‘Kur vdiq baba’: Libri i Arbër Selmanit do të promovohet në Tiranë

Me 27 qershor, të hënën, prej orës 19:00, në hapësirën e BERK në Tiranë do të promovohet libri më i ri nga Arbër Selmani, titulluar ’48 piano’.

Në ngjarje do të ketë bashkëbisedim mes autorit dhe përkthyeses Aida Baro.

Arbër Selmani është poet e gazetar nga Prishtina. Libri ‘48 piano’ përmban poezi dhe prozë poetike të cilat autori i ka shkruar në një periudhë 12 vjeçare. Ky është libri i katërt i autorit. Arbër Selmani është fitues i çmimit të parë për poezi në festivalin ‘Tirana Gate 2021’, ndërsa është përkthyer në gjuhën angleze, serbokroate, turke, sllovene, frënge, gjermane dhe italiane.

Në mesin e shkrimeve në libër është edhe poezia ‘Kur vdiq baba’, një himn i dashurisë dhe vuajtjes, por edhe shkrime tjera si ‘Zoti shëron’, ‘M’i sillni 48 piano’, ‘E kam vendosur burrin në shitje’, ‘Kirillin e vranë’ dhe ‘Nanën e laj me shumë kujdes’.

Libri është botuar në Prishtinë ku edhe u promovua javën e parë të qershorit, ndërsa është financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës.

*

‘…kur vdiq baba,
krejt orenditë e shtëpisë i kam rrotullu e nuk e kam gjetë
morra avion, e as në shtetin tjetër për të nuk kishte vend
i mblodha dromcat e mërzisë dhe i kapa bashkë, i përthekova…

…kur vdiq baba,
u ula buzë lumit të lotëve të mi
dhe qava…’ /KultPlus.com

Muzeu Kombëtar i Kosovës me ekspozitë në Tiranë, shfaqen 91 fotografi nga trashëgimia kulturore

“Trashëgimia kulturore dhe jeta ndër breza” titullohet ekspozita e hapur në Muzeun Historik Kombëtar në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor Shqipëri-Kosovë.

Ekspozita përmban rreth 91 fotografi nga jeta e përditshme, nga trashëgimia kulturore, zejtaria dhe shumë fusha të tjera.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, theksoi: se “është një kënaqësi e veçantë që në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë dhe mbledhjes së pestë të përbashkët të dy qeverive, të hapim këtë ekspozitë”.

“Në mars të këtij viti, në Muzeun Kombëtar të Kosovës, çelëm ekspozitën “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar”. Kjo është ekspozita e dytë, e cila na sjell një pjesë të rëndësishme të memories urbane dhe pjesë që ndoshta mund të jenë harruar dhe që mund të kenë qenë rite ose doke të vjetra të cilat pritet të ripërtërihem. Përshëndes stafin, i cili me punën e bërë tregoi edhe njëherë që kultura nuk njeh kufij”, tha Koçi.

I pranishëm në aktivitet ishte edhe Drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci, i cili ndër të tjera tha se “pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit me rastin e festave, kjo është ekspozita e parë e çelur në Shqipëri nga Sektori i Etnologjisë së Muzeut Kombëtar të Kosovës”.

“Kjo ekspozitë flet më tepër sesa ne mund të flasim”, shtoi Leci.

Vizitorit, përmes kësaj ekspozite, i ofrohet mundësia e krijimit të imazhit për mjedisin kulturor kosovar në aspektin diakronik dhe sinkronik, me përmbajtje dhe vlera të mirëfillta të trashëgimisë kulturore.

Përmbajtja e këtyre fotografive, vizitorëve i’u ofron mundësi të shumta informimi, si për: mjedisin kulturor; arkitekturën tradicionale; veglat dhe mjetet e punës të sektorit primar dhe të zejtarisë; për disa zeje në shuarje ose tashmë të shuara; për veshje tradicionale dhe të kohës në proces; për forma tradicionale të punës në bujqësi; për poçarinë tradicionale, mënyrën e të kënduarit me gisht në fyt, nga vajza drenicake, tash e sa vite i harruar në traditën e kësaj krahine; lojëra tradicionale të fëmijëve; për tregjet e organizuara në qendra të ndryshme, etj.

Ekspozita është kuruar me mjaft profesionalizëm nga kuratorët: Besarda Reçica, Fahri Sheqiri dhe Arberina Mataj. /atsh/ KultPlus.com

Rama krenar për mbresat fantastike që ka lënë Shqipëria në të gjithë Evropën

“Air Albania Stadium” ka hyrë në histori si stadiumi ku është zhvilluar për herë të parë finalja e Ligës së Konferencës, gara më e re nga shtëpia e futbollit UEFA, shkruan KultPlus.

Në takimin final mes Romës dhe Feyenoord, italianët arritën që të fitojnë minimalisht me rezultat 1-0.

Për këtë fitore të madhe ka reaguar edhe Kryeministri Edi Rama, i cili ka shprehur falënderime për të gjithë ata që i dhanë jetë eurombrëmjes së djeshme.

Rama u shpreh krenar për përshtypjet fantastike që Shqipëria la në sytë e mbarë Europës.

“Mirëmëngjes dhe me falënderimin e përzemërt për të gjithë ata që i dhanë jetë eurombrëmjes së djeshme të Shqipërisë, si edhe me krenarinë për përshtypjet fantastike që Shqipëria la në sytë e mbarë Europës, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama në rrjetet sociale. /KultPlus.com

Nis Festivali Ndërkombëtar i Akuarelit në Tiranë

Në kuadër të Javës së Evropës, “VIZart Tirana International Watercolor Festival”, në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar çeli dje edicionin e 4-t të festivalit bashkëkohor të artit pamor. Festivali këtë vit ka dy ekspozita, një në Muzeun Historik Kombëtar dhe një në Galerinë e Artit në Tiranë.

Në ceremoninë e këtij aktiviteti ishin të pranishëm kryetari i bashkisë Erion Veliaj, piktorja Ormira Lulani, presidente e “VIZart Cultural Organization”, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, themeluesi dhe presidenti i IwS Globe Art NetWork, Atanur Dogan, të cilët përshëndetën aktivitetin duke theksuar vlerat dhe rëndësinë që mbart në bashkimin e kufijve, kulturave, moshave dhe gjinive.

Kryebashkiaku Veliaj theksoi se një qytet si Tirana duhet të mbështesë jo vetëm njerëzit në nevojë, por të ofrojë edhe art për qytetarët e saj.

“Ne kujdesemi edhe për shtresat në nevojë, edhe për banesat sociale, edhe për mensat, për ata që janë në situatë rruge, edhe për të gjithë nevojat e komunitetit, por pyetja është: njerëzit jetojnë vetëm me bukë? Apo jetojnë edhe me art, me kulturë, me pikturë, me libra, me opera, baleti dhe teatro? Kjo është arsyeja përse ne besojmë që një qytet i mirë, duhet t’i bëjë të dyja. Duhet të jetë një qytet që për ata që kanë nevojë ushqen stomakun, ama për të gjithë nevojtarët që kanë nevojë të ushqejnë shpirtin, ofron edhe atë lloj gjelle”, tha Veliaj.

Kreu i bashkisë u shpreh se “VIZart Tirana International Watercolor Festival” është një mundësi fantastike për kryeqytetin dhe për të rinjtë që do të kenë mundësi të shfaqin veprat e tyre, krahas piktorëve më me eksperiencë.

Veliaj theksoi se mbushja e Tiranës me kaq shumë aktivitete kulturore është dhe fytyra e Shqipërisë moderne.

“Unë besoj se ideja e kësaj bienaleje për të çiftuar ata që janë me më shumë përvojë nga e gjithë bota, me dikë që është i ri dhe sapo ia ka nisur kësaj karriere më këtë pasion, është fantastike. Besoj se i shkon Tiranës si Kryeqytet Europian i Rinisë. Fakti që Tirana është mbushur me aktivitete, tregojmë një imazh tjetër të Shqipërisë sonë, të Tiranës sonë, që sigurisht do duhet të rikuperojë imazhin e ’97-’98, për të cilën asnjë prej të rinjve sot s’ka faj. Unë besoj se kjo është fytyra e Shqipërisë moderne, e Shqipërisë së re që ne na duhet të tregojmë”, nënvizoi Veliaj.

Kreu i bashkisë siguroi se Galeria e Artit në Tiranë do të jetë një derë e hapur për të mbështetur artistët e rinj për të shfaqur talentin e tyre.

“Nuk ka nevojë të kesh shumë buxhet, nuk ka nevojë të kesh shumë hapësira, Galeria e Artit të Tiranës i ka dhënë mundësi thuajse çdo 2 javë një artisti që të shprehet”, deklaroi Veliaj.

Çmimi “MASTER AWARD” iu dha mjeshtrit të akuarelit Stanislaw Zolaz nga Suedia dhe Silvia Monge nga Kosta Rika. Ndërsa Krasi Todorov nga Bullgaria u vlerësua me çmimin “Best Portret Artist”. Najsa Dishnica nga Italia u vlerësua me çmimin “BEST YOUNGE ARTIST”.

Fituesit e Çmimit Ndërkombëtar “Ismail Lulani” janë Zake Prelvukaj nga Kosova dhe Pjerin Kolnikaj e Mikel Temo nga Shqipëria. VIZartdhe IwS Albania vendosën t’i japin “ÇMIMIN E NDERIT” ekipit të artistëve ukrainas pjesëmarrës në event.

Gjatë ditëve në vijim do vazhdohet me demonstrimet e artistëve ndërkombëtare në Liceun “Jordan Misja” të Tiranës dhe Universitetin e Arteve, ku artistë ndërkombëtare dhe studentë do pikturojnë së bashku. Ky festival arti do të vazhdojë për disa ditë radhazi për vizitorët vendas dhe të huaj, si një mundësi e jashtëzakonshme për t’u angazhuar me artin dhe kulturën dhe do të qëndrojë i hapur për t’u vizituar deri në datën 14 maj. /ATSH /KultPlus.com

Panairi i parë kushtuar librit akademik dhe shkencor në Tiranë

Panairi i parë kushtuar librit akademik dhe shkencor zhvillohet sivjet, në kuadër të vitit të akademizmit shqiptar, shpallur në nderim të 50-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, si nismë e përbashkët e saj dhe e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Vendi i zhvillimit të këtij panairi do të alternohet: një vit në Tiranë e një vit në Prishtinë, me periodicitet të rregullt. Panairi organizohet nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë,  Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare e Librit dhe Leximit.

Panairi i parë do të hapet më 22 prill, që përkon me Ditën Botërore të Librit dhe të së Drejtës së Autorit dhe do të zgjasë deri më 24 prill 2022. Qëllimi i panairit është që të bëjë të njohura arritjet më cilësore në botimet akademike, shkencore dhe universitare në gjithë hapësirën shqiptare, duke synuar një prani përfaqësuese sa më të gjerë.

Krahasuar me letërsinë dhe artet, nga vetë natyra e tij, libri akademik dhe shkencor e ka më të vështirë rrugën për të mbërritur tek lexuesi. Kjo është një nga arsyet pse duhet të ketë një panair të dedikuar për të, me qëllim që libri shkencor dhe akademik t’i afrohet lexuesit të vet dhe të lehtësohet komunikimi mes tyre.

Panairi i librit akademik dhe shkencor do të ketë gjithashtu dhe karakter promovues e manifestues, sepse do të mundësojë pranë vendosjen në sasi dhe cilësi të botimeve shkencore dhe të autorëve të tyre nga gjithë hapësira shqiptare, duke synuar që në një të ardhme të jenë të pranishme edhe botimet nga qendrat albanologjike në botë.

Krahas botimeve prej institucioneve akademike dhe universitare, do të kenë vendin e tyre të merituar edhe botimet cilësore nga ente jopublike. Organizuesit duan që përmes panairit të ndikojmë për të krijuar një rrjet kombëtar të botuesve të librit shkencor, para së gjithashtu të universiteteve dhe institucioneve të tjera të specializuara; rrjet që do të lehtësojë marrjen e informacionit dhe më tej shkëmbimet, sidomos të periodikëve shkencorë, që tani për tani mbeten brenda institucioneve që I botojnë.

Studiuesit kanë nevojë të shkëmbejnë informacion shkencor për të njohur me shpejtësi veprat e njëri-tjetrit. Dhe rruga më e frytshme është njohja përmes veprimtarive të tilla si panairet, që shënjojnë manifestime publike për librin.

Libri shkencor që botohet në hapësirën shqiptare ka hyrë në një rrugë kodifikimi e vlerësimi me standarde të njësuara evropiane e botërore.

Ky panair i parë do të jetë një faktor tjetër nxitës për të përuruar arritjet e përvitshme në këtë fushë.

Në ditët e panairit do të ketë promovime të botimeve akademike shkencore dhe universitare: monografi dhe periodikë shkencorë të institucioneve dhe qendrave kërkimore etj. Panairi i parë i librit akademik dhe shkencor, përveç ekspozimit të literaturës shkencore e informuese për veprimtarinë kërkimore shkencore në hapësirën shqiptare, përmes promovimeve të arritjeve në nivel akademik; përmes paraqitjes së disa botimeve të kërkuesve shkencorë, studiuesve, trupave pedagogjike, do të krijojë hapësira dhe mundësi diskutimi mbi çështje e tema specifike të dijeve shqiptare. Libri shkencor për herë të parë në këtë panair sjell pranë e bashkon në një eksperiencë të veçantë akademikët, kërkuesit, studiuesit, pedagogët, lexuesit e specializuar, duke ofruar mundësi më të drejtpërdrejta kontaktesh, duke krijuar hapësira bashkëpunimi dhe ndërveprimi të mendimit dhe kërkimit akademik universitar.

Promovimet do të zhvillohen me pjesëmarrje të hapur, me mundësi diskutimi. Në dispozicion të përfaqësuesve të institucioneve pjesëmarrëse do të jenë tri salla: dy mjedise në Akademinë e Shkencave dhe një mjedis në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit. /ATSH /KultPlus.com

Pas ekspeditës në Tiranë, shfaqja ‘Vagon’ vjen edhe në Kosovë

Të hënën shfaqja “Vagon”, produksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” – Tiranë vjen në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Vagon” përkon me dinjitetin e kultit të individit në relacione familjare. Në kuptimin filozofik ”Vagon” thërmon grimca atomi mbi kujtesën parasegjithash.

Është dramë filozofike që rrugëton nëpër binarët e lidhjes familjare përkatësisht së popujve të rajonit ballkanik. Shfaqja është format kontemporan, e shtruar mbi rrotat e vagonëve të zbrazur. Në domenin ideor, ngacmon drejtpërdrejtë nervat e njeriut të vetmuar në rrethana tranzicioni.

Drama ka dy personazhe që kërkojnë pronësinë e një vagoni. Kush do ta fitoj betejën e vagonit, do ta kuptojmë të hënën në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Autor dhe regjisor i kësaj shfaqje është dramaturgu Naser Shatrolli, derisa personazhet kryesore Neritan Liçaj dhe Altea Alushi. /KultPlus.com

May be an image of 2 people and text

Sot mbahet ekspozita me dokumente nga jeta dhe vepra e Hasan Prishtinës

Sot në ambientet e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, në orën 15:00, do të organizohet ekspozita me dokumente arkivore dhe fotografi ekskluzive nga jeta dhe vepra e Hasan Prishtinës.

Kjo ekspozitë paraprakisht do të organizohet në Shkup, kurse ditën e nesërme, të martën, edhe në Tiranë.

Ekspozita organizohet nga ITSHKSH-Shkup AQSH-Tiranë dhe përfaqësuesi i trungut familjar Hasan Prishtina,

Mehmet Prishtina në nderim të 100-vjetorit të kryeministrit të tetë të Shqipërisë, Hasan Prishtina. /KultPlus.com

No description available.

Eroll Murati me ekspozitë në Tiranë: Do të paraqes artin modern në hapësirë publike

Skulptori Eroll Murati do të prezantojë ekspozitën e tij të radhës në qytetin e madh të Tiranës, kur edhe do ta shfaq skulpturën e tij në hapësirë, shkruan KultPlus.

Murati, i cili këtë vit mori vëmendje të madhe ndërkombëtare me skulpturën e tij për të pagjeturit e luftës që e shfaqi në Prishtinës, do të vazhdojë ekspeditën e tij në Tiranë, sigurisht me skulpturën e radhës.

Në një prononcim për KultPlus, Murati ka njoftuar se do të bëjë një ekspozitë në Tiranë me titull “Skulptura në hapësirë”.

“Kjo ekspozitë ka qenë edhe në Prishtinë para dy viteve, por tani po e dërgoj edhe në Tiranë që të përcjelli më shumë mesazhin e kësaj skulpture”, tha ai.

Tutje, Murati na njoftoi edhe me detajet e kësaj skulpture, duke thënë se do të paraqes artin modern në hapësirë publike.

“Në këtë ekspozitë dua që njerëzit të shohin artin në hapësirë publike, hapësira të hapura. Jam munduar që përmes artit në formë moderne dhe me materiale të ndryshme të paraqes esencën dhe kuptimin e kësaj skulpture që do ta paraqes nëser në Tiranë”, ka thënë Murati.

Ekspozita e tij do të hapet më 6 dhjetor në Tiranë, derisa do të jetë e hapur deri më 12 dhjetor. /KultPlus.com

No description available.

Kori i Filharmonisë së Kosovës rikthehet në Tiranë me koncert premierë

Kori i Filharmonisë së Kosovës do të rikthehet në Tiranë me një koncert premierë për të përmbyllur vitin më mënyrën më të mirë të mundshme, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, Kori njoftoi se këtë koncert do ta bëjnë në kuadër të kalendarit të ngjarjeve në shënim të 75 vjetorit të themelimit të Liceut Artistik “Jodan Misja”.

“Në drejtimin e Hajrullah Sylës në këtë ngjarje do interpretohen vepra nga Rafet Rudi, Vasil S. Tole, Laura Jēkabson, Peder Karlsson, Jake Runestad dhe Ola Gjeilo. Koncerti mbahet në sallën e koncerteve “Tonin Harapi” (Liceun Artistik “Jordan Misja” – Tiranë) më 9 dhjetor 2021”, shkruhet mes tjerash në njoftim.

Ky koncert do të fillojë në ora 19:00, derisa është bërë thirrje e vazhdueshme që të përmbahen në përpikmëri masat COVID-19 pasi që hyrja do të jetë e lirë. /KultPlus.com

May be an image of 2 people, people standing and text that says 'FILHARMONIA KOSOVES KOSOVOPHILHARMONIC KOSOO.PHL KORI FILHARMONISE SẼ KOSOVES KOSOVO PHILHARMONIC CHOIR ANSAMBLI KAMERALI FILHARMONISE KOSOVES KOSOVO PHILHARMONIC CHAMBER ENSEMBLE Rafet Rudi ValisS Tole Laura Jekabson Peder Kar Isson Olja Gjeilo Jake Runestad Dirigjent Conductor HAJRULLAH SYLA 9.12.2021 9:00 LICEU ARTISTIK "JORDAN ARTISTIC LYC CONCER TIRANE, SHQIPERI TIRANA, BANIA SEZON 2022 KTV'

Teatri i Kukullave feston 70-vjetorin, shtëpia më e dashur për fëmijët në dekada

Për të gjithë fëmijët fundjava dhe sidomos e diela i takon gjithmonë teatrit të Kukullave, dhe këtë të diel teatri që rriti shumë breza dhe krijoi personazhet më të dashur për ta, feston 70-vjetorin e krijimit.

Edhe pse në një moment të vështirë për shkak të pandemisë, sërish në shtëpinë më të dashur të fëmijëve është ekspozuar “ historia e teatrit” me anë të kostumeve të vjetra dhe kukullave të dashura të cilat vetvetiu të kujtojnë kontributin e atyre që e themeluan.

Marrëdhëniet nuk shkëputen kurrë në Tetarin e Kukullave dhe këtë na e tregojnë më së miri ata që kanë vite qe ushqejnë të vegjlit me ëndrra, argëtim dhe mesazhe.

Kukullat me të cilat krijohen momente të bukura te fëmijët zakonisht janë ato që lëvizin me gishtërinj dhe ato të njohura si kukulla me çorape.

Teatri i kukullave është një formë teatri shumë e lashtë e cila u regjistrua për herë të parë në shekullin 5 para erës sonë në Greqinë e Lashtë. /vf/ KultPlus.com

Tirana ndez dritat e pemës së festave të fundvitit, Veliaj: Të ngrihemi bashkë përtej vështirësive, më pranë atyre që kanë nevojë

Tirana ndezi në mbrëmjen e sotme dritat e pemës së festave të fundvitit në sheshin “Skënderbej”, duke përcjellë mesazhe shprese të një qyteti që nuk përkulet e që sheh përpara.

Në respekt edhe të vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve lidhur me masat anti-Covid, 10 vogëlushë të Korit të Fëmijëve “Mrekullia” ndezën dritat e pemës festive.

Në mesazhin drejtuar qytetarëve, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se Tirana ndonëse kaloi vështirësi këtë vit, gjeti forcë të ngrihet si kurrë më parë.

“Ky ka qenë një vit pazakontë, ndoshta viti më i vështirë në historinë 100-vjeçare të Tiranës kryeqytet. E megjithatë, jeta vazhdon, e megjithatë dielli lind çdo mëngjes, e megjithatë pas vështirësive ne çohemi sërish në këmbë për të ecur përpara. Ndaj, këtë fundvit, duhet të merrnim një vendim, nëse do të vazhdonim me festën, nëse do të vazhdonim me zbukurimin e qytetit, nëse do të vazhdonim me harenë dhe vendosëm që “PO”, për hir të fëmijëve, për hir të atyre që nuk kanë bërë asnjë mëkat dhe që meritojnë të gëzojnë edhe këtë fundvit”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë u shpreh se 2020 ishte një vit i vështirë për shumë familje, të cilat humbën banesat e tyre ose të afërmit, por komuniteti i Tiranës tregoi se bëhet bashkë si në ditët e vështira, ashtu dhe në ditët e gëzimit. “Unë e di që ky vit prej tërmeteve, prej pandemisë, ka qenë shumë i vështirë për shumë familje. Disa kanë humbur shtëpinë, disa kanë humbur të afërmit e tyre, disa të tjerë janë ende duke vuajtur pasojat e Covid-it ose duke u përballur në frontin e parë të kësaj beteje. E megjithatë, duhet të japim mesazhe shprese të një Tirane që nuk përkulet, të një qyteti që ecën përpara, të një komuniteti që bëhet bashkë si në ditët e vështira, ashtu dhe në ditët e gëzimit. Prej protokollit të pandemisë shumë aktivitete janë të ndaluara, shumë tubime, shumë festa, shumë organizime me njerëz janë gjithashtu të ndaluara. Kjo është arsyeja pse sot sheshit “Skëndërbej”, në këtë ndezje të dritave të festave ua kemi lënë 10 vogëlushëve, sa është numri që lejohet në çdo aktivitet”, nënvizoi Veliaj.

Ai bëri thirrje për më shumë solidaritet, duke qëndruar pranë atyre që kanë nevojë dhe për të inkurajuar ata që edhe këtë fundvit do të jenë në frontin e parë të betejave të rëndësishme, si pandemia apo procesi i rindërtimit.

“Shumë gjëra janë ndaluar këtë fundvit, por nuk është ndaluar dashuria, nuk është ndaluar mirësia, nuk është ndaluar bamirësia, nuk është ndaluar solidariteti. Ndaj duhet të gjejmë kurajo për t’u ngritur bashkë përtej vështirësive për t’i qenë pranë atyre që kanë nevojë ose për të inkurajuar ata që edhe këtë fundvit do të jenë në frontin e parë të betejave tona të rëndësishme, si pandemia apo i gjithë procesi i rindërtimit. Gëzuar festat”, theksoi kryebashkiaku Veliaj.

Krahas Sheshit “Skënderbej”, godinat pranë tij dhe në rrugët kryesore të Tiranës, janë mbushur plot me drita dhe me zbukurime, duke sjellë edhe pak lumturi në ditë të vështira, të mbushura me shqetësimin nga pandemia e koronavirusit. Bashkia e Tiranës është kujdesur deri në detaje për atmosferën festive. Kanë qenë të shumtë qytetarët të cilët kanë zgjedhur që të ruajnë një kujtim nga zbukurimet e shumta. /ata/ KultPlus.com