Festat e fundvitit nisin me një shpërthim emocionesh në zemër të Tiranës. Kryebashkiaku Erion Veliaj ndau lajmin se sot në mbrëmje, sheshi “Skënderbej” do të jetë qendra e një ngjarjeje artistike të paharrueshme.
Më 2 dhjetor, sheshi “Skënderbej” do të shndërrohet në zemrën e festës, me një koncert që sjell artistë të njohur dhe atmosferë magjike për të gjithë.
“Një mbrëmje që nuk duhet humbur, muzikë, energji dhe momente të paharrueshme”, shkruan Veliaj në rrjetet sociale.
Në këtë spektakël madhështor do të ngjiten në skenë yje të njohur të muzikës shqiptare, duke përfshirë: Alban Skënderaj, Xhensila Myrtezaj, Anxhela Peristeri, Manjola Nallbani, Era Rusi, Juliana Pasha, Semi Jaupaj, Sardi Strugaj, Vesa Luma dhe Emra Brah. Ky koncert pritet të jetë më shumë sesa një mbrëmje muzikore./atsh/KultPlus.com
Ditën e djeshme përfundoi Panairi i Librit në Tiranë, panairi më prestigjioz që mbledh së bashku për pesë ditë, në Pallatin e Kongreseve, shtëpi botuese të mëdha e të vogla dhe aktorë të tjerë të lidhur me botën e botimeve. Si çdo vit, një nga ngjarjet më të rëndësishme e këtij Panairi lidhet me shpalljen e fituesve të çmimeve në një ceremoni që si tradicionalisht, edhe kësaj here, u organizua ditën e shtunë, 16 nëntor 2024, në orën 12.00.
Kanë qenë disa shtëpi botuese dhe rreth 160 tituj, që morën pjesë në këtë garë. Po publikojmë sot, pa dyshim për të nderuar autorët e përzgjedhur, por edhe për të orientuar lexuesit që do të vijojnë të blejnë libra të mirë, njoftimin e Jurisë e cila, para se të shpallte fituesit, hartoi një listë të shkurtër të autorëve shqiptarë më të mirë të vitit që dalloheshin për origjinalitet e talent, të përkthyesve që kishin sjellë vepra të rëndësishme të letërsisë së huaj me një nivel cilësie që nuk kufizohej vetëm në besnikëri ndaj gjuhës së origjinalit, por që përfaqësonte një model përkthimi dhe të disa veprave studimore me vlerë.
Kjo listë iu dërgua sekretarisë së Shoqatës në datën 10 nëntor 2024. Për disa arsye, Juria propozoi që lista të mos publikohej paraprakisht, por pas shpalljes së fituesve. Ja finalistët për çmimet e ndryshme.
Njoftim nga JURIA
Pas dy muajsh shoshitjeje, shqyrtimesh dhe diskutimesh të brendshme, si Juri e Panairit XXVII, kemi përzgjedhur finalistë në tri kategori: a) letërsi shqipe, b) letërsi e huaj e përkthyer në shqip, për përkthyesin, c) letra studimore. Fatkeqësisht, në zhanrin e letërsisë për fëmijë, nuk gjetëm prurje të mjaftueshme për të dhënë një çmim këtë vit. Finalistët e përzgjedhur janë këta (renditja nuk nënkupton vlerësim):
Letërsi shqipe:
📚Virion Graçi, SHTATË DRITARET, Shtëpia Botuese Albas 📚Virgjil Muçi, TRI JETËT E ZOTIT P. Shtëpia Botuese Dituria 📚Tom Kuka, I RËNË NGA QIELLI, Shtëpia Botuese Pegi 📚Ervin Nezha, TRI TAVERNAT, Shtëpia Botuese Albas 📚Besnik Mustafaj, PORTA E NGUSHTË E PURGATORIT, Shtëpia Botuese Onufri
📚Viola Isufaj, BALADË DRITASH PËR ZORBËN, Akademia e Shkencave 📚Bashkim Kuçuku, SHPREHËSI TË STRUKTURAVE – Shtëpia Botuese Onufri 📚Ardian Vehbiu, PËRRALLËTARËT E GJUHËS SHQIPE – Shtëpia Botuese Naimi 📚Gazmend Krasniqi, SI TA LEXOJMË LETËRSINË SHQIPE – Botimet Jozef 📚Anastas Angjeli, INSTITUCIONET E BRETTON WOODS-IT – Shtëpia Botuese Toena
Juria dëshiron të veçojë edhe një autor studimor këtë vit, i cili, sipas mendimit të Jurisë, meriton një çmim për kontributin gjatë karrierës, që reflektohet në veprën e tij. Pra, besoj se Shoqata do të jetë dakord të japim një Çmim të veçantë karriere. Në emër të Jurisë, Ilir Baci./balkanweb/ KultPlus.com
Një takim dramaturgësh, kritikësh e drejtuesish teatri nga Ballkani, Europa dhe SHBA, ka nxjerrë në pah problemet me të cilat përballet kjo gjini kudo. Takimi solli në Tiranë një dramaturg të njohur Britanik që sugjeron politika të tjera kulturore
Dramaturgu i njohur Britanik, Mark Ravenhill, ka mbajtur me dramaturgë të rinj shqiptarë punëtorinë mbi shkrimin teatror “Post, post communist baby“. I njohur në Britaninë e madhe për temat e mprehta që trajton në veprat e tij teatrore të përkthyera në disa vende, Shqipëria për të, kishte shijen e veprave të Kadaresë e Lea Ypit. Këshilla e tij për dramaturgët e rinj, është në fakt një politikë kulturore.
“Secili shkrimtar dhe secila kulturë duhet të gjejë mënyrën e vet për të bërë teatër. Unë u kërkova të reflektonin përvojat e tyre, disa i kishin shumë të dhimbshme përvojat me diktaturën. Njoha të rinj që duan të shkruajnë, por ju duhen trajnime. Mendoj se sistemi arsimor dhe universiteti duhet t’i ofrojnë. Edhe për të mbajtur njerëzit e talentuar këtu, edhe për të zhvilluar ekonominë, do të ishte me rëndësi”, tha Ravenhill.https://www.youtube.com/embed/sFs-3HxhR4c?feature=oembed
Ai ishte pjesë e Vitrinës teatrore, me 120 dramaturgë, kritikë dhe drejtues teatrosh nga Ballkani, Europa dhe SHBA-ja, që erdhën në Tiranë dhe mbajtën një sërë diskutimesh mbi temat dhe mënyrat si teatrot sot operojnë me të drejtat e njeriut, afrimin e publikut dhe sidomos shtresave të margjinalizuara. Vitrina erdhi si bashkëpunim i Teatrit Kombëtar, atij eksperimental, Mam dhe Qendra Multimedia në Prishtinë duke nxjerrë në pah edhe problemet e teatrit shqip.
“Dallojnë problemet që kemi këtu dhe ne Kosovë. Atje nuk kemi haspërira për shfaqje, këty nuk ka buxhet për shfaqje”, tha dramaturgu Jeton Neziraj.
Aktiviteti që u mbajt gjatë kësaj jave ndihmon njëherësh teatrin shqip të zgjerojë hartën e bashkëpunimeve./ (Balkanweb)/ KultPlus.com
Festivali i filmit me metrazh të shkurtër dhe dokumentar “Dardan Fest”, ngriti siparin edicionit të tretë mbrëmë te Piramida e Tiranës.
Në një kohë kur shoqëria është në një zhvillim të pandalur, “Dardan Fest” përzgjodhi që këtë vit projeksionet filmike të krijoheshin duke pasur në fokokus temën “Urbanizimi, zhvillimi dhe Qytetërimi”, për të reflektuar problemet dhe ndryshimet e njëpasnjëshme që pasojnë jetën e përditshme.
Mbi 750 aplikime nga e gjithë bota, dhe vetëm 15 prodhime janë selektuar për t’ju shpalosur publikut gjatë 4 netëve të festivalit, ku një hapësirë dhe mbështetje u jepet studenteve që aspirojnë të jenë kineastët e ardhshëm.
“Dardan Fest” do të mbahet deri më 3 Nëntor, ku do të përzgjidhen edhe tre produksionet filmike më të mira./tvklan/ KultPlus.com
“Kosovo-Albania Theatre Showcase 2024” ngjiti në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” shfaqjen “Të bardhët”, prodhim i Qendrës Multimedia Prishtinë, ndërkohë që mbrëmja u përmbyll tek “ArTurbina” me shfaqjen “Kamarja e turpit”, të prodhuar nga Teatri Kombëtar i Kosovës.
Kasti përbëhet nga tre aktorët: Shpëtim Selmani, Verona Koxha, Bujar Ahmeti. Qendra Multimedia e cilëson këtë shfaqje si, “një satirë sociale për një liberal të moshuar, një të ri progresiv dhe një populist”. “Kamarja e turpit”, vepër e Ismail Kadaresë, erdhi në skenë me regji të Kushtrim Koliqit dhe ishte dramatizuar nga Doruntina Basha. Interpretuan aktorët Adrian Morina, Armend Smajli, Ylber Bardhi, Gresa Pallaska, Bislim Muçaj, Kosovare Krasniqi, Zana Berisha, Fiona Abdullahu, Art Pasha, Gentrit Shala, Florenta Bajraktari, Jehona Gashi.
“Kamarja e turpit” u botua për herë të parë më 1978, si pjesë përbërëse e librit “Ura me tri harqe”, me titullin “Pashallëqet e mëdha”.
Qendra Multimedia nga Prishtina në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahviogli” dhe Qendrën M.A.M kanë sjellë për herë të parë në Tiranë ngjarjen më të madhe teatrore në rajon, “Kosovo – Albania Theatre Showcase- 2024”, që nisi më 29 tetor dhe vijon deri më 2 nëntor./atsh/KultPlus.com
Më 7 tetor të vitit 1945, u krijua në Tiranë, Lidhja e Shkrimtarëve.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton se dy vjet më pas, në vitin 1947, këtij organi i bashkëngjitet edhe Lidhja e Artistëve, duke bërë bashkë kështu letrarët me kastën e artistëve të vendit.
Në fillesat e saj, Lidhja (LSHA) numëronte 70 anëtarë, ku bënin pjesë po ashtu gazetarë dhe gjuhëtarë. Mandej, numri i tyre erdhi duke u shtuar. Si kryetar i saj, u zgjodh Sejfulla Malëshova, ndërsa detyra honorifike e presidentit iu ngarkua Fan Nolit. Në statutin e Lidhjes së Shkrimtarëve ishte parakushti që nuk do të pranohej anëtar asnjë prej atyre shkrimtarëve, publicistëve e gazetarëve që i shërbyen me veprat e tyre okupatorit e që konsideroheshin armiq të popullit.
Disa prej pasuesve të Malëshovës në krye të LSHA-së ishin: Dhimitër Shuteriqi, Dritëro Agolli, Bardhyl Londo, Xhevahir Spahiu, Limos Dizdari etj.
LSHA-ja kishte organet e saj letrare dhe artistike, sikurse: revistën “Literatura jonë”, më pas “Letërsia jonë” (1947), më vonë revistën mujore “Nëntori” (1954), të përjavshmen “Drita” (1961), revistën në frëngjisht “Les lettres Albanaises” (1978), “Bota Letrare”, “Revista letrare” etj./ atsh/ KultPlus.com
“The American Foreign Service Journal” ka botuar, në mars të 1932, në faqet n°3-6, rrëfimin e hollësishëm të ambasadorit Herman Bernstein mbi atë çka ai vështronte asokohe rreth e rrotull ambasadës amerikane në Tiranë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Shqipëria—Vendi i Popullit të Shqiponjës
(Pamje nga dritaret e Legatës Amerikane në Tiranë)
Nga Herman BERNSTEIN, Ministër amerikan në Shqipëri
Nga dritaret e Legatës së re Amerikane në Tiranë mund të shihen shumë pamje të çuditshme dhe magjepsëse, të cilat ofrojnë një pamje të jetës shqiptare në të gjitha ngjyrat dhe nuancat e saj të larmishme.
Nga dritaret e përparme mund të shoh kopshtin tonë me lule të kujdesur nga një kopshtar shqiptar që pretendon se ka punuar në pallatin e vjetër të Sulltanit në Kostandinopojë dhe nga një ish-oficer rus që kishte ikur nga bolshevikët dhe kishte shërbyer në forcat Wrangell dhe më pas kishte ardhur në Shqipëri me ushtrinë e vogël të drejtuar nga Ahmet Zogu kur u kthye në pushtet pas mërgimit të tij në Beograd. Më tutje, te porta e Legatës, qëndron shtëpiza e dy kavasëve të Legatës, Sulejmanit dhe Rasimit, shqiptarë që kanë kaluar (jetuar) disa vite në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sulejmani konsiderohet nga shqiptarët si me fat të veçantë jo vetëm për faktin se ai punon në Legatën Amerikane, por edhe sepse është babai krenar i pesë djemve. Vajzat kërkojnë pajë kur martohen në Shqipëri, ndërsa djemtë u sjellin prikë prindërve.
Përpara portës së Legatës ndodhet rruga e re që të çon nga Durrësi në Elbasan dhe Korçë. Durrësi, në Adriatik, është porti më i rëndësishëm i Shqipërisë. Qyteti, tani i vogël, me një popullsi prej rreth 10.000 banorësh, dikur ishte një qendër e madhe tregtare, që lidhte Perëndimin me Lindjen. I ndërtuar rreth 700 vjet para epokës së krishterë, Durrësi, i njohur në të kaluarën si Dyrrachium (Dyrrahu), dëshmoi skena lavdie, betejash të përgjakshme, të konfliktit midis ushtrive të Cezarit dhe Pompeut dhe të kryqtarëve në rrugën e tyre për në Tokën e Shenjtë. Besohet se edhe atje, në brigjet e Adriatikut, Shën Pali ka predikuar krishtërimin.
Rruga e re e Elbasanit, tashmë në përfundim, të çon në Korçë, e cila është një nga qytetet më përparimtare dhe moderne të Shqipërisë, kryesisht për shkak të ndikimit të shqiptarëve të emigruar në Shtetet e Bashkuara dhe që u kthyen në Korçëpasi kishin përvetësuar pasuri të konsiderueshme materiale dhe mënyrat e zakonet e Amerikës.Disa u kthyen për vizita në tokën e tyre të lindjes dhe sollën me vete konceptet e biznesit dhe metodave të bujqësisë amerikane dhe një standard më të lartë jetese, i cili u prezantua gradualisht në rrethin e Korçës. Për vite me radhë Korça ka marrë gjithashtu shuma të konsiderueshme të dërguara nga shqiptarët amerikanë për të afërmit e tyre në vendlindjen e tyre.Për këtë arsye Amerika është e njohur në Shqipëri. Shqipëria i është gjithashtu mirënjohëse Amerikës për ndihmën e Presidentit të ndjerë Wilson dhënë për çështjen e pavarësisë së Shqipërisë në një periudhë shumë kritike gjatë Konferencës së Paqes. Arsyet e tjera për vlerësimin e Amerikës nga Shqipëria janë shkollatamerikane në Tiranë dhe Kavajë, të drejtuara nga Kryqi i Kuq Amerikan dhe Fondacioni i Lindjes së Afërt, si dhe puna kundër malaries e Fondacionit Rockefeller.
Përtej rrugës së re të Elbasanit mund të shoh nga dritaret tona të përparme një fushë të madhe, kazerma, ushtarë që bëjnë ushtrime; kuajt, lopët, delet duke kullotur — skena të stërvitjes ushtarake të përziera me idilet baritore të paqes. Ndonjëherë dëgjoj zhurmën e mitralozëve që jehojnë në male. Dhe menjëherë pas kësaj dëgjoj barinjtë që luajnë melodi të këndshme në fyellin e tyre, ose fshatarë që këndojnë këngë orientale ndërsa kalojnë mbi kuajt e tyre të vegjël ose gomerët e vegjël.Aty-këtu shoh shtëpi të reja të shpërndara nëpunësish e fisnikësh shqiptarë. Përballë Legatës Amerikane do të ngrihen edhe disa prej legatave të huaja. Në një distancë të shkurtër, shihni kodrën në të cilën po ndërtohet pallati i ri i nënës mbretëreshë.
Teksa kthehem nga dritaret në të djathtë, përballë qytetit të Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë, që mban emrin e Teheranit rreth 300 vjet më parë, shoh kope delesh bardh e zi, buaj, lopë, selvi madhështore, xhami, minare të holla të bardha.Më pas pallati modest i nënës mbretëreshë dhe pesë princeshave, motrat e mbretit Zog, burgu i ri, ndërtesat e reja ministrore mjaft imponuese dhe Bashkia në qendër të Tiranës;pallati i vjetër i Mbretit Zog, i vetmi mbret në Evropë që ka ardhur në pushtet si bir i një prijësi të shquar malësor, trim, i cili luftoi për vendin e tij në rini, i cili më pas mbajti postet e Ministrit të Brendshëm, Kryeministrit dhe Presidentit, dhe i cili në vitin 1928 u shpall Mbret nga Asambleja Kushtetuese. Udhëheqësi i Popullit të Shqiponjës, siç njihen shqiptarët, është një i ri 36-vjeçar shtatlartë, i hollë, inteligjent, i cili sillet me një dinjitet dhe ekuilibër të thjeshtë por mbresëlënës.
Natën dritat e Tiranës shkëlqejnë me gëzim dhe e bëjnë kryeqytetin të duket shumë më i madh se sa është. Në festat kombëtare rrugët, kulla e sahatit dhe minaret janë zbukuruar me flamujt e Shqipërisë Kuq e Zi dhe me ndriçim elektrik shumëngjyrësh.
Nga xhamat e pasmë dalloj Alpet e purpurta shqiptare në perëndimin e diellit, me malin e Dajtit të mbuluar me borë në qendër. Shoh shpesh aeroplanë që fluturojnë sipër, shqiponja që fluturojnë, borë në majë të malit, gjeth të gjelbër në rrëzë të malit dhe në kopshtin tonë, jo shumë larg, trëndafila të lulëzuar në dhjetor.Unë shoh disa banesa të ulëta, tipike shqiptare me çati të kuqe prej tullash balte; mullarë të artë të rregulluar në dizajn fantastik; hijet e reve që bien përtej malit; dhe herë pas here ylberë të dyfishtë të shndritshëm shqiptarë në sfondin e malit të Dajtit.Përtej këtyre Alpeve është Kruja, shtëpia e Skënderbeut, Gjergj Kastriotit, Uashingtonit shqiptar që luftoi për pavarësinë e Shqipërisë në shekullin e pesëmbëdhjetë dhe për disa vite qëndroi fitimtar kundër turqve. Skënderbeu, lavdërimi i të cilit u këndua nga Longfellow në “Tales of a Wayside Inn”, ishte jo vetëm një ushtar dhe çlirimtar i madh, por, duke gjykuar nga testamenti i fundit për të birin, edhe një burrë shteti i mençur dhe largpamës.
Nga dritaret në të majtë shoh rrugën dredha-dredha për në EIbasan, rrugën e famshme romake Via Egnatia, e cila në ditët e para të epokës së krishterë të çonte nga Durrësi në Selanik. Unë shoh kodra të ulëta, në njërën prej të cilave qëndron një vend i shenjtë i braktisur bektashian i rrethuar me pemë.Më poshtë është një kasolle e vogël, e përdorur tani si kafene, ku ciganët kërcejnë dhe luajnë muzikën e tyre me zë të lartë, të çuditshëm, shpesh rrëqethës gjatë gjithë natës, gjatë muajve të verës dhe të vjeshtës. Shumë nga burrat dhe gratë që kalojnë përgjatë rrugës së Elbasanit janë të rreckosur, zbathur.Ndonjëherë veshin kostume të qëndisura artistikisht me dizajne të pasura dhe të bukura. Herë pas here një me beben e saj. Shpesh një grua e mbuluar, hipur mbi një gomar, duke mbajtur fëmijën e saj në njërin krah dhe duke mbajtur një ombrellë të hapur në dorën tjetër — jo për ta mbrojtur atë nga shiu apo nga rrezet e diellit të shndritshëm, por më tepër si një shenjë dallimi midis myslimanëve shqiptarë.
Shoh një kortezh të gjatë gomerësh, kuajsh, mushkash, buajsh, qesh, sidomos të enjteve, kur fermerët e fshatrave fqinjë dalin në treg në Tiranë. Kafshët janë të vogla dhe të holla; burrat dhe gratë janë të dobët, të drejtë, me pamje të trishtuar, rrallë të buzëqeshur, shpesh duke kënduar me ankth, zërat e tyre kumbojnë qartë si kambana argjendi. Tani shoh një hoxhë, të gjatë, të veshur me një çallmë jeshile, të hipur mbi një gomar të vogël, me këmbët që lëkunden në mënyrë ritmike, gati duke prekur tokën. Populli, edhe pse ende supersticioz, nuk njeh konflikte apo grindje fetare në Shqipëri.Udhëheqësit fetarë të myslimanëve, katolikëve dhe ortodoksëve jetojnë në harmoni dhe besimtarët e tyre ndonjëherë vizitojnë vendet e lutjes së njëri-tjetrit. Ndërsa shikoj nga dritaret e Legatës, shoh Tiranën në rritje, kryeqytetin e Popullit të Shqiponjës, duke marrë formën moderne, njerëzit që përvetësojnë nga jashtë rrugët përparimtare të Perëndimit, por ende të kapur pas disa prej traditave të tyre të shkëlqyera të lashta të cilat nuk kanë pësuar asnjë ndryshim me shekuj; ndërtimi i një shteti të pavarur, më i vogli nga shtetet ballkanike, i cili mban një pozicion kaq të rëndësishëm në Adriatik. Në Shqipëri, Orienti dhe Perëndimi gërvishten si në pak vende të tjera. Femrat shqiptare vlerësohen shumë nga burrat. Një grua që udhëton vetëm është e sigurt kudo në Shqipëri. Dhe asnjë burrë nuk duhet të ketë frikë nga hakmarrja stërgjyshore e një armiku nëse shoqërohet nga një nga gratë e tij. Mikpritja proverbiale dhe ndjenja e nderit e shqiptarëve nuk janë ndryshuar gjatë marshimit të shpejtë të vendit drejt modernizimit.
Një ditë, turistët në kërkim të peizazheve të çuditshme dhe të bukura, zakoneve dhe kostumeve të veçanta do të zbulojnë këtë vend nga më piktoreskët në Evropë. Nëse vonojnë vizitën e tyre në Shqipëri, do të jetë tepër vonë. Pjesa më e madhe e sharmit magjepsës të Shqipërisë po zhduket, duke i lënë vendin kostumeve perëndimore dhe ritmit të vrullshëm të jetës moderne./ KultPlus.com
Nisi mbrëmë në Tiranë, edicioni i 22-të i “Tirana International Film Festival” (TIFF). Mbi 200 prodhime të kinematografisë shqiptare e ndërkombëtare do të shfaqen në këtë festival, deri më datën 28 shtator.
TIFF është kthyer tashmë në një nga eventet kulturore më të rëndësishme në vend. Filmat e përzgjedhur prej organizatorëve do të shfaqen në disa lokacione: Kinema Millennium, Qendra e Artit Agimi, Salla “Tonin Harapi” pranë Liceut Artistik dhe Kinema “Maks Velo”, në të cilat studentët do të mund të përfitojnë një ulje prej 75% nga çmimi i biletës.
Pas një parakalimi të kineastëve në tapetin e kuq, nata e parë e festivalit u çel me filmin “Parthenope”, filmi i ri i regjisorit të mirënjohur Paolo Sorrentino, i cili pati në TIFF premierën ekskluzive.
Ashtu si edhe në edicionet e mëparshme, filmat pjesëmarrës në garë janë ndarë sipas kategorive. Ndërsa premiera botërore e filmit “Kapedani” të restauruar në 4K do të shfaqet gjatë TIFF në kinema Millenium.
Ky edicioni i TIFF-it i bën homazh njërit prej aktorëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, Marcello Mastroianni-t, duke shfaqur disa filma në sesionin RetrospecTIFF.
Ashtu si edhe në edicionet e tjera, filmi më i mirë i shkurtër në “TIFF 2024” do të kualifikohet për çmimet “Oscars 2025”, si dhe “European Film Awards 2024”. Filmat studentorë të përzgjedhur zyrtarisht në “TIFF” kanë të drejtë të konkurrojnë për çmimet Student Academy (SAA). Këtë vit, për herë të parë, do të ketë një juri speciale të formuar nga studentë të Universitetit të Arteve, të cilët përveç vlerësimit të filmave të zgjedhur në kompeticionin zyrtar do të jenë aktivë pas çdo seance./atsh/ KultPlus.com
Ekipi olimpik i Shqipërisë do të kthehet nesër në Tiranë me dy medalje olimpike, pas mbylljes së këtij kompeticioni ditën e sotme. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i ka bërë thirrje të gjithëve që të bashkohen për të pritur nesër në Rinas kampionët tanë olimpikë.
“Nesër, të gjithë bashkë, do të jemi në Rinas për të pritur kampionët tanë olimpikë! Çunat e Sport Klub Tiranës, për herë të parë, i sollën Shqipërisë dy medalje olimpike, një arritje historike që na bën të ndihemi më krenarë se kurrë”, shkruan Veliaj.
Dy sportistët e Sport Klub Tirana, Chermen Valiev dhe Islam Dudaev shënuan një rezultat historik duke fituar dy medaljet e para olimpike për Shqipërinë, në disiplinën e mundjes.
Tirana është e mbushur me turistë në këto ditë të nxehta të korrikut.
Kryeqyteti shqiptar është shndërruar në një destinacion kryesor turistik në vend.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga grupe të turistëve të huaj që vizitojnë disa nga atraksionet më të bukura në Tiranë.
Në pikat turistike, por edhe në rrugicat më larg qendrës së kryeqytetit, ka turistë nga vende të ndryshme të botës, të interesuar të njohin Tiranën. Të organizuar në grupe, por edhe invidualisht, turistët i gjen pothuaj në çdo orë të ditës duke vizituar objekte të trashëgimisë kulturore apo dhe thjesht duke shijuar ushqimin tradicional e duke u bërë foto ndërtimeve të reja.
Në Tiranë mund të gjesh pothuaj të gjitha format e turizmit, nga ai kulturor, historik, arkitekturor e kulinar, e deri tek turizmi malor, të cilin e gjen duke udhëtuar për pak minuta larg zonës urbane.
Numri i turistëve ka ardhur gjithnjë në rritje, kjo falë edhe eventeve të ndryshme të organizuara në kryeqytet, sportive dhe artistike, të cilët kanë sjellë vizitorë të huaj si edhe nga trevat shqipfolëse.
Tirana ka rreth 56 objekte të trashëgimisë kulturore dhe 141 pika turistike si Kulla e Sahatit, e cila u rihap në qershor 2016 pas rikonstruksionit të kryer, Piramida,Muzeu “Shtëpia me gjethe”, Bunk’Art 1 dhe 2, sheshi “Skënderbej”, Pazari i Ri, Kalaja edhe shumë pika të tjera për t’u vizituar./atsh/KultPlus.com
Ambasada gjermane në Tiranë organizoi një ekspozitë digjitale të titulluar “Tiranë, Korrik 1990 – Arratisje në Ambasadën Gjermane”. Ekspozita i kushtohet 34-vjetorit të eksodit shqiptar në ambasada.
Më 2 korrik të 1990-ës, mijëra shqiptarë mësynë Ambasadën Gjermane në Tiranë për të kërkuar mbrojtje nga regjimi komunist. Rreth 5000 persona kërkuan strehim në ambasadat e huaja dhe mbi 3200 persona gjendeshin në ambientet e Ambasadës Gjermane.
Ekspozita digjitale paraqet imazhe origjinale nga kjo periudhë duke sjellë më shumë informacion rreth këtyre ngjarjeve historike.
Ambasadori Karl Bergner, prezantoi këtë ekspozitë përmes një postimi në faqen online të Ambasadës Gjermane. “Njerëzit ishin në kërkim të lirisë, mirëqenies, në kërkim të një fillimi të ri. Një pjesë mes tyre ishin të frymëzuar edhe nga pamjet e transmetuara në televizion për refugjatët gjermano-lindorë të vitit 1989”, shkruan ambasadori Bergner. Ambasadori tha se, përmes ekspozitës nderohet kurajoja e të larguarve si dhe përkujtohen viktimat e përndjekjes politike nën sundimin komunist.
Pas dhjetë ditësh konflikti dramatik u zgjidh. Pas bisedimesh të vështira me palën shqiptare komuniteti ndërkombëtar arriti të kishte sukses dhe qeveria ra dakord me largimin nga vendi, i cili ndodhi natën e datës 12 korrik përmes Durrësit në drejtim të Italisë e më pas me tren drejt Gjermanisë./atsh/ KultPlus.com
Nga data 21-29 qershor në Tiranë do të mbahet Java Kulturore Braziliane, e cila premton të dhurojë shumë emocione.
Java Kulturore Braziliane do të çelet me Natën Poetike Braziliane, e cila do të mbahet këtë mbrëmje, është një përvojë e rrallë që ndërthur bukurinë e poezisë dhe prozës me tingujt e përkryer të pianos.
Gjatë kësaj nate speciale, publiku do të ketë rastin tëpërjetojë frymën e letërsisë braziliane. Interpretimi do të jetë në dy gjuhë, shqip, portugalisht dhe do të marrë jetë nga publikues, përkthyes dhe pjesëtarë të komunitetit brazilian.
Do të lexohen vepra nga autorë të njohur brazilianë si Hilda Hilst, Fernando Pessoa, novela “The Psychiatrist” nga Machado de Assis dhe vepra nga Miguel Torga.
Kjo mbrëmje do të shoqërohet nga tingujt mahnitës të pianos, duke krijuar kështu një atmosferë magjike dhe frymëzuese për të gjithë të pranishmit.
Nata poetike braziliane është një mundësi e shkëlqyer për të zgjeruar kulturën dhe për të eksploruar më tej veten në botën e pasur të letërsisë braziliane. Një kombinim i rrallë i fjalës dhe muzikës, ky aktivitet do të mbetet një përvojë e paharrueshme për të gjithë.
Më 24 qershor do të mbahet koncerti i harqeve “Camerata Balcanica”.
Camerata Balcanica bashkon artistë të rinj të muzikës klasike nga Ballkani Perëndimor.
Një grup prej 10 muzikantësh të përbërë nga katër violina, dy viola, dy cello dhe një bas, do të performojnë disa pjesë muzikore të zgjedhura braziliane.
Koncerti i harqeve është mbresëlënës dhe vjen me shumë pasion nga ansambli i njohur “Camerata Balcanica”. Ky grup përbëhet nga artistë të rinj dhe të talentuar të muzikës klasike nga Ballkani Perëndimor, të cilët do të sjellin në skenë një përvojë të jashtëzakonshme muzikore.
Camerata Balcanica është një ansambël unik, i përbërë nga dhjetë muzikantë të shquar: katër violinistë, dy violistë, dy violonçelistë dhe një kontrabasist. Për këtë ngjarje të veçantë, ata do të performojnë një program të përzgjedhur me kujdes që përfshin disa nga pjesët më të bukura të muzikës braziliane. Repertori do të përfshijë vepra nga kompozitorë të njohur brazilianë, duke ofruar një përzierje harmonike të tingujve klasike dhe motiveve tradicionale braziliane.
Ky koncert jo vetëm që do të tregojë talentin dhe virtuozitetin e muzikantëve të Camerata Balcanica, por gjithashtu do të krijojë një urë kulturore mes Ballkanit dhe Brazilit, duke demonstruar fuqinë unifikuese të muzikës. Performanca e tyre premton të jetë një përvojë e paharrueshme që do të mahnitë audiencën dhe do të sjellë një shije të veçantë të muzikës braziliane në zemër të Ballkanit.
Më 25 qershor, në kinema “Millenium” do të shfaqet filmi brazilian “Behind the Sun”.
Filmi i vitit 2001 “Behind the Sun” realizuar me regji të Walter Salles dhe frymëzuar nga “Prilli i Thyer” i Ismail Kadaresë, trajton jetën e një familjeje të varfër në Brazilin rural. Tregon një histori të thellë e të ndjerë, duke përdorur një narrativë të fuqishme që ka bërë të udhëtojnë tematikat e novelës së Kadaresë, në një kontekst e histori përtej oqeanit në Amerikën Latine.
Ky film, i cili u realizua në vitin 2001, me regji të Walter Salles, një nga emrat më të njohur në kinematografinë braziliane, i njohur gjithashtu për filmin “Central Station” dhe “The Motorcycle Diaries”.
Instituti Italian i Kulturës bëri me dije se së shpejti në Tiranë do të sjellë filmin e Paola Cortellesi-t, “C’è ancora domani”. Ky film i cili pati një sukses të jashtëzakonshëm në Itali dhe jashtë saj, vjen në kuadër të veprimtarisë “Fare cinema”, që fillesat i pati në 2018.
Çdo vit, mes majit dhe qershorit, i kushtohet një jave “artit të shtatë italian” dhe që përfshin organizime në të gjithë botën në Ambasada, Konsullata dhe Institute Italiane të Kulturës, me qëllim njohjen nga ana e publikut të huaj, të prodhimeve më të mira kinematografike italiane.
Aktorja e mirënjohur Paola Cortellesi, debutoi si regjisore me këtë shfaqje origjinale bardhezi, të vendosur në Italinë e dalë nga Lufta e Dytë Botërore. Filmi i kthyer në fenomen, në Itali, është nderuar me çmime “Nastri d’Argento”, ka fituar 17 kandidatura dhe 6 çmime “David di Donatello”, që janë çmimet më prestigjiose për kinematografinë në Itali.
“C’è ancora domani” është vendosur në gjysmën e dytë të viteve ‘40 në Romë dhe rrëfen historinë e Delias (Paola Cortellesi), e martuar me Ivanon (Valerio Mastandrea), me të cilin ka tre fëmijë. Gruaja luan ekskluzivisht rolin e bashkëshortes dhe nënës, kaq mjafton për ta përcaktuar atë.
Kryeqyteti është i ndarë në dysh: nga njëra anë ndjehet shtytja pozitive e sjellë nga çlirimi; kurse nga ana tjetër, mjerimi i lënë pas nga lufta.
Ivano është kreu i familjes, por edhe kapoja suprem dhe padroni, i cili punon fort për të çuar ndonjë të ardhur në shtëpi. Ai nuk e humbet kurrë rastin për ta shprehur këtë gjë, ndonjëherë me ton shpërfillës dhe herë të tjera duke vënë në përdorim rripin. I vetmi person për të cilin ka respekt është babai i tij, një burrë i moshuar, inatçor dhe shpesh tiran, për të cilin Delia kujdeset sikur të ishte kujdestare. E vetmja që mund t’i sjellë lehtësim gruas është shoqja e vet Marisa (Emanuela Fanelli), me të cilën kalon ndopak çaste lehtësie dhe bisedash intime.
Me ardhjen e pranverës e gjithë familja është e emocionuar për fejesën e vajzës së madhe, Marcellas (Romana Maggiora Vergano). E reja shpreson të martohet me një djalë të mirë nga klasa e mesme, të quajtur Giulio (Francesco Centorame), duke e çliruar kësisoj veten nga barra e rëndë e familjes. Kur një letër misterioze mbërrin, një guxim i fortë do të lindë tek gruaja, nënë dhe bashkëshorte, e vendosur për të përmbysur planet e mëparëshme, për të imagjinuar kështu më në fund, një të ardhme më të mirë, jo vetëm për veten./atsh
Instituti Italian i Kulturës bëri me dije se së shpejti në Tiranë do të sjellë filmin e Paola Cortellesi-t, “C’è ancora domani”. Ky film i cili pati një sukses të jashtëzakonshëm në Itali dhe jashtë saj, vjen në kuadër të veprimtarisë “Fare cinema”, që fillesat i pati në 2018. Çdo vit, mes majit dhe qershorit, i kushtohet një jave “artit të shtatë italian” dhe që përfshin organizime në të gjithë botën në Ambasada, Konsullata dhe Institute Italiane të Kulturës, me qëllim njohjen nga ana e publikut të huaj, të prodhimeve më të mira kinematografike italiane.
Aktorja e mirënjohur Paola Cortellesi, debutoi si regjisore me këtë shfaqje origjinale bardhezi, të vendosur në Italinë e dalë nga Lufta e Dytë Botërore. Filmi i kthyer në fenomen, në Itali, është nderuar me çmime “Nastri d’Argento”, ka fituar 17 kandidatura dhe 6 çmime “David di Donatello”, që janë çmimet më prestigjiose për kinematografinë në Itali.
“C’è ancora domani” është vendosur në gjysmën e dytë të viteve ‘40 në Romë dhe rrëfen historinë e Delias (Paola Cortellesi), e martuar me Ivanon (Valerio Mastandrea), me të cilin ka tre fëmijë. Gruaja luan ekskluzivisht rolin e bashkëshortes dhe nënës, kaq mjafton për ta përcaktuar atë.
Kryeqyteti është i ndarë në dysh: nga njëra anë ndjehet shtytja pozitive e sjellë nga çlirimi; kurse nga ana tjetër, mjerimi i lënë pas nga lufta.
Ivano është kreu i familjes, por edhe kapoja suprem dhe padroni, i cili punon fort për të çuar ndonjë të ardhur në shtëpi. Ai nuk e humbet kurrë rastin për ta shprehur këtë gjë, ndonjëherë me ton shpërfillës dhe herë të tjera duke vënë në përdorim rripin. I vetmi person për të cilin ka respekt është babai i tij, një burrë i moshuar, inatçor dhe shpesh tiran, për të cilin Delia kujdeset sikur të ishte kujdestare. E vetmja që mund t’i sjellë lehtësim gruas është shoqja e vet Marisa (Emanuela Fanelli), me të cilën kalon ndopak çaste lehtësie dhe bisedash intime.
Me ardhjen e pranverës e gjithë familja është e emocionuar për fejesën e vajzës së madhe, Marcellas (Romana Maggiora Vergano). E reja shpreson të martohet me një djalë të mirë nga klasa e mesme, të quajtur Giulio (Francesco Centorame), duke e çliruar kësisoj veten nga barra e rëndë e familjes. Kur një letër misterioze mbërrin, një guxim i fortë do të lindë tek gruaja, nënë dhe bashkëshorte, e vendosur për të përmbysur planet e mëparëshme, për të imagjinuar kështu më në fund, një të ardhme më të mirë, jo vetëm për veten./atsh/KultPlus.com
U zhvillua ditën e sotme në mjediset e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, një mbledhje e përbashkët e dy redaksive vendore të “Enciklopedisë shqiptare”. Të pranishëm në këtë mbledhje ishte kryetari ASHSH, akad. Skënder Gjinushi si dhe kreu i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akad. Mehmet Kraja.
Në kete mbledhje të redaksive u bë një parashtresë e rezultateve dhe problemeve që kanë dalë në procesin e deritashëm të realizimit të projektit Enciklopedia shqiptare nga akad. Mehmet Kraja. U dha një relacion për arritjet, problemet dhe zgjidhjet e rekomanduara referuar takimeve të redaksive të fushave me njëra-tjetrën dhe në grupfusha në Tiranë gjatë muajit maj nga akad. Shaban Sinani. Gjithashtu një relatim me statistika rreth procesit të kalimit prej fjalësit paraprak në fjalësin e përbashkët të Enciklopedisë shqiptare nga dr. Arian Leka, përgjegjës i sektorit të botimeve enciklopedike në QBEA;
Prof. dr. Azis Pollozhani informoi për rezultatet e punës të redaksisë së posaçme për trashëgiminë shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe më pas pati një bisedë me diskutime e pyetje. Në përfundim të takimit të sotëm u miratuan disa rekomandimeve të nevojshme për përfundimin e punës për fjalësin e përbashkët dhe kalimin në fjalësin e stabilizuar./atsh/KultPlus.com
Dashuria ndjehet në ajër dhe Java Kulturore Italiane është këtu! Me këtë moto nisi sot Java e Kulturës Italiane që përkon me festën e Republikës Italiane.
Nga data 2 deri më 8 qershor, më e mira e kulturës italiane do të frymojë jo vetëm në kryeqytet por edhe në disa qytete të Shqipërisë. Nëpërmjet aktiviteteve të larmishme do të kremtohet kjo kulturë kaq e pasur në çdo fushë e disiplinë të saj dhe për të cilën gjithë bota është frymëzuar.
Eventi i ditës së sotme, me rastin e Festës së Republikës Italiane, do të zhvillohet pranë sitit arkeologjik të Butrintit, për të përkujtuar njëqindvjetorin e misionit të parë arkeologjik të Luigi Ugolini-t.
Instituti Italian i Kulturës dhe Ambasada Italiane në Shqipëri, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të Shqipërisë dhe me Bashkinë e Sarandës sjellin në Javën Italiane spektaklin e kërcimit “Opera e Puccinit. Voci di donne”, një prodhim i ri nga Artemis Danza.
Shfaqja i kushtohet katër heroinave magjepsëse të kompozitorit Giacomo Puccini: Tosca, Madama Butterfly, Mimì dhe Turandot, në njëqindvjetorin e ndarjes së tij nga jeta. Kuptimi i muzikës Pucciniane kalon nga analiza e marrëdhënies së tij të thellë me botën femërore. Një mesazh i qartë madje edhe nga titujt e zgjedhur për veprat e tij më të famshme. Një kaleidoskop personalitetesh të ndryshme, një univers plot aspekte dhe ndjeshmëri.
Në katër skenat që përbëjnë “Puccini’s Opera”, gjejmë leximin personal të Casadeit lidhur me temën femërore, të vendosur në qendër të një procesi riinterpretimi koreografik, vizual dhe muzikor. Dashuria tragjike, dashuria e penguar dhe e kundërshtuar, dashuria mizore që asgjëson, epshi për zotërim që çon në shkatërrim, jeton në fytyrat, trupat, gjestet e artisteve dhe nuk resht së na bëri të reflektojmë mbi aktualitetin e historive që kanë mallëngjyer publikun e mbarë botës. Krijimi përshkohet nga një atmosferë prekëse, plot tension dhe sugjestion poetik. Partitura orkestrale e Puccinit është në kontrast me tingujt elektronikë të kompozitorëve Luca Vianini dhe Fabio Fiandrini, të cilët ravijëzojnë një hapësirë zanore mbështjellëse dhe nganjëherë apokaliptike. Një kërcim koral, i pasur me impulse dhe pasione, instinktiv dhe herë-herë i egër, që e përdor hapësirën si të ishte vorbull dhe që shfaqet i plotë si simbolikisht, ashtu edhe vizualisht: kërcimet solo të futura brenda kornizash grupi, me një dinamikë të përshpejtuar nga forcat shtytëse, bëjnë që drama dhe pasionet e protagonisteve, të ndjehen fort në trup e në deje./ atsh/ KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama në një postim, zbuloi se media franceze “VoyageursMaG”, i ka kushtuar artikull kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranës.
“Tirana, një përzierje unike mes kulturave dhe historisë që është kthyer në destinacionin e shumëkërkuar për turistët europianë.
Është media franceze “VoyageursMaG” që i kushton këtë artikull kryeqytetit, nga historia e krijimit deri tek arkitektura moderne dhe aktivitetet që e bëjnë “një qytet befasues dhe magjepsës për t’u eksploruar, ku modertineti dhe ndikimet nga periudhat e ndryshme historike krijojnë një tablo unike”.
Rreth 30 mijë vizitorë francezë kanë frekuentuar Shqipërinë gjatë këtyre katër muajve të parë të vitit 2024, ose dy herë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar”, shktuanj rama në Facebook.
Për sa i përket artikullit e famshmja franceze “VoyageursMaG”, shkruan se Tirana është një destinacion që ia vlen të vizitohet, e teksa liston arsyet:
Tirana, një përzierje unike e kulturave dhe historisë
Historia e Tiranës duket se ka filluar në vitin 1418. Në të vërtetë, pikërisht në atë vit emri i këtij qyteti përmendet për herë të parë në një dokument venecian. Dy shekuj më vonë, nën pushtimin osman që përfundoi në vitin 1912, gjenerali osman Sulejman Bargjini ndërtoi atje një xhami, banja turke dhe një furrë buke me qëllim që ta bënte atë më tërheqëse për kolonët.
Por plani i tij nuk pati sukses pasi që në shekullin e 20- të pati një zhvillim të vërtetë industrial dhe demografik të qytetit, pjesërisht falë ardhjes së shqiptarëve nga veriu. Duhet të dini gjithashtu se në vitin 1920 u shpall kryeqyteti i Shqipërisë.
I çliruar nga pushtimi i ushtrive italiane dhe më pas gjermane pas Luftës së Dytë Botërore, vendi kaloi më pas një periudhë të errët për shkak të regjimit komunist të imponuar nga Enver Hoxha. Edhe pse ky i fundit vdiq në vitin 1985, do të duhej të prisnim deri në vitin 1991 për të parë rënien e diktaturës dhe fillimet e demokracisë.
E gjithë kjo e kaluar dhe ndikimet që ka përjetuar Shqipëria, sot e bëjnë Tiranën një qytet mikpritës, ku një mori traditash kulturore dhe fetare bashkëjetojnë në mënyrë paqësore.
Zhytuni në emocionet e Tiranës, kryeqytetit në lulëzim
Për të modernizuar hapësirën e tij publike, kryeqyteti shqiptar mundi të përfitonte nga financimi i Bankës Evropiane të Investimeve për një projekt që synon, ndër të tjera, pastrimin e lumit Lana dhe rizhvillimin e infrastrukturës urbane. Gjithashtu, në vitin 2007, Aeroporti Ndërkombëtar u rinovua.
Jetoni përvojën tiranase, mes modernitetit dhe traditave stërgjyshore
Për udhëtimin tuaj në Shqipëri, shijoni të gjitha aspektet e qytetit të saj më dinamik dhe më të populluar. Për ta bërë këtë, ju rekomandojmë që të eksploroni si atraksionet që duhen parë, të cilat gjurmojnë historinë e kryeqytetit, ashtu edhe vendet më të modës.
Ndër turet me guida që duhen bërë në Tiranë për të mësuar sekretet e së shkuarës së saj, është xhamia e Et’hem Beut, me arkitekturë osmane, Muzeu Historik Kombëtar dhe Kulla e Sahatit , të cilat ndodhen të gjitha tre në Sheshin ‘Skënderbej’. Pak hapa më tutje ndodhet Bunk’Art 2, i cili është një ish-bunker 1000 m2 ku do të zbulohen tmerret e kryera nga regjimi komunist.
Për një atmosferë më të gëzueshme pranë këtyre pikave ndonjëherë tragjikisht të famshme, zbuloni pazaret e vjetra, me rrugë këmbësore dhe tezga që shesin erëza, sende artizanale dhe veshje.
Krejt në kontrast me këtë atmosferë stërgjyshore, është rrethi i gjallë i Bllokut,e cila është më pak se 30 minuta në këmbë nga qendra e Tiranës. Është popullor për gjallërinë e tij, kafenetë dhe pikat e tjera elegante të jetës së natës. Vini re, për më tepër, se aty ndodhet ish-rezidenca e Enver Hoxhës.
Tirana: Një qytet befasues dhe magjepsës për t’u eksploruar
Në rënien e komunizmit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, dhe banorët patën nevojën për të rimarrë qytetin dhe dëshirën për të fshirë të shkuarën dhe fasadat e zymta. Kështu, në përpjekje për të përhapur gëzimin për fundin e shtypjes, shumë ambiente u pikturuan me ngjyra të ndezura. Këto ndërtesa shumëngjyrëshe ngjiten me të tjerat me fasada të zbehura dhe duhet ta dini se tani, panoramës i janë shtuar ndërtesat ultramoderne. E gjithë kjo i jep arkitekturës së këtij qyteti një aspekt befasues dhe shumë heterogjen.
Për më tepër, nëse arti tradicional dhe bashkëkohor është i përfaqësuar mirë në muzetë dhe galeritë e shumta, edhe arti i rrugës ka një vend të veçantë në çdo cep të rrugëve të Tiranës, dhe kjo është në kontrast me ashpërsinë e ndërtesave të vjetra.
Një vend me kontrast, kryeqyteti shqiptar ju fton të shihni edhe një tjetër anë të tij gjatë udhëtimit tuaj në Tiranë. Kjo nuk ka të bëjë fare me anën e saj urbane. Bëhet fjalë për mjedisin e tij sublim natyror dhe rural. Merrni teleferikun ose linjën e autobusit, e cila ndodhet përballë Kullës së Sahatit, për të shkuar në parkun e malit të Dajtit dhe për të mbetur pa frymë nga peizazhi i tij i përbërë nga liqene, deti Adriatik dhe male. Ky vend është ideal për shëtitje, ngjitje apo edhe ziplining.
Lëreni veten të josheni nga sharmi autentik i Tiranës
Më gustatorët mes jush do të mund të shijojnë vërtetë kulturën e Tiranës vetëm nëse gjejnë kohë për t’u interesuar për gastronominë e saj lokale. Është interesante të theksohet, për më tepër, se specialitetet vendase janë rezultat i ndikimeve nga vendet fqinje apo kolonizuese, si Greqia, Turqia apo edhe Italia.
Gjatë qëndrimit tuaj, provoni disa nga pjatat e shumta autentike, si tavë kosi, një këmbë delikate aromatik qengji, Byrek, një byrek me viç me tre shtresa dhe spinaq ose gjellë me arra, që është një supë me pulë dhe arra. Dashamirët e pastave me siguri do të vlerësojnë kanojët, të cilat nuk do të mungojnë t’u kujtojnë kanolitë italiane.
Për të shijuar të gjitha këto kënaqësi, drejtohuni në lagjen Pazari i Ri që është tempulli i restoranteve tradicionale. Është gjithashtu shtëpia e Marché Vert, tezgat e të cilit shfaqin djathëra vendas, mjaltë, verëra dhe pije alkoolike. Mos hezitoni të vizitoni këtë vend të shijshëm që patjetër do t’ju bëjë të pështymë.
Konkluzioni
Kështu, Tirana është ky destinacion ende sekret, i cili si një diamant i ashpër ka shumë aspekte. E çliruar nga diktatura për më shumë se 3 dekada, ajo po skulpturon një imazh të ri, më premtues se kurrë për udhëtarët që kërkojnë destinacione evropiane që janë sa të përballueshme dhe pasuruese. Moderniteti dhe ndikimet e osmanëve, fashistëve dhe komunistëve krijojnë një tablo unike. Mos prisni ta zbuloni duke rezervuar së shpejti udhëtimin tuaj, pasi rrugët e qeta të Tiranës mund të mbushen së shpejti me vizitorë/ KultPlus.com
Veprat e përzgjedhura të piktorëve shqiptarë me origjinë greke, u paraqitën në ekspozitën “Shtatë ngjyrat”, e cila u organizua nga Ambasada e Greqisë në Shqipëri, në kuadër të Javës se Kulturës Greke.
Kjo ekspozitë ofron 7 qasje ndaj artit, 7 mënyra për ta parë botën me sytë e Edmond Gjikopulli, Edmond Papathimiu, Genci Ruci, Ilir Paço, Jerasimo Ruci, Jorgji Gjikopulli dhe Qirjako Meniko, që jetojnë dhe krijojnë në Shqipëri dhe Greqi.
Imazhet, linjat dhe ngjyrat, drita dhe hija, siç transferohen në kavaletë dhe letër përbëjnë thelbin e një përvoje të përbashkët që përcjellë mesazhe universale, përvojën e përbashkët të qenies njerëzore.
Të pranishëm në këtë ekspozitë ishin, ishin vetë piktorët, zyrtarë dhe artistë të ndryshëm.
Me bindjen se kultura bashkon dy fqinjët dhe forcon lidhjet e tyre ekzistuese, kjo ekspozitë realizohet për të tretin vit radhazi dhe do të zgjasë deri më 29 maj./tema/KultPlus.com
Sot është e diel pa makina. Bashkia e Tiranës rikthen “Tirana pa makina”, nismë kjo e cila synon sensibilizimin e qytetarëve për një mjedis më të pastër, por edhe për të bërë një jetë më aktive.
Ndërsa në qendrën e Tiranës do të mungojë zhurma e makinave, do të jenë të shumta aktivitetet e organizuara nga bashkia e kryeqytetit, për ta kthyer këtë fundjavë në një ditë festive.
Qarkullimi i automjeteve do të kufizohet nga ora 06:00 deri në orën 17:00 në disa nga segmentet kryesore në kryeqytet, ndërsa është hartuar një plan i lëvizjes për mjetet e emergjencës dhe atyre të Policisë së Shtetit.
E diela do të jetë e mbushur me aktivitete të shumta dhe surpriza pafund.
Kufizimin e qarkullimit të automjeteve, në kuadër të zhvillimit të aktivitetit promovues “Tirana pa makina’, në datat 5 Maj 2024 dhe 1 Qeshor 2024, në periudhat kohore nga ora 06:00 deri në oren 17:00, në segmentet e mëposhtme:
– Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, duke filluar nga Ministria e Brendshme deri në fillim të Ish – Hotel Dajti.
– Bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit”, duke filluar nga Ura e Ish-Hotel Dajtit deri në kryqëzimin me rrugën “Ismail Qemali”.
Qarkullimi i automjeteve të vazhdojë në rrugën “Ibrahim Rugova”, bulevardin “Zhan Dark”, bulevardin Bajram Curri” dhe në rrugën ‘George.W.Bush”.
3. Qarkullimi i mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit të vazhdojë normalisht në të gjitha segmentet rrugore të mësipërme.
Linja Nr. 13 “Tirana e Re” dhe Linja Nr. 2 “TEG – Sauk i Vjetër – Kopshti Zoologjik – Ish-Stacioni Trenit” do të devijojnë në rrugën “Ibrahim Rugova”./atsh/ KultPlus.com
Në ditën ndërkombëtare të muzikës xhaz është mbajtur edicioni i 6 i “Suing Maratone”. Me veshje të viteve 1950 dhe muzikë xhaz, treni i linjës Vorë-Shkodër ka shënuar edhe këtë vit një festë ndryshe organizuar nga Hemingui Tirana.
Me veshje të viteve ‘50, njësoj si në filma bardhezi, me muzikë, kërcime e hare mbërriti në Shkodër treni që udhëtoi nga Tirana në ditën ndërkombëtare të muzikës Jazz….
Swing Maratonë zhvilloi edicionin e gjashtë të saj që është kthyer tashmë në një festë traditë. Të apasionuarit pas muzikës Jazz dhe stileve të veshjeve të para 80 viteve shijuan udhëtimin “Andrra N’Tren”…..
Festës ju bashkua edhe kreu i bashkisë Shkodër Benet Beci.
Në udhëtimin që zgjat rreth 5 orë me trenin e linjës Vorë-Shkodër, pjesëmarrësit nga e gjithë Shqipëria por edhe shumë të huaj festuan nën ritmet e muzikës dhe shijuan ndalesat gjatë rrugës. Përgjatë qytetit të shoqëruar nga banda muzikore mbërritën në pedonale …
Festa nën ritmet e muzikës Jazz vijoi deri në orët e vona ndërsa iu bashkuan edhe shumë qytetarë shkodran që shijuan maratonën e Jazzit organizuar për të gjashtin vit nga Hemingëay Tirana./balkanweb/KultPlus.com
Nata e parë e rivënies në skenë të “La Boheme” e Xhakomo Puçinit u mirëprit nga publiku kryeqytetas.
Interpretimi i solistëve të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, orkestrës, korit dhe korit të Zërave të Bardhë të TKOB-së përcolli plot emocione operën e një prej kryeveprave të Puçinit.
“La Boheme” është një vepër që flet për të rinjtë, jetën dhe sakrificat e tyre për të mbijetuar në Parisin e shekullit XIX. Historia e dy të dashuruarve, fundi i së cilës është tragjik për shkak të varfërisë dhe sëmundjes së vajzës, e cila vuan nga tuberkulozi.
Opera “La Boheme” erdhi nën dirigjimin e maestros Jacopo Sipari di Pescasseroli dhe asistentdirigjentit Niccolo Jacopo Suppa.
Regjia e Ada Gurrës, skenografia të Renold Sulës dhe kostumografia të Ardi Asllanit, u sollën për artdashësit nga artistët e TKOB-së dhe të ftuar të njohur ndërkombëtarisht.
Eva Golemi dhe Amadi Lagha interpretojnë në rolet e Mimi-së dhe Rodolfo-s.
“La Boheme” do të shfaqet edhe në datat 16, 17 dhe 19 prill, ora 19:00./atsh/KultPlus.com
Së shpejti Galeria e Artit Tiranë (GAT) do të çelë ekspozitën vetjake të piktorit Buron Kaceli, titulluar “Dhoma e pasme”. Në faqen e saj online, GAT shkruan se ekspozita vjen në vazhdë të konceptit kuratorial “Si ishim, si jemi, si ndihemi-Vetëm, Bashkë”.
Veprat që piktori ka përzgjedhur për këtë ekspozitë vijnë si një hulumtim i fenomeneve të vetë qytetit, njerëzve, lagjeve, komunave, bashkëjetesës në realitetin e ri në përgjithësi, që nga karakteristikat urbane e deri tek transformimi psiko-social i tij, bashkërenduar kjo me rivizitimin e trashëgimisë kulturore dhe interpretimeve bashkëkohore.
Galeria e Arteve Tirane synon një program të qëndrueshëm duke krijuar ekspozitat dhe eventet e saj në kohezion me realitetin bashkëkohor të Tiranës.
“Dhoma e pasme” e Buron Kacelit vjen pas disa ekspozitave interesante që patën jehonë në jetën kulturore në Tiranë si, ekspozita e Kukullave Japoneze,“Ningyo & Na ishte Njëherë’, “Introspeksion” i artistit Toni Milaqi dhe së fundmi ekspozita fotografike “Lana-Tirana,Para-Pas Albania” e fotografit Roland Tasho./atsh/KultPlus.com
Këtë të enjte, të premte dhe të shtunë, datat 4-6 prill, zhvillohet “Panairi i Librit të Ri, të Vjetër dhe të Përdorur”.
Shtëpia Botuese ‘Pika pa Sipërfaqe’ organizon panairin në rrugën “Çerçiz Topulli” mbrapa rrugës së Barrikadave, nga ora 10 e mëngjesit deri në 8 të mbrëmjes.
Do ketë, si gjithmonë, libra të përdorur në shqip dhe gjuhë të tjera, me çmime të lira; libra të vjetër me çmime të reja, dhe librat e Pikës me zbritje. / KultPlus.com
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka arritur mbrëmë në Tiranë, ku sot do të pritet në takim nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Tashmë është bërë e ditur edhe agjenda për ditën e sotme, ku pas takimit kokë me kokë pritet të ketë edhe një takim bilateral mes dy delegacioneve, atij ukrainas dhe delegacionit shqiptar.
Ky takim sipas agjendës është parashikuar të fillojë në orën 9:30 dhe do përfundojë me firmosjen e një marrëveshje.
Ndërsa, në orën 11:00 pritet që liderët të mbërrijnë në pallatin e Kongreseve ku do të zhvillohet më pas Samiti.
Agjenda e Samitit të Ukrainës (28 Shkurt 2024)
09.00 – Presidenti Zelensky do të mikpritet nga Kryeministri Rama, në Kryeministri.
09.05 – Kryeministri Rama do të zhvillojë një takim kokë më kokë me Presidentin e Ukrainës Zelensky.
9.30 – Takimi bilateral mes dy delegacioneve.
10.10 – Firmosja e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Ukrainës
11.00 – Doorstep dhe mbërritja e liderëve ( Pallati i Kongreseve)
11.30-Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy do të mbajnë fjalët hapëse të Sesionit.
13:00 – Foto Familjare
Të gjitha mediat
13.30 – Kryeministri Rama dhe Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky do të mbajnë një Konferencë të përbashkët për shtyp.
Një kafshë grabitqare është pikasur nga qytetarët që po pinin kafe në zonën e Teatrit të Operas dhe Baletit.
Çakalli është vendosur përkohësisht në një kafaz nga punonjës të ZooPark Tirana, shkruan euronews.al.
Ai u kap nga punëtori i Drejtorisë se Përgjithshme të Kopshtit Zoologjik. Punëtori është kafshuar nga gjitari në momentin e kapjes, i njëjti është dërguar në spital.
Nuk dihet ende sesi kafsha e egër përfundoi në qendër të Tiranës.