Në Pejë, të rinjtë kosovarë dhe malazezë bëhen bashkë për trashëgiminë kulturore

Një kamp edukativ dhe shkëmbyes idesh me tema nga trashëgimia kulturore në mes të rinjve nga Kosova dhe Mali i Zi u mbajt më 23 dhe 24 shtator në qytetin e Pejës.

Kampi u zhvillua në hapësirat e Hamamit të Haxhi Beut si një objekt me vlera të mëdha për historinë dhe kulturën e qytetit të Pejës, ndërsa aty u shtjelluan tema të ndryshme që thuhet se kanë ngjallur një reagim shumë pozitiv në bashkëpunimet e mundshme në sektorin e kulturës dhe turizmit.

Pjesëmarrës në kamp ishin studentë nga fakulteti i arkitekturës dhe ai politeknik nga Podgorica si dhe nxënës të Shkollës së Mesme të Lartë të Artit nga Peja.

Në këtë kamp rinor dhe në konferencë prezantuan ekspertë të ndryshëm nga institucionet publike si komuna e Pejës, muzeu i Pejës, sektori privat si tour operatorët, menaxherë të projekteve për të rinj, arkitektë të licencuar për trashëgimi si dhe shoqëria civile të cilët janë të përfshirë në projekte të ndryshme për trashëgiminë dhe turizmin.

Projekti thuhet se synon të përmirësojë ekonominë në zonën kufitare midis Kosovës dhe Malit të Zi, apo më specifikisht zonat ndërkufitare si Peja dhe Berane, duke promovuar turizmin kulturor.

Fokusi i këtij projekti është identifikimi, ngritja dhe prezantimi i trashëgimisë kulturore në Berane përmes antikitetit të krishterë në zonën e Tumbaricës, ndërsa në pjesën e Kosovës në Pejë të intervenohet në mbështjelljen e çatisë së Hamamit të Haxhi Beut me plumb, mbrojtjen dhe promovimin e tij si vlerë e trashëgimisë arkitekturore.

“Me qëllim që të ketë rezultate sa më të mira gjatë punës, por edhe në vizibilitet, ky projekt do të përdorë teknologjinë moderne si modelim 3D për të ndihmuar në ruajtjen dhe dokumentimin e këtyre vendeve. Ky aktivitet do ta bëjë më të lehtë për njerëzit mënyrën e eksplorimit dhe mësimit rreth tyre, qoftë përmes vizitave fizike gjithashtu edhe në mënyrë virtuale përmes paraqitjeve online. Duke bërë këtë, projekti do të mbrojë vendet dhe do të ndajë historinë e rajonit me një audiencë më të gjerë”, thuhet në komunikatë.

Projekti gjithashtu inkurajon bashkëpunimin midis Kosovës dhe Malit të Zi, pasi ekipet nga të dy vendet do të punojnë së bashku në gërmime arkeologjike, aktivitete edukative dhe promovime. Këto aktivitete do të ndihmojnë në rritjen e ndërgjegjësimit dhe tërheqjen e më shumë vizitorëve në këto vende. Që t’i arrijë këto, projekti do të përdorë video, faqe interneti dhe rrjete sociale.

I gjithë qëllimi i këtij projekti është të krijojë mundësi atraktive në tërheqjen e sa më shumë vizitorëve në këto dy destinacione, gjë që mendohet se do të kontribuojë në ekonominë lokale duke krijuar vende pune dhe mundësi të reja për biznese.

Në të njëjtën kohë, thuhet se projekti siguron që këto vende të rëndësishme kulturore të ruhen për brezat e ardhshëm.

Aktivitetet janë pjesë e projektit “Evokimi dhe Tërheqja e Trashëgimisë Kulturore – Antikiteti i Krishterë dhe Hamami Turk për Turizmin Kulturor” që ka rrjedhur nga një bashkëpunim në mes të Muzeut Polim nga Berane dhe organizatës “Marimangat e Pejës” nga Peja.

Projekti ka shtrirje ndërkufitare ndërsa financohet nga programet e EU-IPA fondet nga programin për bashkëpunim ndërkufitarë në mes të Kosovës dhe Malit të Zi./ KlanKosova/ KultPlus.com

47% më shumë vizitorë në institucionet e trashëgimisë kulturore

Shqipëria turistike vijon të tërheqë vëmendje jo vetëm për bregdetin magjepsës, por edhe për pasurinë e saj kulturore. Sipas shifrave të publikuara nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, 3-mujori i parë i vitit 2024 shënoi rritje me 47 % të vizitorëve në institucionet e trashëgimisë kulturore, krahasuar me vitin 2023.

Nga janari në mars, institucionet e trashëgimisë kulturore janë vizituar prej më shumë se 97 mijë vizitorësh, vendas dhe të huaj. Ndërkohë që një vit më parë, për të njëjtën periudhë kjo shifër arrinte në rreth 51 mijë vizitorë.

Më herët, ministri i MEKI-t, Blendi Gonxhja ka bërë publike edhe shifrat e vizitueshmërisë së muzeve e parqeve arkeologjike, shifra të gjitha në rritje.

Sipas INSTAT, vetëm gjatë muajit mars numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar shënoi një rritje prej 47.1 %, duke arritur 564.975. Ndërsa përgjatë 3-mujorit, Shqipërinë e vizituan 1 535 113 shtetas të huaj ose gati 500 mijë më shumë se në të njëjtën periudhë të 2023-shit./atsh/KultPlus.com

‘Guri i Nënës Pashkë’ vendoset në listën e trashëgimisë kulturore

Guri i Nënës Pashkë, dhe asete të reja i janë shtuar listës së trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përkohshme, shkruan KultPlus.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në facebook ka bërë të ditur se përfshirja në listën e trashëgimisë kulturore të Gurit të Nënës Pashkë, ishte hap i domosdoshëm drejt zgjidhjes përfundimtare të kësaj qështjeje.

Kësaj liste i janë bashkangjitur edhe  Spitali ushtarak i Gradicës, Përmendorja e Minatorëve, lokali “Panda” në Pejë, Xhamia e Sfircës, Varri i Don Mikel Tarabulluzit, afreskat romake të Dresnikut.

Postimi i plotë i Kryeministrit Kurti në facebook:

Guri i Nënës Pashke, Spitali ushtarak i Gradicës, Përmendorja e Minatorëve, lokali “Panda” në Pejë, Xhamia e Sfircës, Varri i Don Mikel Tarabulluzit, afreskat romake të Dresnikut, pasurojnë listën e trashëgimisë kulturore

Kujtimi për vetëflijimin e Nënës Pashke dhe guri që simbolizon aktin e saj do të jenë në përkujdesje shtetërore. Përfshirja në listën e trashëgimisë kulturore, në kategorinë “shpirtërore” ishte hap i domosdoshëm drejt zgjidhjes përfundimtare për Gurin përkujtimor të Nënës Pashke. Më të mirin rrëfim për Pashke Krasniqi Markaj deri sot e ka bërë shkrimtari ynë Ag Apolloni në dokuromanin e tij “Një fije shprese, një fije shkrepëse.”

Derisa procesi i mbrojtjes së përhershme po vazhdon me dinamikë të shtuar, listës së trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përkohshme i shtohen edhe 23 asete të reja.

Doktor Lec Gradica nuk u ndalë së ushtruari profesionin e tij deri në momentin që ra dëshmor për lirinë e Kosovës. Oda e familjes së tij në Gradicë të Drenasit ishte shndërruar në spital ushtarak të zonës ku ai i shëronte ushtarët e plagosur të UÇK-së. Kjo shtëpi tash e tutje do të mbrohet me ligjet e shtetit për t’u shndërruar në pikë reference dhe nderimi për doktor Lecin dhe mjekët e tjerë dëshmorë të Kosovës.

Në mbrojtje shtetërore merret edhe Përmendorja e Minatorëve në komunën veriore të Mitrovicës, e ndërtuar më 1973 dhe që për autor ka disidentin serb, njërin ndër kundërshtarët më të guximshëm të Millosheviqit, arkitektin Bogdan Bogdanoviq.

Më 14 dhjetor 1998 në lokalin “Panda” në Pejë, shërbimet serbe ekzekutuan gjashtë të rinj serbë për të akuzuar rrejshëm UÇK-në si fajtore, në përpjekjen e regjimit të Millosheviqit për të justifikuar gjenocidin që po ngjante në Kosovë. Përveç si kujtesë historike, mbrojtja me ligj të shtetit e këtij lokali vjen edhe si alarm dhe thirrje për vigjilencë karshi mendësisë së pandryshuar politike të Serbisë në raport me shqiptarët dhe Kosovën.

Xhamia e Sfircës, e ndërtuar në vitin 1890, është objekti më i vjetër në komunën e Kamenicës. Ky simbol i identitetit kulturor e fetar, konsiderohet si një prej monumenteve më të rëndësishme të kësaj ane.

Don Mikel Tarabulluzi ka qenë mësuesi i parë shqiptar në Kosovë. Në një ambient ku jetonin shqiptarë dhe kroatë, ai hapi shkollën e parë shqipe dhe shërbeu edhe si prift edhe si mësues.

Afreska të periudhës romake të gjetura në Lokalitetin arkeologjik të Dresnikut në Klinë, shtëpi tradicionale e kulla shqiptare që i kanë rezistuar shekujve, mullinj, shkolla, kisha, janë pjesë e listës së fundit të aseteve që morën statusin e mbrojtjes ligjore./KultPlus.com

Arti dhe shkenca bëhen bashkë për ruajtjen e pikturave murale të kishave

Intituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore njoftoi se u miratua në KKTKM-n e datës 24.08.2023 projekti “Atelieja e Janit dhe Vasilit nga Qestorati nën kuadrin e pikturës së shek. XVIII”.

Ky projekt synon të kryejë analiza jo-destruktive mbi pikturën murale të kishave, studimin ikonografik, përpunimin grafik të tyre, si dhe të krijojë marrëdhënie kontekstuale.

Këto studime do të informojnë projektimin e ndërhyrjeve konservuese dhe restauruese për veprat e artit që i atribuohen ateliesë së Janit dhe Vasilit nga Qestorati, e cila përfaqëson një atelie tipike familjare, të shquara në kishat në rajonet e Zagorisë, Dropullit, Leshnicë e Sipërme, Dhrovjanit dhe Himarës. Duke hedhur dritë mbi këtë aktivitet artistik më pak të njohur të shekullit të 18-të, studimi kontribuon në përpjekjet e përbashkëta të IKTK dhe IFBZ (Institutit të Fizikës Bërthamore të Zbatuar).

Qëllimi kryesor i projektit është të përmirësojë aplikimin e teknikave bërthamore/atomike në ruajtjen dhe restaurimin e trashëgimisë kulturore në Shqipëri, duke nxitur bashkëpunimin midis institucioneve vendase dhe organizatave ndërkombëtare. / atsh / KultPlus.com

Manastiri i Shën Kozmait, një prej thesareve më të bukura të trashëgimisë kulturore

Besimtarët e krishterë sot kremtojnë ditën e Shën Kozmait, një nga shenjtorët të cilit i janë kushtuar më shumë kisha e manastire në mbarë vendin. Më i rëndësishmi është Manastiri i Shën Kozmait në Kolkondas të Fierit, i ndërtuar me kontributin e Ali Pashë Tepelenës, më 12 maj 1814.

Ky manastir është vend pelegrinazhi, jo vetëm për banorët e Fierit dhe zonave përreth, por në këtë ditë të veçantë, pret pelegrinë edhe nga përtej kufijve, kryesisht të krishterë nga vendi fqinj Greqia.

Festa zakonisht nis mbrëmjen e 23 gushtit dhe kulmon ditën e sotme. Më të devotshmit, e kalojnë natën në Kolkondas, me shpresë në ndihmën e shenjtit Kozma.

Manastiri është ngritur përbri lumit Seman. Dy letra të Ali Pashë Tepelenës drejtuar të krishterëve të Nahijes së Beratit dhe një mbishkrim i gdhendur mbi një pllake guri në apsidën e kishës dëshmojne për kontributin Pashait të Janinës në ngritjen e manastirit.

Kompleksi i manastirit përbehët nga kisha (katolikoni), konakët e manastirit që mbyllin anën veriore dhe lindore të oborrit, kisha e Shen Marise (1782) dhe një paraklisi ndermjet dy kishave, ku është qenotafi i Shën Kozmait.

Gjatë periudhës së diktaturës komuniste, manastiri u braktis dhe ato pak pjesë të konakëve, që kishin mbijetuar pas përmbytjes që manastiri pësoi nga vërshimi i lumit Seman në fillim të shek. XX, u shkaterruan në vitin 1986.

Mbas punimeve të restaurimit të kishës dhe të plotësimit, restaurimit dhe rindertimit të konakëve me shumë vlerë për tipologjinë e kësaj gjinie, të kryera nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, manastiri rifitoi vlerat e vërteta dhe është kthyer në një qendër pelegrinazhi me veprimtari të dendur fetare e kulturore./ atsh / KultPlus.com

Margariti: Manastiri “Fjetja e Shën Marisë”, në Parkun e Apolonisë, një nga perlat e trashëgimisë sonë kulturore

Për t’u uruar gjithë besimtarëve të krishterë “Gëzuar Ditën e Shën Marisë”, ministrja e Kulturës, Elva Margariti zgjodhi të ndante online një imazh nga manastiri “Fjetja e Shën Marisë”, në Parkun të Apolonisë. Ministrja Margariti e ka konsideruar këtë manastir si, një nga perlat e trashëgimisë sonë kulturore.

Ndërtuar majë një kodre, me peizazhin që përfshin rrënojat mijëra vjeçare të Parkut Arkeologjik të Apolonisë, fushën e myzeqesë dhe detin Adriatik, Manastiri dhe Kisha e Shën Mërisë përbëjnë një nga komplekset fetare më mbresëlënëse që mund të vizitohen në të gjithë vendin.

Ndërtimi i ketij manastiri mendohet se ka nisur në shekullin e XIII, por materialet e përdorura datojnë shumë më herët, duke qënë se u përdorën blloqet e shkallareve të amfiteatrit apo të rrënojave të tjera të lashtësisë që gjendeshin përreth.

Ky takim mes antikitetit dhe arkitekturës bizantine, së bashku me Muzeun Arkeologjik të pozicionuar brenda Manastirit, e bëjnë këtë kompleks tejet të rrallë për nga vlerat historike, arkitekturore, kulturore e fetare.

Mozaikët pranë trapezerisë (mencës së murgjëve), portiku i Kishës me kolonadën e bukur prej tetë shtyllash, ikonat dhe pikturat murale, krijojnë një kompleks mjaft sugjestiv. Në vitin 1927 u rindërtua ikonostasi si dhe u ndërtua këmbanarja e bukur që i jep një tjetër pamje gjithë zonës. Disa qiparisë të vetmuar shërbejnë si dekor perfekt në këtë kompleks që ngjan i krijuar enkas për t’i lënë hapësirë udhëtimit shpirtëror./ atsh / KultPlus.com

Trashëgimia kulturore tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë

Çdo ditë e më shumë trashëgimia jonë kulturore po tërheq vëmendjen e vizitorëve vendës e të huaj.

Nga analiza statistikore e muajve janar-maj, rezulton se vizitueshmëria në muzetë e vendit tonë është rritur ndjeshëm nga viti në vit.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ndau sot në rrjetet sociale shifrat e vizitorëve në muzetë e vendit, nga muaji janar deri në maj, përgjatë 4 viteve të fundit. Grafiku ka ardhur gjithnjë në rritje, nga 2020 deri më 2023-shin.

Në 2020-ën muzetë janë vizituar nga 9553 vizitorë vendas e të huaj, ndërsa kjo shifër arrin në 86002 vizitorë në muajt janar-maj të vitit 2023./ atsh / KultPlus.com

Pasurohet Lista e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ka bërë të ditur se propozimet  e parashtruara nga ky institucion për përfshirje në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme, janë shqyrtuar nga Departamenti i Trashëgimisë Kulturore dhe Komisioni Profesional Shqyrtues për kërkesa dhe propozime dhe pas vlerësimit të propozimeve ky komision i kanë rekomanduar Ministrit të Kulturës Rinisë dhe Sportit miratimin e tyre.

Andaj me vendim të ministrit të Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Ceku, është aprovuar lista e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme në përputhje me rekomandimin e Komisionit Profesional Shqyrtues të kërkesave/propozimeve për përfshirje në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme.

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren në përmbushje mandatit dhe detyrimeve ligjore, si dhe në zbatim të procesit të inventarizimit, dokumentimit dhe vlerësimit ka propozuar 3 (tre) astete për tu përfshirë në regjistrin e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme në kategorinë arkitekturore për vitin 2021-2022.

Asetet të cilat janë përfshirë këtë vit në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme nga rajoni i Prizrenit janë: Shtëpia e familjes “Luboteni” në Prizren, Mulliri i familjes “Isak Vuçterrna” Rahovec, si dhe Ish shkolla “Emin Duraku” apo sot gjimnazi “Remzi Ademaj”.

Samir Hoxha drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, thekson se trashëgimia e pasur kulturore që ka rajoni i i Prizrenit, sjellë harmonin dhe bukurinë në mjedisin tonë të jetesës, andaj me këtë rast duhet falënderuar  të gjitha palët e angazhuara në këtë proces, me theks të veçantë punonjësit profesional të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren për përmbylljen me sukses të këtij angazhimi për këtë vit./KultPlus.com

Verifikim veprave të artit që u shpëtuan nga trafikimi, Margariti: Ta ruajmë trashëgiminë kulturore

Vijon lufta kundër trafikimit të pasurive kulturore.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti apeloi sot që të ruajmë të gjithë së bashku trashëgiminë tonë kulturore.

“Dy objekte arkeologjike të periudhës së antikitetit: një reliev funerar dhe një amforë janë sekuestruar nga Drejtoria e Policisë Vendore e Durrësit”, tha ajo.

“Institucione të specializuara të Ministrisë së Kulturës, Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore dhe Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore i kanë ardhur në ndihmë procesit hetimor, duke kryer verifikimin fizik paraprak të tyre. Tashmë për punohet për vlerësimin e veprave dhe prejardhjen e tyre, në përputhje me Ligjin “Për trashëgiminë kulturore dhe Muzetë”, u shpreh ministrja Margariti.

“Le të jetë ky një moment sensibilizimi. Trashëgiminë tonë kulturore duhet ta ruajmë të gjithë së bashku dhe t’ia përcjellim brezave të rinj”, apeloi ministrja e Kulturës.

Policia e Durrësit finalizoi sot operacionin policor të koduar “Antikat”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të veprave të artit.

Policia sekuestroi dy vepra që i përkasin periudhës së antikitetit, pjesë e trashëgimisë kulturore. Veprat do shiteshin kundrejt shumës 18 deri në 25 mijë euro secila.

Në kuadër të këtij operacioni, në zonën e Currilave, u kapën dhe u arrestuan në flagrancë në tentativë për shitje të dy veprave të antikitetit, shtetasit, A. V., 49 vjeç, banues në Fier, i cili drejtonte automjetitn tip “Toyota”, ku u gjetën veprat e artit; A. V., 37 vjeç dhe R. Z., 48 vjeç, të dy banues në Tiranë./ atsh/ KultPlus.com