t’u shndërruar në një qytet europian, Tirana ka rrëmbyer një tjetër vlerësim të rëndësishëm në Lisbonë.

Pas çmimit në Barcelonë për sheshin “Skënderbej” dhe atij në Londër për Pazarin e Ri, kryeqyteti shqiptar është përzgjedhur nga një juri ndërkombëtare, si një ndër qytetet që ka pësuar transformimin më të thellë në Europë.

Kandidatët e finalistët për të rrëmbyer Çmimin e Aksionit më Transformues 2018 u zbuluan në Festivalin URBACT, i mbajtur në Lisbonë të Portugalisë, ku kryeqyteti shqiptar u rendit mes Bolonjës dhe Ghentit.

Çmimi, i cili jepet nga ICLEI – Qeveritë Lokale për Qëndrueshmërinë, Rajoni Bask dhe Qyteti i Aalborg (Danimarkë), shpërblen veprat transformuese në vijim ose të përfunduara në kategori socio-kulturore, transformimin socio-ekonomik dhe teknologjik.

Nga një garë e fortë prej 40 aplikimesh u përzgjodhën tre qytete: Tirana (Shqipëri), për rritjen e hapësirës së gjelbër urbane rreth qytetit, duke luftuar shtrirjen urbane; Qyteti i Bolonjës (Itali), për marrëveshjen e bashkëpunimit me qytetarët e tyre, për të rritur angazhimin qytetar dhe rigjenerimin e qendrave urbane; si dhe qyteti i Ghent (Belgjikë) për transformimin e sistemit vendor të ushqimit të qytetit, nëpërmjet modeleve të pjesëmarrjes së qeverisjes.

Anëtarja e jurisë dhe kryetarja e Komisionit, Cor Lamers, tha: “U ndjeva jashtëzakonisht e lumtur kur zbulova se Çmimi i Aksionit më Transformues 2018, tërhoqi aq shumë aplikantë nga e gjithë Evropa. Këto projekte pjesëmarrëse i bëjnë komunitetet dhe ekonomitë tona lokale më përfshirëse, të gjelbra dhe të qëndrueshme. Si rezultat, ata u japin qytetarëve tanë një cilësi më të mirë jetese. Shpresoj se këto nisma do të shërbejnë si shembuj që do të përsëriten kudo dhe do të krijojnë një reaksion zinxhir të aksioneve transformuese në rajonet dhe qytetet tona”.

Duke përgëzuar kandidatët e përzgjedhur, Hakan Lucius, anëtar i jurisë dhe shefi i Divizionit të Shoqërisë Civile, në Bankën Europiane të Investimeve, tha: “Duke përfaqësuar diversitetin gjeografik të Evropës, këto tre qytete arritën të adresonin komponentë të ndryshme të zhvillimit të qëndrueshëm, veçanërisht përfshirjen sociale, zhvillimin urban dhe ushqimin, duke përfshirë në mënyrë kuptimplotë të gjitha palët e interesuara. Veprimet e tyre inovative janë sfida kryesore për të ardhmen tonë të përbashkët dhe duhet të jenë frymëzues për të gjithë aktorët e angazhuar për qëndrueshmëri”.

Pylli Orbital, një balancë mes qytetit dhe rizbulimit të natyrës

Në një kohë kur disa vende po flasin për mure, Tirana është duke ndërtuar një “mur” pemësh, për t’i dhënë oksigjen qytetit. Objektivi strategjik numër një i Planit të Përgjithshëm Vendor të Boerit, propozon një “Pyll Orbital” prej 2 milionë pemësh, që do të rrethojnë Tiranën, e që do të shërbente si një brez i gjelbër, për të parandaluar shtrirjen urbane.

“Mos e nënvlerësoni fuqinë e fëmijëve,” thotë kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj: “Një qytet për fëmijët tanë, është një qytet për të gjithë ne. Unaza pyjore është dendësuar nga “pemët e ditëlindjeve” të fëmijëvë, të cilat janë mbjellë nga prindërit. Ne jo vetëm krijojmë një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë, por gjithashtu rrisim fëmijë që do ta mbajnë të sigurt të ardhmen”./ KultPlus.com

DailyMail: Tirana në mesin e 10 vendeve që mund të vizitohen me pak para

Po mendoni një vend për të vizituar, por jeni lodhur nga vendet ku shkoni zakonisht? Ndoshta është koha të mendosh jashtë “kornize”.

Kështu nis artikulli i Daily Mail, i cili rendit 10 vende që ia vlejnë të vizitohen, por ku më kryesorja është kursimi nga udhëtimi që nuk do ju zhgënjejë.

Shikoni listën tonë për udhëtimet me buxhet më të mirë, mund të mos jenë në listën tuaj të vendeve që shumica e njerëzve preferon, por ia vlen që t’i eksploroni, shkruan DailyMail. Më tej prestigjiozja britanike vë në dukje për lexuesit e saj se ata do të habiten nga sa do të kursejnë duke udhëtuar në këto destinacione.

Mes 10 vendeve në listën e DailyMail është edhe Tirana.

“Një tjetër destinacion ndoshta më pak i mundshëm për fundjavën, kryeqyteti i Shqipërisë i përshtatet atyre me një dell aventure. Duke vizituar muzetë historike dhe duke ecur përgjatë Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” me ndërtesat e epokës komuniste, rekomandohet një udhëtim në Bunk’Art. Ky është një art bashkëkohor dhe muze i historisë moderne i vendosur në një ish-bunker të Luftës së Ftohtë. Në sheshin Skënderbeu në qendër do të gjeni edhe shtëpinë e operas”, shkruan DailyMail për Tiranën.

Veç Tiranës aty janë edhe Dole në Francë, Kosice në Sllovaki, Aarhus në Danimarkë, Varshava në Poloni, Rovaniem në Holandë, Lviv në Ukrainë, Bari në Itali, Bourgas në Bullgari dhe Izmiri në Turqi./ KultPlus.com

E përditshmja suedeze: Tirana, një kryeqytet gjithnjë e më shumë në modë

Kryeqyteti i Shqipërisë ka kaluar një metamorfozë në shumë pak vite, shkruan e përditshmja suedeze “Expressen.se” në një reportazh të gjat që ia dedikon Shqipërisë.

Në lagjen famëkeqe ku liderët komunistë jetuan deri në vitet 90’ kur ra diktatura dhe ku njerëzit e zakonshëm nuk ishin të mirëpritur, sot gjen një jetë nate jashtëzakonisht të gjallë me bare moderne, kafene të bukura dhe shumë restorante të mirë.

Tirana është e vogël, pra çdo gjë në qendër është e arritshme në këmbë.

Pranë Sheshit Skënderbej ndodhet Galeria Kombëtare, ku mund të shihet arti i kohës së diktaturës.

Ndryshe nga ish-shtetet e tjera komuniste në lindje, ai përzihet me artin modern.

Nëse dëshironi të mësoni më shumë për historinë e vështirë të vendit në epokën komuniste, rekomandohet “Bunkart”, një muze i nëndheshëm i ndarë në dy pjesë, ku njëri gjendet në qendër të qytetit dhe tjetëri pranë teleferikut që të dërgon në majë të Malit të Dajtit./ KultPlus.com

Revista “Islands” u sugjeron turistëve: Tirana, kryeqyteti më vibrues i Ballkanit

Revista e njohur në fushën e turizimit “Islands” i ka kushtuar një artikull kryeqytetit shqiptar, duke e renditur atë në krah të kryeqendrave botërore më trendi të turizmit, si Tajlanda, Kuba apo ishulli i Balit.

“Islands” thekson se Tirana është një nga kryeqytetet më të gjalla të Ballkanit. Ajo vijon të shkruajë se kryeqyteti është vibrues, i ri dhe me plot gjëra të cilat të bëjnë ta harrosh ndjesinë e mërzitjes.

Kjo revistë turistike përmend si pika atraktive sheshin “Skënderbej”, xhaminë e Et’hem Beut, Operën, Bibliotekën Kombëtare, Muzeun Historik, Galerinë e Arteve dhe Bllokun, duke e cilësuar këtë të fundit si një vend “cool”.

Më poshtë, shkrimi “Tirana, qyteti që nuk fle kurrë”

Ngjyra, muze dhe lokale që të heqin trurin… Kështu i mirëpret vizitorët e saj Tirana. Shqipëria cilësohet si “Zbulimi i Vitit” dhe qëndron krah Kubës apo ishullit të Balit.

Një qytet vibrues, i ri dhe plot me gjëra për të bërë dhe për të parë, ku vështirë se mërzitesh ndonjëherë. Tirana është një nga kryeqytetet më të gjalla të Ballkanit. Turi nuk mund të nisë nga ndonjë vend tjetër veç Sheshit “Skënderbej”, i rikonstruktuar së fundmi dhe kushtuar Heroit Kombëtar, i cili në vitet 1400 mbrojti Shqipërinë dhe Perëndimin nga sulmet e perandorisë Osmane.

Si për ironi të fatit, dy hapa larg statujës së Skënderbeut është xhamia e Et’hem Beut, më antikja në Tiranë, dhe një prej ndërtesave fetare më të rëndësishme. Në shesh ndodhet edhe Opera, Biblioteka Kombëtare dhe Muzeu Historik, brenda të cilit ilustrohet historia e Shqipërisë, që nga Paleoliti e deri në Komunizëm.

Tirana është e pasur me Muze dhe Galeri Arti, të cilat ia vlen t’i përfshish në itinerarin e udhëtimit. Nuk mund të humbisni as vizitën në Bunk’Art, e vendosur brenda një bunkeri anti-atomik, që ripërshkruan historinë moderne të qytetit, nga pushtimi italian e deri në rënien e komunizmit, shkruan Gazeta Dita.

Pasi të hyni mirë në qytet, nuk mund të mos e bëni një shëtitje nga Blloku, lagja ku gjatë regjimit komunist mund të futeshin vetëm ata që kishin lidhje me nomenklaturën. Sot Blloku, është vendi më “cool” në Tiranë, me bare dhe restorante.

Veliaj: Ambicia jonë është që Tirana të kapë 1 milion turistë këtë vit

Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, është kthyer në një destinacion mjaft të rëndësishëm turistik, ku mund të gjesh përditë turistë nga rajoni, Europa si dhe mbarë bota.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak theksoi se në 4-mujorin e parë të këtij viti kryeqyteti është vizituar nga 300 mijë turistë dhe se qëllimi i bashkisë është që të arrihet deri në 1 milion të tillë në fund të vitit.

“Vetëm në 4-mujorin e parë kemi pasur 300 mijë turistë në Tiranë, pra ende pa filluar stina e verës. Ambicia jonë është që Tirana të kapë 1 milion këtë vit. Pra, të kemi aq turistë sa kemi edhe banorë”, – tha Veliaj.

Në funksion të turistëve dhe banorëve të kryeqytetit bashkia do të vendosë në përdorim nga dita e nesërme edhe 4 mijë biçikleta të reja.

“Qyteti do të fillojë të transformohet duke filluar nga nesër. Nesër do të kemi një lançim të madh të 4 mijë biçikletave për qytetin e Tiranës. Siç e keni parë, ka filluar pilotimi i disa qindra të parave dhe nesër do të shohim një mënyrë të re mobiliteti, ku mjafton përdorimi i celularit për ta futur Tiranën në listën e qyteteve pararendëse sot në çështjen e përdorimit të biçikletës”, – shtoi Veliaj. /ata

Gazeta më e madhe holandeze: Tirana, më modernja në Ballkan

“Tirana është kthyer në qytetin më modern në Ballkan”. Ky është vlerësimi i gazetës më të madhe në Holandë, “De Telegraaf”, e cila i ka kushtuar një artikull të gjatë kryeqytetit shqiptar. Tirana ka zënë sërish faqet e medieve ndërkombëtare, të cilat po i japin një vëmendje të madhe transformimit që ka pësuar kryeqyteti nën drejtimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.

Pas gazetës së njohur britanike “The Guardian”, prestigjiozes amerikane “Lonely planet”, “Vogue”, etj., “De Telegraaf” shkruan se, teksa shëtit nëpër qytet të bëjnë përshtypje ndërtesat e lyera me ngjyra dhe atmosfera e relaksuar në kafenetë dhe restorantet “trendy”, transmeton Tch.

Por, pjesa më e jashtëzakonshme, sipas gazetës së njohur në Holandë, është tregu i rinovuar “Pazari i Ri”.

“Me panelet e tij industriale dhe i rrethuar me pallate që janë lyer me ngjyra të ndezura dhe motive autentike shqiptare, ai është vërtet shumë i bukur dhe një pikë takimi për banorët”, shkruan “De Telegraaf”, e cila evidenton mes të tjerave se “qytetarët e lavdërojnë kryebashkiakun e tyre për faktin që ai ka pastruar dhe rinovuar parkun e madh në jug të Tiranës”.

Shkrimi i plotë:

Nga Thea Detiger – Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj na mirëpret te festa e tij në tarracën e Bashkisë, si të ishte një yll muzike. I rrethuar nga bashkëpunëtorë të rinj, të bukur dhe entuziastë, ai na tregon, teksa përkundemi nën ritmin e muzikës, sesi e kanë transformuar Tiranën, ai dhe paraardhësi i tij, Edi Rama. “Eshtë bërë qyteti më modern në Ballkan”, na thotë ai.

Është e vërtetë që teksa shëtit nëpër qytet të bëjnë përshtypje ndërtesat e lyera me ngjyra dhe atmosfera e relaksuar në kafenetë dhe restorantet trendi. Panorama që të hapet nga tarraca e “Hotel Monark” është e bukur. Rruga pedonale “Murat Toptani”, përgjatë kalasë së vjetër, ku tani ka një hotel për turistët e rinj, ka një varg kafenesh të hapura. Përballë saj ndodhet një qendër tregtare supermoderne.

Por, pjesa më e jashtëzakonshme është tregu i rinovuar “Pazari i Ri”. Me panelet e tij industriale dhe i rrethuar me pallate që janë lyer me ngjyra të ndezura dhe motive autentike shqiptare, ai është vërtet shumë i bukur dhe një pikë takimi për banorët. Ngjyrat në qytet kanë qenë prej kohësh një ide e kryeministrit aktual, Edi Rama, i cili është artist nga formimi.

Kryebashkiaku Erion Veliaj në fakt ka punuar edhe vet në “Pazarin e Ri’, duke shitur fiq. “Kur humba tim atë, në moshën dhjetëvjeçare nëna më dërgoi në Greqi te të afërmit, si një mënyrë për të mbijetuar”, tregon ai. “Kur u ktheva, zbulova se ajo që kishin sjellë të afërmit për ngushëllim, kryesisht fiq të thatë, saqë vendosa t’i hyja tregtisë në pazar”. Ai kurrë nuk mund ta kishte imagjinuar që dikur do të ishte në një pozitë të atillë sa të mund të sillte një ndryshim kaq të madh për qytetin e tij.

Në prill, ai u vlerësua nga Komisioni Europian me një çmim për projektin e tij për t’i siguruar një strehim të përshtatshëm minoritetit rom në qytetin e tij dhe për të arsimuar fëmijët e tyre.

Vendi është po ashtu i njohur për mënyrën paqësore sesi bashkëjetojnë besimet e ndryshme. Krahas xhamive, kishave katolike dhe ortodokse, Tirana është edhe shtëpia e Qendrës Botërore të Urdhrit sufi të Bektashinjve, të cilët u detyruan të largohen nga Turqia.

Qytetarët e lavdërojnë kryebashkiakun e tyre për faktin që ai ka pastruar dhe rinovuar parkun e madh në jug të Tiranës. Tashmë familjet i gëzohen atraksioneve të shumta përqark Liqenit Artificial, ndërsa të rinjtë bëjnë xhiro me biçikletë. “Për të bërë planin për biçikletat për qytetin kam pasur shumë bashkëpunim nga Ambasada holandeze”, thotë kryebashkiaku, që edhe vet lëviz thuajse kudo me biçikletë.

“Kam pasur herët miq holandezë, prandaj jam frymëzuar nga vendi juaj. Lëvizja me biçikletë është e mirë për mjedisin. Në qoftë se të rinjtë fillojnë të mendojnë se biçikletat janë trendi, atëherë mund të fillojmë ta lëmë pas idenë që duhet medoemos të kesh një makinë. Punoj me shumë dëshirë me të rinjtë. Shpesh atyre iu është dashur të punojnë jashtë shtetit për njëfarë kohe për të fituar parà, kryesisht në Greqi e Itali. Por, tani po kthehen me pasionin për të bërë diçka për vendin e tyre”.

Tirana hapi tetë dyer në Bienalen e Venedikut (FOTO)

Tetë dyer dhe shumë fotografi janë vendosur në Pavijonin e Shqipërisë në Pavijonin e Bienales së Venedikut, te cilat krijonin një mini-Tiranë në mes të Venedikut e që e kanë quajtur “Zero Space”, shkruan KultPlus.

Dyert më të vjetra të Tiranës kanë lënë oborre shtëpish pa dyer, por ato tashmë po vizitohen nga vizitorë të shumtë, të cilat bartin edhe numrat e shtëpisë në dyert e prezantuara, që tregonin vjetërsi të madhe. Dhe mbi dyer janë vendosur shumë fotografi, të cilat janë shkrepur nga qytetarë tiranasë, të cilët nëpërmjet fotografive tregojnë pjesë Tirane, nga më të ndryshmet.

Kuratori Elton Koritari ka thënë për KultPlus se ky prezantim i Tiranës sjellë pikërisht Tiranën në këtë bienale, pasi që, është përfshirë hapësira, sidomos kati përdhes.

“Ne kemi dashur që vizitorët në Pavijonin tonë, mos të ndihen si vizitorë por si qytetarë të Tiranës”, ka thënë ai.

Ndërkohë edhe Mirela Kumbaro, ministre e Kulturës, por edhe kryetari i Bashkisë Erion Velijaj janë shprehur të kënaqur me këto porta të Tiranës ne Venedik, kurse për fotografitë, pasi që janë fotografi të ditëve të sotme, Velijaj ka thënë se këto fotografi janë përshkrimi më i mirë i punës së tij, si kryetar bashkie.

Poashtu të dy kanë vlerësuar lartë prezantimin e Kosovës në këtë Bienale, ku kanë thënë se artistët shqiptarë duhet të jenë krenarë për punën e tyre, pa përmend ngjyrën e pasaportës./ KultPlus.com

Tirana, aty ku arti i rrugës ka ndryshuar fytyrën e qytetit (FOTO)

Kryeqyteti i Shqipërisë është një qytet i këndshëm dhe i gjallëruar. Një destinacion gjithnjë e më popullor që kurrë nuk pushon së habituri. Ka shumë arsye përse ia vlen të vizitosh Tiranën, një nga më kryesoret është prania e bollshme e veprave të artit të rrugës.

Grafitet kanë ndryshuar fjalë për fjalë fytyrën e qytetit, i cili sot është një nga më të ngjyrosurit në Europë.

Kështu e nis shkrimin e saj gazetarja dhe udhëtarja e njohur italiane, Francesca Masotti, të publikuar në blogun e saj “Francesca on the top World”.

Në fakt, përgjatë rrugëve të Tiranës, shpesh ndeshni vepra shumëngjyrëshe të artit, shumë prej të cilave janë bërë nga artistë lokalë të rrugës me mbështetjen e administratës së qytetit.

Ashtu si Franko, një artist nga Vlora, qyteti i tretë më i madh në vend, një lloj pionieri i artit shqiptar të rrugës. Veprat e tij, me vlerë shumë simbolike, janë të shpërndara në të gjithë qytetin: prej rreth një viti ai punon për bashkinë e Tiranës për të dekoruar kryeqytetin me ngjyrat e tij. Ato janë grafite reflektuese: ato shpesh përfaqësojnë grupet më vulnerabël dhe të dobët të popullsisë, si fëmijët dhe të moshuarit në vështirësi.

Një nga format më origjinale të artit të rrugës është ai që përfshiu, gjithmonë me mbështetjen e administratës lokale përmes “Ndërmarrjes dhe Dekorit – bashkia Tiranë”, një projekt dekorimi të qytetit i konceptuar nga bashkia e Tiranës, dekorimi i rrugëve të kryeqytetit.

Përqendrimi më i madh i këtyre veprave është vendosur në Bllok, lagjja më ‘cool’ e Tiranës, në rrugën “Myslym Shyri”, një nga rrugët më elegante në qytet dhe bulevardi “Bajram Curri”, rruga që kalon përgjatë lumit Lana.

I gjithë qyteti është një përzierje ngjyrash, shkrimesh, mbishkrime: është e pamundur të mos jetë e zhytur në stilin e Tiranës, i cili megjithëse jo aq i bukur sa edhe kryeqytetet e tjera të Europës Lindore, ka një bukuri unike dhe të paimitueshme.

Turneu në artin e rrugës nuk mund të mos përfshijë më në fund një ndalesë në Pazarin e Ri, tregu i ri i qytetit. Është përuruar në mars të vitit të kaluar dhe është tregu më i rëndësishëm i frutave dhe perimeve në Shqipëri.

Krijimi i tregut, afër të cilit ka edhe restorante të shkëlqyera të peshkut ka përfshirë rizhvillimin e të gjithë zonës përreth: ndërtesat dhe rrugët janë pikturuar me modele karakteristike gjeometrike tipike për Ballkanin. Rezultati është një përzierje spektakolare e ngjyrave./ ATA / KultPlus.com

Udhëtim në Tokën e Shqiponjave, Tirana një qytet që ndryshon

Vizita në Shqipëri pa marrë një makinë me qera është praktikisht e pamundur. Transporti publik mund të funksionojë më mirë, por në çdo rast autonomia e një automjetit lejon të arrini shumë vende të tjera.

Mbi të gjitha, Shqipëria është një vend me të vërtetë i këndshëm për të eksploruar me makinë, shkruan siti italian girosognando.it, që ka për synim njohjen e vendeve të reja dhe të panjohura.

Gjatë udhëtimit tim në Tokën e Shqiponjave, më duhej të organizohesha në kohë, saqë sapo zbrita në aeroportin e Tiranës, kushtuar Nënë Terezës së Kalkutës, gjithçka shkoi në drejtimin e duhur. Ndër të tjera, aeroporti ndodhet në mes të Tiranës dhe Durrësit, në autostradën e autostradës që bashkon dy qytetet.

Në këtë rast ashtu edhe në të tjera, portali Easyterra na ndihmon për të gjetur një Hyundai I10 të përshtatshëm për eksperiencën tonë, e vogël dhe me kambio automatike, pa shumë pretendime dhe një tarifë qesharake të ulët.

Merreni në aeroport dhe shkoni direkt në Tiranë. Ne marrim autostradën (vëmendje, mund të ndodhë që njerëzit të kalojnë në këmbë!) Dhe pastaj të shkoj drejt kryeqytetit shqiptar. Në fund të autostradës na mirëpret një rrethrrotullim me shumë trafik me në qendër një shqiponjë me dy koka në mes, atëherë një tjetër rrugë e gjatë na çon drejt në qendër të Tiranës.

Parkimi nuk ishte i vështirë dhe pastaj për të shkuar drejt zemrës së kryeqytetit shqiptar: sheshi i dedikuar për Gjergj Kastriot Skënderbeu. Po, është i njëjti patriot që e takuam në Krujë dhe në të cilën i referohemi artikullit të dedikuar shumë kohë më parë.

Sheshi Skënderbej kohët e fundit është pedonale dhe të impresionon me madhësinë e tij. Është i jashtëzakonshëm, pikërisht sepse është menduar në shumë epoka si një vend për të përqendruar manifestimin e fuqisë dhe madhështisë së Shqipërisë. Edhe fashistët italianë më përpara dhe më pas komunistët e Hoxhës e përdorën sheshin Skënderbej për parada.

Pranë tij ndodhen ndërtesat më të rëndësishme në qytet: Teatri i Operës, Biblioteka, Banka Kombëtare, Bashkia dhe vende të tjera që janë relevante për kulturën dhe jetën ekonomike kombëtare. E pamungueshme një statujë kushtuar Skënderbeut, e ndërtuar në vitin 1968 në 500 vjetorin e vdekjes së tij, ndërsa në njërën anë mund të shihni Sahati i Orës, në distancë të afërt me xhaminë otomane Ethem Beu.

Shqipëria ka kapërcyer komunizmin për më pak se tridhjetë vjet dhe me kalimin e kohës, Tirana ka rifituar gjithnjë e më shumë energji. Për shembull, bregu i lumit është pastruar nga barakat abuzive dhe është kthyer në rregull. Qyteti po evoluon vit pas viti dhe po kërkon edhe në nivelin urbanistik të riniset me një aset të ri. Ndër të tjera, qyteti është shumë i gjallë edhe në mbrëmje, me një sërë klubesh nate, që nuk i kanë asgjë për zili kryeqyteteve të tjera europiane.

Le të kthehemi në autostradë, këtë herë prapa. Ne e kalojmë aeroportin dhe shkojmë të shohim detin pranë Durrësit. Makina jonë e vogël na ndihmon të kapërcejmë çdo pengesë dhe të arrijmë në një plazh natyror dhe jo të prekur nga turizmi masiv, vetëm pak jashtë qytetit.

Kemi bërë nga pluhuri, por nuk ka rëndësi: Shqipëria është e mbushur me larje makinash dhe stacione shërbimi dhe me disa euro ju keni të garantuar një larje. Pra, në fund të turneut tonë në Shqipëri, ne mund të kthejmë automjetin tonë në aeroport pa probleme, për t’u kthyer në Itali me siguri të impresionuar nga ky udhëtim./ KultPlus.com

Tirana përzgjidhet si qyteti model në Mynih, Veliaj: Suksesi i kushtohet qytetarëve të saj

Tirana është përzgjedhur si qyteti model i zhvillimit në Forumin vjetor të arkitektëve dhe urbanistëve gjermanë, organizuar nga Ministria e Zhvillimit Urban të Bavarisë dhe qyteti i Mynihut. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi një vizitë një ditore në Mynih, si i ftuar në Forumin vjetor për Qytetet dhe Ardhmërinë, ku prezantoi transformimin që ka pësuar Tirana dhe projektet strategjike për të ardhmen.

Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj theksoi se një pjesë e madhe e suksesit ka ardhur falë qytetarëve të Tiranës, të cilët kanë nxitur një sërë nismash të rëndësishme për qytetin. “Jam shumë krenar për Tiranën! Jemi përzgjedhur si një qytet model, kësaj here në forumin vjetor të arkitekturës gjermane organizuar nga Ministria e Zhvillimit Urban të Bavarisë dhe nga qyteti i Mynihut. Jam shumë krenar sepse jo vetëm Bashkia ka bërë punën që duhet të bëjë, por një pjesë e madhe e sukseseve tona i kushtohet qytetarëve të Tiranës. Janë ata që kanë inkurajuar ditët pa makina, që po kthejnë zonat pedonale, që po mbjellin pemë, që po e mbajnë pastër qytetin. Historia e vërtetë e suksesit të Tiranës është se çdo qytetar e ndjen që është pjesë e familjes së Tiranës dhe kujdeset për mbarëvajtjen e punëve”, tha Veliaj.

Ai shtoi me bindje se nuk ka një qytet të dytë sot në Europë, ku qytetarët janë kaq shumë të përfshirë me pastrimin, mbjelljen e pemëve, kujdesin e hapësirave publike, korsitë e biçikletave dhe mënyrën se si po krijohet një sens përkatësie për përkujdesje ndaj qytetit. Veliaj u shpreh se kjo histori e bukur që po shkruhet në Tiranë po vlerësohet nga të gjithë ata që sot janë në avangardë të arkitekturës dhe të urbanizmit në Europë. Kreu i Bashkisë nënvizoi se fakti që Tirana ka bërë në një kohë të shkurtër një kapërcim gjigant, është një inkurajim për të vijuar punën me energji edhe më të madhe për projektet e nisura.

Kryebashkiaku siguroi se edhe këtë vit Bashkia e Tiranës ka planifikuar një sërë investimesh të rëndësishme, si ndërtimi i shkollave të reja, transformimi i Piramidës dhe i mjaft zonave të reja të qytetit, të cilat gjatë këtyre viteve kanë njohur zhvillim, por jo urbanizim. “Edhe këtë vit do të vazhdojmë të nxisim shumë prej projekteve që tashmë i kemi nisur, siç janë shkollat e reja, Piramida, ndërtesa të tjera me funksion publik, më shumë fokus në zonat e reja të Tiranës, si zona e Kasharit, zona e Unazës së Re, zona e Freskut pranë Dajtit, apo zona e Selitës. Kthehemi të inkurajuar nga fakti se Tirana po merr vlerësime, që në një kohë të shkurtër ka bërë një kapërcim gjigant, për të vazhduar projektet që kemi nisur”, deklaroi ai.

Duke falënderuar qytetarët për mbështetjen që kanë dhënë gjatë këtyre 3 viteve në zbatimin e një sërë projektesh të rëndësishme, si fushata për mbjelljen e 100 mijë pemëve të reja deri më 21 mars, Veliaj u shpreh se Tirana do të vendosë një standard për të realizuar synimin e krijimit të Pyllit Orbital me 2 milionë pemë, shkruan panorama.

“Dua të falënderoj çdo qytetar që ka qenë me ne këto tre vjet. Teksa bëjmë bilancin e 3 viteve të para të mandatit, po përgatitemi për një finish më të fortë se vitet e kaluara. Falënderoj qytetarët që u bënë pjesë e fushatës së mbjelljeve. Na kanë mbetur edhe pak ditë deri në datën 21 mars, ku rekordi prej 100 mijë pemësh jo vetëm që do të tejkalohet, por besoj që do të vendosim një standard se si do të punojmë çdo vit, për të kapur ambicien tonë të 2 milionë pemëve për Pyllin Orbital”, përfundoi Veliaj./ KultPlus.com

Tirana merr ngjyrat pranverore (FOTO)

Tirana po bëhet gati të presë Ditën e Verës Përveç programit të aktiviteteve argëtuese, Bashkia e Tiranës ka nisur përgatitjet për t’i dhënë qytetit një atmosferë pranverore dhe mbi të gjitha festive.

Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” janë vendosur zbukurimet përgjatë gjithë këtij segmenti. Siç shihet edhe nga fotot, janë vendosur zbukurimet me lule që simbolizojnë largimin e dimrit dhe ardhjen e pranverës. Sakaq ndërmarrjet bashkiake kanë veshur edhe të gjitha pemët përgjatë gjithë këtij bulevardi me ngjyra që krijojnë një atmosferë festive.

Dita e Verës është një festë me origjinë të lashtë pagane . Ajo është festë e trashëguar në veçanti nga qytetarët e Elbasanit, festë mbarëshqiptare, që kremtohej si në Veri edhe në Jug, por me nuanca të ndryshme, sipas krahinave.

Dita e Verës ishte dita e fillimit të vitit sipas kalendarit shumë të lashtë të shqiptarëve, pra një ditë që kremtohej shumë shekuj para se të lindte krishterimi. Ajo kremtohej me 1 mars të kalendarit Julian, ditën e parë të vitit të ri, e sipas kalendarit Gregorian, “14 mars”./ KultPlus.com

Panairi “horeca” vjen në Tiranë

Zhvillohet per te pestën here ne Shqipëri panairi horeca. Dhjetëra kompani te ndryshme, qe operojnë ne hoteleri turizëm, po ashtu dhe ne restorante, dhe bar cafe, kane sjelle per publikun dhe operatoret e tregut teknologjitë dhe risitë me te fundit te shërbimeve dhe produkteve.
Strazimiri, organizatori i këtij eventi, tregon se qe momentet e para te hapjes se panairit, ka pasur shume interesim nga biznese te ndryshme.

Ky panair do te zgjasë deri ditën e diele. Sipas organizatoreve ky është nje event ndërkombëtar, pasi aty gjenden firma te ndryshme, te ardhura nga Italia, Gjermania, Greqia, Kosova per t’i ofruar bizneseve shqiptare produktet dhe shërbimet e tyre.

Befason ish ambasodori amerikan: Ju tregoj pse shqiptarët rrinë në kafene

Shumë herë është folur për qëndrimin e shqiptarëve, sidomos të rinjve, nëpër kafene. Analiza të shumta janë marrë duke shpjeguar këtë fenomen që ndodh në Shqipëri. Këto analiza kanë treguar padobishmërinë e kafeneve dhe qëndrimin e kot të shqiptarëve në to.

Mirëpo, ish ambasadori amerikan Xhon Uidhers ka shpjeguar në një letër dërguar Departamentit të Shtetit në atë kohë se pse shqiptarët qëndronin në kafene.

Xhon Uidhers shkruante:

Institucioni që punon më mirë në Shqipëri është i vetmi vend publik që mund të gjesh: Kafeneja”.
Më tej ai thoshte:

Shqiptarët i diskutojnë problemet e tyre në kafene, përfshirë këtu politikanë që diskutojë iniciativa publike, zyrtarë që diskutojnë politika të ndryshme dhe studentë që diskutojnë provimet ose modën”.
Këto janë zbuluar në disa kabllograme të dërguara mes shkurtit dhe marsit 2008 të zbuluara nga Wikileaks, ku Ambasada Amerikane i ka kushtuar vëmendje mënyrës së jetesës në Shqipëri.

Diplomati shton në të njëjtin kabllogram se mes shqiptarëve dinamika e marrëdhënieve personale është shumë e fortë.

Uidhers shkruante:

Që gjatë periudhës komuniste, ku ti ishe gjithmonë në kërkim të një miku që të të gjente pak më shumë mish apo qumësht, dinamika e marrëdhënieve personale është shumë e fortë dhe kërkon shumë kohë e energji.

Ato ndikojnë në vendimet e njerëzve. Në këtë mënyrë kafenetë janë institucioni ku mund të ankohesh, të zgjidhësh problemet apo të argëtohesh në Shqipëri. Pra, kur të shihni shqiptarë të ulur në kafene, mos mendoni se është humbje kohe. Është një institucion social multifunksional për një vend në tranzicion”.

Vogue: Kryeqyteti i Shqipërisë është transformuar në një destinacion të gjallë dhe ekonomik

Nuk ke ku të ulesh në hapësirën e bollshme të Radios në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë. Është e enjte mbrëmje, një grup në stilin e New Orleans luan melodi ritmike dhe tavolinat janë plot me njerëz që konsumojnë Aperol Spritzes, nis kështu artikulli i Vogue për transformimin e kryeqytetit shqiptar.

Në oborrin plot ngjyra të ngjashëm me një serë, i pajisur me rafte me lule prej nga ku varen kafaze zogjsh, vjen një përzierje bisedash dhe të qeshurash nga të rinj e më të moshuar të ulur në stola mes tymit të zbehtë të Marlboro Lights. Këtu vibrimi pozitiv dhe i shkujdesur ndihet qartë dhe bën eko në të gjithë restorantet, baret dhe lokalet e lagjes dhe në gjithë Tiranën.

E veçante dhe ftuese, kjo ish fortesë e Komunizmit është e gjallë dhe ekonomikisht e përballueshme, dhe banorët janë të hapur dhe miqësorë.

Interesi në vendet e Ballkanit është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit, me udhëtarët kuriozë që kërkojnë qetësinë e detit Adriatik dhe të qyteteve mesjetare me mure prej guri si Dubrovniku në Kroaci dhe Kotori në Mal të Zi. Tirana nuk mishëron një tërheqje të tillë tradicionale, piktoreske. Përkundrazi, ajo impresionon si një qendër urbane plot gjallëri, me një personalitet të fortë të formuar nga një histori e trazuar. Pak a shumë si Sarajeva që i ka lënë pas mizoritë e viteve 1990 për t’u shndërruar në një kryeqytet të begatë Europiano-Lindor, Shqipëria po lë pas dekadat e tmerrit dhe izolimin të saj duke parë drejt së ardhmes.

Radio gjendet në një lagje të quajtur Ish-Blloku, e njohur gjithashtu si Blloku. Sot Blloku është një vorbull pulsuese dhe elegante argëtimi, me tarraca të panumërta në natyrë të mbushura me klientë të veshur mirë. Atmosfera është e ngrohë dhe e qetë dhe ndonjëherë të kujton Athinën dhe Palermon.

Megjithatë, gjatë viteve të komunizmit Blloku ishte zonë e ndaluar për këdo që nuk ishte anëtar i udhëheqjes. Deri në rënien e komunizmit në vitin 1991, rajoni nuk ishte i huaj për socializmin. Por pesha që Shqipëria mbajti nën udhëheqjen e mësuesit stalinist-maoist i kthyer në diktatorin Enver Hoxha, ishte veçanërisht e përqendruar dhe shtypëse. Hoxha mbizotëroi mbi Shqipërinë për më shumë se 40 vjet deri në vdekjen e tij në vitin 1985 dhe thuhet se ka burgosur, torturuar dhe vrarë rreth 100,000 qytetarë shqiptarë. Jashtëzakonisht paranojak, ai urdhëroi ndërtimin e më shumë se 750,000 bunkerëve prej betoni me qëllim që të zbuste frikën e tij kronike nga pushtimi i huaj. Kthimi në këtë të kaluar të mundimshme është i domosdoshëm për të kuptuar Tiranën e sotme, ku një pikënisje e privilegjuar është Muzeu Historik Kombëtar i Sheshit Skënderbej, një koleksion kronologjik objektesh arkeologjike.

Akoma më mbërthyes është Bunk’Art, një prej atyre bunkerëve të fshehtë kundër luftës bërthamore në skajet e kodrës së Tiranës, që është transformuar tashmë në një muze. Këtu, në një labirint galerish, shëtisni në zyrën e Hoxhës dhe shikoni një video hipnotike të varrimit të tij. Në qendër të qytetit ndodhet Bunk’Art 2, një përkujtimore për viktimat e regjimit të Hoxhës, i mbushur me fotografi dhe dokumente domethënëse. Jo larg prej këtu ndodhet Shtëpia me Gjethe, që më parë shërbente si qendra e policisë sekrete të Sigurimit të Hoxhës, ndërsa tani është kthyer në një muze që hedh dritë mbi taktikat interesante të mbikëqyrjes së asaj epoke.

Pasi pasurohesh me njohuri për trashëgiminë e Shqipërisë, trashëgimi e mbushur me vdekje, tirani dhe spiunazh, ndoshta bëhet më e qartë se përse Tirana tani është kaq miqësore, njerëzit e saj kaq gazmorë: Më në fund ata po jetojnë jetën e lirisë dhe të krijimtarisë, të frymëzuar dhe të nxitur nga vetë ata popuj ndërveprimi me të cilët iu ndalua me dekada të tëra. Tirana nuk është ende një parajsë turistike, pa dyshim që është pjesë e hijeshisë së saj, por pushuesit po shohin potencialin për të kaluar kohën këtu.

Specialistët e turit të Evropës Qendrore dhe Lindore JayWay Travel, e kanë shtuar Shqipërinë në listën e tyre të lokaliteve vitin e kaluar, dhe Administratori dhe themeluesi Jay Ternavan thotë se ai e kupton pse Tirana është gjithnjë e më shumë në harmoni me vizitorët. “Teksa dëgjon gjithandej të flitet për turizmin e mbipopulluar, është kënaqësi të shkosh në një kryeqytet ku je i vetmi që shëtit me një makinë fotografike të varur në qafë”, thotë ai. “Ajo ka një energji që të befason. Është një qytet i ri në një vend që ka parë kohë të vështira, por mikpritjet e ngrohta ju bëjnë të ndiheni optimist për të ardhmen e këtij qyteti”

Gëzimi, një guide eksperte nga Tours Albania, ka përcaktuar një ditë turistike të organizuar nga JayWay Travel. Ai me vetëbesim shpjegon ndërlikimet e qytetit të tij teksa pijmë një kafe ekspres në barin e Sky Club dhe më tregon panoramën e Tiranës. Ai përcakton një sërë vizitash në pikat turistike kryesore, pasuar nga një drekë në King House, një restorant kiç por i ngrohtë ku ai ka punuar si adoleshent dhe ku kamarierët shkojnë e vijnë me tabaka që mbajnë pica të sërmëdha dhe pjata që lëshojnë aromë mishi të pjekur në skarë të të njëjtës madhësi. Ai sugjeron që të pi një raki tek Komiteti, ku tullat, dantellat dhe muret janë dekoruar me pllaka, duke kontribuar kështu në atmosferën e modës së vjetër. Ushqimi dhe pijet janë elemente jetësore shoqërore të kulturës së Tiranës.

Një nga restorantet më të bukura të qytetit është Mullixhiu, pranë Parkut të Madh të Tiranës ku ndodhet një liqen i qetë artificial. Një shtëpi fshati moderne e mbuluar me dru, Mullixhiu përkrah mentalitetin slow food. Shefi i tij është Bledar Koka, i cili ka punuar në Londër dhe në legjendarin Noma në Kopenhagen. Tirana është thelbi i Shqipërisë, thotë Kola, një “qytet i gjallë plot energji dhe shpresë. Gjithashtu, ajo po bëhet gjithnjë e më shumë një destinacion gastronomik “, shton ai duke treguar për klimën dhe peizazhin e larmishëm të vendit, që e lejojnë atë të eksperimentojë me përbërës si shafranin shqiptar, gjethet e egra dhe manin. “Produktet e freskëta dhe organike nuk janë një luks për ne,” thotë ai. “Mund të kemi peshk të egër direkt nga deti ose kërpudha nga malet brenda disa orësh”.

Ushqimi i shëndetshëm po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për banorët e Tiranës, një qytet i mbushur me të rinj të cilët kalojnë mëngjeset në tarracën e Biotekës, ku konsumojnë smoothies me avokado, mollë jeshile, ananas dhe nenexhik, ose shkëmbejnë dy fjalë me kamerierin tek À la Santé, ku menyja, në të njëjtën kohë e shëndetshme dhe krijuese, anon drejt supave të përditshme si ato me kopër barishtore dhe gaforre, dhe sallatave me spinaq, portokall dhe djathë të bardhë. Tek E7E, një librari, galeri dhe kafene me një meny çuditërisht të pasur, ata çlodhen për orë të tëra në oborrin e saj ku konsumojnë fërgesë të shoqëruar me bukë shtëpie dhe lëng rrushi. Pranë Piramidës, një monument komunist në rrënim e sipër, ndodhet Padam, në oborrin e të cilit ata konsumojnë një gotë verë.

Përsëri në Bllok, ku ju pret një margerita tek Colonial Café, një bar koktejesh me dekor qetësues Aziatiko-jugor dhe nargjile. Ndërsa tek Tribeca mund të konsumoni një negroni teksa dëgjoni versionin e rivizituar nga Madeleine Peyroux të “Dance me to the End of Love”. “Popullsia e qytetit është trefishuar më shumë se në 20 vjet, duke sjellë shqiptarët që dikur kishin emigruar dhe tani janë kthyer me njohuri të shkëlqyera të bareve, restoranteve dhe jetës së natës. Shefat dhe barmenët më të mirë kanë ardhur nga qytetet e mëdha evropiane prej ku fituan aftësitë të cilat ata po i ushtrojnë dhe po ua kalojnë me sukses të tjerëve”, thotë DJ i Tribecës, Lura Elezi. “Një energji e madhe vjen nga ky popull i ri që ka trashëguar mikpritjen dhe ngrohtësinë e Ballkanit të kombinuar me frymën e Mesdheut. Të gjithë këta të rinj udhëtojnë dhe shohin botën, dhe ne mendojmë se Tirana ka gjithçka që duhet për të qenë një vend i ri i preferuar”.

Së bashku me plazhet e Rivierës Shqiptare dhe pamjet e mrekullueshme natyrore në pjesën jugperëndimore të vendit në Detin Jon, Tirana e zhurmshme është një fillim i këndshëm, kozmopolit, për një aventurë bregdetare në Ballkan./ KultPlus.com

Donika Çina dhe Hanna Hildebrand, artistet e radhës në Tirana Art Lab

Të shtunën mbrëma, me 30 shtator, në Tirana Art Lab në ora 19:00 vjen një ekspozitë e re.

Bëhet fjalë për ekspozitën nga Donika Çina dhe Hanna Hildebrand, si pjesë e programit Double Feature # 7.

Tirana Art Lab me Double Feature # 7 sjell së bashku punën e artistes shqiptare Donika Çina dhe artistes Hanna Hildebrand, lindur në Itali. Ekspozita është e konceptuar sipas praktikave të dy artisteve, që synojnë hulumtimin dhe përftimin e proceseve konjitive nëpërmjet eksperiencave personale në shoqëritë ku ato jetojnë dhe takimet me të tjerët. Çfarë i dallon praktikat e artisteve dhe në të njëjtën kohë i bashkon me njëra-tjetrën është fokusi në proces, qoftë si njohje, si kuptim, shkëmbim apo proces krijues. Kështu që qëllimi i tyre përbëhet nga dekodimi i njëkohshëm i procesit në formë teksa e përjetojnë atë. Paraqitja pamore dhe regjimi estetik është në këtë mënyrë realiteti në të cilin ato janë pjesëmarrëse, ndërhyjnë, veprojnë dhe ndërmjetësojnë me punët e tyre. Të vetëdijshme për epërsinë e formës, dukjes dhe estetikës me punët e tyre në vend që t’i legjitimojnë ato i sfidojnë vazhdimisht duke i vënë në diskutim. Siç duket qartë prej statuseve të tyre dhe punëve, qoftë Çina ashtu dhe Hildebrand mundohen të shmangin specifikimet e vendosura, klasifikimet dhe shpjegimet. Duke qenë paradoksale punët e tyre shndërrohen në vende të ndërmjetësimeve të përhershme kuptimore dhe thuajse të pamundura për t’u kolonizuar apo kapitalizuar nga strukturat e pushtetit. (Adela Demetja)

Donika Çina lindi në 1988 në Korçë, Shqipëri, studioi në Akademinë e Arteve në Tiranë, në Universitetin e Arteve dhe Dizajnit në Cluj-Napoka Rumani dhe në Universitetin e Arteve Braunschweig, Gjermani. Puna e saj është ekspozuar në shumë aktivitete përfshi; Ardhja Award, Zeta Gallery Tirana; Tirana Open 1 Book and Art Festival, Tirana; Archivitionism (archivism-activism-exhibitionism), Galeria Plan B Cluj-Napoca, Romania; Autopia Cycle, Eliava Market,Tbilisi, Georgia; The Office Tirana, National Gallery Tirana, Albania and Museo Orientale, Torino, Italy; Guri Madhi Prize, Korçe, Albania.

Hanna Hildebrand u lind më 1978 në Como, Itali, ka studiuar në Städelschule Frankfurt/Main, Gjermani, jeton dhe punon në mënyrë nomade. Punët e saj dhe pefrormancat kanë qenë pjesë e aktiviteteve të shumta përfshi; Manifesta 11, Zurich, Switzerland; Double Feature Schirn Kunsthalle Frankfurt/Main, Germany; Che c’é di nuovo, Museo Cantonale Arte Lugano…

Double Feature #7 është mbështetur nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë. / KultPlus.com

Mirela Kumbaro kujton vizitën e Papa Françeskut (FOTO)

Mirela Kumbaro-Ministre e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, ka rikujtuar sot 21 shtatorin e vitit 2014-të kur Papa Françeskut vizitoi Tiranën, shkruan KultPlus.

Kumbaro, përmes rrjetit social Facebook, ka publikuar disa fotografi nga kjo vizitë të cilave ua ka bashkangjitur edhe një mbishkrim ku tregon se ndjehet shumë e nderuar dhe me fat që ishte pjesë e asaj dite.

“21 shtator 2014
Një datë e paharruar që më bën të ndjehehem përunjësisht shumë e nderuar dhe me shumë fat”, ka shkruar Kumbaro./ KultPlus.com

Eksperimenti social më i madh në planet, të shtunën do të ndodhë edhe në Tiranë

Për herë të parë në Shqipëri, vjen eksperimenti më i madh botëror i kontaktit vizual. Le të ndajmë një minutë kontakt sy më sy me njëri tjetrin në publik, për të ringjallur ndjeshmëritë e përbashkëta njerëzore në Tiranë.

Ky projekt është pjesë e www.eyecontactexperiment.com, koordinuar nga The Liberators International në qytete të ndryshme mbarë botën. Pjesëmarrja juaj në datë 23 Shtator 2017, do të kontribuojë në krijimin e një mesazhi videozanor global për paqen dhe lidhjet humane në botë. Regjistrohuni në event zyrtarisht në http://bit.ly/OfficialEyeContact2017./KultPlus.com

Ambasada kineze dhuron libra për bibliotekën ndërkombëtare të Tiranës

Ambasada e Kinës në Shqipëri i dhuroi mbi 100 libra bibliotekës ndërkombëtare të Tiranës. Ambasadorja Jiang Yu i dorëzoi librat gjatë takimit me dy zyrtarë të bashkisë së Tiranës, drejtoren e Promovimit Juliana Dhame dhe drejtorin Kulturës, Besim Petrela.

Pala shqiptare e falënderoi ambasadën kineze për dhurimin e librave dhe u shpreh se Bashkia e Tiranës po përgatit ndërtimin e “bibliotekës ndërkombëtare”. Zyrtarët shqiptarë theksuan se në tregun e librit në vend, literatura mbi Kinën është e paktë dhe kjo dhuratë e çmuar do ta pasurojë më tej bibliotekën.

Ambasadorja Jiang u shpreh se projekti i “bibliotekës ndërkombëtare” është projekt i rëndësishëm kulturor i Tiranës, si një qytet ndërkombëtar. Ajo tha se Shqipëria është një vend me atmosferë të mirë kulturore, ndërsa beson se ky projekt i bashkisë do të ndihmojë në pasurimin e librave që lexohen nga qytetarët e Tiranës.

Këtë herë, Ambasada e Kinës përzgjodhi mbi 100 libra mbi historinë, kulturën, filozofinë, arkitekturën, artin, letërsinë, etj., me shpresën se këta libra do të shtojnë njohjen për Kinën nga qytetarët shqiptarë.

Ambasada kineze në Shqipëri është e gatshme të përkrahë aktivisht ndërtimin e institucioneve kulturore të qytetit të Tiranës dhe zhvillimin e bashkëpunimit e të shkëmbimeve në njerëzore, duke forcuar miqësinë reciproke mes dy popujve.

Ditët e fundit, Ambasada e Kinës në Tiranë u dhuroi libra 5 shkollave të Tiranës për mësimin e gjuhës kineze. /KultPlus.com

Alketa Xhafa-Mripa, folëse në TEDxTirana (Foto)

Alketa Xhafa-Mripa është një artiste bashkëkohore kosovare me banim në Londër, Britani e Madhe. Ajo ka përfunduar studimet në “Central Saint Martins” dhe Histori të Artit në “Tate Modern”, Londër.

E ardhur si studente në Londër, Alketa u kthye në refugjate kur shpërtheu lufta e Kosovës 1998-1999.

Që atëherë ajo ka shfaqur punën e saj në ekspozita në mbarë Evropën, duke përfshirë Berlinin, Londrën, Italinë, Portugalinë dhe Kosovën e saj të lindjes, ku ajo fitoi njohje më të gjerë për instalimin e saj artistik ‘Thinking of You’.

Arti i saj vjen nëpërmjet formave të ndryshme si filmave, instalacioneve, pikturave dhe fotografive, gjithnjë duke promovuar pavarësinë e gruas dhe duke kthyer vëmendjen në sjelljet redukcioniste të shoqërive shtypëse.

Në punën e saj të tanishme, të titulluar ‘Refugees Welcome’, Alketa kërkon të rikrijojë ndjenjën e mikpritjes që ajo vetë përjetoi si refugjate në Britani të Madhe.

Ndërkaq sot, që nga ora 17:30 ajo pritet të jetë pjesë e TEDxTirana2017, tek Katedralja Ortodokse “Ringjallja e Krishtit” në Tiranë, ku do të marrë pjesë si folëse. / KultPlus.com

Foto të rralla: Tirana në vitin 1921

Foto të Tiranës në vite të ndryshme para luftës.

Një gazetar zviceran që vizitoi Tiranën në vjeshtën e vitit 1921, u largua me përshtypjet më të mira nga ajo që pa dhe dëgjoi. Ai shkruan kështu në gazetën “Journal de Genève” të 14 nëntorit 1921:

“Në këtë kryeqytet politik u desh të improvizohej e gjithë administrata, sepse nuk mund të pritej për të ngritur ndërtesa të mëdha qeveritare. Me një ndjenjë demokratike vërtet për t’u lavdëruar, autoritetet i përdorën me nikoqirllëk mjetet tepër të pakta që kishte qyteti. Një shtëpi e vetme (sot Teatri i Kukullave) u bë selia e parlamentit dhe e shumicës së ministrive. Të tjerat u shpërndanë nëpër qytet.”

“Me një thjeshtësi që i ka lezet, tamam siç është zakon edhe në Zvicër, ministri të pret në një dhomë ku muret janë të lyera me gëlqere dhe ku shikon pak gjëra: një tryezë pune, disa karrige e ndonjë divan. Të nxjerr një cigare dhe biseda rrjedh lirshëm. Të krijon një ndjenjë besimi, së cilës ne ia dimë mjaft vlerën.”

“Krah për krah, me veshje të ngjashme, myslimanët dhe të krishterët mendojnë për të ardhmen e vendit me të njëjtin shpirt shqiptari. Çfarë qetësie në qytet! Çfarë dinjiteti nëpër rrugë dhe në dyqane! Nuk shikon asnjë të dehur, askënd që t’i merren këmbët nga pija. Asnjë e bërtitur, asnjë gjest i papërmbajtur. Sjellja fisnike që i bën përshtypje çdo vizitori në një vend mysliman, këtu është e pranishme kudo.”
Marrë nga Ilir Ikonomi


Shpëtim Selmani, shkrimtari i muajit gusht në rezidencën letrare në Tiranë

Shpëtim Selmani (Kosovë, 1986) është mik gjatë muajit gusht në Programin “POETEKA – Tirana in Between”.

Kjo rezidencë, që fton shkrimtarë dhe përkthyes letrarë nga rajoni dhe Europa, organizohet prej pesë vjetësh nga Poeteka me mbështetjen e rrjetit evropian për letërsinë dhe librat TRADUKI, Ministrisë së Kulturës, Ambasadave të Gjermanisë, Austrisë dhe partnerëve të tjerë vendas.

Shpëtim Selmani ka studiuar sociologji në Universitetin e Prishtinës, ka përfunduar studimet Master në Fakultetin e Arteve – Aktrim. Ai shkruan poezi, prozë, dramë dhe publicistikë dhe luan gjithashtu në teatër. Më 2006 Shpëtim Selmani botoi librin me poezi “Brenda Gucës”, në 2011 botoi edhe përmbledhjen tjetër me titullin “Poezi”, ndërsa “Shënimet e një Grindaveci” u botuan nga “Qendra Multimedia” në vitin 2015 dhe u përurua në Tiranë, në qendrën kulturore “Tulla”.

Shpëtim Selmani është një nga autorët më të spikatur të brezit të ri letrar të Kosovës. Në tekstet e tij ai ndjek një frymë avangardiste, që shkëputet në përmbajtje dhe stil nga kanonet e letërsisë tradicionale, e cila orientohej ose me ide iluministe, romantike e progresiste të jetës kombëtare, ose me një modernizëm të tipit hermetik dhe simbolist.

Duke qenë i frymëzuar nga letërsia bitnike dhe adoptimi i saj për nën qiellin e Kosovës që e ka bërë Arben Idrizi në fillim të këtij shekulli, Selmani në shkrimet e tija sjell fjali, ide dhe pamje të drejtpërdrejta të përditshmërisë së vrazhdë dhe shumëfish sfiduese për individin dhe kolektivitetin, me një zë herë thellësisht shpotitës, herë ironik e sarkastik, por që në instancën e fundit synon një katarsis shëlbyes të lirisë së shprehjes.

“Unë e admiroj këtë zhabë unike në një pellg të harruar. Unë e admiroj kreativitetin, inteligjencën dhe vecantinë e tij, pa dyshim. Unë e admiroj disiplinën e tij, njohuritë dhe shumëllojshmërinë e talentit të tij, natyrisht. Por para së gjithash – unë e admirojë atë si një qenie me të vërtetë të mrekullueshme”
Vladimir Arsenijevic , Shkrimtar.