Ekspozita “ma-DONA-t” shpërfaq refleksionin mbi përditshmërinë dhe energjinë e brendshme (FOTO)

Profesori Mehmet Behluli e shpjegoi si një kënaqësi të posaçme hapjen e ekspozitës së dy studentëve të tij.

Gili Hoxhaj

Liridona Rexhepi dhe Edona Rugova, dy artiste të reja kishin bashkuar punën e tyre disa vjeçare të cilën e prezantuan mbrëmë përmes ekspozitë të titulluar “ma-DONA-t”, në Traffic Gallery.

Ky ambient përmes dritës së zbehtë e kthente vëmendjen tek pikturat të cilat mbanin mbishkrimin e emrave të autoreve, mirëpo dallueshmëria më e madhe vërehej përmes ngjyrave dhe koncepteve që ato i kishin sjellë përmes stileve të tyre.

“Disa zgjedhin instinktin primar njerëzor përderisa të tjerët zgjedhin rregullat “normale” të shoqërisë”, kështu shkruhej në njërën letër të vendosur afër pikturës së Liridona Rexhepit. Ajo përmes pikturave të saj shumëngjyrëshe shpaloste stilin e saj unik, ku përmes tij kishte theksuar përballjen e emocioneve, rregullave dhe instinktit.

“Koncepti im është nis si emocion e që mandej është lidh me gjëra të tjera, unë kam dashtë që përmes veprave me tregu për emocionet dhe rregullat që na krijohen gjatë jetës dhe ne zakonisht mësohemi të veprojmë në bazë të atyre rregullave. E kundërta e rregullave që na krijohet është instinkti, atëherë kur lodhesh prej rregullave dhe jetës del ai instinkti dhe aty shfaqet ndjenja që “unë jam””, ka thënë për KultPlus Liridona.

Në pikturat e saj vëreheshin shenjat e komunikacionit dhe pranë këtyre rrugëve piktorja kishte shfaqur fytyra të dëshpëruara të njerëzve, të cilat i kishte lidhur me këto koncepte e qëndrimit brenda kornizave të përditshmërisë dhe të instinktit të shprehjes së vetes përtej kësaj.

“Rregullat kryesisht i kom paraqit përmes rregullave të komunikacionit përmes stopit, semaforit, rrugës për të tregu që gjithmonë rutina jonë sillet rreth këtyre ndërsa fytyrat e dëshpëruara që vetëm po qëndrojnë pa qenë vetvetja”, tregoi tutje Liridona Rexhepi.

Përmes ngjyrave më të zbehta kishte sjellë gjithsej tetë piktura në këtë ekspozitë, ku në qendër të tyre e kishte vendosur figurën e rrethit, të cilën e kishte lidhur energjinë e brendshme.

“Si bazë e konceptit tim dominon rrethi si figurë, për shkak se më pëlqen historiku pas rrethit që e mban ai si simbol. Kjo edhe për arsye për me e shpreh një energji të brendshme, që dikush e quan aura ose shpirt. E kom lidh me rrethin për shkak se rrethi ka qendër por nuk i dihet as fillimi e as fundi, ngjashëm si energjia që nuk fitohet as nuk humbet vetëm qarkullon nga një trajtë në tjetrën”, u shpreh Edona Rugova për KultPlus.

Profesori Mehmet Behluli e shpjegoi si një kënaqësi të posaçme hapjen e ekspozitës së dy studentëve të tij.

“Është kënaqësi e papërshkrueshme kur e sheh që dikush është bërë vetvetja dhe ndoshta ti ke kontribuar sado pak në këtë. Për mua është shumë e rëndësishme që këto dy piktore të reja kanë marrë guximin ta shpalosin punën e tyre në iniciativën e këtij ambienti siç është Galeria Traffic, edhe pse institucionet mungon sensi i krijimit të hapësirave për të rinjtë. Këto janë artiste bashkëkohore dhe kanë paraqitur probleme të cilat i preukopojnë çdo ditë, pra puna e tyre është një refleksion i asaj ku jetojnë”, pohoi profesori Behluli./ KultPlus.com

“ma-DONA-t”, të mërkurën në Traffic Gallery

Të mërkurën më 8 nëntor, me fillim nga ora 20:00 në Traffic Gallery, hapet ekspozita “ma-DONA-t”, shkruan KultPlus.

Ekspozita vjen nga dy artiste të reja si Liridona Rexhepi dhe Edona Rugova.

“Disa zgjedhin instiktin primar njerëzor përderisa të tjerët zgjedhin rregullat “normale” të shoqërisë. Kjo rezulton në krijimin e stigmave shoqërore, fenomen që duhet të jetë i papranueshëm nga shoqëria.
Shprehja e gjendjes emocionale, e dashurisë, gëzimit dhe dhimbjes, mendimeve dhe besimeve që nuk i “përshtaten” rregullave të caktuara nga shoqëria, nuk e stagnojnë evoluimin e shoqërisë, por na zhvillojnë më shumë si qënie njerëzore emocionale, me instikte shumë të forta, të cilat sa më shumë që shtypen aq më fuqishëm do të shpërthejnë”, thotë Liridona Rexhepi.

Ndërsa Edona Rugova shkruan se: “Absolutja, përsosshmëria, hyjnorja, sublimja, universi. Ka qendër, por pa fillim dhe fund të caktuar. Energji që qarkullon”./ KultPlus.com

“Tu pi kafe”, Artan Balaj solli një frymë tjetër të punimeve

Jeta Zymberi

“Tu pi kafe” edhe duke parë piktura të mrekullueshme, të pranishmit në mbrëmjen e sotme në “TRAFFIC gallery”, po prisnin hapjen e ekspozitës së dhjetë personale të artistit Artan Balaj, shkruan KultPlus.

Muret e kësaj galerie ishin mbushur plot me ngjyra, falë punës së Artanit, e të pranishmit me nga një pije në dorë po shëtisnin rreth e rrotull për t’i shijuar këto piktura të veçanta e që sillnin një frymë të re për publikun.

Balaj, për adhuruesit e artit sonte shpalosi një frymë tjetër të punimeve. Një stil i ri i punës dhe qasjes në art, por kjo ekspozitë lirisht mund të themi që solli një stil miks.

Momente nga jeta e artistit, ndjenja apo mendime, ishin shkrirë në letër nga dora e artistit për të mbetur përgjithmonë si dëshmi e një kohe të caktuar nga jeta e tij, por të shprehura në formë të eksperimenteve.

Hapja e ekspozitës u bë nga vetë artisti, i cili me pak fjalë tregoi se kjo ekspozitë vjen ndryshe.

“Mos më pyetni shumë për koncept, sepse këto piktura i kam realizuar duke pirë kafe, janë eksperimente”, tha artisti për ta shpallur të hapur ekspozitën.

Por tutje Balaj foli për KultPlus ku tregoi më shumë rreth punës dhe konceptit të kësaj ekspozite.

“Këto punime i kam realizuar për rreth dy muaj e gjysmë, janë punime të reja që i kam realizuar duke pirë kafe, andaj edhe kam vendosur që ekspozitën ta titulloj “Tu pi kafe”. Punime janë eksperimente me ngjyra, me vija me forma dhe me teknika të ndryshme. Unë kam dëshirë të eksperimentoj dhe të sjellë gjëra të reja në art sepse arti e ka atë që duhet të evoluojë, të eksperimentojë dhe gjithmonë të sjellë risi. Ky ka qenë edhe qëllimi ime, që të eksperimentojë sa më shumë kësaj radhe, si
me ngjyra, me forma dhe me gjithçka tjetër”, u shpreh artisti për KultPlus.

Në këtë ekspozitë u prezantuan 14 punime, teknika të kombinuara.

“Ideja për me hapë në Traffic ka qenë spontane dhe mënyra si janë realizuar këto punime, d.m.th. tu pi kafe, andaj nga ana konceptuale kësaj ekspozite i është përshtatë më shumë një ambient i tillë”, u shpreh tutje Balaj.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për dy javë dhe të gjithë ata që janë të interesuar t’i shohin këto punime, do të kenë rast ta bëjnë një gjë të tillë për gjatë gjithë kohës sa qëndron hapur lokali. / KultPlus.com

Sonte në kryeqytet, ekspozita “Gratë” e Marigona Ademit

Sonte, me fillim prej orës 20:00, në Traffic Gallery në Prishtinë hapet ekspozita e artistes Marigona Ademi.

Marigona Ademi është artiste nga Prishtina, e diplomuar në degën e pikturës, në Akademinë e Arteve në Prishtinë.

Gjatë studimeve ka marrë pjesë në disa ekspozita kolektive, por angazhimi i saj në Institutin Arkeologjik pas përfundimit të studimeve ka ndikuar që ajo të ndjek edhe kahje tjera veçmas pikturës.

Këtë të premtë ajo prezantohet me punimin “Gratë” nga cikli i punimeve me të njëjtin emër.

“GRATË”
Sepse edhe une jam grua. E palumtur, nga lumturia e tyre që buron nga mosdija e nga pranimi dhe bindja se duhet të jenë të përulura. / KultPlus.com