Kosova dhe Kanadaja do ta fillojnë Programin e Bashkëpunimit në Trajnim Ushtarak

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka njoftuar se Kosova dhe Kanadaja do ta fillojnë Programin e Bashkëpunimit në Trajnim Ushtarak.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani tha se asaj dhe ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ua dha lajmin ministri i Mbrojtjes së Kanadasë, Bill Blair.

“Një lajm i mrekullueshëm sot nga Halifaxi: Kosova dhe Kanadaja do ta fillojnë Programin e Bashkëpunimit në Trajnim Ushtarak. Së bashku me ministrin e Mbrojtjes Ejup Maqedonci, në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax, takuam ministrin e Mbrojtjes të Kanadasë, Bill Blair, i cili na dha lajmin e mirë rreth këtij Programi, pas kërkesës që ia kam bërë ish-Ministres së mbrojtjes gjatë vizitës sime të mëparshme në Kanada. Kosova dhe Kanadaja – një partneritet në rritje në dobi të qytetarëve, paqes dhe sigurisë”, ka shkruar Presidentja Osmani./ KultPlus.com