UNESCO njoftoi se përfshiu artin katërshekullor operistik italian nën kategorinë e saj të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, sipas BBC.
Opera italiane u zhvillua në fund të viteve 1500 dhe fillim të viteve 1600 në Firence, në oborrin e familjes Medici.
Zakonisht përfshin komplote të ndërlikuara, vënie në skenë dhe këndim virtuoz.
Këndimi i operës bashkohet me praktika të tjera të famshme italiane si pica apo arti i ngjitjes së majave alpine.
“Ky është një konfirmim zyrtar i asaj që ne e dinim tashmë. Këndimi i operës është një përsosmëri botërore”, tha ministri italian i Kulturës, Gennaro Sangiuliano në një deklaratë pas vendimit të UNESCO-s.
UNESCO e përshkroi operën italiane si “një mënyrë e kontrolluar fiziologjikisht e të kënduarit që rrit fuqinë mbajtëse të zërit në hapësirat akustike si amfiteatrot dhe kishat”.
Ajo shtoi se arti promovoi “kohezionin kolektiv dhe kujtesën sociokulturore”, si dhe ishte “një mjet i shprehjes së lirë dhe dialogut ndër breza”.
Kompozitori i parë i madh i operës konsiderohet të jetë italiani Claudio Monteverdi, i cili jetoi nga 1567 deri në 1643.
Gazeta italiane ”La Repubblica” thekson se vlerësimi vjen në prag të përurimit tradicional të sezonit 2023-2024 në teatrin e operës ”La Scala”.
Sot ka rreth 60 shtëpi operash në të gjithë Italinë – një rekord global – ndërsa këngëtarët e operës si tenori i shekullit XX, Luciano Pavarotti janë nderuar si yje të mëdhenj./ atsh / KultPlus.com