Topika në disa romane të decenies së fundit

Dije Demiri- Frangu

Empiria kombëtare historike, e kombinuar të shpeshtën me kodin mitik, ka ndërtuar në prozën tonë një strukturë të larmishme të topikës,duke harmonizuar njësi tematike të ndryshme në kontekste të ndryshme kohore e me forma të ndryshme të rrëfimit, që bartin poetikën e kësaj proze.

Konflikte historike dhe shpirtërore, që lidhen me psikologjinë tradicionale dhe me faktet reale, gjenerojnë nëntema tema e ide të cilat të dekoduara, shpërfaqin preokupimin e krijuesit tonë. Viteve të fundit hetohet një kombinim, një paralelizëm mes temave me subject të së kaluarës e aktualitetit, e sidomos tema që lidhen me politikën aktuale. Një numër i krijuesve merret me historinë jo të largët-luftën e fundit në Kosovë në kontekst të problemeve ndërnacionale, që vazhdojnë të prodhojnë pasiguri dhe urrejtje. Ato, doemos se janë janë bartëse të refleksionioneve autoriale, mbi përvojat e individëve historik, e të atyre bashkëkohorë, por cdoherë me tendencë të reflektimit të ideve qytetare dhe të lirisë, si koncept universal.Duke ndërtuar gjendje historike e fiksionale, duke prekur edhe kufinjtë e mitit, nxjerret qëllimi i rifunksionalizimit të historisë dhe mitologjisë, risementimi I lashtësisë dhe identitetit, në shërbim të aktuales.

Topika e këtyre romaneve del të jenë raportet ndëretnike, vrasja e humanes nga politika, të pagjeturit e luftës, mitet sërbe e sidomos thirrja për një pajtim, që del të jetë edhe si shlirim i autorëve dhe ideve të tyre për një liri globale.

Avansimi i prozës sonë përmes këtyre romaneve të reja, shënohet me qasjen psikoanalitike të autorëve në ndërtimin e subjekteve letrare, ku bota e njeriut të sotëm, si mekanizëm të brendshëm lëvizës e edhe frenues, ka pasigurinë, stresin, krizat ndryshme dhe ankthet. Këto romane nuk kanë vetëm vlerën e romanve të lexueshëm, por duke shmangur linearitetin, arrijnë të ndërtojnë nëntekstin, perspektivën rrëfimore, krahas retropektivës, informacionit, kuptimeve mitike, duke bërë rrëfimin si ligjërim, storje, imazh dhe kuptim./ KultPlus.com