Pas artistes gjermane Doris Graf me projektin e saj “CITY X -Tirana”, tashmë Galeria e Artit Tiranë, ka ftuar në rezidencë 4-mujore artisten e re Arnilda Kyçyku. Artistja, rishtas zhvendosur nga Elbasani për të jetuar në Tiranë, do të nisë hulumtimin dhe zhvillimin e një projekti mbi kryeqytetin sipas këndvështrimit të saj i cili do të rezultojë me një ekspozitë personale në fund të rezidencës.
Drejtorja e GAT, Edit Pula, i ka uruar mirëseardhjen Arnilda Kyçykut, në studion e saj të re.
GAT synon të kthehet në Galerinë e Qytetit e cila krijon ekspozitat dhe eventet e saj, në kohezion me realitetin bashkëkohor të Tiranës. Kjo galeri mbështet ide që lindin nga hulumtimi i njerëzve dhe fenomeneve të vetë qytetit dhe që bazohen në çështje apo interpretime që nga karakteristikat urbane e deri tek transformimi psiko-social i tij, bashkërenduar me rivizitimin e trashëgimisë në përgjithësi, duke përfshirë zanatet krijuese e deri tek koleksionet.
Një nga prioritetet e misionit të Galerisë së Artit Tiranë është që nëpërmjet programit të Rezidencës në GAT, të zhvillohet në një atelie kërkimi, prodhimi dhe edukimi për teoritë dhe praktikat kulturore të cilat lidhen dhe kanë për referencë Tiranën./atsh/KultPlus.com
Në Tiranë mbahet Folk Fest, koncert që ka bashkuar 500 artistë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Arbëreshët e e Italisë.
Ministria e Kulturës së Shqipërisë, njofton se në këtë koncert, artistët janë veshur me kostume popullore, me flamurin e Skënderbeut e të Ismail Qemalit.
“Grupe nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Arbëreshët, bëhen bashkë me më të mirat e Festivalit Mbarëkombëtar Folklorik të Gjirokastrës! 28 nëntori është dita e bashkimit!”, shkruhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës.
Në mesin e personaliteteve dhe të ftuarve të shumtë, po merr pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Nga 24-26 nëntor, në bashkëpunim me Tulla Culture Center, do të mbahet edicioni i dytë i eventit PriFest në Tiranë.
Sikurse edhe vitin e kaluar, PriFest sjell në Tiranë një pjesë të programit dhe atmosferës së PriFest-it. Në Qendrën Tulla, PriFest do të shfaq një seleksion të filmave fitues të edicionit të këtij viti.
Përveç filmave, do të ketë dhe festa me muzikë live dhe tryezë të rrumbullakët bisedimesh për gjendjen dhe zhvillimin e industrisë filmike të rajonit.
Ditëve në vijim do të shpaloset edhe programi e oraret. / KultPlus.com
Nis nga nesër për 5 ditë radhazi Panairi i Librit. Kreu i Shoqatës së Botuesve Petrit Ymeri dha detaje lidhur me organizimin e këtij edicioni të 26-të, disa prej të ftuarve, por edhe nevojën për më shumë mbështetje institucionale kundrejt sfidës së tkurrjes së numrit të lexuesve.
Nën moton “Libri na bashkon të gjithëve”, edicioni i 26-të i Panairit të Librit, nis këtë të mërkurë në Pallatin e Kongreseve.
“Ky është Panairi i 26-të, është aktiviteti më i madh kulturor në Shqipëri, jo vetëm libror. Kostoja e këtij Panairi për këtë vit është 200 milionë lekë. Ne stimulojmë që gjatë këtyre ditëve të ketë ulje të paktën në 20 për qind”, shprehet Ymeri.
Në një bisedë për medien, kreu i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë që është edhe organizatorja e ngjarjes më të madhe vjetore të Librit, dha detaje lidhur me disa nga të ftuarit specialë përgjatë 5 ditëve të Panairit.
“Do të kemi shumë shkrimtarë nga Shqipëria, Kosova…, por do të kemi edhe të huaj. Nga këta të fundit më i shquari është Lilian Thuramin (nesër në orën 19.00 në Sofanë e Librit) , futbollist i jashtëzakonshëm, por ai këtë radhë vjen në kostumin e shkrimtarit. Pastaj vlen të përmendet Ilide Carmignani, një personalitet i letërsisë, jo vetëm italian por edhe evropian”, tregon më tej Ymeri.
Do të jenë të pranishëm 95 ekspozues, ku botuesi Petrit Ymeri foli për përfshirjen e shtëpive botuese nga trevat e tjera shqiptare.
“Në radhë të parë nga Kosova, është “Logos”, Maqedonia e Veriut është thuajse inekzistente, ndërsa nga Mali i Zi do të jetë e pranishme një shtëpi botuese me tekste shkollore dhe nja dy librari”, thotë Ymeri.
Rritja e numrit të lexuesve mbetet një sfidë sipas tij, që kërkon angazhim maksimal të institucioneve.
Panairi do të shoqërohet me një sërë aktivitetesh promovuese, ndërsa në 19 nëntor do të ndahen edhe 4 Çmimet e përvitshme, të përzgjedhura nga juria e kryesuar nga gazetarja Arta Marku./Shqiptarja.com/KultPlus.com
Festivali i Teatrit Shqiptar “Moisiu”, një javë parakalimi shfaqjesh të jashtëzakonshme të këtij Festivali, i cili nisi vitin e kaluar si iniciativë e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Teatrit Shqiptar të Shkupit, po vazhdon me edicionin e radhës.
Vitin e kaluar edicioni i parë i këtij Festivali u mbajt në Shkup, këtë vit në Tiranë dhe vitin e ardhshëm, sipas rotacionit, do të mbahet në Prishtinë.
Publiku do t’i ndjekë shfaqjet në dy orare, 19.00 dhe 21.00 në sallën e Teatrit Kombëtar dhe sallën e Teatrit Kombëtar Eksperimental.
Mbrëmja e fundit ka rezervuar premierën përshëndetëse, “Shtëpia e Zotit”, bashkëprodhim mes Teatrit Kombëtar, Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Teatrit Shqiptar Shkup, vepër nga Ledian Gjeçi, me regji të Ilir Bokshit.
Fundi i nëntorit do të flasë në Tiranë me gjuhën e teatrit. / atsh / KultPlus.com
Kanë mbetur vetëm edhe 11 ditë nga edicioni i 26-të i Panairit të Librit në Tiranë, i cili këtë vit është paraparë të mbahet në datat 15-19 nëntor në Pallatin e Kongreseve, shkruan KultPlus.
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit përmes një postimi në facebook ka bërë të ditur se përgjatë gjithë vitit botuesit shqiptarë, janë përgatitur për një prezantim sa më dinjitoz të punës së tyre, përballë lexuesve.
“Kjo festë e bukur e librit i dedikohet dhe punës së tyre të madhe gjithë këto vite, për të pasuruar bibliotekën e librit shqip, jo vetëm me vepra të autorëve shqiptarë, por dhe nga autorëve të huaj.
Mehmet Gëzhilli është një prej tyre, i cili erdhi në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit për t’i dhuruar Bibliotekës sonë, disa prej botimeve të fundit të Argeta LMG.
Ekspozime, prezantime, takime me autorë, shkrimtarë të huaj të ftuar, libra të rinj, çmimet e panairit, konferenca, Sofaja e librit dhe më shumë do të jenë ngjarjet që do të mbushin këtë Panair!
Shënojini në agjendën tuaj këto data 15-19 nëntor!”/KultPlus.com
Në ditët e “Automotive Fair Albania”, ngjarja më e madhe për të apasionuarit pas automjeteve, Tirana është shndërruar në një pistë garash me makina, e cila mblodhi bashkë prodhues e koleksionistë të industrisë se automobilizmit.
Garën e makinave e ndoqi dje edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në sheshin “Nënë Tereza”. Ai tha se “Automotive Fair Albania” i ka sjellë qytetit adrenalinën e garave me makina dhe u shpreh mirënjohës për organizatorët e panairit.
“I keni sjellë Tiranës një shpejtësi të jashtëzakonshme, jo vetëm shpejtësinë e makinave dhe motorëve, por shpejtësinë e ritmit të transformimit dhe të modernizimit. Ndaj, jam shumë mirënjohës për të gjithë ata që kanë qenë mbrapa kuintave, për ata që e kanë kthyer qytetin në një arenë të vërtetë europiane. Jam vërtet krenar për secilin vajzë e djalë, që ka bërë kaq shumë përpjekje, ka dhënë kaq shumë energji, ka hedhur kaq shumë mund e ka duruar kaq shumë kohë për ta kthyer Tiranën në një histori suksesi, dhe për këtë panair të jashtëzakonshëm”, tha Veliaj./Topchanel/KultPlus.com
Prestigjiozja britanike “The Times”, i ka kushtuar një artikull Tiranës, duke theksuar se si një vend dikur i izoluar tani është një nga vendet më vizituara në Ballkan.
Tirana nuk është një qytet mesatar evropian. Kryeqyteti ka qenë i hapur për vizitorët që nga vitet 1990. Para kësaj, kryeqyteti shqiptar ishte krejtësisht i shkëputur nga bota e jashtme, i sunduar nga diktatori despotik komunist Enver Hoxha.
Që nga fundi i atyre ditëve të zeza, Tirana ka kompensuar kohën e humbur. Zonat e braktisura janë riformuluar si zona të artit, blerjeve dhe jetës së natës.
Por historia është ende aty, tregohet në muzetë dhe bunkerët por njerëzit janë më miqësorët që ka të ngjarë të gjeni në çdo qytet të madh evropian që e bëjnë Tiranën që ia vlen të vizitohet.
Qyteti kaloi dekada pa vizitorë, por tani vendi është i hapur për të gjithë.
Por çfarë mund të bësh në Tiranë?
Në mes të qytetit, Piramida famëkeqe e Tiranës është vendi i përsosur për të filluar. Për dekada kjo strukturë e çuditshme qëndroi e braktisur, më pas u ndërtua si monument dhe muze i Hoxhës pas vdekjes së tij në 1985, por u plaçkit pas rënies së komunizmit pesë vjet më vonë.
Që nga viti 2023 është rinovuar si një qendër IT për të rinjtë. Nga piramida mund të zbulosh horizontin në zhvillim të qytetit.
Sheshi i madh “Skënderbej” mban emrin e Gjergj Kastriotit, i njohur ndryshe si “Skënderbeu”, heroit kombëtar që udhëhoqi një revoltë kundër Perandorisë Osmane në shekullin e 15-të.
Në shesh ku ndodhet statuja e tij, janë edhe disa nga ndërtesat më të rëndësishme të Tiranës. Mund të vizitoni xhaminë e Et’hem Beut e shekullit të 18-të, një nga objektet e pakta të së kaluarës osmane. Gjithashtu mund të vizitoni Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit.
Ose, për diçka më të rastësishme, mund të vizitoni Tulla Nouvelle, një bar ku luhet muzikë live nga e enjtja deri të dielën.
Tirana mbart me krenari të kaluarën e saj të trazuar. Askund nuk e tregon historinë e saj traumatike më mirë se Bunk’Art 1 dhe Bunk’Art 2.
Ky i fundit është një rrjet tunelesh jashtë sheshit “Skënderbej” që dikur lidhej me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Shqipërisë, ndërsa i pari, një mega bunker në buzë të qytetit, u krijua fillimisht për të strehuar Hoxhën në rast të një sulmi.
Tunelet janë një metaforë e fuqishme e regjimit të Shqipërisë dhe dokumentojnë ngritjen dhe rënien e qeverisë komuniste përmes dëshmive të dorës së parë, objekteve origjinale dhe pamjeve të pabesueshme bardh e zi.
Nuk është e bukur, por është thelbësore të kuptosh vështirësitë e pafundme që ka kaluar Tirana. Sigurisht mund të vizitoni për xhiro liqenin e Tiranës.
Lagjia më e lezetshme
Blloku ka qenë një zonë e ndaluar për qytetarët mesatarë të Tiranës. Elita politike jetonte këtu në luks me rojeve të armatosura dhe shtëpia e Hoxhës është ende aty, bosh dhe e papërdorur.
Megjithatë, që nga vitet 1990, ajo që dikur ishte një simbol i mjerimit të qytetit ka lulëzuar, në një nga zonat më të mira për jetën e natës dhe krijimtarinë. Provoni restorante kozmopolite dhe kafenetë rresht nëpër rrugë. Provoni kokteje klasike në Radio Bar dhe eksploroni galeritë e artit.
Si vendet më të lezetshme për të ngrenë dhe për të pirë “The Times” ka renditur: Zgara Al’Pazar dhe Komiteti, ku mund të provosh ushqimet tradicionale shqiptare dhe më pas pije pas darke.
Ndër to rakia, tipike shqiptare që do t’ju ofrohet pas një vakti.
Tek restorant “Era” mund të gjeni ushqime si: perime të pjekura në skarë, mish të shijshëm me erëza dhe sallata të freskëta të zgjedhura direkt nga fshati. Restoranti ndodhet në një vilë elegante italiane, një nga të paktat që i mbijetoi epokës komuniste.
Një vend me ushqime tradicionale është dhe Blerina Farm. Salt Tirana, është një restorant i frymëzuar nga Mesdheu, dhe është bërë një nga restorantet më të spikatur të qytetit që kur u themelua në vitin 2016.
Pas darkës mund të shkoni në tarracë për kokteje.
Rogner Hotel Tirana është në qendër vetëm pak minuta më këmbë nga Blloku dhe sheshi “Skënderbej” dhe Xheko Imperial pranë parkut, Grand Park, nuk janë të panjohur për mysafirë të rëndësishëm dhe dikur ishte streha e preferuar e ambasadorëve, krerëve të shtetit dhe diplomatëve.
Hotel Boutique Kotoni, e ndërtuar në vitin 1938, kjo pronë elegante dikur strehonte ministrin e punëve të jashtme. Familja Kotoni e mori atë në vitin 1991, duke e rinovuar si një boutique hotel me 23 dhoma me stil, me dysheme mermeri dhe llambadarë kristali.
Kotoni ndodhet jashtë bulevardit kryesor në Tiranë, në një distancë në këmbë nga pikat kryesore. Nëse bëni diçka ndryshe, merrni teleferikun deri në Dajt, në lindje të qytetit. / atsh / KultPlus.com
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në fjalën e tij hyrëse në Samitin e Berlinit në Tiranë, tha se të gjithë ne sot besojmë në nevojën e një çatie të përbashkët.
Ai u shpreh se një luftë në pragun e Evropës ku një regjim ka detyruar një vend të pavarur të mbrojë territorin e vet, siç u shpreh ai, na ka treguar që bota po ndryshon shumë më shpejtë.
Të gjithë ne besojmë fortë këto ditë në nevojën e një çatie të përbashkët, një tryeze të bashkëndarë e madje edhe të një llogoreje të përbashkët në këto kohë sprove që duket se do të përkeqesohen para se të përmirësohen”, është shprehur ai.
“Një luftë në pragun e Evropës ku një regjim ka detyruar një vend të pavarur të mbrojë territorin e vet na ka treguar që bota po ndryshon shumë më shpejtë e shumë më ndryshe se sa që e kemi parashikuar shumica prej nesh. Ka një sulm shkatërrues kundër Izraelit që ka detyruar një tjetër komb demokratik që të vetëmbrohet, ndërkohë që jemi solidarë me Izraelin”.
“Përhapja e tmerrshme e urrejtjes dëshmon edhe njëherë që pikëpamjet e ndryshme për botën po krijojnë ndasi midis e përreth komitetit tonë demokratik”, u shpreh tutje Rama/KlanKosova/KultPlus.com
Puna për hapjen e themeleve të Teatrit të Ri në kryeqytet po ecën me ritme të mira.
Makineritë e rënda kanë nisur punën për themelet e shtëpisë së re të aktrimit, e cila është konceptuar si zemra kulturore e Tiranës dhe e gjithë Shqipërisë. Projekti i arkitektit me famë botërore, Bjarke Ingels, ofron një ndërtesë me dizajn modern, që krijon një hapësirë unike në qytetin e Tiranës, duke ofruar të gjitha kushtet e nevojshme dhe frymëzuese për teatrin, por edhe për publikun.
Teatri i Ri do të ketë hapësira të posaçme për shfaqjet dhe aktorët. Gjithashtu, një skenë teatri prej 630 metra katror dhe dy salla Black Box prej 200 metra katror secila.
Për artistët do të ketë edhe një hapësirë prej 200 metra katrorë, që do përdoret si sallë ndërrimi, një tjetër sallë provash prej 200 metrash katrorë, tualete dhe dushe, si dhe një dhomë të gjelbër.
Në shërbim të shfaqjeve të ndryshme artistike do ketë një dhomë instrumentesh muzikore, një depo materialesh skenike, një depo dekori, sallë teknikësh, etj. Po ashtu, do të ketë sallë kursesh dhe të gjitha facilitetet për publikun./atsh/KultPlus.com
Sot, në kryeqytetin shqiptar, Tiranë janë ndezur qirinjë në nderim të rënies së Afrim Bunjakut, i cili u vra dje pas një sulmi nga një grup terrorist, ndaj policisë së Kosovës, në Banjskë të Zveçanit.
Presidentja, policin Afrim Bunjaku i cili u vra në krye të detyrës, sot e ka shpallur “Hero të Kosovës”.
Heroi Bunjaku sot u varros me ceremoni shtetërore ku morrën pjesë krerët e shtetit dhe një numër i madh njerëzisht/KultPlus.com
Dita e dytë e konferencës së 7-të shkencore të përbashkët të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit, nisi me një takim me mediet në praninë e kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushi dhe Lucian Brujan, koordinatori i Procesit të Berlinit për Arsim, Shkencë dhe Inovacion (Akademia Kombëtare Gjermane e Shkencave Leopoldina).
Takimi u mbajt në zyrën e akad. Skënder Gjinushi, i cili theksoi se kjo konferencë mbahet një muaj përpara organizimit nga BE-ja të Samitit të 9-të të Ballkanit Perëndimor në Tiranë dhe mundëson për t’i kërkuar politikës së lartë europiane e qeverive përkatëse kthimin e vëmendjes së veçantë në gjithë rajonin kundrejt akademive, institucioneve dhe elitave arsimore-shkencore, për ta konkretizuar këtë me një mbështetje në rritje në të gjitha planet: politike e financiare, për shkencën, arsimin dhe kërkimin shkencor në rajon.
“Kjo konferencë bashkëorganizohet nga Akademia Kombëtare Gjermane e Shkencave Leopoldina dhe nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë”, tha akad. Gjinushi, dhe theksoi se ky bashkëpunim vjen me rritjen e vëmendjes ndaj problematikave në zhvillim, me të cilat përballen vendet tona dhe rajoni në përgjithësi në fushë të shkencës e arsimit, si dhe nevojën e rritjes së peshës ende të ulët të financimeve për shkencën në raport me PBB-në, rritjen e mbështetjes së kërkuesve e shkencëtarëve të rinj nëpërmjet forcimit të statusit të tyre dhe frenimit të emigrimit të trurit dhe ndërlidhjes më të mirë me diasporat shkencore; forcimin e përmirësimin e cilësisë dhe etikës së kërkimit; administrimin e zbatimin sa më të mirë të arritjeve shkencore; rritjen e pjesëmarrjes aktive në programet e përbashkëta.
Lucian Brujan falënderoi kryetarin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushin për bashkëpunimin dhe theksoi tri objektiva të rëndësishme të Procesit të Berlinit në rajon: transformimin e vazhdueshëm në fushat e shkencës, arsimit dhe inovacionit, zhvillimin dhe mbështetjen e qendrave kërkimore shkencore në Ballkanin Perëndimor, si dhe forcimin e bashkëpunimit në rajon dhe më gjerë në Europën juglindore.
Në konferencë mori pjesë edhe Federica Mogherini, tashmë rektore e Kolegjit të Europës, në Brugge, e cila foli mbi integrimin europian të Ballkanit si dhe rolin e akademive, universiteteve e intelektualëve në këtë drejtim. Të pranishmit në konferencë kanë ndjekur edhe një koncert për harqe të dirigjuar nga Eno Koço./atsh/KultPlus.com
Koreografi austriak Willi Dorner vjen për herë të parë në Shqipëri. Dorner, një koreograf i njohur ndërkombëtarisht, vjen në Tiranë në kuadër të Javëve Kulturore Ndërkombëtare, për performancën “Bodies in Urban Spaces”. E veçanta e kësaj performance është lidhja që krijon mes arkitekturës dhe koreografisë.
Punëtoria dhe performanca e tij do të realizohet në tetor, në kuadër të Javës Austriake, por nesër do të kryhet përzgjedhja e pjesëmarrësve në “Bodies in Urban Spaces”.
Shoqata DoART ka ftuar të marrin pjesë të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të bëhen pjesë e punëtorisë së Dorner-it.
Performanca e krijuar prej Dorner-it, “Bodies in Urban Spaces”, është shfaqur në mbi 110 qytete të botës, si: New York, Londër, Moskë, Vjenë, Sao Paolo, Montreal, Macau, Paris, Sidnej, Kopenhagen, Berlin etj. Tashmë edhe Tirana do të ketë pjesë në këtë hartë.
Performanca mirëpret çdokënd që është elastik, është marrë me kërcim, akrobaci, joga apo sporte të ndryshme. Audicioni është nesër, 14 shtator, ora 17:00 dhe pjesëmarrësit duhet të paraqiten me veshje të përshtatshme për ushtrime fizike, pranë Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.
Të përzgjedhurit, do të jenë pjesë e workshopi-it dhe performancës që do të realizohet në kuadër të Javës Kulturore Austriake në datat 23-29 Tetor 2023. / atsh / KultPlus.com
Drejtori i Institutit Italian të Kulturës, Alessandro Ruggera vizitoi Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit.
Krijimi i programeve të përbashkëta për mbështetjen e librit shqip në gjuhën italiane, aktivitete të ndryshme me në fokus librin, ishin pjesë e diskutimeve.
Ky vit shënon 100-vjetorin e lindjes së Italo Kalvinos një autori i shquar i letërsisë italiane. Një ekspozitë me grafika të tij do të hapet gjatë muajit tetor në Qendrën Kombëtare të Librit.
Italo Kalvino lindi nga prindër italianë, në Santiago de Las Vegas në periferi të Havanës, më 15 tetor 1923 dhe vdiq në Siena, më 19 shtator 1985.
Kalvino ishte shkrimtar italian, intelektual me angazhim të madh politik, civil dhe kulturor. Ai ishte një nga tregimtarët më të rëndësishëm italianë të gjysmës së dytë të shekullit XX. / atsh / KultPlus.com
Në oborrin e Pallatit Presidencial në Tiranë, është hapur ekspozita me rastin e përvjetorit të vdekjes së Nënës Terezë.
Në këtë aktivitet po marrin pjesë të dy presidentët: Bajram Begaj, president i Shqipërisë dhe Vjosa Osmani, presidente e Kosovës.
Në këtë ekspozitë janë të shfaqura fotografi e dokumente nga arkivat e 3 vendeve shqipfolëse (Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni e Veriut), e që kanë të bëjnë me humanisten shqiptare.
Pas këtij aktiviteti presidentet do të vendosin kurora në monumentin ‘Nënë Shqipëri’.
Kjo ngjarje po organizohet në kuadër të vizitës dy ditore të shefes së shtetit të Kosovës në Tiranë./KlanKosova/KultPlus.com
Vajza e ish-presidenti Donald Trump, Ivanka Trump bashkë me bashkëshortin e saj kanë zgjedhur të vizitojnë nga afër Muzeun Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”.
Në këtë vizitë ata u shoqëruan edhe nga kryeministri Edi Rama. Gjatë vizitës, çifti amerikan la një shënim në librin e përshtypjeve, ndërsa veçuan mikpritjen shqiptare, si një vlerë e veçantë.
“Kënaqësi të prisnim në muze Kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Rama, Ivanka Trump dhe bashkëshortin e saj, Jared Kushner, të cilët vizituan Muzeun Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”.
Në fund të vizitës z. Kushner la këtë shënim në Librin e Përshtypjeve:
“Ju falënderoj për mikpritjen kaq dashamirëse dhe që ndatë me ne historinë e shtypjes së Shqipërisë për ta kuptuar më mirë transformimin e jashtëzakonshëm, dëshmitarë të të cilit jemi ne sot. Le të mësojë dhe populli im nga ky muze që këto tmerre të mos përsëriten më!”.
Ndërsa Ivanka Trump u shpreh:
“Faleminderit. Gjithë të mirat për të dy vendet tona Amerika & Shqipëria”. / KultPlus.com
Në datat 12, 13, 15, korrik vjen në Tiranë festivali “Gjon Mili, Jazz&Blues”. Shfaqjet më 12 dhe 13 do të zhvillohen tek Instalacioni Reja në kryeqytet dhe do të jenë të hapura për publikun, ndërsa më 15 korrik në Korçë.
“Gjon Mili Jazz & Blues Festival” synon promovimin e figurës së Gjon Milit, si e vetmja urë lidhëse që kombi shqiptar ka me muzikën Jazz në periudhën e saj më të artë, duke e bërë pjesë të Trashëgimisë Kulturore dhe Artistike të Shqipërisë.
Zhvillimi i festivalit ka për qëllim të nxisë aktivitetin artistik dhe krijimtarinë në muzikën Jazz dhe Blues, duke motivuar muzikantët e rinj shqiptarë me anë të shkëmbimit artistiko – kulturor me muzikantë kombëtarë dhe ndërkombëtarë me eksperiencë.
Artisti shqiptar Gjon Mili, si mjeshtër dhe novator i fotografisë, ka kontribuar në të gjitha fushat sociale dhe kulturore në Shtetet e Bashkuara dhe, si rrjedhojë, në mbarë botën. Si muzikant amator (luante oboen), ai pati një lidhje të veçantë me muzikën Jazz dhe arriti të dokumentojë tranzicionin midis dy periudhave më të rëndësishme të saj, Sëing Era dhe Modern Jazz.
Gjithçka filloi në vitin 1943, kur Gjon Mili realizoi për revistën Life, dy nga setet e tij fotografikë më të famshëm “The Lindi Hop” dhe “Jam Session”. Falë këtyre artikujve Gjon Mili u lidh gradualishit me kulturën jazz dhe me promovimin e mëtejshëm të saj. Këtë e ka dëshmuar me filmat artistikë të realizuara në vitet ’40 – ’60 si: “Jammin the blues”, “Stompin for Mili” dhe “Improvisation”, filma të njohur të kinematografisë botërore me qëllim promovimin e muzikës jazz. / KultPlus.com
Është bërë dje mbrëma inaugurimi i hapësirës më të re dedikuar artit, i Qendrës së Artit “Agimi”.
E pranishme në këtë ngjarje ka qenë ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe kryebashkiaku Erion Veliaj. Ministrja ndau foto me ndjekësit e rrjeteve sociale ku duket transformimi i mjediseve të kinema “Agimit” që tashmë do të jetë më shumë se kinema.
“Kinema “Agimi” i rikthehet qytetit”, shkroi ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në rrjetet sociale. “Agimi” tashmë hap dyert jo vetëm si shtëpi e filmit, por si një qendër arti multifunksionale.
“Arti dhe kultura ka tashmë një hapësirë më shumë për festivale, takime muzikore, ekspozita e mbi të gjitha dialog”, ka deklaruar ministrja e Kulturës.
Kinema “Agimi” në Tiranë, është e njohur për historinë e saj të gjatë dhe kontributin në kinematografinë shqiptare. Ky transformim ka sjellë një frymë të re kreative në ambientet e saj. Tani, ky vend i veçantë ofron një hapësirë për shfaqje të filmave, ekspozita artistike, performanca teatrale dhe shumë aktivitete të tjera artistike. Qendra arti “Agimi” është një destinacion i favorshëm për dashamirësit e artit dhe kulturës që kërkojnë përvoja të reja dhe frymëzim artistik./ atsh / KultPlus.com
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton se më 30 maj 1957, Këshilli i Ministrave aprovoi projektdekretin mbi “krijimin e Universitetit Shtetëror të Tiranës”.
Në mbledhjen e kësaj date, qeveria vendosi emërimin e Zija Këlliçit si rektor të USHT-së, të Kolë Paparistos si zëvendësrektor për anën shkencore dhe të Hasan Dumës si zëvendësrektor për anën mësimore. Ky vendim do të hynte në fuqi më 1 qershor.
Sipas projektdekretit, USHT do të përbëhej nga 6 fakultete: Fakulteti i Histori-Filologjisë, Fakulteti Juridik, Fakulteti Ekonomik, Fakulteti i Inxhinierisë, Fakulteti i Shkencave të Natyrës dhe Fakulteti i Mjekësisë.
Vendimi përcaktonte që më 1 qershor, USHT-së t’i kalonin kuadrot dhe mjetet materiale e financiare./atsh/KultPlus.com
Liqeni i Bovillës është pjesë e Parkut Kombëtar të Dajtit, Tiranë ofron për vizitorët një peizazh të veçantë dhe është një destinacion mjaft interesant për të kaluar fundjavat.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro solli pamje kjo bukuri e natyrës teksa shkroi se, “Bovilla është pjesë e Parkut Kombëtar të Dajtit, ku ia vlen të zbulohen peizazhet siç i shihni në video dhe monumentet e natyrës që gjenden në zonë”.
Liqeni i Bovillës shtrihet në krahun verilindor të Tiranës, midis dy vargmaleve kryesore, atë të Gamtit dhe të Brarit. Bovilla e ndodhur në një zonë me bukuri natyrore të mrekullueshme dhe me liqenin e saj nga i cili merr ujë të pijshëm një pjesë e madhe e Tiranës.
Kjo zonë po frekuentohet së fundi nga të apasionuarit e turizmit sportiv që është kthyer në një tendencë në Shqipëri, por kryesisht në Tiranë.
Ky vend mahnitës është përfshirë në itinerarin e disa tour operatorëve dhe grupeve që organizojnë evente në natyrë.
Ngjitjet, ecjet në natyrë dhe barbekjutë janë aktivitetet kryesore. Rrethinat e Tiranës, janë bërë pjesë e njerëzve që e pëlqejnë këtë lloj turizmi. Operatorët vendas që organizojnë ture tregojnë për qëndrueshmëri dhe rritje interesi për këto aktivitete nga Kryeqytetasit.
Turizmi i aventurës po sheh një shtrirje gjatë gjithë vitit, me turizmin e bardhë në dimër, hiking, rafting, ecje në pranverë e vjeshtë, si dhe eksplorimin e gjireve, shpellave apo destinacioneve të tjera interesante në ditët e nxehta. Një nga vendet më pranë Tiranës, që të jep mundësinë të kalosh një fundjavë të këndshme dhe sportive është liqeni i Bovillës.
Kjo ndoshta është zona më e afërt për të praktikuar sportin e ngjitjes dhe kacavjerrëses në shkëmbinj në rajonin e kryeqytetit. Në këtë zonë në fundjavë zhvillohet turizmi i aventurës, ku operatorët turistik ofrojnë një itinerar të sigurt për ecje dhe ngjitje nëpër shkëmbinj.
Itineraret variojnë në gradë vështirësie, nga ato të thjeshtat deri tek ato më të vështirat, për tu dhënë mundësi të gjithëve që të praktikojnë këto lloj sportesh.
Një vëmendje më e madhe për sa i përket infrastrukturës rrugore dhe asaj turistike drejt këtij destinacioni të afër për çlodhje,do të bënte që shumica e kryeqytetasve ta kishin një destinacion të fundjavës. / atsh / KultPlus.com
Një prej festivaleve më të bukura të pranverës “Colour Day Festival” vjen për të katërtin vit radhazi në Tiranë.
Këtë vit festivali i të gjitha ngjyrave do të vijë me një risi ku hyrja do të jetë falas për të gjithë pjesëmarrësit.
Kryebashkiaku Erion Veliaj ka ftuar të gjithë qytetarët të bëhen pjesë e kësaj feste të madhe e cila do të mbahet në datën 20 maj në sheshin “Nënë Tereza”.
“Colour Day Festival”, festa e të gjitha ngjyrave, që bën bashkë të rinjtë pasionantë, ëndërrimtarë, ata që e duan të bukurën dhe janë në kërkim të lumturisë. 20 maj – sheshi “Nënë Tereza” – hyrja falas”, shkruan Veliaj.
Në skenë do të performojnë disa nga artistët më në zë të momentit dhe Dj e njohur që do të krijojnë një atmosferë mjaft të këndshme në një spektakël të vërtetë ngjyrash. / atsh / KultPlus.com
Në Tiranë nis sot forumi ndërkombëtar i turizmit “FESTA”, i cili do të mbledhë për 3 ditë më shumë se 300 pjesëmarrës nga 38 vende të botës.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha se “java dedikuar turizmit, sot fillon me Forumin Ndërkombëtar “FESTA” – E ardhmja e turizmit të qëndrueshëm dhe mjedisor në Shqipëri.
Me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të politikës nga Ballkani dhe Europa, agjencive dhe përfaqësuesve të industrive që operojnë në sektorin e udhëtimit dhe turizmit si dhe pjesëmarrjen e veçantë të Frans Timmermans, zv/president Ekzekutiv i Komisionit Evropian për Marrëveshjen e Gjelbër, ky forum do të nisë me një ceremoni zyrtare të hapjes mbajtur nga Bettany Hughes historiane, autore dhe një prej figurave televizive më të njohura në Britaninë e Madhe.
Gjatë tre ditëve të forumit, 70 folës të ndarë në 7 panele tematike do të diskutojnë tema të rëndësishme lidhur me turizmin e qëndrueshëm dhe trendet e së ardhmes së tij, si roli i qeverive, strategjitë e zhvillimit, brand-imi, profesionet dhe profilet e reja të këtij sektori.
Për të gjithë ata që janë pjesë e industrisë së turizmit dhe udhëtimit, datat 3, 4 dhe 5 prill do të jenë një mundësi për të dëgjuar ekspertët e fushës, për të krijuar lidhje biznesi e partneriteti, për të shkëmbyer përvoja e për t’u njohur me ofertat e tregut të turizmit./ atsh / KultPlus.com
Më 18 shtator 1958, në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë u dha premiera e operas “Berberi i Seviljas”, e kompozitorit italian Xhoakino Rosini.
Dirigjent: Mustafa Krantja. Regjisor: M. G. Gevorkian. Skenograf: Shadan Toptani. Mjeshtër Kori: Vangjo Nova. Konti Almaviva: Maliq Herri, Zihni Berati; Don Bartolo: Haxhi Tafaj, Hysen Pelinku; Rosina: Andromaqi Haderi, Nina Mula, Hamide Stringa; Figaro: Avni Mula; Don Basilio: Lukë Kaçaj, Mentor Xhemali; Fiorelo: Koço Timko, Shaban Kapllani; Berta: Shpresa Nishani, Dhimitra Keta; Oficeri: Lefter Besho, Fuat Merko, Gaqo Zdruli; Noteri: Shaban Kapllani, Muhamet Tomorica. Dekoret punuar nga: Hasan Reçi. /KultPlus.com