Orkestra dhe solistët e TKOBAP-së përmbyllën Vitin Puçinian në vendlindjen e Giacomo Puccini-t.
Në një mbrëmje të mbushur me emocion dhe madhështi, Orkestra Simfonike si dhe solistët, nën drejtimin e maestro Toufic Maatouk, kurorëzuan një vit të jashtëzakonshëm artistik në Torre del Lago, vendlindjen e legjendarit Giacomo Puccini.
Me interpretimin magjepsës të “Messa di Gloria,” një prej kryeveprave më të shquara të Puccini-t, solistët Raffaele Abete, Armando Likaj dhe Bledar Domi, së bashku me orkestrën e TKOBAP-së dhe korin e “Festival Puccini,” sollën një performancë të paharrueshme për të nderuar 100-vjetorin e ndarjes nga jeta të mjeshtrit të madh.
Në këtë aktivitet ishte e pranishme edhe drejtoresha e përgjithshme e TKOBAP-së, Abigeila Voshtina./atsh/KultPlus.com
Në Ditën Botërore të Operës, një aktivitetet artistik ka bërë bashkë nxënësit e dy shkollave në kryeqytet, “Emin Duraku” dhe “Dora d’Istria”, të cilët u bashkuan me stafin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit për të zbuluar magjinë e prapaskenave të këtij institucioni.
“Pasi ndoqëm pak nga provat regjisoriale të operës “Tosca,” e cila vjen këtë fillim nëntori në TKOB, vizituam arkivin, ku përveçse mësuam shumë gjëra të reja për operën, u surprizuam edhe nga Papageno dhe Papagena nga opera “Flauti Magjik”, të cilët po i bënin rrengje njëri-tjetrit.
Më pas, vërshuam drejt skenës, ku Serpina nga opera “La Serva Padrona” po kërkonte të gjente Umberton dhe na la edhe ne një porosi për të, nëse e shikonim korridoreve. Për të mësuar më shumë mbi operën, u futëm së bashku në zemër të teatrit, aty ku skenografitë dhe kostumet marrin jetë. Në fund, njëzëri, lamë një mesazh për të gjithë miqtë tanë të vegjël: “Ejani në Opera!””, mbyllet kështu thirrja e TKOB-së në këtë ditë të rëndësishme për Operën si zhanër artistik, por jo vetëm./atsh/KultPlus.com
Në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë u zhvillua dje në mbrëmje premiera e episodit të parë të seralit të shumëpritur shqiptar “Prokurori”, një nga prodhimet më të rëndësishme të kinemasë shqiptare në vitet e fundit. Me regji dhe skenar të Fatmir Dogës dhe producentë Ylli Ujka dhe Çesk Ivanaj, seriali trajton luftën e një prokurori të ndershëm me krimin e organizuar dhe korrupsionin politik.
Ky serial shquhet për pjesëmarrjen e aktorit të famshëm hollivudian, Danny Glover, në rolin e Ambasadorit Amerikan në Tiranë. Danny Glover ka luajtur në disa filma shumë të njohur përkrah Mel Gibson në “Lethal Weapon” apo në filmin kult horror “Saw”.
Regjisori Fatmir Doga shprehu falënderimet e tij për interesin e madh të publikut shqiptar si dhe falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në premierë.
“Nuk besoj se ka Oscar më të bukur në botë sesa të shohësh popullin tënd, njerëzit e tu, gjithë këtë interesim sot”, tha Doga. Ai falenderoi veçanërisht producentin Ylli Ujka, për realizimin e kësaj ëndrre.
Sipas producentit, e veçanta e filmit qëndron në faktin se në çdo seri do të ketë yje të Hollivudit.
Pas Tiranës, premiera e serialit “Prokurori” do të vazhdojë në Prishtinë nga 12 tetori dhe do të shfaqet në të gjitha kinematë kryesore, duke sjellë një projekt unik që bashkon talentet shqiptare dhe ndërkombëtare./atsh/KultPlus.com
Trupa e Artistëve të Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Asamblit Popullor, në Tiranë janë gati për çeljen e sezonit të ri artistik ndërsa këtë mbrëmje publiku do të ketë mundësinë të ndjekë dy kryevepa muzikore, “Fantazia magjike e Beethoven-it dhe Requiem-i i fundit i Mozart-it.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjete sociale momente teksa trupa e Operas dhe Baletit u bashkua me qytetarët në sheshin “Skënderbej”, duke dhuruar emocione të veçanta dhe atmosferë festive nën tingujt e muzikës që shoqëruan “spektaklin” e improvizuar.
“Personazhet më të dashur të operave dolën nga skena e teatrit dhe u bënë një me qytetarët e shumtë në sheshin “Skënderbej””, shkroi Rama.
Sipas TOB-it, më shumë se 120 artistë janë angazhuar për të sjellë një koncert magjik në nisje të sezonit për të gjithë spektatorët, me dy kryeveprat botërore, Requiemin e Mozart dhe Choral Fantasy të Beethoven./atsh/KultPlus.com
Sezoni i ri artistik në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, nis me një koncert.
Choral Fanstasy e Beethoven-it dhe Requiem-i i Mozart-it, dy kryevepra të muzikës klasike, janë pjesë e koncertit që do të zhvillohet në TKOB në 14 shtator. Ky koncert do të angazhojë më shumë se 120 artistë.
TKOB në një postim në rrjetet social shprehet se, Choral Fantasy njihet si një ndër kompozimet më të bukur të Beethoven-it, që i ka paraprirë Simfonisë numer 9, ndërsa Requiem-i i Mozart-it, kompozimi i tij i fundit, na fut në një tjetër mister të radhës.
Koncerti zhvillohet me pjesëmarrjen e virtuozit në piano Ivo Gjika, solistëve, korit dhe orkestrës së TKOB-së, nën dirigjimin e maestros Jacopo Sipari di Pescasseroli.
Eva Golemi, Matias Xheli, Vikena Kamenica dhe Bledar Domi janë disa prej artistëve që do të shoqërojnë më datë 14 shtator në Requiem-in e jashtëzakonshëm të Mozartit./atsh/KultPlus.com
“Fantazia magjike e Beethoven-it dhe Requiem-i i fundit i Mozart-it do të inaugurojnë çeljen e një sezoni të ndritshëm artistik”, ky është premtimi që bën Teatri Kombëtar i Operas e Baletit, me nisjen e një stine të re artistike.
Dy kryevepra të muzikës klasike nga dy kompozitorë me ndikim të jashtëzakonshëm në artin klasik do të përshëndesin publikun shqiptar në këtë fillimsezoni.
Choral Fantasy njihet si një ndër kompozimet më të bukur të Beethoven, që i ka paraprirë Simfonisë no.9, ndërsa Requiem-i i Mozart-it, kompozimi i tij i fundit, na fut në një mister të radhës.
Publiku do të mund të ndjekë virtuozin e pianos, Ivo Gjika, solistët, korin dhe orkestrën e TKOB-së, nën dirigjimin e maestros, Jacopo Sipari di Pescasseroli./atsh/KultPlus.com
Me ardhjen e Shtatorit, nis edhe sezoni i ri për teatrot në vend. Ndonëse duhet edhe pak që këto institucione të prezantojnë kalendarin e plotë për këtë sezon, sërish kanë bërë me dije se cilat do të jenë shfaqjet e para që do t’i rikthejnë tek publiku.
Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit, bën me dije se më 14 Shtator do të nisë sezonin e ri artistik, me një mbrëmje gala, që do t’i hapi rrugën një sezoni të gjallë ku nuk do të mungojë shfaqjet operistike, baleti dhe shfaqjet nga Ansambli Popullor.
Ndërsa në skenën e Tetarit Kombëtar, në 15 Shtator do të luhet shfajqa “Karnavalet e Korçës”, një produksion i Andon Zako Çajupi, ndërsa vetë kasti i Teatrit Kombëtar ka nisur punën për premierën “Fausti”, një bashkëproduksion mes Teatrit Kombëtar dhe Sardega Tetaro, me regji të regjisorit dhe dramaturgut Italian Davide Iodice.
Teatri Kombëtar Eksperimental, në bashkëpunim me Teatrin Metropol, më 4 Shtator e nis me shfaqjen “Marmelladov” me regji të Xhino Musollari, pjesë e festivalit “Hapat” që i dedikohet regjisorëve dhe aktorëve të rinj.
Shtatori i rikthen trupat artistike në kryeqytet pas një turi shfaqjesh që patën në zonat me të frekuentuara turistike./tvklan/ KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama ndau pamje nga shfaqja që dhuroi skena lëvizëse e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor në Durrës.
Rama shkruan se 100 artistët dhuruan një mbrëmje plot drita e ngjyra.
“Skena vjen tek ju Skena lëvizëse e TKOB (Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor) në Durrës, ku solli në skenë më shumë se 100 artistë në një mbrëmje plot drita e ngjyra”, u shpreh Rama.
“Stacioni i fundit i baletit kontemporan UNI për këtë sezon veror ishte qyteti i Durrësit.
Energjia dhe vitaliteti që UNI transmeton te publiku është e ngjashme me luftën e secilit prej nesh me veten dhe botën që e rrethon. UNI na bën të rikthejmë vëmendjen te brendia jonë”, njofton në rrjetet sociale TKOB.
Baleti kontemporan UNI vjen me koreografinë e Julind Dervishit, asistencën e balerinëve Livia Lara dhe Rovena Shqevi, kostumografinë e Dea Bejlerit dhe muzikën e Barbatuques, Brent Lewis, David Toop, etj., të formuluar nga Andi Vrapi.
Skena lëvizëse e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit e Ansamblit Popullor, ka ndërmarrë një “udhëtim” nëpër disa qytete të vendit, për ta çuar artin sa më pranë artdashësve, e për të mos qenë ekskluzivitet i kryeqytetit./atsh/KultPlus.com
Teatri Kombëtar i Operas e Baletit preku arenën ndërkombëtare me veprën “Samson et Dalila”, një nga produksionet më të mëdha të realizuara nga TKOB në vitet e fundit, i cili kësaj radhe u jetësua në Varna të Bullgarisë.
Një realizim fantastik me regjinë e regjisorit Paul-Emile Fourny, i cili erdhi i kuruar në një rivenie regjisoriale nga regjisorja e TKOB-së, Ada Gurra, me skenografinë e Genc Shkodranit dhe kostumografinë e Blerina Kokonës.
Interpretimin e mezosopranos Vikena Kamenica, drejtoresha e TKOB e ka cilësuar si “qershia mbi tortë e kësaj vepre”. Në një postim në rrjetet sociale, Voshtina shprehet se, Vikena Kamenica solli një Dalila të jashtëzakonshme në skenën Bullgare.
“Ky shkëmbim kulturor dhe artistik përfaqëson europianizimin e TKOB-së, duke pasuruar eksperiencat dhe ngritur nivelin e teatrit në standardet ndërkombëtare”, shkroi Abigeila Voshtina./atsh/KultPlus.com
Skena lëvizëse e Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit ngjiti më shumë se 100 artistë në një mbrëmje plot drita e ngjyra, në skenën e ngritur në Durrësin antik, ku u interpretua muzika e kompozitorit të pavdekshëm Ennio Morricone.
Me një program ambicioz, ku u luajtën kolona zanore si “C’era una volta il West”, “L’estasi dell’oro”, “C’era una volta in America”, “The Mission”, dhe “Il clan dei siciliani”, ky koncert vokalo-simfonik mblodhi qytetarë dhe turistë, të cilët u mahnitën nga zëri i sopranove Rovena Xhelili dhe Marina Kurti, Orkestra Simfonike dhe Kori i TKOB-së, nën drejtimin e maestros Benedetto Montebello dhe Dritan Lumshit.
Ennio Morricone (1928-2020) shkroi muzikën e 470 filmave e serive televizive si dhe muzikë bashkëkohore. Muzika e tij, është përdorur nga 60 filma të vlerësuar nga kritika e publiku, të cilët janë nderuar me çmime të rëndësishme.
Në vitin 2007 Morricones iu dha Oscar-i i karrierës me motivacionin “për kontributin madhështor në artin e muzikës së filmit”. Ky vlerësim erdhi pas 5 kandidaturash nga 1979 në 2001. Në shkurt të 2016 mori një tjetër Oscar për muzikën e filmit të Tarantinos, “The Hateful Eight”./atsh/KultPlus.com
Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor në Tiranë, do të mbajë koncert madhështor të premtën, duke filluar nga ora 19:00, koncert ky që do të jetë përmbyllës i Orkestrës Simfonike të RTSH-së. Në koncert do të prezantohen emra të mëdhenj të muzikës klasike.
Gjatë mbrëmjes do të përformojë edhe violinisti me famë botërore, Tedi Papavrami. Poashtu, ky koncert do të shënojë edhe rikthimin e sopranos së njohur shqiptare në Shqipëri, Adelina Paloja.
Paloja, ka njoftuar se do të merr pjesë nën dirigjimin e Zhani Ciko, ku do të ndajë skenën me mjeshtrit e interpretimit, Tedi Papavrami, Suela Piciri, Fatos Qerimaj dhe Jonela Golemi.
“Në këtë koncert të veçantë kam privilegjin të nterpretoj dy vepra të jashtëzakonshme perla të kompozimeve për vokal nga Nikolla Zoraqi: 1.”Mall Dashurije” Romancë dhe 2. “Monologu i Marës” nga Opera “Fundi i Golemeve”, ka shkruar Paloja.
Skena do të ndriçohet edhe nga performanca e shkëlqyer e Suela Picirit, e cila vjen nga tempulli i artit, La Scala Milano.
Profesor Fatos Qerimaj, një gjeni i klarinetës, do të sjellë interpretimin e tij të pakrahasueshëm, ndërsa flautistja e mrekullueshme Jonela Golemi do të na transportojë në një botë tjetër me tingujt e saj të magjishëm./KultPlus.com
Projekti “Opera on Tour” i Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit, çon sonte në Vlorën e flamurit e të pavarësisë, një mbrëmje dedikuar muzikës dhe kompozitorëve të shquar shqiptarë, të cilët me krijimet e tyre i dhanë jetë filmave shqip.
Kjo mbrëmje mbledh së bashku solistët Etrita Ibrahimi, Renisa Laçka, Gerald Murrja dhe Biorn Hoxha, së bashku me Korin dhe Orkestrën Simfonike të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit nën dirigjimin e maestro Dritan Lumshit.
Artistët e TKOB-së, këtë mbrëmje do të jenë me koncertin “Kinostudio” në Lungomaren e Vlorës. Muzika e filmave shqiptarë si “Lulëkuqet mbi mure” , “Përtej mureve të gurta”, “Mëngjese lufte” apo dhe “Pylli i lirisë” janë pjesë të koncertit.
Përmes “Opera on Tour” janë zhvilluar dhe koncerte të tjerë më parë, që kanë përcjellë te publiku program të pasur muzikor, ndërsa ndalesa e radhës për artistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit do të jetë në qytetin e bregdetar ku aktualisht ka edhe një numër të shtuar turistësh./atsh/KultPlus.com
Në sallën e TKOB kanë nisur homazhet publike dhe ceremonia shtetërore e lamtumirës për gjeniun e letrave shqipe, Ismail Kadare. Bashkëshortja Helena dhe bijat e shkrimtarit të ndjerë po presin ngushëllimet e një kortezhi të vazhdueshëm personalitetesh shtetërore por edhe qytetarësh të thjeshtë.
Protokolli ka menduar edhe të vendosë simbolet e Nënë Terezës vë vendin e homazheve.
Ceremonia e nderimeve për kolosin Kadare është organizuar me protokoll shtetëror nën kujdesin e Kryeministrisë. Homazhet nisën në ora 09:00 dhe do të vazhdojnë deri në 12:30 për të vazhduar me nisjen drejt varrezave të Tufinës. Ashtu si dje, edhe dita e sotme është ditë zie kombëtare. Gjithashtu ditë zie kombëtare ka shpallur edhe Kosova.
Ismail Kadare, prijësi historik i letërsisë shqipe prej më shumë se shtatë dekadash, ishte anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë; anëtari i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës; anëtari i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, anëtari i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi.
Ismail Kadare do të mbetet një autoritet moral për popullin shqiptar, një institucion krijimi dhe mendimi, një referencë themelore për jetën e tij. Vepra që ai ka krijuar është e lidhur me çështje thelbësore të botëkuptimit shqiptar e ballkanas, të ndërveprimit të kulturave dhe vlerave qytetare të rajonit, të evoluimit të identiteteve historike e kulturore. Ajo është një dritare e rëndësisë parësore për të njohur edhe psikozat dhe komplekset e popujve të Europës Juglindore, aspiratat e vërteta të tyre./atsh/KultPlus.com
Figurat qendrore të grave në veprat klasike botërore letrare dhe operistike do të vijnë të gërshetuara në shfaqjen premierë te baletit me titull “Fatalita”.
Quhet e tillë sepse të gjitha shkojnë drejt fatalitetit, në emër të dashurisë, ndërsa në skenën e Operës së Baletit, aktet e katër heroinave në veprat “Romeo dhe Xhuliet”, “Carmen”, “Anna Karenina” dhe Violeta e La Traviates do të rikthehen të interpretuara nga Enada Hoxha.
Koreografia i është besuar italianit Toni Kandeloro. Nga kjo e martë dhe e mërkurë, publiku do të mund t’i shohë këtë personazhe të famshme ndryshe, të përkthyera në gjuhën e lëvizjes në skenën e Tetarit të Operas dhe Baletit./tvklan/KultPlus.com
Për të dytin vit radhazi skena e Teatrit të Operës dhe Baletit, zbret në sheshet kryesore të qyteteve të vendit, me një kalendar të ngjeshur artistik.
Turi veror vjen me një mozaik aktivitetesh, ku përmes artit kërkohet t’i jepet frymë jetës kulturore nga veriu në jug.
“Kemi 69 shfaqje që do të vihen në qytet të ndryshme dhe me gjeometri të ndryshme duke futur këtu edhe ansamblin, edhe operën edhe baletin. Do të vëmë në skenë “Carmina Burana” Ansambli në Shkodër me “Jaret Shkodranë” në Kalanë Rozafa, muzikën e Enio Morricones, Micheal Jackson, kryeveprat e Puccinit etj . Pra teatri është aktiv me të gjithë trupat e tij”, shprehet Abigela Voshtina, drejtoreshë e TKOB.
Këtë herë turit veror do ti bashkohen edhe dy artistët shqiptarë me famë ndërkombëtare Gëzim Myshketa dhe Ermonela Jaho.
“Dy pikat më pikante që ne kemi është tenori Gëzim Myshketa, i cili rikthehet për herë të parë në qytetin e tij të lindjes në Durrës. dhe rikthimin e Ermonela Jahos për të interpretuar pas 10 vitesh”, thotë ajo.
Këtë vit kalendari artistik veror do të vazhdoj deri në muajin tetor. /vizionplus/KultPlus.com
Paolo Spadaccini, zëvendëspresident i fondacionit “Festival Pucciniano”, vlerësoi Teatrin e Operës dhe Baletit shqiptar dhe nderoi Drejtoreshën e institucionit Abigeila Voshtina dhe Drejtorin Artistik, Jacopo Sipari di Pescasseroli, si ambasadorë të artit puçinian në botë, në 100-vjetorin e vdekjes së gjeniut të Torre del Lago.
Dhënia e këtij çmimi prestigjioz nga fondacioni “Festival Pucciniano” shënon një moment të rëndësishëm për TKOB-në. Ai përkon me 70-vjetorin e themelimit të institucionit emblemë të artit shqiptar dhe 120-vjetorin e vënies së parë në skenë të “Madama Butterfly” në teatrin e Brescia-s.
Kjo është hera e parë që TKOB vlerësohet nga një teatër tjetër i huaj me çmimin unik “Puccini”, që jepet një herë në vit për përhapjen jo vetëm të emrit të kompozitorit të madh italian Puccini, por edhe të produksioneve të “Festival Puccini di Torre del Lago”. Vlerësimi i TKOB-së përkon gjithashtu me 70-vjetorin e krijimit të “Festival Puccini”./tch/KultPlus.com
Kryevepra e Puccini-t, “Madama Butterfly”, rikthehet në Teatrin Kombëtar të Operas e Baletit, pas më shumë se një dekade, si një produksion i ri i “Festival Puccini di Torre di Lago”, në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës.
TKOB bëri të ditur se opera do të ketë një koncept të veçantë regjisorial, nga Manu Lalli, me në qendër natyrën e gruas, që vdes nga mungesa e kujdesit, vëmendjes dhe dashurisë.
Libreti i shkruar nga Luigi Illica dhe Giuseppe Giacosa, trajton probleme shoqërore të rëndësishme, të cilat demaskojnë moralin e shoqërisë.
Geisha e bukur 15-vjeçare i qëndron besnike togerit amerikan Pinkerton dhe shpreson se ai do të kthehet në krahët e saj. Ndonëse kanë kaluar tre vjet nga ikja e tij, Butterfly tashmë nënë e një djali, fryt i martesës me Pinkerton, refuzon të nisë një jetë të re dhe ta harrojë të dashurin e zemrës. Ky i fundit, i martuar me një grua amerikane, kthehet në Nagasaki që të marrë të birin 3-vjeçar. E zhgënjyer dhe e dëshpëruar, Butterfly ia dorëzon djalin atij dhe vret veten.
“Madama Butterfly” vjen në TKOB në datat 26, 27, 28, 30 maj dhe 1 qershor. Por ndërkohë në TKOB po zhvillohen provat regjisoriale. Solistët e TKOB-së, së bashku me sopranon italiane Anna Pirozzi, e cila do të interpretojë rolin e Butterfly, po punojnë me regjisoren e famshme Manu Lalli dhe as/regjisoren Ada Gurra./atsh/ KultPlus.com
Trupa e baletit e TKOB-së tashmë ka një drejtori të ri artistik, Carlos Montalvan. Në një video që ndau online, drejtoresha e institucionit, Abigeila Voshtina, drejtori i ri prezantohet përpara publikut.
Carlos Montalvan, vjen nga Kuba, me një karrierë të gjatë në skenat botërore.
Që në moshë të re, Carlos Montalvan fitoi çmimin “Artista Nobel” në festivalin “Panorama de las Artes Escenicasi”. Për meritat e tij artistike, ai iu bashkua stafit të shkollës “Vicentina de la Torrei” në Kamagueji.
Më pas u diplomua për art koreografik dhe krijoi disa koreografi që u vlerësuan në konkurset ndërkombëtare të Kamaguejit, të Santiago de Kubas dhe fituan medalje ari në Havanë.
Në vitin 2007, Montalvan iu bashkua kompanisë “Balletto del Sud”. Ai ka qenë protagonist në shfaqjet “Traviata”, “Carmina Burana”, “The Firebird”, “Karmen”, “Liqeni i Mjellmave” e të tjera. Si dhe ka bashkëpunuar me emra të njohur si Alicia Aloniso, Kylian, Forsythe, David Dawson, Gonzalo Galguera, Fredy Frannutti, Ben van Cauwenbergh e ka interpretuar përkrah Letizia Giuliani, Enada Hoxhes, Linsay Kemp, Luciana Savignano, Carla Fracci./atsh/KultPlus.com
“Beethoven Celebration” do të jetë koncerti instrumental-simfonik që do vijë në datën 2 prill, në orën 19:00, nga vetë anëtarët e familjes së madhe të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.
Drejtoresha e përgjithshme e TKOB, Abigeila Voshtina, dhe drejtori artistik i Operës dhe Filarmonisë, Jacopo Sipari di Pescasseroli, do të lënë kostumin formal, për t’u ngjitur në skenë si artistë në violinë e dirigjim.
Po ashtu, Etrita Ibrahimi, do të vijë në pianoforte duke lënë pas pozicionin si përgjegjëse e Sektorit të Solistëve, si dhe miku i shtëpisë, Ettore Pagano do të jetë solist në violonçel.
Një homazh i madh për muzikën e Beethoven me interpretimin e një prej simfonive të tij më të rëndësishme dhe koncertin e famshëm të trefishtë për piano, violinë dhe violonçel, një koncert me emocione të mëdha.
Për të interesuarit, biletat shiten çdo ditë, nga ora 10:00-14:00 dhe nga ora 16:00-20:00./atsh/KultPlus.com
Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor bën me dije se këtë javë do të vërë në skenë “Carmina Burana” ndryshe nga herët e tjera: një opera – balet me koreografi e skenografi të YOURI VÀMOS!
Kjo shfaqje do të bëjë bashkë në skenë njëkohësisht mbi 200 artistë, që nga solistët, Orkestra Simfonike, Trupa e Baletit, Kori i TKOB-së, Kori i Zërave të Bardhë dhe Formacioni Vokal i Forcave të Armatosura, që do ta sjellin ndryshe këtë vepër, e cila vitin që shkoi ishte SOLD OUT, shumë para shfaqjes.
“Carmina Burana” do të dirigjohet nga polaku Rafał Janiak, që mban titullin asistentdirigjent në Orkestrën Kombëtare Filarmonike të Varshavës; me baletmaestër Carlos Montalvan, Alisa Gjoni dhe Gerd Vaso dhe me sopranon Rovena Xhelili, tenorin Matias Xheli dhe Baritonin Armando Likaj.
Ky kast i gjerë virtuozësh do të bëjë që “Carmina Burana” të jetë një eksperiencë e paharrueshme.
Shfaqja do të jepet në datat 15-16 mars, ora 19:00. Biletat, për të interesuarit, shiten pranë sportelit të TKOBAP./atsh/KultPlus.com
Teatri i Operës dhe Baletit hap thirrjen për masterclass në programin e parë profesional muzikor “Akademia Teatrale”, që synon evidentimin, promovimin dhe zhvillimin e talenteve të reja në disiplinën lirike.
Nën kujdesin e veçantë dhe mjeshtëror të sopranos lirike Donata D’annunzio Lombardi, fituese e çmimit prestigjioz “Puccini 2019” dhe e njohur si një ndër interpretueset më të mëdha të muzikës puçiniane, e cila ka debutuar rolet më të rëndësishme pucciniane që nga viti 1991 deri më sot, të tilla si Musetta, Mimì, Magda, Liù, Madama Butterfly, Suor Angelica, Manon Lescaut, Tosca.
Përgjatë 5 ditëve, nga data 3-7 mars, artistët e rinj do të kenë mundësinë të trajnohen plotësisht pa pagesë, rreth teknikave të interpretimit, teknikave të këndimit dhe ndërtimit të një roli. Përveç aplikimeve për pjesëmarrje në masterclass, do të mund të aplikohet edhe për pjesëmarrje për dëgjim./ atsh / KultPlus.com
Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit ka përgatitur një program të veçantë, enkas për Ditën e Shën Valentinit. Prej kohësh ky teatër ka nisur një fushatë mediatike në rrjetet sociale, përmes së cilës u drejtohet kryesisht të rinjve, duke iu qasur atyre me sloganin “për date në opera” (për takim në opera).
“Nëse ende nuk e ke ftuar të dashurën apo të dashurin për takim në opera, ky është rasti ideal”, shkruan TKOB në rrjetet sociale.
Këtë Shën Valentin, TKOB do të sjellë shfaqjen “Puccini in Love”, një mbrëmje të tërë dedikuar dashurisë e pasionit, me ariet dhe duetet nga operat më të njohura të historive të mëdha të dashurisë.
Më datë 14 shkurt do të interpretohen arie dhe duete nga operat “Tosca”, “Turandot”, “La Boheme”, “Manon Lescaut”, “Madame Butterfly”, “Il Tabarro”, “Suor Angelica”, “Gianni Schicchi” dhe “Le Villi”. Të gjitha janë vepra të shkruara nga njëri prej kompozitorëve më të suksesshëm në Itali dhe rang botëror. Puccini u nda nga jeta 100 vjet më parë dhe teatro nga më të rëndësishmit, ia kanë kushtuar këtë vit, veprës së tij./atsh/ KultPlus.com
Në 100 vjetorin e vdekjes së Puccinit, Teatri i Operas do të sjellë në skenë veprat më të mira të tij, me skenografi dhe kostumografi nga Italia.
Këto vepra do të realizohen falë bashkëpunimit me “Fondazione Festival Pucciniano” në Itali, fondacioni i cili çon përpara veprën e Puccinit në botë.
Drejtori i Përgjithshëm i “Fondazione Festival Pucciniano” z. Franco Moretti, vlerësoi cilësinë artistike të TKOB-së, dhe u shpreh i befasuar nga puna që bëhet në teatër.
“Duhet të jeni krenarë për teatrin në të cilin punoni dhe jetoni, sepse është një teatër ekselent. Dhe kjo vjen dhe falë punës që po bëhet në këtë institucion. Dhe mbi të gjitha hapja që teatri është duke marrë në rang botëror. Duhet të jeni krenarë sepse teatri është shtëpia e të gjithëve. E të gjitha ideve dhe inovacionit. Teatrot nuk janë muze, por janë vende që në çdo moment perceptohet arti, kultura e muzika dhe këto janë armët më të forta të çdo kanuni”, tha Moretti.
Bashkëpunimi i parë është ai për operën “Il Trittico”, një opera që ka tre vepra brenda saj që do të interpretohen në një natë dhe përfshihen më shumë se 100 artistë, për të vijuar më tej me “La Boheme”, “Madama Butterfly” dhe “Tosca” si dhe koncerte simfonikë me muzikën e Puccinit.
“Unë e bëj këtë punë sepse e dua muzikë, por veçanërisht sepse dua Puccinin”, tha Jacopo Sipari di Pescasseroli, drejtor artistik TKOB.
Gjatë këtij viti dedikuar Puccini-t, në TKOB përveç artistëve shqiptarë, do të ketë edhe shumë artistë të ftuar që kanë bërë emër në teatro të rëndësishëm, apo edhe shqiptarë që e kanë ndërtuar karrierën e tyre në Evropë./TopChannel/KultPlus.com