Hapet ekspozita arkeologjike e autorit Tomor Kastrati

Muzeu Kombëtar i Kosovës organizoi hapjen e ekspozitës me tematikë arkeologjike “Trashëgimia Arkeologjike Adriatiko-Mediteriane në Kosovë” të autorit Tomor Kastrati.

Tematika pasqyron karakterin e përbashkët kulturor të bartësve të ndryshëm nder breza dhe vende, të manifestuar në trashëgiminë materiale në forma të caktuara si stoli, armë, monedha, fortifikime, enë dhurimesh të cilat janë ruajtur dhe promovohen në kuadër të trashëgimisë arkeologjike të Kosovës.

Për vizitorët ofrohen dy paraqitje që i takojnë një tërësie:, artefakte tredimensionale nga fondi ekzistues dhe fotografi arkivore te disa objekteve që në një apo mënyrë tjetër janë marrë dhe nuk janë kthyer më.

Drejtori i Muzeut të Kosovës, Ajet Leci tha se kjo ekspozitë është e veçantë pasi na kujton kohën e lashtë.

“Ekspozita organizohet në ditëlindjen e 12 të Pavarësisë së Kosovës dhe ka një  rëndësi të veçantë se na kujton kohën tonë të lashtë nga koha e neolitit dhe mesjetë falë sakrificave  të brezave nga pavarësia e Shqipërisë 1912 deri në çlirimin e Kosovës 1999 ne sot jemi të lirë”, tha ai.

Autori Tomor Kastrati tha se qëllimi i kësaj ekspozite ka qenë të informojnë opinionin dhe studiuesit me disa informacione interesante  të trashëgimisë arkeologjike

“Ekspozita  arkeologjike trashëgimia është në këtë pjesë jo të plotë e përfaqësuar këtu. kemi paraqitur disa artefakte që j kemi në dispozicion dhe disa qe mungojnë i kemi paraqitur në formë të fotografive. Qëllimi ka qenë t’i njoftojmë opinionin dhe studiuesit me disa informacione interesante të kësaj trashëgimie arkeologjike. Shpresojmë në të ardhmen ta plotësojmë”, tha ai.

Eksponatet e prezantuara i përkasin periudhave te ndryshme kohore që nga Neoliti e deri në Mesjetë dhe janë përzgjedhur nga lokalitete përfaqësuese. / ekonomiaonline /KultPlus.com