Vepra arti në shkretëtirë, Katari ekspozon instalacione pranë siteve të trashëgimisë botërore

Në shkretëtirën e Katarit janë ekspozuar instalime të artistit Brazilian Ernesto Neto dhe artistëve të tjerë me famë botërore. Qëllimi është të tërhiqet vëmendja për mbrojtjen e planetit nga vendi organizator i Kupës së Botës.

Shkretëtira e Katarit është mbuluar me vepra të artistëve me famë botërore. Mes tyre spikat instalacioni zhytës i artistit brazilian Ernesto Neto, “Turtle Slug, TemplEarth” që i bën homazh mjedisit natyror dhe krijon një hapësirë ​​për meditim, reflektim midis vizitorëve dhe shpirtit të shkretëtirës. Vepra shpreh kërkimin e vazhdueshëm të artistit për hapësirën e trupit, ekuilibrin dhe gravitetin.

“Kupa e Botës është një kohë për të menduar për botën, jo vetëm për të menduar se kush do të fitojë dhe kush do të luajë futboll. Kjo vepër është një këngë, është një lutje për një kohë të re, është një lutje për një tokë të re, për një njerëzim të ri me më shumë butësi ndaj njëri-tjetrit dhe gjithashtu ndaj planetit”, tha Ernesto Neto.

Instalimi i këtyre veprave të rëndësishme, mes tyre edhe nga artisti islandez-danez Olafur Eliasson dhe libanezo-amerikani Simone Fattal, nxjerr në pah rëndësinë e vendeve të trashëgimisë afër të Katarit.

Veprat janë ekspozuar pranë Al Zubarah, i cili u shpall sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në 2013. Ky sit ndodhet afërsisht 100 km në veriperëndim të Dohas, qytetit tregtar të perlave në shekullin 18-19.

Përveç instalimeve, hapësirat publike të vendit po shndërrohen në një eksperiencë të madhe muzeu arti në natyrë, përpara fillimit të Kupës së Botës.

Duke e bërë artin pjesë të jetës së përditshme, Katari u bë një nga vendet e para në Gjirin Persik që krijoi një program gjithëpërfshirës të artit bashkëkohor publik. / KultPlus.com

Përfundon konferenca shkencore për projektin “Moti i Madh” në UNESCO

Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi ishte qytezën arbëreshe Vakarici (Vaccarizzo Albanese) për të mbështetur kandidaturën e praktikave rituale arbëreshe të pranverës “Moti i Madh” për njohjen si një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO -s.

Akademia është pjesë e grupit të punës për dosjen e kësaj trashëgimie mbi 500-vjeçare.

Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi siguroi grupin e punës se mbështetja institucionale do të jetë e përhershme dhe në rritje.

“Jo vetëm për dosjen “Moti i Madh”, por në përgjithësi për trashëgiminë arbëreshe në tërësi, për studimin dhe botimin e saj, Akademia e Shkencave do të shtojë vëmendjen dhe investimin intelektual. Projektet që kanë realizuar anëtarët arbëreshë të Akademisë së Shkencave Francesco Altimari e Matteo Mandalà janë të mirëpritur për t’u kurorëzuar”, tha Gjinushi.

Gjinushi tha se, “trashëgiminë arbëreshe për më shumë se gjashtë shekuj e kanë ruajtur vetë bartësit e saj. Regjistrimi në UNESCO i njeh asaj një vlerë që ka merita dhe rëndësi jo vetëm për komunitetin, por edhe për kulturën njerëzore”.

Akad. Francesco Altimari bëri të njohur kronologjinë e projektit “Moti i Madh”, numrin e madh të universiteteve dhe të studiuesve që kanë kontribuuar për aspektet shkencore të dosjes (Cosenza, Palermo, Lecce, Venezia, Milano etj.), si dhe nga Shqipëria.

Akad. Matteo Mandalà u përqendrua në kushtëzimin zanafillës të riteve e ritualeve kalendarike-pranëverore arbëreshe e shqiptare me rrjedhat e ciklike të jetës agrare.

Akad. Shaban Sinani paraqiti punën që ka bërë skuadra shqiptare për plotësimin e dosjes “Moti i madh” me një fashikull nga trashëgimia e ngjashme në Shqipëri, duke theksuar ciklet kryesore, si llazoret (këngët e të ringjallurit të parë Shën Lazrit), kullanat (dikur të lidhura me fillimin e vitit, sot kryesisht këngë të Pashkëve), evangjelizmoi (edhe këto këngë të ringjalljes), rrushajet (këngë të “ditës së luleve”  – rosaliae diem), karnevalet, këngët e Shën Gjergjit etj. Ka një simetri të plotë mes këtyre cikleve dhe atyre që janë mbledhur e dëshmohen edhe sot tek arbëreshët. Sinani theksoi se pjesa më e madhe e tyre janë desakralizuar dhe madje një pjesë janë kënduar edhe në skena, duke përfshirë periudhën komuniste, si këngë lodra apo ushtrime vjershërimi e kujtese.

On. Mario Brunetti, një figurë emblematike e botës arbëreshe, nismëtar i projektligjit italian që i njeh arbërishtes, theksoi se mbështetja e Akademisë së Shkencave është një dukuri e re shumë pozitive. E përforcuar kjo me mbështetjen administrative dhe diplomatike të shtetit shqiptar e të Kosovës, rrit besimin tonë që “Moti i Madh” të fitojë statusin që i takon si trashëgimi e njerëzimit. Dhe ky është një nga rastet që kultura e pakicës rrit vlerat e asaj të shumicës.

Në konferencë ishin të pranishme dhe përshëndetën Meri Kumbe, zëvendësministre e kulturës; Anila Bitri, ambasadore e Shqipërisë në Itali; Lendita Haxhitasim, ambasadore e Kosovës. / KultPlus.com

UNESCO i heq Liverpulit statusin e Trashëgimisë Botërore

Liverpulit në Mbretërinë e Bashkuar iu hoq statusi i Trashëgimisë Botërore, pasi një komitet i Kombeve të Bashkuara konstatoi se zhvillimet atje e kërcënojnë vlerën e qytetit.

Vendimi u mor pas një votimi të fshehtë nga komiteti i UNESCO-s në një takim në Kinë.

UNESCO – agjenci për kulturë, arsim dhe shkencë e Kombeve të Bashkuara – tha se zhvillimet e reja, përfshirë stadiumin e ri të planifikuar të klubit futbollistik Everton, kanë rezultuar me një “përkeqësim serioz” të qytetit historik.

Kryetarja e bashkisë së qytetit tha se vendimi është “i pakuptueshëm”.

“Lokacioni ynë i Trashëgimisë Botërore nuk ka qenë kurrë në gjendje më të mirë”, tha Joanne Anderson.

Ajo tha se do të bisedojë me Qeverinë britanike për të parë nëse qyteti mund ta apelojë vendimin, i cili, sipas saj, vjen “një dekadë pasi UNESCO e vizitoi për herë të fundit Liverpulin”.

Qeveria tha se është “jashtëzakonisht e zhgënjyer” dhe se beson se Liverpuli ende e meriton statusin e tij të Trashëgimisë Botërore, “marrë parasysh rolin e rëndësishëm që doket historike dhe qyteti kanë luajtur gjatë gjithë historisë”.

Liverpulit i është dhënë statusi i Trashëgimisë Botërore në vitin 2004.

Ai është vendi i tretë që e humb atë, prejse ka nisur përpilimi i listës në vitin 1978.

Shenjtërorja arabe Oryx në Oman e ka humbur në vitin 2007, ndërsa Lugina Dresden Elbe në Gjermani më 2009. / Express / KultPlus.com