“Urban Culture Festival”, kushtuar atyre që i sollën Tiranës ngjyrat që ajo gëzon sot

Vjen edicioni i parë i një eventi kushtuar atyre që kanë shënuar historinë e kulturës urbane, rebelëve, etaloneve të artit dhe revoltës sociale. Disi për t’i kujtuar këtij qyteti që gjithmonë ka pasur një traditë për sa i përket kontroversialitetit dhe për të rikthyer ata të cilët kanë hedhur hapat e parë drejt një kulture të mirëfilltë underground për të cilën tashmë ndoshta jo të të gjithë janë të vetëdijshëm.

Telekom Electronic Beats me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës sjellin në zemër të qytetit, përgjatë dy ditëve, një program dedikuar tërësisht performuesve dhe kulturës urbane. Idea lindi nga vetë fakti që Tirana nuk ka pasur kurrë një festival kushtuar kësaj kulture, e cila në vetvete gjithmonë ka përvetësuar dhe përfaqësuar aspekte të ndryshme të kësaj mënyre jetese nga një perspektivë lokale e mandej globale. Përgjatë dy dekadave të fundit, Tirana ka kaluar përmes shumë eventeve historike të frymëzuara nga lëvizjet e ndryshme muzikore dhe kulturore urbane, evente të cilat tashmë janë pjesë jo vetëm e historisë, por e vetë identitetit të saj. Nga house-i i hershëm apo kasetat me muzikë rock, tek festat e improvizuara dhe sulmet e policisë e deri tek trip-hop-i i fundit të viteve ’90 dhe background-et elektronike që i kanë dhënë jetë e ngjyrë qiellit të qytetit gjatë verës apo festave në magazina gjatë dimrit, apo nga hip-hop-i në dancehall, drum’n’bass e shumë të tjera… Tirana i ka parë e dëgjuar të gjitha! Prapa gjithë kësaj lëvizjeje, hera-herës të shkëputur dhe jo të vazhdueshme, qëndrojnë përpjekjet e shumë individëve të cilët dhanë kontributin e tyre për ta përfshirë Tiranën në lëvizjen globale të kulturës urbane.

Ky aktivitet synon të tregojë këtë histori dhe të festojë bashkë me ata të cilët ndihen të lidhur me kulturën urbane dhe përpiqen ta promovojnë atë.

ÇFARË DO GJENI NË URBAN CULTURE FESTIVAL? Nata e parë, në datën 8 dhjetor do sjellë në ambientet e Minus 1 [parkingu u Sheshit Skënderbej] legjendarët Asian Dub Foundation Sound System nga UK dhe NR Urban Roots, pionerët e muzikës rap/hip-hop nga Kosova. Lokacioni i cili rezultoi një sukses i vërtetë dhe origjinal në mbrëmjen e 22 shtatorit do rikthehet, dhe këtë herë në skenën e tij underground do ngjiten emra të cilët jo thjesht kanë qenë pjesë e momenteve vendimtare të ndryshimeve urbane globale dhe lokale, por kanë dhënë kontributin e tyre artistikisht në zhvillimin e kësaj kulture. Në ditën e saj të të dytë, 9 dhjetor, Urban Culture Festival do zhvendoset tek ikona e kësaj kulture: Piramida, me një program ditor i cili nis në orët e para të ditës me grafitti, skating, break dance, open mic, shfaqjen e imazheve në retrospektivë dhe mbi të gjitha, diskutimeve të cilat së bashku me këto aktivitete do krijojnë tablonë e parë të historikut të jetës urbane në Tiranë, dhe diskutimit të hapur mbi zhvillimin e mëtejshëm të saj. Mbrëmja e dytë rezervon një tjetër tribut ndaj zanafillës së jetës së natës që shijojmë tashmë në qytet, pasi do sjellë në skenë për të performuar me pllaka vinile [Vinyls] emrat të cilët kanë krijuar shtyllën mbi të cilën ngrihet kultura e muzikës [dhe jo vetëm] urbane në Tiranë. Gjithçka do vijë në kohë reale jo vetëm për pjesmarrësit dhe vizitorët, por edhe për të gjithë ata të cilët do duan ta ndjekin zhvillimin e këtij aktiviteti hap-pas-hapi falë transmetieve LIVE në rrjetet sociale.

Për informacione të mëtejshme, programi i detajuar të dyja ditëve ndodhet më poshtë:

8 Dhjetor – Parkimi i Sheshit Skënderbej 21:00 – 22:00 Erblin Bajko (AL) 22:00 – 23:00 The Funky Villainz (IT/AL) 23:00 – 24:00 NR (Urban Roots/ KS) 00:00 – 01:30 ASIAN DUB FOUNDATION (UK) 01:30 – 03:00 Draft (IT) 9 Dhjetor – Piramida

Daily Activities 11:00 – 13:00 Graffiti Live Action 11:00 – 13:00 BreakDance/ Skating/ Open Mic – Music by Positive Cuts 13:00 – 14:00 Talks 14:00 – 15:00 Screenings 18:00 – 19:00 Talks 19:00 – 21:00 Screening Music Program- OLD SCHOOL ELECTRONIC PARTY (VINYL ONLY) 21:00 – 22:00 MINIMIM 22:00 – 23:00 BESA M. 23:00 – 00:30 LEO CIKO 00:30 – IVI ABAZI./ KultPlus.com

“Dama me Kamelie” premierë në Teatrin Kombëtar

Nën regjinë e Luli Hoxha, më 8 dhjetor në Teatrin Kombëtar në Shqipëri jen premiera e shfaqjes “Dama me Kamelie”, me autor Aleksander Duma, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje sjellë një realitet të pandryshueshëm, skamje, luks, mentalitet, fat, të mbërthyera fort nga pasioni. Beteja e përjetshme e reales me të drejtën.

Në kastën e aktorëve vijnë: Laert Vasili, Luli Hoxha, Viktor Zhusti, Rajmonda Bulku, Gjergj Mena, Xhino Musollari, Josif Sina dhe Karafil Shena. Dramatizimi është bërë nga Laert Vasili dhe Luli Hoxha ndërkaq shfaqja vjen premierë më 8 dhjetor me fillim nga ora 19:00 në Teatrin Kombëtar./ KultPlus.com

Emeli Sande sonte në “Natën e Bardhë” në Tiranë (VIDEO)

Sonte më 29 nëntor sheshi Skënderbej në Tiranë, do të vërshohet nga artistët të cilët do të këndojnë në “Natën e Bardhë”, shkruan KultPlus.

Tashmë janë zbuluar emrat që do të performojnë në këtë koncert tradicional, ku përpos Alban Ramosja dhe Kamela Islamaj në “Natën e Bardhë” do të performojë edhe këngëtarja e njohur Emeli Sande.

Koncerti mbahet sonte në sheshin Skënderbej në Tiranë ndërsa është falas për të gjithë./ KultPlus.com

Nesër nis Panairi i 20-të i Librit në Tiranë

Nesër më 15 nëntor në Tiranë nis edicioni i 20-të i Panairit të Librit, shkruan KultPlus.

Panairi i Librit është në një ngjarje të rëndësishme kulturore për botën shqiptare, që do të ketë si objekt paraqitjen e botimeve më të mira të hedhura në qarkullim në harkun kohor të një viti nëntor 2016-nëntor 2017.

Ky panair bashkon të gjithë njerëzit që merren me letrat shqipe: autorët, botuesit, lexuesit, përkthyesit, përfaqësuesit e shtypit dhe të medias etj, me synimin për të krijuar e zhvilluar kontakte tradicionale midis tyre, duke synuar promovimin dhe nxitjen e leximit në masat e gjera, veçanërisht te të rinjtë, në kushtet e mungesës së sistemit të shpërndarjes së librit në vendin tonë.

Panairi i 20-të i Librit ‘Tirana 2017-të’ nis më 15 nëntor me fillim nga ora 08:00 në Pallatin e Kongreseve dhe zgjat deri më 19 nëntor./ KultPlus.com

Manjola Brahaj vjen me librin e saj të tretë “Çka nuk tregohet nuk ka ekzistue”

Në Panairin e 20-të të librit në Tiranë, librave të letërsisë shqipe do ju shtohet edhe një titull “Çka nuk tregohet nuk ka ekzistue” i poetes Manjola Brahaj, shkruan KultPlus.

Ky vëllim është i treti në radhë që vjen pas “Vajtimit të Kalipsosë” dhe “Na nuk jena t’ktuhit” që të dy këto vëllime të vlerësuara me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Sipas vlerësimeve të bëra nga kritika ky libër i saj vazhdon të ruajë frymën dhe brumin e autenticitetit të menjëherëkapshëm nga lexuesi, ndaj këtu po sjellim edhe mendimet e Primo Shllakut dhe të Ag Apollonit për poezitë e poetes Manjola Brahaj.

“Ka ma se nji dekadë e gjysëm që në rrafshin e letrave shqipe asht shfaqë nji çetë poetesh, ose ma mire me thanë, poeteshash të cilat, në njifarë mënyre po shkruejnë nji letërsi “feministe”. Mbas zhvillimit të nji revolucioni gjinor ktu tek na, mbas viteve ’90, marrëdhaniet ndërgjinore u liberalizuen në të mire të çlirimit të energjive krijuese dhe lirive personale. Kjo çetë poeteshash që sot janë shumëzue në numër e që unë kam pas dëshirën me i quejtë “amazona”, amazona letrare gjithsesi, pa e matë se deri ku mund të ketë avancue ky revolucion gjinor, pa e ditë se ku ata ndodhen në raport me frontin e tij praktik, lëshojnë klithmen e tyne vetmitare ndaj lexuesit, me bindjen e plotë se të paktën janë ato që po e përçojnë këtë “revolucion” në sferën kulturore si sanksionim i nji statusi social që ai ka marrë edhe bekimin e arteve. ManjolaManjola Brahaj që ka librin e saj të tretë me poema, asht konseguente sa ndaj vetes aq edhe ndaj rrymës së “amazonave”, të cilës i përket me cilësinë e një elementi të skeletit të saj. Ajo sjell në vargje nji frymë të ngjeshun erotizmi konsumativ, plot me afrime deri në të gjitha zonat e rreptësisë së ksaj tabuje jo shum të vjetër të struktures mendore të shqiptarit. Manjola Brahaj buron kulturalisht nga nji zone folk-tradite ku vargnimi erotik asht ma i avancuemi i të gjithë trevave shqiptare, ajo buron prej nji gjuhë-tradite ku risitë letrare u shfaqen ma së pari e ma së forti se askund tjetër. Mbi shpinën e Manjolës Brahaj shtyjnë me brinat e tyne dy tradita lokomotiva : ajo e sensualitetit të guximshëm e sugjestiv dhe ajo e gjuhës kapilare që “ia merr saktë masën mendimit”. Manjola Brahaj e ka plot koshin me fruta të nxehtë të Shqipnisë së Epër. Manjola asht femën edhe në letërsi…”, shkruan Primo Shllaku për librin e Manjola Brahajt.

Ndërsa shkrimtari Ag Apolloni, thotë se Manjola Brahaj ka krijuar stilin e saj autentik në poezinë më të re shqipe.

“Manjola Brahaj poezinë e artikulon si palimpsest gjinocentrik, duke ia bashkuar zërit të saj edhe jehonën e zërave femërorë që vijnë nga miti për t’i folur njeriut bashkëkohor. Poezia e saj është lirikë e thelbit, jo e gëzhojës, prandaj shpërthen emocionalisht, duke shpërfillur skemat morale, strukturat formale dhe standardin gjuhësor. Në këtë mënyrë poetja Manjola Brahaj ka krijuar stilin e saj autentik në poezinë më të re shqipe”, ka shkruar Ag Apolloni./ KultPlus.com

Në Tiranë nesër hapet ekspozita e veglave muzikore popullore

Ekspozita e veglave muzikore popullore të përdorura në territorin shqiptar gjatë shek. XIX dhe XX do te organizohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Muzeut Historik Kombëtar.

Ajo do të hapet nesër, më 11 nëntor, në orën 17.00 në Tiranë dhe do të jetë e hapur deri më 15 nëntor.

Koleksioni përmban mbi 170 vegla muzikore popullore, duke treguar përmes tyre historinë muzikore të një kombi. Aty ka vegla membranofone, idiofone, kordofone dhe aerofone. Shumë vegla të këtij koleksioni janë të rralla dhe kanë dalë nga pëdorimi. Të gjitha veglat janë pjesë e koleksionit privat të Ermal Selës. Ai ka mbi shtatë vite që mbledh dhe ruan këto vegla. Gjatë kësaj kohe është njohur edhe me shumë artizanë, të cilët vazhdojnë të mbajnë gjallë punimin e velgave popullore muzikore.

Kjo ekspozitë shoqërohet edhe me një katalog. Në të paraqiten me foto dhe përshkrim të gjtha veglat që do të paraqiten në ekspozitë. Në katalog ka edhe foto të artizanëve që vazhdojnë të punojnë vegla muzikore.

Ekspozita do të kurohet nga skenografi Klajd Ymeri./ KultPlus.com

“60 vjet histori” të Ansamblit Popullor përmes një koncerti madhështor

Trupa e Ansambli Popullor sjell në skenë “60 vite Histori”, shkruan KultPlus.

Një koncert gala, i cili do të sjellë repertorin më të bukur të folkut shqiptar, me pjesëmarrje të jashtëzakonshme të artistëve ndër vite.

Koncerti madhështor vjen më 11 dhe 12 nëntor me fillim nga ora 19:00, në Teatrin Kombëtar (në pedonalen përbri Galerisë së Arteve), në Tiranë./ KultPlus.com

Nëntori sjellë Panairin e 20-të të Librit në Tiranë

Më 15 nëntor në Tiranë nis edicioni i 20-të i Panairit të Librit, shkruan KultPlus.

Panairi i Librit është në një ngjarje të rëndësishme kulturore për botën shqiptare, që do të ketë si objekt paraqitjen e botimeve më të mira të hedhura në qarkullim në harkun kohor të një viti nëntor 2016-nëntor 2017.

Ky panair bashkon të gjithë njerëzit që merren me letrat shqipe: autorët, botuesit, lexuesit, përkthyesit, përfaqësuesit e shtypit dhe të medias etj, me synimin për të krijuar e zhvilluar kontakte tradicionale midis tyre, duke synuar promovimin dhe nxitjen e leximit në masat e gjera, veçanërisht te të rinjtë, në kushtet e mungesës së sistemit të shpërndarjes së librit në vendin tonë.

Panairi i 20-të i Librit ‘Tirana 2017-të’ nis më 15 nëntor me fillim nga ora 08:00 në Pallatin e Kongreseve dhe zgjat deri më 19 nëntor./ KultPlus.com

Nisë në Metropol Festivali i Dramës Shqipe

Festivali i dramës shqipe startoi mbrëmë edicionin e parë në skenën e teatrit të Metropolit. Në këtë edicion të parë të festivalit, i cili mbahet në datat 1- 4 nëntor janë përzgjedhur vepra si “Loja e Mbasdrekës” e Martin Camaj, “Armiqtë” e Shpëtim Ginës, “ I biri i Begut” e Milo Duçit.

Pjesë e festivalit është dhe shfaqja “Rrno për me tregue” e At Zef Pllumit me regji nga Milto Kutali, si dhe disa pjesë inskenim të “Njollat e murrme” e shkruar nga Minush Jero dhe regji nga Sonila Kapidani. Gjatë ditëve të festivalit do të ketë edhe dy lexime veprash, “Foleja Kombëtare” nga Lumo Skëndo si dhe “Prangat” nga Halil Laze dhe pas çdo shfaqjeje do të organizohen panele diskutimesh për çdo vepër përkatëse. Sipas drejtoreshës së teatrit Jonida Beqo, “Metrofest” do të jetë festival i përvitshëm i Teatrit Metropol, i cili do të ofrojë në çdo edicion të tij, eksplorimin e një aspekti të ndryshëm të teatrit.

“Jemi shumë të entuziazmuar që këtë edicion të parë vendosëm që të hulumtonim disa nga veprat shqiptare të arkivave, të cilat për një arsye ose një tjetër nuk e kanë prekur kurrë skenën. Fokusi ynë, është te krijimi i një marrëdhënie të shëndetshme me veprën shqiptare”, tha drejtoresha Jonida Beqo.

Veprat vihen për herë të parë në skenë nga regjisorët, platformat e të cilëve janë përzgjedhur gjatë audicionit në Teatrin Metropol. Përkatësisht “Loja e Mbasdrekës” nga Martin Camaj, e cila në skenë erdhi mbrëmë më regji nga Shkëlzen Berisha, vepra e dytë është “I biri i Begut” Milo Duçi dhe do të jetë në skenë në ditët e festivalit me regji nga Joana Omeraj si dhe vepra e ndaluar e Shpëtim Ginës me titull “Armiqtë”, që do të vihet në skenë nga Xhuljano Brisku.

Drejtoresha Jonida Beqo tha dje se regjisorët u përzgjodhën si rezultat i këndvështrimit që kishin mbi pjesët shqiptare. “Në fillim të pranverës ne shpërndamë këto tekstet për të na paraqitur më pas secili platformën e tij regjisoriale. Si pjesë integrale e punës me veprën shqiptare dhe teatrin shqiptar, pyetja e vazhdueshme është se kush do ta trashëgojë dramë shqipe, kush po vjen tani e kush do të vij më pas, kush do vazhdojë këtë punë e kush do ta çoj më tej? Tre regjisorët e veprave shqiptare u përzgjodhën si rezultat i këndvështrimit që kishin mbi këto vepra”, vijon drejtoresha e teatrit Jonida Beqo.

“Loja e Mbasdrekës”

“Loja e Mbasdrekës” me autor Martin Camaj dhe regji nga Shkëlzen Berisha u luajt në skenë nga emra aktorësh të njohur të teatrit si dhe të rinj. Rolet në vepër u interpretuan nga Mehmet Xhelili, Ema Vogli, Julinda Emiri, Ketjona Pecnikaj, Engjëll Hoxha, Shkëlzen Berisha, Besmir Bitraku, Ergys Bamçi. Kostumografia nga Ina Elezi dhe skenografi Hysni Loka. Drama “Loja e mbasdrekës” e autorit Martin Camaj ka në qendër të saj një fenomenin e gjakmarrjes. Është shkruar në vitin 1981, dhe është botuar në vitin 1995. Ngjarjet në veprën “Loja e Mbasdrekës” zhvillohen në një fshat të malësisë së Dukagjinit, duke nxitur ndjesinë e lartësisë që vjen prej klimës së alpeve. “Loja” përdoret me mjeshtri në këtë shfaqje si nocion që e vendos njeriun mes “sajimit” dhe “së vërtetës”. E konsideruar nga regjisori jo vetëm si proces krijues, por si proces kulturimi e zgjerimi të dijeve gjuhësore, historike e sociale, puna për realizimin e kësaj shfaqjeje ka qenë një rrugëtim mjaft i fuqishëm dhe nxitës që ngre pyetje që çojnë në një hapësirë të re thellimi e jo që gjen dhe jep përgjigje statike: Çfarë është drejtësia? Çfarë është padrejtësia? Cila vijë i ndan këto të dyja e si gjendet individi dhe subjektiviteti i tij mes këtyre rrjedhave kur hapësirat e ligjit të shkruar dhe ligjit zakonor thërrasin për interpretim?(Marrë nga SotNews)./ KultPlus.com

Këngëtarja e famshme vjen në Tiranë (VIDEO)

Këngëtarja e famshme skoceze Emeli Sandé, vjen në Tiranë, shkruan KultPlus.

Lajmi i madh është bërë i ditur nga i pari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili ka treguar se këngëtarja e famshme Sandé , vjen në Tiranë për koncertin e madh të Nata e Bardhë.

“E nisim Nëntorin me një super lajm!
Emeli Sandé vjen në Tiranë, në datën #29Nëntor për koncertin e madh të Nata e Bardhë në sheshin Skënderbej.
Mos e humb një ditë-natë me koncerte, muzikë, art, surpriza dhe shumë argëtim”, ka shkruar Erion Veliaj në rrjetin e tij social Facebook.

Ndërkohë lajmin për ardhjen në Shqipëri e ka konfirmuar edhe vetë këngëtarja Sandé, e cila është shprehur shumë e lumtur që do të performojë në Shqipëri për herë të parë.

“Jam shumë e lumtur që do të performoj për herë të parë në Shqipëri dhe që do të jem pjesë e festës Nata e Bardhë në Tiranë, më 29 nëntor 2017-të”, ka shkruar Sandé./ KultPlus.com

Joss Stone rikthehet në trojet shqiptare (FOTO)

Këngëtarja e njohur angleze Joss Stone, e cila para një viti mbajti koncertin në Prishtinë në kuadër të turneut të saj, në fund të këtij muaji vjen në Tiranë, shkruan KultPlus.

Stone, do të mbajë koncert në Qendrën Kulturore Tulla, më 26 tetor.

Biletat për koncert mund të tërhiqen në Tulla nga e mërkura ndërsa Stone është ndër zërat më të mirë në industrinë muzikore aktualisht, e ndoshta ndër këngëtaret që qysh në moshë të re ka ditur të krijojë karrierë të fuqishme në muzikë./ KultPlus.com

‘55 Shades Of Gay’ shkon në Tiranë

Më datë 18 tetor me fillim nga ora 20:00 në Teatrin Kombëtar në Tiranë shfaqjet ‘55 Shades Of Gay’, një performancë teatrore e Qendrës Multimedia nga Prishtina, shkruan KultPlus.

Me tekst të Jeton Neziraj e regji nga Blerta Neziraj, shfaqja sjellë në kastën e aktorëve Tristan Halilaj, Bujar Ahmeti, Shengyl Ismaili, Semira Latifi, Alketa Sylaj dhe Luan Durmishi (vokal). Skenografia dhe kostumet: Sebastian Ellrich / Muzika: Irena Popovic / Koreografia: Florian Bilbao.

Hyrja do të jetë gratisë por megjithatë organizatorët sygjerojnë që publiku të rezervon ulëset në numrin: 042223022.

Qendra Multimedia nga Prishtina, e konsideruar si ‘njëra nga kompanitë teatrore më interesante nga Evropa Juglindore’ [kazaliste.hr], sjell sërish në skenë, në një trajtim krejtësisht politikisht jo-korrekt, një performancë argëtuese politike dhe provokative, kësaj here mbi çështje që kanë të bëjnë me komunitetin LGBTI.

55 shades of gay është një rrëfim burleskë për politikat rreth LGBTI në Ballkan dhe Evropë. Politikanët lokalë të Ballkanit përpiqen të manipulojnë e mashtrojnë zyrtarët e BE-së, mercenarët humanitarë të NGO-ve ndërkombëtare shpesh shfrytëzojnë terrenin homofob për të vjelur fonde e për të realizuar projektet e tyre sociale e edukative [të tipit të punëtorive e seminareve për mënyrën e përdorimit të kondomëve], ndërsa që zyrtarë të BE–së, duke shfrytëzuar pozitën e tyre superiore financiare e politike, përpiqen t’i nënshtrojnë të gjithë.

Në këtë trini [Manipulim. Abuzim. Nënshtrim], pyetja që shtron shfaqja është:
a është i mundur një çlirim seksual [sexual liberation] në Ballkan? Ose, a mundet Ballkani ta nisë një ‘Pranverë ballkanike të revolucionit seksual’?
Në shfaqje, një çift gay bën kërkesë për kurorëzim në një qytet provincial konservativ dhe thellësisht homofob. Kërkesa bëhet në kohën kur shoqata italiane Don Bosco ka nisur në qytet ndërtimin e një fabrike për prodhimin e prezervativëve, një projekt ky që është përkrahur financiarisht nga Bashkimi Evropian dhe që synon zvogëlimin e papunësisë në atë qytet ku papunësia shkon deri në 90%. Intelektualë, artistë, politikanë, përfaqësues të fesë e bombahedhës profesionistë angazhohen që kjo martesë të mos ndodhë, pavarësisht se martesa e çifteve të së njëjtës gjini lejohet me kushtetutën e vendit, të cilën kryeministri e ka nënshkruar simbas udhëzimeve të BE-së.

55 shades of gay është realizuar nga një kastë e 5 aktorëve të mrekullueshëm kosovarë dhe nga një ekip i artistëve teatrorë eminentë nga Gjermania, Kosova, Franca dhe Serbia.

Kjo shfaqje është financuar nga The Olof Palme International Center dhe Goethe Institute.

Menaxhere e skenës: Lendita Idrizi / Ass. e produksionit: Verona Koxha / Drejtor teknik: Denis Berisha / Ndriçimi: Mursel Bekteshi./ KultPlus.com

‘Pallati i Brigadave’ hap dyert për vizitorët (FOTO)

Një nga vendet më të mistershme të kryeqytetit shqiptar, që vitet e fundit është bërë pjesë e eventeve të mëdha politike, artistike ka hapur dyert për të gjithë.

Misteri i historisë që mbart Pallati i Brigadave, sidomos për faktin se ka qenë gjithmonë i mbyllur për sytë e publikut, tani mund të zbulohet çdo fundjavë.

Për herë të parë që prej ndërtimit të tij, parqet e Pallatit të Brigadave kanë hapur dyert për të gjithë vizitorët gjatë fundjavës.

Ata që e vizituan, mbetën të kënaqur nga madhështia dhe bukuria e kopshteve rreth e qark. Parqet e Pallatit të Brigadave do të qëndrojnë hapur çdo fundjavë.

Lajmin e ka ndarë për publikun edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj./ KultPlus.com

Priska, ‘bukuroshja’ e Tiranës, e pa zbuluar ende

Janë dy Priska, e Madhja dhe e Vogla. Janë fshatra fare pranë Tiranës në lindje të saj, që merren kryesisht me bujqësi dhe blegtori.

Kanë një reliev të butë kodrinoro-malor dhe të gjelbëruar. Rrugët mund të thuhet se janë të mira, pavarësisht se tek-tuk ka dale asfalti dhe duken gropat e lëna, por udhëtohet.

Peisazhi është i veçantë si në verë me gjelbërimin e thellë, por edhe na vjeshtë kur fillon e natyra përflaket. Nga kodrat e Priskës ka një panoramë mahnitëse ku vendin kryesor e zë Liqeni i Bovillës dhe Brari.

Është një destinacion turistik mjaft interesant për turizmin shoqëror dhe atë familjar.

Tani që peizazhi ndryshon nga i gjelbër në të kuqërremtë, bëhet shumë tërheqës.

Nuk është vetëm natyra, por edhe trashëgimia kulturore- etnografike, mënyra e jetesës dhe mbi të gjitha, prodhimet bio.
Është fare pranë Tiranës dhe pak e zbuluar.

Le ta prezantojmë edhe Priskën si një destinacion të afërt turistik për kryeqytetasit dhe të tjerët. Priska ja ku është bashkë me bukuritë e saja. / KultPlus.com

Franco Fontana, fotografi i njohur italian vjen me ekspozitë në Tiranë

Fotografi i madh italian Franco Fontana do të hapë ekspozitën “Grand Tour Italia” në Tiranë. Fontana është një fotograf ekologjik, dhe i suksesshëm në shumë zhanre fotografish.

Këndvështrimi i tij është fokusuar kryesisht në përdorimin e ngjyrës e gjeometrisë. Skena nga jeta sociale, pamje nga jeta rurale, industriale apo urbane, krijojnë një antagonizëm të ngjyrave të forta, pothuajse të ekzagjeruara dhe linja të mrekullueshme në artin fotografik të Fontanas. Ai njihet si një nga eksponentët më të mëdhenj të fotografisë italiane.

Hapja e ekspozitës do të bëhet më 6 tetor, në orën 18:00 në Muzeun Historik Kombëtar, ndërsa ekspozita do qëndrojë e hapur një muaj rresht, deri më 5 nëntor.

Peizazhi italian në blicin e Fontanas

Nëpërmjet blicit të tij, peizazhi italian shfaqet si një figurë gjeometrike pothuajse përfekte. Ky peizazh është i mbështjellë në një atmosferë të tejdukshme që ngjall tonet rilindëse. Hapësira e fotove mbushet nga ngjyrat e plota, të verdha, jeshile dhe bojëqielli. Janë gjuha e një fotografie që punon rreth poezisë së ngjyrës e që vjen për të transformuar natyrën në forma abstrakte, shkruan Shqiptarja.
Franco Fontana lindi në Modena të Italisë në vitin 1933. U shfaq si fotograf autor në vitin 1961. Që nga vitet ’70 ai ka punuar në kërkim të një stili esencial kompozicional, bazuar në fushat e ngjyrave. Nga vitet ’70 deri më sot Fontana ka realizuar më shumë se dyzet libra në Itali, Francë, Zvicër, Spanjë, SHBA dhe Japoni dhe i ka ekspozuar punën e tij në më shumë se 400 ekspozita personale dhe kolektive në muzetë dhe galeritë në mbarë botën. Veprat e tij mbahen në muze të rëndësishëm në nivel botëror, ku ka fituar shumë çmime dhe ka qenë një nga më të preferuarit e National Geographic. Fontana sfidon me ngjyrën dhe për të vetë ngjyra është më e vështirë se bardhë e zija.

Në një intervistë për National Geographic, Fontana ka thënë se “Ngjyrat e mia janë një plotësim i artit të bardhë e zisë, një mbivendosje për ta sjellë fotografinë te kërkesat që ka vetë fotografia me ngjyra. Ngjyra është një arritje e pashmangshme në evolucionin e fotografisë”. Ekspozita, kuruar nga vetë Franco Fontana, mbërrin në Tiranë, pas prezantimit në Split, Rijekë, Zagreb, Beograd dhe Cetinje dhe në Itali. Ekspozita e Franco Fontanas “Grand Tour Italia” është mundësuar nga Instituti Italian i Kulturës, Ambasada Italiane në Tiranë dhe Qendra e Hulumtimit e Arkivimit të fotografisë së Friuli Venezia Giulia (CRAF). / KultPlus.com

Teatri Metropol sjellë ‘Euridita’ tek Piramida në Tiranë

Më regji të Jonida Beqo, Teatri Metropol në Tiranë sjellë shfaqjen ‘Euridita’ nga Sara Ruhl, tek Piramida në Tiranë, shkruan KultPlus.

Në këtë shfaqje ritregohet historia klasike e mitit të Orfeut nëpërmjet syve të dashurisë së tij, Euriditës. Të vdesësh kaq e re, në ditën e dasmës, Euriditës i duhet të udhëtojë drejt botës së nëndheshme ku ritakohet me babanë e saj dhe përpëlitet të kujtojë dashurinë e humbur. Me karaktere bashkëkohore, konflikte të vazhdueshme të brendshme, të jashtme dhe estetike vizive që të le pa frymë, kjo shfaqje risjell një pamje të re për këtë histori dashurie të pa kohë.

Në kastën e aktorëve bëjnë pjesë: Armela Demaj, Niko Kanxheri, Amri Hasanlliu, Ermir Jonka, Jonida Beqo, Klesta Shero, Edvin Mustafa, Klea Konomi, ndërsa balerinët janë: Sedmir Memia, Sara Koci, Xhevit Isufi, Leonardo Çela, Menajda Malko, Esmeralda Mikeli.

‘Euridita’ shfaqet më 12 tetor me fillim nga ora 19:00, tek Piramida në Tiranë./ KultPlus.com

Statuja e Skënderbeut në SHBA, fotografia e ditës nga Ambasada Amerikane në Tiranë

Ambasada Amerikane në Shqipëri, përmes profilit të saj zyrtar në Facebook, ka shpërndarë fotografinë e statujës së heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, statujë kjo e vendosur në kodrat Rochester, Miçigan, SHBA.

Këtë fotografi, Ambasada e ka cilësuar si “Foto të Ditës”.

“Foto e Ditës | Statuja e parë e Skënderbeut në Shtetet e Bashkuara, në kodrat Rochester në Miçigan. Statuja qëndron pranë kishës katolike shqiptare të Shën Palit, e cila u themelua në 1981 nga emigrantë shqiptarë, shumë prej të cilëve ishin vendosur në kontenë Okland gjatë viteve ’70”, ka shkruar Ambasada në postimin e saj në Facebook.

Fotografia ndërkaq është shpërndarë fillimisht nga profili “Team Albanians” në Twitter./ KultPlus.com

Artistët forcojnë zërin në mbrojtje të xhevahirit të egër të Evropës

Artistët kthehen sërish pas një viti nga koncertet protestë “Mos ma prek Valbonën“, dhe “Jo, importit të mbetjeve në Shqipëri“, në Sheshin e Kryeqytetit, pranë Muzeut Kombëtar, në mbrojtje të Lumit Vjosa.

Në këtë concert sensibilizues do të marrin pjesë artistët si: Elina Duni, Eda Zari, Gent Rushi, Rob Luft, Vlashent Sata, Marsela Çibukaj, Linda Rukaj, Charles Lamouroux, Ermal Rodi, Florian Garcin, Emiljan Dhimo Grupi Ppolifonik Lunxhëria, Grupi i Bençës dhe Dj. ODA.

Në Shqipëri planifikohet ndërtimi i më shumë se 500 hidrocentraleve, fakt i cili kërcënon të gjithë lumenjtë e Shqipërisë. Eksperiencat e kaluara na tregojnë se formatet e solidarizimit, thirrjet për bashkim në kauzë, ndërgjegjësimet kolektive, shumica (fatkeqësisht) nuk i kuptojnë, me dashje ose pa. Politikë-bërësit nuk duan t´ja dinë. Por as artistët nuk duan t´ja dine. Solidarizim, duhet të tregojnë të gjithë ata që kanë një fije atdhetarizmi, ndjejnë akoma se kanë ende lidhje me mëmë-dheun, se kjo kauzë ju përket edhe brezave të ardhshëm dhe kush është indiferent i bën dëm të pakthyeshëm të ardhmes së vet dhe pasardhësve. Fakti që politikë-bërësit nuk përfillin fare edhe kur bëjmë tubime /protestë /koncert etj., kjo na forcon më fort zërin. Janë shkelur konventa dhe ligje kaq hapur, ndaj dhe çështja ndodhen në gjykatë, dhe kështu ajo do të shkojë qoftë dhe në atë ndërkombëtare. Nuk mund të lihet diçka kaq madhore në ndërgjegjen e njerëzve skepto-apatikë që i ua kanë gozhduar trutë me propagandë-konsumizmi, thuhet në njoftim.

Koncerti mbahet më datë 18 tetor, nga ora 19:00 në Tiranë – Sheshi përballë Muzeut Kombëtar. / KultPlus.com

“Detyrë klase”, ekspozita me gjëegjëza nga Eljan Tanini

Kujtime fëmijërie, letra të grisura me gjurmët e vizatuara në mur, vese, vëzhgime, shikime fshehtësie, portrete të rriturish, habi lumturie, dashuri, gogola me gjëegjëza, janë pjesë e këtij cikli me titullin “Detyrë Klase” nga Eljan Tanini.

Kjo ekspozitë po vizitohet nga shumë fëmijë dhe të rritur.

Autori përmes kësaj ekspozite ka si qëllim të kthehet në fëmijëri, duke provokuar me pastërtinë e dëshirave njerëzore. Teknika e përdorur për këto punime është akrilik mbi kanavacë.

Ekspozita është hapur më 25 shtator dhe do të qëndrojë e hapur deri më 5 Tetor tek Vila Irobrush, Rruga Qemal Stafa, Tiranë. / KultPlus.com


‘Tulla’ nis sezonin me ngjarje interesante, performon edhe Andrra

Tulla Culture Cente në Tiranë nis sezonin e katërt me ngjarje interesante nga arti, shkruan KultPlus.

Kjo qendër kulturore e cila përgjatë vitit ka sjellë emra të njohur të muzikës, artistë të ndryshëm me ekspozita e kështu me radhë, më 6 tetor ditën e premte me fillim nga ora 20:00 hape sezonin me ekspozitën ‘Minierat e Kulturës’ nga Labin Art Express, Kroaci. Ndërsa po atë ditë me fillim nga ora 21:00 do të performojë Live grupi ‘Drones ‘72’ nga Brukseli.

E të shtunën më 7 tetor në këtë qendër kulturore do të performojë Andrra-Fatime Kosumi. Andrra do të performojë si pjesë e programit zyrtar të ‘Tetorit Gjerman’, me fillim nga ora 21:00./ KultPlus.com

Haradinaj: ‘Viti i Skënderbeut’ do të bashkojë edhe më tej shqiptarët

Nën kryesinë e dy kryeministrave, Edi Rama i Shqipërisë, dhe Ramush Haradinaj, i Kosovës, në Tiranë është mbajtur sot takimi i parë inaugurues i Komisionit për organizimin e Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj është shprehur i kënaqur që një organizim i tillë do të bashkojë edhe më tej shqiptarët.

Viti i Skënderbeut do të nisë me mbledhjen e dy qeverive më 27 nëntor e vijon të nesërmen më 28 nëntor në 105 vjetorin e Pavarësisë. Kryeministri Rama e quajti këtë vit si motiv për të ripërtërirë lidhjet me njëri-tjetrin dhe si një yll orientues të rrugës së përbashkët, në funksion të një të ardhme të merituar për të gjithë shqiptarët.

“Nuk kishte se si sot, teksa kryeministri i Kosovës e nderon Shqipërinë me vizitën e tij zyrtare, mos të nguteshim që të çelnim siparin e përpjekjes së përbashkët për konkretizim të një viti simbolik që e duam të favorshëm dhe frymëzues për të gjithë shqiptarët, viti nën shenjën e paperëndueshme të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut” tha kryeministri Rama.

Nën kujdesin simbolik të Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit, dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, Viti i Skënderbeut do të bëjë bashkë në aktivitete të ndryshme botën akademike e universitare të dy shteteve, por edhe të vendeve të tjera ku jetojnë shqiptarët. /KultPlus.com

‘Në kujtim të At Zef Pllumit’, ekspozitë dhe forum në Bibliotekën Kombëtare

Sot me fillim nga ora 11:00, në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, do të mbahet ekspozita kushtuar memuaristikës shqipe dhe forumit ‘At Zef Pllumi-dëshmi’, shkruan KultPlus.

Në këtë ngjarje do të marrin pjesë Odile Daniel, Sabri Hamiti, Ardian Marashi, Keda Kaceli, Mark Marku, Enriketa Pandelejmoni, Blendi Fevziu, Agron Tufa, Elsa Demo, Rudi Erebara, Arben Bajo, Pashkë Përvathi, Arben Derhemi, Milto Kutali dhe Persida Asllani.

Po në këtë event do të bëhet promovimi i botimit të veprës së At Zef Pllumit të plotë në ‘Botimet Franceskane’, nga At Vitor Demaj dhe At Mirash Marinaj./ KultPlus.com

Biblioteka Kombëtare zbardh dëmet nga zjarri i 15 marsit, u dogjën mbi 3800 libra, gazeta dhe revista shqiptare të viteve 1905-1982

Biblioteka Kombëtare pas zjarrit të rënë më 15 mars të këtij viti zbardh dëmet që janë shkaktuar. 3308 njësi libra, revista dhe gazeta rezultojnë të asgjësuara nga zjarri, tituj të viteve 1905-1982.

Rezultojnë të asgjësuara nga zjarri 748 njësi bibliotekare (fondi i koleksioneve të gazetave), 273 njësi bibliotekare (fondi i koleksioneve të revistave), 134 njësi bibliotekare (fondi i librit të huaj/fjalorë), 100 njësi bibliotekare (fondi i librit të huaj), 2.053 njësi bibliotekare (fondi i librit shqip), në total 3.308 njësi bibliotekare. Pas rënies së zjarrit në mars në një dalje për mediat, drejtoresha Persida Asllani la të kuptohet se janë djegur libra, të cilët janë të rikuperueshëm. Edhe pas disa muajsh drejtoresha Asllani mban të njëjtin qëndrim. Dje Asllani u shpreh se gjithçka është e rikuperueshme përmes blerjeve, dhurimeve apo restaurimeve. Sipas saj, aktualisht BKSH mban barrën e dy problematikave të mëdha kriza e hapësirave dhe mbivendosja e funksioneve.

“Pavarësisht masave të ndërmarra, gjendja aktuale e hapësirave të Fondeve të BKSH-së mbetet kritike, duke pasqyruar në mënyrën më të mprehtë një krizë hapësirash të shfaqur qysh në vitet ’80. Mbivendosja e funksioneve, qysh prej viteve ’90 BKSH mbulon edhe mungesën e Bibliotekës së qytetit të Tiranës, i cili sot numëron rreth 1.000.000 banorë. Ajo shërben edhe si Bibliotekë Kombëtare e Shqipërisë edhe si Bibliotekë publike e Tiranës, duke akumuluar funksione shpesh të papërputhshme me njëra-tjetrën dhe detyra që përmbushen më vështirësi e sforcim të madh”, pohoi Asllani.

Pas rënies së zjarrit drejtoresha e BKSH pranon se në këtë gjendje është e vështirë të garantohet siguria e fondeve. “Akumulimi i librave edhe për të plotësuar funksionet e saj publike, ka rënduar edhe më shumë e më shpejt krizën e hapësirave. Në kushtet aktuale, asnjë masë, sado e sofistikuar teknikisht, nuk na garanton sigurinë e fondeve të BKSH-së, duke na detyruar të zbatojmë protokollet e sigurisë për raste të tilla. Këto protokolle diktojnë në mënyrë të pashmangshme një përdorim sa më të pakët të mjediseve ku ruhen librat, duke kërkuar që ato të ruhen sa më shumë në “gjendje qetësie”” cilësoi Asllani. Por në këto kushte huazimi i librave edhe për të anëtarësuarit do të jetë i pamundur dhe kjo për një kohë të pacaktuar. Megjithatë sallat e leximit do të jenë hapura.

Asllani: Një Bibliotekë të re kombëtare

Për krizën e hapësirave në këtë institucion dhe për funksionet e mbivendosura të Bibliotekës Kombëtare drejtoresha Persida Asllani kërkon një bibliotekë të re për Tiranën e mbipopulluar. “Propozimi është për themelimin e një biblioteke të qytetit të Tiranës, me mbështetjen e Bashkisë dhe BKSH-së dhe ndërtimi i një Biblioteke të re kombëtare. Biblioteka Kombëtare është shpallur një nga tri prioritetet kryesore të qeverisë për këtë mandat. Po shqyrtohen të gjitha rrugët e mundshme për të dhënë një zgjidhje sa më afatgjatë e bashkëkohore”, tha Asllani për problemet në këtë institucion.

Masat e ndërmarra nga BKSH për të tejkaluar dëmet e shkaktuara janë restaurimin e njësive të dëmtuara pjesërisht; përpilimin e listave me njësitë e asgjësuara, përgatitjen për t’i pasqyruar në regjistrat e inventarit të përgjithshëm të BKSH-së; restaurimin e mjediseve të dëmtuara, etj. Në fjalën e saj Asllani theksoi se në masat e marra është dhe ripërtëritja dhe përforcimi i sistemit të detektimit dhe mbrojtjes kundër zjarrit. “Përmes një financimi të ndërmarrë nga ministria u realizua projekti për ripërtëritjen e sistemit kundër zjarrit. Jemi në fazat e implementimit të tij nga pikëpamja administrative dhe më pas teknike, e cila përmbyllet brenda pak javësh”, pohoi drejtoresha e BKSH. Në dispozicion të Ministrisë së Kulturës dhe me destinacion përdorues BKSH-në, është miratuar nga ana e qeverisë (VKM) një ndërtesë në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Në fjalën e saj Asllani bëri me dije kjo ndërtesë, mbasi të investohet e të përshtatet do të përdoret për evakuimin e pjesshëm të fondit. Në vitin 1966 BKSH u zhvendos në një pjesë të ndërtesës së re të Pallatit të Kulturës, ku gjendet dhe sot.

Por që nga ajo kohë në këtë institucion kanë munguar investimet që duhen për të ruajtur këtë pasuri të pazëvendësueshme. /KultPlus.com

Mbrëmë në Tiranë u dha premiera e filmit “Bloodlans” (FOTO)

Pas premierës botërore në Glasgow, filmi i parë shqiptar i zhanrit horror “Bloodlans” erdhi mbrëmë premierë në Tiranë, shkruan KultPlus. Filmi me skenar dhe regji të Steven Kastrissios tashmë ka marrë edhe shpërblime ndërkombëtare, duke përfshirë edhe çmimin për aktoren shqiptare Suela Bako, kurse pos saj, në këtë film me rolet e tyre kanë luajtur edhe aktorët: Gëzim Rudi, Emiljani Palali, Suela Bako, Alesia Xhemalaj, Florist Bajgira, Ilire Vinca, Dritan Arbana… KultPlus ju sjellë disa fotografi nga premiera mbrëmë. /KultPlus.com