Dy institucione kulturore në Lezhës, që mbajnë emrin e Poetit Kombëtar (Biblioteka e qytetit “Gjergj Fishta” dhe Enti Botues “Gjergj Fishta”), kanë organizuar një takim me fishtologun Tonin Çobani, me rastin e 70-vjetorit të lindjes së këtij të fundit.
Kësaj veprimtarie i ka paraprirë një ekspozitë me botimet e “shkrimtarit dhe studiuesit lezhjan”, i njohur në atë qytet si drejtues i institucioneve të kulturës, gazetar i rubrikave kulturore dhe si mësues letërsie. Libri me titull “Paralele kulturore të një qytetit” flet për Lezhën dhe është pasqyrë e veprimtarisë së tij më se tridhjetëvjeçare në atë qytet.
Së bashku me “Paralele kulturore…”, vendin kryesor në ekspozitën e botimeve të Çobanit e kanë zënë librat për Fishtën dhe veprën e tij: “Miti dhe antimiti fishtjan” (1999), “Fishtologji” (2006), “Figurat mitologjike në Lahutë të Malcis” (2008), “Lahuta e Malcis, ngjizja mitologjike dhe fjalori mitologjik” (2012), “Gjergj Fishta dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit” (2014) si dhe botimi më i ri, “Gjergj Fishta, fillimet letrare” (2017), që u përurua me këtë rast. Tonin Çobani është autor edhe i tekstit mësimor “Gjuha shqipe dhe letërsia 11” (me zgjedhje të detyruar, që analizon nga fillimi në krye vetëm Lahutën e Malcis), i cili është në qarkullim për shkollat e mesme qysh prej vitit 2011.
Për Fishtën Çobani është angazhuar edhe duke përgatitur për botim veprat e poetit zadrimor, që nisin me vëllimin “Poezi” (1994) dhe “Juda Makabe” (1995), e deri te botimi i veprave të plota në 10 vëllime, si redaktor përgjegjës dhe si kurator i dy vëllimeve të dramaturgjisë (Gjergj Fishta, Vepra letrare, 5-6). Vetëm titujt e botimeve origjinale të Çobanit (përfshirë tekstet shkollore) kapin shifrën 36, ndërsa së bashku me ribotimet e kalojnë numrin 60. Ndonjë prej tyre, si “Princi i përfolur Lekë Dukagjini” (“The vilified prince Lekë Dukagjni”), është botuar disa muaj më parë edhe në anglisht nga LAP, Lambert Academic Publishing.
Ndërkaq në njërën prej sallave të bibliotekës së Lezhës u zhvillua takimi me shkrimtarin dhe studiuesin Tonin Çobani në formatin e një bisedë të lirë. Tonin Çobani ka gradën shkencore “Doktor i Shkencave letrare” dhe titullin “Profesor i asociuar” nga Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Në atë Universitet Profesor Tonçi (kështu e thirrasin ish-nxënësit dhe studentët e tij) ka dhënë për 6 vjet radhazi lëndën e Eseistikës (në degën e gazetarisë) si pedagog i jashtëm. U përmend ky fakt, sepse në ekspozitën e librave të autorit zinte vënd edhe teksti universitar “Eseistika”, i pari dhe i vetmi libër për eseistikën në gjuhën shqipe, që i ka fillimet me Pashko Vasën (“Shqypnia dhe shqyptarët”, 1879) për të mbërritur deri në ditët e sotme me autorë të tillë si Ibrahim Rugova dhe Ismail Kadare…
Me interes të veçantë u ndoqën vlerësimet për letërsinë fiction të autorit (“Një grua përballë vetvetes”, “Puthje pa puthje” dhe “Etyde në prozë”), për vëllimin me ese “Variacione me fjalën komb”, si dhe për monografitë kushtuar Lekë Dukagjinit, Frang Bardhit, Pjetër Zarishit, Nënë Terezës… Për një monografi të pritshme kushtuar Gjergj Fishtës, shkrimtari dhe studiuesi Tonin Çobani u shpreh se pjesë e asaj monografie është edhe libri i ri që po promovohej (“Gjergj Fishta, fillimet letrare”) me parathënien e mikut të tij, Tefë Topallit, Profesor Emeritus. Për Gjergj Fishtën, përfundoi Çobani, nuk do të resht së hulumtuari sa të më punojë dora dhe mendja, sepse, vetëm duke zbuluar sa më në thellësi vlerat e Fishtës, njihet meritueshëm e gjithë letërsia shqipe dhe mbarë kultura shqiptare e gjysmës së parë të shekullit XX, dhe jo vetëm. Siç thoshte Konica për Fishtën qysh në gjallje, ai ka qenë një prijës intelektual i shquar i shqiptarëve.
Në bashkëbisedim e morën fjalën miq të autorit, shokë të fëmijërisë, bashkënxënës të Shkollës Pedagogjike të Shkodrës, të Universitetit të Tiranë dhe të Studimeve Pasuiniversitare. E mori fjalën edhe nënkryetari i Bashkisë së Lezhës, Enver Hafizi, i cili shpjegoi titullin “Nderi i Qyetit” të Lezhës, akorduar me këtë rast studiuesit, shkrimtarit dhe fishtologut, Tonin Çobani. / KultPlus.com