Rita Ora dekorohet me titullin “Naim Frashëri”

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj dekoroi me titullin “Naim Frashëri” artisten e mirënjohur Rita Ora me motivacionin “Në vlerësim të kontributit të dhënë në lartësimin e vlerave artistike dhe njerëzore përmes artit. Me mirënjohje për aktivitetin dhe rolin e saj si ambasadore në çështje me ndjeshmëri të lartë kombëtare dhe globale”.

Në ceremoninë e dekorimit, duke iu drejtuar familjarëve, miqve, të ftuarve dhe përfaqësuesve diplomatik të pranishëm, Presidenti Begaj u shpreh i sigurtë se ky nderim sot mbart vlerësimin e çdo artdashësi në Shqipëri, Kosovë dhe kudo në botë. “Janë miliona njerëz që mendojnë se ti je shembulli më i qartë se kur talenti dhe dimensioni njerëzor ndërthuren së bashku, krijojnë vlera të jashtëzakonshme që frymëzojnë globalisht”, tha ai.

“Më lejo të shpreh konsideratën time për të gjithë përkushtimin tënd për artin dhe kulturën. Njëkohësisht, gjej rastin të inkurajoj që të sjellësh për botën, por edhe për kombin tonë shembullin se si arti, vendos ura komunikimi në të gjitha dimensionet, bashkon njerëzit dhe shëron zemrat. Dhuntia jote, një zë i mrekullueshëm, së bashku me shumë talente te tjera që mbart, të kanë shndërruar në një njeri që ka rrëmbyer zemrat e miliona artdashësve”, theksoi Begaj.

“Me krenari, të gjithë kemi parë se si zëri yt jo vetëm e ka pasuruar fondin e muzikës botërore, por është një zë i fuqishëm edhe në shumë kauza sociale e kulturore, të cilat ndihmojnë për ta bërë botën një vend më të mirë për të gjithë. Shqipëria dhe Britani e Madhe kanë një histori të gjatë bashkëpunimi. Ne festuam 100 vjetorin e marrëdhënieve tona. Java e kulturës britanike që ne festojmë, tregon se jo vetëm nëpërmjet kulturës, por edhe përmes biznesit, ekonomisë dhe politikës, lidhja jonë do të jetë e fortë për shumë vite të tjera në vijim”, u shpreh Begaj.

“Uroj që edhe në të ardhmen ta sfidosh veten duke u nxitur nga kjo ambicie artistike e fortë dhe duke plotësuar ëndrrat e tua, ta bësh mbarë botën të ëndërrojë. Së fundi, me lejo të them se, nëse për botën je një artiste e madhe, për ne je gjithnjë një burim krenarie!”, përfundoi Begaj./atsh/ KultPlus.com

Ilir Meta vlerëson shtëpinë botuese ‘Buzuku’ me titullin “Naim Frashëri”

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka vlerësuar gjatë ditës së sotme shtëpinë botuese ‘Buzuku’, me titullin ‘Naim Frashëri’, e cila u krijua tre dekada më parë, në kushtet tejet të rënda të aparteidit serb, e para e pavarur në gjithë hapësirën ku flitet shqip, shkruan KultPlus.

Meta e konsideruar nismën e krijimit të kësaj shtëpie botuese të guximshme dhe të dobishme për kohën.

“Kjo nismë sa e dobishme, aq edhe e guximshme për kohën, lidhet me emrin e Abdullah Zenelit, i cili vinte nga shkolla e të mirënjohurës “Rilindja”. “Buzuku” po hynte në jetën shpirtërore të shqiptarëve për të bërë histori me botimin e shumë veprave artistike e historike të elitës intelektuale, duke paraqitur identitetin, kulturën, shpirtin krijues të kombit dhe vlerave të qytetërimit shqiptar”, tha Ilir Meta.

Ai ka shtuar se është fat që sot kemi bibliotekat tona me një kontribut të çmuar si ajo ‘Buzuku’. Sipas tij kjo punë e madhe dhe në kushte shumë të vështira në shërbim të kulturës shqiptare si një e tërë, përtej ndasisë së kufijve shtetërorë, e vendos Abdullah Zenelin dhe ekipin e ‘Buzukut’ në trashëgiminë frymëzuese të Rilindjes sonë.

Më poshtë mund të lexoni statusin e tij të plotë:

Tre dekada më parë, në kushtet tejet të rënda të aparteidit serb, lindi në Prishtinë, Shtëpia Botuese ‘Buzuku’, e para e pavarur në krejt hapësirën ku flitet shqip.

Kjo nismë sa e dobishme, aq edhe e guximshme për kohën, lidhet me emrin e Abdullah Zenelit, i cili vinte nga shkolla e të mirënjohurës “Rilindja”.

“Buzuku” po hynte në jetën shpirtërore të shqiptarëve për të bërë histori me botimin e shumë veprave artistike e historike të elitës intelektuale, duke paraqitur identitetin, kulturën, shpirtin krijues të kombit dhe vlerave të qytetërimit shqiptar.

Është fakt se ne kemi sot në bibliotekat tona kontributin e çmuar të “Buzukut” për promovimin e shumë thesareve të letërsisë tonë të traditës dhe asaj bashkëkohore.

Një faqe veçanërisht e merituar në veprimtarinë botuese të ‘Buzukut’ shënohet me gjurmimin dhe nxjerrjen në dritë të shkrimtarëve shqiptarë, si në Prishtinë edhe në Tiranë, të mohuar me dekada nga censura politike për shkak të ideve të tyre.

Kjo punë e madhe dhe në kushte shumë të vështira në shërbim të kulturës shqiptare si një e tërë, përtej ndasisë së kufijve shtetërorë, e vendos z.Abdullah Zenelin dhe ekipin e ‘Buzukut’ në trashëgiminë frymëzuese të Rilindjes sonë Kombëtare.

I lumtur që në vlerësim të këtij kontributi të vyer të çmoja sot Shtëpinë Botuese ‘Buzuku’ me Titullin “Naim Frashëri”. / KultPlus.com

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/posts/3441506169228965