44 asete nga lista e trashëgimisë kulturore do të mbrohen përmes programit për ndërhyrjeve konservuese dhe restauruese nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, shkruan KultPlus.
MKRS ka bërë të ditur se sot në mbledhjen e Qeverisë është pranuar kërkesa e tyre për rialokim të mjeteve financiare.
‘Përmirësimi i gjendjes fizike të aseteve të trashëgimisë kulturore në rrezik dhe rifunksionalizimi i tyre, mbetet ndër prioritetet tona kryesore’, thuhet në një njoftim të MKRS./KultPlus.com
Fjala çam është një evoluim i termit “t’chiam” dhe përkon me emrin e një lumi të vjetër që kalonte përmes krahinë së Çamërisë. Fjala “T’chamis” haset në shumë harta të vjetra romake dhe helene, duke na treguar se emri “Çamëri” është më i vjetër se Epiri dhe është përdorur vetëm nga popullsia shqiptare ndër shekuj. Ajo që është më e rëndësishme të thuhet këtu është se, popullsia çame ka një etnitet, traditë dhe zakone të mirëfillta shqiptare, shkruan KultPlus.
Gjuha shqipe e folur në Çamëri, mund të theksojmë se është pikëtakimi, apo pikëpjekja e dy dialekteve tona, gegë e toskë, me elemente të lashtësisë historiko-linguistike, si gërshetim dialektesh e nëndialektesh shqipe, si një gjuhë e ruajtur me elemente origjinale të rrënjëve ilirishte. Ndoshta, kjo formë e ruajtjes së origjinalitetit rrënjësor linguistik në të folur, u ruajt në vetvete, ngase nuk u bë kurrfarë aplikimi i gjuhës së njësuar shqipe, si ndalim arbitrar hegjemonist grek, për tu shprehur zyrtarisht si gjuhë amtare e arbanitëve. Nuk pati një zyrtarizim të Arbanishtës, ngase është bija e Pellgasishtes, së lashtë, prej së cilës rrodhi vet kjo greqishtja e lashtë, duke mbuluar rrënjët arbanishte me ato greqishte të reja me sufiksalet.
Kultura çame është shprehëse e vlerave të një popullsie me histori të lashtë, bart shtretësime të hershme, të formuara në epoka të ndryshme. Siç mund të jetë vënë në dukje nga studiuesit e ndryshëm, ajo është formuar nga elementë të lashtë parailirë (Pellazgë, Ilirë e që u trashëguan në mesjetën e hershme në kohën e formimit të kombësisë shqiptare. Nuk është e rastit një nga përfundimet e studiuesve gjermanë në librin “Këngët e çamëve“ se ky gjurmim muzikologjik dhe tekstologjik dhe botimi i materialit të mbledhur na tregon qartë se te këngët çame kemi të bëjmë me një shtresë arkaike të muzikës shqiptare. Atje nga trojet tona të braktisura, lëviz dhe gjallon shpirti i Çamërisë dhe i popullsisë së saj, gjalon bota e miteve, bota parapagane e pagane, bota e perëndive. Ato janë në shtëpinë e tyre dhe zot që nuk ka fuqi t’i shpërngulë.
Një tjetër vlerë të trashëgimisë kulturore të popullit çam e kemi edhe veshjen kombëtare për të cilën kanë folur studiues e shkrimtarë si nga vendi jonë po ashtu edhe ndërkombëtarë. Ndër të tjera, me interes të veçantë është dhe përshkrimin që i bën diplomati dhe shkrimtari François Pouqueville i cili në vitet 1820 kishte bërë një ekspeditë në viset shqiptare dhe ndër të tjerash kishte bërë një përshkrim rreth veshjes çame dhe elegancën që u jep ajo banorëve të asaj krahine: “…Udhëtari që do të shikojë ata çamë, që do të kenë shpëtuar nga sundimi feudal i sovranit të Janinës dhe një rënie mortaje, do të njohë me vështirësi ata burra të bukur, me ato qëndisma të bukura lara-lara të veshur me kostume të shkëlqyera dhe të ngarkuar me ar të çmueshëm, që ngjasin sikur të ishin një koloni ushtarësh të Pirros, të pasur me plaçka të Trojës, që kanë zbarkuar sërish në Epir…”.
Mjaft të bukura e të larmishme janë veshjet popullore të përdorura nga popullsia e krahinës së Çamërisë. Deri në fund të shek.XIX veshja më e përhapur për burra si tek ata të besimit mysliman dhe tek ortodoksët, ishte ajo me fustanellë e shoqëruar me stoli të qëndisur me fije argjendi me gjunjakë, xhamadan, mëngore, këmishë të shkurtër me mëngë të gjëra, qeleshja me majucë, opingat me xhufka të kuqe dhe çorapet e bardha. Pjesë tjetër shoqëruese e kësaj veshje konsideroheshin zbukurimorja e gjoksit e punuar nga argjendarët e qytetit të Janinës si dhe silahu i zbukuruar me fije argjendi i cili i vendosur mbi brez, shërbente për të mbajtur armët e brezit si dhe koburet.
Çamëria ka dhënë një trashëgimi të madhe kulturore për popullin shqiptar duke filluar nga gjuha, veshja, këngët e zakonet dhe të gjitha këto janë vlera të cilat populli shqiptarë duhet t’i ruajë dhe t’i mbrojë sepse përbëjnë një thesar të çmuar të eposit shqiptar. / KultPlus.com
Një gjurmë e qartë e këmbës së dinosaurit është zbuluar nga një vogëlushe 4 vjeçe në një plazh në jug të Uellsit.
Vajza e quajtur Lily Wilder e pa gjurmën e çuditshme në rajonin Barry. Shkencëtarët besojnë se kjo gjurmë mund të ofrojë ndihmë për të zbuluar se si kanë ecur këto kafshë që janë zhdukuar para një kohe shumë të gjatë.
Përderisa është e pamundur të thuhet se cili lloj i dinosaurit e ka lënë këtë gjurmë, besohet se ajo është e vjetër 220 milionë vjet. Gjurma është e gjatë 10 centimetra dhe mund të jetë lënë nga një dinosaur i lartë 75 centimetra, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Cindy Hoëells nga Muzeu Kombëtar i Uellsit tha se kjo është gjurma më e mirë që është gjetur ndonjëherë në këtë plazh.
Nëna e vajzës që e zbuloi gjurmën tha: “Lily e patë atë kur po ecte me babanë dhe i tha atij “baba, shiko”. Kur Richardi (babai i vajzës) ma tregoi fotografinë, unë thashë se ajo duket mahnitëse. Më pas vendosëm kontakt me ekspertët që e morën gjurmën nga vendi ku e gjetëm.”
Dinosaurët besohet se për herë të parë janë shfaqur para 230 milionë vjetëve, ndërsa gjurma e gjetur besohet se daton nga periudha e hershme e evolucionit të tyre. /express/ KultPlus.com
Një projekt i ri i kulturës urbane në qytetin Halle, 170 kilometra në jug-perëndim të Berlinit, shpreson të promovojë kohezionin shoqëror duke i shndërruar këto “mëkate arkitekturore” në kryevepra monumentale.
Përmes tij po realizohet një lloj zbukurimi i këtyre blloqeve parafabrikate në ngjyrë gri. Një njërin prej tyre për shembull është krijuar një murale tre-dimensionale, plot ngjyra të gjalla që tregon zbritjen e një astronauti nga një anije kozmike. Në sfond është një qiell i qartë blu, duke krijuar kështu iluzionin optik se muret janë zhdukur.
“Fjala “Platte” vazhdon të ekzistojë në mendjet e njerëzve. Të gjithë më thonë: Ah, ti jeton në Plattenbau! Nuk më pëlqen kur e dëgjoj një gjë të tillë, por ky është realiteti, s`ke c`i bën. Prandaj jam e lumtur sot të shikoj këto se pamje dhe ngjyra të reja mund t`I bëjnë një të mirë të madhe këtyre ndërtesave”, ka thënë Elfriede Schulz.
Projekti 7 milionë eurosh Freiraumgalerie përfshin edhe një vepër të quajtur “Balance Act” e që mund të ishte një kopertinë shumë e mirë për albumet e Pink Floyd. Ende e papërfunduar, ajo aktualisht shtrihet rreth mureve të jashtme të dy ndërtesave, duke sjellë në jetë fasadat që në të kundërt, do të ishin krejt të shurdhëta në zbehtësinë e vet. / KultPlus.com
Edhe pse janë ndarë 20 milionë euro, ky këshill nuk pranoi asnjë projekt Për 10 dhjetë vjet me radhë, institucionet e Ministrisë së Kulturës nuk kanë dërguar asnjë projekt për vlerësim në Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore. Kështu deklaruan zyrtarë të këtij këshilli, gjatë prezentimit të raportit për projektet e investuara në trashëgimi kulturore nga MKRS gjatë periudhës 2008-2018.
Udhëheqësi ekzekutiv i këtij Këshilli, Isuf Koci tha se gjatë kësaj periudhe dhjetë vjeçare, janë ndarë mbi 20 milionë euro për kategoritë e trashëgimisë kulturore. Pavarësisht kësaj, Koci deklaroi se KKTK-së nuk i ka ardhur asnjë projekt i kësaj kategorie për vlerësim, ani pse është e drejtë ligjore e tyre. “Autoriteti ose institucioni i vetëm i cilin është përgjegjës për vlerësimin e projekteve është Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore, dhe deri më sot asnjë projekt nga fusha e trashëgimisë kulturore nuk ka ardhur në Këshill për vlerësim.
Kështu që kjo është një shqetësim dhe një problematikë e cila vazhdon tash e dhjetë vite”, tha Koci. Ndërsa Arsim Havolli, zyrtar i Lartë për Trashëgimi Arkeologjike, tha se për këtë kategori të trashëgimisë kulturore, gjatë kësaj periudhe janë ndarë mbi 5 milionë euro.
“Këto kanë shkuar në ato që thamë gërmime arkeologjike. Vlen të theksohet se gërmimet me karakter shpëtimi, nuk janë specifikuar se çka mund të shpenzohet, edhe për këto projekte nuk është ditur se çfarë destinimi kanë apo nga janë bartur. Në kuadër të këtyre projekteve, kemi shumë projekte të cilat janë përsëritur vazhdimisht për vite”, tha Havolli.
Kurse udhëheqësi i Divizionit për Trashëgimi Shpirtërore (jomateriale), Kreshnik Bajraktari tha se Kosova ka mjaft elemente të Trashëgimisë Shpirtërore, pavarësisht se kjo lloj trashëgimie është koncept më i ri në Kosovë. Ndërkaq, ai tha se nuk është investuar sa duhet në fushën e trashëgimisë kulturore.
“Kështu për shembull duhet të marrim eposin e kreshnikëve si rastin më të fundit që realisht po e vajtojmë të gjithë dhe për të cilin në një farë mënyre të gjitha institucionet kanë përgjegjësi sepse nuk e kanë trajtuar në nivelin meritor, që të mos na vinte puna aty ku ka ardhur. Si Këshill, mund të themi se si element i trashëgimisë kulturore nuk ka ardhur për t’u vlerësuar në Këshill dhe për t’u shpallur në mbrojtje të përhershme”, tha Bajraktari.
Përndryshe, në këtë analizë, ndër të tjerash, bëhet e ditur se pavarësisht rritjes së buxhetit, trendi i shkatërrimit të aseteve të trashëgimisë kulturore po vazhdon, sidomos në zonat urbane. Më tej në gjetjet e raportit se mungesa e lincencimit të personave juridik që bëjnë gërmime arkeologjike, paraqet shkelje ligjore. Ndërkaq, përmes këtij raporti, KKTK, ndër të tjerash, rekomandoi që të respektohet Ligji për Trashëgimi Kulturore, e po ashtu të dërgohen projekte për vlerësim në këtë këshill./KultPlus.com
Gjatë ditës së sotme, objekti i mbrojtur si trashëgimi kulturore që gjendet në zonën e vjetër të qytetit, ka filluar të shembet, njoftojnë kështu nga Komuna e Prishtinës.
Drejtoritë përkatëse të Komunës së Prishtinës bashkë me Zjarrfikësit dhe Policinë e Kosovës kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe i kanë ndërmarrë masat e nevojshme për parandalimin e rrezikut.
“Ekspertët tanë bashkë me ata të nivelit qendror kanë vlerësuar se duhet të bëhet rrënimi i kontrolluar i disa pjesëve të këtij objekti, ashtu që të evitohet në tërësi rreziku. Meqë është objekt privat dhe nën mbikëqyrje të Institutit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, presim nga ky institut që të na e dërgojë pëlqimin për një gjë të tillë, ashtu që të veprojmë sa më parë”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com