Më 26 prill 1915, u firmos Pakti i Londrës.
Italia nënshkroi Paktin e Londrës me fuqitë e Antantës, Britaninë, Francën dhe Rusinë.
“Traktati i Fshehtë i Londrës”, siç njihet ndryshe ky pakt në historiografi, ishte një ngjarje me peshë të madhe në historinë e Shqipërisë, pasi përfshinte plane për ndarjen territoriale të vendit.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sjell 2 nenet që prekën drejtpërdrejt Shqipërinë.
Neni 6, sipas të cilit, “Italia do të marrë sovranitetin e plotë mbi Vlorën, ishullin e Sazanit dhe territorin përreth”.
Neni 7 përcaktonte se, “pjesa qendrore e Shqipërisë është e rezervuar për krijimin e një shteti të vogël të pavarur autonom dhe Italia nuk do të kundërshtojë ndarjen e Shqipërisë së Veriut dhe Jugut midis Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë”.
Kongresi i Lushnjes, vite më vonë, vendosi pas shumë diskutimesh që të bëheshin protesta të ashpra, kundër vendimit të Fuqive të Aleatëve, për zbatimin e Paktit të fshehtë të Londrës./ atsh / KultPlus.com