Rexhep Ferri riktheu tradicionalen në moderne përmes tapicerive të tij artistike (FOTO)

Në 80-të vjetorin e lindjes, piktori, profesori dhe shkrimtari, Rexhep Ferri u rrethua me akademik, artistë e artdashës nga Prishtina, Tirana dhe Shkupi që kishin ardhur për të përjetuar nga afër ekspozitën e tij, të organizuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Në një hapësirë të mjaftueshme, në muret e ambientit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve në Prishtinë, kësaj radhe u shfaq një ekspozitë më e veçantë e cila rikthente tradicionalen në stilin e modern të Ferrit në punimet e vendosura në tapiceri. Derisa në këtë ekspozitë artisti u kishte qëndruar besnik ngjyrës së kaltër, të përhimtes, të verdhës dhe ngjyrës të gjelbër.

Në emër të ASHAK- së, fillimisht të pranishmëve u uroi mirëseardhje, Luan Mulliqi, i cili këtë ekspozitë jubilare e quajti të rrallë dhe si nder për të gjithë.

“Siç po e shihni sonte akademik Ferri po na prezantohet me diçka shumë të re, me një teknik jashtëzakonisht të vjetër por që kohët e fundit ka filluar të harrohet, prandaj është një nder për të gjithë neve që rrallë kemi për të parë ekspozita si kjo sonte”, ka thënë Mulliqi në fjalët hyrëse.
Ferri i me letër para duarve por duke mos humbur shikimin me ata që e rrethonin në këtë ekspozitë, në fjalët drejtuar të pranishmëve vëreheshin fjalët prej poeti.

“Ëndrrat që me heshtjen e tyre flasin, nuk janë vetëm hapat e mi, në këtë ekspozitë edhe ju mund ta gjeni veten, herë-herë gati të lumtur, për të harruar disa gjëra. Për ta bërë jetën të jetueshme, muzika pa fjalë përjetohet më mirë. Duke jetuar në tri kohë, jeta ec edhe pa pyetur, hapet dhe mbyllet, si kjo ekspozitë. Mos u shqetësoni se ju kam afruar pak mitologji, në ADN, kam një gjysh pas gjyshi”, ka përfunduar Ferri.

Rrugëtimin e tij për këtë ditë, Rexhep Ferri derisa tregoi për krijimtarinë e tij për KultPlus e cilësoi si jo të lehtë. Ndërsa në fokus të këtyre punimeve autori kishte paraqitur mitin e njeriut, të cilin ai e përshkroi si të afërt me mitin e Prometeut.

“Të flasësh për krijimtarinë në art, është sikur të flasësh për intimitetin tënd. Unë dua që ta krijoj atë që përjetoj, të ia bëj dikujt tjetër që brenda artit dhe brenda ëndrrës time të gjej ëndërren e vet dhe ta zhvillon në imagjinatën e vet kuptimin e asaj vepre. Një kohë shumë të gjatë kam qenë i lidhur me mitin e burrit dhe gruas sepse vetëm ai mit është vazhdimësia e jetës, është shumë i afërt me mitin
e Prometeut, i cili e ka vjedhur nga Zotit zjarrin për të ia falë njeriut”, u shpreh Ferri.

Në mesin e akademikëve ishte i pranishëm dhe Nexhat Daci, i cili për KultPlus praninë e tij në këtë ekspozitë e përshkroi si një kënaqësi të rrallë për të dhe Akademinë.

“Akademia e Shkencave dhe Arteve është një mjedis sikur i krijuar për evenimente të tilla. Akademik Ferri është një person i cili e meriton një prani të dëshirueshme. Kështu që neve na bën nder vepra e artisteve ndërsa për qytetarët këto janë momente kur njeriu relaksohet dhe kënaqet me suksese të këtilla”, ka thënë Daci.

Po ashtu edhe piktorja Zake Prelvukaj u shpreh shumë e fasionuar me veprat e Ferrit duke e quajtur si një pasurues të artit shqiptar.

“Rexhep Ferri na fasionoi sonte, vepra dhe tapiceria, mënyra dhe paraqitja e Rexhep Ferrit në këtë shprehje artistike është kulminante. Është një ndër autorët që ka pasuruar shumë autorë, kritik, që ka pasuruar artin kombëtar, artin shqiptar dhe kosovar. Po ashtu gëzohem që vijmë prej një vendi dhe që kemi një gjenezë të përbashkët”, ka thënë Prelvukaj.

Piktori Hajrush Fazliu, duke qenë edhe student i Ferrit e përshkroi si një pedagog të rrallë ndërsa veprën e tij e cilësoi si një ombrellë të artit modern që kultivohet në Kosovë.

“Sonte vërtetë këndshëm ai befasoi me një opus të realizuar kohëve të fundit, me një teknikë shumë të veçantë, tradicionale të popullit shqiptar, tapiceria e dikurshme u kthye në një vepër arti shumë modern, siç di i madhi Ferri. Puna e tij e prezantuar sot, me rastin e 80 vjetorit të lindjes së tij na bëri të jemi krenar që e patëm pedagog, jetuam në kohën e tij, përcollëm punën e tij dhe gjithnjë si i palodhur në botën e pikturës modern mund të mbetet një sinonim i kohës dhe një njeri i madh që dha kontribut të veçantë në kulturën shqiptare, në veçanti në pikturën moderne”, është shprehur Fazliu.

Në ekspozitën personale të Rexhet Ferrit, përveç artistëve dhe artdashësve të pranishëm ishin edhe politikanë si Albin Kurti dhe ish- Ministri i Kulturës, Kujtim Shala. / KultPlus.com