A e dini se J.R.R. Tolkien nuk i konsideronte “Kryezoti i unazave” dhe “Hobit” si veprat e tij të shkëlqyera, pasi për të ato ishin thjesht histori argëtuese?
Ishte pa dyshim shkrimtari i parë i fantazisë, që shkroi histori siç i shohim edhe në ditët e sotme. J.R.R Tolkien ishte nga të paktët autorë, që transformoi botën duke pasur një ndikim të madh tek shkrimtarët e letërsisë imagjinare, duke bashkëlidhur krijimtarinë e vet me botën reale dhe duke u dhënë shpresë njerëzve në kohë lufte.
John Ronald Reuel Tolkien lindi në 3 janar 1892 në Bloemfontein, Afrika e Jugut. Emri Tolkien besohet të jetë me origjinë gjermane, që nënkuptonte marrëzisht i guximshëm, ose tmerrësisht i zgjuar. Kur ishte 4 vjeç, i vdiq i ati nga ethet reumatike dhe ai shkoi të jetojë me nënën në Birmingham të Anglisë, së bashku me vëllanë e vogël, Hilari. Nuk kaloi shumë dhe, në vitin 1904, nëna e tij u diagnostikua me diabet dhe vdiq në nëntor të po atij viti. Djemtë u dërguan në shkolla me konvikt dhe Atë Morgen, një prift katolik, i mori nën kujdestari.
Kur John Ronald ishte 16-vjeç, ra në dashuri me Edith Bratt, një tjetër jetime, por Atë Morgen nuk e aprovoi, kështu që iu desh të priste deri në moshën 21-vjeç për t’i propozuar. Ndërkohë, ai ndoqi shkollën e “King Edward” në Birmingham dhe Kolegjin Exeter, Oxford në vitet 1915-1919. Gjatë qëndrimit në kolegj, u martua me Edith Bratt më 22 mars 1916.
Kur ishte 28 vjeç, u shkëput përkohësish nga mësimdhënia dhe mori pjesë në Betejën e Sommes, një nga pesë betejat më të mëdha dhe më të përgjakshme në historinë e njerëzimit, si dhe në konflikte të tjera gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në Betejën e Sommes luftuan mbi 3 milionë ushtarë, si rrjedhojë më shumë se 1 milionë u plagosën ose u vranë. Pas luftës iu rikthye mësimdhënies, duke e kaluar pjesën më të madhe të jetës duke dhënë anglisht dhe letërsi angleze, në Universitetet e Leeds, i specializuar në anglishten e vjetër dhe të mesme. Për t’u argëtuar, ai shkroi libra të zymtë dhe të pikëlluar, të cilët përfundimisht u bënë “Silmarillion”. “Hobit” mendohej të ishte një libër zbavitës për fëmijët e tij, ndaj kur e botoi, botuesi i kërkoi një vazhdim.
Të paktë janë ata shkrimtarë të aftë, që mund ta lidhin krijimtarinë e tyre me jetën reale. “Hobit” u bë i njohur në mbarë botën dhe u përkthye në më shumë se 50 gjuhë të ndryshme, duke u shitur më shumë se 100 milionë kopje në të gjithë botën dhe është libri i gjashtë më i shitur në historinë njerëzore, ndërsa “Kryezoti i unazave” zë vendin e 3-të.
Tolkien e kishte shkruar “Hobit” si histori zbavitëse për fëmijë për një aventurier të vogël që shkoi dhe vodhi arin e një dragoi, duke hasur në rreziqe të shumta gjatë rrugës. Ishte menduar që t’i bënte fëmijët për të qeshur dhe ngazëllyer. Për herë të parë libri u botua gjatë mesit të Luftës së Dytë Botërore dhe pati një domethënie të veçantë për familjet që kishin anëtarë të dashur të familjes në luftë. Në njëfarë mënyre u dha shpresë, se të gjithë do të ishin mirë dhe të dashurit e tyre do të ktheheshin të sigurt dhe të shëndoshë.
Po ashtu “Hobit” frymëzoi edhe luftëtarët, pasi ata panë se si personazhet kishin kapërcyer pengesat sfiduese, i zemëroi teksa panë se si Bilbo dhe xhuxhët luftuan dragoin dhe bëri që ta mirëpritsnin veprën. Një tjetër arsye që bëri që ata të lidheshin aq mirë me librin, ishte fakti që luftëtarët po përballeshin me vështirësi njëlloj si personazhet, prej nga u frymëzuan nga shpresa që karakterizonte personazhet për ta transferuar atë në jetën reale.
“Hobit” dhe “Kryzoti i unazave” jo vetëm që frymëzuan luftëtarët, por edhe lexuesit anembanë. Këto libra janë padyshim mirëfilli fantazi, gjithsesi kjo nuk ua zbeh aspak efektin që përhapin tek lexuesi. Personazhet e librit lidhen me botën reale në kaq shumë mënyra: ata duhet të vazhdojnë dhe luftojnë përmes sfidave, dhe ata kanë sukses në shumë prej këtyre sfidave. Por më e rëndësishme është që personazhet e ndryshojnë tërësisht linjën e tregimit në një mënyrë që librat e tjerë nuk e bënë. Personazhet mësojnë mësime dhe ndërsa vazhdoni të lexoni, personazhet mësojnë më shumë rreth historisë së Tokës së Mesme.
Ky koncept mahniti lexuesit, sepse nuk ishte përdorur kurrë. Disa nga këta lexues vazhduan të krijojnë muzikë, lojëra dhe libra të tjerë bazuar në këto histori. “Kryezoti i unazave” ishte një gur i fortë për lojëra si “Dungeon” dhe “Dragon”, i cili përfshinte shumë nga lojërta fantastike që u shfaqën në Tokën e Mesme. Muzikanti i parë që solli në jetë këngë nga librat ishte Donald Swann, i cili mori gjashtë poezi për t’i shndërruar në tekste këngësh, me lejen dhe miratimin e J.R.R Tolkien etj.
Librat e J.R.R Tolkien ishin disa nga historitë më me ndikim të shkruara ndonjëherë për shkrimtarët letërsisë triller në të gjithë botën. Personazhet e librave në vend që të mbeteshin në vendnumëro, u rritën dhe ndryshuan me kalimin e kohës, të njëjtën gjë bëri edhe bota e tyre. Autori i dha një histori “Kryezotit të unazave” dhe “Hobit” me betejat e ndërmarra, dimrat e vështirë apo një vit veçanërisht prodhimtar në krijimin e birrës. Kjo tregimtari e bëri historinë që po ndodhte të dukej shumë më e vërtetë.
Bota në librat “Hobit” dhe “Kryezoti i unazave” është një botë plotësisht e sajuar, me gjuhën e vet karakteristke. Autoei shpiku dialekte të shumta që për këto libra, njëherazi edhe për argëtim, veçanti që e tërheq lexuesin dhe u krijon mundësinë ta gjejnë më lehtë lidhjen midis tyre dhe librit. Tolkien nuk i populloi librat e tij me aventura çudibërëse dhe të çuditshme si shumë shkrimtarë të letërsisë fantastike në atë periudhë, ai u dha personazheve një qëllim dhe qëllim të vërtetë.
Në ditët e sotme, shkrimtarë nga e gjithë bota marrin parasysh gjithçka që i bëri të veçantë tregimet e J.R.R. Tolkien, qoftë ajo gjuhësore, historia apo komplotet e personazheve, për t’i përfshirë ato në shkrimet e tyre.
J.R.R. Tolkien ishte një pionier i botës së fantazisë dhe frymëzoi njerëz në të gjithë botën që të ndjekin dhe të arrijnë ëndrrat e tyre. J.R.R Tolkien është krijues i modelit të ndryshimeve, sepse formësoi librat që lexojmë sot me kaq endje.
Që nga vdekja e tij më 2 shtator 1973 në moshën 81-vjeç, ndikimi i John Ronald Reuel Tolkien, i njohur si J.R.R. Tolkien vijon të rritet. Filolog, profesor dhe shkrimtar, Tolkien ia kushtoi pjesën më të madhe të jetës së tij “legendarium”-it, fjalës që ai i referohej krijimtarisë vendosur në Tokën e Mesme dhe zonave përreth. Tolkien kaloi më shumë se 50-vjet duke shkruar poemat dhe trillimet e legendariumit të tij; rezultati është një krijimtaria e gjerë dhe jashtëzakonisht mbresëlënëse. / KultPlus.com