Prindërit gjithmonë janë në kërkim të këshillave për rritjen e fëmijëve të tyre. Nënat veçanërisht dëshirojnë që të krijojnë një balancë mes mënyrës se si veprojnë dhe këshillave që marrin nga nënat e tjera.
Në një farë mënyre këshillat ndihmojnë. A keni pyetur veten se si njerëzit e famshëm këshillojnë miqtë apo fëmijët e tyre, kur bëhet fjalë për prindërimin? Shpesh kemi dëgjuar për familje të shkatërruara, fëmijë që rriten pa ndikimin e prindërve, e megjithatë mes njerëzve të famshëm ka dhe nga ata prindër që përpiqen t’i edukojnë fëmijët për rrugën të cilën duhet të ndjekin. Jeni kurioz të njiheni me disa prej tyre?
-Tori Spelling, aktore amerikane dhe autore. Roli i saj i parë i rëndësishëm ka qenë në filmin Beverly Hills në vitin 1990, në rolin e Dona Martin. Ajo ka shkruar një libër autobiografik, Story Telling, që ka qenë ndër më të shiturit sipas New York Times dhe është cilësuar si autobiografia e vitit 2009.
Ajo thotë: “Këshilla më e mirë që kam marrë ndonjëherë është, ‘Mos dëgjo askënd për mënyrën se si duhet të sillesh si nënë. Kjo më ka ndihmuar që të kaloj përmes shumë situatave të vështira. Fillimisht kam qenë e fiksuar që të dija se si vepronin nënat e tjera, por kuptova se të dëgjosh instinktin e brendshëm të një nëne, të shtyn gjithmonë drejt vendimit të duhur.”
-Angelina Jolie, aktore amerikane, producente filmi, dhe humaniste. Ajo është vlerësuar me një çmim Academy Award, dy Screen Actors Guild Awards, dhe tre Golden Globe Awards, dhe është cilësuar si aktorja më e paguar e Hollivudit.
Jolie thotë: “Nuk do të doja të isha kurrë nga ata prindër që detyrojnë fëmijët të bëhen diçka që nuk janë. Mendoj që ky është prindërim i gabuar. Fëmijët duhen lejuar që të shprehin veten dhe karakterin e tyre aty ku duan dhe pa u gjykuar sepse kjo është pjesë e rëndësishme e rritjes së tyre.”
-Kate Winslet, është një aktore dhe këngëtare angleze. Fituese e një Academy Award, një Emmy Award, tre Golden Globe Awards dhe një Grammy Award. Njihet për debutimin e saj në filmin e sukseshëm Titaniku, krah Leo Di Caprios.
Kate thotë: “Për mua prindërimi ka të bëjë me qëndrueshmërinë dhe mes gjërave të tjera edhe rutinën. Fëmijët e pëlqejnë rutinën. Ata dëshirojnë të dinë se kur do të hanë drekën dhe se kur do të ndodhin gjërat e tjera përgjatë ditës së tyre.”
-Katie Couric, është nje gazetare amerikane dhe autore. Ajo ka punuar për tre rrjete shumë të rëndësishme në amerikën, NBC, ABC dhe CBS. Libri i saj i parë, “Këshillat më të mira që kam marrë, mësime nga jetë të jashtëzakonshme, ka qenë një best sellër sipas New York Times. Në 2004 ajo u prezantua në hollin e famës së televizionit.
Ajo thotë: “T’u mësosh fëmijëve se si të shtrëngojnë dorën, si t’i shikojnë të tjerët në sy, si të jenë të sjellshëm me këdo, ka për ti ndihmuar ata tani por dhe më vonë në jetën e tyre. Sikurse thotë një reklamë, “Nuk të jepet kurrë një mundësi e dytë për të lënë një përshtypje të parë, unë mendoj se kjo është e vërtetë!”
-Jennie Finch, fituese e disa medaljeve në lojërat olimpike. Revista Time e ka cilësuar si një nga lojtaret më të mira të bejsbollit në histori. Në 2010 ajo u tërhoq nga ky sport për t’iu përkushtuar familjes. Ja se si i këshillon ajo fëmijët e saj:
Ajo thotë: “Disa nga mësimet më të mëdha në jetë i kam mësuar nga dështimet. Është e rëndësishme që fëmijët e mi të kuptojnë zhgënjimin në mënyrë që të vlerësojnë me të vërtetë fitoren.”
-Kathie Lee Gifford, është një prezantuese televizive franko amerikane, komediane, dhe aktore, e njohur për karrierën e saj 15 vjeçare në një talk shou Live! me Regis dhe Kathie Lee.
Kathie thotë:”Që në vitet e para të jetë, i kam mësuar fëmijët e mi se sa e rëndësishme është marrëdhënia me Perëndisë. Jo një marrëdhënie fatsjellëse me dikë që është lart në qiell, por marrëdhënien me një mik, që do të jetë me ta dhe kur babai apo nëna e tyre do të jenë larguar nga kjo jetë.”
-Tina Knowles, është një biznesmene amerikane dhe fashion designer Ajo është nëna e këngëtareve Beyoncé dhe Solange Knowles. Tina thotë: “Gjithmonë u kam thënë vajzave të mia se bukuria e jashtme shuhet një ditë, por bukuria e brendshme zgjat përgjithmonë. Gjëra të thjeshta si buzëqeshja, mund të ndryshojnë ditën e një personi. Nëna ime gjithnjë thoshte se bukuria është ashtu si sillet, dhe jam e sigurt se do ta pasoj këtë parim në brezat e ardhëm të familjes sonë.”
-Arianna Huffington, është një autore greko amerikane, bashkë themeluese e The Huffington Post. “Një nga dhurata më të mëdha që mund të japim si prindër, është të mbështesim fëmijët tanë në ëndrrat e tyre, sido që të jenë ato. Për mua, kjo do të thotë që cdo ditë të bëj më të mirën për të ndjekur shembullin e lënë nga nëna ime, e cila më ka rritur me besimin se nuk duhet të kisha frikë që të provoja ndonjë gjë. Dhe në të njëjtën kohë duke e bërë të qartë për mua se ajo do të më donte dhe nëse unë dështoja.”/KultPlus.com