Çdo vit dëgjoj njerëz tek bëjnë listat për të lexuar më shumë libra. Për ta bërë këtë, një numër i zakonshëm vihet si synim se sa libra duhet lexuar para mbarimit të vitit. Qoftë një libër në javë apo madje edhe një libër për krejt vitin, mua nuk më duket me vend leximi i një numri të caktuar librash në një kuadër të dhënë kohor.
Ja shihni studimet e mia për letërsinë angleze: në disa javë më duhej të lexoja katër romane të gjata. Më shumë sesa t’i shijoja siç duhej e të kridhesha tamam në atë çfarë po lexoja, unë e gjeja veten duke kaluar shkel e shko shumicën e librave në një rropatje të dëshpëruar për t’i kryer me kohë. Njohuritë mbi numrin e librave që më duhej t’i lexoja ende po atë javë dhe sasia e faqeve të mbetura deri në mbarim të librit të tanishëm janë figura që më janë qepur vazhdimisht teksa po përpiqem të përqendrohem në fjalitë e faqes, shkruan sot Koha Ditore.
Nuk dyshoj që vendosja e një numri të caktuar librash për t’u lexuar si rezolutë duhet të përftojë një përvojë të ngjashme. Leximi bëhet sikur një punë e detyruar. Ka të bëjë më pak me lexim për ëndje dhe më shumë me lexim për shkak se është një gjë që mendon se duhet ta bësh. Me një listë që kërkon një vistër librash për t’u lexuar, mendoj se njerëzit me gjasë do të lexojnë gjëra që veçse janë të familjarizuar me to apo edhe libra të lehtë që mund të lexohen në një kohë më të shkurtër, më shumë sesa të harxhojnë kohë për të gjetur diçka të re.
Mbase listat e leximit duhet të vënë theksin më shumë te cilësia e asaj çfarë po lexojmë në vend të sasisë. Nuk dua të them që “cilësia” nënkupton një listë snobe të leximit, që përbëhet vetëm prej klasikëve apo veprave popullore, për të cilat secili ka dëgjuar. Përkundrazi, ne duhet të lexojmë libra që na i hapin sytë nëpërmjet perspektivave dhe mendimeve të ndryshme, duke çpleksur kultura e botë të freskëta e të paprekura e të largohemi ca nga ajo që zakonisht e gjejmë vetëm duke lexuar. /Koha /KultPlus.com