Udhëtimi i aktorit Adrian Morina përmes Makbethit, ikonave queer dhe distopive orwelliane: Pa frikë nga kundërshtitë me autoritetet

Era Berisha

“Nuk mund t’i shpëtoj. Është gjëja e tmerrshme që duhet të jetë.” Është një nga thëniet më të famshme që vjen nga dramaturgu i njohur amerikan, Eugene O’Neill, e që e njëjta vlen edhe për shpirtin artistik të aktorit shqiptar Adrian Morina, i cili nuk i shpëton dot teatrit, e as teatri atij. Dërrasat e teatrit i bëjnë jehonë roleve të tij dhe ai ia kthen me të njëjtën monedhë, duke e lartësuar cilësinë e aktrimit në Kosovë. Ai jetëson me qindra jetë në skenë por edhe shpesh i vret brenda natës. Karakteret që interpreton ai, rilindin me të, vdesin me të. Zemra e aktorit Morina del nga skajet e qoshes së saj mu atëherë kur të pranishme janë duartrokitjet të cilat ai i ka adhuruar qysh si fëmijë. Dhe mund ta imagjinoni se si ato skaje mund të dalin goxha si shpesh nga korridori i ngushtë ku qetësisht flenë rrahjet, shkruan KultPlus.

Kaosi i një teatri përherë do mbetet kulmi i shtëpisë së aktorëve. Pa atë kaos, ata janë si enë boshe që bëjnë shumë zhurmë. Paqen shpirtërore ata e gjejnë duke shtegtuar drejtë rolit përkatës, dialogëve, mishërimit me personazhin specifik. Publiku sheh vetëm fragmente, mirëpo aktorët me secilin rresht, secilën fjalë, jetësojnë një hije të dytë të tyren që nuk ngjan aspak me të parën. Perdet e teatrit nuk fshehin vetëm prapaskenat, por edhe hyrje-daljen e personazheve nga trupi në trup. Secili lot dhe secila e qeshur vjen nga brendësia e aktorit, mirëpo ajo është dhuntia me të cilën kanë lindur dhe me të cilën do të vallëzojnë gjer në fund. Po u bëre njëherë aktor, nuk ka më kthim prapa sepse profesioni të ngreh zvarrë nga këmbët dhe të detyron t’i përulesh hyjnisë së teatrit.

Teatri, një vend i shenjtë që kanë të drejtë njëkohësisht ta duan e edhe ta urrejnë vetëm aktorët. Sa herë që ekziston mundësia për të përjetuar artin e aktorit Morina, në sytë e tij dallohen qartazi netët pa gjumë, stuhitë e skenarëve dhe djersët e provave të shumta. Por, e gjitha ajo zhduket në momentin që shpirti i tij farkëtohet me zjarrin e roleve të cilat digjen dalëngadalë në skenë. Aktori Morina ka skalitur disa nga rolet më të veçanta që kam pasur rastin t’i shoh, vëzhgoj e admiroj. ”Makbethi”, “1984”, “Kamarja e turpit”, “Unë jam vetë grua”, “Fausti”, “The Handke Project”, “Inspektor Limi” dhe në “Stiffler”, ai skalitë këndshëm qëndrueshmërinë, guximin dhe perfeksionin. Nga shfaqja në shfaqje, ai po e gdhend përgjithmonë emrin e tij në artin teatral.

Aktori Morina bëhet një me secilin rol njashtu sikurse pikon vesa e mëngjesit në qiell. Ai dhe rolet e tij janë të pandashëm, lidhen e zgjidhen si penjtë mes vete. Ai i shkrin të gjitha rolet sikurse dielli që lëshon butësisht sytë e tij të zjarrtë në sfondin qiellor. Atij i duhet që të rrëshqasë çdo ditë në lëkurën e dikujt tjetër, vetëm e vetëm për të shfaqur personazhe që herë janë të përballueshëm e herë jo. Të cilësuara si role “të mira” apo “të këqija”, nuk ka fort rëndësi, pasi që aktori Morina të dy versionet arrin t’i sjellë nëpërmjet një identiteti unik që bie lehtazi mbi skenë, si rënia e një gjetheje vjeshte. Dhe në atë rënie, përjetohet i gjithë thelbi i ëndrrës, frikës, dëshirës dhe gjithë ndjenjat e tjera që një personazh i caktuar ka për detyrë t’i shfaq.

Përmbushjen aktori Morina e arrin nga roli në rol, nga një ritëm tek tjetri. Herë është një luftëtar, herë një hero, herë një “gjarpër”, herë një dështak, herë një triumfues, herë vetë “djalli”. Kjo është ajo sublimja që ai arrin ta shpalosë me secilën frymë që e lëshon. Në mesin e rreshtave, secili aktor mund ta gjejë edhe vetën, mirëpo esenca qëndron tek ekuilibri që nuk e identifikon kufirin mes realitetit dhe jo-realitetit. Pulsi unik i personazheve të luajtura nga aktori Morina formohet nëpërmjet lëvizjeve, fjalëve e edhe nga kërcitja e linjave të ballit. Ai pikturon shpesh portrete të cilat ngjallen në jetë nëpërmjet një brushe që tokëzon momente. Sikurse një kameleon vjen arti i aktorit Morina që zgjon buzëqeshje të pafundme në fytyrat brenda audiencës. Ai lëviz në mënyrë të tillë ku nuk njihet kufiri mes skenës dhe shpirtit.

Në këtë intervistë për KultPlus, aktori Morina ka treguar se dashurinë për teatrin, filmin, artin, të bukurën, nuk e ka paramenduar ta përjetojë. Ai akoma nuk e di se pse i ka këto dashuri në jetë dhe për çfarë arsye. Ai beson thellë se këto dashuri thjeshtë ndodhin rastësisht, pëlqehen papritmas dhe të rrëmbejnë në çast.

“Mbaj mend fluturat që i ndjeja brenda. Mund të më kujtohet çasti por nuk mund ta shpjegoj pse? Mbaj mend magjinë e ekranit të madh në Kino Bahqe Lumbardhi, në vitin 1986, tek po shihja, bashkë me prindërit, filmin “Rojet e mjegullës”, të profesorit Isa Qosja. Aty doja të isha unë. Në atë moment. Doja të isha heroi njëjtë si axha Xhevat Qorraj që po e shihja. I doja duartrokitjet. E doja publikun. Ishin shumë më shumë sesa publiku im (prindërit dhe familjarët) kur recitoja, këndoja, e imitoja para televizorit. E mbaj mend se nga ajo natë nuk kam reshtur së ëndërruari për ekranin e madh dhe botën e madhe të artit duke përfunduar “tragjikisht” në teatër. Teatri është bota më e madhe dhe arti më i shenjtë”, thotë ai.

Sipas tij, në ambientin e vendin në të cilin jetojmë, nuk ekziston një prodhimtari edhe aq e madhe apo një treg në të cilin ke mundësi të thuash shpesh jo, e aq më pak kur gjendesh në fillet e karrierës apo kur mezi pret të angazhohesh në provime studentore ose projekte teatrore.

“Si i ri nuk është se ke një gjykim për veprat të cilat je pjesë. Shto kësaj edhe pjesën financiare e cila jo vetëm si artist i ri por të përcjellë fatkeqësisht gjithë jetën në botën teatrore. Andaj mundësia për të thënë jo është e kushtëzuar shumë prej këtyre faktorëve. Ndërsa, sot, në projektet brenda Teatrit Kombëtar është e vështirë të thuash jo për shkak se repertori është i verifikuar dhe gjithnjë ambicioz. Inskenohen vepra të autorëve botërorë të cilat i kanë kaluar filtrat e dramaturgjisë botërore e lëre më të mijat. Ndodhë ndonjëherë që për shkak të angazhimeve të shumta, orareve që ndeshen mes vete me projekte tjera brenda TKK-së, të mos bëhemi pjesë e ndonjë shfaqjeje, besa ndonjëherë edhe për të mos u bërë i “tepërt”. Ndërsa për shfaqjet tjera brenda dhe jashtë vendit kryesisht kam dëshirë të jem pjesë e shfaqjeve të angazhuara. Shfaqjeve që ngrenë shumë tema, pyetje, pikëpyetje. Shfaqje të cilat u japin zë e forcë të pazëve dhe të pafuqishmëve. Teatër i drejtpërdrejtë. I guximshëm. Fatkeqësia është se nuk kemi shumë kompani e produksione private. Por, përpiqem të jem pjesë e projekteve prapa të cilave qëndroj jo vetëm si aktor i angazhuar por edhe si artist edhe qytetar”, tregon Morina.

Dhe, kur flasim për hezitimet për të marr mbi supe një rol, aktori Morina tregon se ka shumë faktorë të tjerë të cilat ai i shikon para se të synojë një angazhim të tijin.

“Përveç tekstit që është bazë e fortë, themel, për një shfaqje të mirë, janë edhe shumë faktorë të tjerë të cilët i duhen projektit për të qenë në nivel të cilin unë e synoj në cilindo angazhim. Drama, romani, teksti mund të jetë shumë i mirë si letërsi por pa një ekip të mirë, vështirë të bëjmë një shfaqje të mirë. Regjisori/ja është “komandanti/ja” që udhëheq “luftën”. Secila betejë prej përzgjedhjes së tekstit e deri te “përfundimi i luftës”, premiera, kërkon shumë dije, përkushtim, investim e shumë dashuri. Betejën e parë, si aktor, kryesisht e kam me regjisorin/en. Shumë pyetje, analiza, parapërgatitje deri në momentin e Po-së. Dhe në këtë pikë jam shumë i vështirë. Disa herë edhe i tepërt e shpeshherë edhe naiv në pyetjet dhe përgjigjet që pres t’i kem të zgjidhura para fillimit të shfaqjes. Në momentin që bindem atëherë vetëm i ndez motorët dhe investohem pafundësisht për të fituar betejat e pastaj edhe luftën. Me përvojën bëhet gjithnjë e më e vështirë. E vështirë sepse ke çfarë të rrënosh në karrierë në krahasim kur je fillestar e të falen gabimet. Vetëm tani arrij ta kuptoj frikën e mjeshtrit Istref Begolli i cili me gjithë atë përvojë kishte frikë të luante shfaqje e lëre më të përzgjidhte role”, rrëfen Morina.

“Makbethi”

Në të shumtën e shfaqjeve në të cilat ka luajtur aktori Morina, shpesh personazhet kanë qenë secili më i ndërlikuar se tjetri dhe ai akoma nuk e beson se si e ka gjetur guximin për t’i luajtur ato në skenë.

“Tani kur e lexoj pyetjen tuaj them si kam pasur guxim ti pranoj këto role? Si kam besuar se do t’ia dal? Si do t’i bëj këto role të vlerësohen? Ku është gjithë ajo kurajë? Prej nga gjithë energji? Po flasim për disa kryevepra të dramaturgjisë. Por, ekziston një besim që e kanë regjisorët kur më përzgjedhin për punë. Ata marrin parasysh analizën dhe investimin e madh në zbërthimin e roleve, përkushtimin dhe dedikimin që kam për punë. Me dashurinë e pashtershme që kam për teatrin, besoj se arrij të realizoj me sukses rolet në shfaqjet që angazhohem. Megjithatë, meritë kryesore kanë regjisorët dhe kolegët të cilëve u jam falënderues përgjithmonë”, thotë Morina, i cili tutje tregon se rolin e Makbethit nuk e arriti ta kuptonte pa leximin dhe zbërthimin cezarian që ia ka bërë regjisori Rijani, as rolin e Obrienit në 1984-shin nuk do e bënte pa insistimin e një “Adriani” ndryshe nga regjisori Mendjiski, as rolin e Mefistos së padjallëzuar e të paklishezuar nuk do e kishte bërë pa analizën psiko-filozofike të regjisorit Hysaj, as rolin e Mahlsdorfit nuk do e bënte pa luftën e madhe që e ka bërë regjisori Kushtrim Koliqi për të drejtat e njeriut, e as Handken nuk do e bënte pa guximin dhe kurajën e Blertës dhe Jeton Nezirajt.

Por, mbi të gjitha, ai gjithë këto role nuk do të mundte t’i realizonte pa përkrahjen e familjes, kolegëve, punëtorëve teknik dhe publikut.

Dhe, kur jemi tek pjesa e të mbajturit në mend të gjitha tekstet e të gjithë atyre personazheve që një aktor i rijetëson në skenë, atëherë aktori Morina na ka thënë se përgjegjësia për mësimin e tekstit është akoma më e madhe tani sepse nuk ka kush të ndihmon dot, por, për të kjo nuk është ndonjë vështirësi e potencuar.

“Në të shkuarën në teatër një rol të rëndësishëm kishin pëshpëritësit që vështirë se gjenden nëpër teatro sot. Më shumë janë si pjesë e menaxherëve të skenës. Ndaj edhe përgjegjësia për mësimin e tekstit është edhe më e madhe tani sepse nuk ke nga kush të kërkosh ndihmë. Personalisht, nuk e kam aspak problem mbamendjen e tekstit e sidomos mbamendjen vizuale e cila ndihmon shumë edhe mbajtjen në mend të tekstit. Për kuriozitet, dua të tregoj se gjatë vitit 2023 kam luajtur në 11 shfaqje të ndryshme të cilat jetojnë edhe sot. Disa prej tyre edhe pas 10 vitesh nga premiera”, rrëfen Morina.

Sipas tij, secila shfaqje, secili rol, secila ngjarje që ndodhë në jetë, është një pasuri më vete. Është diçka nga të cilat mëson shumë dhe është diçka që gjithnjë ndryshon, andaj dhe veçimi i një roli specifik është tejet i vështirë, por secili rol i ka mësuar atij diçka të cilën e mban afër vetes dhe e tregon me një lehtësi të dukshme.

“Kjo është e bukura e artit. Sado që ti beson se po ndryshon veten për realizim sa më të mirë të rolit, po aq i vërtetë është edhe ndryshimi yt si njeri. Dhe këtë e çmoj në teatër dhe jam falënderues. Është vështirë të dalloj ndonjërin prej roleve nga kam nxjerrë mësimin më të madh. Llojllojshmëria e roleve që kam luajtur më ka mësuar se cili është “faji” kur ke ngjyrë tjetër lëkure; pse duhet të “turpërohesh” për besimin tënd; pse duhet të gurëzojnë, shajnë e poshtërojnë kur ti i përket komunitetit “Lgbtiq+”; pse duhet t’i vendosësh gishtin kokës kur je në anën e shumicës; se më i fortë je kur të luftosh i vetëm si doktor Stockmani i Armikut të popullit; pse Rocknrrolli i çmend diktatorët; e deri te liria e cila s’mund të merret si e mirëqenë, andaj dhe po e humbasim përditë”, thotë Morina.

“The Handke Project”

Ai është gjithmonë falënderues ndaj faktit që i është dhënë mundësia që në karrierën e tij, të jetë pjesë e shumë projekteve të ndryshme, nga to edhe disa nga kryeveprat më të bukura të letërsisë. Dhe, ai nuk di se si ta quaj këtë ndodhi përpos “fat në jetë”.

“Asnjëherë nuk kam guxuar të ëndërroj për Makbethin, Mefiston e “Faustit”, Obrien e “1984”, Malvolion nga “Nata e dymbëdhjetë”, Charlote von Mahlsdorf te “Unë jam vetë grua” etj. Dhe, as të jem pjesë e projekteve shumë të suksesshme si “Demolimi i Kullës së Ajfelit”, “The Handke project”, me të cilat u prezantuam në festivalet më të rëndësishme të Evropës dhe botës. Meqenëse pyetja juaj është insistuese, po e them atë që ma thonë miqtë dhe kolegët, se një rol që duhet ta luaj deri në fund të jetës, për të cilin edhe jam shpërblyer nga Ministria e Kulturës si ‘Aktori më i mirë i vitit 2020’ është “Unë jam vet grua”, jo vetëm për rolin që kam bërë por edhe për temën që trajton shfaqja por edhe për shkak se është monodramë dhe gjithçka varet vetëm prej meje. Mbase do ta luaj për aq sa kam “takat””, thotë Morina.

Aktori që Morina e dëshiron, përpiqet dhe ëndërron të jetë, është individi që përdor profesionin e tij si një mjet për të dhënë një mesazh shoqëror, politik ose kulturor. Pra, jo një aktor që është thjesht një interpretues rolesh, por një zë i fuqishëm që angazhohet për të ngritur ndërgjegjësimin mbi çështje që janë të rëndësishme për shoqërinë. Aktori që ai dëshiron të jetë, është ai që angazhohet në forma të ndryshme të veprimit, përmes performancave që shkelin normat e zakonshme të sjelljes ose që përfshijnë mesazhe të drejtpërdrejta, shpesh duke i dhënë një sens të fortë politik veprave të tyre.

“Ai aktor që unë synoj duhet të përdorë çdo mundësi që na jep profesioni për të bërë thirrje për ndryshim, të mbështesim kauza shoqërore, dhe të denoncojmë padrejtësitë, qoftë nëpërmjet dramës, filmit, ose angazhimeve publike. Aktori që unë ëndërroj të jem nuk duhet të frikësohet nga pasojat që mund të sjellin kundërshtitë me autoritetet, dhe shpesh vendos të flasë me guxim edhe kur kjo rrezikon karrierën e tij. Në thelb, duhet të jetë një individ që përdor artin dhe aftësitë e tij për të përfshirë publikun në një diskutim të thellë mbi çështje që kanë të bëjnë me drejtësinë, lirinë dhe të drejtat e njeriut, duke i dhënë artit një rol aktiv dhe transformues në shoqëri”, tregon ai.

“Fausti”

Së fundmi, aktori Morina ka fituar Çmimin Vjetor për Aktorin më të Mirë në fushën e Teatrit për rolin e Mefistifelit në shfaqjen “Fausti” dhe rolin e O’Brien në shfaqjen “1984”. Por, këto çmime asnjëherë nuk kanë qenë diçka primare për të, dhe kjo do të vlejë edhe për çfarëdo çmimi tjetër.

“Jo se jam kundër çmimeve por nuk besoj se të bëjnë aktor më të mirë çmimet. Nuk ta pasurojnë e përmbushin botën shpirtërore. Nuk të bëjnë njeri më të mirë. Përkundrazi, disa edhe i dehumanizojnë prandaj edhe kam pas frikë se në ndjekje të çmimeve do e humbas vetveten. Por, si thonë në popull “Atë që e don më së paku, ajo të gjen”. E vërtetë se jam shpërblyer me shumë çmime kombëtare e ndërkombëtare. Herë individualisht e herë kolektivisht. Fëmijët dhe bashkëshortja ma kanë bërë një kabinet të vogël për çmimet. Veçanërisht, fëmijët kënaqen me to. Nuk them se nuk jam mirënjohës dhe falënderues ndaj atyre të cilët më kanë vlerësuar me çmime, por, më shumë jam i lumtur kur më përzgjedhin të punoj sërish dhe sërish dhe sërish. Ky është shpërblimi më i madh”, thotë Morina.

Sipas tij, repertorët e teatrove në Kosovë, kryesisht, janë të kushtëzuara për shkak të buxheteve të limituara e të pamjaftueshme. Andaj dhe nuk ekziston mundësia që të prodhohen projekte afatgjate.

“E kemi Pejën në renovim që 3 vite, Prizreni 2 vite, Mitrovica ka qenë e mbyllur afër dy vite e deri tek Teatri Kombëtar i Kosovës që është jashtë objektit të tij tash e gati 3 vite dhe siç po shihet do të zgjasë shumë. Paradoksalisht, Teatri i vetëm që ka mundësi financiare dhe artistike zhvillon veprimtarinë e tij në një vend të improvizuar në Pallatin e Rinisë. Pra, nuk ka mundësi të prodhojë projekte me ato mundësitë financiare që i ka, ndërsa, ato të qyteteve kanë hapësira por nuk kanë mjete. Repertorët janë të varfra, kryesisht të atypëratyshme, pa një plan afatgjatë dhe vizion të qartë. Por, të jemi të sinqertë, teatrot tona janë teatro të reja dhe natyrshëm duhet kohë e procese për të arritur atje ku do të duhej. Teatri Kombëtar me gjithë të metat e veta arrin të prezantoj një repertor vjetor me 5 deri në 7 premiera dhe bashkëprodhime ndërkombëtare që kanë filluar këto vitet e fundit. Pavarësisht trupës së vogël prej 21 aktorësh, arrijmë të luajmë rreth 150 repriza në kalendarin vjetor. Duke qenë institucioni më i vjetër teatror e kulturor në vend, megjithatë, ecën përpara pavarësisht sfidave”, shpalos Morina.

“Unë jam vetë grua”

Aktori Morina gjithashtu na tregoi për vështirësitë në të cilat haset ai si aktor në Teatrin Kombëtar të Kosovës, dhe në përgjithësi. Por, nuk lë anash pa përmendur edhe fajin që e ka MKRS mbi rrjedhën e punës në TKK.

“Vështirësitë janë të shumta por janë motivuese. Na bëjnë më të fortë dhe na shtyjnë të punojmë më fortë për t’i tejkaluar. Çfarë na merr shumë kohë e që fatkeqësisht nuk varet prej nesh, janë problemet e përzgjedhjes së njerëzve jo të duhur në pozitat e duhura. Dhe, këtu fillon lëshimi pastaj që kur e tërheq fijen, dalim deri te politika. Politika është ajo që e bën lëmshin. I përkasim një gjenerate e cila është dashur të angazhohet e humb energji për zgjidhjen e secilit problem në teatër e jetën teatrore, Ligje, rregullore, themelim institucionesh, akte ligjore, zgjidhje për problemeve banale me ujin, wc-të, kanalizimet në teatër, renovimet, pagat, mungesën e buxheteve, protestat e deri te greva në të cilën jemi prapë për shkak të politikës së gabuar të Ministrisë së Kulturës ndaj TKK-së dhe mosvlerësimit të aktorëve të TKK-së. Po të harxhonim secili prej nesh gjithë energjinë në punën tonë, do të ishim në pozitë shumë të mirë edhe ne edhe shteti. Aktorët do të ishin aktorë ndërsa politikanët nuk do të ishin yje por shërbëtor siç kërkojnë të jenë”, thotë ai.

Në anën tjetër, ai beson se është e vështirë që në pozicionin e aktorit, të bëhet përzgjedhja se në cilën shfaqje do kishte dëshirë apo ëndërr që një aktor të luante.

“Duke qenë vetëm në pozicionin e aktorit, në pozitën ku ti përzgjidhesh dhe nuk përzgjedh, është e vështirë të planifikosh shumë për rolet të cilat do të doje t’i luaje. Shfaqjet varen shumë nga menaxhmentet e teatrove të cilat duhej të ishin përgjegjëse për të realizuar shfaqje për karakteristikat e trupave që zotërojnë dhe temave në interes të publikut. Po të varej nga unë, sigurisht se do ti jepja përparësi dramës origjinale, teksteve me porosi, teatrit politik. Si aktor do të doja të isha pjesë e “Mjeshtri dhe Margarita”, “Opera e lypsarëve”, “Corolianus”, “Lolita”, “Ditari i një të çmenduri”, “Bali” e të tjerë”, tregon Morina.

“Stiffler”

Krejt në fund, këtë intervistë e përmbyllëm me bisedën rreth projektit të fundit të aktorit Morina, i cili sapo ka përfunduar premierën e një bashkëprodhimi mes Tiranës dhe Prishtinës mbi shfaqjen “Të turpëruarit”, që erdhi nën regjinë e Altin Bashës.

Ndërsa, viti 2025 po e pret aktorin Morina me dy ftesa për shfaqje që i kanë ardhur nga Tirana. Njërën, ai do ta realizoj në fillim të vitit dhe për tjetrën nodhen akoma në dakordim e sipër. Për momentin, ai është duke punuar për projektin “Streha e të nemunave” me regjisorin Ilir Bokshi, e që shumë shpejtë pritet të jetë premierë në pjesën e parë të vitit 2025. Dhe, në pjesën e dytë të vitit 2025, do të nisë një bashkëpunim teatror e ndërkombëtar, premiera e të cilit do të bëhet në fillim të vitit 2026. Pra, aktorin Adrian Morina po e presin shumë punë përpara, ashtu siç jemi mësuar ta shohim përherë; të angazhuar për teatrin, fizikisht e emocionalisht, me tërë qenien e tij./ KultPlus.com

“Inspektor Limi”

“Artisti në Tavan” sonte në TKK

Shfaqja “Artisti në Tavan” me regji të Agron Gërgurit do të luhet sot në Teatrin Kombëtar të Kosovës si shfaqje mysafire, me fillim nga ora 20:00.

Shfaqja prek një dimension të luftës së fundit dhe tragjikën që ajo bart, në një betejë shpirtërore ku aktori artist bën me veten për të dëshmuar kush është dhe ç’të mbetet nga gjithë rrezatimi që emeton duartrokitja, e cila merr si shpërblim për të gjitha ato personazhe që ka ngjallur në skenë, derisa lufta vret.

Luan: Ismet Azemi

TKK nikoqir i Festivalit të Teatrit Shqiptar “Moisiu”, drejtori Sheremeti: 12 shfaqje në konkurrencë dhe shumë aktivitete teatrale 

Era Berisha 

Së shpejti vjen shfaqja më e re në Teatrin Kombëtar të Kosovës, “Emira”, nën regjinë e Kushtrim Bekteshit. Drama e shkrimtarit me prejardhje arbëreshe, Anton Santori, do të hap Festivalin e Teatrit Shqiptar “Moisiu” më 20 nëntor, me ç’rast janë bërë bashkë tri shtete për realizimin e saj. Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri Kombëtar i Tiranës dhe Teatri Shqiptar i Shkupit kanë bashkuar forcat e tyre për të sjellë një premierë të veçantë në Prishtinë, shkruan KultPlus.  

Si rrallëherë, projekti përfshin tri kryeqytete të rajonit dhe tashmë përgatitjet veçse kanë filluar. Emocionet janë të mëdha për drejtorin e përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Sheremeti, i cili na tregon se projekti vjen si pjesë e marrëveshjes për bashkëpunim teatror në mes të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Teatrit Kombëtar të Tiranës dhe Teatrit Shqiptar të Shkupit, e nënshkruar në shtator të vitit 2022, ku pjesë e saj është organizimi i përbashkët në formatin e rotacionit, të festivalit të Teatrit Shqiptar “Moisiu”. Marrëveshja përfshin edhe realizimin e një projekti bashkëprodhim në mes të tre teatrove kryesore shqiptare në rajon, çdo vit. Ky projekt ka ardhur pas bashkëprodhimit të vjetshëm të shfaqjes “Shtëpia e Zotit” në regjinë e Ilir Bokshit.  

Me shfaqjen “Emira” do të hapet edhe Festivali i Teatrove “Moisiu” që këtë vit, nikoqir do të jetë Teatri Kombëtar i Kosovës. Se si erdhi deri te përfshirja e këtij festivali, në një intervistë për KultPlus ka treguar drejtori Sheremeti, i cili thotë se bashkëpunimi në mes të teatrove shqiptare gjithmonë ka qenë ëndërr por që fatkeqësisht mbetej si e atillë për shkak të mos marrjes së hapave konkrete nga asnjëra anë. 

 “Në muajin maj të vitit 2022 u takuam bashkë me Adem Karagën, Altin Bashën dhe Hervin Çulin dhe diskutuam shtruar e miqësisht lidhur me ëndrrën e kamotshme të komunitetit teatror shqiptar për thellim dhe institucionalizim të bashkëpunimit. Bashkëpunimi në mes të teatrove shqiptare gjithmonë ka qenë ëndërr dhe fatkeqësisht mbetej si e tillë për shkak të mos marrjes së hapave konkrete nga asnjëra anë, ose ndonjëherë edhe për shkak të kapriçove. Dhe u dakorduam, u morëm vesh si njerëz, si miq si artist dhe si udhëheqës institucional që ta ndryshojmë ‘lojën’ dhe ta bëjmë këtë ëndërr realitet”, thotë ai. 

Sipas tij, me shumë vështirësi, me shumë sfida, me shumë improvizime dhe me shumë dashuri, ndodhi “Moisiu” në Shkup për 12 netë rresht në nëntor të vitit 2022. Duket se ata morën mësimet nga Shkupi dhe i implementuan në Tiranë në nëntor 2023, duke mbledhur kështu të gjitha mësimet e dy edicioneve të kaluara, që tani po mundohen t’i implementojnë sivjet në Prishtinë.  

“Po shpresojmë dhe besojmë se të gjitha sfidat që i kemi, do të tejkalohen dhe do t’i festojmë në mënyrën më të mirë për të arriturat e teatrit shqiptar nga 20-28 nëntori i sivjetmë në Prishtinë dhe të vazhdojmë prapë në Shkup e Tiranë e Prishtinë gjatë gjithë jetës.” 

Përpos shfaqjes “Emira”, nuk pritet që këtë vit të jepet ndonjë premierë tjetër në Teatrin Kombëtar të Kosovës, kjo për shkak të vonesës në prodhim pasi që intervenimet në sallën e Amfiteatrit kanë qenë të planifikuara në muajin janar të këtij viti, por që pastaj ato kanë zgjatur deri në fund të muajit mars. 

Sidoqoftë, brenda këtij viti, TKK ka sjellë premierat: “Kamarja e turpit” nga Ismail Kadare nën regjinë e Kushtrim Koliqit, “Martesa” e Grombroviq nën regjinë e Norbert Rakovskit dhe “Makbethi” i Shekspirit nën regjinë e Qëndrim Rijanit. Njëkohësisht, në TKK janë shfaqur edhe premierat e bashkëprodhimeve të TKK-së, si “Fausti” i Fadil Hysaj dhe “The best european show”, një bashkëprodhim i madh evropian i TKK-së me katër teatro tjera evropiane. 

Tani po kurorëzohet Festivali i Teatrit Shqiptar “Moisiu”, një bashkëprodhim i dytë me radhë, i tre teatrove kombëtare shqiptare, që vjen nëpërmjet premierës së shfaqjes “Emira” të Santorit.  

Për faktin se ky festival ka karakter garues, konsiderohet se këtë vit, tre nga pesë anëtarët e jurisë do të jenë të huaj. Ende nuk është kryer formacioni i plotë i jurisë, por së shpejti TKK do të dalë me të gjitha informatat për këtë pjesë. 

Përpos shfaqjeve, natyrisht që ka diçka edhe përtej teatrit në këtë edicion. Sipas drejtorit Sheremeti, festivali përmban një program intensiv jashtë programit të shfaqjeve. Janë gjithsej dymbëdhjetë shfaqje, (katër nga secili shtet) të cilat do të jenë në konkurrencë. Këto shfaqje përpos në Amfiteatrin e TKK-së në Pallatin e Rinisë, priten të shfaqen edhe në Sallën e Kuqe si dhe në Teatrin Oda. 

Po ashtu, drejtori Sheremeti ka bërë të ditur për KultPlus se do të ketë edhe shumë aktivitete anësore. Çdo ditë në mesditë një trupë e kritikës do të mbaj diskutime me ekipet dhe publikun e shfaqjeve të një nate më herët dhe njëkohësisht pritet të ketë edhe punëtori tematike si: gjithëpërfshirja në teatrot shqiptare, Punëtori mbi Arkivat e teatrove shqiptare, Punëtori mbi përdorimin e pajisjeve moderne në realizimin e rekuizitave në teatrot shqiptare si dhe një konferencë ndërkombëtare me temën “Ku jemi sot”, ku përpos teatrove shqiptare do të jenë folës dhe mysafirë edhe shumë teatro evropiane – partnerë të TKK-së nga European Theatre Convention.  

Është e kuptueshme që shfaqjet e TKK-së vazhdojnë të zgjojnë interes për publikun dhe si drejtor i këtij institucioni, Kushtrim Sheremeti po ndjehet i lumtur me rezultatet. 

“Jam shumë i lumtur me rezultatet në aspektin e përgjithshëm, por besoj se mund të bëhet edhe më shumë. Përtej klisheve, jam çdo ditë në garë me vetveten sepse jam i bindur që këto suksese mund dhe do të tejkalohen, sidomos pas kthimit në objektin e TKK-së i cili tashmë ka filluar të rinovohet.”  

Për më shumë informacione rreth premierës së shfaqjes “Emira”, klikoni këtu. / KultPlus.com 

“Makbethi” premierë madhështore në TKK, Shekspiri gjithmonë aktual dhe i papërsëritshëm

Era Berisha

Akotrët si: Adrian Morina, Gresa Pallaska, Shkelzen Veseli, Luan Jaha, Shkumbin Istrefi, Ilire Vinca, Semira Latifi, Faris Berisha, Ermal Sadiku, Tristan Halilaj, Flaka Latifi, Fiona Abdullahu, Basri Lushtaku, Shpejtim Kastrati, Ismet Azemi dhe Yzeir Meha, mbrëmë mjeshtërisht kanë jetësuar premierën e shfaqjes “Makbethi” që erdhi nën regjinë fenomenale të Qëndrim Rijanit. Përshtypja se Shekspiri ishte ringjallë e po jepte në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, një pasqyrë moderne të veprës, ishte diçka që s’mund ta hiqje dot prej mendjes, shkruan KultPlus. 

Të pranishmit me padurim po hynin brenda për të zënë vendet e tyre përkatëse në sallë. E gjitha kjo për të parë një ndër kryeveprat e letërsisë botërore, të vënë në skenë. Ajo që fillimisht zuri vëmendjen e tyre, padyshim që ishte skena e mahnitshme krijuar nga Valentin Sfetozarev që përpara syve dukej gjigante, frymëmarrëse dhe aq e bukur saqë të jepte emocionin se tashmë e gjithë salla është pjesë e shfaqjes. Ashtu edhe ishte, duke marr parasysh ndërlidhjet komunikative që aktorët bënin me publikun. 

Në pozicionin e tyre përkatës, aktorët pritnin sinjalin për të vazhduar. Loja nisi fiks në orën 20:20, dhe tri magjistricat ishin të parat në qendër. Prapa tyre, pesë pasqyrat e mëdha e rritnin intensitetin e emocioneve, duke krijuar një rrebesh me drita që lëviznin pa ndalë. Ato po tregonin për një profeci. Parashikonin fatin e Makbethit (një gjeneral në ushtrinë e mbretit të Skocisë), dhe i tregojnë se një ditë ai do të bëhet mbret. Pas këtij parashikimi ai nuk resht se menduari se një ditë do të bëhet mbreti i Skocisë. “Ai humb, Makbethi fiton”, qe një ndër thëniet që përsëritej në shfaqje dhe kjo për të kuptuar botën e brendshme të rolit kryesor. 

Një luftë e përgjakshme për pushtet, është krejt ajo se çfarë fshihet edhe prapa zonjës Makbeth, e cila shpërfaq një ambicie të paparë për gjak, luftë dhe ligësi. Me një gjakftohtësi që i shihej edhe në linjat e fytyrës, ajo bind Makbethin për vrasjen e mbretit. Ndjenja e fajit, është ajo që pushton zemrën e tij, por shumë shpejtë, e keqja triumfon mbi të mirën. Në një festë të organizuar në shtëpinë e Makbethit, të ftuarit (Mbreti, dy djemtë e tij, tri magjistricat, Bankoja, Makdafi, zonja Makbeth) po pinin verë, dhe kur ora shënoi 00:00, aty u dallua tensioni në atmosferë. Muzika e kompozuar nga Trimor Dhomi, si dhe prezenca në skenë e orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, ishin pjesë kyçe të shfaqjes. Drithërimat, klithmat, bisedat, pendimet, vrasjet dhe mendimet e personazheve, nuk do të kishin efektin e njëjtë pa pjesëmarrjen e tyre. 

Kukuvajka, në distancë po lëshonte zë. Vrasja e mbretit u krye nga dy duart e Makbethit, i cili shumë shpejtë hyn në iluzione që i shfaqen në mendjen e tij. E lan fytyrën nga vepra e ndyrë që ka bërë, brenda një uji (gjaku) në ngjyrë të kaltër i cili vazhdon të rrjedhë në skenë, e bashkë me të edhe rrjedha e shfaqjes tutje. Qeshma, si simbol i vazhdimësisë së ngjarjeve gjakatare, qon përpara ndjenjën e pendesës. Për t’i larë duart, i ndihmon edhe zonja Makbeth, bashkëpunëtorja e tij në krim. “Fama, nderi, vdiq”, thotë Makbethi, por prapëseprapë ai vesh kostumin e mbretit dhe vendosë kurorën.  

Të gjithë dyshojnë fillimisht për dy djemtë e mbretit të vdekur, por ata ikin në Angli pas vdekjes së të atit. Ikja, nënkuptonte potencialisht një krim të kryer, ashtu edhe besohej për një kohë. Ngjarja vazhdon me një festë tjetër të hedhur për mbretin e ri, Makbeth. Por kurora që ka në kokë, i duket e palavdishme, pasi që ai nuk ka trashëgimtar. Nuk arrin të jetë i lumtur sepse këtë gjë e pengon ndërgjegjja e tij e cila nuk e lë të qetë nga ndjenja e fajit. Vegimet fillojnë të hyjnë në mendjen e tij si gjarpërinjtë dinakë, por kjo nuk e ndalon që ai të kryejë edhe vrasjen e shokut të tij, Bankos, dhe gjithë familjes së tij. Etja për pushtet është aq e madhe, saqë merr formë në tërësi. Ka gjak gjithandej, gjak në tokë, në gojë, në mendime dhe në akte.  

Fuqia për pushtet të gjithanshëm nuk mbaron me kaq. Ai urdhëron vrasjen e familjes së Makdafit. Vrasjet kryhen në një mënyrë mizore por vizualizisht të përgatitur mjeshtërisht për sytë e publikut. Në një xham lëvizës të mbushur me gjakun e kuq të armiqve të Makbethit, bëhet edhe vrasja e djalit të Makdafit, fryma e së cilit mbaron nën ujë, e njëkohësisht me të, vdes edhe nëna që e përjetoi vdekjen e të djalit. Tashmë, qeshma me ngjyrë (gjak) të kaltër, mbushur me ndjenjën e pendesës së parë, ka mbaruar. Tani, qeshma e dytë fillon të zbrazë gjakun e kuq dhe të njomë të vrasjeve të pamëshirshme, në skenën e TKK-së, duke simbolizuar edhe arritjen e pjesës finale të shfaqjes. 

Makdafi me të kuptuar vrasjen e kryer në shtëpinë e tij, bashkë me ndihmën e të dy djemve të mbretit të vrarë nga Makbethi, nisen për hakmarrje. Kësisoj, vjen dobësimi i personazhit të zonjës Makbeth, e cila kryen vetëvrasje, e së bashku me të na shfaqet edhe dobësimi i personazhit të vetë Makbethit, i cili e kupton se është i rrethuar nga armiq të tij, ndonëse ai e di se ndërgjegjja e tij qe gjithmonë e turbulluar nga krimet e kryera. Pasqyra në mesin e katër të tjerave ngritët lartë në skenë. Mbi të është Makbethi i cili refuzon të mposhtet. Ngritja lartë e tij në ajër tregon natyrën komplekse të Makbethit, i cili në mënyrë brilante shpërfaqi ambicien e qenies njerëzore për pushtet, që përkon njëkohësisht me ambicien aktuale të pushtetarëve gjithandej në botë. 

Kështu, krejt në fund, Makbethi “ulet poshtë”, dhe përjeton vdekjen e pastër por dramatike nga duart e armikut të tij, Makdafi. Jehon “Atdheu u çlirua” dhe me të vërtetë u çliruan edhe ndjenjat e të pranishmëve që kishin përjetuar tashmë një rrotullim emocionesh e mendimesh. 

Regjisori Qëndrim Rijani, ka shfaqur një tragjedi me pasione të forta të lakmisë së shfrenuar. Vizioni i tij modernist shfaqi shumë, por bëri që edhe të ndjehet puna e palodhshme, afatgjate dhe mirë menduar. Në anën tjetër, aktori në rolin kryesor, Adrian Morina, si shpeshherë, qartazi ishte zhytur brenda personazhit të Makbethit. Kalimi nga një trim, në çmendi, në jo-burrëri, e deri në vdekje, dëshmoi për studimin e thellë të psikologjisë së karakterit kompleks të Makbethit. Ka kohë që në Teatrin Kombëtar të Kosovës nuk është luajtur një shfaqje e tillë, e plotësuar mrekullisht në të gjitha aspektet e mundshme. Por, tanimë keni rastin ta përjetoni për dy orë e ca, “Makbeth”-in.  

Për të treguar më shumë rreth shfaqjes si dhe procesit të realizmit, për KultPlus foli regjisori Qëndrim Rijani. 

“Madhështia e veprës në fakt qëndron tek autori. Shekspiri është i madh dhe energjia e tij, shpirti i tij transmetohet tek pena e tij, dhe kësisoj edhe në gjithë botën. Ai jep mundësinë që kjo vepër gjithmonë të jetë e kohës. Nuk është se qëndron tek unë si regjisor, por ai e jep këtë mundësi. Besoj që fundja, ekziston detyra e regjisorit që çdo vepër, qoftë klasike apo antike, ta bëjë sa më afër, si përrallë atraktive tek publiku. Pra, duhet të sjellën idetë e autorit tek publiku, në mënyrë që ata ta perceptojnë. Besoj që gjithçka ka qëndruar tek forca e autorit dhe mbështetja që e kemi dhënë ne, në kontekstin regjisorial dhe aktorial. Kjo ka qenë pika me të cilën publiku u lidh më së shumti me këtë shfaqje. Ne së pari kemi bërë një rikonstruktim të dramaturgjisë së kohës kur është shkruar vepra, pastaj estetikja teatrore që e kam përdorur unë, është shumë e tanishme dhe tek ne duket risi, ngaqë nuk përdoret shumë. Kjo është mishëruar mirë me aspektin politiko-filozofik që ka vepra e Shekspirit.” 

Ndërsa, aktori Adrian Morina për KultPlus ka folur për hezitimin e tij fillimisht nga roli, e pastaj deri tek arritja e finalizimit të shfaqjes që për të është një nga projektet më të arrira në karrierë. 

“Shekspiri i madh është aktual gjithmonë, andaj është i papërsëritshëm. Natyrisht, është një nga kryeveprat e letërsisë dhe teatrit. Është ndoshta vepra më e përgjakshme e teatrit. Fatkeqësisht, bota nuk ka qenë më e përgjakshme sesa që është sot. Ndoshta nuk kemi një luftë si e para dhe e dyta, por kemi humbjen e jetës së mijëra njerëzve nëpër botë, gjithmonë vetëm për pushtet. Makbethër-it modern sot janë edhe më të dashur, sesa këta që i shihni në teatër. Këtu janë personazhe negativë dhe paralajmërojnë për krimet, por ata të sotëm, janë më të dashur, më të afër dhe e pinë gjakun shumë më shumë se ky gjak që është derdhur në këtë skenë. Besoj kjo është një kontribuim i yni për ata që vijnë dhe e shohin shfaqjen tonë, për të kuptuar pasqyrën e qartë të asaj çfarë po ndodhë dhe që ka ndodhur gjatë gjithë civilizimeve. Njeriu nuk ka mbërri me avansu. Në anënt tjetër, dua të them se personalisht, nuk më ka pëlqyer shumë vepra, gjatë kohës së studimeve, por jo për shkak të veprës, por për shkak të pikëpyetjeve që kam pasur në kokën time rreth veprës. Por, me leximin që Qëndrimi ia ka bërë kësaj vepre, ai e ka zbërthyer veprën me një skalper të kirurgut. Aq pastër vjen zbërthimi i tij saqë më ka bindë me qenë e këtij projekti. Unë se kam pa kështu Makbethin asnjëherë. Jam jashtëzakonisht i lumtur me punën që është bërë, edhe me ekipin. Kënaqësi e veçantë me qenë në skenë me profesorët tanë: Shkumbinin, Luanin dhe Iliren, me partneren në skenë, Gresën, një aktore e shkëlqyer. Besoj që me këtë ekip, me Xenin me Shpëtimin, me Tristanin, e deri tek Yzeiri që është më i riu i ekipit tonë, e kemi dhënë krejt dashninë për me realizu një shfaqje e cila për mua është një nga punët më të mira që e kam bërë ndonjëherë në karrierën time. Besoj që edhe shfaqja është një nga shfaqjet më të mira që Teatri e ka punu.” 

Ndërkaq, reprizat e shfaqjes ”Makbethi” do të vijnë me datat: 2, 3, 8 dhe 9 tetor.  

Dramaturge: Zoga Çeta Çitaku 

Kostumografe: Maca Papuçevska 

Orkestra: Filharmonia e Kosovës 

Koreograf: Artan Ibërshimi 

As. Regjisor: Erleta Rexhepi 

Video: Rehan Abdulovski 

Operator i audios: Arben Aliu 

Video operator: Bujar Bekteshi 

Inspicente: Nazmije Krasniqi 

Disejni i dritave: Mursel Bekteshi 

Shfaqja është realizuar në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës. / KultPlus.com 

Shoqata Sinidikale e Artistëve të TKK-së paralajmëron përshkallëzim të grevës

Shoqata Sindikale e Artistëve të TKK-së, nga sot ka filluar vonesën e provave prej dhjetë minutave, dhe ky hap është paralajmërim i përshkallëzimit të grevës, deri në realizimin e kërkesave të aktorëve të këtij institucioni, sipas të cilëve është përmirësimi i koeficienteve të pagave për aktorët dhe punëtorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

KultPlus më poshtë ju sjell të plotë njoftimin e Sindikatës.

Bazuar në nenin 44 paragrafi 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovss (për lirinë dhe organizimin sindikal), Nenit 89 të ligjit të punës, nenit 27 të ligjit për organizim sindikal, ligjit për greva nr.03/L-200;  Shoqata Sindikale e Artistëve të TKK-së, në takimin e radhës të mbajtur më 04.09.2024, ka analizuar të gjitha proceset e deritashme që lidhen me përmirësimin e koeficientëve të pagave për aktorët e trupës rezidente dhe të punëtorëve të TKK-së, dhe ka marrë vendim që përmes kësaj letre t’ua ua rikujtoj mospërfilljen dhe mospërmbushjen e obligimeve nga ana e MKRS për hartimin dhe miratimin e rregullores për organizimin e brendshëm të pozitave në TKK, as pas 18 muajve.

Vendimi për ndërmarrjen e masave sindikale nga anëtarët e shoqatës vije pas mospërfilljes 18 mujore të kërkesave tona dhe mosrealizimit të premtimeve nga ana e MKRS-së, duke konsideruar se janë shtjerrur të gjitha format e tjera për realizimin e kërkesave tona, andaj ju njoftojmë me vendimin e marrë:

Njoftim

Ju njoftojmë se Shoqata Sindikale e Artistëve te Teatrit Kombëtar te Kosovës në përputhje me të gjitha rregulloret dhe ligjet përkatëse, ka marrë vendim që sot, me datë 16.09.2024, të filloj zyrtarisht zbatimin e hapave sindikal me: Fillimi i provave me 10 minuta vonesë.

Ky hap është vetëm fillimi i hapave që do të ndërmarrim ashtu siq kemi paralajmëruar në letrën e dërguar ministrit të kulturës të datës 09.09.2024. Hapat sindikal do të përshkallëzohen javë pas jave deri në realizimin e kërkesës tonë:  Permiresimin e koeficienteve të pagave për aktorët dhe punëtorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Kërkesën tonë e bazojmë në përgatitjen profesionale të trupës sonë; shkallën e përgjegjësisë; specifikat e vendit të punës; volumin e madh të punës; punës pa orar e cila arrinë edhe deri në 16 orë punë në ditë;  punës gjatë vikendeve dhe festave zyrtare për shkak të kërkesave specifike të  punës;  kalendarit të ngjeshur të aktiviteteve brenda dhe jashtë vendit; numrit të reprizave (rreth 150 repriza gjatë një stinori artistik); numrit të shikuesve që është trefishuar duke qene institucioni i kulturës me më së shumti vizitorë, dhe mbi të gjitha, rëndësisë së institucionit të TKK-së duke qenë institucioni më i lartë kulturor në vend.

Përvec këtyre, sot aktori i TKK-së, pavarësisht kualifikimit superior, ka pagë të barabart edhe me punëtorët teknik teatrove të qyteteve.

Aktorët e TKK- së janë e vetmja kategori jo që nuk ka përfituar, por janë diskriminuar me Ligjin për paga dhe kanë të ardhurat më të vogla në rajon. Nëse e marrim vetëm Shqipërinë, aktorët e të cilit shtet na kishin lakmi dje, sot të njejtin në Teatrin Kombëtar të Tiranës gëzojnë dyfishin duke arritur pagë deri në 1500 euro. Pagë kjo në nivel universitar ashtu sic e kanë edhe Teatrot Kombëtare në vendet tjera të e rajonit dhe njashtu sic kemi kërkuar edhe ne që prej themelimit.

SHSATKK, është e bindur se kërkesat e parashtruara janë plotësisht ligjore dhe legjitime, lehtë të korigjueshme sikur të ketë vullnet nga ana e MKRS-së.

Në të ardhmen, SHSATKK do të angazhohet dhe do të jetë partner i institucioneve të Republikës së Kosovës, veçanërisht i MKRS-së, duke luajtur rol aktiv në përmirësimin e kushteve për performuesit e artit deri në hartimin e Ligjit të veçantë për performuesit e artit në Republikën e Kosovës.

Me respekt,

Sheqerije Bucaj,

Ksryetare e SHSATKK,

Prishtinë, 16.09.2024/ KultPlus.com

‘Martesa’- projekti i radhës i TKK, fillojnë provat

Teatri Kombëtar i Kosovës ka filluar provat për shfaqjen e radhës bazuar në dramën “Martesa” nga autori polak, Witold Gombrowicz e adaptuar dhe në regji të regjisorit të njohur polak, Norbert Rakowski.

Aktorët të cilët do të luajnë në këtë shfaqje janë: Armend Smajli, Shkelzen Veseli, Ylber Bardhi, Mensur Safqiu, Sheqerie Buqaj, Era Balaj dhe Adhurim Demi.

Pjesa tjetër e stafit që kontribuojnë për realizimin e shfaqjes “Martesa” janë: Dramaturge: Zoga Çeta Çitaku, Skenografe: Maria Jankowska, Kostumografe: Paola Grocholska, Kompozitor: Tomor Kuçi, Asistent regjisor: Skender Podvorica dhe Përkthyes: Qerim Ondozi

Premiera e shfaqjes jepet me 20 shtator 2024./ KultPlus.com

Ministri Çeku: Kosova po bëhet me teatër të ri kombëtar, duke e ruajtur teatrin e vjetër 

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka bërë të ditur se projekti zbatues për rinovimin e Teatrit Kombëtar të Kosovës ka marr edhe pëlqimin përfundimtar nga Komisioni i IKMM-së.

Ministri Çeku  po ashtu ka bërë të ditur se përveç rinovimit të ndërtesës së TKK-së parashihet edhe shtim i hapësirave të reja për të krijuar kushte të dinjitetshme.

“Vazhdojmë me shpalljen e procedurës për angazhimin e operatorit për realizimin e punimeve. Kosova po bëhet me teatër të ri kombëtar, duke e ruajtur teatrin e vjetër.

Kemi punuar me gjashtë fakultete të Universitetit të Prishtinës, profesionistët më të mirë të vendit tonë për hartimin e projektit, i cili përveç rinovimit të ndërtesës parasheh edhe shtim të hapësirave të reja për të krijuar kushte të dinjitetshme për aktorët e stafin dhe përjetim të përmirësuar artistik për publikun”, është shprehur Ministri Çeku/KultPlus.com

TKK anulon shfaqjen e sotme ‘1984’

Teatri Kombëtar i Kosovës ka njoftuar se për shkak të një avarie teknike, është detyruar të anuloj shfaqjen e sotme “1984”.

Në njoftim thuhet se të gjithë ata që kanë blerë biletat, mund t’i rimbursojnë në biletoren e TKK nga sot deri të premten.

“Ju kërkojmë ndjesë dhe ju falenderojmë për mirëkuptimin tuaj”, thuhet në shkrimin e TKK-së./KultPlus.com

TKK organizon mbledhje komemorative për aktoren Shirine Morina, jepen detaje për ceremoninë e varrimit

Teatri Kombëtar i Kosovës pas vdekjes së aktores Shirine Morina ka njoftuar se do të mbajë mbledhje komemorative, në nderim të veprës së aktores tashmë të ndjerë.

TKK po ashtu ka njoftuar se varrimi i aktores Morina do të bëhet nesër në ora 16:00, në varrezat e qytetit, në Prishtinë.

“Me dhimbje të thellë morëm lajmin e shkuarjes në amshim të aktores së Teatrit Kombëtar të Kosovës, znj. Shirine Morina.

Nesër, e hëne, 15 prill 2024, në ora 14:00 në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, organizojmë mbledhje komemorative për të kujtuar aktoren e ndjerë.

Varrimi i të ndjerës është në ora 16:00 në varrezat e qytetit, Prishtinë”, thuhet në njoftimin e TKK/KultPlus.com

TKK prezanton programin për dhjetëditëshin e fundit të muajit Mars

Teatri Kombëtar i Kosovës ka prezantuar progaramin për dhjetëditëshin e fundit të muajit Mars.

Programi i muajit mars në Teatrin Kombëtar të Kosovës fillon me premierën e shfaqjes “Kamarja e Turpit” dhe reprizat me 20, 21, 25 dhe 26 mars 2024.

Si shfaqje tjetër e cila do të jepet gjatë këtyre ditëve është edhe “Kopshti i hijeve” i regjisores Nastazja Domaradzka dhe “Corre o Fado” e regjisorit Daniel Cardoso./KulPlus.com

TKK me produksione edhe në Diasporë, komedia ‘Club Albania’ jepet në Zagreb

Teatri Kombëtar i Kosovës ka njoftuar se gjatë vitit 2024  do të filloj të shfaq produksionet e institucionit edhe për diasporën shqiptare, shkruan KultPlus.

TKK përmes një njoftimi ka bërë të ditur se produksionet do të shfaqen në vendet ku jeton diaspora në bashkëpunim me shoqata e organizma të ndryshme të diasporës.

“E fillojmë me ftesën e Unionit të Shqiptareve ne Republiken e Kroacisë, ku me 14 shkurt 2024 në ora 19:00 në Zagreb do të shfaqim komedinë “Club Albania”, ka njoftuar TKK./KultPlus.com

‘Kamarja e turpit’, TKK fillon provat e shfaqjes së radhës me veprën e Kadaresë

Teatri Kombëtar i Kosovës ka filluar provat e shfaqjes “Kamarja e turpit” e cila vjen me regjinë e Kushtrim Koliqit, shkruan KultPlus.

Aktorët të cilët do të luajnë në këtë shfaqje janë: Adrian Morina, Armend Smajli, Gresa Pallaska, Ylber Bardhi, Bislim Muçaj, Teuta Krasniqi, Kosovare Krasniqi, Zana Berisha, Art Pasha, Fiona Abdullahu, Florenta Bajraktari, Jehona Gashi, Redon Kika.

 Stafi tjetër i shfaqjes është si në vijim:

Dramatizimi dhe adaptimi: Doruntina Basha

Ass. Regjie: Elif Bas lyibozkurt, Qëndresa Spahiu, Diellza Dedushi, Ardijana Mehmeti

Kompozitor: Adhurim Grezda

Skenograf: Bekim Korça

Kostumografe: Yllka Brada

Koreografe: Erna Salihu

Video Artist: Miran Bratush

Inspicient: Mursel Haziri

“Perandoria Osmane po dobësohet, e në sheshin kryesor të kryeqytetit të saj është vendosur kamarja e turpit, për t’i ekspozuar kokat e tradhëtarëve. Për ta ruajtur pushtetin, perandoria do të bëj çmos për të kapur kokën e Ali Pashë Tepelenës, i cili, i ngujuar në kalanë e vet, po pret përgjigje nga trojet shqiptare për të luftuar perandorinë”, është citat nga vepra e Ismail Kadare “Kamarja e turpit” premiera e së cilës pritet të jetë me 19 mars 2024./KultPlus.com

TKK publikon programin e muajit nëntor

Teatri Kombëtar i Kosovës ka publikuar programin e muajit nëntor 2023, shkruan KultPlus.

Shfaqja e parë e cila do të jepet më 1 nëntor është ‘Correr o Fado” nga Baleti Kombëtar i Kosovës, përderisa shfaqja “Udhëtim i gjatë drejt natës” do të jepet më 2 dhe 3 nëntor.

Më poshtë mund të gjeni programin e plotë të Teatrit Kombëtar të Kosovës për muajin nëntor:

Sonte në TKK jepet shfaqja ‘Molly’

Sonte në Amfiteatrin  e Teatrit Kombëtar të Kosovës do të jepet shfaqja “Molly”, e cila vjen me regji të Sibel Abdiut, sipas Brian Friel, që trajton përjetime të përsonave me aftësi të kufizuara, shkruan KultPlus.

Aktorët që do të marrin pjesë në këtë shfaqje janë Verona Koxha, Afrim Muçaj, Bujar Ahmeti.

Ndërsa pjesa tjetër e stafit janë:

Kompozitor: Albin Sopa

Artist vizual dhe foto: Lulzim Luigji Bejta

Inspiciente: Nazmije Krasniqi

Shfaqja do të jepet sonte në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës me fillim në ora 20:00./KultPlus.com

“1984” premierë në TKK – mishërimi i dashurisë përballë makthit të mbikëqyrjes së qeverisë

Era Berisha

Akorët si: Adrian Morina, Flaka Latifi, Ylber Bardhi, Arta Selimi, Basri Lushtaku, Edona Reshitaj, Shpejtim Kastrati, Xhejlane Godanci, me lojën e tyre të paparë, kanë jetësuar mbrëmë premierën e shfaqjes “1984” që erdhi nën regjinë e regjisorit francez Igor Mendjisky. Shfaqja vjen e bazuar në romanin ikonik të autorit George Orwell, por ajo që e ka bërë këtë shfaqje të dalë përtej imagjinatës, ka qenë trajtimi i dramaturgjisë nga Zoga Çeta Çitaku, rrezatimi depërtues i esencës së veprës si dhe aktrimi i tetë personazheve thellësisht të komplikuar por edhe të thjeshtë në vetvete, shkruan KultPlus. 

Pasi të pranishmit dalëngadalë zunë vendet e tyre përbrenda hapësirës së Teatrit Kombëtar të Kosovës, mu në skenë ata u vendosën ballë me aktorët që gjendeshin nëpër pozicionet e tyre përkatëse. Loja nisi fiks në orën 20:16 e së bashku me të, si rrjedhë uji u lëshua një mjegull e lehtë që u shpërnda horizontalisht në ambient, duke paralajmëruar realitetin distopik që përmban në thelb vetë vepra letrare.  

Një nga një, aktorët procesojnë të prezantojnë “veten” e tyre para publikut, por tërë këtë shtjellim e tutje do ta drejtojë si një shkop magik, O’Brien (Adrian Morina), i cili me shikimet e tij tinëzake kafshon mendimet e gjithsecilit. “1984” sjellë para nesh historinë e Uinston Smith (Ylber Bardhi), djaloshi i cili tërë kohës lufton për copëza të vogla dashurie, lirie e vërtetësie si dhe Xhulias (Flaka Latifi), vajza që ipet lehtësisht pas shikimeve të para të Smithit dhe kësisoj fillojnë të lindin ndjenjat e para mes tyre. Por kjo nuk është thjeshtë një dashuri e zakonshme. Në këtë histori i përfshirë është ‘Big Brother’ i cili mendërisht dhe fizikisht, hyn brutalisht në jetën e tyre dhe përmbys gjithçka, duke krijuar kështu botën ideale të tijën, aty ku mosbesimi dhe dhuna, shkelin këmbë mbi çdo trup. 

Majat e larta të intensitetit që tronditin audiencën vijnë të shoqëruara nën melodi të qëlluara nga kompozitori Trimor Dhomi dhe së bashku me reflektorët që ndërronin ngjyrat herë pas here, krijonin një ambient ku portretizohej më së miri egërsia provokative e pushtetit. Shfaqja në Kosovë ka ardhur e adaptuar për herë të parë posaçërisht për Teatrin Kombëtar të Kosovës nga regjisori francez Mendijsky dhe një bashkëpunim i tillë ka qenë tejet i nevojshëm për të shpalosur një kryevepër të tillë të përmasave botërore.  

Orwelli në vepër trajton një shoqëri të kontrolluar nga një qeveri autoritare që mbikëqyr dhe kontrollon çdo aspekt të jetës së qytetarëve. Megjithatë, në interpretimin e regjisorit Mendjisky, fokusi i shfaqjes ka qenë pikërisht historia e dashurisë së çiftit protagonist, Uinston dhe Xhulia. Pas disa situatave të ndryshme, Uinston detyrohet të rrëfejë për mendimet e tij që sipas pushtetit janë jo korrekte dhe kësisoj publiku shndërrohet në dëshmitarin e heshtur të torturave nëpër të cilat kalon ai. Refuzimi i tij për të pranuar realitetin e manipuluar të Partisë, i sjell atij fundin.  

Hetuesi i tij, O’Brien ka ndarë plotësisht mendjen se populli nuk do të revoltohet dhe sipas tij, ata nuk do të shikojnë nga ekranet e tyre aq gjatë sa të vërejnë se çfarë po ndodh në të vërtetë. Andaj, kërcënimet e tij ngjallin frikë të tmerrshme brenda shpirtit luftarak të Uinstonit. Mendja e tij hyn në një vijë të paqartë, derisa arrin tek një pikë ku e pyet edhe veten se a ka ekzistuar vetja e tij. Tani për të, të gjitha momentet ku ka menduar për mikrofonat e fshehtë, teleekranët, monitorët e kudogjendur, po shndërrohen në iluzione. 

Fatet personale të dy personazheve kryesorë duket se përcaktohen nga vendimi i Charrington, personazhi që spiunon takimet e tyre tek Policia e Mendimit. Ngushëllimet e Uinstonit dhe Xhulias mes tyre, tanimë nuk kanë asnjë kuptim. Ferri i ashpër i dhomës 101, po i pret të dy personazhet. Edhe pse audienca sheh pasojat e përgjakshme dhe jo aktet, masakra të bënte që të dridhesh në karrige.  

Po ashtu, përdorimi i guximshëm i videove e tingujve që lëshoheshin papritmas përgjatë shfaqjes e cila zgjati plot dy orë, ishin sinjalizues për një përkushtim të lartë të gjithsecilit. Në anën tjetër, skenografia nga Mentor Berisha qe diçka që ka rrëmbyer vëmendjen që në sekondat e para. E krejt kjo për të përcjellë ndjenjën e terrorit klaustrofobik të një shteti totalitar.  

“1984” është një shfaqje që akoma jehon edhe sot nëpër botë. Meritat letrare të Orwell-it janë ngjallur në secilën epokë dhe çdo herë pas tyre, njeriu përbrenda vetes ka stimuluar reflektime të shumta për të kaluarën, të tashmen e të ardhmen.  

Për të treguar më shumë rreth shfaqjes si dhe procesit të realizmit, për KultPlus foli regjisori Igor Mendjisky. 

“Unë mendoj se kur Orwelli ka shkruar veprën ka menduar që ajo të jetë një satirë dhe më pastaj bëhet një novelë e parashikueshme. Është një çështje më universale. Kjo është hera e parë për mua që po punoj me një trupë të një shteti tjetër dhe puna me aktorët ka qenë me të vërtetë një aventurë e paparë. Bashkëpunimi me TKK-në ka qenë fantastike. Ajo se çfarë më pëlqen shumë nga shfaqja është mënyra e adaptimit që kam bërë unë. Pra, vendosa historinë e dashurisë në qendër të vëmendjes dhe fundi i shfaqjes asisoj është bërë më i rrezikshëm dhe më i stuhishëm. Mendoj se aktorët këtu kanë diçka brenda tyre për ta luajtur këtë shfaqje. Nuk e di saktësisht se çka, apo nëse lidhet me situatën e shtetit, por e ndjej se ka diçka në trupin e tyre.” 

Ndërsa, aktori Adrian Morina i cili erdhi në dy role të ndryshme në skenë, për KultPlus ka folur për hezitimin e tij fillimisht nga roli, e pastaj deri tek arritja e finalizimit të shfaqjes në një kohë prej tridhjetë ditësh. 

“Në konceptin e këtij dramatizimi, personazhi im i tërheqë të gjitha levat por vjen deri tek pjesa që tregon pushtetin e tij, në një mënyrë gati të pavërejtur. Natyrisht, është një rol negativ, ndonëse mu kanë bërë të shpeshta, më pëlqejnë për shkak se të japin mundësi për kreativitet në interpretim. Jam shumë i lumtur me krejt punën që e kemi bërë. Është një kryevepër e letërsisë dhe ka marr kohë deri në kuptimin e qasjes regjisoriale. Nuk e besoj që e ka inskenu dikush në këtë mënyrë më herët. Nëpërmjet një historie dashurie, është pruar edhe diktatura, natyrisht me një intervenim të vogël artistik që e bën regjisori në fund të shfaqjes, duke i ringjallë personazhet dhe duke jep kështu një dritare shprese për të ardhmen.   

Procesi ka qenë tepër i shkurtë për shkak të datave të regjisorit, duke marrë parasysh se ai është një nga regjisorët më të mirë në Francë sa i përket gjeneratës së re. Roli ka qenë sfidues e sidomos ai i narratorit, në të cilin nuk ke shumë mundësi si aktor për të luajtur dhe dialogon me vetveten dhe publikun. Ka qenë e vështirë mënyra poetike e tekstit, andaj edhe kam pasur frikë shumë. Është çmenduri për të realizuar shfaqjen në një kohë kaq të shkurtër por e kemi ndje në çka jemi futur dhe për çka po punojmë. Sonte u dëshmua ajo se kur e bën një shfaqje të mirë, vërehet edhe tek njerëzit, ndaj të cilëve shihej një mungesë për të parë diçka të gjallë, për të parë një botë magjike që po na mungon neve. Ky tekst për neve, duket më i qëlluar sepse ne kemi çka të dhurojmë nga shpirti jonë.  

Pas gjithë kësaj shfaqje, unë kam dalë si një njeri më i mirë.”  

Ndërkaq, reprizat e shfaqjes ”1984” do të vijnë me datat: 5, 6, 7, 24 dhe 25 tetor. / KultPlus.com

Fillojnë provat për tre premiera të TKK-së, paralajmërohen edhe projekte të tjera

“Skena i ka dy rregulla: Gjithçka mund të ndodh dhe diçka duhet të ndodh” është një shprehje e Peter Brook, me të cilën drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës Kushtrim Sheremeti, ka të bëj me dije se TKK është në vlugun e punës sa i përketë projekteve dhe prurjeve të reja, para audiencës, për periudhën e mbetur deri në fund të vitit, shkruan KultPlus.

Për tre shfaqje, të cilat do të shfaqen premierë veçse kanë filluar provat. Në Opole të Polonisë, që nga java e kaluar kanë filluar provat për shfaqjen “The Best European Show”, si një ko-produksion i Teatrit Kombëtar të Kosovës, me  Teatro Due – Parma, Teatri Kombëtar Slloven – Nova Gorica, Teatr Opole dhe Teatru Malta, e me të cilët TKK është bërë partnerë duke qenë pjesë e European Theatre Convention.

Kjo shfaqje e cila vjen nën regjinë e Haris Pasoviç, do të ketë premierën botërore me 13 tetor në Opole, ndërsa në Kosovë do ta ketë premierën me 25 prill 2024.

Në këto prova po marrin pjesë një ekip ndërkombëtarë artistësh nga 9 shtete të ndryshme, ndër të cilët edhe aktorët tanë rezidentë, Armend Smajli, Maylindak si dhe kompozitori Trimor Dhomi.

Po ashtu, në vazhdën e punës së TKK-së, të premten kanë filluar edhe provat e shfaqjes “Ditë Vere” të Slawomir Mrozek, në të cilin luajnë një grup të përzier artistësh për nga gjeneratat përfshirë edhe ata që për herë të parë do të punojnë në TKK – Era Balaj, Andi Bajgora, e Art Pasha, përkrahë aktorëve rezidentë Ismet Azemi, Lumnije Sopi, Adhurim Demi e Veton Osmani.

Kjo shfaqje premierën do a këta më 18 tetor 2023 në njërën prej hapsirave alternative të teatrit.

Kurse dje, TKK po ashtu ka filluar provat për kryeveprën e George Orwell – 1984 – e dramatizuar dhe në regji të Igor Mendjisky, e cila premierë pritet edhe të hapë sezonin 2023/2024 në TKK nga data 30 Shtator!

Në këtë shfaqje Mendjisky së bashku me aktorët do të punojnë bashkë edhe me Imer Kutllovcin i cili kthehet si bashkëpunëtor i TKK-së pas gati 20 viteve.

Drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Sheremeti, ka bërë të ditur se këto tre premiera janë vetëm fillimi i punës dhe bashkëpunimeve të tjera, duke theksuar se në radhe janë edhe dy premiera të tjera.

“E kjo s’është krejt për sivjet – por vetëm fillimi: na presin edhe 2 premiera tjera, organizimi i Festivalit Mbarëkombëtar MOISIU në datat 20-27 nëntor si dhe turne të shfaqjeve nëpër Kosovë, rajon e Evropë”, ka bërë të ditur drejtori Sheremeti.

Ai përmes një postimi në facebook u ka uruar artistëve punë të mbarë  deri në finalizimin e projekteve në fjalë, që do të shfaqen para audiencës së TKK-së.

“Ju uroj mbarësi e suksese të gjithë artistëve që do të punojnë me zell në mënyrë që publikut të TKK-së t’i sjellim një program të pasur e me vlerë”, ka shkruar drejtori Sheremeti ne facebook/KultPlus.com

‘1984’, projekti i radhës nga TTK, fillojnë provat

“1984” e dramatizuar nga romani distopik i autorit George Orwell, është shfaqja e radhës për të cilën Teatri Kombëtar i Kosovës dje ka filluar provat, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje e cila vjen me regji të Igor Mendijsky, do të interpretohet nga aktorët: Adrian Morina, Ard Islami, Arta Selimi, Edona Reshitaj, Flaka Latifi, Shpejtim Kastrati, Xhejlane Godanci dhe Ylber Bardhi.

Pjesë e stafit të cilët po punojnë për jetësimin e këtij projekti janë edhe:

Konsulent artistik: Imer Kutllovci

Skenograf: Mentor Berisha

Kostumografe: Yllka Brada

Kompozitor: Trimor Dhomi

Video: Yannik Donet

Ass.Regjisor: Alper Ziglir

Përkthyer nga: Urim Nerguti/KultPlus.com

Teatri Kombëtar i Kosovës fillon provat r shfaqjes ‘Ditë vere’ të autorit Slawomirr Mrozek

Teatri Kombëtar i Kosovës filloi provat e shfaqjes së radhës “Ditë vere” të autorit Slawomir Mrozek në regji të regjisorit Kaltrim Balaj.

Në një ditë të bukur vere pa diell, ballafaqohen njerëzit dhe fatet e tyre. Dëshira për të jetuar dhe pamundësia për të dëshiruar është një nga faktet kryesore që përballen personazhet e kësaj shfaqje.
“E keqja është dëshira për gjithçka dhe nuk merr asgjë” dhe “e keqja është kur nuk do asgjë sepse ke gjithçka” .

Regjia: Kaltrim Balaj
Dramaturge: Zoga Çeta Çitaku
Ass.Regjie: Qendresa Spahiu
Kompozitor: Memli Kelmendi
Skenograf: Mentor Berisha
Kostumografe: Samka Ferri
Inspiciente: Nazmije Krasniqi

Luajnë: Andi Bajgora, Art Pasha, Era Balaj, Ismet Azemi, Adhurim Demi, Lumnije Sopi dhe Veton Osmani./KultPlus.com

TKK pas vdekjes së aktorit Xhevat Qorraj: Do të vazhdojë të ndriçojë rrugën e artit për shumë gjenerata

Ka vdekur sot në moshën 76 vjeçare aktori i mirënjohur kosovar, Xhevat Qorraj, përcjell KultPlus.

Lajmin për vdekjen e aktorit e kanë pritur me pikëllim të thellë jo vetëm familjarët po edhe komunitetit artistik dhe publiku që e deshi shumë.

Një telegram ngushëllime vjen edhe nga Teatri Kombëtar i Kosovës të cilët shprehen të pikëlluar për këtë humbje.

Nga TKK janë shprehur se Qorraj do të kujtohet për talentin e tij të rrallë, rolet e tij të shumta, kolegialitetin e tij të pashoq dhe kontributin e tij të pafund në kulturën dhe artin tonë kombëtar.

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për humbjen e njeriut tonë të çmuar, aktorit të Teatrit Kombëtar të Kosovës e artistit të njohur, Xhevat Qorraj.

Rolet e tij në teatër dhe film do mbahen mend gjatë dhe do të vazhdojnë të ndriçojnë rrugën e artit për shumë gjenerata.

Teatri Kombëtar i Kosovës do ta kujtojë Xhevat Qorrajn për talentin e tij të rrallë, rolet e tij të shumta, kolegialitetin e tij të pashoq dhe kontributin e tij të pafund në kulturën dhe artin tonë kombëtar.

Le të kujtojmë dhe të nderojmë së bashku jetën dhe veprën e mrekullueshme të Xhevat Qorraj.

Ngushëllime të sinqerta për familjen dhe të gjithë komunitetin artistik.

Për detaje të ceremonisë së varrimit do të ju lajmërojmë me kohë!”, shkruajnë nga TKK. / KultPlus.com

Teatri Kombëtar i Kosovës pjesë e Asociacionit të Teatrove Publike

Në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar në Prishtinë është mbajtur takimi i Asociacionit të Teatrove Publike të Qyteteve të Kosovës.

Asociacioni i Teatrove Publike të Qyteteve ka votuar unanimisht përfshirjen e institucionit më të lartë teatror në vend – Teatrit Kombëtar të Kosovës në këtë mekanizëm dhe nga sot ta ndryshoj emërtimin e tij në Asociacioni i Teatrove Publike të Kosovës.

Në këtë takim janë diskutuar tema të ndryshme si: forcimi i pozicionit të teatrove publike në vend, Projektligjin për Art dhe Kulturë (në diskutim publik), pozicionimin e krijuesve dhe performuesve të teatrit, forcimin e mekanizmit të Trupave Rezidente dhe të tjera.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e teatrove publike të: Teatrit Kombëtar të Kosovës, Teatri “Hadi Shehu” – Gjakovë, Teatri i Qytetit – Gjilan, Teatri “Bekim Fehmiu” – Prizren, Teatri “Dodona” – Prishtinë, Teatri “Istref Begolli” – Pejë, Teatri “Adriana” – Ferizaj, Teatri “Muharrem Qena” – Mitrovicë dhe Teatri “Avdush Hasani”- Podujevë janë dakorduar për formalizimin e Asociacionit të Teatrove Publike të Kosovës. / KultPlus.com

“Fausti”, shfaqja e parë premierë për vitin 2023

“Fausti” është shfaqja e parë premierë për vitin 2023 në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, përcjell KultPlus.

Autor dhe regjisor i shfaqjes është Fadil Hysaj.

Ndërkaq, “Fausti” vjen si bashkëprodhim i Teatrit Kombëtar të Kosovës me Teatrin e Qytetit Gjilan dhe Teatrin “Bekim Fehmiu” Prizren!

Premiera e shfaqjes shpaloset të hënën (23 janar) duke filluar nga ora 20:00. / KultPus.com