“Sfinga e gjallë”, shfaqja që zhbiron në dramën e vrasjeve politike të pasluftës, vjen premierë në TKK

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës pritet të jepet premiera e shfaqjes ”Sfinga e gjallë”, përcjellë KultPlus.

Me regji të Blerta Nezirajt, drama ”Sfinga e gjallë” e shkrimtarit dhe intelektualit të mirënjohur nga Kosova, Rexhep Qosja, vjen e “ri-vizituar’ dhe e fuzionuar me shkrime e citate goditëse, po të Rexhep Qosjes, por edhe me dokumente e kronika të ndryshme të kohës. 

E shkruar në vitet e 70-ta, si një dramë e fuqishme që flet për gjakmarrjen e vëllavrasjet absurde të asaj kohe, “Sfinga e gjallë” e tanishme zhbiron dramën e tabuizuar të pasluftës në Kosovë dhe vrasjet politike ‘misterioze’ të disa prej intelektualëve, gazetarëve e politikanëve kosovarë.

Pas përfundimit të luftës disa nga ‘lordët e luftës’ në Kosovë qenë përfshi në një valë të vrasjeve të kundërshtarëve politik – kryesisht zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovë – të cilët paraprakisht etiketoheshin si ‘ ‘bashkëpunëtor të armikut’ e ‘sabotues të luftës çlirimtare’’. Rreth 20 vite nga ajo periudhë, gati asnjë nga këto vrasje nuk është zbardhur. Nuk ka pasur vullnet politik për një gjë të tillë nga asnjëra palë, madje as nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila, për më tepër, këto vrasje i ka marketizuar dhe përdorur për qëllimet e veta politike. Edhe komemoracioni publik për të vrarët është shndërruar në një ritual komik. Të gjithë – madje edhe vet vrasësit – ‘vajtojnë’, të gjithë ‘thërrasin për drejtësi’, të gjithë i duan “vrasësit prapa grilave” dhe të gjithë ua njohin “meritat të vrarëve”.

Në sfondin e këtillë të këtij makabriteti politik e shoqëror, viktimat e vetme megjithatë kanë ngelur të vrarit dhe ndoshta familjet e ngushta të tyre.

Kjo shfaqje u dedikohet këtyre të vrarëve dhe atij pak grushti njerëzish të guximshëm që akoma dhe sot, me dinjitet, vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për vrasjet politike të pasluftës.

Në shfaqje luajnë aktorët: Fatmir Spahiu, Adrian Morina, Edona Reshitaj, Armend Smajli, Ylber Bardhi, Shpejtim Kastrati, Dukagjin Podrimaj.

“Sfinga e gjallë” vjen premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës më datë 27 maj, në ora 21:00.

 Skongrafia dhe kostumet: M. Nurullah Tuncer // Kompozitor: Gabriele Marangoni // Koreograf: Gjergj Prevazi // Ass regjisor:  Imer Mushkolaj

Skulptor: Burim Berisha // Ass. skenograf: Gent Jetullahu // Inspicient: Bajram Mehmetaj // Dritat: Mursel Bekteshi // Toni: Arben Aliu

Organizator: Beqir Beqiri // Mjeshtër skene: Aziz Maloku // Rrobaqepës: Shemsi Avdiu // Dekoraterë: Rrahman Mehmeti, Hasan Buzaku, Fatmir Avdiu // Rekuiziterë: Xhemail Gllavica e Driton Musliu // Garderoberë: Fahredin Ahmeti e Linda Ahmeti // Grimi: Flori Hasani, Myrvete Tahiri, Fatime Bejiqi Brajshori // Furnizues: Hysen Kuleta. / KultPlus.com

“Mosmarrëveshja”, shfaqja absurde që solli për herë të parë punën e regjisores Fata Hyseni në TKK

Alberina Haxhijaj

Fata Hyseni mbrëmë ka fituar titullin regjisore përmes premierës së shfaqjes “Mosmarrëveshja”, me të cilën ajo arriti edhe të diplomoj. Shfaqja “Mosmarrëveshja” po ashtu bëri që emri i regjisores Fata Hyseni të shënohet përkrahë regjisorëve të njohur të cilët shfaqjet e tyre i kanë sjellë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Hyseni solli në skenën e vogël të teatrit, tekstin e skenaristit Albert Kamy, fituesit të Çmimit Nobel për Letërsi, i cili është i njohur për qasjen e tij absurde. Kamy ishte inskenuar edhe më parë në Teatrin Kombëtar përmes regjisorit Kushtrim Koliqi i cili vitin e kaluar solli shfaqjen “Kaligula”. Dhe të dy shfaqjet krijojnë lidhshmëri pasi që shfaqin çmendurinë njerëzore. Nuk ka si të jetë tjetër kur i gjithë opusi letrar i këtij shkrimtari bazohet në idenë absurde të ekzistencës së njeriut. E tillë është edhe “Mosmarrëveshja”.

Nënë (Kumrije Hoxha) dhe bijë (Florieta Bajrakatari) jetojnë të izoluara në një bujtinë afër lumit duke ëndërruar që të largohen nga ai vend. Dëshira e tyre në pamje të parë është shumë e thjeshtë, të jetojnë afër detit, të prekin me këmbët e tyre rërën e detit, të zbulojnë pyetjen që i preokupon ‘A do na i djegë rëra shputat e këmbëve, a është aq e nxehtë?’. Mirëpo çdo gjë bëhet e komplikuar në momentin kur për tu larguar nga ky izolim atyre ju nevojiten para, dhe mënyra më e lehtë për t’i fituar është përmes krimit. Nënë dhe bijë pranojnë klientë në bujtinën e tyre, i vrasin dhe ju marrin paratë. Regjisorja Hyseni tregoi për KultPlus se ajo dhe ekipi i kësaj shfaqje kanë punuar së bashku dy muaj për të sjell këtë dramë absurde.

“Kemi punuar dy muaj mirëpo ka pasur edhe disa muaj punë të tjera për finalizimin e kësaj shfaqje dhe konceptit të saj. Tekstin e kam përzgjedhur pasi që është një tekst i pasur dhe i cili ka kohë që nuk është punuar e që trajton temën e izolimit të dy grave brenda një bujtine. Me e punu një tekst të tillë ka qenë e vështirë, me shumë përgjegjësi por edhe kënaqësi”, theksoi Hyseni.

Jeta e “zakonshme” e të zonjës së bujtinës dhe vajzës së saj ndryshon kur një ditë atyre ju shkon në bujtinë për të kërkuar një dhomë një djalë jo i zakonshëm. ‘Ky është ndryshe nga të tjerët’, i thonë nënë dhe bijë njëra-tjetrës. Në fakt ai edhe është i tillë, Zhani djali i vetëm i shtëpisë i larguar njëzet vjet më parë, e që jeton afër detit kthehet pasi që e ndjen se dy gratë e familjes duhet të kenë nevojë për një burrë në shtëpi. Vendimi që në fillim të lajmërohet si një klient, do i kushtojë atij me jetë. Pikërisht vdekja e Zhanit dhe zbulimi i vërtet i identitet të tij shënon edhe një thyerje tjetër në rrjedhën e kësaj drame. Aktorja Kumrije Hoxha sjell dhembjen e një nënë e cila mendon se ka jetuar mjaftë. ‘Jetova më shumë se djali”.

Në anën tjetër Marta e cila erdhi përmes aktores Florieta Bajraktari, është ajo që zbërthen tutje absurdin brenda kësaj shfaqje. Indiferente ndaj vrasjes së të vëllait duke u arsyetuar se të paktën ai ka jetuar i lirë për aq sa ka jetuar, është vetëvrasja e nënës ajo që e bënë Martën të bëjë të njëjtën gjë. Duke goditur vetën me thikë, Marta lë të shokuar gruan e Zharkut e cila e kërkon të shoqin gjersa shërbëtori largohet me paratë. Sipas aktores Florieta Bajraktari, bashkëpunimi brenda ekipit ka bërë që procesi i punës të jetë i lehtë.

“Roli është shumë sfidues dhe është dashtë mjaft shumë me punu po e rëndësishme ka qenë me dal ajo që regjisorja ka dashtë e që ka qenë tema e izolimit. Kryesisht këtë temë e bart personazhi im tek i cili vërehet edhe një ndryshim psikologjik, e që e ka bërë edhe me sfidues procesin që me hy brenda këtij roli”, tha Bajraktari.

Sfidën e parë si regjisore të Fata Hysenit e vlerësoi edhe Butrint Berisha. Ai theksoi se shfaqja arrin që të sjellë klaustrofobinë, e që është gjetja kryesore e kësaj shfaqje.

“Si koleg i klasës e kam përcjellë procesin e shfaqjes dhe po ashtu e njoh edhe si tekst dhe sonte erdhi një realizim më ndryshe i shfaqje. Erdhi ajo klaustrofobia e shfaqjes e që ka qenë si gjetje kryesore e shfaqje. Po ashtu loja e aktorëve ishte e bukur. Zhanri i kësaj shfaqje nuk është zhanër që e tërheq publikun për shkak të natyrës së errët që e ka. Mirëpo po shpresoj që përmes qasjes regjisoriale dhe lojës së aktorëve shpaloset përralla që e diskuton teksti”, tha ai.

Reprizat e para të kësaj shfaqje do të jenë më 21 dhe 22 maj duke filluar nga ora 21:00./KultPlus.com

Altin Basha rikthehet në TKK me një tregim nga qyteti i serenatave

Gili Hoxhaj

Një tekst klasik i dramaturgjisë shqiptare, i shkruar gjatë vitit 1936, në të cilën rrëfehet historia e një familjeje shqiptare të ndodhur në Korçë, do të shfaqet nesër premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Komedia e shkruar nga satiristi Spiro Çomora, pritet të sjellë në skenë tregimin e ndodhur në qytetin e serenatave, ku dy prindër egoistë kanë synim ta martojnë me çdo kusht vajzën e tyre, duke e vënë atë në situata komike. Kjo dramë e rikthen përsëri Altin Bashën si regjisor në Teatrin Kombëtar të Kosovës, pas suksesit që pati me shfaqjen “I ligu për mend”, me tekst të Gjergj Fishtës.

Drejtori i TKK-së, Agim Sopi në një konferencë për media është shprehur i lumtur që ky sezon po starton me një nga  regjisorët më të mirë shqiptarë dhe rajonal. Ai theksoi se Basha me shfaqjen “I ligu për mend” ka thyer rekordet e publikut në TKK.

“Altini është i njohur për publikun tonë, ka sjell disa shfaqje jashtëzakonisht të suksesshme në TKK, menjëherë pas luftës ka realizuar shfaqjen “Pallati i ëndrrave” , e që për mendimin tim është një nga shfaqjet më të realizuara pas luftës dhe po ashtu shfaqjen “I ligu për mend” që ka thyer të gjitha rekordet e publikut, ne kemi realizuar 50 repriza me sallën e mbushur me publik dhe shfaqje të cilën e kemi ende në repertor”, u shpreh Sopi.

“Mjafton të themi se po vjen regjisori i shfaqjes “I ligu për mend” dhe kaq mjafton për publikun. Unë besoj që edhe kjo shfaqje do të jetë një sukses i ngjashëm, nëse nuk do të tejkalojë suksesin e saj”, u shpreh drejtori artistik Agon Myftari.

Regjisori i shfaqjes, Altin Basha tha se ndihet i kënaqur për ftesat që ka marrë nga Prishtina dhe që pas zbulimit të Fishtës, është i kënaqur që të sjell tekstin e Spiro Çomoras.

Tutje regjisori i shfaqjes Altin Basha tha se teksti trajton disa problematika të cilat rezonojnë edhe sot, siç janë pabarazia sociale, kapja e shtetit, korrupsioni, raportet e biznesit me politikën. Ai tha se kjo vjen si shfaqje me shumë ngjyra dhe spektakulare.

“Ka elemente që rezenojnë  edhe në botën e sotme, ndërsa nga pikëpamja e trajtimit estetik, ne kemi mbetur në vitet 30-të pasi që na tërheqë ajo pamje dhe ai sharm. Nga pikëpamja e trajtimit regjisoriale të formave skenale, të lojës së aktorëve, të lojës muzikore e skenografike, ne provojmë të bëjmë një teatër modern, një teatër të gjallë”, u shpreh Basha.

Kasta e aktorëve të kësaj shfaqje përbehet nga: Luan Jaha, Ilire Vinca, Edona Reshitaj, Ernest Malazogu, Ylber Bardhi, Besart Sllamniku, Adem Karaga, May-linda Kosumoviç, Arta Selimi, Ermal Sadiku, Muhamet Zeka dhe Qëndresa Kajtazi.

Sa i përket kastës së aktorëve, Basha tha se kasti i aktorëve do t’i jap një dimension tjetër artistik  tekstit dhe se gjeografia artistike e stafit prek tri teatrot shqipfolëse.

“Mendoj se kasti i aktorëve do t’i jap veprës një dimension tjetër, një dimension shumë më të fuqishëm artistik, i cili e çon përtej nivelin e komedisë”, theksoi Basha.

Aktori Luan Jaha i cili ka qenë pjesë edhe e shfaqjes “I ligu për mend”, tha se kjo shfaqje është një nga shfaqjet e rralla ku në tekstet kombëtare gërshetohen shumë mirë muzika, skenografia, kostumet dhe publiku.

“Unë ju garantoj që kjo shfaqje është më e mirë dhe shpresoj që të jetë më e shikueshme se “I ligu për mend”. Mirë se vini në teatër”, tha aktori Jaha në konferencën për media që i paraprin shfaqjes.

Ilire Vinca po bashkëpunon për herë të parë me regjisorin Altin Basha por thotë se gjithnjë e ka shijuar punën e tij prej anës së spektatorëve. Bashkëpunimin me Bashen, e cilëson si një dhuratë të bukur.

“Ndjehem shumë mirë që e theva akullin dhe po shpresoj si Luani që në çdo shfaqje të Altinit do të jem”, ka thënë Vinca.

Aktores Edona Reshitaj, ky projekt i ka dhënë një nga eksperiencat më të mira dhe  kjo për faktin se gjatë procesit të shfaqjes, thotë se ka dominuar energjia  pozitive.

“Ajo çka e bën më të veçantë gjithë procesin e kësaj punë është se ne mezi s’kemi pritur që të vijmë në prova. Puna me regjisorin ka qenë super e lehtë sepse ka qenë shumë i qartë në të gjitha indikacionet që na i ka dhënë dhe na ka dhënë përgjigje në çdo pikëpyetje që e kemi pasur”, tha Reshitaj.

Elementet e kësaj shfaqjeje do të sinkronizohen me muzikën të realizuar nga kompozitori, Trimor Dhomi, kurse skenografia  dhe kostumografia vijnë të punuara nga Ilirana Loxha Basha, e cila tha se ndihet si në shtëpi në këtë teatër.

Shfaqja “Karnavalet e Korçës” vjen nesër premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, duke filluar nga ora 20:00./ KultPlus.com

“Shkumsi” përmbyllë programin e TKK-së për këtë vit

Më 30 dhjetor 2018 (ditë e diel), me fillim nga ora 20:00, në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës do të ngjitet shfaqja eksperimentale “Shkumësi” nga regjisori dhe dramaturgu Naser Shatrolli.

Shfaqja sjellë historinë e një të riu me emrin Shkums i cili ua vendos vijat kufitare dhunshëm qytetarëve kudo dhe kurdo. Gravon dorën e fortë në secilën derë. Ushtron dhunë në emër të lirisë. Shpall vetveten invalid dhe me para e blen librezën e invalidit të luftës. I vë vetvetes epitetin ligj, sillet si njeri që bën ligjin, premton se do ta bashkojë qytetin e ndarë…

Shfaqja është punuar në bazë të formatit të teatrit të absurdit, me përplot dromca komike dhe ironike.

Rezervimin e biletave, për ta parë këtë shfaqje në prag të fundvitit, mund ta bëni në këtë numër të telefonit: 044 430 693./ KultPlus.com

Nesër në TKK mbahet akademi përkujtimore për artistin Blerim Peci

Nën patronatin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, të dielën (09.12.2018), duke filluar nga ora 18:00, në Teatrin Kombëtar të Kosovës do të organizohet akademia përkujtimore me rastin e një vjetorit të vdekjes së artistit Blerim Peci.

Aktori Blerim Peci ka ndërruar jetë më 9 dhjetor 2017. Blerim Peci ishte i njohur për një varg serish humoristike, përfshirë këtu edhe serinë televizive “Vikendi”./ KultPlus.com

Fadil Hysaj do të sjellë një këndvështrim jo të rëndomtë të historisë së Skënderbeut në TKK

Gili Hoxhaj

“Skënderbeu ose Dashuria dhe Liria” është vepra e njohur e autorit anglez Thomas Whincop, që është shkruar në vitin 1747, e që në Teatrin Kombëtar të Kosovës vjen në fund të këtij viti, me regji të Fadil Hysajt, që njihet si një nga regjisorët më me nam në Kosovë.

Jo edhe shumë kohë nga provat e kësaj shfaqje, Hysaj së bashku me një trupë jo dhe të vogël të aktorëve kosovarë veçse kanë arritur të ndërtojnë bazën e konceptit të shfaqjes, e cila vjen e strukturuar si shfaqje në shfaqje, që e bën që procesi të sjellë një dramë të veçantë në kuadër të shfaqjes, ku brenda saj paraqitet një regjisor me një trupë teatrale. Sipas Hysajt në një rrëfim për KultPlus, krejt kjo arrin ta nxjerrë në pah atë se çfarë ruajnë sot shqiptarët nga trashëgimia Skënderbegiane.

Synimi i shfaqjes nuk është demitizimi i figurës së Skënderbeut, por përballja e aktualitetit shqiptarë me figurën e Skënderbeut. Shfaqja si e tillë përballë të kaluarën e rreth 550 vitesh, me të tashmen për të nxjerrë në pah se hapësira mes të tanishmes dhe të kaluarës është shumë më e madhe se këto vite.

Pikërisht rreth pyetjes se “A besojnë sot shqiptarët e kësaj kohe në dashuri dhe liri”, zhvillohet koncepti i trupës teatrale në relacion me regjisorin, e që shpërfaqet me konflikte e fërkime që e sfidojnë këtë tematikë. Sipas regjisorit Hysajt krejt kjo tregon se si shoqëri mbetemi larg kësaj lënde e tematike dhe ka mbetur shumë pak nga ajo që Gjergj Kastrioti- Skënderbeu qoftë si mit a personazh, ka arritur deri në këtë kohë ta mbajë gjallë substancën kombëtare.

“Nëse dikur ka ekzistuar kulti i dashurisë, a ekziston ai sot? A besojnë sot shqiptarët e kësaj kohe në dashuri dhe liri? Kam ardhur në përfundim që besojnë shumë pak dhe kjo paraqet një nivel të një kulti të jetës së lirë dhe dinitetshme se a ekziston sot si realitet apo ekziston si synim dhe dëshirë”, thotë Hysaj për KultPlus, duke shtuar se Gjergj Kastrioti-Skënderbeu nuk është hero tragjik, çfarë janë përpjekur t’ua m’veshin shqiptarëve, heronj të tipit që kanë “kultin e sakrificës”, Hysaj thotë se Skënderbeu mbetet një hero që nuk ka njohur humbje por që është vlerësuar më shumë nga qendrat e tjera evropiane e shumë më pak nga shqiptarët.

Tutje Hysaj shprehet se virtytetet që janë të sublimuar në një figurë si ajo e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, nuk janë hasur në dimensionin e njëjtë në asnjë histori të ndonjë populli.
“Skënderbeu ose Dashuria dhe Liria” do të sjellë para publikut të Prishtinës të dhëna historike duke u lidhur me personazhet që e kanë karakterizuar jetën e heroit kombëtar Gjergj Kastriotit. Po ashtu në këtë shfaqje vjen edhe skena në afërsi të Krujës, kryeqytetit të Arbërisë në vitin 1451. Personazhet historike në këtë shfaqje vijnë me emra të tjerë, duke shprehur nivelin më të lirë të autorit, ndërsa e rëndësishmja e gjithës kësaj është se të gjitha personazhet dhe të dy taborët që luftojnë me njëri-tjetrin përshkohen nga dashuria.

Hysaj tregoi për KultPlus, se fillimisht për këtë vepër e ka intriguar titulli, që përfaqëson një titull jo shumë të rëndomtë e që është një binom i shenjtë i një vendi të lirë ku sundon dashuria por s’mund të jetë i lirë, ndërsa thekson se nuk mund të ketë dashuri pa liri, ashtu si s’mund të ketë liri pa dashuri.

“Në kuptimin shumë ma të gjerë të kësaj fjale është një këndvështrim jo i rëndomtë i historisë së Skënderbeut, si të relacionit të tij me një femër që quhet Arianisa (bija e Gjergj Arianitit) që në kuptimin historik është Donika, po ashtu dhe motra e tij është e paraqitur me emrin Amisa, duke qenë se autori e ka trajtuar në nivel pak më të lirë dhe s’ka dashur të jetë në konflikt më të dhëna historike, të tjerët janë personazhe historike që paraqesin periudhën e rrethimit të Krujës, kur Sulltan Murati II vjen që ta mposhtë Skënderbeun”, pohoi regjisori, duke vazhduar të thotë se të dy taborët luftojnë për Arianisën (bija e Arianitit, robinë e turqve) dhe rreth saj krijohet një dimension alegorik dhe metaforik.

Sipas regjisorit dhe analistëve që kanë analizuar këtë tekst, personazhi i Arianisës simbolizon Shqipërinë e robëruar, të marrë peng ku të dy palët duan ta kenë nën sundimin e tyre.

“Në fund teksti thuhet “Shqipëria u lirua, Arianisa është e imja”, kjo është fjalia të cilën përkthyesi nuk e ka futur në përkthimet që i ka bërë para pesëdhjetë vitesh, por në versionin anglisht ekziston kjo fjali”, shprehet ai.

Kjo shfaqje vjen në lojën e aktorëve Bujar Ahmeti, Dibran Tahiri, Bislim Muçaj, Armend Baloku, Ismet Azemi, Faris Berisha, Shpëtim Kastrati, Shpëtim Selmani, Donika Ahmeti, Sheqerie Buçaj, Teuta Krasniqi, Vjosa Tashollli , Edona Reshitaj, Afrim Muçaj, Adhurim Demi dhe Naim Berisha.

Bashkëpunimin me aktorët Hysaj e cilëson si jashtëzakonisht të frytshëm që nga fillimi, ndërsa thotë se ata janë shumë të motivuar në realizimin e kësaj shfaqje.
“Kasta e aktorëve është me një energji shumë pozitive dhe të gjithë e kanë kuptuar se është një projekt shumë i rëndësishëm jo vetëm për ata por edhe për këtë përvjetor që ka rëndësi shumë të madhe për shqiptarët se çfarë relacioni kemi krijuar me këtë figurë”, tha ndër të tjera Fadil Hysaj.

Regjisori e cilëson këtë vepër si një dramaturgji jo dhe shumë e lehtë për inskenim dhe e largët në kuptimin e aktualitetit.

“Ne kemi dashur që ta sjellim të tillë në skenë por duke e krijuar edhe një dimension të ri, atë të inskenimit, duke e krijuar një dramë paralele, dramën që e ka një regjisor në procesin e krijimit të kësaj tematike”, tregon profesori Fadil Hysaj, duke vazhduar të thotë se përmes kësaj shfaqje do të prekë mbi një dimension pothuajse banal të realitetit të sotëm ku sundon intriga, gënjeshtra, në disa raste edhe krimi e ku platforma morale, e vërteta, liria, dashuria janë diçka me të cilat abuzohet.

Fadil Hysaj i cili ndër dekada ka kontribuar në krijimin e zhvillimin e jetës teatrore në vend, në Teatrin Kombëtar të Kosovës si regjisor kthehet pas tri vitesh. Shfaqja që para tri vitesh e ka ngjitur në dërrasat e Teatrtit Kombëtar të Kosovës, Hysajn, ishte “Grafitet” me tekst të Mehemet Krajës.

Ai thotë se teatri mbetet i njëjti ndërsa ai do të donte që të ishte në një standard shumë më të lartë.

“Është një teatër që gradualisht po rrënohet në kuptimin infrastrukturor dhe më nuk i plotëson kushtet për të qenë i tillë, shteti i Kosovës duhet të mendojë me urgjencë ta bëj një teatër tjetër që së paku do të ofrojë kushte higjienike për aktorët që rrezikojnë shëndetin e tyre gjatë punës këtu”, tha Hysaj për KultPlus.

Mentor Berisha do të sjellë një skenografi që i përngjan teatrit dhe një hapësire ku ndodhin betejat dhe luftërat. Yllka Brada do të sjellë një kostumografi ku aktorët hyjnë brenda kostumeve dhe kthehen heronj e dalin prej kostumeve të cilat mbesin në skenë si lloj skulpturash që në mënyrë paralele mundësojnë të shihet aktori dhe personazhi. Muzika në këtë shfaqje vjen e kompozuar nga kompozitori Valton Beqiri.

E krejt në fund, gjithë këtë projekt që në shikim të parë rezulton madhështor, publiku i Kosovës, mund ta shoh që nga 24 dhjetori i këtij viti.

Shfaqja vjen premierë më 24 dhjetor në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës, ndërsa reprizat e saj do të vazhdojnë edhe përgjatë vitit të ardhshëm./ KultPlus.com

Teatri Kombëtar i Kosovës hapë thirrjen për aplikim në programin “Skena e Vogël e Vogël” 2019

Teatri Kombëtar i Kosovës në kuadër të politikave të tij kulturore për zhvillimin e skenës teatrore në Kosovë ka zhvilluar tash e disa vite një program të veçantë nëpërmes të së cilit përpiqet të ofrojë mundësi për artistët e lirë të realizojnë idetë dhe konceptet e tyre artistike.

Me anë të programit “Skena e Vogël e Vogël”, Teatri Kombëtar i Kosovës ka për qëllim që t’i mbështesë idetë kreative, inovative, origjinale të artistëve të ndryshëm të Kosovës, duke kontribuar kështu në prodhimtarinë teatrore në përgjithësi, por që mund të konsiderohen edhe si prurje të reja në skenën e këtij institucioni.

Në kuadër të këtij programi, Teatri Kombëtar i Kosovës fton të gjithë artistët e lirë, dramaturgë, regjisorë, aktorë, dhe artistët e tjerë të Teatrit, që të aplikojnë me idetë e tyre në Programin “Skena e Vogël e Vogël”.

Datat për aplikim: 15 Nëntor – 5 Dhjetor 2018

– Idetë duhet të prezantohen në formën e një koncepti deri në më së shumti katër faqe dhe duhet të përmbajnë informata për dramën/tekstin, autorët, ekipin e shfaqjes, konceptin artistik, buxhetin dhe CV e udhëheqësit të projektit.

– Teatri Kombëtar i Kosovës do të përzgjedhë deri në tre (3) koncepte për vitin 2019, për t’u realizuar si shfaqje në skenën e vogël të këtij institucioni.

– Shfaqjet e realizuara në kuadër të këtij programi do të jenë pjesë e repertorit të rregullt të këtij institucioni.

– Teatri Kombëtar mund të ndajë deri në 20.000 (njëzetmijë) Euro për një projekt (për të gjitha shpenzimet që mund të dalin nga ai projekt). Planifikimi financiar finalizohet në bashkëpunim me menaxhmentin TKK.

– Konceptet duhet të dërgohen nëpërmes postës elektronike në këtë adresë: [email protected], me subjektin Koncept për Programin “Skena e Vogël e Vogël 2019”.

– Afati i fundit për aplikim është data 5 Dhjetor 2018.

– Teatri Kombëtar i Kosovës do t’i informoj vetëm aplikantët e koncepteve të përzgjedhura për negociata të mëtutjeshme.

– Teatri Kombëtar i Kosovës në marrëveshje me udhëheqësit e koncepteve të përzgjedhura do t’i definojnë çështjet tjera organizative dhe administrative./ KultPlus.com

Sopi kërkon edhe auditim të Teatrit, ministri s’i përgjigjet

Përveç shkarkimit të Këshillit Drejtues – që e kërkoi qysh në ditën e parë kur u rikthye si drejtor i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës – Agim Sopi i ka shtuar kërkesës së tij edhe dy të tjera: auditimin e pavarur financiar e ligjor të këtij institucioni dhe kod të pavarur buxhetor.

Me këtë kërkesë, zyrtarisht i është drejtuar ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi. E ka dorëzuar të martën e javës së kaluar, por as pas një jave nuk ka marrë asnjë përgjigje. Këshilltari i ministrit ka dhënë përgjigje për secilën kërkesë, nëpërmjet gazetës.

Sopi ka përsëritur edhe në shkresë akuzat që i ka bërë sapo ishte kthyer në pozitën e drejtorit, të hënën e kaluar në një konferencë për media: se shumica e anëtarëve të Këshillit Drejtues nuk posedojnë kualifikimet përkatëse dhe kanë konflikt interesi.

E krejt në fund, ai ka renditur kërkesat: Të ndërmerrni hapa urgjentë për rikthimin e Ligjit në TKK; të shkarkoni Këshillin Drejtues të kundërligjshëm të TKK-së dhe ta zëvendësoni me një kompozicion me ‘persona kredibilë, me autoritet dhe me përgatitje profesionale në fushën e teatrit; të ndërmerrni hapa urgjentë ligjorë për zhbllokimin financiar të TKK-së duke krijuar Kodin e veçantë buxhetor; të urdhëroni auditim të pavarur financiar dhe ligjor në TKK, ka shkruar Sopi, përcjell Koha Ditore./ KultPlus.com

“Kopshti i vishnjave” në TKK të hënën

Pas grevës nëntë ditore të Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe institucioneve të tjera vartëse të Ministrisë së Kulturës, TKK-ja ka treguar se po u rikthehet shfaqjeve me program të ri sa u përket datave, shkruan KultPlus.

TKK njofton se prej ditës së hënë fillon programi i muajit shtator me premierën e shfaqjes “Kopshti i Vishnjeve”, nga Anton Çehov me regji të Ilir Bokshit, pastaj reprizat do jenë më datë 18 dhe 19 shtator.

Repertori vazhdon me shfaqjen “Arturo Ui” në regji të Bekim Lumit, mandej “Kaligula” nga Albert Kamy, duke vazhduar me paraqitje edhe në Festivalin e Teatrove në Tiranë.

“Shfaqja “Bordel Ballkan” në regji të Andras Urban, pas ndryshimit të orarit nuk ka qenë e planifikuar të luhet në repertor të këtij muaji”,ka njoftuar TKK-ja./ KultPlus.com

“Kopshti i Vishnjeve” nga Ilir Bokshi, sjellë kapjen e pushtetit nga injorantët

Agim Sopi u shkarkua jashtëligjshëm, rikthehet drejtor i Teatrit Kombëtar

Gati gjashtë muaj pasi u shkarkua, regjisori Agim Sopi do të rikthehet në pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës del ta ketë shkarkuar pa kurrfarë arsyeje ligjore.

Sopit këtë ia ka vërtetuar Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. Nëpërmjet një vendimi, të cilin vetëm Gjykata mund ta hedhë poshtë, Ministria e Kulturës dhe Këshilli Drejtues i TKK-së duhet ta kthejnë regjisorin Sopi në punë.

“Obligohet Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për zbatimin e këtij vendimi në afatin prej 15 ditësh nga dita e pranimit të tij, duke kthyer ankuesin Agim Sopi në vendin e punës ‘Drejtor i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës’”, shkruhet në vendimin e KPMShCK-së të protokolluar të martën, shkruan Koha Ditore.

Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës përkrahë grevën e aktorëve

Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës ka dalë me një reagim të cilët e mbështesin grevën e aktorëve dhe performuesve, si pasojë e mospërmbushjes së kërkesave. KultPlus më poshtë ju sjellë të plotë reagimin e kësaj shoqate.

Kumtesë nr. 19

(Përkitazi me grevën e aktorëve dhe punëtorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës – TKK për mos-rritjen e pagës bazë)
Bordi Ekzekutiv i Shoqatës së Artistëve të Teatrit të Kosovës (SHATK) ka ndjekur me vëmendje të gjitha zhvillimet rreth rritjes së premtuar të pagës bazë të aktorëve dhe punëtorëve të TKK-së që është kërkuar që nga qershori i vitit 2016 dhe në vazhdimësi.
Mostrajtimi i dinjitetshëm ndaj aktorëve dhe punëtorëve të TKK-së si nga ana e Ministrisë së Kulturës së Kosovës ashtu dhe nga ana e Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës Kosovës, pas shumë kërkesave të bëra rreth rritjes së pagës bazë jep për të kuptuar se arti dhe krijuesit e tij nuk vlerësohen por nënçmohen pasi që kërkesat e tyre nuk trajtohen me seriozitet.
Mospërfillja e kërkesave të shumta të drejtuara ndaj MKRS-së dhe Qeverisë, shkelja e vet premtimeve të dhëna nga ana e vet Ministrisë së e Kulturës, trajtimi nënvlerësues ndaj performuesve kulturor duhet të marrë fund.
SHATK, shpreh indinjim të thellë për mosrealizimin e premtimeve dhe për mostrajtimin serioz të kësaj çështje dhe kërkon këndjellje dhe reagim të menjëhershëm nga ana e zyrtarëve kompetent të MKRS-së dhe Qeverisë së Republikës Kosovës.
SHATK përkrah grevën e nisur nga aktorët dhe punëtorë e TKK-së, deri në plotësim të kushteve të kërkuara – rritjen e pagës bazë për performuesit e kulturës. SHATK me këtë rast fton edhe publikun të tregojë mirëkuptim ndaj kërkesave të shprehura dhe solidarizim me to.
Bordi Ekzekutiv i SHATK-së i bën thirrje Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit që të realizojë premtimin e dhënë, e njëherit SHATK shpreh përkrahje të plotë për performuesit e kulturës deri në plotësimin e kërkesës legjitime, për trajtim të dinjitetshëm.
Prishtinë, 05/09/2018 Bordi Ekzekutiv i SHATK-së

U dha premiera e shfaqjes “Si ta vrasim presidentin”, i pranishëm ishte autorit i tekstit Miro Gavran

Alberina Haxhijaj

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës mbrëmë është dhënë premiera e shfaqjes “Si ta vrasim presidentin” me tekst të dramaturgut, Miro Gavran e regji të Marigona Bekteshi-Ferati, shkruan KultPlus.

Dy vëllezër të rritur së bashku, Igoro dhe Roberti takohen pas disa viteve mirëpo pikëpamjet e tyre tani janë të kundërta. Gëzimin që vëllezërit do bëhen së bashku e zbeh vrasja e presidentit të Amerikës, që po e planifikon Igoro.

Igoro i cili erdhi përmes lojës së aktorit Mirsad Ferati është kundër globalizimit dhe është i përgatitur të luftojë në çfarëdo forme për një botë të re. Ai vjen nga kontinenti i Amerikës për të takuar të vëllain dhe këmbëngulë në besimin e tij se shtetet e mëdha po e shfrytëzojnë ndikimin e tyre në botë për të shkatërruar vendet më të dobëta.

Zgjedhja e vetme sipas tij dhe grupit që ai udhëheq është vrasja e presidenti dhe njerëzve të cilët janë në pozita të larta.

Por a do lejojnë vëllai i tij Roberti (aktori Fatmir Haliti) dhe gruaja e tij (aktorja Rabije Kryeziu) diçka të tillë? Po e fejuara e tij (aktorja Njomza Tmava), do e përkrahë këtë plan?

Pikërisht këto elemente intriguese dhe shumë të tjera, të cilat i ka përfshirë në tekst dramaturgu Miro Gavran kanë zgjuar kureshtjen e regjisores, Marigona Bekteshi-Ferati, e cila për herë të tretë me radhë inskenon tekste të dramaturgut Miro Gavran në Kosovë.

Një tekst të këtij dramaturgu regjisorja zbuloi për KultPlus se do e inskenojë edhe në Shqipëri, në muajin tetor gjersa thekson se kjo shfaqje në qendër ka vendet të cilat janë duke kaluar nëpër tranzicion.

“Kemi dy vëllezër që kanë pikëpamje të ndryshme ku njëri është kundër globalizmit dhe tjetri pro. Njëri mundohet që të bind tjetrin se ne jetojmë në një botë jo të mirë, ku nuk kemi të drejta. Tjetri mendon që ata jetojnë në kohën më të mirë. Pra shfaqja është e hapur dhe më mundësi zgjedhjeje. Publiku mund ta përkrahë Igorin kundër globalizmit apo Robertin i cili është pro globalizmit”, tha ajo.

Mirëpo edhe pse regjisorja tashmë e ka të njohur punën e dramaturgut Gavran, i cili prinë në listën e autorëve më të përkthyer kroat për aktoren Rabije Kryeziu kjo ka qenë hera e parë që punon me një tekst të tij.

“Kur e kam lexuar tekstin kam pasur dyshimet e mia për shkak se është një tekst i bazuar në eksperiencën e aktorëve dhe në fuqinë e aktorëve. Mirëpo i kam në qejf sfidat dhe kam pasur dëshirë të sfidoj veten. Prezenca e autorit e ka bërë edhe më të vështirë lojën tonë dhe gjithmonë ka qenë ajo dilemë nëse po bëjmë atë që është e duhur”, tha aktorja për KultPlus.

Këtë dramë Miro Gavran e shkroi 15 vite më parë, në kohën kur në Kroaci është diskutuar për globalizimin se a është apo jo ajo një çështje jetike. Në vorbullën e mendimeve se vendet të cilat synojnë globalizmin a janë duke shkuar në drejtimin e duhur.

“Në dramë kam dashur që të tregoj në rrëfim familjar. Momentet më të rënda të njeriut janë kur botëkuptimet në lidhje me jetën nuk janë të njëjta me anëtarët e familjes. Në këtë rast të Igorit, më vëllain dhe gruan e tij. Kjo dhemb më shumë sesa kur ke mosmarrëveshje me dikë tjetër. Unë këtu nuk kam dhënë përgjigje por publiku duhet t’i gjejë përgjigjet dhe të vendos se cila është më e përafërt me mendimet e tyre”, tregoi dramaturgo Miro Gavran për KultPlus, i cili ka ardhur në Kosovës, enkas për këtë shfaqje.

Sipas dramaturgut kur janë në pyetje temat politike është mirë që të tregohen botëkuptimet e kundërta.

Viteve të fundit ai ka shkruar shumë komedi pasi që siç thotë ai, është kënaqësi të bësh njerëzit të qeshësh, duke mos u larguar nga dramat tek të cilat kthehet herë pas herë.

Tutje dramaturgu, Miro Gavran, bisedoi për KultPlus edhe për mënyrën e inskenimit të tekstit të tij në skenën e vogël të TKK-së.

“Secili aktorë e ka mbrojtur rolin e vet në mënyrë të mirë dhe jam i lumtur edhe më punën e regjisores e cila ka bërë disa shkurtime por që nuk kanë penguar shfaqjen e cila e ruan kuptim dhe që mban një ritëm. Të gjitha kanë qenë në nivel. Unë them se një shfaqje është e mirë kur e ka erën, ngjyrën edhe shijen dhe shpresoj që kjo shfaqje i ka pasur të tirja dhe do të depërtojë të shikuesit”, tha ai duke theksuar se kjo shfaqje e nxitë publikun që të mendojë për jetën e tyre.

Sonte të gjithë të interesuarit mund të shohin reprizën e parë të kësaj shfaqje në Teatrin Kombëtar të Kosovës, duke filluar nga ora 21:00. Ndërsa, kjo është shfaqja e fundit për këtë sezonë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, aty ku deri më 1 shtator nuk do të ketë më premiera./ KultPlus.com

“Ana dhe Zefi”, përplasi historinë e Anne Frank me një viktimë shqiptare të gjakmarrjes në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Gili Hoxhaj

Këmishat e varura mbi skenë e dërgojnë publikun në një realitet jo dhe shumë të lehtë. Përmes njollave të gjakut kuptohet lehtë se nga do të ecën loja e aktorëve, përmes yllit të Davidit që qëndron nën këmishat kaltër e bardhë, historia e Anne Frank vjen më afër se kurrë për publikun e Prishtinës.

Publiku është i vendosur në të tri anët e shfaqjes, shpesh nuk e ndan as edhe një hap me personazhet që jo rrallë herë do t’i shohin në sy. Derisa publiku zë vend, aktorët i gjenë në skenë, nën avullin e këmishëve që zihen në kazanët pranë tyre. Këmishat e varura, herë ngrihen e herë zbresin poshtë. Ato përfaqësojnë simbolikën e krejt asaj çfarë do të zhvillohet mes lojës së aktorëve.

“Ana dhe Zefi” është vepër e shkruar nga dramaturgu holandez Ad de Bont, dramat e të cilit janë mjaft të njohura në Gjermani. “Ana dhe Zefi”, e cila është shkruar në vitin 2009 nga dramaturgu holandez, mbrëmë erdhi premierë për publikun e Prishtinës, duke ngre paralelet mes një viktime të Holokaustit që donte fort të shkruante dhe një viktime të gjakmarrjes që donte fort të bëhej aktor. Vdekja u zbulon të përbashkëtën e tyre. Anne Frank e cila njoftohet me historinë e një shqiptari të vrarë, e ka të vështirë ta kuptoj këtë përcaktim të kanunit. Të dy dëshmojnë vetëm për 15 vite jetë, të cilave u paraprijnë dy vite izolim. Në vdekje duket se gjejnë lirinë ndërsa zbrazin para publikut të kaluarën me kujtime. Përqafojnë njëri-tjetrin ashtu siç përqafojnë historitë e ngjashme të tyre, të cilat ua kanë përcaktuar të tjerët.

“Para se m’e gjujtë, bani za. Kujdesu mos m’e lanë të plagosun. Vraje me nji plumb. Ktheje trupin n’shpinë. Vendose pushkën te kryet e tij”, vjen përmes zërit të secilit personazh, derisa të gjithë zërat bashkohen e veçse e fuqizojnë këtë thirrje që e përfaqëson Kanunin e që është përfaqësuar shpesh në veprime të ndryshme, një vrasje e përcaktuar në rregulla që fton për vrasje të tjera me ceremoni para dhe pas saj.

Ernest Zymberi në rolin e Zef Bungës është rritur në një shtëpi që mes shumë rrobave, mbante një këmishë të gjakosur që priste që ngjyra e gjakut të nxihej, atëherë dhe tensionet në shtëpi do të rriteshin nga nëna e tij e cila beson që Kanuni është më i rëndësishëm se secili që është në atë familje. Përmes lojës së Irena Cahanit, ajo nuk njeh rregull tjetër pos Kanunit, i cili ka ekzistuar para tyre e do të vazhdojë të jetoj edhe pas tyre. Ajo lëviz nga një kënd në tjetrin bën punët e shtëpisë pa zhurmë veçse e ngrit fort zërin kur flitet për gjakmarrjen, ajo ia rikujton shpesh të shoqit se e kundërta e gjakmarrjes është veçori themelore e një frikacaku. Burrin e saj, babai i Zefit që vjen përmes lojës së Kushtrim Qerimit qëndron me ngulm në atë se Kanuni është shpikje e njerëzve të një kohe tjetër dhe si i tillë duhet të mos zbatohet. Nuk gjen përkrahjen e gruas as kur me valigje tregohet i bindshëm se do të largohet.

Regjisori Erson Zymberi, tha se shfaqja ka arritur konceptin e tij regjisorial pasi që shfaqja arriti fuzionin e lidhjes mes aktorëve dhe spekatatorit, kjo veçmas bazuar në përkushtimin e disiplinën e aktorëve. Ai tha se shfaqja vjen si shpëtim për ata që ëndërrojnë dhe si dënim për ata që vrasin ëndrrat.

“Shfaqja ngre dy paralale mes vajzës së famshme hebreje dhe shqiptarit Zef Bunga. Shkrimi i ndërlidh aq bukur këto histori sa që nganjëherë harrojmë se cili është shqiptari dhe cili është çifut pasi që vuajtja është e njëjtë në secilin vend. Përshtypjet e mija për këtë tekst kanë qenë që ta bëj të komunikueshëm me publikun ku jepet shfaqja dhe në anën tjetër duke mos u humb gjuhën me të cilën komunikon teksti, ky ka qenë pikësynimi im i parë, duke marrë parasysh që gjakmarrja është evidente akoma në veri të Shqipërisë, shfaqja thërret për dashuri dhe jo për vrasje”, tregoi regjisori Zymberi.

Ai tutje u shpreh se shkrirja mes zërave të kanunit të Lekë Dukagjinit për vrasje deri në një psherëtime të lehtë për dashuri, ka ardhur e tillë për t’iu shmangur vendndodhjes gjeografike të personazheve por që të arrijë ta prek një mesazh universal.

Vet shfaqja e cila fillon me thirrjen e fuqishme për gjakmarrjen ecën drejt një psherëtime të lehtë “Të dua”, në kërkim të dashurisë. Anne Frank e cila vjen përmes aktores Verona Koxha, shpreh copëzat e ditarit të cilat prekin fëmijërinë e saj deri sa më nuk kujton asgjë. Duke u rrokullisur në tokë, e herë duke lëvizur nga njëri skaj tek tjetri skaj i skenës, ajo kujton një natë të tmerrshme të verës së vitit 1944.

Për aktoren e re Verona Koxha, kjo ishte hera e parë që dëshmohet në një rol në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Ajo e veshur me një fustan klasik të zi, mbi bluzën e bardhë e me dy gërsheta në kokë, shpreh brendinë e Anne Frankut përmes naivitetit e ndjenjave të brendshme, duke nxjerrë edhe anën më të pjekur të saj me shpresën që një ditë do ta shihte përsëri babain, ajo ecën në kujtimet e saj derisa më nuk kujton asgjë, kur sëmundja e pashërueshme përhapet me shpejtësi në kampin e përqendrimit në Bergen-Belsen.

Ngjashëm Ernest Zymberi e sjellë fëmijërinë e Zef Bungës, i cili dikur rivalitetin e vetëm që njihte në jetë, ishte ai në një lojë futbolli, ku luante me Edi Markaj që më pas do bëhej vrasësi i tij. Që nga zërat komentues të asaj loje, që ende i mungon, ai arrin deri tek lajmi për një vrasje që është vazhdimësi e një zingjiri vrasjesh për shkak të gjakmarrjes.

Ernest Zymberi tregoi për KultPlus se e cilëson si një shfaqje mjaft të ngarkuar psikologjike e fizike dhe se ka qenë mjaft impenjative për ta sjellë tekstin briliant të autorit, bazuar edhe në kërkesat e regjisorit me të cilin punon tash e një kohë të gjatë.

“Ideja dhe koncepti të bën të ndihesh në siklet gjatë gjithë kohës dhe për shkak të temës dhe mesazhit që trajton që është shumë e ndjeshme jo vetëm për aktorët por edhe për publikun. Si ekip nuk jemi të panjohur për Ersonin, kemi punuar edhe më herët me të, falë tij dhe punës së ekipit kemi arritur ta krijojmë këtë, përndryshe individualisht nuk do të mund të funksiononim siç nuk funksionon asgjë individualisht në një ekip”, është shprehur Zymberi për KultPlus.

Pothuajse të gjithë e dinë përfundimin e historisë së Anne Frankut dhe historinë se si ndodhë një vrasje për shkak të gjakmarrjes, ndërsa kjo shfaqje ecën në botën e përtejme, në ndërdijen e personazheve.

Regjisorja Marigona Bekteshi- Ferati thotë se përmes kësaj shfaqje vijnë pikërisht reagimet e personazheve pas vdekjes, gjë që vjen falë punës së aktorëve e veçmas imagjinatës së regjisorit.

“Ne pamë se çfarë mendojnë ata realisht, po të ishin gjallë si do të kishin reaguar, gjë që vetëm një imagjinatë e pasur e regjisorit mund ta sjellë. Se po të ishin ata gjallë, do të na fyenin e shumë gjëra që ata nuk mund t’i bëjnë pasi që të vdesin. Shfaqja mu duk shumë e mirë. Më rrëmbeu ajo ngjarje, për një kanun të cilin regjisori e sjellë afër për neve që nuk e kemi përjetuar. Për aq minuta sa zgjati shfaqja, regjisori na bëri të hyjmë në trupin dhe gjakun e aktorëve, të cilët e përjetonin”, u shpreh Bekteshi- Ferati për fund për KultPlus.

Shfaqja “Ana dhe Zefi”, sonte sjellë reprizën e parë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, duke filluar nga ora 20:00./ KultPlus.com

“Kaligula” nesër në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Më 14 maj do të jepet premiera e shfaqjes “Kaligula” nga Albert Kamy më regji të Kushtrim Koliqit, në Teatrit Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Në kastën e aktorëve bëjnë pjesë: Adrian Morina, Allmir Suhodolli, Ard Islami, Armend Baloku, Besart Sllamniku, Gresa Pallaska, Meli Qena, Shkëlzen Veseli dhe Ylber Bardhi.

Drama “Kaligula” e Camus është shkruar për herë të parë në vitin 1938, për t’u botuar më në fund në vitin 1945. E shkruar në kohë të rëndësishme historike (Lufta e Dytë Botërore), para publikut vjen në një version të rishkruar, duke paraqitur figurën historike të një perandori romak që udhëhoqi Romën në vitet 37-41 pas Krishtit, i cili njihet në histori për çmenduritë dhe mizoritë e tij.

Drama Kaligula është një kryevepër e artit teatral. Aktuale si gjithmonë, për teatrin dhe për mendimin e sotëm, trajton revoltën dhe nënshtrimin, sjell pyetje rreth shpëtimit të shoqërisë dhe vlerave universale.

Kaligula është në kërkim të forcës absolute, është i helmuar nga mospërfillja dhe tmerri. Ai vendos të ushtrojë, përmes vrasjeve dhe perverzitetit sistematik ndaj të gjitha vlerave ekzistuese, lirinë e cila sërish i del e hidhur.

“Kaligula ynë vie duke nxitur reflektimin tonë, vie në kohën e pabarazisë dhe mjerimit, në kohën e shkeljes së të drejtave të njeriut dhe të lirive, vie në kohën e demokracisë së re, në kohën kur revolta qytetare kundër gjendjes absurde që na rrethon e që kërkon gjithnjë ndryshimin dhe përsosjen e sistemit demokratik duhet ekzistuar”, thuhet në njoftim.

Sipas të cilit Kaligula vie pranë nesh, që njohim revoltën, dhe pranë nesh që nuk njohim konceptin e revoltës…vie me shumë pyetje e shumë nxitje. Vie…apo është me nesh?!

Premiera do të jetë më 14 maj duke filluar nga ora 20:00. Ndërsa reprizat e para: 15 dhe 16 maj 2018; ora 21:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës. /KultPlus.com

“Kaligula” së shpejti me premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Më 14 maj do të jepet premiera e shfaqjes “Kaligula” nga Albert Kamy më regji të Kushtrim Koliqit, në Teatrit Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Aktorët e kësaj shfaqje janë: Adrian Morina, Allmir Suhodolli, Ard Islami, Armend Baloku, Besart Sllamniku, Gresa Pallaska, Meli Qena, Shkëlzen Veseli dhe Ylber Bardhi.

Drama “Kaligula” e Camus është shkruar për herë të parë në vitin 1938, për t’u botuar më në fund në vitin 1945. E shkruar në kohë të rëndësishme historike (Lufta e Dytë Botërore), para publikut vjen në një version të rishkruar, duke paraqitur figurën historike të një perandori romak që udhëhoqi Romën në vitet 37-41 pas Krishtit, i cili njihet në histori për çmenduritë dhe mizoritë e tij.

Drama Kaligula është një kryevepër e artit teatral. Aktuale si gjithmonë, për teatrin dhe për mendimin e sotëm, trajton revoltën dhe nënshtrimin, sjell pyetje rreth shpëtimit të shoqërisë dhe vlerave universale.

Kaligula është në kërkim të forcës absolute, është i helmuar nga mospërfillja dhe tmerri. Ai vendos të ushtrojë, përmes vrasjeve dhe perverzitetit sistematik ndaj të gjitha vlerave ekzistuese, lirinë e cila sërish i del e hidhur.

“Kaligula ynë vie duke nxitur reflektimin tonë, vie në kohën e pabarazisë dhe mjerimit, në kohën e shkeljes së të drejtave të njeriut dhe të lirive, vie në kohën e demokracisë së re, në kohën kur revolta qytetare kundër gjendjes absurde që na rrethon e që kërkon gjithnjë ndryshimin dhe përsosjen e sistemit demokratik duhet ekzistuar”, thuhet në njoftim.

Sipas të cilit Kaligula vie pranë nesh, që njohim revoltën, dhe pranë nesh që nuk njohim konceptin e revoltës…vie me shumë pyetje e shumë nxitje. Vie…apo është me nesh?!

Premiera do të jetë më 14 maj duke filluar nga ora 21:00. Ndërsa reprizat e para: 15 dhe 16 maj 2018; ora 21:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës. /KultPlus.com

Shtyhet greva e paralajmëruar e aktorëve të TKK-së

Trupa rezidente e Teatrit Kombëtarë të Kosovës, dje kanë paralajmëruar se prej ditës së parë të majit do t’i rikthehen grevës dhe do të bëjnë bllokim total të këtij institucioni, shkruan KultPlus.

Aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës, në tetor të vitit të kaluar u kishin dhënë dhjetë ditë afat ministrit të Kulturës e Qeverisë së Kosovës që të plotësoj kërkesa e tyre e cila vazhdon të jetë e njëjtë: rritja e pagave.

Mirëpo greva e cila ishte paralajmëruar pikërisht për sot është shtyrë përsëri, kanë njoftuar për KultPlus, aktorët e këtij institucioni.

“Tashmë u bënë disa muaj prej kur MKRS-ja së bashku me një grup punues vazhdimisht janë takuar dhe kanë punuar që të arrihet realizimi i kërkesave të aktorëve. Diçka është punuar dhe ka lëvizur por asgjë përfundimisht dhe konkretisht, prandaj ne shqyrtuam mundësin e rikthimit në grevë pasi që u bënë shumë muaj pritje. Tani na është kërkuar edhe një javë kohë pasi që Ministri i Kulturës qenka jashtë vendit deri këtë të premte. Ne sigurisht që nuk duam të bëhemi arrogant dhe ashtu siç kemi pritur këta muaj do të presim edhe një javë. Vazhdojmë te jemi optimist dhe akoma duam të besojmë në gatishmërinë pozitive të Ministrit Gashi. Pas të hënës që po vjen besoje do të kuptohet gjithçka”, thuhet në njoftimin dërguar redaksisë së KultPlus.

Pas një marrëveshjeje me Kujtim Gashin, ministrin e Kulturës, aktorët e patën pezulluar grevën pasi që patën marrë premtim verbal për rritje të rrogës. Mirëpo kjo çështje është bllokuar për shkak të Rregullores për gradimin dhe pagat e krijuesve e të performuesve të kulturës dhe punonjësve të trashëgimisë kulturore, e cila ende nuk është finalizuar./ KultPlus.com

Kumrije Hoxha, jep dorëheqje nga detyra e drejtorit të Teatrit Kombëtar të Kosovës

Sarandë Selimi

Më 3 prill është data kur aktorja Kumrije Hoxha mori detyrën e udhëheqëses së detyrës së drejtorit në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Fiks sot pas dy javëve Kumrije Hoxha, nuk është më në krye të këtij institucioni, shkruan KultPlus. Kumrije Hoxha, ka dërguar dorëheqjen e saj tek Këshilli Drejtues i TKK-së, e krejt kjo për shkaqe shëndetësore.

Lajmin për dorëheqjen e Hoxhës, e ka konfirmuar për KultPlus, kryetarja e Këshillit Drejtues Burbuqe Berisha, e cila ka thënë se Kumrije Hoxha është dorëhequr për shkaqe shëndetësore.

Rikujtojmë se ish-drejtori i Teatrit Kombëtar, Agim Sopi është shkarkuar me gjashtë vota për dhe një abstenim.

Në fillim të këtij viti Sopi kishte akuzuar anëtarët e Këshillit Drejtues të TKK-së si njerëz të ndikuar nga politika po censurojnë programin e teatrit./ KultPlus.com

Anulohet premiera “Hamleti simbas Horacit”, lëndohet aktori kryesor i shfaqjes

Për shkak të lëndimit të aktorit Shkëlqim Islami në rolin kryesor të shfaqjes “Hamleti simbas Horacit”, me regji të Ilirjan Himajt, kjo shfaqje e paraparë ta ketë premierën sot më 16 prill, është anuluar, shkruan KultPlus.

Lajmi është bërë i ditur nga Teatri Kombëtar i Kosovës, të cilët në një njoftim kanë thënë se kjo shfaqje pritet të vijë me premierë përgjatë muajit maj.

“Njoftim
Të nderuar artdashës dhe publik i Teatrit Kombëtar të Kosovës. Me keqardhje ju njoftojmë se për shkak të lendimit të aktorit në rol kryesor, Premiera “Hamleti simbas Horacit” e planifikuar të mbahet me 16 Prill (e hënë) si dhe reprizat me 17.19 dhe 25 do të anulohen. Duke shpresuar në shërimin sa më të shpejtë të aktorit dhe rikthimit të tij në skenë, kjo shfaqje pritet të vijë përpara publikut gjatë muajit Maj.
Ju falenderojmë për mirëkuptim!”, thuhet në njoftimin e TKK-së./ KultPlus.com

Ujërat e zeza ndërprejnë shfaqjet në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Që nga dje repertori i Teatrit Kombëtar të Kosovës është ndërprerë, shkruan KultPlus.

Krejt kjo ka ardhë si pasojë e ujërave të zeza që kanë kapluar këtë institucion, për të cilën arsye para pak ditësh edhe vetë ministri i Ministrisë së Kulturës Kujtim Gashi, doli në inspektim të këtij institucioni. Edhe pse, premtimet që do të rregullohet shumë shpejt gjithçka u dhanë, një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe si pasojë e kësaj puna është ndërprerë.

“Njoftim
Ju njoftojmë së repertori i TKK-së ndërprehet përkohësisht për një afat të pacaktuar prej datës 10 prill 2018, për shkak të ujërave të zeza të shkaktuara në objektin e Teatrit (deri në dezinfektimin e hapësirës së TKK-së).
Për çdo eventualitet ju njoftojmë”, thuhet në një njoftim në rrjetin social Facebook, nga drejtuesit e Teatrit Kombëtar të Kosovës./ KultPlus.com

Probleme me ujëra në institucionet kulturore, ministri Gashi në inspektim

Alberina Haxhijaj

Ministri i Kulturës Kujtim Gashi sot ka vizituar Teatrin Kombëtar dhe Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Nga këto institucione ai është prononcuar se ministria do të realizojë projektet të cilat do të hyjnë në buxhetin e ministrisë duke bërë kështu që këto institucione të mos përballen me problemet të cilat i kanë sivjet edhe vitin e ardhshëm, shkruan KultPlus.

Teatri Kombëtar i Kosovës ditë më parë ka pasur probleme me kanalizimin ku nga bllokimi i kanalizimit afër teatrit, ujërat e zeza janë kthyer brenda hapësirave të vet këtij institucioni. Në anën tjetër problem me ujin ka edhe Biblioteka Kombëtare. Hapësirat e Bibliotekës e sidomos katet nën tokë mbushen me ujë kur ka reshje shiu. Po ashtu lagështia e cila krijohet në këto hapësira paraqet rrezik edhe për dëmtim të ekzemplarëve që gjenden aty.

Ministri i Kulturës me të arritur në Bibliotekën Kombëtare është shoqëruar nga drejtori i Bibliotekës Fazli Gajraku në katin minus 2, ku gjatë shirave hynë uji dhe ekzemplarët por edhe hapësira atje pësojnë dëmtime. Drejtori i Bibliotekës Fazli Gajraku sqaroi procedurat të cilat i ndërmarrin për largimin ujit dhe sqaroi për dëmtimet të cilat i pësojnë koleksionet e çmueshme të cilat ruhen në ato hapësira.

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi pas takimit me bordin drejtues u shpreh se intervenimi në sanimin e problemeve të tilla si kanalizimi në Teatrin Kombëtar dhe vërshimet e ujit në Bibliotekën Kombëtare do të jenë prioritet i kabinetit të tij.

“Kjo vizitë është në vazhdën e vizitave për shkak të problemeve të ujit. Ne biseduam me menaxhmentin për intervenimet që do ti bëjmë gjatë vitit 2018. Ky objekt nuk ka as kanalizim dhe as sistem për mbrojtje nga lagështia. Ne po punojmë në rishikimin e buxhetit dhe jemi duke shikuar për të investuar në ruajtjen e të gjithë atyre ekzemplarëve”, tha ai duke shtuar se kjo ministri ka trashëguar probleme të mëdha të cilave po përpiqen të ju gjejnë zgjidhje.

“Nga ajo që pamë shihet që është intervenim i kushtueshëm dhe kemi të bëjmë me dy kate nën tokë, do të bëjmë një projekt të përbashkët, në qershor do të bëjmë planin konkret dhe dimri i ardhshëm do ta gjejë të rregulluar. Këto janë probleme nga mos intervenimi i ministrave të kaluar. Do të fokusohemi në intervenime urgjente siç është teatri dhe biblioteka. Po ashtu do të shikojmë sa mjete kemi në dispozicion dhe projekte të cilat nuk janë primare do të anashkalohen në mënyrë që të kemi mjete të mjaftueshme”, tha ai.

Fazli Gajraku drejtor i Bibliotekës Kombëtare tha se është nevojë urgjentë rregullimi i hapësirave në mënyrë që të mos dëmtohen ekzemplarët.

“Mendoj që ky është lajmi më i mire që i jepet kulturës, pra intervenimin në Bibliotekë. Biblioteka i ka dy projekte që duhet të realizoj. Projekti i parë ka të bëjë me rregullimin e ngrohjes, problemit te kanalizimit dhe çështje tjera teknike. Ndërkaq Projekti i dytë është projekti i rinovimit të bibliotekës”, tha ai duke theksuar rendësin e paçmueshme që kanë ekzemplarët e bibliotekës për Kosovën dhe duke theksuar se pikërisht për këtë shkak, më shumë investime duhet që të bëhen në Bibliotekë./ KultPlus.com

Kumrije Hoxha, zgjidhet ushtruese e detyrës së drejtorit në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës sot është zgjedhur Ushtrues Detyre aktorja Kumrije Hoxha.

Ajo sot ka marr këtë pozitë pasi që ish-drejtori i Teatrit Kombëtar, Agim Sopi është shkarkuar me gjashtë vota për dhe një abstenim.

Në fillim të këtij viti Sopi kishte akuzuar anëtarët e Këshillit Drejtues të TKK-së si njerëz të ndikuar nga politika po censurojnë programin e teatrit.

Agim Sopi ishte shkarkuar të hënën e javë së kaluar nga Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës, përcjell Insajderi./ KultPlus.com

“Pasioni”, bashkëdyzimi mes mitologjisë dhe modernes erdhi mbrëmë në TKK

Gili Hoxhaj

Mbrëmë në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës, erdhi premierë shfaqja “Pasioni”, me tekst të Sabri Hamitit e regji të Martin Kočovckit, shkruan KultPlus.

Pamja e kësaj skene fillimisht vjen e mjegulluar, duke i lenë kështu të paidentifikuar personazhet e shfaqjes. Ata do të shfaqen më pas e jo dhe pak herë gjatë shfaqjes do të nisin në kor refrenin që nis me fjalët “Na duhet gjak”. Ata jetojnë në një tokë të djegur katër herë nga lufta e si e tillë qëndrojnë në plagët qindravjeçare. Në një vend ku kanë mbetur gjurmët e pashlyeshme të luftës, aty ku përditshmëria karakterizohet nga shtëpitë e djegura, fëmijë jetim e gra të përdhunuara. Në një vend në të cilin gjithçka merret si e mirëqenë, për ta përshkruar kështu masën amorfe në të cilën individët nuk kanë emra e as individualitet, një botë ku njerëzit janë shndërruar në numra përbrenda një jete virtuale, pa emocion, pa respekt e pa dashuri.

Dy vëllezër binjak qëndrojnë peng i një historie të pa rrëfyer për njëzetë vite, e në qendër të tyre qëndron nëna e tyre (Hana), e cila rrëfen vuajtjet për ta mbajtur gjallë familjen.

Regjisori i shfaqjes Martin Kočovcki tregoi për KultPlus se fillimisht ishte impresionuar nga teksti dhe kishte menduar që do të nxjerrë diçka të veçantë, por me kalimin e kohës e kishte kuptuar që teksti nuk ishte edhe aq i thjeshtë por gjatë punës me gjithë ekipin thotë se e kanë gjetur mënyrë për të sjellë diçka të veçantë.

“E gjithë shfaqja ka për qëllim të nxjerrë në pah se jeta jonë është si një rreth, ne jetojmë në kohë të paqes por gjithnjë shqetësohemi edhe për kohën e luftës. Le ta jetojmë kohën e paqes, le ta gjejmë atë që kemi brenda vetes dhe kështu mund t’i shtyjmë të këqijat që vijnë”, ishte mesazhi i regjisorit Kočovcki.

Loja e kësaj shfaqje u jetësua nga aktorët: ShkëlzenVeseli, Gresa Pallaska, Ard Islami, Arta Selimi, Shpejtim Kastrati, Ismet Azemi, Lumnie Sopi, Semira Latifi dhe Shengyl Ismaili.

Për regjisori Kočovcki, kjo është hera e dytë që punon me aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës, por shfaqjet e tij kanë ardhur edhe më parë në Kosovë, gjë që ka bërë që disa nga aktorët të njoftohen me punën e tij. Ai tha për KultPlus se ndihet i kënaqur me punën e aktorëve të Kosovës dhe se ndihet i vlerësuar për ftesën që të punoj me ta.

“Përkundër që kam punuar në shumë vende të Ballkanit dhe Evropës, me sinqeritet e them se ansambli i këtyre aktorëve është një nga më të mirët, një nga tre ansamblet më të mira në Ballkan, andaj dhe e vlerësojë shumë që kam qenë i ftuar të punoj këtu me ta”, u shpreh regjisori Kočovcki.

Për aktorin Shkëlzen Veselin, kjo është hera e dytë e bashkëpunimit me regjisorin Kočovcki. Ai në këtë shfaqje e sjellë një nga rolet kryesore, atë të Ukit, një ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që kalon nga mitologjia, si linjë e gjakut prej Mujës së mitologjisë e deri tek Uki. Ai tha për KultPlus se kjo shfaqje është një bashkëdyzim i mitologjisë dhe kohës moderne, aty ku ka ndodhur lufta e fundit. Ai krahas të tjerash gjatë shfaqjes ballafaqohet edhe me vëllanë, që për shumë vite e kishte konsideruar si djalë të tezës. Në këtë përballje ata kuptojnë se të dy janë të fiksuar pas të njëjtës femër.

Aktori Veseli tregoj se procesi i provave deri tek finalizimi i shfaqjes ka rrjedhë shumë mirë për kundër problemeve me hapësirën në Teatër, për shkak se kanë filluar edhe disa projekte të tjera, në të njëjtën kohë.

“Është një punë dy mujore e gjysmë, procesi ka qenë mjaft i mirë edhe për faktin se është hera e dytë që po punoj me Martinin . Të punosh me të është një ndjenjë shumë e mirë, pavarësisht lodhjes e ndjen dhe një kënaqësi për shkak se evoluon puna çdo ditë e më shumë”, tregoi aktori Veseli.

Regjisori Agim Selimi tha për KultPlus se kjo shfaqje ishte shumë e qëllueshme, ndërsa veçoi lojën e aktores Gresa Pallaska.

“Mendoj që ishte kapur thelbi i një lloj autobiografie dhe një lloj kalvari në të cilin kemi kaluar ne. Mendoj që edhe regjisori kishte arritur të krijoi një dramë prej dromcave skenike dhe ishte brilante Gresa Pallaska. Mendoj që është një shfaqje në të cilën dominoj, pa lënë anash edhe lojën e aktorëve të tjerë”, tha regjisori Selimi për KultPlus.

Repriza e parë e kësaj shfaqje vjen sonte më 20 mars, duke filluar nga ora 20:00. / KultPlus.com

Shkruar, inskenuar dhe luajtur nga shqiptarët “Hamleti simbas Horacit” së shpejti pushton Teatrin Kombëtar të Kosovës

Gili Hoxhaj

“Hamleti” është një nga kryeveprat e autorit të njohur William Shakespear. Duke qenë tragjedia më e famshme në gjuhën angleze, ajo është inskenuar edhe në shumë gjuhë e vende të botës. Së fundmi Hamleti vjen në Kosovë përmes një drame origjinale shqipe.

Kësisoj në vitin 2017-të, saktësisht në tetor të këtij viti, çmimi për Dramën Origjinale Shqipe “Katarina Josipi”, iu nda veprës “Hamleti simbas Horacit”, e cila erdhi nga autori kosovar Ag Apolloni. E pikërisht kjo dramë bashkë me personazhet e shkruara nga Apolloni, ka nisë të marrë jetë në skenën e vogël të vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Hamleti vjen i shkruar nga një shqiptar, luhet nga një shqiptar e poashtu nën direktivat e një shqiptari.

Ag Apolloni

“Hamleti simbas Horacit”, është shfaqja e dytë për vitin 2018-të që ka nisë të punohet në TKK. Kjo shfaqje vjen me regji të regjisorit Ilirjan Himaj ndërsa ngjitet në skenë nga gjashtë aktorë që do i japin frymë këtyre personazheve.

Hamleti – Shkëlqim Islami, Horaci – Labinot Lajçi, Poloni & Klaudi – Agron Shala, Laerti & Fortinbrasi – Kreshnik Malushaj, Gertruda – Valina Muçolli dhe Ofelia – Beslidhje Bytyqi, janë kasta e aktorëve të “Hamleti simbas Horacit”.

Në një ditë të provave të kësaj shfaqje ishte i pranishëm edhe ekipi i KultPlus. Leximi në tavolinë të jepte një ndjesi interesante krejt asaj loje që do të paraqitet para audiencës shqipfolëse.

KultPlus, bisedoi me regjisorin Ilirjan Himaj, i cili ndihet i kënaqur për besimin që i është dhënë për ta sjellë në skenë këtë vepër. Duke u bazuar edhe në peshën e veprës regjisori Himaj, tha se kjo ka bërë që jo vetëm ai por të gjithë aktorët ta punojnë shfaqjen me përgjegjësinë më të madhe, madje ai ka shtuar se edhe aktorët po kontribuojnë mjaft shumë që të arrijnë një nivel sa më të lart të interpretimit dhe të shfaqjes si tërësi.

Regjisori Ilirjan Himaj tha se kjo vepër origjinale, me një studim origjinal nga Ag Apolloni ka një potencial të jashtëzakonshëm që t’i ofroi diçka të re publikut. Ai tutje tha se është ndier i befasuar nga kjo vepër, veçmas nga fakti që është e krijuar nga një autor vendor.

Ilirjan Himaj

“Realisht unë si regjisor kam qenë duke kërkuar diçka të re dhe jam pak i befasuar kur më vjen diçka krejtësisht ashtu siç e kam pasur nevojën”, tha ai, duke vazhduar të thotë se kjo vepër tregon se autori Ag Apolloni ka bërë një studim të thellë të veprës origjinale e nga kjo nënkupton që ai edhe është njohës i madh i Shekspirit. Poashtu regjisori, pohoi se drama e Apollonit, duket se ka depërtuar thellë edhe në nënvetëdijen e personazheve, duke u shprehur se autori ka sjellë një lexim të veçantë edhe të studimeve të pikëpamjeve të autorëve të tjerë për Hamletit si nga Frojdi dhe autorë të tjetër.

“Ne kemi parë shumë versione që janë krijuar në botë duke u bazuar në Hamletin e Shekspirit dhe në këtë rast edhe Agu ka krijuar një hipotezë të veten mbi Shekspirin ku ka hedhur disa pyetje dhe mendime të tij lidhur me veprën dhe kështu kemi një version origjinal të Hamletit që nuk e kemi parë më herët as diku tjetër dhe jo më tek ne. Nga vepra shihet se Agu ka bërë një studim të thellë dhe është njohës i madh i Shekspirit dhe i Hamletit dhe na ka ofruar diçka shumë origjinale dhe të këndshme me skena shumë komike dhe atraktive por duke ruajtur edhe përmbajtjen, dramaticitetin dhe rimën e Shekspirit”, është shprehur për KultPlus regjisori Himaj.

Nuk ka shumë kohë që ka filluar procesi i provave për ta sjellë këtë dramë tek publiku por gjithçka duket që po rrjedh me hapa të shpejt. Roli i Hamletit në këtë shfaqje jetësohet nga aktori Shkëlqim Islami.

Shkëlqim Islami, aktori shqiptar nga Maqedonia ka marrë përsipër një rol mjaft të madh. Ai ka thënë se e veçanta e këtij Hamleti është se është shkruar nga një dramaturg shqiptar, nën regjinë e një regjisori shqiptari dhe i luajtur nga një aktor shqiptar. Ai tutje tregoi për KultPlus se ky rol sjellë një sekret të madh të Horacit, pak para vdekjes së tij dhe kështu Hamleti paraqitet në bazë të këndvështrimit dhe marrëdhënieve me Horacin.

“Hamleti i Agut fillon kur mbaron ai i Shakespearit. E kam marrë një Hamlet ndryshe nga ai origjinali por tash edhe në lexim e sipër po e shoh që Ag Apolloni nuk i ka ik shumë veprës origjinale, ai në veprën e tij nuk e ka dëmtuar “Hamleti”-n e Shekspirit, ai prapë ia ka lënë komplekset dhe dilemat”, tregoi aktori Islami.

Shkëlqimi, numëron jo dhe pak bashkëpunime me regjisorin Ilirjan Himaj, e ky bashkëpunim i radhës vetëm se po e dëshmon gjuhën e tyre të përbashkët artistike. Islami është pjesë e Teatrit të Kumanovës dhe tashmë përmes roleve të tij është i njohur për publikun e atjeshëm, mirëpo në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës ai po kthehet pas shtatë vitesh.

“Kthimi përsëri në këtë teatër po më duket një ndryshim edhe po më duket që kam bërë një pauzë shumë të gjatë në profesion edhe pse realisht unë luaj minimumi deri në tri shfaqje në vit në Teatrin e Kumanovës atje ku edhe jam i punësuar, por deri më tani po ndihem shumë i kënaqur me punën rreth shfaqjes, kjo pasi që jemi një ekip që po funksionojmë shumë mirë”, tha ndër të tjera ai.

Një version i paparë më herët do të vijë edhe në personazhin e Ofelies, kështu shprehet Beslidhje Bytyci, aktorja që do ta luaj këtë rol.

“Në shfaqje është një qasje krejt tjetër i “Ofelies”, në një dimension më të gjerë dhe më të hapur sa i përket personazhit në raport me personazhet e tjera”, u shpreh aktorja Bytyci, e cila ndërkohë shtoi se është e kënaqur shumë me qasjen profesionale dhe metodën e regjisorit Himaj, ndërkohë që sipas saj tërë ekipa është tejet pozitive.

“Hamleti simbas Horacit”, ka një ekip profesional prapa syve të publikut. Kompozitor i kësaj shfaqje do të jetë kompozitori i njohur kosovar Memli Kelmendi ndërsa skenografia e kostumografia i është besuar Agnesa Malushajt.

Krejt në fund, kjo shfaqje pritet të vijë premierë në fillim të muajit prill në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com

Artistët bashkohen në TKK, iniciojnë aktivitete për të ndihmuar regjisorin Bekim Lumi

Gili Hoxhaj

Dhjetëra artistë ishin mbledhur sot në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës, prej nga edhe kishin filluar të diskutojnë për aktivitetet e mëtutjeshme për të mbledhur fonde për ta ndihmuar regjisorin Bekim Lumi i cili po përballet me sëmundjen e rëndë të kancerit, shkruan KultPlus.

Duke qenë se regjisori i njohur Bekim Lumi tash e dy vite po përballet me këtë sëmundje, dhe trajtimin i tij i mëtutjeshëm mjekësor po bëhet i papërballueshëm për buxhetin e tij familjar, artistët kanë marrë një vendim, që të mobilizohen dhe të solidarizohen me njeriut me të cilin kanë ndarë shumë nga përvoja e tyre.

Pas këtij takimi, Fatmir Spahiu në një deklaratë për media tha se kjo iniciativë është bërë pa dijeninë e regjisorit Bekim Lumit. Ai tregoi se në këtë mbledhje artistët diskutuan disa iniciativa për mbledhjen e fondeve.

“E para që vlen të ceket është se kjo nuk është një iniciativë institucionale dhe në anën tjetër nuk është dëshirë e pastër e regjisorit Bekim Lumi, pra regjisorit artistit e njeriut të teatrit që ne si miq dhe shokë po duam që t’i ndihmojmë. Ai nuk besoj se do ta lejonte një mbledhje të tillë sepse krenaria e tij është e tillë dhe ne e duam ashtu siç është ai”, u shpreh aktori Fatmir Spahiu.

Ai tutje shtoi se kjo mbledhje është një shembull i jashtëzakonshëm që tregon solidaritetin e artistëve që ta ndihmojnë kolegun e tyre. Spahiu tutje tha se përmes aktivitete të planifikuara beson se do ta arrijnë vlerën që është e domosdoshme për regjisorin Lumi.

Ndërkohë Adriana Matoshi sqaroi për media se përmes aktiviteteve të tyre po mundohen që sado pak ta ndihmojnë Bekim Lumin. Ajo tha që dëshira dhe solidariteti që ta ndihmojnë regjisorin, i ka bërë të gjithë aktorët një.

“Jemi bërë një, më vjen keq që në këtë mënyrë jemi bërë një por më shumë se i duhemi ne Bekim Lumit, na duhet Bekim Lumi neve”, u shpreh aktorja Matoshi.

Ajo tregoi për media se gjatë diskutimeve të tyre kanë iniciuar ide të ndryshme për të dhënë kontributin e tyre artistik, përmes detyrave të ndryshme.

“Brenda jemi mbledhur për të dhënë ide që ta japim kontributin tonë artistik në mënyra të ndryshme. Dikush po merr iniciativa që të komunikojnë me njerëzit jashtë Kosovës, dikush me Ministri të Shëndetësisë, dikush me deputet dhe me ministra, e artistë që veprojnë jashtë vendit”, tregoi aktorja Matoshi ndërsa shtoi se ata vet si aktorë kanë marrë iniciativa që të mbajnë aktivitete në shesh apo në klubet dhe kafiteritë e Prishtinës.

Ndërkohë, thirrja që është bërë për të ndihmuar Bekim Lumin ka këto të dhëna si më poshtë, dhe të gjithë ata që duan të ndihmojnë regjisorin, mund ti transferojnë mjetet e tyre në këto xhirollogari.

Bartësi i kontos: BEKIM LUMI
Adresa: Rr. “Theodor Muzaka”, H. 1, Nr. 10, Prishtinë, 10000, RKS, Kosovë
Numri i kontos: 1110251567000198
Banka: ProCredit Bank Kosovo J.S.C.
Adresa e Bankës: Rr. George Bush, Nr. 16, Prishtinë, Kosovë
Ndërkaq, për banorët jashtë Kosovës, përveç të dhënave të mësipërme, duhet të jenë edhe këto shënime shtesë:
Account No (IBAN): XK051110251567000198
SWIFT (BIC) CODE: MBKOXKPRXXX
Bank Identification Code: PRCBDEFFXXX
Correspondent / Intermediary Bank: PROCREDIT Bank AG, Frankfurt am Main, Germany./KultPlus.com