Teatri Kombëtar i Operas e Baletit do të sjellë në fillim të muajit shkurt, baletin “Zhizel”, një nga veprat më të njohura të baletit klasik në nivel ndërkombëtar.
Rrëfimi i një dashurie të pamundur, ndërtuar mbi motivet e një legjende të lashtë gjermane, do të vijë nga Trupa e Baletit e TKOB-së, solistët dhe Orkestra Simfonike bashkë me shumë balerinë italianë. ”Zhizel” do të ketë koreografinë e të madhit, Agron Aliaj, nën drejtimin e dirigjentes së baletit, Sabrina Bosco dhe dirigjentes Renata Russo.
Ky balet është vënë për herë të parë në Operan e Parisit më 28 qershor të vitit 1841, ndërsa në Tiranë, premierën e pati në 14 dhjetor të vitit 1988.
“Zhizel” është një balet romantik me dy akte, që përmbledh të gjitha elementet stilistike, teknike dhe shprehëse të baletit klasiko-romantik. Në qendër të historisë qëndron dashuria e tradhëtuar dhe një princ mes dy vajzave. Baleti përbëhet nga dy akte: në të parin ndodh vdekja e Zhizelit, ndërsa në të dytin historia zhvillohet rreth legjendës gjermane mbi vilisat, të fejuara që vdesin pa arritur të martohen.
“Zhizel” do të vijë në datat 5-6-7 shkurt./ atsh / KultPlus.com
Teatri Kombëtar i Operës e Baletit do të mirëpresë Korin e Filharmonisë së Kosovës, në 20-vjetorin e krijimit të tij.
Nën udhëheqjen e dirigjentit dhe kompozitorit të mirënjohur Rafet Rudi, Kori i Filharmonisë së Kosovës, do japë një koncert për artdashësit e Tiranës. Me pjesëmarrjen e violinistes së njohur, Sihana Badivuku, Kori i Filarmonisë së Kosovës do të vijë me një performancë mbresëlënëse, përfshirë interpretimin e veprës “Concerto Fantasy” për violinë dhe kor nga Rafet Rudi, si dhe një repertor me vepra nga Mendi Mengjiqi, Aulon Naçi, Eric Whitacre, Ko Matsushita, Baki Jashari dhe Eriks Esenvlads.
Mos e humbisni këtë koncert, i organizuar në kuadër të shënimit të 20-vjetorit të Korit të Filharmonisë së Kosovës dhe bashkëpunimit ndërinstitucional midis Filharmonisë së Kosovës dhe Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor. / KultPlus.com
Një nga pianistët më në zë të momentit, në Itali dhe nga më të rëndësishmit në Evropë, Stefano Bollani, do të vijë së shpejti në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit.
Lajmin e dha drejtoresha e TKOB, Abigeila Voshtina, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku e cilëson Bollani-n si një personazh eklektik, me një formim solid klasik dhe veprimtari të gjatë në jazz. Gjithashtu Stefano Bollani është kompozitor, krijues dhe prezantues televiziv. Ai ka interpretuar me Orkestrën Filarmonike “Filarmonica della Scala”, Gewandhaus të Leipzig-ut, Concertgebouw të Amsterdamit, Orchester de Paris dhe në disa raste me Orkestrën e Santa Cecilia, të drejtuar ndër të tjerë, nga James Conlon, Daniel Harding dhe Antonio Pappano.
Padyshim që ardhja e këtij pianisti të mirënjohur do të jetë një vlerë e shtuar për TKOB. Ky event do të realizohet me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës dhe Ambasadës Italiane në Shqipëri./atsh/KultPlus.com
TKOB premton që festimet nuk do të përfundojnë me mbylljen e sezonit të festave. Ato do të vijojnë në vitin e 70-të të TKOB-së, duke çelur siparin e Kalendarit Artistik 2024, me një muaj të pasur me evente. I pari prej tyre do të jetë koncerti simfonik me muzikë shqiptare, “Simfonitë e Shpirtit”, të kompozitorëve të mirënjohur, Feim Ibrahimi dhe Aleksandër Peçit. Ky koncert do të vijë më 13 janar.
Më pas vijon koncerti i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore i titulluar “Jehona tonë”. Më 20 dhe 21 janar TKOB sjell kompozimet e grupit legjendar “Queen”, që ndryshuan historinë e muzikës botërore, interpretuar nga Orkestra Simfonike e TKOB-së.
Ndërsa fundin e muajit, do ta presim nën tingujt e pianos së të madhit Stefano Bollani, në një koncert vokalo-simfonik./atsh/KultPlus.com
Ekziston një emocion që pikon thellë në qenësinë e njeriut, pothuajse fshehurazi, i cili me fuqinë e tij arrin që tërësisht të t’lërë mbushur me habi dhe me rrahje të shpejta të zemrës. Kjo është ndjesia që zhdërvjellët nëpër trup në momentet kur përjetoni krijimet e koreografit shqiptar, Gentian Doda. I lindur në Tiranë, ai nisi karrierën fillimisht si balerin në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit të Shqipërisë, për të vazhduar tutje me pushtimin e skenave të teatrove të ndryshme nëpër vende të botës si: Paris, Madrid, Nju Jork, Moskë, Berlin, Hong Kong, Itali, Izrael, Danimarkë, Seul e Japoni. Por, për të arritur deri në maje të tilla, duhet vrapuar mbi perfeksion çdo herë e më shumë, dhe kjo pikësëpari duhet bërë mbi gishta. Nga roli në rol, nga vepra në vepër, bukuria e baletit nuk duhet paraqitur thjesht në formën estetike, por dhe atë emocionale. E për këtë dukuri më së miri ka rrëfyer vetë balerini dhe koreografi, Gentian Doda, në një intervistë të veçantë për KultPlus.
Si një gjëegjëze e këndshme është baleti, kjo formë arti që ka nderuar audiencën për shekuj me radhë. Nuk ka rëndësi ndonëse lëviz në dyshemenë e teatrove të mëdha apo atyre të vogla, por ajo që vlen më së shumti, padyshim qëndron tek aftësia për të joshur audiencën, nëpërmjet emocionit, aftësisë për të treguar një histori/ngjarje, kombinimit të lëvizjeve të sakta, muzikës dhe estetikës vizuale. Këtë e vërejmë më së miri edhe tek shpirti artistik i koreografit Doda, i cili me gjithë fuqitë e tij të brendshme dhe pasionin e njëmendtë, na sjellë çdo herë projekte që burojnë pastërti si loti.
Pas TKOB-së, koreografi Doda filloi një karrierë të suksesshme ndërkombëtare gjatë së cilës ai punoi si balerin në vende të ndryshme si në Teatrin Shtetëror të Operës dhe Baletit të Azerbajxhanit, në “Teatro Arena di Verona”, në “Balletto di Parma”, në “Compania de Victor Ullate” dhe në “Compania Nacional de Danza”. Dashuria për baletin i kishte ardhur krejt natyrshëm. Nuk është se u lind dhe tha se do të bëhej balerin, por ai e ndjente domosdoshmërinë e shprehisë së trupit dhe duke qenë se shqiptarët njihen si popull shumë kërcimtar, atij u krijuan situata të ndryshme që i erdhën në mënyra të rastësishme, që futën kështu thellë në shpirtin e tij, një copëz magjie që sa vazhdohej e bëhej më e madhe.
Në anën tjetër, janë pikërisht fillesat e para ato që shpeshherë skalisin njeriun për atë se çfarë potencialisht vjen më pas. Dhe fillesat e para, koreografi Doda i pati pikërisht në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Shqipëri. Për të, momenti kur këmba e tij ka shkelë për herë të parë aty, është zbehur paksa, por mban mend se si ndjente një pasiguri, një dyshim që përkonte me aftësitë e tij për t’u përballur me këtë profesion, ngaqë përgjegjësia ishte tejet e lartë. Ai, prekjen e cilësdo skenë e përshkruan sikurse hyrjen e shenjtë në një tempull, dhe të qenurit aty, do të thotë të jesh i ekspozuar para publikut. Atij i duket se në skenë je një njeri i vetëm, andaj edhe gjithmonë shoqërohesh me një ndjenjë dyshimi. Por, duket që as pengesat e para nuk ishin aq të forta për ta mundur shpirtin luftarak të tij, i cili shpeshherë në dyshemetë e skenave, na del një shpirt i një natyre të butë, shkruan KultPlus.
“Çdo herë që del në skenë është sfiduese. Edhe tani kur ngjitem në skenë ekziston kjo sfidë me vetveten. Të shkelësh në një skenë është diçka që sjell emocione shumë të forta. Kthehet në një varësi, në një adrenalinë që nuk mund të quhet as gëzim, as frikë. Sikur shkel në limbo”, ka përshkruar Doda momentin kur ai përballet me cilëndo skenë.
Asgjë tjetër nuk e frikëson njeriun më fort sesa të kujtohet për emocionet e një shfaqjeje baleti, apo për çdo krijim artistik tjetër. I tillë është rasti me koreografin Doda, në shfaqjet e së cilit fillimisht duhet të dëgjosh fjalët, ta kuptosh muzikën, të ndjesh praninë e hapave si dhe të frymëmarrjeve, e pastaj ta përjetosh bukurinë dhe shëmtinë e gjithçkaje tjetër që ofrohet në skenë.
Për Dodën, ndikimet më të mëdha e më të thella të karrierës së tij si balerin pasojnë nga puna me koreografë si: Maurice Béjart në Ballet de Lausanne. E më pas edhe përvojat e ndryshme me: Nacho Duaton, Jiri Kylian, Mats Ek, Ohad Naharin, Wim Vandekeybus, William Forsythe, etj; me të cilët ka kërcyer në teatro që i kanë lënë mbresa të mëdha e të cilat janë: Châtelet në Paris, Teatro Real në Madrid, Brooklyn Academy në Nju Jork, Bolshoi Teater në Moskë, Staatsballett në Berlin, Art Centre në Hong Kong, pastaj dhe skenat në Seul e Japoni. Dhe në qoftë se ai do të kthehej ndonjëherë në kohë, nuk do të kishte ndryshuar asnjë hap drejt rrugëtimit të tij artistik.
“Janë të shumta skenat që më kanë shënjuar, dhe çdo skenë ka të bukurat dhe sfidat e veta.”
Doda më vonë zbuloi talentin e tij si koreograf kur krijoi një punëtori koreografike në “Compania Nacional de Danza” nën drejtimin e Nacho Duato. Aty nisi diçka e re, që ndoshta as ai nuk e kishte menduar kurrë më parë.
“Përditë më kalon në mendje të heq dorë, por kjo nuk ka qenë zgjedhje në jetën time, kjo është për mua një domosdoshmëri. Është nevoja për t’u shprehur që më shtyn të vazhdoj. Ka dhe momente të shkurtra shumë përmbushëse, që megjithëse nuk e justifikojnë vështirësinë, më gënjejnë në njëfarë mënyre që të vazhdoj. Në fillim të karrierës sime, një artist më pati thënë “Tu prish jeta”. Është e vërtetë, sepse mendja ime punon në çdo moment në relacion me krijimin, nuk mund ta ndaj nga mendimet e tjera. Nuk e shoh si një “stil jete”, nuk është as një punë 8 orëshe, përkundrazi është një mund dhe kërkim i vazhdueshëm, që bëhet pjesë edhe e ëndrrave. Çdo gjë që më mbështjell e perceptoj në relacion me krijimin”, ka thënë Doda.
Sipas tij, ai ndjente nevojën për t’u shprehur në një mënyrë tjetër, e jo të vepronte sikurse një “instrument”.
“Si krijues marr pozicion nëpërmjet asaj që ndjej, mendoj dhe dua të them, ndërsa si interpretues isha duke realizuar botën e dikujt tjetër, sado që ta personalizoja.”
Thellë-thellë, secili artist brenda vetes ka ca pengesa që dinë edhe t’i ndajnë ëndrrat në dysh. I tillë ka qenë edhe rasti me Dodën, i cili thotë se pengesat kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të shumta, por ai gjithmonë e ka inkurajuar dhe bindur veten që të mos dorëzohet para tyre, në asnjë moment. Ndërsa, për procesin e krijimit të një koreografie, ka thënë se do duhej të shkruante një libër të tërë, marrë parasysh këtu fazat e ndryshme dhe emocionet që ka në thelb vepra.
“Kjo është një përgjigje shumë e gjatë, për të cilën do duhej shkruar një libër. Është proces i gjatë dhe konfliktiv, por nuk dua të them negativ. Ka përplasje emocionesh të ndryshme. Por ekzistojnë shumë mënyra kompozimi, të cilat e kthejnë këtë larmishmëri emocionesh në profesion. Krijimi është edhe zanat. Mes gjithë vështirësive gjen bukurinë. Këtu varet edhe se çfarë konsiderojmë “të bukur”, duhet ta përkufizojmë një herë çfarë duam të themi me bukuri të procesit. Çfarë më pëlqen tek krijimi është që ka të bëjë me një botë të brendshme, më shumë se sa të jashtme. Kjo brendësi më intereson për ta bërë të dukshme. E kjo mund të realizohet vetëm nëpërmjet zanatit, teknikave, parimeve të mbështetura edhe në disiplina të tjera përtej kërcimit: skulptura, muzika, arkitektura, letërsia, kinemaja, të gjitha këto e mbështesin procesin tim krijues”, thotë ai.
Për t’u bërë një me skenën, do të thotë që e tërë ekzistenca e një artisti do të rrafshohet me tokën dhe emocionalisht do të arrij pikë kulmore të një niveli qiellor, mirëpo për ta jetësuar këtë ndjesi përbrenda, do të thotë që ta jepni veten tërësisht ndaj atyre ndjesive të brendshme të cilat duhet dalë në pah nëpërmjet lëvizjeve, kërcimeve, hapave si dhe një mendjeje të qetë e precize. Këtë nuk e arrin shumëkush. Ndoshta ka njerëz të atillë që kanë kaluar gjithë jetën duke ndjekur pas atë përjetim, por nuk kanë arritur në një fund të lumtur. Ndërsa, sipas Dodës, të bërit një me skenën, nuk ndodh shpesh.
“Të bërit një me skenën ndodh shumë rrallë. Fakti që ndodh aq rrallë ishte një nga arsyet që më bëri t’i largohesha interpretimit. Por kur ndodh është e papërshkrueshme me fjalë.”
Koreografi Doda gjithashtu ka qenë i angazhuar në shumë bashkëpunime dhe projekte të pavarura duke ekspozuar veprat e tij në Gjermani, SHBA, Izrael, Spanjë, Itali, Shqipëri, Danimarkë dhe Kinë ndër të tjera. Në gusht të vitit 2014, atij iu ofrua pozicioni i Mjeshtrit të Parë të Baletit në Staatsballett në Berlin, pozicion të cilin e mbajti për katër vjet.
Ndërsa, për rikthimin e tij në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Shqipëri më 2020, ai tha se kishte pasur më shumë pritshmëri.
“Kisha më shumë pritshmëri. Më ftuan për të konsideruar drejtimin artistik të baletit në 2020, dhe punova gjatë me ekipin tim për një program tre-vjeçar dinjitoz dhe profesional. Ishte një ëndërr e bukur, por kuptova shpejt se vetëm e tillë do të ngelte, dhe nuk vazhdova më tej. Sido që të jetë, aty më shoqëron gjithmonë një ndjesi përkatësie dhe kënaqësie për rikthimin. Ndërsa projekti ‘Actus, for Vjosa’ që u shfaq aty, ishte produksion i pavarur i HBS Tirana dhe ‘was bleibt kollektiv | Gentian Doda’, dhe nuk kishte të bënte me programin e TKOB në vetvete”, ka treguar Doda.
Teksa jemi tek tema e “Actus for Vjosa”, mund të themi se projekti solli emocione të shumta. Lumi Vjosa është një pasuri natyrore me bukuri të veçantë që ka Shqipëria, andaj si homazh për natyrën, është krijuar koreografia kontemporane nga Doda ku performuan 11 balerinë ndërkombëtarë e shqiptarë. “Actur for Vjosa” qe një koreografi unike për Vjosën, lumin e fundit të egër të Evropës, me ç’rast koreografi Doda u bë zëri dhe imazhi i Shqipërisë. Teksa shohim trupat që lëvizin, kthehemi e mendojmë për brishtësinë, forcën, magjinë që natyra bart. Njëlloj sikurse uji në atë lum, trupat e balerinëve lëvizin rrjedhshëm, lëshohen nga njëri tek tjetri dhe lëvizjet e tyre rrjedhin krejt natyrshëm. Kjo ka qenë një punë njëvjeçare që është bërë për ‘Vjosën’, si dhe kompozimin e muzikës origjinale e ka krijuar kompozitori shqiptar që jeton në Spanjë, Çezer Aliaj, ku është frymëzuar në disa struktura polifonike. Edhe kërcimi është frymëzuar në disa estetika lëvizjeje. Vepra ka pasur për synim që të prezantojë Shqipërinë si imazh dhe jashtë.
“Projekti lindi në bashkëbisedim me Gökhan Tuncer, drejtorin e Heinrich Böll Stiftung Tirana. Frymëzimin për krijimin, përtej kauzës e cila ishte shumë e rëndësishme, më shumë e gjeta në imagjinatën se si do ndjeheshim po ta humbnim këtë natyrë. Dinamikat e lumit dhe bukuria e egër, ishin ngacmime që i studiuam shkencërisht në detaj, dhe shërbyen si baza të krijimit si ana koreografike, ashtu edhe muzikore bashkë me kompozitorin Çezar Aliaj dhe artistët e tjerë që morën pjesë. Humbjen e pashë si një problematikë njerëzore, jo vetëm natyrore. Mosekzistenca e lumit do te ishte mosekzistencë e njerëzimit. Vetë qytetërimi ka lindur buzë një lumi”, ka shpalosur Doda.
Në vitin 2011, Doda mori Çmimin e Parë të Koreografisë në konkurset e Kopenhagës dhe Hanoverit, si dhe çmimin Scapino Production. Që atëherë, ai ka krijuar premiera botërore për Institutin Koreografik të Nju Jorkut, Baletin Scapino, Direccion Nacional de Danza Santo Domingo dhe Staatsballet Nürnberg, Gärtnerplatztheater, Teatro Massimo Palermo.
Por, ai për këto çmime ka thënë se kanë pasur të bëjnë më shumë me marketingun, sesa artin në vetvete.
“Që në 2005 isha ‘house choreographer’ i Compañia Nacional de Danza në Spanjë, dhe këto që përmendët ishin pasoja të asaj pune të rëndësishme kërkimore që po bëja atje. Çmimet kanë pasur më shumë të bëjnë me vizibilitetin dhe marketingun, se sa me artin në vetvete. Në art mendoj se nuk mund të ketë konkurrim, vlerësimi i një vepre arti është shumë relativ. Ndërsa mësimi është vetë përvoja, puna me njerëz të ndryshëm, karaktere dhe kultura të ndryshme. Por në këtë gjuhë universale, siç është ajo e kërcimit, të gjitha diferencat kthehen në favor, në pasuri”, thotë ai.
Sipas tij, vlerësimet e ndryshme që i janë bërë gjatë karrierës, e sidomos gjatë periudhës që u konsiderua një yll i skenave botërore, nuk kanë asnjë vlerë.
“Thellë-thellë, vlerësimet nuk asnjë vlerë. Duke lënë mënjanë egon, asnjë vlerë. Sepse procesi dhe rritja është tërësisht personale, qëllimi është individual. Sigurisht, mirënjohja më jep një lloj kënaqësie, sepse është provë që arrij të komunikoj. Por për zhvillimin personal nuk kanë asnjë rëndësi, nuk më bëjnë këto vlerësime as më të mirë as më të keq. Jam në një proces të vazhdueshëm.”
Ai tutje ka thënë se nuk e gjen veten në ndonjë pozicion ku mund t’i këshillojë të rinjtë për të ndjekur rrugën e këtij profesioni, duke marr parasysh problematikat që njëri ka përbrenda vetes.
“Është rrugë shumë e bukur nëse e gjen veten në të. Si e gjen veten, nuk mund ta them, nuk ndjehem në pozitën që të këshilloj, sepse çdo individ ka arsyet personale, të ndryshme nga tjetri. Por i rëndësishëm është formimi përtej sallës së baletit. Një formim me amplitudë shumë më të gjerë se vetëm kërcimi. Çfarë të bën artist është vizioni, emocioni, nevoja për t’u shprehur, pa përmendur dedikimin total dhe punën fizike që është e nënkuptuar.”
Në anën tjetër, koreografi Doda, e sheh të vështirë për të vlerësuar punën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Shqipëri, ndonëse sipas tij, nuk ka mungesë të talenteve por mungesë të vizionit.
“Është vështirë për t’u vlerësuar, sepse mungon një strukturë me baza serioze të një projekt ndërtimi afatgjatë. Deri tani baleti nuk ka pasur një drejtim artistik, një strategji zhvillimi me vizion për ndërtimin e një repertori origjinal artistik. Problematika ka qenë kjo mungesë vizioni dhe rigoroziteti në punë, e jo mungesa e talenteve. Mua personalisht më shqetëson sepse duket se po e dëmton perceptimin e artit të kërcimit nga publiku, i cili po shihet si një “argëtim”, në vend që të konsiderohet si një mjet i thellë e i domosdoshëm për zhvillimin individual, shoqëror dhe kulturor.”
Tutje, koreografi Doda na tregoi se momentalisht është duke punuar për një projekt shumë të rëndësishëm për vitin 2024, të cilën e konsideron si një ëndërr që po merr jetë dita ditës, por që ende nuk ka të drejtën që të flas për të, pasi lajmi fillimisht duhet të bëhet i ditur nga institucionet përgjegjëse.
Krejt në fund të kësaj interviste, ai u shpreh për ne se nuk ekziston kurrfarë arsye që ai do të hiqte dorë ndonjëherë nga ky profesion.
“Për asnjë arsye. Po të kisha edhe një arsye të vetme për të hequr dorë, nuk do ta besoja 100% këtë që bëj, prandaj nuk do ta bëja dot siç e bëj. Pastaj, kërcimi për mua është një mjet për t’ju hapur edhe botëve të tjera të kinemasë, muzikës, instalacionit vizual, etj. Ky nuk është limit, është pasurim. Nuk kam arsye të heq dorë”, ka thënë Doda. / KultPlus.com
Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor ka prezantuar sot Kalendarin Artistik për vitin 2024.
Ky është një vit dedikuar kompozitorit të madh italian, Giaccomo Puccini, pasi përkon me 100-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta.
Në bashkëpunim edhe me “Fondacionin Pucciniano”, do të vihen në skenë kryeveprat si: “Il Triticco”, “La Boheme” “Maddama Butterfly” “Tosca” Il barbire di Siviglia”, etj.
Por pa harruar këtu edhe kryevepra të tjera botërore të kompozitorëve të mëdhenj si: Beethoven, Mozart, Tchaikovsky, Shostakovich, etj.
Por sipas drejtoreshës së përgjithshme Abigel Voshtina ky kalendar eshte ndërtuar mbi bazën e atyre figurave që e kanë bërë teatrin ndër vite.
“Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”. Është një nga ato rrëfimet shqiptare që prek çdokënd që nuk e njëh kultutrën tonë. Pra është një emblemë në 70-vjetorin e teatrit, që flet për ne, më shumë se sa vetë ne. Ky 70-vjetor do të ktheje të gjithë energjinë, bukurinë estetiken, e asaj që thërret fort, siç është Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit”, Abigeila Voshtina, drejtore e përgjithshme TKOBAP.
Kompozitori Genc Tukiçi shprehu zhgënjimin e tij, që opera që ai k, tha ishte krijuar dhe ishte vendosur në kalendar për 2023 nuk u vu kurrë në skenë, dhe nuk mori një përgjigje për këtë.
Voshtina tha që Opera ka një publik te huaj dhe zgjedhja e repertorit duhet të jetë edhe ndërkombëtar, jo vetëm shqiptar. Kalendari Artistik do të përmbajë 25 premiera./TopChannel/KultPlus.com
Drejtoresha e përgjithshme e TKOB, Abigeila Voshtina, është vlerësuar me medaljen “Shqiponja e Artë” nga Klik Ekspo Grup.
Në motivacionin e lexuar nga aktori dhe regjisori i madh shqiptar, Mevlan Shanaj, vlerësohet vizioni i saj, në drejtimin e TKOB, që e ka kthyer atë në një institucion në qendër të vëmëndjes së spektatorëve çdo ditë e më shumë.
“Për drejtimin e saj vizionar të Teatrit të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, duke e shndërruar në një qendër të gjallë të suksesit dhe të shkëlqimit kulturor, dhe në përvjetorin e tij të 70-të, TKOB shënon majat me numrin e spektatoreve dhe ndjekësve më entuziastë, magjepsur nga programi dhe performancat e artistëve të jashtëzakonshëm, nën kujdesin dhe manaxhimin bashkëkohor, largpamës dhe tejet profesional e me shpirtin e rrallë artistik të Znj. Voshtina”- thuhet në motivacionin e kësaj medaljeje.
Nga ana e saj, drejtoresha e TKOB, u shpreh se puna për rritjen e cilësisë artistike do të vijojë.
“Artistët e TKOB janë një pjesë e pa ndarë e asaj që është identiteti ynë kulturor. Shqipëria nuk është vetëm male dhe fusha, por ne jemi edhe këta, artistë bashkëkohorë evropianë. Dhe unë do të tentoj çdo ditë, dhe do të bëj të pamundurën, që teatri të kthehet në një qendër, minimumi evropiane.” – tha Voshtina gjatë fjalës së saj.
Ky vlerësim përkon edhe me 70-vjetorin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, festimet për të cilin kanë nisur në datën 27 nëntor, dhe do të vijojnë deri në fund të vitit./atsh/KultPlus.com
Në Teatrin Kombëtar të Operas e Baletit janë duke u kryer përgatitjet e fundit për operën e George Bizet, “Carmen”.
200 artistë do të ngjiten në skenë për të sjellë për publikun një nga shfaqjet më të bukura të historisë së artit botëror. “Carmen” do të vijë nën regjinë e Giandomenico Vaccari, me një koncept të ri, krejtësisht novator si në skenografi, ashtu edhe në rolet e personazheve.
Orkestra Simfonike, Solistët dhe Kori i TKOB-së pritet të sjellin një “Carmen” dinjitoze dhe pasionante, nën dirigjimin e maestros, Dian Tchobanov.
Opera do të vihet në skenë në 4 data: 8, 9, 10, dhe 11 dhjetor, me dy kaste mjeshtërore artistësh si Vikena Kamenica, Ivana Hoxha, Carlos Cardoso, Denis Skura, Armando Likaj, Artur Vera, Renisa Laçka, Nina Muho e shumë profesionistë të tjerë në role të ndryshme./atsh/KultPlus.com
Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit do të sjellë së shpejti për artdashësit, operën “Carmen”.
Muaji dhjetor do të vijë me dramën e jetës së një gruaje, e cila sfidoi rregullat shoqërore dhe shpërfilli traditat e asaj kohe, duke hapur kështu Kalendarin Artistik të muajit dhjetor, me një nga kryeveprat e operistikës botërore.
“Carmen” është vepër e Georges Bizet, e cila kapërceu kufijtë e teatrit tradicional dhe preku zemrat e artdashësve.
Historia fillon në qytetin e Seviljes, ku një ushtar fisnik, Don José, takon Carmen-in, një vajzë pasionante dhe e lirë, e cila provokon ndjenjat e Don José-s, duke pasuar një zinxhir ngjarjesh që do të tronditin rregullat shoqërore dhe do të çojë në fatin e keq të të dy protagonistëve.
Cili është çmimi i lirisë? Kjo është një nga pyetjet ekzistenciale që spektatori do të ngrejë ndërsa do të shohë këtë shfaqje, e cila do të vihet në skenë në datat 8, 9, 10 dhe 11 dhjetor, në TKOB./atsh/KultPlus.com
Në nëntorin e krenarisë sonë kombëtare ka edhe një arsye më shumë për të festuar.
Së shpejti TKOB mbush plot 70 vite dhe drejtoresha e përgjithshme e TKOBAP, Abigeila Voshtina, njoftoi se me rastin e këtij përvjetori do të vijë për artdashësit një nga kryeveprat e muzikës botërore: Simfonia nr. 9 e Beethoven-it.
Në 27 nëntorin e vitit 1953 u vu për herë të parë në skenën shqiptare opera “Rusalka”, e kompozitorit rus A. Dargomyzhsky. Ky moment shërbeu si një gurthemeli nga i cili mori rrugë krijimi i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe shumë shpejt në skenë u vunë edhe opera shqiptare.
“Ju presim më 27 nëntor, ora 19:30 për të festuar të gjithë së bashku ditëlindjen tonë të 70”, është shprehur në rrjetet sociale, drejtoresha e TKOBAP, duke shtuar se hyrja është e lirë për këdo që ndihet pjesë e këtij institucioni./atsh/KultPlus.com
Premiera e operas “Atilla” e kompozitorit të famshëm italian Giuseppe Verdi, u mirëprit mbrëmjen e djeshme në Teatrin e Operës dhe Baletit në kryeqytet.
Kjo opera përcolli për artdashësit që kishin mbushur sallën e TKOB mesazhe të ndjeshme të aktualitetit e modernitetit, për konfliktet e mëdha etike, luftërat civile dhe politike, si dhe përplasjen mes brezave.
Kjo opera përcolli për artdashësit që kishin mbushur sallën e TKOB mesazhe të ndjeshme të aktualitetit e modernitetit, për konfliktet e mëdha etike, luftërat civile dhe politike, si dhe përplasjen mes brezave.
Në këtë shfaqje interpretuan solistët dhe kori i TKOB dhe orketra simfonike me dirigjent Jacopo Sipari di Pescasseroli, regjisore Ada Gurra, kostumografi Edlira Qyshka dhe dirigjent kori Dritan Lumshi.
Solistë në vepër janë emra të njohur të skenës shqiptare dhe asaj të huaj si në rolin e Attila: Petar Naydenov; në rolin e Ezio: Armando Likaj, Evez Abdulla; në rolin e Odabella: Eva Golemi, Ramona Tullumani; në rolin e Foresto: Amadi Lagha; në rolin e Uldino: Matias Xhelil; Andi Istrefi dhe në rolin e Leone: Bledar Domi, ndërsa koncertmaestër janë Etrita Ibrahimi, Herta Cane dhe Thanas Paskali.
Kjo opera, e cila u ngjit për herë të parë në skenën e TKOB, ka në qendër tragjedinë e shekullit V të mbretit të Hunëve, Atilës, dhe rezistencën e popullit italian, me në krye guximtaren Odabella, ndjekur nga gjenerali Ezio dhe i dashuri i saj Foresto.
Heroizmi i vajzës italiane, Odabellës, e cila me trimërinë e saj arrin të fusë në kurth pushtuesin barbar, duke u hakmarrë kështu ndaj vdekjes së të atit, bën që historia të shkruhet në favor të drejtësisë.
Opera Attila” do të vijë për katër mbrëmje të tjera në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit në datat 16 18 dhe 19 nëntor./atsh/KultPlus.com
Në nderim të mjeshtrit të valles popullore mbarëshqiptare, Besim Zekthi, i vlerësuar me titullin “Nderi i Kombit” dhe “Gjerdani i artë”, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore do të sjellë për të gjithë artdashësit, koncertin “Legjenda e valles shqipe, Besim Zekthi- Nder i Kombit”.
Koncerti do të shfaqet sonte në TKOBAP, në orën 19:00. Në të do të interpretojnë Orkestra, Grupi i Valleve dhe Grupi Vokal i Ansamblit Popullor. Gjithashtu do të interpretojnë dhe solistët e Ansamblit Popullor, Iris Bega, Adela Bezhani, Malvina Likaj, Aranit Hoxha, Denisa Xhemnica. Në këtë event do të jetë pjesëmarrës edhe grupi i mirënjohur “Pleqtë e Krujës”.
Koncerti do të prezantojë krijimtarinë dhe interpretimet solistike të mjeshtrit Zekthi, bazuar në repertorin krijues të tij, shoqëruar me këngë të përzgjedhura, duke përfshirë dhe momente nga jeta dhe aktiviteti i tij artistik apo vlerësime nga personalitete të ndryshme./ atsh / KultPlus.com
Në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit është dhënë me sukses shfaqja “Callas e Onassis”, pas më shumë se 1 dekade, që skenës së TKOB-së i kishte munguar një muzikal.
“Mbrëmë, me bashkëpunimin e artistëve të Teatrit të Varnës, me Orkestrën Simfonike dhe Korin e TKOB-së, sollëm muzikalin “Callas e Onassis”, që flet për historinë e dashurisë së divës operistike, Maria Callas, dhe biliarderit të famshëm Aristotel Onassis”, shkroi në rrjetet sociale drejtoresha e TKOB, Abigeila Voshtina.
Muzikali erdhi në Shqipëri në 100-vjetorin e lindjes së sopranos greke, Maria Callas, në kuadër të një marrëveshjeje me Teatrin e Varnës, e nënshkruar në fillim të këtij viti.
Nëpërmjet këtij memorandumi, teatrot e dy vendeve do të kenë mundësinë të shkëmbejnë mes tyre artistë e regjisorë të ndryshëm, si dhe dirigjentë të korit, të përfshirë në aktivitetet e Kalendarit Artistik 2023.
Një prej tyre ishte dhe vënia në skenën shqiptare të produksionit të përmasave të mëdha “AIDA” me regji të Franko Zeffirelli”, regjisorja Ada Gurra dhe moxosopranoja Ivana Hoxha ndihmuan në vënien në skenë edhe në Teatrin e Varnës./atsh/KultPlus.com
“Tumankuqja” është premiera që do të çelë ndryshe sezonin e ri artistik për Ansamblin Popullor, bazuar në origjinalitetin e këngëve, valleve e kostumeve të krahinës së Çamërisë.
Këto xhevahire trashëgimie do të ngjiten në skenën e TKOB-së, jo vetëm nga Orkestra, Grupi i Valleve dhe Grupi Koral i Ansamblit Popullor, por edhe nga solistët e AP-së: Denisa Gjezo, Adela Bezhani, Malvina Likaj, Raimond Kllogjeri, Avni Miraka dhe Aranit Hoxha, kështu ka njoftuar ministrja e kulturës, Elva Margariti.
Me të ftuar special si Enkelejda Alushi dhe Hysni Alushi, Altin Malo dhe Grupi i Vallëve të të Rinjve të Çamërisë, nën drejtimin e Puen Bajramit, premiera vjen më datë 16 dhe 17 shtator, ora 20:00, në TKOB.
Biletat mund t’i merrni çdo ditë, në sportelin e TKOB-së, nga ora 10:00-14:00 dhe nga ora 16:00-20:00. / KultPlus.com
Teatri i Operës dhe Baletit hap thirrjen e tretë për Masterclass- Bashkëpunues, në programin profesional muzikor “Akademia Teatrale”, që synon evidentimin, promovimin dhe zhvillimin e talenteve të reja në disiplinën lirike.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti shkroi në rrjete sociale se, nën kujdesin e veçantë dhe mjeshtëror të sopranos ikonike, Ermonela Jaho, e cila hodhi gurin e parë të themelit të këtij programi, nga data 2– 6 tetor, artistët do të kenë mundësinë të trajnohen plotësisht pa pagesë, rreth teknikës fizike të këndimit, asaj të interpretimit e këndimit, përgatitjes psikologjke të repertorit dhe ndërtimit të një roli.
Aplikimet do të qëndrojnë të hapura deri më datë 25 shtator, për gjithkënd që e ndjen veten të vendosur teknikisht dhe do të përforcojë aftësitë e tyre, nëpërmjet metodave të reja. Mjafton të dërgoni CV-në, video me performancëne vet, materialin me të cilin do të punojë dhe formularin e aplikimit (të cilat gjenden në website-in zyrtar të TKOB-së) në email-in [email protected].
Margariti ftoi të gjithë të interesuarit për të qenë dëgjues të këtij masterclass-i bashkëpunues, pa dallim moshe a profesioni, si dhe mësuesit /pedagogët e interesuar për të bashkëpunuar në ndërtimin e një plani të përbashkët pune me nxënësit /studentët, se janë të mirëpritur të kontaktojnë./atsh/KultPlus.com
Teatri i Operës dhe Baletit hapi thirrjen e tretë për Masterclass- Bashkëpunues, në programin profesional muzikor “Akademia Teatrale”, që synon evidentimin, promovimin dhe zhvillimin e talenteve të reja në disiplinën lirike.
Nën kujdesin e veçantë dhe mjeshtëror të sopranos ikonike, Ermonela Jaho, e cila hodhi gurin e parë të themelit të këtij programi, nga data 2– 5 tetor, artistët e rinj të moshës 18-30 vjeç, do të kenë mundësinë të trajnohen plotësisht pa pagesë, rreth teknikës fizike të këndimit, asaj të interpretimit e këndimit, përgatitjes psikologjke të repertorit dhe ndërtimit të një roli.
Aplikimet do të qëndrojnë të hapura deri më datë 25 shtator, për gjithkënd që e ndjen veten të vendosur teknikisht dhe do të përforcojë aftësitë nëpërmjet metodave të reja.
E veçanta e këtij masterclass-i është se do të mundësohet për gjithë të interesuarit të bëhen dëgjues, pa dallim moshe a profesioni. Gjithashtu TKOB fton edhe mësuesit /pedagogët e interesuar për të bashkëpunuar në ndërtimin e një plani të përbashkët pune me nxënësit /studentët, të cilët janë mëse të mirëpritur./atsh/KultPlus.com
Teatri Kombëtar i Operas e Baletit organizoi një konferencë për shtyp për vënien në skenë të operës “Aida” të Giuseppe Verdi-t. E pranishme, së bashku me drejtoren Abigeila Voshtina e dirigjentin Jacopo Sipari di Pescasseroli, ishte edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti. Ministrja shprehu mirënjohje për gjithë trupën e TKOBAP, që nga orkestra, kori, solistët, balerinët dhe prapavijën teknike që po përballon me sukses një kalendar sfidues.
“Sa herë që “Aida” vihet në skenë është një ngjarje e jashtëzakonshme jo vetëm sepse është një nga veprat më madhështore të repertorit operistik botëror, por për impenjimin që kërkon realizimi i një vepre të tillë”, është shprehur Margariti.
Hera e fundit kur “Aida” është ngjitur në skenën e TKOBAP ka qenë viti 2007.
“Jam e kënaqur që na rijepet mundësia të shohim një opera të këtyre përmasave, me regji, skenografi dhe kostumografi nga mjeshtri Franco Zeffirelli dhe që kërkon angazhimin e rreth 200 artistëve”, është shprehur në rrjetet sociale ministrja Margariti.
Opera e famshme e Giuseppe Verdi-t, vjen si premierë nga 23-27 qershor, në Teatrin e Operës dhe Baletit.
Trekëndëshi i një dashurie pasiononte të ndaluar mes princeshës së Etiopisë, Aida, komandantit të ushtrisë së Egjiptit, Radames, dhe të bijës së Faraonit, Amneris. Ngjarja merr tjetër rrjedhë kur Radames urdhërohet të luftojë në betejën kundër kombit të Etiopisë, duke mos ditur se Aida është princesha e tyre, dhe i tregon asaj të gjithë planin ushtarak./atsh/KultPlus.com
Mbrëmë në orën 20:00 në sallën e Teatrit të Operës dhe Baletit do të mbahet koncerti “Udhëtim muzikor”. Euronews Albania, ishte pjesë e provave gjenerale. Artistë të rinj të orkestrës simfonike të Forcave të Armatosura, do të luajnë së bashku me dy artistë francezë.
“Skica Simfonike” është vepra e kompozitores Diana Ziu, vepër e cila do të luhet sot për herë të parë.
“Mendoj që përkrah një repertori shumë të rëndësishëm, është një respekt, nder për mua. Bëhet pak lajm drejt muzikës simfonike sepse artistë ka. Mendoj që nuk është vonesë, por qasje, një lloj kalendari që duhet të bëhet,” – u shpreh Ziu.
Gërshetimi i veprave shqiptare dhe ato të huaja, sollën në Shqipëri violonçelistin Aurelien Sabouret dhe violinistin Frederic Laroque.
“Duhet shumë disiplinë, shumë qëndrueshmëri, pikërisht njësoj si parimet që ushtarakët përdorin dhe ne si muzikantë mundohemi të bëjmë muzikë, e të bërit zanat, fat që ndajmë muzikës së bashku,” – u shpreh violinisti Federic Laroque.
Ata tregojnë përjetimet e të luajturit me artistë më të rinj.
“Është kënaqësi që ndaj skenën me kolegun tim, por dhe më këta të rinj, që të përcjellin një energji pozitive. Do doja shumë të rikthehesha e të luaja përsëri në Shqipëri,” – tha violinçelisti Aurelien Sabouret.
Nën dirigjimin e Eno Koço, si dhe të dy dirigjentëve të rinj Harlen Nikolli dhe Laert Qazimi, sot në mbrëmje do të keni mundësi të shijoni disa nga simfonitë më të bukura të luajtura ndonjëherë në vendin tonë./KultPlus.com
Pas suksesit të koncertit me vepra të zgjedhura nga krijimtaria e kompozitorit Ennio Morricone, Teatri Kombëtar i Operas e Baletit, vijon me një program interesant. Vetëm gjatë këtij muaji janë vënë në program 14 shfaqje.
Mbrëmjen e datës 10 qershor do të jetë “Don’t cry for me Argentina” koncerti që do të vijë në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Madonna, Queen, Rolling Stones, The Beatles do të vijnë në sallë me një ndërthurje mes klasikes, pop-it dhe rock-ut, me Orkestrën Simfonike të TKOB-së, dirigjuar nga maestro italian, Roberto Molinelli.
Koncerti mban titullin e njërit prej hiteve të këngëtares me famë botërore, Madonna.
Një veçanti e programit të muajit qershor është se artistët e TKOBAP do të performojnë edhe jashtë mureve të TKOB. Event me rëndësi do të jetë ngjitja në skenë e Requiem të Verdit, nga Kori i TKOB dhe Orkestra Filharmonike e Kosovës, në qytetin e Prishtinës. Më pas është programuar një shfaqje e Ansamblit Popullor, dedikuar hapjes së sezonit turistik, në qytetin e Sarandës.
Qershori do të ketë edhe premiera siç është opera AIDA e Giuseppe Verdi, e cila do të vihet në skenë duke i qëndruar besnike regjisë së të famshmit Franco Zeffirelli./atsh/KultPlus.com
Koncerti me pjesë nga veprat e kompozitorit Ennio Morricone mund të konsiderohet si një nga kulminacionet e Javës Kulturore Italiane në Shqipëri.
I shumëpritur qëkurse u njoftua se do të ishte pjesë e programit të Javëve Kulturore, koncerti mori vëmendje të madhe dhe arriti të shesë në kohë rekord të gjitha biletat.
Orkestra Simfonike e TKOB-së u drejtua nga maestro Benedetto Montebello ndërsa Kori i TKOB-së nga maestro Dritan Lumshi. Gjatë koncertit performuan dhe dy sopranot: Rovena Xhelili dhe Marina Kurti.
Spektatorët ndoqën muzikën e mrekullueshme të një gjeniu të papërsëritshëm si Morricone, shoqëruar me imazhet filmike, kolonat zanore të të cilëve kanë mbetur në kujtesë. Kompozimet e Ennio Morricone-s janë përdorur për kolonat zanore të mbi 500 filmave.
Në përfundim të koncertit, mbështetur nga Instituti Italian i Kulturës dhe Ambasada Italiane, publiku duartrokiti me ovacione performancën e Orkestrës Simfonike dhe Korit të TOKB./atsh/KultPlus.com
Një nga sopranot dramatike më të suksesshme italiane, Anna Pirozzi, fama e së cilës kapërcen kufijtë e rajonit, ka sjellë me vokalin e saj brilant ariet më të bukura verdiane, në skenën gjigande të TKOB-së.
I cilësuar si një event unik për jetën artistike shqiptare, kjo mbrëmje përcolli emocione të veçanta për publikun shqiptar e të huaj. Koncerti u organizua me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturë dhe Ambasadës Italiane, në kuadër të Javës Kulturore Italiane organizuar nga Ministria e Kulturës.
Ministrja Margariti e vlerësoi si të jashtëzakonshme mbrëmjen e djeshme në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.
“Një nga yjet e lirikës botërore, sopranoja Anna Pirozzi nderoi skenën shqiptare, duke kulmuar Javën Italiane të Kulturës. Kënaqësi të isha pjesë e publikut për të shijuar interpretimin e saj”, shkroi ministrja e Kulturës në rrjetet sociale ndërsa ka ndarë me ndjekësit edhe një album fotografik nga koncerti i Anna Pirozzi-t dirigjuar nga një tjetër mjeshtër italian, Jacopo Sipari di Pescasseroli.
“Një duartrokitje të fortë edhe për Orkestrën Simfonike të Teatri Kombetar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, nën drejtimin e Jacopo Sipari di Pescasseroli , për performancën shkëlqyer”, shkruan ministrja e Kulturës, në përmbyllje të mesazhit të saj. Nga ana e tij, maestro Di Pescasseroli e vlerësoi koncertin si spektakolar.
“Jam thellësisht i mallëngjyer. Orkestra ime është “bombë” dhe Anna Pirozzi është legjendë”, shkroi dirigjenti në rrjetet sociale duke iu referuar orkestrës së TKOB.
Sopranoja e famshme Anna Pirozzi në TKOB, fotot Agim Dobi. / atsh / KultPlus.com
Kryevepra e baletit klasik “Don Kishoti” u rikthye mbrëmjen e djeshme në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas pas dy dekadash.
Shfaqja bazohet në romanin e famshëm satirik, me të njëjtin titull të Miguel de Cervantes.
Aventurat e Don Kishotit kanë mbërritur në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit nën koreografinë e mrekullueshme nga ikona europiane e baletit, Giuseppe Picone.
Ato u përcollën përmes gjuhës së trupit nga solistët profesionistë të TKOB-së, të cilët si drejtuese kanë artisten Alisa Gjoni.
Shfaqja erdhi nën dirigjimin orkestral të maestros së mirënjohur italian, Jacopo Sipari, shoqëruar nga Orkestra Simfonike e TKOB-së.
Kostumet e ideuara nga Dea Bejleri i dhanë jetë në skenë personazheve të veprës, duke nga rikthyer pas në kohën kur është shkruar vepra, në shekullin 17.
Historia e kalorësit legjendar që sfidon plot guxim mullinjtë e erës, do të shfaqet në TKOB sot, më 29 dhe 30 maj, ora 20:00./atsh/KultPlus.com
Drejtoresha e përgjithshme e Teatrit të Operas dhe Baletit, Abigeila Voshtina u takua me drejtorin e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore të Maqedonisë së Veriut, Shkodran Tola.
Gjatë takimit, Voshtina dhe Tola biseduan për vendosjen e urave të reja të ndërveprimit mes dy vendeve për organizimin e projekteve të përbashkëta.
Gjithashtu, Voshtina dhe Tola folën edhe për fuqizimin e kulturës shqiptare anekënd rajonit dhe përtej tij.
Drejtoresha e TKOB, Voshtina përgëzoi homologun Tolaj për punën dhe sukseset e njëpasnjëshme duke i premtuar mbështetje ansamblit shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Voshtina dhe Tolaj theksuan se koordinimi i përbashkët i ansambleve shtetërore në aktivitete të rëndësishme kombëtare duhet të jetë prioritet i tyre si drejtues institucionesh./KultPlus.com
Opera “Carmina Burana”, e kompozitorit Carl Orff rikthehet më 4 prill në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti bën të ditur se “kjo opera vjen si një bashkëpunim mes trupës artistike të TKOB-së dhe Filharmonisë së Kosovës, me Orkestrën Simfonike e Korin e TKOB-së, si dhe Orkestrën Simfonike të Forcave të Armatosura, Konservatorin Shtetëror të Salernos “Giuseppe Martucci” dhe Kori i “Zërave të bardhë”, TKOB”.
Me dirigjent orkestre, Jacopo Sipari di Pescasseroli, dirigjent kori i TKOB, Dritan Lumshi, dirigjent kori FK, Hajrullah Syla.
O Fortuna! Me këtë thirrje ndaj perëndeshës së fatit nis “Carmina Burana”, kjo kantatë skenike nga Carl Orff, i cili prej kohësh konsiderohet një klasik i ri i historisë së muzikës. Brilante në thjeshtësinë e vet, depërtuese në ritmikë dhe përjetësisht e re në tematikë, Carmina Burana i jep flatra fantazisë si rrallë ndonjë vepër tjetër muzikore e shek. XX./ atsh / KultPlus.com