Tomori i mbuluar me dëborë, destinacion i turizmit dimëror

Reshjet e dëborës kanë mbuluar malin e Tomorit duke ofruar një pamje piktoreske.

Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo ndau sot në rrjetet sociale foto nga Tomori nën petkun e dëborës, i cili me bukurinë e tij fton të apasionuarit pas alpinizmit të kalojnë një ditë ndryshe në peizazhin e bardhë të kësaj lartësie.

Në malin e Tomorit në lartësinë 2417 m mbi nivelin e detit ndodhet edhe Tyrbja e Abaz Aliut, e cila është një destinacion turistik për adhuruesit e aventurës, vëzhgimit dhe patjetër edhe për besimtarët që kryejnë pelegrinazh.

Kujdesi i treguar nga Administrata e këtij parku në menaxhimin e mjediseve turistike dhe të shoqërimit të vizitorëve me guida turistike që njohin shtigjet dhe vendet e kalueshme për në hapësirat turistike të Tomorit, kanë bërë që ky park të vizitohet në çdo stinë të vitit.

Mali i Tomorit shtrihet në lindje të qytetit të Beratit dhe verilindje të qytetit të Çorovodës dhe gëzon statusin e Parkut Kombëtar. Aty nuk mungojnë ngjitjet sportive në shpatet me borë apo aventurierë të raftingut në kanionet e Osumit.

Nën këmbët e Tomorit, rrjedh Lumi Osum që duke zbritur nga terrene tepër malore ka krijuar kanionet e famshme të tij tepër të vizituara, sidomos gjatë stinës së verës.

Por, jo vetëm kanionet, në këtë itinerar gjenden dhe disa objekte kulti të feve kristiane e bektashiane dhe monumente të natyrës dhe të kulturës./atsh/ KultPlus.com

Tomori, froni që bashkon bektashijtë shqiptarë

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi ka përshëndetur pelegrinët në Malin e Tomorrit.

“U dërgoj përshëndetjet e mia të përzemërta besimtarëve bektashinj që janë ngjitur këto ditë në Malin e Shenjtë të Tomorit. Mali i Tomorit është froni që ka bashkuar, bashkon e do të bashkojë bektashinjtë shqiptarë, në dashurinë, përkushtimin dhe sakrificat për njeri-tjetrin, për besimtarët e besimeve të tjera dhe Shqipërinë. Pelegrinazhi i sivjetëm zhvillohet në kushtet e kufizimeve dhe mundimeve që na ka imponuar pandemia. Lutem e uroj që pelegrinazhin e vitit të ardhshëm dhe festat e tjera t’i kremtojmë pasi të kemi lënë pas sakrificat e shkaktuara prej saj”, thotë Ruçi në mesazhin e tij.

Më tej si shton se “pelegrinazhi juaj nuk është thjesht një ritual dhe përkushtim fetar, por një koncert besimi dhe optimizmi, në kërkim të lumturisë e të harmonisë, që i bën njerëzit më të mirë, në një Shqipëri të begatë dhe në një botë paqësore”.

“Pelegrinazhi juaj na rikujton se Atdheu, Toleranca dhe Edukimi janë kryevlerat e trashëgimisë së bektashijve. Le të mësojmë të gjithë nga kjo pasuri fetare, shpirtërore, kulturore e kombëtare”, thotë në mesazhin e tij drejtuar pelegrinëve në Malin e Tomorit, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi. /atsh/ KultPlus.com