Tirana do të mikpresë Javën e Kulturës Hungareze në Shqipëri më 2 nëntor.
Si pjesë e eventit prezantues ditën e mërkurë do të jetë dhe hapja e ekspozitës “Vanice Art”, e cila do të prezantojë punimet e inteligjencës artificiale nga artisti inovator hungarez Péter Vanicsek.
Arti i inteligjencës artificiale vjen për herë të parë në Shqipëri dhe sjell një teknologji të re për botën dhe një univers pa limit për fotografinë e rindërtuar.
Festivali “Hungarissimo” do të promovojë kulturën shqiptare dhe hungareze dhe aksesin në krijimtarinë bashkëkohore.
Kjo javë është strukturuar si një platformë shumëdisiplinore që do të ofrojë një larmi formatesh, duke përfshirë performanca muzikore, masterklasa, seminare, forume artistike, e të tjerë.
Programi që vjen ka një gamë të gjerë zhanresh dhe fushash si artet performuese dhe pamore, fotografia, letërsia, shahu, inovacioni në art, kulinaria e industritë krijuese. Mbi të gjitha, do të shoqërohet me ardhjen në Shqipëri të mjaft artistëve brilantë e të kalibrit botëror.
Almira Emiri, Drejtore e Festivalit dhe pianiste shqiptare që ka punuar dhe jetuar mbi 20 vite në Hungari, e cilëson eventin si një mundësi të artë për të sjellë sa më pranë dy vendet.
Ndërsa Mira Hoxha, ish-ambasadore në Hungari dhe Anëtare Nderi e Bordit të Festivalit vlerëson rëndësinë në kontekstin e historikut të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
“Këtë vit, ky festival vjen si një celebrim i denjë i 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve dhe një shenjues i asaj që duhet të vijë në 100 vitet e ardhshme”, është shprehur ish-ambasadorja.
Eventi realizohet nga Festival Academy në bashkëpunim me Ambasadën e Hungarisë në Tiranë.
Java e Kulturës Hungareze (2-6 nëntor 2022) vjen në vazhdën e javëve kulturore ndërkombëtare të organizuara nga kryeministria e në partneritet me Ministrinë e Kulturës. / atsh / KultPlus.com
Nga sot e deri më 29 tetor do të zhvillohet “Arkeovizion”, Festivali Europian i Filmit Arkeologjik. Tema e këtij viti është “Kthim në të ardhmen” e fokusohet në trashëgiminë arkeologjike.
Festivali prezanton 8 filma (me titra shqip) nga Shqipëria, Bullgaria, Franca, Gjermania, Greqia dhe Italia. Dita e parë çelet me podkastet nga Apolonia, në Muzeun e Arkeologjisë (Akademia e Studimeve Albanologjike). Më pas shfaqet filmi “Muzeu arkeologjik i Napolit, mbartësi i qytetërimit” me regji të Laura Pintus, 52’ dhe prodhim i vitit 2021.
Shqipëria përfaqësohet me dy dokumentarë në këtë festival: “Një udhëtim në kohë në gjurmët e karvanëve të jugut të Shqipërisë” dhe “Duke kundruar Bizantin nga Shqipëria”. Përpara çdo projeksioni do të ketë një prezantim 10 minutësh mbi një temë nga arkeologë shqiptarë dhe të huaj.
“Arkeovizion” nisi si nismë e Institutit Italian të Kulturës dhe Ambasadës Franceze, në partneritet me Institutin e Arkeologjisë (Akademia e Studimeve Albanologjike). Ka gjetur mbështetjen e EUNIC (EU National Institutes for Culture) dhe ka për qëllim t’iu qaset ngjarjeve kulturore që lidhen me vendet dhe historinë, të shpjegojë punën e misioneve arkeologjike; të përmirësojë qasjen virtuale në këtë trashëgimi si për shqiptarët ashtu edhe për të huajt si dhe të trajtojë aspekte edukative dhe ekonomike si novacioni digjital, turizmi etj.
Festivali mbahet në dy hapësira, Muzeu Arkeologjik dhe Salla UNESCO e Muzeut Historik Kombëtar. /atsh / KultPlus.com
Për të apasionuarit e muzikës jazz, në Tiranë do të vijë festivali Jazz & Wine International Festival Albania.
Ky festival jazz-i do të sjellë në Tiranë artisten Eda Zari dhe miqtë e saj artistë, nga vende të ndryshme të botës. Ky edicion i Jazz & Wine, me moton “Tingulli dhe fjala si një palimpsest”, vjen në kuadër të “tetorit gjerman”.
Së bashku me kolegë të tjerë, Eda Zari do të interpretojë mbrëmjen e datës 28 tetor, në Qendrën Kulturore të Katedrales Orthodhokse Tiranë.
Me të do të jetë Rhani Krija, artist me të cilin prej më shumë se dy dekadash, Zari ka krijuar një simbiozë melo-ritmike unike, kimi që ka rivitalizuar repertorin e këngëve tradicionale shqiptare.
Rhani Krija, zotëron çdo instrument perkusiv. Ai ka lindur në Marok por jeton e krijon në Këln të Gjermanisë. Krija ka realizuar turne koncertale me yje botërore dhe vlerësohet jashtëzakonisht në skenën ndërkombëtare, ku shquhet për duart magjike dhe sensin e pakrahasueshëm ritmik. Ai ka luajtur me Sting, Peter Gabriel, Annie Lennox, Herbie Hancock dhe Prince, Lady Gaga etj. Sipas tij “Muzika tradicionale shqiptare, është një pasuri për muzikën botërore”.
Në këtë natë “Jazz dhe Poezi”, artistja, e cila këtë herë do të performojë në skenë edhe me djalin e saj Henning Jung, bashkon ‘creme de la creme’ të skenës aktuale të xhazit për të formuar një septet unik, botë orkestrale, ritme dhe poezi, të bashkuara në një ngjarje zanore kinematografike. Një varietet shpërthyes, i sofistikuar dhe tërheqës.
32 vitet e Eda Zarit mes shqipes dhe gjermanishtes tashmë, na sjellin “një shkëlqim të fshehtë ”brenda “Palimpsestit” të mendjes dhe zemrës, Lasgush Poradecit dhe Heinrich Heine-s. / atsh / KultPlus.com
Muajin e ardhshëm, aktori i njohur Jim Belushi, me origjinë shqiptare, do të udhëtojë drejt Tiranës, shkruan KultPlus.
Në një takim me biznesmenë të huaj në Tiranë, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, prezantoi lajmin dhe vuri në dukje se kjo është një kohë e shkëlqyer për të vizituar kryeqytetin shqiptar.
“Tirana është këtë vit Kryeqyteti Europian i Rinisë. Është një moment i shkëlqyer për të ardhur në Tiranë. Kemi patur mbi 1 mijë aktivitete kulturore artisitke. Ne sapo organizuam Festivalin e Dua Lipës në Tiranë, Rita Ora kishte koncertin e saj po ashtu. Muajin e ardhshëm do vijë edhe Jim Belushi në Shqipëri. Edhe ai i është shqiptar”, u shpreh Veliaj.
Ai shtoi se aktivitetet e shumta të qytetit kanë gjeneruar një energji të këndshme që është e perceptueshme për të gjithë ata që e vizitojnë.
“Ne ndoshta nuk jemi vend aq i madh si disa të tjerë, por jemi origjinalë. Jemi një vend i bukur, me energji pozitive. Çdo qytet mund të ndryshojë, çdo shoqëri mund të ndryshojë, çdo vend mund të ndryshojë, por që qytetet të ndryshojnë duhet vendosmëri, disiplinë dhe një dozë e madhe kreativiteti”, u shpreh Veliaj.
Biznesmenët u mblodhën nga YPA Albania, një grup prej mbi 28 000 drejtuesish që mblidhen çdo vit për të zhvilluar dhe përmirësuar sektorin e biznesit. /KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora ka arritur tashmë në Tiranë, shkruan KultPlus.
Të martën, në Javën e Kulturës Britanike, ajo do të performojë në sheshin Skënderbej, në një koncert falas për të gjithë qytetarët, por takimin e parë ka bërë me studentët e Liceut Artistik.
Kryetari i Tiranës, Erion Veliaj ka shpërndarë videon që është realizuar në Liceun Artistik. Talentët e rinj të qytetit i drejtuan mjaft pyetje Ritës, ndërkaq përcollën me interes mesazhin e saj rreth muzikës dhe suskesit në këtë fushë.
Ajo mes të tjerash ka thënë se mosha asnjëherë nuk është pengesë që të vazhdosh së ëndërruari, besuari dhe krijuari.
“Nuk ka rëndësi sa vjeç je, asnjëherë mos ndaloni dot së ëndërruari, besuari dhe krijuari. Dhe ky është qëllimi. Duhet që të gjithë së bashku të inspirojmë njëri-tjetrin dhe kjo është mënyra se si ne realizojmë ëndrrat”, ka thënë Ora.
Sipas saj, duhet që me të vërtetë të dish se çfarë doni të bëni me jetën dhe çfarë dëshironi në këtë jetë. A doni të bëni familjen të lumtur, apo vetën të lumtur, a dëshiron të këndosh apo dëshiron të bësh para; pra cila është ëndrra?
“E gjithë kjo duhet të vijë nga brenda sepse kur të rritesh dhe të takosh njerëz, disa nga ta do të të inspirojnë për të bërë diçka tjetër apo disa do të të thonë ‘Ti s’mund ta bësh atë’, dhe mund të ta shkatërrojnë besimin në vete dhe disa tjerë do të të thonë që edhe ata dëshirojnë të bëjnë të njëjtën, andaj unë mendoj që duhet të jeni vërtetë të fokusuar dhe të mos e dëgjoni atë zë që ju largon nga rruga juaj. Andaj duhet të luftoni shumë që ti përmbysni fjalët e të tjerëve. Dhe kjo është ajo se çfarë akoma më mban gjallë. Unë isha 19 vjeç kur fillova dhe jam shumë me fat që akoma e bëj. Përdoreni instinktin tuaj por jeni edhe të zgjuar, të guximshëm dhe me plot vetëbesim sepse se çfarë ne bëjmë në mënyrë kreative, askush në fakt nuk duhet ta kuptojë për arsye se ne jemi kreativë. Duhet të duroni shumë. Por as unë s’kam fare durim por është e vërtetë ajo që po them”, ka thënë Ora.
Ajo tutje ka vlerësuar lartë potencialin e të rinjve, ngaqë për të, idetë e tyre janë tejet të mira.
“Unë dua të sjell këtu disa nga miqtë e mi që kam takuar në industrinë e muzikës dhe të cilët mund të u mësojnë juve dhe që mund të vinë dhe të mbajnë mbledhje këtu me juve në mënyrë që ata të iu dhurojnë juve ide të shumta sepse fëmijët janë aty ku është e mira. Ata kanë idetë më të mira sepse ata akoma ëndërrojnë. Personalisht, unë asnjëherë nuk dua të pushoj së ëndërruari. Është shumë e vështirë ta bësh por thjesht rrini në slitën me rul. Do të jetë një rrugë e gjatë por shumë e mirë”, thotë ajo.
Nesër nga ora 18:30, në sheshin “Nëna Terezë” në Tiranë, do të mbahet protestë lidhur me rastin e 11-vjeçares që u dhunua të shtunën në Prishtinë.
Këtë e ka bërë të ditur këngëtarja kosovare, Filloreta Raçi, e njohur si Fifi.
Ajo në një postim në Instagram ka shkruar: “Nesër ora 18:30 te SHESHI NENA TEREZE. VAJZA/ FEMRA/ GRUAJA është nderi jonë/ jo lodër e juaja”.
Deri tash për dhunimin e 11-vjeçares janë arrestuar katër persona, tre prej tyre të mitur, ndaj të cilëve tashmë është caktuar masa e paraburgimit, ndërsa i pesti është duke u intervistuar në stacionin policor.
Sot në Prishtinë është mbajtur një protestë, ndërsa pritet të mbahet edhe një nesër.
Çka dihet deri më tani për rastin?
Dhunimi i vajzës, sipas dosjes së Prokurorisë Themelore të Prishtinës, të cilën e posedon Gazeta Express, ka nisur të shtunën në parkun në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, për të vazhduar në një lokacion tjetër të panjohur. Në dosjen e prokurorisë përshkruhen detaje tronditëse.
Prokuroria Themelore e Prishtinës ka dje kërkuar paraburgim ndaj 26 vjeçarit dhe një të mituri, vëllezër mes vete, si të dyshuar për dhunimin e vajzës 11-vjeçare. Dje, Gjykata Themelore e Prishtinës, ua ka caktuar atyre masën e paraburgimit.
Dy të dyshuar tjerë për dhunimin e të miturës janë arrestuar mbrëmë, ka njoftuar Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Më vonë, Policia ka dalë me komunikatë, përmes së cilës ka njoftuar se është identifikuar edhe i dyshuari i pestë për rastin, i cili është ende në arrati.
Sipas prokurorisë, i pandehuri E.R, 26-vjeç, ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e të dëmtuarës, “në atë mënyrë që të pandehurin fillimisht e kishte thirrur në telefon vëllai i tij, i mitur., pastaj i pandehuri ka shkuar me “Pickup” tek parku në lagjen “Arbëria” në Prishtinë dhe e ka marrë me veturë vëllain e tij dhe të dyshuarit Xh.S., dhe G.J., të cilët ndodhen në arrati dhe të dëmtuarën. Pastaj rrugës tek varrezat kanë zbritur i mituri dhe, dhe Zh.S., ndërsa i pandehuri së bashku me G.J,.dhe të dëmtuarën janë larguar me veturë, ashtu që pas pak E.R., ka ndaluar veturën në një vend të panjohur dhe ka kryer marrëdhënie seksuale me të dëmtuarën. Edhe pse e ka ditë që e dëmtuara është nën 14-vjeç”, përshkruhet në kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj tij.
Aty shkruan se nga deklarata e të miturës dhënë në polici me datën 28.08.2022 rezulton se “përderisa e mitura ka qenë në park, i janë afruar tre persona, ku kanë filluar ta ngacmojnë me fjalë, ku e dëmtuara ka vazhduar të ecë por më pas njëri ka filluar edhe ta prekte”.
“Më pas të njëjtit, sipas viktimës, kanë vazhduar që ta ndiqnin dhe njëri nga ta e ka tërhequr me një qosh dhe të dy kanë filluar t’ia heqnin rrobat. Personi me maicë të bardhë ia ka kapur duart ndërsa perosni tjetër ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj. Kur e dëmtuara ka filluar të bërtasë ata ia kanë mbyllur gojën dhe marrëdhënia ka ndodhur në këmbë. E dëmtuara ka deklaruar që pasi ka përfunduar njëri marrëdhënien e ka filluar tjetri” thuhet në përshkrimin e rastit që ka bërë prokuroria, transmeton Gazeta Express.
Më pas sipas saj, ka ardhë një automjet “pickup” ku dy persona janë ulur mbrapa dhe viktima përpara. Ajo ka deklaruar se edhe shoferi i veturës ka kryer marrëdhenie me të. / KultPlus.com
“Sunny Hill Festival”, që konsiderohet një nga ngjarjet më të rëndësishme artistike në trevat shqiptare, mbylli dje siparin në Tiranë.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga ky event i rëndësishëm, që u zhvillua në mjediset e parkut të Liqenit Artificial.
“Mirëmëngjes dhe me superenergjinë e “Sunny Hill” e me falënderimin për Duan, që e presim me padurim në Tiranë në nëntor, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan Rama.
Në natën e parë të festivalit performuan artistët e njohur shqiptarë Capital T, Dafina Zeqiri, Dren Abazi, Art Lokaj, Sanchet, Art Haliti, etj.
Ndërsa atmosfera u bë më elektrizuese kur në skenë u ngjit reperi italian Fedez dhe reperi Action Bronson, të cilët sollën këngët më të bukura të repertorit të tyre.
Ndërkohë, në ditën e dytë të festivalit performuan vetëm DJ të njohur botëror e shqiptarë si, Hardwell, Afrojack, Regard Merk&Kremont, Drop G, Kamela Ampov, Vin Veli.
Në ditën e tretë të festivalit interpretuan Stormzy, Mc Kresha dhe Lyrical Son, Ledri Vula, Mozzik, Getinjo, Elgit Doda, Asgjë Sikur Dielli, Nika Paris- Vegas Jones- Rooms, Barny Fletcher, Alban Chela, Ardian, Rrrrron.
Festivali më herët u zhvillua edhe në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, pjesë e së cilit ishin rreth 100 mijë pjesëmarrës./KultPlus.com
Kur kanë mbetur edhe pak orë nga nisja e Sunny Hill Festival Tirana 2022, gjithçka është pothuajse gati. Teksa shitja e biletave po vijon me shpejtësi për shkak të kërkesave të shumta dhe nga jashtë vendit, organizatorët kanë publikuar disa nga rregullat që duhet të ndjekin të gjithë pjesëmarrësit në këtë festival. Të gjithë ata që tashmë kanë siguruar një biletë, duhet të marrin me vete kartën ID dhe Biletën, ndërsa nuk duhet të marrin me vete mjete të ndaluara.
Gjërat që duhet të dini:
1-Mosha minimale për të ndjekur festivalin vetëm është 16-vjeç. Të rinjtë nën moshën 16-vjeçare duhet të jenë të shoqëruar nga të rriturit.
2-Ju mund ta rimbushni byzylykun tuaj direkt në vendin ku zhvillohet eventi, por ne ju rekomandojmë ta bëni pagesën nëpërmjet aplikacionit të Sunny Hill Festival për të shmangur radhët e gjata.
3-Për t’u futur, mos harroni: Kartën ID/Pasaportën Biletën (digjitale ose të printuar)
4-Në hyrje do të kaloni përmes kontrollit të sigurisë.
Sende të ndaluara: Mjete të mprehta Ushqim dhe pije Produkte aerosoli (spraj) Parfume Narkotikë ose substanca të ndaluara Çakmakë. / KultPlus.com
Mbrëmja e kaluar, në Aqua Park Tirana, ka qenë tejet argëtuese, me shfaqjen e filmit në pishinë.
“Kino Pishina” është bashkëpunimi më i ri mes Bashkisë Tiranë dhe Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit. Agjencia e Industrisë Kreative organizoi shfaqjen e filmit shqiptar për fëmijë “Shpella e piratëve” mundësuar nga AQSHF.
Përveç imazheve të filmit, që ngjallin nostalgji, kënaqësia për të pranishmit ishte më e madhe pasi për herë të parë shijuan kinemanë mbi ujë. Organizatorët njoftuan se do të ketë të tjera netë të veçanta në vazhdim.
“Shpella e piratëve” u shfaq në mbrëmje rreth orës 20:00 dhe u shoqërua me muzikë e lojëra. Më herët, organizatorët kishin njoftuar se hyrja për në këtë festë, do të ishte falas dhe se pjesëmarrësit do të duhej të vinin me veshje të përshtatshme për të ndjekur filmin mbi dyshekët e ujit, në pishinë. /atsh / KultPlus.com
Partia Demokratike ka njoftuar mbajtjen e një proteste në ambientet përballë Ministrisë së Brendshme në Tiranë ditën e enjte në ora 19:00.
Në njoftimin publik të selisë blu, theksohet se protesta mbahet në lidhje me përplasjen për vdekje me gomone të 7-vjeçares në plazhin e Potamit në Himarë, nga ana e oficerit të lartë të policisë, Arjan Tase.
PD njofton si kërkesë të protestës dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi dhe ministres së Turizmit, Mirela Kumbaro. / KultPlus.com
Ambasada e Kosovës në Tiranë organizoi mbrëmjen homazh kushtuar poetit Xhevdet Bajraj.
Pakëz më shumë se një muaj nga kalimi në amshim, Xhevdet Bajraj u kujtua në Tiranë në një mbrëmje poetike.
Shkrimtarë, publicistë dhe miq thanë se Bajraj i kushtoi jetën poezisë dhe me shumë ndjenjë e lartësi njerëzore.
Ata theksuan se poezia e Bajrajt është thirrje për liri, këngë e pambarimtë për Kosovën dhe për shqiptarinë.
Publicisti Halil Matoshi e quajti Bajrajn poetin më të madh të Kosovës:
“Në secilin variant, sille nga ta sjellësh, Xhevdeti është më i madhi! Megjithëse, ka jetuar në Meksiko Siti dhe ndoshta shumë njerëz në Kosovë nuk e kanë trajtuar qysh e meriton”, tha ai.
Poet i veçantë i letrave shqipe dhe shprehës i një dimensioni tjetër të lirisë, u cilësua Bajraj nga studiuesja Alda Bardhyli, drejtuese e Qendrësë Kombëtare të Librit dhe Leximit:
“Ndryshe nga ajo liria që flet Ali Podrimja, Azem Shkreli, apo Din Mehmeti. Flet për një liri që është e brendshme. Është një liri e një sfere tjetër, është një liri që të gjithë e kërkojmë dhe që është kërkimi i përjetshëm i poezisë”.
Ambasadori i Kosovës, Skënder Durmishi në mbrëmjen poetike homazh për poetin Bajraj tha se nderimi i intelektualëve tregon emancipimin shoqëror.
“E kam dëgjuar thënien se një shoqëri vlerësohet për nivelin e emancipimit për aq sa i nderon krijuesit, artistët, intelektualët në radhët e veta. Besoj që është një hap edhe kjo në atë drejtim që edhe ata që nuk e kanë lexuar sa duhet, ku bëj pjesë unë, por që e dimë që na nderojnë krijuesit”, shtoi Durmishi.
Gazetari Aleksandër Çipa tha se duke u njohur me eseistikën dhe publicistikën e Bajrajt në vendet amerikanolatine, e çmon atë si përfaqësuesin më të shquar të ekspresionit shqiptar në botë./ rtk / KultPlus.com
Finalja e Conference League tërhoqi vëmendjen jo vetëm në Evropë, por në mbarë botën.
Kjo jo vetëm nga dy skuadrat që u përballën në finalen e Tiranës, por edhe nga stadium ku luajtën ato.
Shumë media të huaja shkruajtën për “Air Albania”, por duket se ky impiant vijon të impresionojë akoma.
Së fundmi është “GOAL Brasil” që postoi një video duke shkruar për stadiumin “Air Albania”: “Një nga stadiumet më të bukur në Evropë! Ejani të takoheni me stadiumin Arena Kombëtare, në Tiranë, kryeqyteti i Shqipërisë Stadiumi i parë që priti një finale të Ligës së Konferencës!”. / KultPlus.com
Um dos estádios mais bonitos da Europa! 🏟️
Vem conhecer com o Football Flyover a Arena Kombëtare, em Tirana, capital da Albânia 🇦🇱
Shumë shpejt Tirana do të mikpres një nga këngëtaret më të famshme në nivel ndërkombëtar.
Drejtoresha e Përgjithshme e Promovimit të qytetit, në bashkinë e Tiranës, Mirela Koçollari, ka postuar ne rrjetet sociale lajmin se në datë 6 shtator, në Tiranë, do të ketë një koncert të Rita Orës.
Koncerti i këngëtares së famshme shqiptare, është parashikuar të mbahet në sheshin “Skënderbej”, mbrëmjen e 6 shtatorit, në kuadër të Tirana European Youth Capital 2022.
Tirana është Kryeqyteti Evropian i Rinisë për 2022 – Një titull që jepet nga Forumi Evropian i Rinisë i krijuar për të fuqizuar të rinjtë, për të nxitur pjesëmarrjen e të rinjve dhe për të forcuar identitetin evropian.
Tirana EYC 2022 paraqitet si një makro program prej 365 ditësh, gjatë të cilave do i jepet jetë një kalendari projektesh me iniciativa e aktivitete të shumta, që shohin në qendër rininë. Tirana EYC 2022 implementohet nga Kongresi Rinor Kombëtar, në bashkëpunim me bashkinë Tiranë.
Të shumta kanë qenë aktivitet gjatë këtyre muajve, por duket se ato do të kulmojnë me koncertin e Rita Orës, në 6 shtator./ KultPlus.com
Në datat 12, 13, 14, korrik vjen në Tiranë festivali “Gjon Mili, Jazz&Blues” si dhe në Korçë në datat 15-16 Korrik. Shijoni magjinë e muzikës Jazz & Blues që mjeshtri i madh dhe novator i fotografisë botërore, Gjon Mili ka kontribuar artistikisht në zhvillimin e saj kryesisht gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Gjon Mili Jazz&Blues Festival” synon promovimin e figurës së Gjon Milit, si e vetmja urë lidhëse që kombi shqiptar ka me historinë botërore të muzikës Jazz dhe Blues, duke e bërë pjesë të Trashëgimisë Kulturore dhe Artistike të Shqipërisë. Lindja e këtij festivali u motivua nga realizimi i projektit “Ëndrra e Gjon Milit” në vitin 2019, mbështetur nga Ministria e Kulturës. Festivali do të zhvillohet me dt 12-13-14 Korrik ne Tirane, ora 20:00 n’bahce te Rese dhe me dt. 15-16 Korrik 2022 prane Pedonales ne Korçë.
Ky projekt është aktivitet Flagship në kuadër të Titullit, “Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë” për vitin 2022, zbatohet nga Kongresi Rinor Kombëtar në bashkëpunim me organizatën RIAS, Muzika për të Rinjtë dhe me mbështetjen e Bashkisë Tiranë, dhe një përfaqësi institucionesh kombëtare dhe ndërkombëtare në vend.
Grupet pjesëmarrëse që do performojnë në festival janë si më poshtë:
Grupi finlandez “Pylkkanen Nu Botega dt 12 korrik Pekka Pylkkanen saksofon Adam Pache Roberto Tarenzi Kimon Karoutzos
Grupi “Kejdi Barbullushi Trio”, 12 Korrik Kejdi Barbullushi- Kitarë Nesim Maxhuni- Bateri Ilir Bajri- Piano Elektrike
Grupi “Just Trio” 13 Korrik Roni Gjura Emiljan Dhimo Mateos Gjipi
Grupi Austriak “TechRider – Julie Island guitar-trio” 14 korrik dhe 15 Korrik
Martin Bayer, Kitarë Andi Tausch, Kitarë Kenji Herbert, Kitarë
Grupi “Ermal Rodi Quartet” datë, 14 Korrik dhe 16 Korrik
Grupi “Philippos Nakas Big Band Selanik” 16 korrik
Grupi “Ivanov Quartet”
Ivan Ivanov – Tenor, soprano saksofon Gordan Spasovski – piano Andrea Mirchevska – doubleBass Slavko Kocev – Bateri. / KultPlus.com
Photographer Gjon Mili outside his office on Warner Bros. lot where he is directing film, Jammin’ the Blues. (Photo by Gjon Mili/The LIFE Picture Collection/Getty Images)
Dita Ndërkombëtare e Muzikës, një event që kremtohet në mbi 200 vende të botës, i solli dje kryeqytetit të Shqipërisë një mori aktivitetesh artistike muzikore.
21 qershori përveç se dita më e gjatë e vitit (solstici i verës) tashmë ka hyrë edhe në kalendarin shqiptar si dita e muzikës.
Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Tiranës bënë të mundur koncertin e këngëtares Manjola Nallbani, në Pallatin e Brigadave, ku publiku mundi të shijojë perla të muzikës popullore qytetare, një spektakël instrumentesh, tingujsh e efektesh vizive.
“Një udhëtim i bukur nëpër Shqipëri, nga Veriu, në Jug, në Shqipërinë e Mesme, Kosovë e Çamëri”, kështu e ka cilësuar ministrja e kulturës Elva Margariti. “Një atmosferë e jashtëzakonshme mbrëmë në Pallatin e Brigadave, ku mes miqsh festuam Ditën Botërore të Muzikës! Nuk mund të festonim më bukur se me këngët tona” shprehet ministrja në një postim duke bërë edhe premtimin se Ministria e Kulturës do të vazhdojë të mbështesë aktivitete që promovojnë trashëgiminë tonë
Njëkohësisht, në Amfiteatrin e Tiranës, u zhvillua koncerti i një grupi të njohur këngëtarësh si Irma Libohova, Aleksandër Gjoka, Mentor Haziri, Gena, Bojken Lako etj. Koncerti pop rock i titulluar “Këngët e trevave” kishte gjithashtu mbështetjen e Bashkisë Tiranë dhe Ministrisë së Kulturës.
Por aktivitetet muzikore për Tiranën, nuk përfunduan me 21 qershorin. Po tek Amfiteatri i Tiranës, sot do të zhvillohet koncerti i grupit të njohur blues dhe rock “The Animals and Friends”. /atsh / KultPlus.com
“Shtëpia me gjethe”, dikujt mund t’i tingëllonte si një emërtim i denjë për një roman, të autorëve latino-amerikan, për më shumë për ndonjë film horror, ku diku në skaj të një pylli kryhen vrasje misterioze. Në të vërtetë, këtë ndjenjë e pata kur dola pas dy ore vizite në këtë Muze , ku mu zu frymëmarrja nga kundërmimi i dosjeve të qindra, mijëra qytetarëve shqiptarë, viktima të sistemit aq policor, të diktatorit Enver Hoxha
Nga Afrim Demiri
Shpesh biografia e shtëpive gjason me të njerëzve. Edhe ato në periudha të ndryshme kanë funksione të ndryshme, me një fjalë kanë identitete urbane dhe administrative, krejtësisht të ndryshme. Po rrallë ndodhë që ajo shtëpi që ishte projektuar të jetë shtëpi e lindjeve, të kthehej në shtëpi të vdekjeve dhe njëkohësisht të ndërlidhte tri periudha kohore, të mos them tri epoka.
E ndërtuar më 1931 si shtëpi obstetrike, me nismën e mjekut të mirënjohur dr. Jani Basho, duke qenë ndër të parat shtëpi lindjeje në Shqipëri, ajo gjatë okupimit bëhet qendër e Gestapos fashiste, kurse gjatë kohës së komunizmit kthehet hiç më pak në qendër të sigurimit të shtetit.
E vendosur, jo larg objekteve të tjera qeveritare, kjo shtëpi me një dizajn urban me plotë delikatesa zbukuruese fillon, të quhet në zhargonin qytetar “Shtëpia me gjethe”, një epitet ky mbase i lakmueshëm për çdo shtëpi tiranase normale. Por ky cilësim sikur nxjerr në pah, në mënyrë ironike një paradoks të kohërave, sepse sipas një parafrazimi të lirë të Nonda Bulkës, kjo shtëpi më parë do të duhej të thirrej “Shtëpia me gjemba”, nisur nga fakti se brenda mureve të saja fillonin përgjimet, persekutimet, ndjekjet, kurdisjet dhe paragjykimet deri në vrasje të qytetarëve të Shqipërisë komuniste. Nuk dihet saktësisht prej kur dhe si ka zënë fill ky epitet apo prej atëherë kur trupit të saj kanë filluar të ngjiteshin bimët kacavjerrëse dhe fasadës së saj me ngjyra të murrme t’ia jepnin një tis të gjelbërt.
Kjo shtëpi edhe sot e ruanin këtë emërtim, që tingëllon sikur të ishte një kod i komunikimit sekret të sigurimcave të shtetit, tashmë e zyrtarizuar në institucionin e Muzeut më të ri të Tiranës po me këtë emër: “Shtëpia me gjethe”.
Dikujt mund t’i tingëllonte si një emërtim i denjë për një roman, të autorëve latino-amerikan, për më shumë për ndonjë film horror, ku diku në skaj të një pylli kryhen vrasje misterioze. Në të vërtetë, këtë ndjenjë e pata kur dola pas dy ore vizite në këtë Muze , ku mu zu frymëmarrja nga kundërmimi i dosjeve të qindra, mijëra qytetarëve shqiptarë viktima të sistemit aq policor, të diktatorit Enver Hoxha.
Por në realitet unë nuk dilja nga filmi, as nga ndonjë pyll, por nga shtëpia aq afër qendrës së Tiranës, e cila me dekada ishte shndërruar në makth publik, duke prodhuar dhe inskenuar situata komplotiste për “armiqtë e popullit”.
Ky muze nuk kishte nevojë për ciceron! Çdo artefakt, çdo element fliste me gjuhën e vet. Edhe ashtu ciceronët shpesh e ndërpresin një përjetim autentik në mes të vizitorit dhe elementeve të ekspozuara. Tashmë kaq vjet pas diktaturës, pas aq leximesh për natyrën dhe karakterin e panjohur të saj në Shqipëri, sikur mjaftonte një parakalim në heshtje nëpër 9 seksionet e muzeut me mëse 31 kthina.
Qysh në fillim një citat e Enver Hoxhës, sqaronte karakterin monolit të shtetit partiak- policor : “ Punonjësit e Sigurimit të shtetit janë vetëm punëtorë partie, në rend të parë vetëm punëtorë politikë dhe asgjë tjetër”.
Dhe më pas hapeshin një nga dhomat e dëshmive të metodave më bizare të hetuesisë, ku elemente autentike ta afronin ndjenjën e ankthit të fateve të njerëzve nën torturë. Mjatohej t’i lexoje dikund rreth 35 lloje të përdorimit të torturave ndaj të dyshuarëve për vepra kundër shtetit duke filluar që nga hedhja e krypës në mish, nga përdorimi i elektroshokut e deri tek shurdhimi nëpërmjet zhurmave të padurueshme, futjes në arkivol për së gjalli për të pranuar procesverbalin e hetuesisë apo hedhja e tyre nga lartësia.
Dosjet ishin aty! Duhej kohë për t’i lexuar, emrat ishin mbuluar me ngjyrë të zezë, sikur fatet e tyre të dikurshme , pastaj hapeshin dyert e dhomave muret e të cilave ishin të mbushura me emra të përndjekurish, me emra të të burgosurve dhe të pushkatuarëve. Përkundër shkrimit të dendur dhomat nuk i kishin zënë të gjitha emrat e 18mijë të burgosurve të dënuar rreth 6 mijë të vdekurve si dhe mbi 20mijë të internuarve. Ishte e llahtarshme të shiheshin muret e veshura me emra të viktimave sikur të ishte një dizajn i dhembshëm i tapetave murale.
Përkundër udhëzimeve lehtë humbëshe nëpër kthina, dhoma të torturës. Dëgjoje rrëfimet e të mbijetuarëve, marshet e paradave socialiste dhe pjesë nga seancat e gjykimeve. Përnjeherë kohërat gërshetoheshin dhe dukej se gjithçka mbulohej nga fëshfërima e gjetheve që depërtonte nga ndonje dritare gjysmë e hapur. Pa një pa dy të dilte përballë zbulimi i përgjuesit shqiptar, i njohur me emrin “Çimka”, i mbajtur në heshtje të propagandës, karshi zbulimit të traktorit shqiptar. Një grumbull gjësendesh nga përditshmëria ta përkujtonin si ke mundur të jesh i përgjuar nga ai regjistrues minimalist elektronik. Një pallto e varur ruante siluetën e trisht të sigurimcit, i cili xhironte me kamerën më objektiv të nxjerrur në gjoks, si dekoratë për çlirimin e atdheut. Diktafonët, magnetofonët me shirit, kamerat e hershme ishin aty, të firmave të ndryshme gjermano-lindore, japoneze dhe kineze. Në laboratorin e larjes së fotografive bardh e zi sikur ishte ndalur koha dhe i priste vizitorët. Po ato tretje kimike, po ata filma që dikur i përdornim për të fiksuar kohën tonë rinore, kurse aty ishin varur fotot e të pandehurve, të cilëve një foto rasti ia kishte marrë jetën.
Një ndjenjë aty për aty më ndau në dysh. Kujtimet nga vizita që i kisha bërë më 2013 –të, Muzeut të pafajsisë së Orhan Pamukut në Stamboll, ma sillnin ndjenjën se isha në Muzeun e fajësisë , derisa e vizitoja tash, në Tiranë “Shtëpinë me gjethe”. Atje çdo element lidhej me dashurinë, kurse këtu çdo element me dyshimin, krimin dhe vrasjen.
Si gazetar hyra në siklet kur u fundosa në dhomën e përdorimit të gazetave dhe artit si mjet i propagandës nga shteti për ideologjinë, ku madhërohej veçmas puna e sigurimit shtetëror. Aty shihej fuqia e keqpërdorimit të mediave dhe artit. Shumë pamje nga filmat e kohës mund t’i shikoje nga kabinat e errëta, kur dikur na dukeshin filma me moral socialist, e sot shiheshin si ana e errët e propagandës. Por gjithçka ka ndryshuar, edhe unë kam ndryshuar edhe ne kemi ndryshuar, po sikur “Shtëpia me gjethe”.
Shtrirja e rrjeteve kabllore të përgjimeve sikur tentatulet e marimangës së kuqe ngjallnin habi . Mini centralet postare të prodhuara nga inxhinierët shqiptarë me emrin “Valbona” dhe “Shkëndija”, kishin mundësi të përpunonin rreth 40 përgjues “Çimka” njëkohësisht, të shpërndara nëpër ambasada të huaja dhe hotele ku kishin qasje të huajt, etj.
Pak pa përfunduar vizita, shfaqej një dhomë tipike familjare e banimit të qytetarëve të zakonshëm , për të sjellë imazhin e kohës, ku në ballë ishte TV-ja e markës “Iliria” si dhe radioja “Mimoza”, kurse mbi to qëndronte fotoja e xhaxhit Lenin, kurse në një dollap radhiteshin domosdoshmërisht librat e Enver Hoxhës. Shpesh sigurimi kishte zgjatur fijet e tij edhe brenda familjes shqiptare duke e shkatërruar moralin e saj dhe duke e instrumentalizuar individin deri në tjetërsim.
Muzeu është hapur më 2017, nga një ndërtesë militante, ishte kthyer në objekt kulture. Në oborr nga pjesa e pasme të presin qindra foto të punëtorëve të sigurimit, të atyre që e kanë ndërgjegjjen e ngarkuar drejtpërdrejt për tmerrin që kanë instaluar dhe zbatuar mbi qytetarët. Gjithë jetë kishin punuar brenda tash fytyrat e tyre ekspozohehsin jashtë dhe merrnin gjykimin publik të çdo vizitori në heshtje. Në mes tabllove të tyre i ishte vendsour citati i shkrimtarit dhe përkthyesit Amir Kasaruho, ai dhe familja e të cilit kishin përjetuar përndjekjen: “…atëherë ndoshta nuk e kuptoja, por më vonë e kam menduar se paskan pasur një kurajo të pacipë këta njerëz që nuk kanë kërkuar falje”.
Pak para daljes nga oborri na shfaqet edhe tuneli nëntokësor sa për të na mbajtur ankthin e kësaj shtëpie edhe jashta saj. I tërë Muzeu dukej si një kërkim falje publike për të gjitha viktimat.
Dal nga Muzeu më i ri në Shqipëri dhe një nga më të veçantët, që bënë rinkosntruktimin e një kohe e cila nuk guxon të harrohet.
Përballë Muzeut “Shtëpia me gjethe”, ngritej Kisha Ortodokse “Ringjallja e Krishtit”, si shenja më e afërt simbolike e rrënimit të shtetit ateist. Në mes tyre kalonte rruga “Ibrahim Rugova”, një tjetër simbolikë e demokracisë. Të dy objektet vizavi njëra tjetrës sikur shënonin periudhën e katër, epokën e tranzicionit plural.
Derisa me vonesë mësoj se Muzeu “Shtëpia me gjethe” është zgjedhur nga Komiteti i Kulturës i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) në dhjetor të vitit të kaluar si “Muzeu më i mirë 2020”, më shkon ndër mend se sa pak kemi bërë ne në Kosovë për ruajtur kujtesën kolektive. Gjithë ai fat tragjik i shqiptarëve të Kosovës ndër vite prej kohës së Muhaxherisë, kolonizimit serb, masakrës së Tivarit, Aksionit të armëve, shpërnguljeve për Turqi e deri tek diferencimet dhe burgosjet masive dhe dëbimi biblik gjatë luftës dhe asnjë objekt i denjë muzeal.
Në anën tjetër, pikërisht në hapësirat e Muzeut “Shtëpia me gjethe”, ditë më parë ishte dhënë shfaqja “Çimka”, një krijim unik, bashkëproduksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, të Tiranës dhe Qendrës për Art dhe komunitet- Artpolis, Prishtinë, me autor Shpëtim Selmani dhe në regjinë e Zana Hoxha, e cila synon t’i gjejë pikat e fateve të përbashkëta të qytetarit shqiptar nën regjimet totalitare, andej dhe këndej kufirit. Kësi lloj projektesh të përbashkëta duhet të zgjerohen edhe në fusha të tjera.
Shënimet flasin se Muzeu “Shtëpia me gjethe”, po vizitohej nga shumë grupe shkollarësh, qytetarësh si dhe nga vizitorë ndërkombëtarë. Nuk e di nga politikanët shqiptarë sa është vizituar, por çdonjeri prej tyre duhet të shkon dhe të shoh si mund të deformohet shërbimi i shtetit i cili është i thirrur me emrin inteligjent, “shërbimi i inteligjencës”, kur ai i shërben interesave ideologjike dhe partiake..
Nuk kam dëgjuar dhe as lexuar shumë rrëfime se si e kanë pritur dhe përjetuar të mbijetuarit këtë Muze, por mbase shumëçka nuk është ndriçuar në këtë fazë, por besoj se Muzeu mund të pasurohet me dëshmi të reja, por edhe me shkëmbime dokumentacionesh nga institucione tjera që mbulojnë fushën e sigurisë, sepse ndriçimi dhe ndëshkimi i krimeve, jo vetëm komuniste është obligim për gjeneratat. / KultPlus.com
Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka reaguar përmes një statusi në facebook pasi u konfirmua se Sunny Hill Festival do të mbahet edhe në Prishtinë.
Sunny Hill Festival do të mbahet në Prishtinë në datat 4, 5, 6 dhe 7 gusht, kurse në Tiranë në datat 26, 27 dhe 28 gusht.
Veliaj është shprehur shumë i lumtur duke e cilësuar si një super lajm për të gjithë.
‘Sunny Hill Festival – Edhe në Prishtinë, edhe në Tiranë! A jeni gati për një super verë elektrizuese në të dyja kryeqytetet shqiptare? Jam shumë i lumtur që edicioni special i këtij viti i “Sunny Hill Festival”, do të mbahet në Prishtinë në datat 4, 5, 6 dhe 7 gusht, kurse në Tiranë në datat 26, 27 dhe 28 gusht. Një super lajm për të gjithë! BASHKË!’, shkruan Veliaj. / KultPlus.com
Violinisti i famshëm shqiptar Tedi Papavrami rikthehet në skenën e kryeqytetit, në datën 19 qershor për një koncert recital me violinë dhe piano. Pjesa e tretë dhe e fundit e sonatave për violinë dhe piano të Beethoven vjen interpretuar nga Papavrami dhe François-Frédéric Guy.
Vlorent Xhafaj drejtor artistik i festivalit “Different Trains” bën me dije se këtë mbrëmje programi përmban vepra nga Ludwig van Beethoven, për të mbyllur ciklin e plotë të sonatave të autorit të madh gjerman.
“Koncerti është mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe Ambasada Franceze dhe mbahet në kuadër të hapjes së festivalit muzikor “Different Trains” në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, datë 19 qershor, ora 20.00”, shprehet ai në njoftimin për festivalin.
Biletat gjenden në www.myticket.al. Festivali “Different Trains” është një prej aktiveve muzikore që zhvillohet në vendin tonë prej disa vitesh, ku në skenë janë ngjitur artistë të njohur të huaj dhe shqiptarë.
Tedi Papavrami në vitin 1985 fiton konkursin “Rodolfo Lipitzer” në Gorizia, në 1986 fiton me unanimitet çmimin e parë të Konservatorit të Parisit, në vitin 1987 merr diplomën e Konservatorit të Losanës. Më pas ndjek studimet muzikore nën drejtimin e Zino Francescati e Viktori Mullova. Në vitin 1992 vlerësohet nga Sacem me çmimin “George Enescu” dhe në 1993 fiton çmimin e parë dhe çmimin special të publikut në konkursin ndërkombëtar “Sarasate “ në Pamplona. Ai ka interpretuar në Evropë, Afrikën e Jugut, Turqi, Japoni, Izrael, me orkestra të njohura si Orchestra di Bologna, Bamberger Symphoniker,etj. Ka interpretuar nën drejtimin e dirigjentëve të njohur si K. Sanderling, C. Hogwood, A. Pappano, L. Langree, G. Varga, Z. Macal, J.C. Casadesus, etj. Në stinët 2000-2001 ka interpretuar me Orchestre Philarmonique de Nice, Orquesta Sinfonica de Galica, Orchestre Philarmonique de Liege, etj, si dhe ka zhvilluar disa turne në Japoni me “24 capricci” të Paganinit dhe është ndër të paktët violinistë që interpreton integrale. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com
“Muza Competition”, konkursi që bashkon tradicionalen dhe modernen dedikuar të rinjve në fushën e modës, një projekt i organizuar nga Unioni i Bashkive Shqiptare në Rajon, në kuadër të Tiranës si Kryeqyteti Europian i të Rinjve 2022, u përmbyll mbrëmë me fituesen e këtij edicioni.
Fituesja e vendit të parë të “Muse Competition” nga të gjitha trevat e Shqipërisë, si dizenjatorja më e mirë për këtë edicion është Anisa Dudaj. Kreu i Bashkisë Erion Veliaj, i cili dha trofeun për fituesen e çmimit të parë, u shpreh se aktivitete të tilla, që bashkojnë, i shërbejnë më së miri në këtë moment kombit tonë.
“Nuk ka nevojë të shkojmë jashtë për të vlerësuar veten, nuk ka nevojë të vijnë të huajt këtu për të na vlerësuar ata. Më në fund kemi një super aktivitet, që shpresoj do të vazhdojë çdo vit, me një super juri, por mbi të gjitha me super çuna dhe goca të talentuar, nga Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Kosova. Jam shumë krenar për ju të gjithë! Kohët e fundit ne, politikanët, e kemi prishur pak, mundohemi të gjejmë sebepe për cic-mice, për sherret e vogla për tre vota këtu, për pesë vota atje. Kur një aktivitet ndodh në Tiranë, nuk ndodh në Moskë, ndodh në Tiranë. Doku Fest ndodh në Prizren, nuk po ndodh në një qytet rus, po ndodh në një tjetër qytet shqiptar. Ndaj, le t’i lëmë mënjanë çudirat që kemi parë këto kohë, dhe të kuptojmë se ka më shumë gjëra që na bashkojnë, se ato që na ndajnë. Orët që po jetojmë, janë orët më të mira për shqiptarët,” u shpreh Veliaj.
Konkursi u dedikohej të rinjve nga mosha 18-35 vjeç nga gjithë qytetet shqipfolëse të rajonit të Ballkanit Perëndimor, me qëllim nxitjen e punësimit në ekonomitë krijuese, nxitjen e krijimit të bizneseve start-up në këtë fushë dhe zgjerimin e bizneseve. Juria e përbërë nga disa figura të njohura të fushës së fashion dhe dizajn-it si Fadil Berisha, Aferdita Onuzi, Emina Çunmulaj, Valdrin Sahiti, Enada At’Nikolla dhe Helidon Haliti përzgjodhën aplikantët më të mirë përgjatë tre fazave të konkursit./tvklan.al / KultPlus.com
Festivali “Sunny Hill” nuk do të mbahet sivjet në Prishtinë. Ky festival që organizohet nga këngëtarja Dua Lipa dhe babai i saj, Dukagjin Lipa, është zhvendosur në Tiranë. Hapësira ku do të mbahet festivali është parku buzë liqenit artificial të Tiranës.
Dukagjin Lipa, një prej organizatorëve të festivalit “Sunny Hill” njoftoi dje se festivali s’do të mbahet sivjet në Prishtinë.
Ai tha se shkaku i zvarritjes së procedurave nga ana e Qeverisë për tokën që komuna u ndau, kanë marrë vendim që ta mbajnë festivalin në Tiranë.
Të menjëhershme ishin reagimet e Kryetarit të Tiranës, Erion Veliajt dhe Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës.
Veliaj publikoi në InstaStory njoftimin e festivalit, derisa Rama reagoi i ekzaltuar për këtë lajm.
“LAJM I MIRË. Festivali “Sunny Hill” vjen në Tiranë, ku në javën e parë të gushtit Dua Lipa dhe të ftuarit e saj do të ndriçojnë netët e kryeqytetit me shkëlqimin e tyre. S’ka si Tirona jo”, shkroi Rama.
Tashmë është zbuluar edhe lokacioni ku do të mbahet festivali.
Shpat Begolli, anëtar i ekipit organizativ ka zbuluar se festivali do të mbahet në parkun buzë liqenit artificial të Tiranës.
Ai tha se Bashkia e Tiranës është zotuar se do t’i bëjë të gjitha adaptimet që festivali të mbahet aty.
“Është park, mirëpo atje është shumë më i madh sesa Gërmia. Si është kryer edicioni i vitit 2019, ne kemi kërkuar hapësirë të përshtatshme sepse festivali po rritej. Po të mbahej sot, Gërmia nuk do të na zinte”, është shprehur Begolli.
Begolli ka thënë thënë se gjithmonë kanë pasur ftesë nga Tirana që festivali të mbahej atje, por që ka thënë se zgjedhje e tyre ishte Prishtina.
Ndër të tjera, Begolli ka treguar se ata që kanë blerë biletat mund t’i kthejnë ato dhe t’i tërheqin paratë por që ata që vendosin të shkojnë në Tiranë nga Prishtina do të kenë lehtësira si, mbulimi i transportit.
Ndryshe, Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal ka dalë me një komunikatë lidhur me zhvendosjen e Festivalit Sunny Hill nga Prishtina në Tiranë. Vonesat nga kjo ministri u konsideruan si arsyeja kryesore e largimit të festivalit këtë vit, teksa komuna ka thënë se e ka bërë të pamundurën që të mos e humbasë organizimin.
MAPL në reagim thotë se ka kërkuar dokumente shtesë dhe sqarime për dhënien afatgjatë të pronës komunale në shfrytëzim.
“Sqarim lidhur me procesin e vlerësimit të vendimit lidhur me dhënien në shfrytëzim të pronës komunale “The Sunny Hill”. Lidhur me dhënien e pronës komunale në shfrytëzim sqarojmë se, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal nga momenti i parë ka trajtuar me kujdes maksimal Vendimin e Komunës së Prishtinës për dhënien afatgjatë të pronës komunale në shfrytëzim. Po ashtu njoftojmë opinionin publik se MAPL nuk e anuluar apo rikthyer në rishqyrtim këtë vendim, por ka kërkuar sqarim dhe dokumente shtesë të cilat mungojnë”, thuhet në reagim.
Tutje MAPL tregon pse ka kërkuar sqarime shtesë nga komuna:
“Nisur nga fakti se institucionet lokale janë konstatuar me vonesë për shkak të procesit zgjedhor, MAPL në fillim të këtij viti ju ka mundësuar të gjitha komunave, përfshirë këtu edhe Prishtinën, shpalljen e listës së pronave që do të jepnin në shfrytëzim deri me 31 mars 2022. Në anën tjetër, vendimi për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale për “The Sunny Hill”, me procedurat e negocimit të Kryetarit të Komunës, është aprovuar nga Kuvendi i Komunës së Prishtinës me 10.05.2022, ndërsa për shqyrtim të ligjshmërisë në Ministri është pranuar me datë 16.05.2022.
Ani pse lënda nuk ka qenë e kompletuar, duke vlerësuar edhe rëndësinë e një veprimtarie të tillë, MAPL në përputhje me kompetencat sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale për shqyrtimin administrativ të akteve të komunave ka kërkuar sqarime shtesë në lidhje me vendimin e Komunës së Prishtinës me theks të veçantë për kohëzgjatjen e dhënies në shfrytëzim dhe pjesën e parcelës prej 17 hektarësh, sa ishte kërkuar në shfrytëzim, një pjesë e së cilës ka statusin e tokës bujqësore. Përveç kësaj lënda kishte disa dokumente esenciale që mungonin në aplikacion për të cilat kërkuam po ashtu sqarime shtesë:
a) Projekti i paraqitur nga investitori dhe plani dinamik i realizimit të investimit;
b) qarkullimin bankar për vitin paraprak, ashtu siç është paraparë me nenin 23 të Rregullores (qrk) nr. 09/2020 për përcaktimin e procedurave të dhënies në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës.
Duam po ashtu të theksojmë se për këtë akt dhe mënyrën e dhënies së pronës në shfrytëzim për 99 vite ne kemi pranuar reagime edhe nga organizata të shoqërisë civile të cilat kanë tërhequr vërejtjen pikërisht për mënyrën se si ishte proceduar me këtë proces. Megjithatë ne kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi të përkushtuar të trajtojmë me interes dhe seriozitet aktin në fjalë. Aktualisht Ministria jonë është në pritje të përgjigjes në pyetjet që i kemi dërguar Kryetarit të Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama.
Duke e ditur rëndësinë e cilitdo investim madhor dhe nevojës për projekte serioze dhe gjithnjë përmes procedurave siç parashohin ligjet dhe rregulloret, por edhe në përputhje me interesin dhe mënyrën e shfrytëzimit të pronës publike ju njoftojmë se jemi në proces të shqyrtimit të këtij akti dhe se nuk bëhet fjalë për anulim nga ana e ministrisë.”/Gazeta Express / KultPlus.com
Më 10 qershor vjen premierë botërore në Tiranë koncerti për violinë i kompozitorit të njohur Aleksandër Peçi.
Premiera e veprës për violin “Love” vjen nën interpretimin e virtuozit 25-vjeçar, i famshëm në botë, Elvin Hoxha Ganiyev, shoqërua nga orchestra e RTSH-së me dirigjentin e famshëm turk, Murat Cem Orhan, ndërsa Drejtor Artistik është Aristidh Prosi.
Vetë kompozitori i emocionuar në pritje të premierës shpjegoi se vepra përmban një teknikë kompozicionale që për herë të parë përdoret në muzikë, me një superpozicion apo mbivendosje të temës mbi strukturën.
Peçi tregon se tema dhe motivi janë material bazë e klasicizmit, ndërsa struktura është materia bazë e strukturalizmit në muzikën bashkëkohore.
“Një teknikë e re, një gjetje e re e origjinale e cila vjen për herë të parë, që askund se kam parë me kaq sa e njoh unë muzikën bashkëkohore për të sjellë një filozofi dhe estetikë ndryshe”, u shpreh Peçi, duke shtuar ai është pikërisht kjo që ai kërkon, të “shkëmbejë unazat” midis klasicizmit dhe strukturalizmit.
Pas 4 veprave të shfaqura premierë në Vjenë mars-prillin e këtij viti, në 10 qershor pritet të shfaqet premiera botërore e dy veprave të kompozitorit të njohur, Aleksandër Peçi: koncerti për violin “Love” dhe vepra për orkestër “Diellore”.
Kompozitori është autori më i ekzekutuar jashtë Shqipërisë në këto 30 vite, me çmime te shumta. Si themelues i “Pianodrom” me 106 produksione për 9 vjet dhe një nga themeluesit e shoqatës “New Music”, është promotor i zhvillimeve moderne në kompozicionin shqiptar./atsh/ KultPlus.com
Fëmijët tregojnë me sytë e tyre Tiranën e së ardhmes.
Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi së bashku me nënkryetaren e bashkisë Tiranë, Anisa Ruseti, me rastin e festës së 1 Qershorit kaluan sot një paradite shumë të këndshme me fëmijët e Njësisë Administrative Nr. 11.
Muzhaqi falënderoi të gjithë vogëlushët për punimet e tyre dhe përgëzoi edukatoret e mësueset për punën e palodhur që bëjnë çdo ditë si dhe prindërit e gjyshërit që ndihmuan fëmijët në krijimin e projekteve.
“Faleminderit të gjithë vogëlushëve për punimet e tyre dhe përgëzime edukatoreve e mësuesve për punën e palodhur që bëjnë çdo ditë! Sigurisht, falënderimet shkojnë dhe për të gjithë prindërit e gjyshërit që ndihmuan fëmijët në krijimin e projekteve dhe që dita ditës po rrisin ato që për ne janë e ardhmja e Shqipërisë”, u shpreh Muzhaqi në një postim në rrjetet sociale.
Sot në mbarë botën festohet 1 Qershori. Kjo ditë jo vetëm festohet, por kjo ditë njihet për sensibilizimin për t’i thënë jo dhunës, bullizmit dhe abuzimeve të tjera ndaj fëmijëve. / atsh / KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ftoi sot qytetarët të marrin pjesë në eventet për Javën e Eropës 2022 nga datat 3-12 maj.
Margariti u shpreh se eventet do të organizohen më 3 Maj në Shkodër tek Pedonalja, më 5 Maj në Vlorë tek Lungomare, më 9 Maj në Tiranë tek Pedonalja.
“Të takohemi për të festuar trashëgiminë tonë të pasur kulturore dhe vlerat e përbashkëta Evropiane”, theksoi Margariti, e cila nënvizoi se në këto evente janë përgatitur edhe disa aktivitete simpatikë për fëmijët.
“Java e Evropës2022 është pothuaj këtu! Ju presim të na bashkoheni më: 3 Maj në Shkodër tek Pedonalja; 5 Maj në Vlorë tek Lungomare; 9 Maj në Tiranë tek Pedonalja. Le të takohemi për të festuar trashëgiminë tonë të pasur kulturore dhe vlerat e përbashkëta Evropiane. Ejani së bashku me më të vegjlit, kemi përgatitur disa aktivitete simpatike për ta”, theksoi Margariti në një postim. /atsh/ KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Teatri Kombëtar do të ndërtohet ashtu siç është projektuar dhe siç jemi zotuar.
Deklarata e kryeministrit u bë gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me ministren e Kulturës, Elva Margariti për nisjen e Javëve Kulturore Ndërkombëtare.
“Për fat të keq u bënë tani 3 vite që bëjmë plane dhe kemi projekte për të realizuar, ndërkohë vendi përballet me ndërhyrje masivisht të forta faktorësh, jashtë nesh, fatkeqësisht të mëdhenj, si tërmeti, pandemia apo lufta që ka nisur në Ukrainë, e cila faktikisht ka goditur shumë në aspektin e rritjes së çmimeve në tërësi dhe rritjes së çmimeve të materialeve të ndërtimit në veçanti”, tha Rama.
Kryeministri bëri të ditur se është duke u diskutuar për të ndryshuar manualin teknik të çmimeve të punimeve të ndërtimit pasi kompanitë nuk shohin interes për të marrë pjesë në garat për investime publike.
“Jemi duke diskutuar pikërisht këtë fakt që ka pasur një ndikim jo të vogël në industrinë e ndërtimit. Nuk ka asnjë ndryshim sa i përket projektit të Teatrit dhe se i gjithë problemi qëndron te ky moment i vështirë i kalimit nga letra në realitetin e zbatimit për shkak të rritjes së çmimeve dhe jemi duke rishikuar manualin që kemi për këtë qëllim, sepse është e kotë që me manualin ekzistues tu kërkosh kompanive të marrin pjesë nëpër gara, apo që të mund të zhvillojnë investime në funksion të interesit publik, të cilat janë de fakto shumë më të shtrenja se sa figurojnë në manualin e vjetër. Po merremi me këtë çështje dhe besoj do të gjejmë në zgjidhje. Dhe Teatri Kombëtar do të ndërtohet ashtu siç është projektuar dhe siç jemi zotuar. Por si e kam thënë edhe herë të tjera, jo të gjitha planet mund të zbatohen sipas afateve të parashikuara, kur midis teje dhe afateve futen ngjarje që as mund të parashikohet as mund të evitohet”, deklaroi Rama. /atsh / KultPlus.com