Komuna e Prishtinës do të mbulojë transportin shtëpi-shkollë për fëmijët me nevoja të veçanta

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se për çdo muaj do të ndajnë shumën prej 60 eurove për të mbuluar shpenzimet e transportit shtëpi/shkollë apo çerdhe për të gjithë fëmijët me nevoja të veçanta, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur Besianë Musmurati nga Komuna e Prishtinës.

“Për të gjithë fëmijët me nevoja të veçanta në Komunën e Prishtinës, çdo muaj do të ndajmë një shumë prej 60 Euro për të mbuluar shpenzimet e transportit shtëpi-shkollë/çerdhe. Të jesh ndryshe nuk do të thotë që të kesh pengesa në shkollim. Gjithëpërfshirja është e domosdoshme dhe ne jemi të përkushtuar maksimalisht që të mbështesim çdo fëmijë në shkollim. #BashkëeNdreqim”, thuhet në postimin e saj. /KultPlus.com

Trafiku Urban falas në vikend, Komuna e Prishtinës synon fuqizimin e transportit publik

Komuna e Prishtinës po synon që të fuqizojë sa më shumë transportin publik dhe atë alternativ, me biçikleta dhe e-scooters, shkruan KultPlus.

Përmes një njoftimi në rrjete sociale, KP ka njoftuar se transporti i Trafikut Urban për këtë vikend (21 dhe 22 maj) do të jetë falas.

“Të dashur qytetarë, Ju njoftojmë se nesër dhe pasnesër, me datë 21 dhe 22 maj, transporti me Trafiku Urban, do të jetë pa pagesë.Për të mirën e Kryeqytetit, ju inkurajojmë që sa më shumë të përdorni transportin publik dhe alternativ”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.

Gjatë këtyre datave, KP gjithashtu ka njoftuar se do të vazhdojë testimi i dytë i shndërrimit të gjithë unazës qendrore të Kryeqytetit në qarkore njëkahëshe për automjetet. /KultPlus.com