‘Mora fjalë’ nën interpretimin mahnitës të Tony Drum Studio (VIDEO)

Në 10-vjetorin e themelimit, grupi Tony Drum Studio ka realizuar koncertin ‘10 years on the Beat’, përcjell KultPlus.

Në këtë koncert, Tony Drum Studio & Friends kanë risjellë edhe këngën ‘Mora fjalë’ të këngëtares Shkurte Fejza, nën interpretimin e pashoq të 50 bateristëve.

Koncerti i cili shënoi 10 vite të plota të Tony Drum Studio u mbajt në Prishtinë, më 25 shtator/KultPlus.com

‘Tony Drum Studio’ në koncertin e nëntë shpalosi mrekullinë e këngëve të viteve të 90-ta

Era Berisha

Dhuntia e gjithsej njëmbëdhjetë bateristëve (Rubin Pergega, Lis Plakolli, Eron Marashi, Lorenc Xhelili, Jon Çarkaxhiu, Jori Blakiqi, Lana Blakiqi, Zog Berisha, Malsor Morina, Olti Berisha, Fion Aliu), ka ardhur mbrëmë nëpërmjet koncertit tradicional të “TonyDrumStudio”. Ka qenë një mbrëmje ku është dalluar krejt lehtazi pasioni i gjithsecilit për të shfaqur dashurinë e tyre ndaj baterive. Tash e nëntë vite, promovimi i bateristëve për këtë studio ka qenë pikë kyçe, dhe po vazhdon të jetë e tillë, shkruan KultPlus.

Pak para se koncerti të gjente fillimin e tij, ishin të pranishmit e shumtë ata që kanë zënë hapësirën e Teatrit Oda në masë të madhe. Karriget e shumta tashmë ishin mbushur, por kjo nuk i ndaloi të pranishmit që ta ndiqnin koncertin edhe në këmbë. Në anën tjetër, qe ndriçimi me reflektorë në ngjyrë të vjollce dhe të kaltër, ajo që i ka dhënë një hijeshi tjetër kësaj mbrëmjeje. Ndërsa, dritat e ngrohta kanë qenë ato që pingul kanë reflektuar mbi skenë, asisoj që duart e bateristëve të rinj të jenë fokusi kryesor i mbrëmjes.

Fillimisht, ishte moderatorja Vlora Merovci ajo që nisi mbrëmjen me një fjalë rasti, ku është shprehur se këngët e planifikuara janë këngë të cilat kanë gjetur strehë në shumë kë.

“Besoj që ky koncert na kthen prapa në kohë dhe na kujton se si kanë filluar bateristët shqiptarë për të performuar nëpër rrugë në vitet e 90-ta. Është e pamundur për t’iu referuar atyre viteve, pa na ngjallë shumë emocione, ku besoj që edhe gjenerata jonë që kemi jetuar atë kohë, kemi shumë kujtime e momente nga kohë të vështira. Epoka e kthesës ka qenë viti 1991, ku në Televizionin e Prishtinës hynë masat e dhunshme dhe njëkohësisht ishte fundi i një fillimi të ri, momenti kur artistët tanë morën guximin dhe ishte muzika ajo që i dha ngjyrë jetëve tona, në një kohë pa ngjyra. Gjithë ajo kohë, ai mllef, e ajo protestë ka qenë arsye e shumë këngëve që na kanë dhënë guxim, emocion të madh, e jemi rritur me to shpirtërisht e fizikisht”, thotë Merovci.

Kur ora shënoi fiks 19:10, bateristët e rinj dolën në skenë dhe krejt çka ishin para tyre, qenë objektet si kovat apo gypat që shërbenin për improvizimin e baterive. Me shkopinj në duar nisi gjithë loja e tyre. Zhurma e krijuar nga harmonia e tyre e përbashkët, ka qenë simboli i kësaj nate që me të vërtetë do të mbetet një nga netët më të paharruara.

“Albanian 90’s” është titulluar ky koncert që për temë ka muzikën shqipe të viteve të 90’ta, dhe gjithçka mbrëmë është lidhur me atë periudhë. Këngët e njohura janë rikthyer në versione më moderne, mirëpo gjithmonë duke e ruajtur origjinalitetin e tyre. Këtë vit, ka qenë edhe orkestra ajo që dukshëm ka luajtur rolin e saj, duke filluar nga dirigjenti Arbnor Gashi, nën udhëheqjen e Artan Elshanit, e deri tek vokalet e mahnitshme të Agim Gërgurit, Bekim Hallaqit, Arbër Krasniqit, Vesa Kelmendit, Dafina Bytyqit, Erza Qerkinit, Rita Hysenit dhe Labinot Reqicës.

“Beso në diell”, “E dua Dashurinë”, “Ëndërr”, “Dashurinë ku e kam” dhe “Ujku plak”, ishin disa nga këngët më të bukura që kanë ardhur në mënyrë të jashtëzakonshme. Ndjeshmëria e përçuar, vokalet dhe instrumentet harkore në ndërlidhje me talentin e bateristëve, kanë arritur që ta mbështjellin këtë natë brenda një bote muzikore ku magjia është ekzistuese.

Ndërkohë, nuk kanë munguar as edhe hitet e tjera të cilat kanë ardhur nëpërmjet interpretimeve të mrekullueshme. Për këtë mbrëmje që jehoi nëpër tinguj shqiptarë, ishin pikërisht duartrokitjet dhe brohoritjet e shumta ato që sinjalizuan për fundin e kësaj mbrëmjeje të veçantë.

Ndërsa, Faton Aliu është shprehur tejet falënderues ndaj të pranishmëve e sidomos në veçanti ndaj bendit.

“Si zakonisht, unë kam shumë emocione kur i shoh më të dashurit e mi këtu dhe shumica nga ju jeni dashamirë të artit. Faleminderit shumë që keni ardhur dhe dua ta falënderoj në veçanti bendin, maestron Arbnor Gashi, Artan Elshanin, mikun Festim Kabashi e të tjerët”, ka thënë Aliu.

Koncerti “Albanian 90’s” u zhvillua nën moderimin e Vlora Merovcit, konceptin e Fion Aliut, kurse drejtues dhe producent gjeneral ishte Faton Aliu.

Koncerti është përkrahur nga Komuna e Prishtinës dhe Radio Televizioni i Kosovës. / KultPlus.com

Me interpretimin e këngëve të viteve të 90-ta do të shënohet edicioni i nëntë nga Tony Drum Studio

Edhe këtë vit do të organizohet koncerti i 9-të i Albanian 90’s, i cili do të mbahet më 17 tetor në Teatrin Oda, shkruan KultPlus.

Koncerti i cili tashmë është bërë dhe traditë që po mbahet tash e 9 vjet në Kosovë është në përfundim të të gjitha përgatitjeve dhe është gati që të mbahet edhe këtë vit.

Organizatori i këtij koncerti, Faton Aliu tha për KultPlus se koncerti Albanian 90’s, i cili do të mbahet këtë vit, ka për qëllim promovimin e bateristëve të rinj të Tony Drum Studio dhe do të synojë të interpretojë muzikën e viteve ’90-ta.

Për KlutPlus Aliu tha se arsyeja pse kanë zgjedhur konkretisht muzikën e viteve 90 është se gjeneratat e reja nuk janë shumë të informuar me muzikën e këtyre viteve.

“Arsyeja pse tema e këtij koncerti është muzika shqiptare e viteve 90-ta është fakti që gjeneratat e reja nuk janë të informuar mirë. Po ashtu këngët do të rikthehen në versione më moderne, mirëpo duke e ruajtur origjinalitetin e tyre”, ka thënë Aliu.

Përpos që bateristi do ketë rolin kryesor ashtu si në koncertet e kaluara, këtë vit orkestra është shumë më e madhe, me dirigjenti Arbnor Gashi, orkestra nën udhëheqjen e Artan Elshanit, nën vokalet e Agim Gërguri, Bekim Hallaqi, Arbër Krasniqi, Vesa Kelmendi, Dafina Bytyqi, Erza Qerkini, Rita Hyseni dhe Labinot Reqica.

Koncerti do të nisë në orën 19:00 në teatrin Oda dhe nën moderimin e Vlora Merovcit, konceptin e Fion Aliut, kurse drejtues dhe producent gjeneral: Faton Aliu.

Ky koncert është mbështetë nga Komuna e Prishtinës dhe Radio Telvizioni i Kosovës./ KultPlus.com

“Fjalët e qiririt” nën tingujt e fuqishëm të muzikës rok

Poezia e famshme e Naim Frashërit, “Fjalët e Qiririt” të cilën Ilir Shaqiri e ka kthyer në këngë, së fundmi ka ardhur në versionin cover, shkruan Kultplus.

Nën prodhimin e Radio Televizionit të Kosovës, vokalistët Teuta Kurti, Florent Abrashi, Altin Kuçi sjellën magjishëm nëpërmjet zërave të tyre një formë ndryshe të kësaj kënge.

Mesazhin e poezisë e fuqizuan edhe më shumë basistët e Tony Drums Studio, të cilët tanimë janë të njohur për interpretimet fantastike të tyre, si dhe Bendi i RTK-së.

Përndryshe, versioni nën moton “Bashkë bëjmë dritë” ka të realizuar edhe një videoklip, e cila sjell performancën e drejtpërdrejtë të këngëtarve dhe bendeve.

Përveç kësaj, videoklipi nis me performancë artistike nga aktorët Bislim Muçaj dhe Zana Berisha, të cilët recitojnë poezinë e famshme të Frashërit.

Në disa sekuenca shfaqet edhe  sheshi plotë drita i Prishtinës, por që ka mbetur pa njeri për shkak të kufizimit të lëvizjes, e që këto pamje i zbukurojnë balerinët Behije Murtezi, Driton Saqipi  me artin e tyre.

“Fjalët e qiririt” përherë do të mbetet një perlë për letësinë dhe muzikën shqiptare. / KultPlus.com

Bateritë e ‘Tony Drum Studio’ sjellin magjishëm Himnin e Flamurit

Bateristë të shumtë në kuadër të ‘Tony Drum Studio’ për nder të ditës së 28 Nëntorit kanë sjellur perfomancën e tyre më të re, shkruan KultPlus.

Teksa jemi mësuar që vargjet e Himnit të Flamurit të përcjellen me plotë emocione nga interpretues të shumtë, kësaj radhe këta bateristë kanë lënë që melodia të flas vetë.

Instrumentet e shumta muzikore dhe manovrimet me gishtat e performuesve kanë sjellur një version tejet të këndshëm të Himnit të Flamurit.

Një melodi e fuqishme e dalë nga bateritë, e mbështjellur me ndjenjat që përçohen te audienca me Himnin e Flamurit, kanë bërë që ky interpretim të del fantastik.

Kujtojmë që ‘Tony Drum Studio’ herën e kaluar kanë bërë bujë nëpërmjet interpretimit të Bareshës. / KultPlus.com

Kënga “Baresha” si asnjëherë më parë, interpretim rrëqethës nga 50 bateristë (VIDEO)

Tingujt e bukur të këngës “Baresha” kësaj here nuk u shoqëruan nga zëri që ka depërtuar ndër vite në zemrat e të gjithëve, Nexhmije Pagarushës, por erdhi e interpretuar mrekullueshëm nga bateritë e Tony Drum Studio, shkruan KultPlus.

Në pikën hapëse të koncertit, 50 bateristë të moshave të ndryshme ishin bërë gati që të sillnin një version krejt ndryshe të këngës së njohur “Baresha”. Me një vrull melodish që dinë të dalin nga bateritë dhe bashkë me elegancën që ka kjo këngë në vete, Tony Drum na kanë bërë të mallëngjehemi me artin që i dhuruan publikut.

Prapa tyre ishte fotografia e ikonës së muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarushës, teksa ata me plotë emocion e jetësonin këngën në melodi.

Në koncertin që Tomy Drum Studio shkëlqyen, qëllimi ishte promovimi i bateristëve të rijnë, ashtu siç është bërë traditë tash e disa vite. Në këtë edicion pika hapëse e koncertit iu kushtua nderimit të figurave të kulturës dhe artit shqiptar që ndërruan jetë gjatë pandemisë.

Ky grup i muzikantëve të rinj të cilët premtojnë shumë, janë shkolla e parë në trojet shqiptare për mësimin e baterive dhe ky ishte koncerti i shtatë me radhë i tyre si Tony Drum Studio./KultPlus.com

‘Tony Drum Studio’ në koncertin e shtatë nderon figurat e kulturës që u shuan gjatë pandemisë

Shkolla e parë në trojet shqiptare për mësimin e baterive, Tony Drum Studio organizon koncertin e shtatë me radhë për bateri.

Qëllimi i organizimit të këtij koncerti është promovimi i batersitëve të rijnë, ashtu siç është bërë traditë tash e disa vite. Në këtë edicion pika hapëse e koncertit do tu kushtohet nderimit të figurave të kulturës dhe artit shqiptar që ndërruan jetë gjatë pandemisë.

Në pikën hapëse do të luhet në bateri, kënga ‘Baresha’ e këngëtares tonë të madhe Nexhmie Pagarusha. Gjatë performimit të kësaj kënge do të shfaqen edhe fotot e artistëve tjerë të mëdhenj.

Koncerti do të vazhdoj me batersitët e tjerë që do të luajnë individualisht këngët e përzgjedhura në përcjelljen e bendit profesional dhe këngëtareve të skenës shqiptare.

Koncerti është gjiruar në Sheshin 21 dhe do të transmetohet gjatë kësaj jave në RTV 21./ KultPlus.com