Prezantohet trajneri ri i Kombëtares së futbollit, Sylvinho

Trajneri i ri i Kombëtares Sylvio Mendes Campos Júnior u prezantuar sot në ambientet e FSHF-së.

Sylvinho do të zëvendësojë në këtë detyrë italianin Edoardo Reja, i cili ishte në krye të kuqezinjve për 3 vite e gjysmë.

Në një konferencë për shtyp të mbajtur sot në Shtëpinë e Futbolli, ish-trajneri i kombëtares, Edoardo Reja u shpreh se, ka bërë një punë të shkëlqyer në drejtimin e Kombëtares shqiptare.

“Jam jashtëzakonisht i emocionuar në këto momente. Çdo rrugëtim e ka një fund por si nga ana e rezultateve por edhe raportet njerëzore bashkëpunimi ka qenë shumë i mirë”, tha Reja.

“Rezultatet që kemi arritur nuk janë për t’u lënë mënjanë. Kemi bërë të luajnë për herë të parë rreth 40 lojtarë, kemi qenë shumë afër kualifikimit në botëror dhe për 1 pikë mund edhe të kishim kaluar në ndeshjet me eliminim direkt. Kam gjetur një skuadër që nuk kishte as krye dhe as fund. Pra kemi bërë një punë të jashtëzakonshme”, u shpreh ai.

Presidenti i FSHF, Arman Duka bëri një prezantim të trajnerit Sylvinho dhe stafit të tij teknik Pablo Javier Zabaleta Girod dhe brazilianin Dorival Guidoni Junior.

Duka u shpreh se, marrëveshja mes FSHF dhe stafit të ri drejtuar nga Sylvinho parashikon një kohëzgjatje deri në përfundim të Euro 2024.

I pyetur nga gazetarët Duka zbuloi se dje kanë darkuar së bashku me kryeministrin Edi Rama dhe trajnerin e ri Sylvinho së bashku me stafin e tij.

“I kam kërkuar unë kryeministrit që të presë stafin e ekipit Kombëtar, pikërisht për t’i thënë stafit që do të drejtojë ekipin, atë që i kam thënë në Milano, që Kombëtarja është më shumë sesa skuadër futbolli për ne, është gjëja më e rëndësishme që kemi ne shqiptarët. Dhe këtë mund t’ia shprehja me një takim me drejtuesin e vendit”, tha Duka.

Braziliani vjen pas dy eksperiencave me Lyon-in dhe Corinthias-in dhe rroga e tij do të varet nga objektivi për të shkuar në Evropianin e 2024.

Trajneri Sylvinho në fjalën e tij falënderoi paraardhësin Reja dhe presidentin e FSHF, Duka për këtë mundësi.

Ai u shpreh se, merr drejtimin e Kombëtares shqiptare për të realizuar objektivat.

“Doja t’i thoja diçka Reja-s, puna e një trajneri është gjithmonë e vështirë nuk është e thjeshtë. Ka shumë punë mbrapa skenave. Duhet të bëjmë zgjedhje, disa herë fiton, disa herë nuk fiton. E falënderoj atë për punën që ka bërë për këta futbollistë, për zemrën, për pasionin”, tha Sylvinho.

“Ne kemi shumë dëshirë që të bëjmë mirë, të sjellim rezultate pozitive që ta çojmë këtë Kombëtare në vende të rëndësishme. Për këtë arsye jemi këtu”, theksoi ai.

“Për herë të parë që takova Presidentin, këtë pashë tek ai dhe mendoj që dhe ai pa tek ne dëshirën për të sjellë rezultate pozitive, për të bërë mirë, për t’i dhënë këtij projekti vazhdimësinë”, nënvizoi Sylvinho.

48-vjeçari Sylvinho, vjen me një CV të pasur si lojtar dhe trajner. Ai ka një eksperiencë të pasur si zëvendëstrajner menjëherë pas lënies së futbollit dhe trajner më pas. Gjithçka nis në 2011 kur merr pozicionin e zëvendëstrajnerit te Cruzeiro, për të kaluar më pas te Sport Recife, Nautico, Corinthias, Inter, zëvendëstrajner i Brazilit për tre vite përpara se të merrte drejtimin e Olimpik Lionit në Francë dhe më pas Corinthias-it në kampionatin brazilian.

Në karrierën e tij të pasur si lojtar, Sylvinho është aktivizuar tek Corinthias, Arsenal, Celta Vigo, Barcelona dhe Manchester City ku mbylli karrierën e tij. /atsh / KultPlus.com