Për herë të parë në Tiranë, festivali teatral i kukullave

International Puppet Theatre Festival Albania “SKANDERBEG” do të jetë një festival teatral me kukulla me vendet më me traditë në këtë zhanër të fushës së artit.

Ky festival zhvillohet për herë të parë në Shqipëri dhe është festivali i vetëm i këtij lloji. Me anë këtij festivali, Shqipëria dhe kryeqyteti i saj, Tirana do të jenë përfaqësues në stendat ndërkombëtare si një vend investues në edukimin dhe kultivimin e një brezi të ri.

Ky festival do të ofrojë për publikun një impakt të jashtëzakonshëm në kultivimin dhe edukimin artistik i cili do të ndikojë drejtpërdrejtë në zhvillimin e audiencës. Përveç kësaj interes do të ofrojë edhe për grupet e interesit në qarqet artistike si dhe në ato teknike. Trupat, ndër më të mirat, do të sjellin në vendin tonë traditat e tyre specifike në këtë ballafaqim shumë të rëndësishëm për artin tonë.

Ky festival do të jetë i përvitshëm dhe vazhdimisht me trupa nga vende të ndryshme. Festivali do të ketë edhe katalogun e tij me një volum prej 120 faqesh ku do të pasqyrohet eventi me të gjithë elementët artistike, organizativë, dhe efektit të impaktit që do të krijojë ky festival.

Gjithashtu në këtë katalog do të krijohen hapësira për të qenë prezent me një numër të caktuar faqesh edhe ata që mbështetën këtë event. Kupa e festivalit e derdhur në bronz është një element tjetër përfaqësues i gjetur, mbështetur në elementët folklorikë, i kthyer në një simbol global, përcjell mesazhe të qarta mbi filozofinë e thirrjes për barazi e paqe.

Përgjatë javës së këtij festivali, do të ketë guida në vende turistike dhe historike ( Krujë, Petrelë, Lezhë etj…) në këtë vit të shpallur si viti i Skënderbeut.

Ky festival ka një shtrirje kohore prej 6 ditësh. Kryesisht trupat do të japin nga dy shfaqje secila, ku pas çdo shfaqeje do ketë mini work-shop-e. Në çdo mbrëmje do jetë nata kulturore artistike e traditave të atij vendi që ka performuar. Nata do të titullohet:

“Hello my name is:(…………)”

Nata kushtuar kulturës dhe traditës së vendit përkatës. Në këto net festive në monitorë do të përcillen imazhe të historisë apo arkitekturës së vendit përkatës, do të ketë muzikë live nga orkestrantë, veshje tradicionale si dhe kulinaria e pasur e atij vendi. Kjo në bashkëpunim me ambasadat përkatëse. Një shkëmbim kulturash dhe traditash ndërmjet vendeve pjesëmarrëse te festivalit. Të pesë netët janë konceptuar si netë përfaqësimi për çdo vend.

Kultura dhe arti bashkon popuj dhe pse me histori e gjuhë te ndryshme

Ky event në bashkëpunim dhe bashkëveprim me çdo ambasadë përkatëse, , do të sjellë një frymë miqësore në kuadër të paqes, shkëmbimit dhe njohjes të vlerave historiko- kulturore dhe traditave të kombeve të ndryshme në një nga vendet më të vjetra në botë siç është Shqipëria.

Për 5 ditë rresht do të vijnë 10 shfaqje dhe 5 mbrëmje festive për çdo vend përfaqësues. Nata finale, nata e madhe që përkon me festën e 1 Qershorit me festime nga ansambli Tirana, grupe fëmijësh me veshje popullore si një ansambël do të dhurojnë spektakël në shesh etj… /e.malaj/

Piramida në Tiranë ribëhet atraktive

Nga një ngrehinë e rrënuar prej vitesh, Piramida e Tiranës do të transformohet në një nga qendrat më të mëdha të inovacionit dhe teknologjisë, artit e kulturës, në rajon. Pas bashkëpunimit të suksesshëm për rikualifikimin e Pazarit të Ri, Bashkia e Tiranës dhe Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit, prezantuan projektin e rivitalizimit të Piramidës në një hapësirë multifunksionale në qytet, për fëmijët dhe të rinjtë, por edhe si mundësi për të bërë art dhe kulturë.

Kryeministri Rama e cilësoi nismën për rivitalizimin e Piramidës dhe projektin Tumo, si një nga projektet më të bukua që ka tejkaluar të gjitha pritshmëritë. “Erioni kërkonte ta kthente këtë në një qendër për të rinjtë trendy të Tiranës, ndërkohë që unë i thosha: fëmijët, fëmijët, fëmijët. Sigurisht, besoj se kjo është më shumë merita e Zahos se e imja dhe e mbaj mend shumë mirë një ditë kur Erioni më telefonoi, i ekzaltuar si gjithmonë, edhe kur telefonon për një pusetë, edhe kur telefonon për një projekt transformues për brezat, dhe më tha: “E gjetëm lal. U zgjidh kjo punë”. Më foli për Tumon dhe është diçka sinqerisht përtej ëndrrës sime më të bukur”, tha Rama.

Ai shtoi se ky projekt arrin që të bëjë bashkë të fëmijët dhe të rinjtë me teknologjinë. “Është diçka e jashtëzakonshme dhe dua t’i përgëzoj me shumë përulësi ideatorët e kësaj qendre sepse besoj që është një model që arrin të bëjë bashkë dy gjëra që duken shumë të largëta për njëra-tjetrën: fëmijët dhe teknologjinë. Arrin të bëjë bashkë duke u dhënë në njëfarë mënyre mundësi fëmijëve jo thjesht të mësojnë të përdorin teknologjinë, por për t’ju dhënë mundësi që të orientohen”, u shpreh Rama.

Kryeministri deklaroi se kjo nismë shënon një tjetër hap të madh në rrugën e vështirë midis të bukurës dhe të shëmtuarës në Tiranë. “Më vjen mirë që është krijuar kjo amalgamë forcash dhe energjish, një tjetër hap konkret i madh në rrugën shumë të vështirë mes së bukurës dhe të shëmtuarës në Tiranë. Është një gjë e jashtëzakonshme për mua që, ky vend, i cili sot është një destinacion melankolik i shëmtisë, të kthehet në një destinacion energjik i bukurisë sepse potenciali është i këtu”, deklaroi Rama.

Ai vlerësoi kryebashkiakun Veliaj për punën e bërë për zgjimin e Tiranës nga gjumi dhe transformimin e saj në këto vite. “Kemi pasur shumë përpjekje gjatë viteve dhe me

Erionin kemi diskutuar që në fillim kur ai mori mandatin për ta zgjuar Tiranën nga gjumi. Vazhdimisht pyetja ishte: çfarë mund të ishte që mund ta mbante godinën gjallë? Është e vërtetë që në fund erdhëm te pika që kjo godinë duhet t’u shkonte fëmijëve dhe të rinjve”, tha Rama.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke e vlerësuar bashkëpunimin me AADF-në si një garanci për suksesin e këtij projekti, theksoi se ky projekt do t’i japë Tiranës një tjetër xhevahir të çmuar pas sheshit “Skëndërbej” dhe Pazarit të Ri. “Më duket sikur këtë bisedë po e bëjmë në Suedi, sepse Suedia është vendi ku kodimi për fëmijët fillon që në klasën e parë. Në Tiranë do të fillojmë të kodojmë, të merremi me robotikë, me inteligjencë artificiale, softëare design nga mosha 5 vjeç deri 35 apo 45 vjeç. Sigurisht, fokusi më i madh do të jetë tek ata në moshë shkollore, pra shkolla 9 vjeçare dhe e mesme, pastaj do kemi programe të veçanta edhe për ata që janë në moshë më të rritur, universitare. Ideja është që të shkohet në një vend të bukur, jo në një tjetër shkollë ku dikush shkon me detyrim se do marrë një notë, por në një hapësirë që është jo vetëm në zemër të qytetit, por që është edhe xhavahiri më i çmuar i qytetit, pas projekteve si sheshi “Skënderbej” apo Pazari i Ri”, tha Veliaj.

Ai shtoi se zbatimi i modelit TUMO do ta kthejë Tiranën në një nga qendrat më të mëdha të zhvillimit të teknologjikë krijuese, jo vetëm në rajon. “Më vjen mirë që Tirana dhe Parisi janë dy stacionet e radhës të TUMO-s. Do të jetë në fakt një lloj ‘pallat pionierësh’ për teknologjinë e informacionit. Më vjen mirë që edhe në Tiranë kemi uri për dije, që do të lindin nga kjo piramidë, le më pastaj se çfarë mund të përdorim në të ardhmen”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi se projekti i transformimit të Piramidës do të ruajë disa nga karakteristikat nostaligjike të kësaj godine, siç është rrëshqitja në muret e saj, si dhe do ta kthejë atë edhe si një pikë panoramike për qytetin.

Drejtori i Bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, Michael D. Granoff u shpreh i bindur në suksesin e bashkëpunimit me Bashkinë e Tiranës, ashtu si edhe në rastin e Pazarit të Ri, për ta shndërruar këtë godinë në një hapësirë të dashur për shqiptarët. “Është një nder dhe kënaqësi që përfaqësoj Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit dhe ky projekt përmbledh shumë prej gjërave që jemi munduar të bëjmë që nga fillimet tona. Shumë njerëz e shohin këtë piramidë në të shkuarën dhe ky projekt lidhet tërësisht me të ardhmen. Nëse mendojmë se si do të duket Shqipëria pas 10-20 vjetësh, është që të shohim fëmijët këtu dhe nëse fëmijët kanë akses në teknologji, është e sigurt se Shqipëria ka prosperitet. Po fusim diçka të re në sistem, që mund të sjellë ndryshim. Suksesi është të gjejmë modelet më të mira në botë, t’i përshtasim për mjedisin vendor dhe të arrijmë suksesin në Shqipëri”, deklaroi Granoff.

Projekti i rijetësimit të Piramidës parashikon një godinë transparente dhe plot dritë, për të krijuar idenë e një vendi që merr frymë në Tiranë. Për këtë parashikohen që të përdoren sa më shumë xhama, për të bërë të mundur që drita natyrale të dominojë në ambientet e brendshme të saj. Gjithashtu, projekti synon të krijojë simbolin e ri për Tiranën, ku ndërtesa të jetë e arritshme nga të gjitha anët.

Piramida do të shërbejë si një lloj inkubatori për bizneset në fushën e inovacionit, artit dhe kreativitetit. Risi e revitalizimit të qendrës qëndron në faktin se modeli TUMO është një lloj i ri i përvojës arsimore në kryqëzimin e teknologjisë dhe dizajnit. Të rinjve do t’u jepen mjetet dhe njohuritë që kanë nevojë për të arritur potencialin e tyre dhe ata do të jenë në gjendje të zhvillojnë aftësitë e tyre të të mësuarit për t’u përballur me sfidat e shekullit 21. Programi i të mësuarit TUMO përbëhet nga aktivitete të vetëmësimit, workshope dhe laboratorë në 14 programe të ndryshime nën mbikëqyrjen e ekspertëve më të mirë nga e gjithë bota./ KultPlus.com

Rita Ora: Jam shumë e lumtur që do të jem në Tiranë

Stina e verës në Tiranë do të jetë e mbushur me koncerte dhe një fakt i tillë është paralajmëruar herët.

Një nga këngëtaret e njohura që pritet të elektrizojë “Sheshin Skënderbej” është edhe këngëtarja nga Kosova Rita Ora.

Ajo do të rikthehet në këtë shesh pas 6 vitesh kur në 2012 performoi për 100-vjetorin e Pavarësisë. Përmes një statusi në Facebook, Ora është shprehur më e lumtur se kurrë për këtë koncert.

“Shumë e lumtur që do të jetë jem në Tiranë, kryeqyteti në Shqipëri, i cili është gjithnjë në ndryshim, për një shfaqje të madhe më 3 qershor në “Sheshin Skënderbej”. Mezi pres të festoj me të gjithë ju,-Tirana Rocks!,”-përfundon Rita.

Veç saj emra të tjerë të njohur priten të performojnë në shesh si Ermal Meta, Daddy Yanke, Dua Lipa, Martin Garrix etj./ KultPlus.com

“Një jetë në tri botë” i Arben Braçe do të promovohet nesër në Tiranë

Nesër në librarinë “Tirana Times”, do të promovohet romani “Një jetë në tri botë”, i autorit Arben Brace, shkruan KultPlus.com

Lidhur me librin, në këtë promovim do të flasin botuesja e Toena-s, Irena Toçi- botuese e Toena-s, akademiku Artan Fuga, shkrimtarja Vera Bekteshi, shkrimtari Kleo Lati, kryetar i SHPP-së- Simon Miraka dhe autori i librit – Arben Braçe.

Ky libër u kushtohet të gjithë atyre që kanë vuajtur pasojat e një sistemi politik të papërshtatshëm dhe të një drejtësie të korruptuar. KultPlus ju sjellë një fragment të librit.

… gjithë jetën e vështirë që kishte kaluar, njerëzit kishin qenë makthi i tij. Ishte deri në kockë i zhgënjyer. Nga shtëpia nuk kishin mundur ta nxirrnin as në kohën e diktaturës. Tashmë s’ishte veçse një i moshuar. I kishte kaluar të tetëdhjetat. Nuk kishte kohë të priste drejtësinë e vonuar. Kishte jetuar në tri botë të ndryshme, shumë të ndryshme, tri botë që mund të çmendnin çdo gjeni, që nuk ngjasonin askund me njëra-tjetrën. Në trupin dhe në shpirtin e tij ishin zhvilluar eksperimentet më të çuditshme, sepse në vendin e tij eksperimentet sociale ishin krejtësisht të lejueshme. Jeta në botën ku ai kishte jetuar për dekada me radhë, përbënte truallin ku ushtroheshin “shkencëtarët e praktikës shoqërore”, të cilët i trajtonin si kavje në Laboratorin e Madh, pa u merakosur asnjë grimë për vuajtjet e tyre. Edhe atëherë kur ishte dukur sikur eksperimenti kishte përfunduar, duke pritur komunizmin që nuk do të vinte kurrë, mbi shpinën e tyre kishin hedhur “terapinë e shokut”, si një eksperiment tjetër në vazhdën e eksperimenteve të pafundme…

Libri do të promovohet nesër , më 7 maj duke filluar nga ora 18:30, në librarinë “Tirana Times”./ KultPlus.com

Rrugëtim i ri muzeal në Tiranë në kuadër të Vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot- Skënderbeut

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama fton gjithë shqiptarët të marrin pjesë në rrugëtimin e ri muzeal që do qëndroi i hapur në Tiranë deri më 20 maj, me rastin e Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot-Skënderbeut , shkruan KultPlus.

“Një rrugëtim i ri muzeal, me vëllimet më të rralla dhe më të moçme të trashëgimisë sonë humaniste dhe shpirtërore ju pret prej kësaj fundjave e deri më 20 maj, në zemër të Tiranës, për të përjetuar nëpërmjet shqisave, një rrëfim unik të Shqipërisë së vlerave dhe qytetërimit, në zemër të Europës! Përmes një Urtësie të Pashuar”, – shkruan Rama.

Muzeu do të çelet te Vila 31 (ish-rezidenca e diktatorit) të premten, më 4 maj, prej orës 20.00-22.00 dhe prej datës 5 maj-20 maj, prej orës 10.00-22.00./ KultPlus.com

“Ballo Vjeneze”, vjen për herë të parë në Tiranë

Me rastin e Vitit Kulturor Shqipëri-Austri 2018, Ambasada e Austrisë në Tiranë dhe Advantage Austria, nën kujdesin e Bashkisë së qytetit të Vjenës dhe Bashkisë Tiranë, sjellin për herë të parë në Tiranë “Ballon Vjeneze”.

“Balloja Vjeneze” do të organizohet më 21 Prill 2018 në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, duke sjellë eksperiencën mahnitëse të valsit vjenez, muzikës së mrekullueshme dhe performancat artistike nga personalitete të kulturës austriake dhe shqiptare.

Duket se kryebashkiaku Erion Veliaj ka nisur që tani përgatitjet, teksa në sheshin “Skënderbej” sëbashku me miq të Tiranës, nën kujdesin e Enada Hoxhës dhe të Gerd Vasos ka bërë prova.

“Duke bërë prova për Ballon Vjeneze në datë 21 prill”, shkruan Veliaj në Facebook, duke postuar një foto ku shfaqet duke vallëzuar me një vajzë të vogël.
Për “Ballon Vjeneze” do të vijë në Tiranë Mr. Uwe Theimer, drejtor i korit në Operën Shtetërore të Vjenës, ndërsa do të performojnë edhe Mexosopranoja e Teatrit të Operas dhe Baletit Vikena Kamenica dhe tenori i njohur Armaldo Kllogjeri. Nuk do të mungojnë as tingujt melodiozë të familjes Qerimi si dhe interpretimi i të rinjve të Shkollës së Baletit në Tiranë.

Ermal Meta me koncert në Tiranë (VIDEO)

Ermal Meta, fituesi i sivjetshëm i Sanremos në Itali, ka konfirmuar koncertin e tij në Tiranë, menjëherë pas pjesëmarrjes në Eurovision.

“Jo vetëm modë” mësoi se kantautori i talentuar me origjinë nga Fieri pritet të performojë përpara publikut kryeqytetas në Pranverë.

Dhe, nëse kënga “Non mi avete fatto niente” do t’ia dalë t’i dhurojë fitoren në Eurosong, as nuk mund ta imagjinojmë pritjen që shqiptarët do të rezervojë për Ermalin gjatë koncertit të tij në Sheshin Skënderbej.

Ermal Meta do të jetë edhe pjesë e spektaklit të famshëm të talenteve “Amici”. Kantautori shqiptar, është prezantuar zyrtarisht si anëtar i jurisë së jashtme, një prej risive që Maria de Filippi, ka vendosur të sjellë në edicionin e 17-të, përcjell tvklan.

Por, Ermal Meta nuk do të jetë i vetmi shqiptar në kastën e profesionistëve të spektaklit./ KultPlus.com

14 prilli sjellë “Frankeshtajnin” e Bokshit në Teatrin Kombëtar në Tiranë

Në Teatrin Kombëtar artistët po punojnë për të sjellë në skenë për publikun një tjetër premierë.

Në një kohë kur në oborrin e Teatrit Kombëtar vijojnë organizimet dhe takimet për të mbrojtur teatrin nga shembja, artistët në mjediset e provave vijojnë punën edhe për premierën e re, që pritet të jetë në skenë mesin e muajit që vjen.

Një dramë e njohur që e sjell regjisori Ilir Bokshi në Teatrin Kombëtar. Drama “Frankeshtajn” shkruar nga Tim Kelly sjell në role aktorë të njohur të teatrit. Në skenë drama premierë do të luhet nga tetë aktorë. Këtë herë rolet në vepër regjisori ia ka besuar aktorëve Helidon Fino, Besmir Bitraku, Yllka Mujo, Klea Huta, Erjona Kakeli, Gent Hazizi, Lulzim Zeqja dhe Niada Saliasi.

“Është interesante se në kulturën popullore emri i cili pasqyron monstrën është Frankeshtajn, dhe shumë ndoshta nuk e dinë se Frankeshtajn është vet shkencëtari e jo monstra. Megjithatë, janë disa që do të thonë se Frankeshtajni, për shkak të pikëpamjes së tij morale dhe asaj që ai ka arritur të krijojë, është po aq monstër sa krijesa që ai ka krijuar”, shkruhet për veprën, përcjell SotNeës.

Aktori i njohur Lulzim Zeqja që është pjesë e kastit të aktorëve tregon se puna për shfaqjen vijon prej kohësh, dhe më datë 14 të muajit prill kjo premierë pritet të ngjitet në skenë.

“Një dramë thriller, ne jemi në prova dhe më datë 14 prill pritet të jetë në skenën e Teatrit Kombëtar”, pohon mes të tjerave aktori Lulzim Zeqja që është në mesin e artistëve që regjisori Ilir Bokshi nga Kosova ka zgjedhur për të sjellë personazhet në skenë.

Me një kastë aktorësh të njohur të teatrit, këtë herë vepra që mban emrin e autorit Tim Kelly do të vijë sipas konceptit regjisorial të Bokshit. Nuk është hera e parë që Ilir Bokshi vjen në Tiranë për shfaqje teatrore, por edhe këtë herë është një vepër e cila në skena të tjera të botës është përcjell me interes.

Skenografia në vepër mban emrin e Petrit Bakallit, kostumet nga Vesa Kraja, kompozitor Art Lokaj dhe asistente regjie Algiona Agaj. Vepra teatrore e dramatizuar nga romani i Mary Shelley nga Tim Kelly, ky adaptim qëndron i veçuar nga dhjetëra adaptime të tjera filmike dhe skenike, sepse ndërkohë që i qëndron më së miri besnik romanit origjinal, vepra gjithashtu bie në një zhanër plotësisht të dalluar, ku komikja dhe tragjikja janë të ndërthurura mjeshtërisht dhe munden që në mënyrë shumë fleksible të paraqiten si njësi në vete apo si një dyshe e bashkuar.

“Viktor Frankeshtajn është një njeri i konsumuar nga shkenca dhe biologjia, pasioni jetësor i të cilit ka qenë të zbuloj shkakun e jetës apo e të dhënit jetë. Pas përpjekjeve dhe eksperimenteve të vazhdueshme, ai më në fund zbulon një rrugë të kthej në jetë indet e njeriut të vdekur. Më shkurt, ai vije në gjendje të krijoj jetë duke qepur së bashku një koleksion makabër pjesësh trupore të njeriut dhe duke përdorur procesin e tij special, ai ka sjellë në jetë një krijesë të ndërtuar nga pjesë trupore njerëzish, por akoma jo tamam njerëzor”, thuhet për këtë vepër që do të vijë premierë dhe në skenën e Tiranës.

Në shkurt të vitit 2013 regjisori Ilir Bokshi ishte në skenën e Teatrit Kombëtar me veprën antike “Edipi Mbret” të Sofokliut. Një pjesë të aktorëve që kanë qenë pjesë e veprës “Edipi Mbret” regjisori Bokshi i sjell sërish në role dhe në veprën “Frankeshtajn”. Pas katër vitesh nga premiera “Edipi Mbret” Ilir Bokshi rikthehet në Teatrin Kombëtar në një tjetër bashkëpunim me artistët./ KultPlus.com

Një monument për Françesk Radin tek Liqeni

“Një vit lamtumire Franko!”. Miq dhe pasionantë të muzikës së Françesk Radit do të bëhen bashkë në 1 vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, për ta kujtuar në vendin që ai deshi më shumë në këtë qytet, amfiteatrin tek Liqeni Artificial.

Më 3 prill ora 9 e mëngjesit pranë amfiteatrit tek Liqeni Artificial, atje ku me kitarën e pandashme krijoi meloditë e para, këngëtari do të kujtohet përmes muzikës dhe një monumenti kushtuar figurës së tij. “Ju presim ta vendosim sërish Frankon mes nesh ashtu si dikur. Më pas në orën 17.00 ne ambientet e kinema Millenium do të transmetohet dokumentari “ Jetë e trazuar “ për të ndjekur rrugëtimin e një ëndrre që edhe pse e prerë tingëllojë gjatë. Kush e njohu Frankon e deshi, kush e deshi qau, e kush qau nuk I tha dot lamtumire, por thjesht mirupafshim Mik. Askush nuk vdes në këtë jetë kur jeton në zemër e melodi”, shkruan bashkëshortja e tij, Tefta Radi.

Në historinë e muzikës shqiptare Françesk Radi do të kujtohet gjithmonë si artisti që foli jo vetëm përmes tingujve por dhe përmes tekstit. Muzika e tij nuk ishte vetëm një muzikë e ndjerë, por kishte brenda dhe intelektualin e angazhuar, duke I folur problemeve të ndjeshme të shoqërisë. Françesk Radi me jetën e tij duket se simbolizon më së miri artistin që iu desh të shtrinte artin e tij në dy pjesët e një sistemi, ku më i ashpri e trishtues ishte diktatura komuniste. Françesk Radi ka kryer Liceun Artistik dhe më pas Akademinë e Arteve Tiranë, shkruan GSH.

Për një periudhë të gjatë kohe ka punuar në Estradën e Shtetit me instrumentin e kitarës, por njëkohësisht dhe si kantautor. Në vitin 1992 ai ka filluar punë në Radio Tirana si solist, instrumentist, gjatë kësaj kohe ka kompozuar dhe kënduar shumë këngë në festivalet e ndryshme në RTV. Pjesë më të bukur të jetës ai konsideronte fëmijërinë në qytetin e Shkodrës. ”Me të vërtet femërinë time e kam kaluar në Shkodër, dhe ajo është pjesa më e bukur e jetës time, pasi aty u edukova, isha koherent me muzikën, me jaret, me këngëtarët shkodranë të atyre viteve, pra çdo gjë e asaj kohe ka lënë gjurmë te unë thjesht si fëmijë, dhe më vonë gjithë këto ndikime, gjithë këto emocione, kanë ndikuar dhe në formimin tim muzikor”, do të shprehej ai në një intervistë kohë më parë.

Idhujt e tij të parë ishin Tonin Tërshana dhe Vaçe Zela apo Anita Take. I konsideruar si Çelentano shqiptar vetë kantautori e ka pranuar ndikimin që muzika italiane ka pasur në muzikën e tij. ”Them se kemi qenë me fat që morëm dhe u ndikuam nga muzika italiane, sepse ajo ka qenë gjithmonë një muzikë profesionale që ia vlente të merrej si model i muzikave botërore, pra jo vetëm unë, por dhe brezi im ka qenë me fat që u ndikua nga kjo lloj muzike dhe sidomos në vitet ‘70 që mbahet si periudha e artë e muzikës, jo vetëm e muzikës italiane, por dhe asaj botërore, dëgjonim Çelentanon, Morandin, Luço Batistin e shumë të tjerë të cilët ishin modele të arta për ne kantautorët e rinj”, do të shprehej ai. Kitara do të bëhej një element i rëndësishëm i këngëve të tij, që do ta indentifikonte lehtë . Periudha e komunizmit nuk do të ishte e lehtë dhe për artistin.

“Realizmi socialist kishte atë kornizën e vet dhe ishte e vështirë të dilje nga kjo kornizë, megjithatë gjërat bëhen më të bukura kur janë të ndalura. Ne e dëgjonim dhe përfitonim nga ajo lloj muzike, mënyra e konceptimit, mënyra e akordeve i zbërthenim tonalitetet, domethënë ka qenë një ndihmë e madhe. Kishte probleme shkolle, fletërrufesh, etj”, shprehej Radi. Kitara në dorë do ta bënte atë të shihej gjithnjë si modern. ”Ka pasur shumë raste, unë në atë kohë shikohesha si pak modern, pasi bija në sy me kitarë. Bujar Kapexhiu më ftoi që të marr pjesë në një premierë, por më parë duhet të më dëgjonte komisioni. Unë shkova dhe mu duk vetja si në gjyq. Këndova një këngë/ “Në aksion ishim bashkë ne të dy”, më vjen njëri dhe më thotë duhet të jesh më i qeshur se po i këndon “Aksionit”, e këndova dhe njëherë, komisioni e aprovoi, po u bë nami se dola me golf në skenë. Më erdhën drejtuesit dhe me thanë se kush ju ka dhënë urdhër të dilni me golf në skenë dhe unë ju thosha se më ka thënë drejtori, më thoshin ik vish diçka tjetër. Ishte një situatë aq komike, por dhe e rrezikshme”, tregonte ai. Dy nga këngët e tij më të dashura mbeten “Adresa”dhe pengje. “Peng i kam pasur të dyja, sepse ato në atë kohë nuk janë kënduar siç kam dashur unë, por siç donin ata që kontrollonin.

Mbaj mend se kur kam regjistruar “Adresën” dhe me thoshin “Franko regjistroje një çik më thjeshtë” arriti deri aty sa që më thoshte tekniku (kuptohet për mirë) “A ka mundësi ta interpretosh keq se për ndryshe kënga nuk mund të kalojë”. “Biçikleta” , megjithëse dhe to për vetë kohën nuk kanë kaluar pa peng”, shprehej artisti. Vitet 90-të do të hapnin një tjetër botë para tij.” Për mua ishte një kohë relativisht e gjatë kur unë isha i shkëputur nga profesioni pasi më ishin mbyllur të gjitha dyert. Pas viteve ‘90 filloi një erë e re për mua, ato që kisha ndrydhur në memorien time tani më në fund arrita t’i shpreh. Habitem si pas 20 vjetësh shkëputje nga muzika, them si kam arritur t’i realizoj këto këngë”, shprehej Radi. Muzika e tij nuk ndryshoi në këto vite, duke ruajtur të njëjtën ndjesi muzikore e zgjedhur të njëjtat tekste të fuqishme duke vazhduar të ishte I dashur për miliona njerëz./ KultPlus.com

Mirush Kabashi për Teatrin Kombëtar: Pas projektit të Ramës, qëndron mafia e ndërtimit

Mirush Kabashi është një nga artistët e shumtë, kundër prishjes së Teatrit Kombëtar dhe ndërtimit të një teatri të ri.

Aktori i njohur i skenës dhe kinemasë, e sheh prishjen e Teatrit Kombëtar të lidhur me interesa të mafies së ndërtimit.

Ai thotë për “Panorama”, se pas projektit të prezantuar nga kryeministri Edi Rama, qëndron mafia e ndërtimit.

“Nuk e pashë projektin për teatrin e ri sepse nuk isha i ftuar në Kryeministri, pasi konsiderohesha me biografi jo të mirë artistike. Kur e sheh se si është konceptuar në urbanistikën e saj, atëherë e kupton se ajo nuk është e sinqertë dhe ajo nuk përmbledh mundësitë e ndërtimit të një Teatri Kombëtar, pavarësisht se aty është paraqitur ana arkitektonike dhe jo ana funksionale. Për këtë nuk është folur fare, ndërsa karakteri kombëtar i godinës së re nuk është përfillur fare. Teatri i Durrësit është në qendër të qytetit, ai i Shkodrës po ashtu, i Elbasanit apo i Korçës. Ndërsa Teatrin Kombëtar po e bëjmë një teatër krejtësisht të maskuar, të jetë një kusur apo një apendiks i ndërtimeve shumëkatëshe që do ndërtohen, ky është një abuzim që i kalon interesat e artistëve”, thotë ai.

“Më shqetëson funksionaliteti dhe mundësia sesi mund të ndërtohet më mirë dhe fakti që imponohet dhe nuk bëhet një diskutim i hapur, sepse mund të ketë dhe variante të tjera, ndoshta më të mira. Ajo që kërkohet, mbi të gjitha është transparenca që të bëhet një gjë e qëndrueshme dhe artistike dhe të tillë mund ta bëjnë vetëm artistët dhe jo politika, e aq më tepër ekzekutivi, që mesa duket është i kapur dhe i lidhur me interesa të mëdha të një lloj organizmi të frikshëm, që quhet mafia e ndërtimit”, vijon më tej aktori i njohur./ KultPlus.com

Sot shënohet Dita e Verës në Tiranë

Tirana pret sot Ditën e Verës. Përveç programit të ngjeshur të aktiviteteve argëtuese, Bashkia e Tiranës ka nisur përgatitjet për t’i dhënë qytetit një atmosferë pranverore dhe mbi të gjitha festive.

Kushdo që ka kaluar nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” me siguri i ka parë zbukurimet që janë vendosur përgjatë gjithë këtij segmenti. Siç shihet edhe nga fotot, veç zbukurimeve me lulet që simbolizojnë largimin e dimrit dhe ardhjen e pranverës, ndërmarrjet bashkiake kanë veshur edhe të gjitha pemët përgjatë gjithë këtij bulevardi me ngjyra që krijojnë një atmosferë festive.

Natyrisht që veç përgatitjeve të Bashkisë së Tiranës për këtë festë duket se ka menduar edhe natyra e cila me ngrohtësinë e këtyre ditëve ka sjellë në qytet më shumë ngjyra, gjelbërim dhe lule.

PROGRAMI DITA E VERËS – 14 MARS 2018
Ora 09:00 Muzikë me DJ tek Liqeni Artificial (hyrja e digës).
Ora 10:00 “Karnavalet në Tiranë”- Parada e fëmijëve të shkollave nga sheshi “Skënderbej” drejt Liqenit Artificial.

Ora 09:00-15:00 Tirana Open Air Show. Avion në sheshin “Skënderbej”. Red Bull në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Aeronautikës.

Ora 09:30-11:15 Fluturime nga Flota Kombëtare e Pilotëve, Kosovë-Shqipëri.

Ora 10:00 Varka dhe kanoe për argëtim si dhe sport të lirë të qytetarëve. Gjithashtu, demonstrime nga profesionistë të lundrimit te Liqeni Artificial.

Ora 10:30-14:30 Koncert tek bulevardi “Dëshmorët e Kombit” (përballë Kryeministrisë). Këngëtarët: Arilena Ara, Sidrit Bejleri, Eneda Tarifa, Lorenc Hasrama, Fifi, Denisa Gjezo& Band. Argëtim, surpriza në zonën e dedikuar të rinjve.

11:00-00:00 Koncert “Summer on Pyramid”, tek sheshi përpara Piramidës. Dee Jay, Dj Aldo, DjSardi, Dj Mickey, Chriss V, VinVeli, Abel Dj.
Prej orës 11:00 dhe gjatë gjithë ditës te Parku i Liqenit Artificial

Përgjatë Digës – Panairi i Artizanëve

Këndi i piktorëve (rruga e 1000 selvive)

Oazi i lojërave për fëmijë (afër fushave multisportive)

Aktivitete sportive si Ping-pong, shah, volejball, basket, handball, harqe, kangoo etj…(para fushave multisportive dhe brenda tyre).

Këndi i fotografisë së pranverës
Libraria e Liqenit e hapur për fëmijët dhe të rinjtë

Këndi i barbekysë

Mbrapa këndit të forcës nr 1: Festival i kërcimit për fëmijë “Ne jemi Bota”. Më pas vazhdon Teatri i Kukullave për Fëmijë.

Tek Teatri Veror: Program klasik me të ftuar nga Shkolla e Baletit dhe Liceu Artistik.
Aktorë të Cirkut do të jenë në hapësira të ndryshme të parkut. Në Kopshtin Zoologjik do të ketë muzikë me DJ si dhe aktorë të Cirkut që do të performojnë për vizitorët e vegjël

Ora 12:00 Red Bull Race Air Shoë.
0ra:12:00-23:00 Koncert për të rinj te sheshi “Italia”. Këngëtarët: – G UP, – Fifi, – Anxhelo Koci, – Gent Fatali, -Fero

Ora 12:00-01:00 Street Party Telekom.
Rruga “Pjetër Bogdani”: Skena e vendosur tek Kino Bar (me pamje nga Whiskey Bar) me muzikë reggae, hip-hop, DnB, tech house, melodic house, electronic.

Rruga Brigada e VIII: Skena e vendosur në krah të Pepper Lounge me pamje nga Sky Tower me muzikë live Jazz, Funk dhe Rock.

Rruga Ibrahim Rrugova: Panair me produkte të ndryshme.

Ora 18:00 Koncert klasik. Amfiteatri te Akademia e Arteve
Këngëtarët: Kastriot Tusha (Tenor)

Ardita Meni ( Soprano)

Zana Frashëri (Soprano)

Evis Mula (Soprano)

Erand Kurani (Fizarmonikë)

Alma Strazimiri (Mezzo-soprano)

Sofika Kola (Soprano)

“Gishti” i Doruntina Bashës impresionon artdashësit në Tiranë

Pamundësia e të “vazhduarit më tej” dhe pozita femërore në çdo luftë në këtë botë ishte mesazhi që mori publiku artdashës i Tiranës në premierën e dramës ”Gishti”, shkruan sot ATSH.

Drama me regji nga regjisorja serbe Bojana Laziq solli premierën këtë fundjavë në Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” nën interpretimin e aktoreve Rozi Kostani dhe Ina Morinaj.

Kjo dramë shqipe e autores Doruntina Basha solli në skenën e teatrit një nga traumat shoqërore më të dhimbshme dhe më të thella të trazirave të pasluftës, çështjen e personave të zhdukur të cilën e sheh nga një perspektivë e fuqishme femërore e që hedh dritë mbi plagët sociale dhe individuale, dëshpërimet dhe plasaritjet.

“Gishti” tregon historinë e dy grave, vjehrrën dhe nusen, të cilat edhe dhjetë vite pas zhdukjes së burrave të tyre në luftën e Kosovës, jetojnë së bashku, të paaftë për t’u vajtuar siç duhet të vdekurit e tyre, dhe të vazhdojnë me jetën.

Zoe dhe Shkurta jetojnë një jetë që është e mbushur me emocione të forta: dashuri, urrejtje, lot, të qeshura dhe mbi të cilën është mbizotëruar përjetësisht fryma e atyre që nuk janë me. Një dramë që fillon nga një gisht i prerë, duke përgatitur bukën për pritjen e dy burrave të shtëpisë, të cilët para dymbëdhjetë vjetëve dolën nga shtëpia për të mos u kthyer kurrë më.

Një nënë e cila nuk pajtohet asnjëherë me fatin e keq të tyre, gjersa nusja apo siç e thërriste ajo Shkurta, më në fund arrin ta kuptojë se ata nuk do të kthehen, e që ato duhet të pajtohen me fatin që është shkruar për të dyja , por jo zemra e një nëne nuk mund ti bëjë ballë asaj.

Kompleksiteti poetik i gjuhës na sjell aspektin më të vlefshëm universal të shfaqjes, nuanca të pafundme të marrëdhënieve të dy grave të cilat në të njëjtën kohë e urrejnë dhe e duan, dhe të cilat nuk mund të jenë më njëra pa tjetrën.

“Gishti” kështu bëhet tregimi për një vetmi të madhe, por edhe për shpresën, për ditët që rrjedhin ngadalë, fuqinë e fantazisë dhe bindjes, dhe ndrydhjes së pashmangshme të jetës së përditshme në çdo shoqëri post-traumatike.

Regjisorja nga Beogradi,Bojana është autore e më shumë se 20 shfaqjeve teatrore dhe fitues të disa çmimeve teatri./ KultPlus.com

Ekspozita “Komunizmi në epokën e tij” hapet sonte në Tiranë

Në prag të 27 vjetorit të rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës, që shënon simbolikisht rënien e diktaturës në Shqipëri, hapet në Tiranë ekspozita “Komunizmi në epokën e tij”, shkruan KultPlus.

Ekspozita do të hapet sonte duke filluar nga ora 18:00 në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Autori i ekspozitës është historiani gjerman, Gerd Koenen. Kjo ekspozitë është përgatitur nga Fondacioni Federal për Studimin e Diktaturës në Gjermaninë Lindore dhe prezantohet për herë të parë në Shqipëri në bashkëpunim me Institutin për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC).

Ekspozita “Komunizmi në epokën e tij” jep mundësinë për të njohur zhvillimin dhe përhapjen e komunizmit në botë, si dhe synon të nxisë reflektimin dhe përballjen e shoqërisë shqiptare me të kaluarën e saj. Ngritja dhe rënia e luminizmit në shekullin XX, vjen si nevojë për t kuptuar se historia që Shqipëria përjetoi për rreth 45 vite nuk ishte dhe aq e ndryshme nga ato që përjetuan vendet e tjera te bllokut komunist.

Ekspozita përfshin 25 postera, me mbi 200 foto historike, dokumente dhe “kode QR” të lidhura me materiale filmike në internet. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 28 shkurt.

Prezantimi i ekspozitës do të jetë në dispozicion nga muaji mars 2018 si një set i posterave në formatin DIN A1 dhe mund të porositet në [email protected].

Më 20 shkurt të viti 1991 u rrëzua dhe u kthye shtatorja e Enver Hoxhës, ky gjest popullor shembi përfundimisht heshtjen përballë përndjekjes shtetërore dhe nxiti përshpejtimin e ndryshimit të sistemit./ KultPlus.com

Erzen Shkololli merr timonin e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë

Sot Erzen Shkololli, mori detyrën e drejtorit të Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë.

Ministrja e Kulturës Mirlea Kumbaro, ishe e pranishme në konferencën që u mbajt sot në Tiranë, me ç’rast falënderoi edhe ish drejtorin e këtij institucioni Artan Shabanin. Tutje Kumbaro, vlerësoi lartë Erzen Shkolollin, si një artistë elegant, duke vazhduar tutje të thotë se ndjehet e lumtur që kanë dy prishtinalinjë në drejtimin e kulturës në Tiranë, zv-ministren e kulturës Vlabona Shujakun dhe Shkolollin, shkruan KultPlus.

Ndërsa drejtori i ri i Galerisë së Arteve në Tiranë, Erzen Shkololli, ka thënë se vizioni i tij është të shtyje zhvillimin e artit në skenat ndërkombëtare por pa harruar artin shqiptarë.

Shkololli zëvendëson prej kësaj të marte Artan Shabanin që për katër vite drejtoi këtë institucion.

Shkololli e merr këtë detyrë pas drejtimit të Galerisë Kombëtare të Arteve në Kosovë. Nën drejtimin e tij skena artistike e Kosovës, e izoluar për disa vite, depërtoi përtej kufijve ndërsa kritikët e vlerësojnë edhe për transformimin e plotë të Galerisë ne Prishtine.
Ai në Shqipëri emri i tij është i njohur nga bienalja botërore Dokumenta 14, që këtë vit u zhvillua në Kasel të Gjermanisë dhe në Athinë. Si këshilltar i bienales, shqiptari nga Kosova, prezantoi më së miri artin modern ne një eveniment ndërkombëtare./ KultPlus.com

U hapë biblioteka “Musine Kokalari”, një hapësirë moderne midis Tiranës (VIDEO)

Biblioteka “Musine Kokalari” në njësinë nr. 7 ka hapur ambientet e reja për lexuesit, shkruan KultPlus.

Kjo bibliotekë e cila i ka dhënë hijeshi Tiranës, tashmë është e gatshme të pres lexuesit e saj me një hapësirë shumë moderne.

Në 100 vjetorin e lindjes së Musine Kokalarit, gruas së parë të letrave shqipe, e cila luftoi për demokratizimin dhe emancipimin e shoqërisë shqiptare, Bashkia e Tiranës, vendosi që njërën ndër bibliotekat e qytetit, ta emëroj pikërisht me emrin “Musine Kokalari”.

Po sjellim një video të publikuar nga i pari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ku tregon pamjen e kësaj biblioteke:

Nga “Nuk dua të rrij më në Paris” e deri tek “Si duhet të jetë letërsia sot”, Helena Kadare përgjigjet midis Tiranës

“Hemingway Bar” në Tiranë Helena Kadaresë i ka propozuar që të zhvillojë një bisedë me miq lexues në barin e tyre.

Ajo pranoi dhe bashkë me Ylljet Aliçkën e disa miq të saj, Helena është ulur së pari si të ishte një kliente që vinte nga 1920-ta, e mandej u është përgjigjur të gjitha pyetjeve që i ka drejtuar moderatorja e kësaj bisede, përkthyesja Aida Baro. Po ndalemi pak nëpër të gjitha përgjigjet që Helena Kadare iu përgjigj hapur e pa u menduar shumë, njësoj si të ishte duke folur me miqtë që dikur kalonin orë të gjata duke biseduar për librat e ndaluar. E para, dhe më e rëndësishmja, ishte Tirana…

TANI NUK DUA TË RRI MË NË PARIS

Kujtoi një rrëfim të një miku në Paris. Ai vinte nga jugu i Francës dhe e adhuroi për 15 vjet Parisin. Një ditë më tha, më zuri mërzia me të. Unë nuk e besoja në fillim se mund të më vinte mërzia me Parisin.
Por tani, them se ka ardhur ky moment edhe për mua. Ndihem shumë mirë këtu. Do doja që jeta ime të përfundonte këtu, jo atje. Jo se më është mërzitur, por ndihem këtu më mirë.
Miqtë e huaj nuk mund të jenë kurrë njësoj me ata shqiptarë “Edhe miqtë, nuk mund të jenë kurrë aq të afërt sa shqiptarët. Unë mendoj se të vjetrit, ata që kemi pasur dikur këtu e që vazhdojmë t’i kemi, janë diamante. Kemi pasur një mik, Gim Myftiun. Na jepte libra fshehurazi. Vinte rrinte te ne. Edhe ai si Ismaili kishte frikë. Por, Ismaili gjithë temat që ka shkruar ia tregonte Gimit. Na zinte mëngjesi duke biseduar e më pas niseshim për në punë. Vinte për çdo natë. Një miqësi të tillë nuk e përfytyron dot në Paris. Mbase ka, por nuk e ndjej. Në Francë më dukej se më kuptonin në fillim, pastaj nga pyetjet që bënin, kuptoja që nuk kishin marrë vesh asgjë. Askush s’e kuptonte anormalen tonë. Ndaj Kadare, thotë s’kam qenë disident, kam bërë letërsi normale në një vend anormal. Më kujtohet një herë se si bisedova me një mikun tim deri në mëngjes dhe mendova se sa mirë kishim kaluar, sa mirë ishim kuptuar. Kur ai, në fund, më bën një pyetje që i rrëzoi të gjitha ato që kishim thënë e kishim bërë. Mjaftoi një pyetje e vetme që të kuptoja distancat dhe të mendoja që nuk më kishte kuptuar në asgjë”.

NËSE DO TË ISHA BURRË DO TA KISHA MË TË THJESHTË

“Është shumë e rëndësishme që njeriu ta dojë punën që bën, nuk mund të ketë njeri më fatlum. Për shoferët, Ismaili thotë se, sa punë të mërzitshme kanë. Sidomos ata të metrove. Ndërsa unë e doja punën që bëja. ‘Kohë e pamjaftueshme’, më shkoi 15 vjet për ta shkruar. Sigurisht, nëse do kisha qenë burrë do të kisha shkruar më shumë, patjetër. Por, puna e Kadaresë vlente më shumë. E adhuroja atë që bënte. Nuk e ekzagjeroj dhe nuk kam qenë e detyruar. Por, kuptova që vlente letërsia e tij. Imja do ishte letërsi mesatare, ndonjëherë pak më e mirë se mesatarja. Ismaili s’ka bërë punë tjetër, veç letërsisë. Unë zgjohesha në 2 të natës, kur lindi vajza, për të zënë radhën për qumështin, por nuk dua të kujtoj këtë, sepse ia ka vlejtur e gjitha. Kryesorja është ta adhurosh atë me të cilin je dhe unë e kam bërë”.

KURESHTJA E MBAN NJERIU GJALLË

“Dua të di gjithçka. Nëse nuk e ke kureshtjen, është si vdekje. Nëse s’ke më aftësinë për t’u habitur, ke humbur. Habia tregon se diçka më shumë kërkon nga jeta”. Nga ana tjetër, Ylljet Aliçka kujtoi bisedat me Aznavour që thoshte se kureshtja të mban gjallë. Sa i takon fëmijërisë si dhe asaj se çfarë e shtyu te letërsia, Helena Kadare kujtoi se ka një korrespondencë mbi leximet me një shoqe. “E gjithë fëmijëria ime ka qenë një korrespondencë letrash për leximet, ishin 20 faqe letër aq sa u bë keq drejtori i gjimnazit; dukej si konspirative. Çfarë shkruanim ne… babai gjithashtu më mbante nën kontroll se mos më vinte ndonjë letër dashurie. Prandaj leximi ishte një nga kënaqësitë më të mëdha, sepse nuk kishim argëtime të tjera. Dickens ishte nga kënaqësitë më të mëdha, “David Koperfild”… Vedat Kokona nëse e keni njohur, ishte shumë burrë i pashëm, me flokë të bardha dhe e quanim kështu si hero librash, pra, jetonim me ëndrra. Dhe këto ëndrra nuk është se na kanë bërë të mendojmë për një princ, që nuk ekziston. Nuk është e vërtetë. Unë kur i lexoja personazhet, vajza të reja apo djemtë, më dukej shumë i madh një personazh në moshën 19-vjeçare, tani që e mendoj është një marrëzi. Unë doja t’i afroja ata te mosha ime, sepse përndryshe nuk e justifikoja dashurinë e saj, doja të ishim në të njëjtat kushte. Kujtoj që isha vetëm 15 apo 16 vjeç. REALIZIMI PROFESIONAL Mendoj se kam pasur një jetë të realizuar, por jo të lehtë. Vështirësitë ndoshta i kanë dhënë edhe sharm, por ka pasur gjëra absurde. S’kanë qenë të befta, kanë qenë ngjarje të jetës, por prej natyre unë kam dashur t’i sheshoj gjërat. Skam dashur të dal unë e fituar, por të vendos paqen, t’i sheshoj gjërat. Këtë kam kërkuar të vë në jetë, paqen, sepse nuk jam njeri i konflikteve. Tani të gjitha gjërat duken më të trishtueshme, sepse ti nuk e ndjen që je i ri. Kur ti e kupton se çfarë është jeta, kthen kokën dhe sheh që ajo ka mbaruar. Në rini nuk je shumë i vetëdijshëm, prandaj edhe nuk di ta shijosh. Me zor mbushej dita, nuk kishte fund… Ndërsa tani nuk mjafton! Nga ana tjetër libra me zor gjendeshin, nuk kishte një film.

FATI ËSHTË VENDIMTAR NË JETËN E NJERIUT

Në përgjithësi kam përkthyer gjërat që kam dashur unë të lexoj dhe që më kanë pëlqyer. Unë besoj se gjithçka, të gjitha zgjedhjet tona, nuk janë aq të fuqishme sa rëndësia e fatit! Këtë e ilustroj me librin e një neurokirurgu anglez që kam lexuar kohët e fundit, më i madhi në Europë. Ai ka botuar një libër “Mos bëj dëm”. Ai flet për të gjithë eksperiencën e tij, më shumë për dështimet, megjithëse është tepër i madh.
E ka shkruar aq bukur atë libër dhe është përkthyer kaq mirë nga dr. Petrela, sa nuk mund ta lësh pas dore. Ai thotë se në zemrën e çdo kirurgu ka një mbaresë të vogël. I ka përshkruar si në një libër policor. “Në të gjitha vitet e mija, sa më shumë shtohej përvoja, aq më shumë bindesha që rolin kryesor e ka fati, dhe këtë ua them unë që jam ateist”, thotë ai.
“Unë e kisha zili nënën time, – thoshte – që besonte te diçka, besonte te Zoti”, por në fund edhe ai arriti në këtë konkluzion që roli vendimtar i njeriut është fati. “Pse ta jep fati ty këtë mundësi dhe nuk ia jep një tjetri që ëndërron ta ketë?!”.

SI DUHET TË JETË LETËRSIA SOT

Unë nuk kam dhënë kurrë këshilla, as fëmijëve të mi, por njeriu duhet të di të përzgjedhë. E gjithë kjo ‘diarre’, që duket nga të gjitha anët, nuk është normale. I thashë një mikut tim që donte t’i botonte një libër djalit 20 vjeç, se është si ta martosh para kohe. Nuk duhet mësuar t’i ketë gjërat gati. Lëre të piqet, të ketë mundimin që ka njeriu kur shkon te botuesi. Duhet të provojë ndjesinë e aprovimit të tij. Prindërit nuk duhet ta shtyjnë fëmijën, as ta detyrojnë dhe as të mos fyhen pastaj kur dikush nuk shpreh entuziazëm për atë që bën. Ndoshta edhe ka të drejtë që fyhet, sepse ai mendon se kushedi ç’është duke bërë… Ambicie le të kenë, le të ecin përpara, por të kalojnë disa sprova./ KultPlus.com

Pranvera Hoxha sot me koncert recital në Tiranë

Pianistja Pranvera Hoxha Bryma, sot më 24 dhjetor në Muzeun Kombëtar në Sallën Unesco në Tiranë, sjellë koncertin recital me vepra spanjolle për piano, shkruan KultPlus.

Mysafir i koncertit do të jetë Dardan Osmanaj, ndërsa mbrëmja me muzikë spanjollë është mbështetur nga Komuna e Prishtinës dhe MKRS.

Pranvera Hoxha Bryma ka diplomuar për piano në Akademinë e Arteve të Bukura dega piano te profesoreshe Anita Tartari. Studimet master i ka përfunduar në Fakultetin e arteve dhe muzikës në Shkup, Maqedoni te profesor Todor Svetiev. Punon në fakultetin e arteve në Universitetin e Prishtinës, si korepetitore e krasëve të flautës dhe klarinetës. Ajo poashtu është profesoreshë e pianos në Shkollën e Muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë./ KultPlus.com

Riccardo Cocciante mbërrin në Tiranë për festivalin e RTSH-së

Para pak minutash ka mbërritur në Aeroportin e Rinasit, kantautori i njohur Italian, Riccardo Cocciante, shoqëruar nga bashkëshortja, Catherine Cocciante me ftesë të drejtuesve të Radio Televizionit Shqiptar, për natën e çeljes së edicionit të 56-të të Festivalit të Këngës.

Në aeroport, artisti i njohur është pritur nga Drejtori i Festivalit të 56-të, z. Martin Leka.

Ai ka falënderuar Radio Televizionin Shqiptar për ftesën dhe e ka konsideruar këtë vizitë, përveçse vendosjen e një raporti të ri me publikun shqiptar,edhe një mënyrë, për ta shpërblyer këtë publik për dashurinë që i ka dhuruar atij si artist. Midis të tjerash, ai është shprehur edhe se e konsideron këtë edhe një rast për ta njohur më mirë vendin tone, sidomos pas lidhjes konkrete që u vendos me Elhaida Danin kur ajo fitoi ‘The voice of Italy”. “Ajo e meritoi dhe publiku italian e deshi. Talenti i saj u evidentua në turin me Notre Dame de Paris në versionin francez. Do ishte mrekulli që në ardhjen time të tretë të sjell muzikalin Notre Dame në Shqipëri”, ka përfunduar ai, sapo ka shkelur në tokën shqiptare.

Artisti është ndalur për të drekuar, për të vijuar ndalesën e tij në Tiranë, pasdite me provat në Pallatin e Kongreseve për performancën e tij të mbrëmjes së 21 dhjetorit.

Cocciante do të interpretojë një nga hitet e tij më të njohura, si edhe një duet me këngëtaren shqiptare Elhaida Dani, me të cilën shkoi deri në fund të udhës në “Voice of Italy”./ KultPlus.com

Biblioteka “Musine Kokalari”, mrekullia midis Tiranës (FOTO)

Në 100 vjetorin e lindjes së Musine Kokalarit, gruas së parë të letrave shqipe, e cila luftoi për demokratizimin dhe emancipimin e shoqërisë shqiptare, Bashkia e Tiranës, vendosi që njërën ndër Bibliotekat e Qytetit, ta emëroj pikërisht me emrin “Musine Kokalari”.

E kjo gjë edhe ndodhi e poashtu biblioteka e re “Musinë Kokalari”, tashmë pothuajse është gati, shkruan KultPlus.

Këtë gjë e ka bërë të ditur i pari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili nëpërmjet rrjetit social Facebook, ka publikuar disa fotografi me pamje magjike të kësaj biblioteke.

“Jo jo shoku, nuk është për kafe, po për libra. Thuajse gati biblioteka e re “Musine Kokalari” e Nj. 7! Është lajm i mirë për një qytet kur bibliotekat bëhen më të mira se kafenetë luksoze”, ka shkruar Veliaj./ KultPlus.com

Kërkesat e shumta për koncertin recital të Dren Abazit dhe Zig Zag Orchestrës, e shtyjnë këngëtarin të sjellë një të dytë (FOTO)

“Mes Yjesh”, titullohet albumi i Zig Zag Orchestra që do të prezantohet në Tiranë, shkruan KultPlus.

Vetë Dren Abazi ka njoftuar se ky koncert është koncert recital dhe do të përcillet me orkestër të madhe. Deri më sot është menduar që të jetë vetëm një koncert më 28 dhjetor, por, jo.

Për shkak të kërkesave të shumta dhe dëshirën e madhe të këngëtarit për të mos zhgënjyer asnjë fans të tij, ai dhe Zig Zag Orchestra, do të performojnë në një koncert të dytë në Tiranë.
“Më 29 Dhjetor, vetëm një ditë pas koncertit të parë, do të ngjitemi sërish në skenën e Katedrales Ortodokse, për të përjetuar një tjetër natë magjike pranë jush, mes yjesh!”, ka njoftuar vetë Dren Abazi.

Të dy koncertet do të mbahen në sallën e Kishës Ortodokse, njëri më 28 dhe tjetri më 29 dhjetor me fillim nga ora 20:00.
Biletat e natës së dytë do të mund t’i gjeni shumë shpejt vetëm te Radio Bar, në Tiranë./ KultPlus.com

Për fëmijët e Kosovës, Shpat Deda me koncert humanitar edhe në Tiranë

Pas koncerteve bamirëse në Prishtinë dhe në Londër, të shtunën Shpat Deda do të këndoj në koncertin humanitar për fëmijët me kancer në Tulla – Culture Center në Tiranë, shkruan KultPlus.

Ky koncert është një nismë e stafit të BERZH në Prishtinë, Tiranë dhe Londër mbështetur nga Tulla-Culture Center dhe Grand Hotel and SPA Tirana. Fondet e mbledhura do të shkojnë për “Fondacionin Kujdesi për Fëmijët e Kosovës” i cili kujdeset që të gjithë fëmijët në QKUK të kenë ilaçet e nevojshme dhe domosdoshme për trajtim.

Të gjitha të ardhurat që do të mblidhet gjatë kësaj mbrëmjeje (përfshirë fondet e mbledhura gjatë gjithë fushatës) do të dyfishohen nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në kuadër të programit të saj “Community Initiative” (kur te përmbushen kriteret raportuese dhe vlera do te dyfishohet deri ne shumën maksimale prej 50,000€. /KultPlus.com

Nesër ndahen Çmimet Kombëtare të Letërsisë 2016-të

Të mërkurën më 6 dhjetor më fillim nga ora 17:00, në sallën e Teatrit të Kukullave në Tiranë, ndahen Çmimet Letrare 2016-të, shkruan KultPlus.

Kjo do të jetë në kuadër të Takimit me Librin, ku nga 10 tituj të përzgjedhur si më të mirët për vitin 2016, nga juria letrare, për Përkthimin dhe për Krijimin Origjinal, dy nga ta do të dalin fitues.

Juria përbëhet nga: Primo Shllaku në cilësinë e kryetarit të jurisë dhe Flutura Açka, Elsa Demo, Bajram Karabolli, Lisandri Kola./ KultPlus.com