Skena lëvizëse e TKOBAP, sonte në Durrës

Skena lëvizëse e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit e Ansamblit Popullor, ka ndërmarrë një “udhëtim” nëpër disa qytete të vendit, për ta çuar artin sa më pranë artdashësve, e për të mos qenë ekskluzivitet i kryeqytetit.

Fillimisht artistët e TKOBAP janë ndalur në Shkodër dhe në Kukës, ku çuan këngë e valle tradicionale, me orkestrën, solistët, grupin e valleve, dhe grupin koral të Ansamblit Popullor, nën kujdesin e Brikena Jaupajt dhe Alban Tahirit. Dy shfaqjet e para janë ndjekur nga një numër i madh spektatorësh dhe janë pëlqyer prej tyre. Në Shkodër skena u ngrit në sheshin përpara bashkisë, duke lejuar një numër më të madh njerëzish për të ndjekur spektaklin, nën dritat e shumta që shoqërojnë këtë atmosferë festash. Ndërsa në Kukës, koncerti u zhvillua në mjedis të mbyllur.

Udhëtimi nëpër Shqipëri do të vijojë deri më 30 dhjetor. Sonte Ansambli Popullor do të japë shfaqje në Durrës, ndërsa në datat në vazhdim do të interpretojnë në Fier, Vlorë dhe Korçë./atsh/KultPlus.com

Sezoni i ri në TKOBAP nis me Rachmaninoff

Mbrëmjen e 1 shtatorit, Teatri Kombëtar i Operas, Baletit e Ansamblit Popullor, do të nisë sezonin e ri artistik. Drejtorja e institucionit artistik, Abigeila Voshtina, në një postim në rrjetet sociale ftoi artdashësit  të bëhen pjesë e koncertit “Reinissance of a Barbarian of Artists”.

Salla e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit e Ansamblit Popullor do të elektrizohet nga ndërthurja e simfonisë e cila korri sukses në Leningrad, atë të Schostakoviçit dhe koncertit të mirënjohur të Rachmaninoffit.

Dirigjent do të jetë i mirënjohuri Jacopo Sipari di Pescasseroli ndërsa protagonist është pianisti me famë ndërkombëtare, Giuseppe Albanese.

Në sezonin e ri artistik TKOBAP do të drejtohet nga Abigeila Voshtina e cila u emërua në postin e drejtores së Përgjithshme, në fillim të muajit korrik. Voshtina premton një sezon me kalendar artistik të ngjeshur, duke zhvilluar fushat artistike dhe krijuar më shumë politika novatore për artdashësit./ atsh/ KultPlus.com

Ministrja Margariti uron Voshtinën: Të ngrejë cilësinë artistike të TKOBAP

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti uroi sot drejtoreshën e re të Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, Abigeila Voshtina.

Margariti uroi që Abigeila të jetë në lartësinë e detyrës, për të ngritur cilësinë artistike të institucionit që iu besua.

“Suksese Abigeila Voshtina në sfidën e drejtimit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, këtij institucioni unik në Shqipëri”, shkroi Margariti në një postim në rrjetet sociale.

“Urojmë që Abigeila, në krye të një stafi energjik e të talentuar, të çojë më tej punën e bërë deri më tani nga parardhësit dhe të jetë në lartësinë e detyrës, për të ngritur cilësinë artistike të teatrit; ta bëjë ftues për publikun e ri dhe një skenë të denjë për yje shqiptarë e ndërkombëtarë”, theksoi Margariti. / KultPlus.com

Abigeila Voshtina emërohet Drejtoreshë e Përgjithshme e TKOBAP

Këshilli i Ministrave emëroi sot Abigeila Voshtinën, në detyrën e drejtoreshës së përgjithshme të Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor.

Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave miratoi lirimin nga kjo detyrë të drejtoreshës aktuale të TKOBAP, Zana Çela, të cilën e mbante që nga gushti i vitit 2016.

Po ashtu me një tjetër vendim, Këshilli i Ministrave liroi nga detyra Elvis Koçin, drejtor i përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave.

Në vend të tij u emërua Iris Ago, e cila prej muajit dhjetor 2021 mbante pozicionin e Këshilltares në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë./atsh/ KultPlus.com

Ministria e Kulturës së Shqipërisë: Synimi ynë, TKOBAP të kthehet në pol artistik referues

Ministria e Kulturës fton opinionin publik dhe komunitetin e artistëve të kthejnë vëmendjen tek faktet dhe të vërtetat e prekshme të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, duke iu larguar dezinformimit dhe hamendësimeve të pabazuara, deri në trillime, mbi një të ardhme të TKOBAP jashtë strukturave të Ministrisë së Kulturës.

Në një deklaratë për shtyp, Ministria e Kulturës shprehet se Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit është jo vetëm një nga institucionet publike më prestigjioze, por dhe lider në jetën artistike në vend.

“Kërkesat dhe problematikat e shprehura herë pas here si në nivel institucional, nga trupat e teatrit, ashtu edhe nga komuniteti i gjerë i artistëve, kanë vënë në dukje nevojën për të hulumtuar modele të suksesshme, për rritjen e kapaciteteve financiare, njëkohësisht me rritjen e standardeve të aktivitetit artistik dhe produksioneve të të gjitha zhanreve. Nga ana tjetër, një nga misionet e Ministrisë së Kulturës është nxitja dhe promovimi i talenteve të reja. Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme në vite të drejtuesve të këtij institucioni, për të përfshirë në produksionet e tyre të rinj të talentuar, kjo ka qenë e vështirë, pikërisht nga mungesa e të ardhurave dhe strukturave të kufizuara. Mbështetja e talenteve të reja dhe rritja e konkurrencës është një aspekt i shëndetshëm, i cili do të kontribuonte drejtpërsëdrejti në rritjen e cilësisë artistike të institucionit”, thuhet në deklaratë.

Synimi i Ministrisë së Kulturës është që skena e TKOBAP të kthehet ne polin artistik referues, jo vetëm për hapësirën shqipfolëse, por edhe për vendet e rajonit.

“Kishte ardhur koha, që në shtëpinë e operës të ndodhte një ndryshim rrënjësor. E nisëm rrugëtimin tonë me investime në infrastrukturë, për të pasur një teatër të denjë për emrin që mban, atë të Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor.Vazhduam me rishikimin e kuadrit ligjor dhe ekonomik të tarifave dhe çmimeve të reduktuara për kategori të ndryshme shoqërore.Benefitet financiare që duhet të përfitojë “shtëpia” kombëtare e artit, kërkojnë rishikime të mëtejshme të kuadrit ligjor, që do të mundësojnë që, fondet e vetëgjeneruara të mbeten në arkën e Teatrit, në shërbim të artistëve dhe cilësisë artistike.Si shembuj reference po merren modelet më të suksesshme të teatrove nacionalë europianë, për të pasur një kuadër sa më të plotë të skemave të qëndrueshme”, thuhet në deklaratë.

Në vijim, Ministria e Kulturës shton se “aktualisht, të ardhurat e gjeneruara si nga biletat ashtu edhe nga përdorimi afatshkurtër i ambienteve të Teatrit, shkojnë në masën 70% në arkën e shtetit dhe vetëm 30% në atë te TKOBAP. Pandemia, kjo krizë e madhe botërore vendosi sfida të reja, por nxori në pah edhe më fort, rolin kyç që ka shteti në skemat menaxheriale të teatrove në mbarë botën”.

Ministria ka qëndruar e do qëndrojë gjithmonë një institucion me dyer të hapura për debatin konstruktiv dhe gjithmonë e distancuar nga dezinformimet dhe keqinterpretimet e fakteve./ atsh/ KultPlus.com

TKOBAP nis sezonin me projektin për fëmijë ‘Eja këndo me ne’

Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor nis sezonin e dedikuar, në kuadër të “Edukimit përmes Artit”.

Kori i TKOBAP dhe dirigjenti Dritan Lumshi në kuadër të “Edukimit përmes Artit” do të realizojnë projektin pilot “Eja Këndo me ne”, me nxënësit e shkollave 9-vjeçare. Ky projekt synon të njoh të rinjtë me elementët bazë të muzikës korale, si një nga përbërësit kryesorë të gjinisë operistike.

“Si tingulli i parë muzikor zëri mbetet edhe sot i pakonkurrueshëm. Ky tingull i magjishëm merr një fuqi të jashtëzakonshme kur bashkohet me zëra të tjerë dhe këndojnë në kor. Nëse asnjëherë nuk ke pasur guximin të shprehesh lirshëm me zërin tënd, të mposhtësh ndrojtjen e të zësh miq të rinj, eja këndo me ne, që të kuptosh se kori është magji”, thuhet në njoftim.

Kjo do të jetë motoja e këtij projekti të rëndësishëm, i cili organizohet nga TKOBAP për herë të parë, me publikun e vogël./ KultPlus.com