Sheshi “Skënderbej” në Tiranë në finalen e Çmimit të BE për Arkitekturën Bashkëkohore

Sheshi “Skënderbej” do të marrë pjesë në një tjetër kompeticion, në finalen e madhe të Çmimit më prestigjioz të arkitekturës – Çmimi i Bashkimit Europian për Arkitekturën Bashkëkohore.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një postim në twitter, transmeton oranews.

“E paimagjinueshme deri shumë pak kohë më parë! Sheshi Skënderbej në finalen e madhe të Çmimit më prestigjioz të arkitekturës – Çmimi i Bashkimit Europian për Arkitekturën Bashkëkohore që mban emrin e legjendarit Mies Van Der Rohe. #QentëLeTëLehin vazhdimi dihet”, shkruan Rama në twitter. /KultPlus.com

Rafet Rudi në Tiranë jep premierën e koncertit “Cresendo Musicale”

I njohur për punën e tij si krijues në kompozicion, por edhe me korin e filarmonisë së Kosovës, mjeshtri Rafet Rudi vjen me koncertin premierë “Cresendo Musicale”.

Muzika shpirtërore, që mbledh kompozitorë shqiptarë e të huaj, që nga koha e bizantit e deri në ditët e sotme, kësaj here bën bashkë 45 artistë të Teatrit të Operas & Baletit (TKOB) të Shqipërisë, kalendari artistik i të cilit vijon me premiera radhazi.

“Muzikë që ndoshta më pak kultivohet këtu. Pjesa e parë e programit është ‘acapella’, me muzikë të mjeshtrave të vjetër, kurse në pjesë të dytë do të jetë ‘Mesha’ e Moxartit”, u shpreh kompozitori Rudi, raporton Tch.

Në pjesën e parë trupa e korit të TKOB interpretojnë “acapella” e më pas programi vijon me orkestrën e dhe solistët e vokalit.

“Tek ne kultivohet këndimi ‘acapella’, në mungesë natyrisht të Operas dhe kanë qenë të interesuar pikërisht, që këtë lloj muzike ne ta prezantojmë. Dhe programi që është bërë ka qenë nën një akordim të përbashkët, pikërisht për shkak që në kemi një përvojë më të madhe në këndimin ‘acapella’”, tha Rudi. /KultPlus.com

Shtëpia e Ismail Kadaresë kthehet në muze, Veliaj: Do të jetë epiqendër për turistët

Shkrimtari Ismail Kadare feston sot 83-vjetorin e lindjes. Por, ky përvjetor vjen ndryshe për njeriun e madh të letrave shqipe, shtëpia e të cilit shumë shpejt do të jetë një muze për t’u vizituar nga qytetarët e Tiranës dhe turistët që vizitojnë kryeqytetin.

Pas vendimit të Këshillit Bashkiak, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me arkitekten e njohur Elisabetta Terragni, kanë nisur pa humbur kohë punën për kthimin në muze të shtëpisë së shkrimtarit të madh shqiptar në Rrugën e Dibrës, e cila në të ardhmen do të jetë një destinacion turistik jo vetëm për të pasionuarit pas veprave të Kadaresë. Kryebashkiaku Erion Veliaj e cilësoi këtë nismë një eksperiencë krejt të veçantë.

“Jam shumë i lumtur që me rastin e ditëlindjes së të madhit Ismail Kadare kemi nisur punën në atë që nuk është vetëm një shtëpi muze, por është një eksperiencë në zemër të Tiranës, në një pallat i cili mbart shumë histori; një pallat që çoi Maks Velon për vite të tëra në burg, një pallat ku me Kadarenë ka qenë komshi edhe shkrimtari Dritëro Agolli. Ai është ndoshta emri më i njohur ndërkombëtarisht nga ne shqiptarët dhe besoj se për shumë turistë që vijnë në Tiranë, të cilët vizitojnë “Bunkerin”, “Shtëpinë e Gjetheve”, do të kenë një tjetër stacion fantastik këtu në shtëpinë e Ismail Kadaresë. E falënderoj atë dhe Helenën, që bashkëpunuan me Bashkinë e Tiranës për ta rikonceptuar, për ta kaluar këtë shtëpi në pronë të Bashkisë së Tiranës, teksa bashkia po eksploron se si do të marrë një rol aktiv edhe në muzetë e qytetit, dhe mbi të gjitha t’i uroj atij jetë të gjatë, shëndet dhe gëzuar ditëlindjen”, tha Veliaj.

Arkitektja e njohur italiane, Elisabetta Terragni, e cilësoi këtë projekt tepër të rëndësishëm për gjeneratën e re, por gjithashtu edhe për Shqipërinë.

“Ky është një vend për të festuar letërsinë dhe një mënyrë për të parë brenda botës së shkrimtarit Ismail Kadare, për të kuptuar kohën kur ai punonte në Shqipëri. Puna për ngritjen e kësaj hapësire është e bazuar tek ndihma e madhe që ka dhënë ai dhe Helena, por edhe nga gërmimet e thelluara për dokumentet dhe jetën e tij. Njerëzit mund të vijnë këtu e të mësojnë me shumë rreth tij, të studiojnë me shumë rreth tij, e në të njëjtën kohë të bëjnë studime të thelluara mbi mënyrën se si jetohej në Tiranë në atë kohë dhe në ato kushte. Mendoj se kjo do të jetë e rëndësishme për gjeneratën e re, për fëmijët, por gjithashtu për Shqipërinë dhe të huajt që vizitojnë Shqipërinë”, tha Elisabetta Terragni./Tiranapost.al/ KultPlus.com

Shkrimtarët debatojnë midis tyre për krizën e librit

Lexuesit po i largohen gjithnjë e më shumë librit. Kështu po ndodh në Shqipëri, por si gjithmonë këtu “tërmeti” është më i fortë.

Përse kemi ardhur në këtë situatë?

Kjo pyetje u bë objekt i diskutimit gjatë Panairit të Librit, i një konferencë me temë “Shkrimtari, tregu dhe komunikimi”, ku folën emra si Mehmet Kraja, Mimoza Ahmeti, Vera Bekteshi, Alfred Peza, Belina Budini, Eir Plasari, Genciana Abazi-Egro, Ben Andoni etj, njofton “Shqip”.

Prej vitesh, botuesit kanë dhënë alarmin për uljen e lexueshmërisë. Ajo që spikaste në këtë panair bën përshtypje te të gjithë, që pjesa më e madhe e botuesve promovojnë autorët e huaj dhe kjo është diçka normale për tregun ku gjithsecili kërkon të shkojë. Kohët e fundit libri është vënë re që më shumë komunikohet, por duhet gjetur një mënyrë se si libri dhe shkrimtari të shkojnë më shpejt pranë lexuesit.

Pjesë e këtij diskutimi ishte prof. asoc. dr. Genciana Abazi-Egro, e cila tregoi se, “në ditët e sotme duhet të diskutohet më shumë se si ta përfshijmë komunikimin digjital në komunikimin e letërsisë”.

Sipas shkrimtares së njohur dhe autores së një serie botimesh Mimoza Ahmetit, një nga fenomenet e tranzicionit është që mediat sidomos pas vitit ’97 lanë shumë pak vend për letërsinë. Sipas saj, “arsye të tjera përveç politizimit të mediave janë të shumta, futja e letërsisë së huaj, e cila është e pashmangshme në sferën e globalizmit, tituj dhe emra për të cilët mungon kritika, por në mënyrë komerciale kanë gjetur rrugët e tyre për të arritur te lexuesi”.

Gazetari i njohur dhe shkrimtari Alfred Peza shprehet se, “ka ardhur koha të digjitalizohet i gjithë sistemi i letërsisë”.

Sipas gazetarit dhe përkthyesit të njohur Ben Andonit, primare mbetet pika A nga nis transmetimi dhe pika B që është lexuesi. Sipas Andonit, “lexuesi reagon ndjeshëm për faktin që botuesit shqiptarë në këtë përçarje të madhe nuk kanë arritur të gjejnë gjuhën e përbashkët për të bashkuar shqiptarët e Malit të Zi, Maqedonisë, Kosovës kryesisht dhe Shqipërisë për të krijuar një treg unik të paktën për leximin”.

Vajza e dy personazheve të njohur në letrat shqipe poetes Mimoza Ahmeti dhe studiuesit Aurel Plasari, Eir Plasari ishte po ashtu pjesë e diskutimit mbi digjitalizimin, letrat dhe letërsinë shqipe. Ajo shprehet se, “nuk ka lexues sepse s’ka transmetim të mirë të kulturës”.

Shkrimtari i njohur Mehmet Kraja tregoi qartë mënyrën kushtëzuese të gjuhës kosovare për t’u përfshirë në Letërsinë shqipe. Ai shprehet se, “pengesat janë të natyrave të ndryshme por ajo që i pengon procesin e integrimit të autorëve të Kosovës në letërsinë shqipe, është pak më komplekse dhe nuk mund të thjeshtëzohet vetëm te gjuha”.

Shkrimtarja e njohur Vera Bekteshi shprehet në mënyrë figurative se koha e sotme është e bukur dhe plot ngjyra… Sipas saj, “libri më kujton periudhën universitare që është periudha më e lumtur e çdo njeriu, me ëndrrat, me moshën, ku në degët si ato të artit dhe ato të shkencave si fizika e matematika, te letërsia sigurisht që kanë pasur të bëjnë me idhuj botërorë, pa dashur studentët fillojnë të identifikojnë veten e tyre”. /KultPlus.com

Të mërkurën hapet Panairi i Librit në Tiranë

Panairi i 21-të i Librit “Tirana 2018” çel siparin e aktiviteteve të mërkurën, më datë 14 nëntor, me ceremoninë e hapjes së këtij edicioni.

Menjëherë më pas, do të vizitohen pavijonet e Panairit të Librit. Shoqata e botuesve shqiptarë ka bërë publik edhe kalendarin e aktiviteteve që do të zhvillohen përgjatë pesë ditëve (14-18 nëntor) të Panairit të Librit.

Çdo ditë është e mbushur me aktivitete në stendat e Shtëpive Botuese, ku vihet re një vëmendje kushtuar librit për fëmijë dhe vogëlushëve.

Një ditë më pas, të enjten, 15 nëntor, Shoqata e Botuesve Shqiptarë do të organizojë konferencën “Sfidat e leximit sot! Çfarë lexojnë të rinjtë në Shqipëri?”, në një panel diskutimi me botues, shkrimtarë, përfaqësues të institucioneve të kulturës dhe arsimit, mësues, punonjës të bibliotekave, përkthyes etj., për të shkëmbyer mendime rreth promovimit të leximit dhe edukimit të lexuesve, fëmijë dhe të rinj.

Diskutojnë botuesi Petrit Ymeri për “Sa lexojnë të rinjtë? Motivet për lexim dhe moslexim! Përgjegjësia e botuesit për të sjellë letërsinë më të mirë për fëmijë shqip”, për të vijuar me shkrimtaren Ledia Nushi, e cila do të referojë rreth letërsisë origjinale midis të vërtetave, mesazheve edukuese dhe forcës emocionuese.

Mimoza Hysa, Piro Misha, Luiza Mustafaj, Adriatike Lami, Rezarta Reso, e Agim Dostani janë emrat e tjerë të cilët do të referojnë lidhur me sfidat e leximit sot.
Ndërkohë më pas do të ketë aktivitete të ndryshme prezantuese dhe dskutime me shkrimtarë e përkthyes, veprat e të cilëve do të jenë pjesë e panairit, ndërsa të shtunën më datë 17 Nëntor, ora 12:00, do të organizohet edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve të Panairit të Librit “Tirana 2018”./ KultPlus.com

Rrëfimi i dy motrave për të marrë një ilaç në Tiranë

Këto dy motra të varfra kishin ecur 40 kilometra nga një fshat malor për të arritur në Tiranë.

Vajza në të majtë vuante nga një infeksion të rëndë në sy dhe, për të shpëtuar nga verbimi i plotë, kishte nevojë për një ilaç që shpërndahej nga farmacia e Kryqit të Kuq Amerikan në Tiranë.

Motrat kishin sjellë me vete dy pula dhe gjashtë vezë për t’ia dhënë mjekut amerikan. Kur iu tha se ilaçi ishte falas, ato refuzuan dhe nuk donin të largoheshin pa lënë pulat dhe vezët që kishin sjellë. Kjo fotografi është realizuar në vitin 1920. Spikat në fytyrat e tyre kureshtja dhe trishtimi i rrugës së gjatë./ KultPlus.com

Kullat e reja që do të ngrihen në Tiranë

Një kompleks i ri me banesa, dyqane dhe zyra luksozë është projektuar të ndërtohet në rrugën e Durrësit.

Godina e cila është emërtuar “Greenside out” është projektuar nga studio Holandezë JA për llogari të kompanisë shqiptare të ndërtimit Eurocol.

Sipas të dhënave të projektit objekti do të shtrihet në një sipërfaqe 9600 metra katror kur 3000 metra do të përdoren për parking.

Godina shtrihet në katër objekte shumëkatëshe të cilat lidhen me njëra- tjetrën në katet e poshtme, duke krijuar një hapësirë në forma rrethore brenda tyre.

Në përfundim të saj ajo do të ketë funksion të miksuar me dyqane, banesa dhe zyra luksoze.

Objekti do të ndërtohet në Rrugën e Durrësit, aksi hyrës në kryeqytet në afërsi të qendrës së Kryeqytetit, Sheshit Skënderbe. Godina do të ndërtohet me një sistem të posaçëm të filtrimit të ujit dhe të ajrit përmes fasadave të gjelbëruara.

Tirana, kantier kullash

Tirana është shndërruar së fundmi në një kantier ndërtimi ku mbizotërojnë objektet e luksit në zonën e qendrës. Këto objekte brenda një kohë shkurtër do të rrisin ndjeshëm ofertat në treg për hapësira tregtimi, banesa luksi dhe zyra edhe pse kërkesa nuk po ecën më të njëjtat ritme.

Pritet të nisë puna për një ndërtesë shumëfuksnionale “Met Building Tirana“ që do të shërbejë si qendër tregtare me zyra dhe ambiente banimi luksi në qendër të Tiranës ndërmjet ish- Hotel Dajtit dhe Katedrales Katolike.

Pak javë më parë nisi nga ndërtimi një ndërtese e ngjashme ne zonën e Bllokut e cilësuar, “Kubi i Bllokut”, një projekt i arkitektit italian Boeri. Objekti për të cilin tashmë themelet janë hapur do të jetë multifunksional, me hapësira tregtare, bare dhe restorante zyra etj.

Por një seri objektesh luksi janë në proces ndërtimi. Pas disa kohësh pezullimi punimet kanë nisur për objektin 20 katësh në afërsi të qendrës përballë kishës ortodokse, e cilësuar Tirana Forever Green. Objekti tani një karabina zë një sipërfaqe prej më shumë se 12.400 m² dhe do të ketë 20 kate, në të cilat katër nëntokë. Kulla do të këtë 4 nivele parking nëntokësor, hapësira komerciale, dyqane, 7 nivele zyra, 8 nivele banimi dhe një hotel super luksoz me një investim 25 milionë euro.

Gjithashtu kompania Edil Al ka nisur përgatitjet për ndërtimin e “Syrit të Tiranës”. “Eyes of Tirana” është projektuar si një ndërtesë e madhe, 26 kate e lartë. Të dhënat nga projekti bëjnë me dije se propozimi përbëhet nga tre pjesë të godinës që do të përmbajnë apartamente, zyra dhe dyqane që arrijnë në total në 55.444 m². Punimet për ndërtimin e kullës pritet të nisin këtë vit.

Punimet kanë nisur edhe për projektit më të madh deri më tani Down Town Albania, tek ish parku i lodrave për fëmijë “7 xhuxhat”, një kullë me 40 kate me funksione të ndryshme të ndara sipas kateve ku 2912 m2 të kateve të para do shërbejnë si hapësira komerciale, një investim 100% i grupit Kastrati, pas tërheqjes pak muaj më parë të grupit Balfin. Ne katet që vijojnë do të jenë të lokalizuara ambientet e zyrave me një sipërfaqe prej 21840 m2. Ne katet e sipërme për të ofruar pamjet më të mira nga lartësia e kullës janë pozicionuar banimet me një sipërfaqe rreth 26208 m2.

Mentor Haziri me koncert recital në Tiranë

Solisti i ish-grupit ‘Kthjellu’, Mentor Haziri, më 28 tetor sjellë koncertin solo në Tiranë, shkruan KultPlus.

Me hitet më të dashura të cilat kanë lënë gjurmë në muzikën shqiptare, Haziri, do të paraqitet në skenën e Qendrës Kulturore – Katedralja Ortodokse në Tiranë, me fillim nga ora 20:00.

Lajmin për koncertin me titull “Shtigje Tingujsh”, e ka bërë të ditur edhe i pari i Tiranës, Erion Veliaj.

“Mentor Haziri me “Shtigje Tingujsh”
Një nga zërat më brilant të muzikës, do të vijë me koncertin e tij për të risjellë hitet më të mira dhe më te dashura, të cilat kanë triumfuar e kanë lënë gjurmë, në të gjitha skenat e spektakleve shqiptare. Mos mungo në datën 28 Tetor, ora 20:00, te Qendra Kulturore, Katedralja Ortodokse”, ka shkruar kryetari Veliaj./ KultPlus.com

‘Balkan Film Market’ sjellë në Tiranë personalitetet më të rëndësishme të filmit në Europë

Qendra Kombëtare e Kinematografisë ju fton të merrni pjesë në “Balkan Film Market 2018” i cili do të zhvillohet në datat 3-7 tetor, në Tiranë.

Me mbështetjen e Qendrës Kombëtare e Kinematografisë, BFM 2018 mbledh profesionistë të sektorit audiovizual nga Evropa dhe vendet e Ballkanit për të ndarë experiencën dhe krijuar bashkëpunime në rajonin tonë të pasur me mundësi të pashfrytëzuara ende.

BFM 2018 është konceptuar si një event unik me tre elementë kryesorë të integruar; edukim, zhvillim dhe bashkëpunim me një qëllim të qartë rritjen e bashkëprodhimit dhe distribucionit kinematografik jo vetëm në Shqipëri por dhe në rajon.

Eventi kryesor PITCH BALKAN do të zhvillohet me datë 5 tetor. Për tu shënuar në BFM 2018 marrin pjesë disa nga personalitetet më të
rëndësishme të filmit në Europë, si Andras Muhi – Oscar nomination 2018 apo Andrea Magnani David di Donatello nomination 2018 por edhe kompani të mëdha si Wild Bunch, Fandango, Intramovies, Heretic apo Tempesta.

Nën patronazhin e EURIMAGES (Fondi i këshillit të Europës për Kinemanë Evropiane), në bashkëpunim me shumë institucione të filmit, sektorit audiovisual dhe kulturës në Shqipëri dhe Evropë, BFM 2018 do të sjellë në Tiranë:

 Institucionet kryesore të filmi dhe sektorit audiovizual në Ballkan dhe Evropë
 Producentët më aktivë në Ballkan
 Distributorët më aktivë që janë të interesuar për produkte ballkanike
 Alumni të Producers on the Move (EFP)
 Përfaqësues nga programet dhe workshopet më të rëndësishme të filmit në rajon dhe Evropë
 Organizatorë dhe përfaqësues të festivaleve të filmit më të rëndësishme në rajon

PROGRAMI:

Data 3 tetor:

Dita e Creative Europe dhe Media Program
Takimi Rajonal Ballkanik i Zyrave Media te Europës Krijuese që do të përfshijë 3 info session: Support to Film Development Scheme / Support to Film Festival Scheme / Support to Film Education and distribution Scheme
Balkan Film Market çelet me programet:
Albascript Plus (ed. 3) & Pitch Balkan (ed. 2) Mentorët do të fillojnë punën me aplikantët. Përkatësisht 15 projekte të gjatë dhe 5 të shkurtër në Albascript dhe 15 projekte te përzgjedhura në Pitch Balkan.
Special event – Crash course in Pitching ëith Agathe Berman

Data 4 tetor:

Asambleja e përgjithshme e SEE Cinema Netëork (event me dyer të mbyllura)16 projekte filmi artistik do të diskutohen. 8 do të fitojnë nga fondi për zhvillim.
Focus ITALY do të përmbledhë panelet e mëposhtme
Panel – CINEMA AND NATURE
“MaTerre” a film project by Matera2019, European Capital of Culture and Rete Cinema Basilicata
Panel – COPRODUCING ËITH ITALY
Panel – CHILDREN PROGRAMING
Event Kryesor: PITCH – ALBANIAN MINORITY CO-PRODUCTION Projektet që kanë aplikuar në QKK për skemën e Minority Co-production do të paraqesin projektet para bordit të QKK-së dhe gjithë pjesëmarrësve në BFM.

Data 5 tetor: Dita e PITCH BALKAN

Event Kryesor: 15 projektet e përzgjedhura do të prezantojnë projektet e tyre për gjithe producentët, distributorët dhe të tjerë pjesëmarrës.
Pasdite do të zhvillohen takimet individuale të producentëve me projektet për të cilët interesohen.

Data 6 tetor:

PANEL – Austria
Panel – A short talk about shorts.
BALKAN CO-PRODUCTION DAY me Roma Lazio Film Commission
Panel – BRIDGING THE SEA me Apulia Film Commission
Panel – 20/20 by 2020 Albania
BFM AWARD Ceremony: ANNOUNCEMENT
• BEST PITCH BALKAN
• MINORITY CO-PRODUCTIONS (QKK)
• SEE Cinema Network

Data 7 tetor: ALBASCRIPT PLUS – Mbyllja

Shfaqja e HOLY BOOM me regji të Maria Lafi – bashkëprodhim greko-shqiptar, I mbështetur nga fondit për minority co-production 2017. / KultPlus.com

Gresa Pallaska dhe Shkëlzen Veseli vlerësohen me çmim në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrove

Mbrëmjen e kësaj të diele u ndanë çmimet e Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrove. Drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli, i shprehu dëshirën ministres së Kulturës, e pranishme në sallë, që këtë festival ta kthejë të përvitshëm.

Pas prezantimit në skenë nga data 23-30 shtator të 14 trupave teatrore nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova dhe Mali i Zi nëntë çmimet që u dhanë sonte u përzgjodhën nga Ndriçim Xhepa, (kryetar jurie) dhe anëtar Josif Papagjoni, Shkumbin Istrefi, Luli Bitri dhe Qendrim Rijani.

Dy aktorët kosovar, Shkëlzen Veseli dhe Gresa Pallaska u vlerësuan me çmim në këtë festival. “Aktori joprotagonist më i mirë” shkoi për Shkëlzen Veselin tek shfaqja “Kaligula” si dhe çmimi “Aktorja joprotagoniste më e mirë”, për Gresa Pallaska tek shfaqja “Kaligula”.

Shfaqja “Kaligula” me regjisor Kushtrim Koliqi është prodhuar nga Teatri Kombëtar i Kosovës.

Çmimet për Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrove:

1. Çmimi “Aktori i ri më i mirë” u dha për Kristian Koroveshin tek shfaqja “Medea”.
2. Çmimi “Aktorja e re më e mirë” është Hajat Toçilla.
3.Çmimi “Kostumogafia më e mirë”, për Sofi Kara tek “Meda”.
4.Çmimi “Skenografia më e mirë”, Mentor Berisha tek shfaqja “Ata që ikin”.
5. Çmimi “Aktori joprotagonist më i mirë për” Shkëlzen Veseli tek shfaqja “Kaligula”.
6. Çmimi “Aktorja joprotagoniste më e mirë”, për Gresa Pallaska tek shfaqja “Kaligula”.
7. Çmimi për “Aktorin protagonist më të mirë”, Reshat Arbana tek “Babai”.
8. Çmimi për aktoren me të mirë protagoniste e mori Liza Xhuvani
9. Çmimi special i karrierës shkoi për Roza Anagnostin.
10. Çmimi “Regjia më e mirë”, Altin Basha tek “Gomari i babatasit”.
11.Çmimi “Shfaqja më e mirë” shkoi për “Vdekja e Dantonit” me regji te Dino Mustafiq./KultPlus.com

“Tre Musketierët” rikthejnë historinë e rock-ut shqiptar në Amfiteatrin e Tiranës

Historia e rock-ut shqiptar nuk mund të konceptohet pa zërin, stilin dhe talentin e tre legjendave të muzikës moderne shqiptare. Aleksandër Gjoka, Redon Makashi dhe Elton Deda rikthehen më 4 Tetor në Amfiteatrin e Tiranës për të risjellë këngët hit të tyre, në një mbrëmje plot emocione e adrenalinë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka shprehur entuziazmin e tij duke u shprehur se,”këtë herë, ”Tre Musketjerët” këndojnë atje ku nisi gjithçka! Legjendat kthehen tek Amfiteatri i Liqenit. Qindra emocione e këngë që frymëzuan breza na presin më 4 Tetor”.

Të gjithë adhuruesit e muzikës së tyre do shijojnë nën shoqërinë e njëri-tjetrit tingujt live të rock-ut,pasi repertori i koncertit do të jetë i larmishëm./ata

Kreu i Akademisë së Firences: Teatrin mos e shembni, e ruajtën edhe socrealistët sovjetikë

Vendimi i qeverisë shqiptare, mbështetur përmes një ligji edhe nga Parlamenti, për shembjen e godinës 80- vjeçare të Teatrit Kombëtar ka gjetur kundërshtime të organizatave botërore për trashëgiminë kulturore, si DOCOMOMO apo Europa Nostra, por edhe të personaliteteve të arkitekturës.

Një ndër ta është edhe Claudio Rocca, drejtor i “Accademia di Belle Arti” të Firences, i cili është informuar për atë çka po ndodh në Tiranë, përmes mediave italiane. Rocca shprehet kundër shembjes së godinës së TK për të ngritur në vend të tij një godinë të re, sado moderne dhe e bukur të jetë ajo. Ai vë theksin në vlerën historike që ka godina e Teatrit, e cila u ka rezistuar të gjitha ngjarjeve të 80-vjetëshit të fundit në Shqipëri, më së shumti, vetë diktaturës komuniste, e cila e kishte me merak të fshinte gjurmët e së shkuarës.

Ai e quan të turpshëm fenomenin e fshirjes identitare të qyteteve, duke i mbushur me ndërtesa, të cilat mund t’i vendosësh kudo, si në Tiranë, ashtu edhe në Kinë. E tillë është edhe godina e re që propozohet për Teatrin Kombëtar. “Për të zëvendësuar Teatrin e Tiranës, sot është propozuar një teatër që mund të rrijë kudo, në Tiranë si në Pekin apo në ndonjë qytet amerikan.

Akademia e Firences

E ka projektuar një grup danez Bjerke Ingels Group, “BIG”, që vetëm nga emri më bën të më përshkojnë dridhërimat që nga këmbët deri te fijet e flokëve. Shumë mirë, projekti është i bukur, funksional dhe modern, por përse duhet realizuar nëpërmjet këtij operacioni që duket se i sjell fitime vetëm realizuesit (thuhet që do të ngrihen edhe tre deri në gjashtë kulla) dhe duke shkatërruar Teatrin Kombëtar?”, shkruan Rocca.
tatri
CLAUDIO ROCCA*

Ndër njoftimet që na vijnë nëpërmjet internetit në mënyrë automatike e që na bëjnë të shkëputemi për disa minuta nga puna për të bredhur nëpër lajme të ndryshme, më erdhi edhe artikulli on-line i Stefano Giantin-it i botuar në “Il Piccolo” e Triestes, ku flitej për mbrojtje të Teatrit Kombëtar në Tiranë.

Lajmi më bëri kurioz, sepse pashë se njerëzit kishin protestuar përpara Parlamentit kundër shembjes.

Nuk i di arsyet e këtij vullneti për të shembur, por shoh se teatri i projektuar nga Giulo Bertè në 1938 është arkitekturë racionaliste dhe ka motivet e veta për të ekzistuar, sikur jo për gjë tjetër, për rëndësinë e tij historike. E kanë ruajtur edhe realsocialistët me kulturë sovjetike që morën pushtetin pas Luftës së Dytë.

Në vitin 1947, njëra nga godinat e kompleksit është bërë Teatër Kombëtar dhe ka arritur deri në ditët tona, me gjithë akuzat për rrezikshmërinë që paraqitka përdorimi i materialit parafabrikat, që e quajnë “populit”, material që, në periudhën e autarkisë, fashizmi e promovonte nëpërmjet eksperimentesh të tilla, duke krijuar përzierje të çimentos me fibra druri dhe alga.

Godina ka rezistuar pra dhe, ndonëse në kushte të këqija mirëmbajtjeje, ka mbetur një arkitekturë që dëshmon një periudhë historike, që, për më tepër, nuk ka lidhje as me pushtimin italian që ka ndodhur në vitin 1939.

Por, përtej çdo leximi politik, këtu nuk bëhet fjalë për çështje nostalgjikësh, aq më pak nga ana ime, por thjesht për mbrojtjen e një koncepti të thjeshtë: shtresëzimi historik i arkitekturës.

Forca e historisë së Mesdheut qëndron, përveç të tjerash, pikërisht tek ky shtresëzim historik. Është ky që i ka bërë të mëdha arkitekturat që lidhin detin me tokat e kësaj zone.

Mjafton të udhëtosh sot në territoret e vendeve me ekonomi në zhvillim për të konstatuar se çfarë turpi po ndodh nën një heshtje absolute. Po shkatërrohen qytete të tëra, duke u zëvendësuar me arkitektura kontemporane, absolutisht anonime dhe pa asnjë karakter identitar. Për të zëvendësuar Teatrin e Tiranës, sot është propozuar një teatër që mund të rrijë kudo, në Tiranë si në Pekin apo në ndonjë qytet amerikan.

E ka projektuar një grup danez Bjerke Ingels Group, “BIG”, që vetëm nga emri më bën të më përshkojnë dridhërimat që nga këmbët deri te fijet e flokëve. Shumë mirë, projekti është i bukur, funksional dhe modern, por përse duhet realizuar nëpërmjet këtij operacioni, që duket se i sjell fitime vetëm realizuesit (thuhet që do të ngrihen edhe tre deri në gjashtë kulla) dhe duke shkatërruar Teatrin Kombëtar?

Është kjo që më shqetëson: aftësia për të shkatërruar, ky mallkimizim i kujtesës historike që ka pushtuar vende të ndryshme të botës, në garë se kush të bëjë gjëra më moderne, më inovative.

Mjafton të analizosh komplekset historike të Mesdheut tonë për të kuptuar se si, në një harmoni dhe bukuri absolute, janë ndërtuar në harkun e tre-katërqind vjetëve monumentet më madhështore, me ndërhyrjen e shumë duarve, duke respektuar paraardhësit.

Flet për të gjitha këto bazilika e Santa Maria del Fiore (Duomo e Firences) ku janë bashkuar duart e Giottos, Arnoldo di Cambios dhe Brunelleschit. Sikur vetëm njëri prej tyre t’i kishte lejuar vetes të shkatërronte paraardhësin, nuk do ta kishim atë mrekulli të arkitekturës që sot e admirojnë të gjithë.

Ruajtja e kujtesës është edhe një çështje e leximit të realitetit. Pikërisht për këtë, në nivel rikuperimi dhe restaurimi, është fondamentale të mos bësh rikuperime me gjëra false, por të përcaktohet qartë në projektin restaurues leximi korrekt i periudhave historike që pasojnë njëra-tjetrën. Kurse të propozosh shembje, veçanërisht me teknologjitë restauruese që zotërojmë sot, është krejtësisht absurde.

Arkitektët le të gjejnë një vend më të mirë për të realizuar “Fluturën” e tyre, nëse kjo duhet ngritur medoemos në Tiranë, paçka se mendoj se do të kishte qenë më e preferueshme të ishte hapur për këtë një konkurs i bukur për të gjithë arkitektët europianë. Por e dimë se sa i vështirë është pranimi i konkurrencës së ndershme nga yjet e arkitekturës, veçanërisht për yjet që janë arkitektë menaxherë të ndihmuar nga kushte speciale partneriteti.

(*Claudio Rocca, është drejtor i “Accademia di Belle Arti” të Firences; është laureuar për Arkitekturë në Fakultetin e Arkitekturës në Firence si dhe ka një laurë të dytë për Dizajn. Ka mëse njëzet vjet përvojë në fushat akademike dhe është autor i 12 librave me studime në fushën e historisë së arkitekturës, restaurimit, teknologjisë dhe dizajnit. Pasi ka mësuar për prishjen e Teatrit Kombëtar nga shtypi italian, ka shprehur shqetësimin e tij në rrethe shqiptarësh që jetojnë në Itali dhe e ka dashur të transmetojë për publikun shqiptar këtë opinion të tij, që ia ka dhënë “Panoramës”.)

Shqipëria me shpenzimet më të ulëta në Evropë për kulturën

Sipas të dhënave të EUROSTAT-it, në vitin 2016 vendet e BE-së shpenzuan mesatarisht një për qind të PBB-së për argëtimin dhe kulturën, ndërsa sipas të dhënave kombëtare të INSTAT-it, Shqipëria shpenzoi vetëm 0.4 për qind të PBB-së për sektorin në fjalë.

Shpenzimet e qeverisë së përgjithshme për rekreacion, kulturë dhe religjion në Bashkimin Evropian (BE) në vitin 2016, ishin të pandryshuara nga viti 2015. Në eurozonë kjo shifër ishte pak më e lartë (1.1 për qind).

Sipas EUROSTAT-it shpenzimet totale për çështjet e argëtimit dhe kulturës në BE shkojnë për objektet kulturore dhe lehtësirat për shërbimet fetare dhe të tjera të komunitetit, si bibliotekat, muzetë, teatrot, shërbimet e transmetimit.

Në vitin 2016, shtetet anëtare me shpenzimet më të larta në të argëtimit dhe kulturës në raport me PBB-në ishin Hungaria (3.3 për qind), Estonia (2.1 për qind), Kroacia dhe Danimarka (1.8 për qind).

Në krahun tjetër Shqipëria me 0.4 për qind, Mbretëria e Bashkuar (0.6 për qind), pasuar nga Greqia, Italia dhe Portugalia (të gjitha 0.8 për qind), ishin vendet me shpenzimet më të ulëta në këtë aspekt.

Struktura e shpenzimeve të kulturës dhe argëtimit u dominua nga shpenzimet për shërbimet kulturore që ishin 0.3 për qind e PBB-së të ndjekura nga shërbimet e transmetimit dhe botimit me 0.2 për qind dhe ato për shërbimet fetare me 0.1 për qind të PBB-së. /Monitor/ KultPlus.com

Vjen për herë të parë në Shqipëri eventi “Balkanika Folk Festival”

Për herë të parë në Shqipëri, vjen një event artistik i një tjetër lloji. “Balkanika Folk Festival” vjen në Tiranë më 18-23 shtator në Sallën e Akademisë së Arteve.

300 artisë nga 12 shtete pjesëmarrëse do të garojnë në kërcim për 5 kategori çmimesh. Njëri prej çmimeve do të jetë “Lahuta e artë” që do të përzgjidhet nga votimi në sallë i publikut, ndërsa katër të tjerat nga juria. Është përzgjedhur pikërisht simboli i lahutës si vegla muzikore më e lashtë në rajon.

Festivali do të prezantohet nga Jonida Lloha dhe Klaus Bardeli, ndërkohë që skenografia është mundësuar nga Dea Martini. Eventi është një produksion i Sokol Gugës. /KultPlus.com

Një rrugë në Tiranë merr emrin e gazetarit italian që shkroi për shqiptarët

Një rrugë e re në Tiranë do të mbajë emrin e një shkrimtari dhe gazetari të njohur italian, i cili ka shkruar e rrëfyer jetën dhe peripecitë e emigrantëve shqiptarë në vendin fqinj.

Tabela me emrin e Alessandro Leogrande-s u zbulua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ambasadori italian në vendin tonë, Alberto Cutillo, miq dhe kolegë të gazetarit dhe shkrimtarit të njohur, gjatë një ceremonie të posaçme të organizuar pranë Parkut të Liqenit.

“Jam shumë krenar që me miratimin e Këshillit Bashkiak kemi vendosur të emërtojmë ‘Alessandro Leogrande’ një nga rrugicat më të bukura të Parkut të Liqenit, si një shenjë mirënjohje për të gjithë kontributin e tij në gazetari, po mbi të gjitha për humanizmin e tij, sidomos në çështje të shqiptarëve, të emigrantëve, të të huajve, të atyre që janë më të dobët dhe që kanë nevojë për një avokat, siç ishte ai”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku u shpreh se kjo rrugë dhe zona e parkut të Liqenit është edhe një vend për reflektim, për meditim, për lexim, për të menduar idetë progresive, se si qytetet e shtetet mund të bëhen bashkë. “Ky është parku më popullor në Tiranë dhe zona më e frekuentuar nga qytetarët, ndaj jam i lumtur që ky vend, i cili shërben si hapësirë reflektimi, meditimi e leximi do të ketë emrin e Leogrande-s. Ky është një vend ku meditojmë, ecim, kalojmë kohë të lirë dhe besoj është një moment dhe një hapësirë ideale reflektimi për mikun tonë”, tha ai.

Veliaj nënvizoi se janë pikërisht njerëzit ata që afrojnë më shumë qytetet dhe popujt me njëri-tjetrin, ndërsa theksoi se përmes veprës së tij, Alessandro Leogrande i la një pajë të rëndësishme shoqërisë. “Jam i sigurt që miku im Alberto bie dakord kur themi se është shumë e rëndësishme që shtetet të bashkëpunojnë, që qytetet të binjakëzohen, por në fund të ditës e kuptojmë se janë njerëzit ata që bëjnë diferencën, janë ata që realisht afrojnë popujt. Miku ynë, gazetari i njohur italian Leogande, i jetoi 40 vitet me shpejtësinë e një Ferrari, bëri distanca që shumicës prej nesh nuk i mjaftojnë as 100 vjet për t’i përshkuar. E teksa unë i afrohem 40-vjeçarit tim, mendoj, kam bërë kaq punë, kam dhënë këto ide, kam shkruar, kam lënë një pajë, dhe besoj se është apel për këdo prej nesh për të reflektuar mbi jetën e vet, çfarë bëjmë me ditët tona”, shtoi Veliaj.

Ambasadori italian në Tiranë, Alberto Cutillo, e vlerësoi nismën e Bashkisë së Tiranës për të nderuar gazetarin e njohur përmes emërtimit të një prej rrugëve ku e gjithë Tirana takohet dhe jeton. “Jam shumë i lumtur dhe i prekur që jam këtu me kryetarin e bashkisë dhe me të gjithë ju sot. Për mua, Alessandro Leogrande që e njoh nëpërmjet veprave të tij, është një personazh që simbolizon këtë afërsi mes dy popujve tanë, mes dy vendeve tona. Mund të them se do të ndihej shumë i kënaqur të dinte se emri i tij, figura e tij, janë sot të lidhura me këtë rrugë, këtë park të mrekullueshëm dhe mbi të gjitha, siç po thoshte kryebashkiaku, një vend ku e gjithë Tirana takohet dhe jeton jetën e saj”, u shpreh Cutillo.

Themeluesi i revistës “Lo Straniero”, Goffredo Fofi dhe një nga miqtë e tij më të mirë, u shpreh se një prej gjërave që ka mësuar prej tij ka qenë pikërisht dashuria ndaj Shqipërisë. “Një nga gjërat që kam mësuar më shumë nga Alessandro, ka qenë dashuria për Shqipërinë. Dua t’ju falënderoj juve të gjithëve, edhe në emër të familjes së tij. Jam vërtet shumë i emocionuar për këtë nismë. Mendoj se sot Alessandro jeton, nuk ka ikur nga gjithçka. Është këtu për gjërat që ka shkruar, për ato që ka bërë, ka thënë, apo edhe për takimet që ka patur në Puglia, Itali, Shqipëri e kudo tjetër; për pasionin e tij për t’u pozicionuar gjithmonë në anën e të mundurve, të poshtëruarve, të shtypurve, të varfërve, dhe padyshim edhe në anën e emigrantëve, pasi ky ka qenë edhe interesi i tij kryesor, në vitet e fundit të jetës së tij”, tha Fofi.

Alessandro Leogrande, një nga zërat më autoritarë të medias italiane, ishte shkrimtar dhe gazetar, por mbi të gjitha një intelektual që zotëronte virtytin e rrallë për të rrëfyer realitetin dhe historitë me kthjelltësi, analizë dhe në të njëjtën kohë në mënyrë poetike. Drejtor i të përmuajshmes “Lo Straniero”, mbulonte gjithashtu rubrika të përjavshme në “Corriere Dell Mezzogiorno” dhe “Il Fatto Quotidiano”. Ai ishte reporter i problematikave të ndryshme të aktualitetit, si lëvizjet e protestës, shfrytëzimit të punës së papaguar të emigrantëve në Itali etj. Gjithashtu, ai është autor i shumë librave, si: “Mbytja e anijes”, “Adriatiku” dhe “Kufiri”, emblema të vërteta të romanit-reportazh, të përkthyera edhe në shqip./ ata

Muzika austriake dhe shqiptare zbresin bashkë në 13 shtator në Tiranë

Grupet muzikore të mirënjohura austriake dhe shqiptare do perfomojnë bashkë në një koncert live në Tiranë.

Ambasada austriake në Tiranë shprehet se në kuadër të vitit kulturor Austri-Shqipëri 2018, në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës, kanë kënaqësinë t’ju ftojnë në Music-Film Tirana-Festival në 13-20 shtator 2018, tek “Pazari i Ri” në Tiranë.

“Bazuar mbi modelin e Festivalit të Filmit të bashkisë së Vjenës, do të ofrohen koncerte live me grupe muzikore të mirënjohura austriake dhe shqiptare, filma muzikorë të zgjedhur austriakë dhe shqiptarë, si edhe specialitete kulinare, një kombinim i përsosur për mbrëmje të paharrueshme shtatori”, shprehet Ambasada austriake Tiranë. /r.e/KultPlus.com

Flaka Halit shprehet e lumtur për hapjen e ekspozitës së parë personale në Shqipëri

Në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve është zhvilluar sot konferenca për shtyp mbi ekspozitën e Flaka Halitit “Këtu – apo atje, është më atje”. Kjo ekspozitë e parë personale e artistes në Shqipëri do të çelet nesër, datë 7 shtator në ora 19:00 në sallën e ekspozitave të përkohshme, dhe do të qëndroj e hapur për publikun deri më datë 9 nëntor 2018.

Folës gjatë konferencës ishin artistja Flaka Haliti, kuratorja Leonie Radine dhe Drejtori i Galerisë, Erzen Shkololli.

Erzen Shkololli falënderoi Leonie Radine që pranoi ftesën e tij dhe të Flakës për të kuruar këtë ekspozitë të parë të artistes në Shqipëri. Shkololli përmendi faktin që kjo ekspozitë është realizuar në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor Shqipëri-Kosovë, dhe çdo vit do të ketë nga një prezantim të artistëve nga Kosova në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Më pas fjalën e mori Leonie e cila foli më shumë mbi praktikën artistike të Flaka Halitit ndër vite, prezantimin e përmbledhjes së punëve të artistes fillimisht në Kunsthalle Lingen dhe më pas në Kunsthaus Hamburg, Gjermani, si edhe qasjen e saj në kurimin e kësaj ekspozite në Tiranë. Kjo ekspozitë që do të prezantohet tani në Galerinë Kombëtare të Arteve paraqet një lexim alternativ të objekteve, figurave dhe materialeve të ndryshme duke e transformuar sallën e ekspozitës në një hapësirë ku publiku vendos në jetë veprat sipas imagjinatës së tyre individuale.

Leonie thotë: Titulli “Këtu – apo atje, është më atje” reflekton këtë skepticizëm të përgjithshëm ndaj përkufizimeve të ngurta mbi hapësirën. Duke lexuar këtë titull, publiku mbetet në mëdyshje, sepse refuzohet çdo lokalizim. Pra, ku jemi ne? Në një sallë ekspozitash në Tiranë, Shqipëri. Por, a luan një rol të caktuar vendi ku prezantohet ekspozita? Mos ndoshta vepra e artit duhet të kuptohet kudo, pavarësisht vendit ku ekspozohet?

Më pas, artistja Flaka Haliti falënderoi përzemërsisht Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës që bënë të mundur realizimin e ekspozitës së saj të parë në Tiranë. Në fund, ajo zgjodhi të bënte një tur në ekspozitë për të pranishmit për të shpjeguar më shumë mbi veprat e saj, si edhe për narrativën e gjithë prezantimit.

Jeni të ftuar nesër, datë 7 shtator, ora 19:00 për të marr pjesë në çeljen e ekspozitës së parë personale të Flaka Halitit në Galerinë Kombëtare te Arteve.

Biografi e shkurtër
Flaka Haliti ka lindur në vitin 1982 në Prishtinë, Kosovë dhe jeton në Mynih, Gjermani. Pas studimeve të saj në Städelschule në Frankfurt am Main, Gjermani, puna e saj ka eksploruar atë që është ndërmjet dhe që shkon përtej nocioneve të thjeshta që i mvishen përkatësisë dhe identitetit. Punët e saj janë ekspozuar në shumë institucione e bienale të njohura ndërkombëtare. /KultPlus.com
Foto: Gerta Xhaferaj

“Këtu – apo atje, është më atje”, Flaka Haliti me ekspozitë në Tiranë

Nesër më 7 shtator në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, hapet ekspozita e parë personale në Shqipëri e artistet Flaka Haliti, shkruan KultPlus.

Ekspozita hapet me fillim nga ora 19:00 ndërsa do të qëndrojë e hapur deri më 9 nëntor.

“Këtu – apo atje, është më atje”: ky titull i pavendosur i ekspozitës së Flaka Halitit në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë sugjeron një skepticizëm të përgjithshëm ndaj përkufizimeve të ngurta mbi hapësirën. Destabilizimi i tipareve të territorit, e sidomos i dikotomisë mes Lindjes dhe Perëndimit, është karakteristikë e punës së artistes. E konceptuar si pasqyrë e punës së Halitit në këto pesë vitet e fundit, ekspozita e parë personale e saj në Shqipëri është një përzgjedhje punësh që në mënyrë të vazhdueshme transgresojnë kufijtë fizikë dhe mendorë.

Punët e saj shumështresore vënë në lojë dhe sfidojnë marrëdhëniet e pushtetit si dhe nomenklaturën që sundon mbi sistemin e artit dhe më gjerë. Ato jo vetëm që refuzojnë klasifikimet tradicionale sipas mediumit, siç është skulptura, piktura, vizatimi apo fotografia, por ato sfidojnë edhe përfundimet e nxituara estetike që janë pasojë e mendimeve cliché mbi një gjeneratë, gjini apo përkatësi. Duke zhvendosur format e zakonshme, apo duke animuar regjistrime që vijnë nga kontekste të veçanta politike dhe nga sfera të ndryshme të botës mondane të konsumit, Haliti u jep imazheve, objekteve dhe materialeve ekzistuese një zë alternativ. Kjo qasje e saj prodhon kompozime të reja apo ende të padefinuara që shpalosin marrëdhënie dhe ndërvarësi të pazakonta mes komponentëve të tyre heterogjenë.

Një perde transparente të cilës i ndryshojnë ngjyrat, që siç thotë edhe titulli “rri varur kot” (just hanging around) – këtu, apo atje – e ndërpret në mes korridorin linear me qëndrimin e vet përtac-cool-kritik. Banerë të ngjyrosur me sprej, të pezulluar nga ekzistenca e tyre e përditshme fantazmagorike, i drejtojnë vizitorët nëpër hapësirat gjarpëruese. Elementë arkitekturalë, që duken si muret mbrojtëse që dikur rrethonin ndërtesat e OKB-së dhe NATO-s në Prishtinë, rrinë të shtrira në një gjendje letargjie, tashmë pa as edhe një funksion. Një robot me krahë i ndërtuar nga mbetjet e kampeve ushtarake të NATO-s në Kosovë ngjan si mishërim i diçkaje mes një engjëlli të historisë dhe një lajmëtari me inteligjencë artificiale nga e ardhmja. Dhe përderisa publiku përballet me retë-si-fytyra që duken si shëmbëlltyra të vetkrijuara, një personazh enigmatik me emrin “Joe”, na del para krejt papritur, në forma të ndryshme antropomorfike në sfungjer-mermeri,ndërsa një trup tjetër abstrakt kryqëzon gishtat pas shpinës. Duke refuzuar status quo-në e objektit, Haliti përballet me të kaluarën dhe me të ardhmen potenciale të tij, duke e hapur fushën e mundësive dhe perspektivave që tejkalojnë nocionet e thjeshta të përkatësisë. E gjithë hapësira e ekspozitës ngjan si një shfaqje e inskenuar, ku potenciali i fshehur performativ i veprave vihet në jetë nga vetë imagjinata që nxit tek publiku.

“Këtu – apo atje, është më atje” është prezantuar për herë të parë në Kunsthalle Lingen (14 tetor, 2017–14 janar, 2018) dhe më vonë në Kunsthaus Hamburg (20 mars–20 maj, 2018). Ekspozita në Tiranë është kuruar nga Leonie Radine.

Biografi e shkurtër Flaka Haliti ka lindur në vitin 1982 në Prishtinë, Kosovë dhe jeton në Mynih, Gjermani. Pas diplomimit në Grafikë pranë Fakultetit të Arteve në Prishtinë në vitin 2006, ajo vazhdoi studimet për Artet e Bukura në Städelschule në Frankfurt mbi Main nga viti 2008 deri në vitin 2013. Aktualisht ajo është duke bërë doktoraturë në praktikë pranë Akademisë së Arteve të Bukura në Vjenë. Punët e saj janë ekspozuar në shumë raste, përfshirë edhe ekspozita personale në pavijonin e Republikës së Kosovës në Bienalen e 56-të të Venecias (2015), në mumok, Vjenë (2014) dhe në Galerinë Kombëtare të Arteve të Kosovës, Prishtinë (2014). Në vitin 2016 ka qenë artist rezident në Villa Romana në Firence, dhe në po të njëjtin vit është nderuar me çmimin Ars Viva. Në vitin 2018, ajo është pjesëmarrëse në Artin Publik të Mynihut dhe Bienalen e Busanit. ——– Imazhi: E shqetësume prej fantazmës pa u brengosë, 2017 Njëzetë e pesë flamuj banerë, flamuj në shtizë, flamuj në hark, metal, print digjital, bojë me sprej, beton Pamje instalacioni Kunsthaus Hamburg, 2018.

Me autorizimin dashamirës të artistes dhe Deborah Schamoni, Mynih Foto: Michael Pfisterer./ KultPlus.com

Bie numri i spektatorëve në Opera dhe Teatër

Edhe gjatë tremujorit të dytë të vitit 2018, ashtu sikurse në tremujorin e parë të këtij viti, rezulton të ketë pasur më shumë shfaqje kulturore, por spektatorët që i kanë frekuentuar, kanë qenë më të paktë.

Për periudhën prill-qershor janë 8 % më pak, ata që kanë frekuentuar shfaqjet që institucionet e kulturës kanë ofruar në Tiranë.

Sipas INSTAT, shfaqjet e ofruara për publikun e Tiranës kanë qenë më të shumta në tremujorin e dytë të 2018-ës. 279 shfaqje krahasuar me 217 vënie skenike në tremujorin e dytë të 2017-ës.

Por pjesëmarrja mesatare në tremujorin e dytë të vitit 2018 është 178 spektatorë për shfaqje, duke pësuar një rënie me gati 30% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Më shumë spektatorë rezulton të ketë humbur Teatri i Operas dhe Baletit, gati më shumë se 50% për shfaqje, i pasuar nga Teatri Kombëtar.

Ndërsa Teatri i Operas ka humbur 36 % të publikut dhe Teatri Kombëtar 30%, krejt e kundërta mund të thuhet për Teatrin Kombëtar Eksperimental, i cili ka thithur 34 % më shumë spektatorë në tremujorin e dytë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Muzetë, kalatë dhe monumentet e tjera të kulturës sërish kanë shënuar ngritje me rreth 68 %, në pranverën e këtij vit, krahasuar me një vit më parë.

Tradita kineze në parkun e Liqenit Artificial të Tiranës

Një objekt origjinal që sjell traditën kineze të ndërtimit në Shqipëri do t’i shtohet parkut të madh të Liqenit Artificial në Tiranë, që do të shërbejë si një vend relaksi, por edhe bisedash me miqtë.

Në bashkëpunim me ambasadën kineze në Tiranë, ka nisur ndërtimi i një objekti të veçantë në stilin kinez dhe që do të quhet “Bisedka kineze”.

Lajmin e bën të ditur Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit, e cila informon gjithashtu se materialet për këtë objekt janë sjellë enkas nga Kina dhe po montohet në bashkëpunim me specialistët kinezë.

“Drejt përfundimit Bisedka më speciale në Parkun e Madh! Një bashkëpunim me Ambasadën Kineze, ndërtimi nën kujdesin e miqve kinezë dhe APR, materialet enkas nga Kina për Parkun e Madh! Pavioni Rekreativ i dedikohet miqësisë Kinë-Tiranë! Relaks e atmosferë ZEN në zemër të Parkut, në shëtitoren buzë liqenit!”, shprehet Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit./ KultPlus.com

Historia e Urës së Tabakëve në Tiranë

Ura e Tabakëve është një monument kulture i ndërtuar në Tiranë në shekullin e XVII – XVIII-të. Ura ka një lartësi rreth 7 metër e gjysëm. Ura e Tabakëve, e cila e mori këtë emër për shkak të pozitës së veçantë të esnafit të Tabakëve në jetën ekonomike dhe shoqërore të Tiranës në shekujt XVII-XVIII, ka një strukturë të gurtë, të formuar me dy harqe dhe e shtruar me kalldrëm.

Ajo dallon për arkitekturën e saj harmonike, si dhe për shpërndarjen proporcionale të elementeve të saj. Ura përbëhet nga një hark kryesor, mbi të cilin ngrihet ura në formë kurrizi. Ky hark e ka hapësirën e dritës 8 metra dhe është ndërtuar me 2 rreshta harqesh anësore me trashësi 1 metër.

Lartësia nga niveli i ujit ishte 3,5 metra. Kalldrëmi i urës me gjerësi 2,5 metra, është ndërtuar me gurë lumi të vendosur pa ndonjë rregull. Në të dy anët e harkut kryesor janë ndërtuar 2 harqe në formë segmentesh rrethore me hapësirë të vogël

Me lindjen e Tiranës si qendër qytetare më 1614, u vu re një zhvillim i vrullshëm i zejtarisë dhe i tregtisë. E ndodhur në një pozicion të favorshëm gjeografik, në kryqëzimin e rrugëve të rëndësishme tregtare, Tirana fitoi vit pas këtij viti rëndësinë dhe tërhoqi vëmendjen e banorëve rreth saj, të cilët rritën popullimin e qytetit.

Përveç rrugës Egnatia, e përmendur në lashtësi e që kalonte në pjesën perëndimore të Tiranës së sotme, një aks tjetër i rëndsishëm ishte ai që lidhte Tiranën me malësinë e saj. Ajo quhej, e madje vazhdon të quhet, “Rruga e Shëngjergjit”.

Kjo rrugë kalonte në pjesën lindore të Tiranës, në Priskë të Madhe, Qafë Priskë, Domje, Shëngjergj, e më tej vazhdonte në Bizë, Martanesh, Zerqan e deri në Dibër të Madhe. Kjo rrugë ishte e rëndësishme pasi shërbente për lëvizjen nga këto krahina malore të karvaneve me prodhime blegtorale për të cilat këto zona dalloheshin.

Kope të tëra bagëtish, për shkak të dimrit të ashpër të malësisë lëviznin në zonat me klimë të butë të kodrinave e fushës së Tiranës. Një pjesë e mirë e këtyre bagëtive në hyrje të dimrit dhe pas shtimit të tyre në pranverë destinoheshin për treg. Banorë të ndryshëm u vendosën në periferi./ KultPlus.com

Bashkia e Tiranës riparon Monumentin e Pavarësisë

Një ndër prioritetet e Bashkisë së Tiranës këto tre vite ka qenë dhe ruajtja dhe përkujdesja për monumentet e kulturës së qytetit si simbole të rëndësishme që tregojnë vlerat materiale, shpirtërore dhe zhvillimin në shekuj.

Specialistët e Bashkisë së Tiranës kanë bërë të mundur riparimin e Monumentit të Pavarësisë që ndodhet në Parkun Rinia përgjatë Bulevardit kryesor.

Krahas përforcimit të bazamentit, kjo vepër është pastruar nga mbishkrimet e qytetarëve si dhe janë bërë riparimet e dëmeve të shkaktuara nga qytetarë të papërgjegjshëm. Monumenti është 6.5 metra i lartë dhe 5.5 metra i gjerë dhe peshon 15 ton, dhe është simbol i rezistencës shqiptare në kohë dhe luftëra të vështira. Ka formën e një kulle të hapur dhe simbolizon hapjen e rrugës së Shqipërisë drejt Pavarësisë./tvklan.al

“Elita 5”, feston tri dekada në skenë me një koncert në Tiranë

Një “Tornado” e ka quajtur kryebashkiaku i Tiranës, ardhjen e tyre në Tiranë mbrëmjen e 7 shtatorit. Por nuk bëhet fjalë për një tornado të vërtetë.

Ata janë 5 pjesëtarët e grupit aq të famshëm nga Tetova “Elita 5”, krijuar në vitin 1978 e që këtë vit mbushin plot 30 vite karrierë.

Tre dekada krijimtari, banda e rokerëve ka vendosur t’i festojë në Tiranë përmes një koncerti madhështor në Amfitetarin e Liqenit, një ngjarje e rëndësishme, të cilën kanë vendosur ta kremtojnë pikërisht në Tiranë, ku do të këndojnë për publikun shqiptar këngët e tyre më të mira ndër vite.

“Elita 5” në 30 vite karrierë numëron më shumë se 120 kënge, ku “Al Capone”, “Nuk jam unë diktator” “Fol vetëm fol”, janë vetëm disa nga hitet më të njohura të cilat do të këndohen në Amfitatrin e Tiranës për gati 2 orë.

Krahas 30 vjetorit të krijimit ‘Elita 5” ka edhe arsye tjetër për festuar: lancimin e albumit te ri, duke e çuar në 8 totalin e albumeve të këtij grupi. Këto dy ngjarje të rëndësishme do të sjellin në Tiranë bandën shqiptare nga Maqedonia, në datën 7 shtator në ora 20.00, në një koncert live në Amfitetarin e Liqenit./ KultPlus.com

“Lidhe rripin Kiki,” Veliaj kopjon Kryetarin e Bashkisë së Oklahomës

Ditët e fundit në internet u bë virale një foto nga Oklahoma. Pas aksidenteve të shumta që kanë ndodhur rrugëve, kryetari i bashkisë David Holt vendosi të sensibilizojë qytetarët duke shkruar në tabletat e rrugëve “Buckle up Keke, Stay in your car,” që do të thotë “Lidhe rripin Keke, rri brenda makinës.”

Kjo tabelë u pa si nevojë pasi shumë të rinj, për të realizuar sfidën #InMyFeelingsChallenge dilnin nga makina në rrugë duke kërcyer.

Megjithëse aksidente nuk kanë ndodhur ende në Tiranë, kryetari i bashkisë Erion Veliaj nuk i ka rezistuar tundimit të kopjojë këtë mesazh dhe ta përshtasë për shqiptarët.

“Lidhe rripin Kiki! Drake do të të mirëkuptojë!” shkruhet tashmë në mesazhet rrugore të Tiranës./ lapsi.al