Suada Qorraj
Nën tingujt e muzikës, lëvizjeve të trupit por dhe fjalëve të thëna nga aktorët, shfaqja danse teatër, ‘Totem dhe Tabu’ shtjelloj në natën e mbrëmshme historitë prekëse të një realiteti të pandryshuar në kohë, por njëkohësisht dhe një aktualitet, rrugëtimi i së cilit gjendet brenda kornizave e heshtjes kolektive, shkruan KultPlus.
Pikërisht këto korniza individuale e kolektive, nëpërmjet komedisë sjellin tragjiken, të qeshurën që të bënë të reflektosh, por dhe të shikosh përtej asaj që shihet e thuhet në sipërfaqe.
‘Totem dhe Tabu’ ngrehë pikëpyetjet për shqetësimet e mëdha shoqërore, traumat, hipokrizinë e shoqërisë, por dhe ndikimin e pandemisë në po këtë shoqëri, ku pikërisht me lëvizjet e trupit, vallëzimin e aktorëve dhe ndërthurjen e këtyre lëvizjeve me monologjet e dialogjet, rrëfejnë homazhet për ata që humbën jetën nga ‘tabutë’ e shoqërisë, historitë që heshtën veç pse muret ku ato ndodhin nuk na takojnë ne. Por, ndonëse muret ku ato ndodhin janë të ndryshme prej atyre ku ne jetojmë, këto përjetime, sado të huaja, ndërtojnë përditshmërinë, realitetin por dhe të ardhmen tonë. E ky realitet mbi të cilin ndërtohet shfaqja ‘Totem dhe Tabu’ e koreografi Robert Nuha dhe e bazuar në dramaturgjinë e Zana Hoxhës, ngriti publikun në këmbë, me një duartrokitje disaminutëshe dhe emocione të shumëfishta.
Për koreografin Robert Nuha, procesi i realizimit të shfaqjes nuk ka qenë edhe aq i lehtë sepse trupa teatrale është krijuar tash e tre muaj e njëkohësisht puna e tyre është kufizuar edhe nga situata pandemike. Tutje ai ka thënë se secili nga ne duhet të ketë një kontribut sado të vogël që situata e dhunshme t’i flasim dhe t’i komunikojmë me të tjerët.
“Besoj që ne si shoqëri edhe si artistë duhet secili të ketë një kontribut sado të vogël që situatat, konfliktet ose mënyrën sesi ne i shohim gjërat të cilat janë të dhunshme për ne duhet t’i trajtojmë e t’i flasim, t’i komunikojmë tek të tjerët, me qëllim që shoqëria të hapet dhe të ndryshohen”, ka thënë Nuha për KultPlus.
‘Totem dhe Tabu’ për pothuajse 90 minuta erdhi në një mënyrë mjeshtërore nga trupa artistike e Artpolis me aktorët Donikë Ahmeti, Qëndresa Kajtazi, Ismail Kasumi , Edlir Gashi, Kaltrinë Zeneli, Mikel Markaj, Zhaneta Xhemajli dhe Blerta Gubetini.
Aktorja Donikë Ahmeti, në një prononcim për KultPlus ka theksuar se përgatitja për shfaqje ka qenë e lodhshme, me orare të stërzgjatura dhe punë fizike, por që në fund ka dhënë mesazhin e duhur tek publiku.
“Temat që kemi dashur të trajtojmë qëndrojnë mes të qeshurës dhe të qarës, nuk kemi dashur që temat e rënda t’i bëjmë shumë të rënda. Kjo nuk ka qenë veç një dramë, ka qenë gjithçka, por që në thelb është një dance teatër”, ka pohuar ajo. Ndërkaq Zana Hoxha e cila ka bërë dramaturgjinë e shfaqjes, shpreson që ‘Totem dhe Tabu’ të prek zemrat dhe mendjen e njerëzve sepse në vete ngërthen shumë mesazhe, por dhe reflektime të ndryshme./ KultPlus.com