Restaurohet shtëpia tradicionale e familjes Sokoli në Prizren

Ministri i Kulturës, Hajrualla Çeku ka bërë të ditur se është bërë restaurimi i shtëpisë tradicionale të familjes Sokoli në Prizren.

Shtëpia e familjes Sokoli që ndodhet në rrugën “Adem Jashari” në Prizren, e që bën pjesë në trashëgiminë kulturore, i është ri-konstruktuar çatia, fasada dhe i është bërë trajtimi i strukturës së dyshemesë së meskateve./KultPlus.com

‘Art, zeje dhe sport’/ Panair në Gjirokastër, prezantohen punime tradicionale

Të dielën në Gjirokastër u zhvillua panairi “Art-zeje-sport”. Aktiviteti synonte që traditat e trashëguara ndër breza, të mos humbasin.

Në stenda u prezantuan punime të ndryshme artizanale dhe veshje të krahinës. Pjesë e panairit u bënë dhe fëmijët e shkollave të qytetit.

 Për kreun e zyrës arsimore Gjirokastër këto aktivitete janë shum ëtë rëndësishem. Ky aktivitet pasoi panairin “Qilim fest” që u zhvillua gjithashtu në pazarin karakteristik të Gjirokastrës./abcnewsal/KultPlus.com

‘Shoka’, veshja tradicionale e nuseve arbëreshe (FOTO)

Në foto shihet një vajzë arbëreshe, e veshur me kostumin e nusërisë së grave të komunës së Horës së Arbëreshëve (Piana degli Albanesi).

Kjo veshje njihet me emërtimin ‘shoka’. Shoka, paraqet në vetvete një element të rëndësishëm dhe të pandarë të veshjes tradicionale shqiptare. Kjo veshje për femrat paraqet një fustan të qëndisur me dorë me fije ari dhe ngjyra të ndryshme.

Gjithashtu me emrin shoka njihet edhe brezi që përdorin meshkujt në veshjet tradicionale arbëreshe. Shoka ose ndryshe brezi punohet prej leshi në vegje e kombinuar me pet e ngjyrosur afërsisht me ngjyrat e ylberit, e gjatë sa sillet disa herë rreth mesit. Rrjedh direkt nga rripi ilir.

Foto nga Mit’hat Haxhiislami./ KultPlus.com

‘Arts&Crafts’ solli tradicionalen e modernen përmes gjashtë artisteve në Muzeun e Kosovës

Sarandë Selimi

Muzeu i Kosovës, në kuadër të Ditëve të Trashëgimisë Evropiane me moton ‘Ditët e Hapura’, nisi mbrëmë me hapjen e ekspozitën me fotografi të autori nga Turqia, Erhan Bayladi. Ndërsa sot ditën e dytë nga katër ditë sa do të zgjasin këto aktivitete Muzeu i Kosovës e nisi me aktivitetin ‘Arts&Crafts’, ku solli gjashtë artiste të ndryshme që janë inspiruar nga tradita për të sjellë gjëra interesante e të veçanta për qytetarët.

Salla e madhe e Muzeut të Kosovës, ishte mbushe me tavolina pune, aty ku edhe prezantoheshin punimet më të hershme të artistëve. Ato përveç punimeve që kishin sjellë me vete për tri ditë sa do të jenë pjesë e aktiviteteve të Muzeut të Kosovës, do të krijojnë aty për aty punime si: varëse, byzylyk, unaza, pjata nga dheu, kartolina… Sot në këtë aktivitet përpos shumë qytetarëve që ishin të pranishëm morën pjesë edhe fëmijët e shkollave fillore në kryeqytet. Ata përpos që patën rastin të shohin se si bëhen këto krijime artistike, edhe vetë provuan të bëjnë diçka të tillë.

Vlora Hajredini-Hajrullahu, Saba Berisha-Ismaili, Mire Canolli, Ilire Lepaja, Granita Grezda-Lila, Dafina Vitija dhe Ardita Begu janë artistët e këtij aktiviteti në Muzeun e Kosovës.

KultPlus, vizitoi sot këtë punëtori, ku edhe bisedoi me dy artiste. Saba Berisha Ismaili e cila solli në muze Hand Made Accessories ‘Terra’, e cila tregoi për KultPlus, se me këtë punë ka filluar të merret si e vogël. Ajo ka studiuar për pikturë dhe kjo pak a shumë i ka ndihmuar që ta perfeksionoi këtë zanat.

“Interesimi për stoli ka ekzistuar që nga kohërat parahistorike si te femrat si te meshkujt varësisht prej statusit si luftarake apo statuse të ndryshme, stoli për evente të ndryshme, martesa etj.. interesimi është gjithmonë në rritje kërkesat më të shumta janë ndërmjet modernes dhe elementeve nga e kaluara”, u shpreh Saba, e cila falënderoi shumë Muzeun e Kosovës për këtë mundësi që punimet e tyre të prezantohen në një event të tillë siç është ai i Ditëve të Trashëgimisë Evropiane.

Ndërkohë në këtë workshop kishte edhe pjata të bëra me argjilë. Është Granita Grezda Lila që solli ‘DHE-by Granita’ në Muzeun e Kosovës. Punimet e saj ishin mjaft të veçanta, të bëra krejt në mënyrë natyrale.

“Të gjitha punimet i ndërtoj prej argjilës edhe terrakot apo argjile e bardh dhe kuqe. E gjithë puna bëhet me dorë ku i jepet forma, terja bëhet në mënyrë natyrale e cila merr pak kohë. Në fund e bëjë dizajnin dhe i jap një glazurë që të ketë shkëlqimin e duhur”, tregoi procesin Granita, duke vazhduar tutje të thotë se me këtë profesion ka nisë të merret që të përmbushë nevojën e sa si artiste pasi që, është e diplomuar në pikturë dhe kjo që e bënë ka goxha lidhje me atë që ka studiuar.

“Kjo është hera e parë që mu dha mundësia të kem një ekspozitë, pasi që, punën e bëjë në shtëpi, por besoj që në të ardhmen të kem një dyqan apo atele ku njerëzit mund t’i shohin punimet nga afër”, u shpreh ajo.

Për krejt këto aktivitete KultPlus, foli edhe me drejtorin e Muzeut të Kosovës Skënder Boshtrakaj. Boshtrakaj, tha se është shumë e rëndësishme që si muze çdo vit gjatë Ditëve të Trashëgimisë Evropiane të prezantojnë risi, si për muzeun ashtu edhe për opinioni. Ai tha se këto që paraqiten në muzeu gjatë këtyre ditëve janë mesazhe të shumëfishta, si për muzeun ashtu edhe për opinionin brenda dhe jashtë Kosovës.

“Sivjet kemi vendos që t’i ftojmë artizanët tonë që trashëgiminë kulturore e përdorin për shprehje arti. Është një formë e re e shprehjes nëpër Evropë, ajo haset kudo por në Kosovë ka filluar pak të paraqitet në formë të suvenir-shop, nëpër qytet të Prishtinës, e vende të tjera. Në këtë rast në muze i kemi ftuar gjashtë duar të arta, që janë artiste shumë të mira dhe trashëgiminë kulturore dhe motivet e trashëgimisë i përdorin për shprehje artistike dhe sjellin produkte që janë atraktive për treg”, pohoi Boshtrakaj duke vazhduar tutje të thotë se sot patën vizitorë nga Kina, Spanja, Malajzia, dhe pa përjashtim të gjithë, sipas tij, ishin të interesuar ku edhe blenë gjëra të ndryshme.

“Kjo na inkurajoi që ne sa më shpejt të hapim një dyqan të muzeut dhe një pjesë të madhe të këtyre vlerave që në një mënyrë përfaqësojnë traditën e vendit t’i kemi në Muzeun e Kosovës në dispozicion të publikut dhe turistit. Këto shprehje në një formë e bëjnë pak më prezent Kosovën në një hartë të turizmit dhe vizitorin e rastit e dërgon me një shenjë të këtij vendi duke sjellë promovime të reja për kulturën dhe imazhin tonë”, përfundoi ai.

Këto gjashtë artiste të cilat po prezantojnë artin e tyre në kuadër të Ditëve të Trashëgimisë Evropiane në Muzeun e Kosovës, do të keni mundësi t’i takoni edhe në ekspozitën e tyre që do të hapet të shtunën mbrëma në muze me fillim nga ora 19:30 ./ KultPlus.com