Vushtrria e pasur me objekte të trashëgimisë, ministri i MKRS-së premton investime

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar Komunën e Vushtrrisë ku është takuar me kryetarin e Komunës, Bajram Mulakun, me të cilin ka biseduar rreth bashkëpunimit ndërmjet MKRS-së dhe Komunës së Vushtrrisë në fushat e interesit të përbashkët, veçmas për projektet të cilat janë realizuar dhe projektet që janë të planifikuara për të ardhmen në fushën e trashëgimisë kulturore, kulturës, rinisë dhe sportit, përcjellë KultPlus.

Mulaku e informoi ministrin Gashi për fazën se ku kanë arritur investimet e MKRS-së që po realizohen momentalisht në Vushtrri si dhe për aktivitet që organizohen në fushën e rinisë, kulturës dhe sportit në këtë komunë, me 36 klubet që ka Vushtrria. Ai theksoi se Vushtrria është e pasur me objekte e monumente të shumta të trashëgimisë kulturore. Po ashtu, veçoi festivalin “Poeteshat” me një traditë të gjatë, që sivjet do të jetë edicioni i 35-të, e që pritet të organizohet gjatë tetorit.

Në kuadër të investimeve kapitale, në takim u diskutua për projektet konkrete që pritet të hyjnë në planifikim për t’u realizuar në të ardhmen siç janë: ndërtimi i Qendrës së re të Kulturës “Hasan Prishtina”, meremetimi i stadiumit të qytetit, restaurimi i tërësishëm i Urës së Gurit dhe një hulumtim arkeologjik mbi historikun e urës që do të faktojë vërtetësinë e saj.

Në lidhje me këtë të fundit, ministri Gashi, bashkë me kryetarin Mulaku, panë në vend të ngjarjes, gërmimet dhe zbulimin e harqeve të reja që është bërë te Ura e Gurit në Vushtrri, të cilat është duke i zhvilluar Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës. Vlerësohet se zbulimi i dy harqeve të reja që është bërë në këtë lokalitet i rrëzon tezat e mëhershme që pretendohej se ura i ka nëntë harqe.

Ardiana Qorraj, udhëheqëse e gërmimeve, e informoi në hollësi për punën restauruese që po bëhet në këtë monument të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore jo vetëm të Vushtrrisë por të Kosovës. Në kuadër të restaurimit të urës, si një ndërhyrje emergjente, ka ardhur deri tek zbulimi i harqeve të reja të urës, u shpreh Qorraj.

Ministri Gashi tha se Vushtrria do të ketë vëmendjen dhe përkrahjen e pakursyer të MKRS-së në realizimin e projekteve që janë në realizim e sipër dhe atyre që do planifikohen për të ardhmen. Ai u shpreh se është e nevojshme që të ndërhyhet shpejtë në restaurimin e Urës së Gurit, sepse përpos që është një monument në mbrojtje, ai përfaqëson një identitet dhe një histori në vete për Vushtrrinë por edhe më gjerë.

Gjithashtu, Gashi e Mulaku vizituan edhe Qendrën Rinore i cili është në fazën përfundimtare të ndërtimit, e që do të jetë një hapësirë me standarde moderne për të rinjtë vushtrrias, investim i tërësishëm i MKRS-së, në vlerë prej 275 mijë eurove dhe shtëpinë muze të Mahmut Agë Gjinollit, në të cilat MKRS-ja ka investuar 140 mijë euro. / KultPlus.com

Qeveria duhet ta hartojë një agjendë shtetërore për trashëgiminë kulturore

Grupe të qytetarëve dhe organizata të shoqërisë civile, gjatë muajve të fundit, në disa qytete të Kosovës kanë dhënë dëshmi konkrete të aktivizmit në mbrojtjen e qyteteve përkatësisht trashëgimisë kulturore të tyre, të cilat reagime kanë nxitur autoritetet shtetërore që të ndërmarrin veprime korrigjuese lidhur me këto raste.

Në Vushtrri, pas reagimit të aktivistëve lokalë, Ministria e Kulturës ka anuluar një kontratë të dyshimtë, të nënshkruar në mënyrë jotransparente me një kompani private për menaxhimin e Kalasë së Qytetit.

Në një rast të ngjashëm, pak ditë para këtij rasti, organizatat e kulturës në Pejë kanë qenë shumë të zëshme duke ndikuar në kthimin e kalldrëmit në një pjesë të sheshit të qytetit, përkundër faktit se autoritetet qendrore dhe lokale ishin treguar neglizhente ndaj gjetjes së gurëve gjatë kryerjes së punimeve.

Në Prizren, aktivistët e trashëgimisë kulturore përfundimisht kanë ndikuar në arritjen e marrëveshjes mes autoriteteve lokale e qendrore, shoqërisë civile dhe donatorëve ndërkombëtarë për revitalizimin e rrugës “Marin Barleti” në Qendrën Historike të Prizrenit, ku vitin e kaluar si pasojë e shembjes së një shtëpie të vjetër kishte humbur jetën një tre vjeçare.

Ndërsa në Mitrovicë, aktivistët e shoqërisë civile dhe grupe të qytetarëve ka kohë që janë mobilizuar në mbrojtje të shtëpisë së Xhafer Devës dhe shtëpisë së ish-Armatës, ndërsa në të dyja rastet autoritetet e shtetit kanë treguar gatishmëri dhe priten veprime të shpejta në drejtim të mbrojtjes së këtyre objekteve.

Janë edhe disa raste, përfshi riaktivizimin e komponentit të ndërhyrjeve emergjente në monumentet në rrezik, miratimi i Strategjisë Kombëtarë të Trashëgimisë Kulturore (dhe aktivizimi i skemës së granteve të vogla), Muzeu i Historisë së Natyrës, ndër të tjerash, që kanë krijuar një klimë pozitive të qasjes së autoriteteve të shtetit ndaj trashëgimisë kulturore.

Një nga sfidat e rëndësishme mbetet prioritizimi dhe shtimi i efikasitetit të autoriteteve përgjegjëse për inventarizimin e objekteve të trashëgimisë kulturore në gjithë territorin e Kosovës, që paraqet një masë të pashmangshme për ruajtjen dhe mbrojtjen e tyre. Kësisoj me regjistrimin dhe dokumentimin e objekteve të trashëgimisë kulturore do të sigurohej edhe baza për vlerësimin e tyre nëse gëzojnë mbrojtje ligjore. Për më shumë do të ishte ndihmesë për evitimin e rasteve të rrënimit të shtëpive të vjetra dhe objekteve tjera publike, sikur shembulli në Pejë, kur me autorizim të autoriteteve lokale është rrënuar objekti i vjetër i shkollës së parë të mesme të arteve aplikative në Kosovë.

Në rastet e lartpërmendura, aktivizmi qytetar, që në disa qytete është veprim konsistent i viteve të fundit, ka arritur të aktivizojë edhe mekanizmat e shtetit që e kanë në mandat mbrojtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore.

Organizata joqeveritare EC Ma Ndryshe, konsideron se këto janë shkëndijat e para të shpresës për qasje serioze të shtetit në raport me trashëgiminë kulturore. Megjithatë, për shkak të degradimit sistematik, trajtimi i pasojave është ndërmarrje që kërkon angazhim shumë të madh dhe afatgjatë nga autoritetet e shtetit, thuhet në komunikatë.

Duke u thirrur në disa raste pozitive të reagimit të autoriteteve gjatë këtij viti, EC beson në mundësinë për të vendosur trashëgiminë lart në prioritetet e shtetit. Për këtë arsye, i bën thirrje autoriteteve të shtetit, në radhë të parë Qeverisë së Kosovës, që të hartojë urgjentisht një agjendë shtetërore për trashëgiminë kulturore, e cila do të nxiste mobilizim të të gjitha kapaciteteve shtetërore dhe shoqërore.

Pjesë e kësaj agjende shtetërore për trashëgiminë kulturore duhet të jenë së paku këto veprime ose prioritete:

-Hartimi dhe zbatimi i planeve të menaxhimit për të gjitha asetet e trashëgimisë kulturore që janë në mbrojtje të shtetit;
-Funksionalizimi i plotë i mbrojtjes së përhershme ligjore të aseteve të trashëgimisë kulturore, ashtu që t’i jepet fund praktikës së mbrojtjes së përkohshme;
– Qeveria përkatësisht MKRS-ja duhet të jetë shumë më e koordinuar me autoritetet e nivelit lokal (komunat) rreth mbrojtjes, menaxhimit dhe promovimit të aseteve të trashëgimisë kulturore;
– MKRS të krijojë mekanizma konsultativ me shoqërinë civile në fushën e trashëgimisë kulturore;
– MKRS të fillojë një dialog të hapur dhe konstruktiv me pronarët privat të aseteve të trashëgimisë kulturore që janë në mbrojtje të përkohshme në mënyrë që të mbrohet trashëgimia kulturore dhe të përkrahen pronarët në fjalë;
-Prioritizimi dhe shtimi i efikasitetit të autoriteteve përgjegjëse për inventarizimin e objekteve të trashëgimisë kulturore;
-Zbatimi i plotë i ligjit për rastet e veprës penale ‘dëmtim i monumenteve’ (përfshirë këtu edhe rolin më aktiv të organeve të drejtësisë, të cilat duhet të rrisin nivelin e përgjegjësisë në këtë drejtim);
-Angazhim për një aplikim të denjë për anëtarësim në UNESCO dhe me transparencë për procesin;
-Restaurimi i pjesës së mbetur të kishave ortodokse të dëmtuara në vitin 2004;
-Miratimi dhe zbatimi i planit të menaxhimit të lokalitetit arkeologjik ‘Ulpiana’;
-Trajtimi profesional dhe me prioritet i lokaliteteve arkeologjike të zbuluara rishtazi dhe
-Miratimi dhe zbatimi i planeve të menaxhimit për Qendrat Historike të Kosovës.

Projekti “Transparenca e Planifikimit Hapësinor në Prizren” synon hapjen e dokumenteve të planifikimit hapësinor në komunën e Prizrenit, për të përmbushur obligimet e Kartës për Hapjen e të Dhënave, dhe rritur nivelin e llogaridhënies publike në këtë sektor. Hapja e të dhënave dhe dokumenteve të planifikimit hapësinor do të krijojë mundësi më të mëdha për mbikëqyrjen e punës së autoriteteve publike në raport me urbanizmin, lejet e ndërtimit, planifikimin zhvillimor dhe menaxhimin e trashëgimisë kulturore. / KultPlus.com

Turistët të mahnitur gjatë vizitave në zonat e trashëgimisë sonë historike e kulturore

Bregdeti shqiptar këtë vit kishte një fokus të veçantë nga mediat botërore, po jo keq ka mbetur edhe pjesa e trashëgimisë historike e kulturore, shkruan KultPlus.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar mëngjesin e sotëm në rrjetin social Facebook, një video me mbresa të turistëve gjatë vizitave në zonat e trashëgimisë historike e kulturore të Shqipërisë.

“Mirëmëngjes dhe ju uroj një ditë të mbarë me këto mbresa të turistëve gjatë vizitave në zonat e trashëgimisë sonë historike e kulturore”, shkruan kryeministri Rama.

Për më tepër rreth mendimeve të turistëve për këto pjesë të Shqipërisë, mund të ndiqni videon në vazhdim. / KultPlus.com

Zhduket edhe një gjurmë e kujtesës kolektive në Pejë, rrënohet objekti i shkollës “Odhise Paskali”

Ditë më parë, Komuna e Pejës ka rrënuar objektin e Shkollës së Mesme të Arteve Aplikative “Odhise Paskali”, me pretendimin për të ndërtuar hapësira të reja në shërbim të shollës. Ky veprim i komunës është realizuar pa përfshirje dhe konsultim paraprak të palëve të interesit, duke i anashkaluar edhe qytetarët e Pejës në përgjithësi, përcjellë KultPlus.

“Ne konsiderojmë që ky veprim është vazhdimësi e qasjes së gabuar dhe shumë të dëmshme të komunës në raport me vlerat e qytetit, strukturën dhe identitetin urban dhe trashëgiminë kulturore. Objekti i shkollës së arteve, i ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore ka qenë ndër ekzemplarët e paktë të mbetur të stilit austro-hungarez të ndërtimit. Për më tepër, përveç stilit të ndërtimit, objekti ka shërbyer për funksione të ndryshme administrative, edukative dhe kulturore, me rëndësi të veçantë për qytetin dhe qytetarët. Mbi të gjitha, objekti ka qenë pjesë e rëndësishme e kujtesës kolektive të qytetarëve të Pejës. Një veçanti, Shkolla e Arteve e Pejës është e njohur si edukues i gjeneratës së parë të artistëve pamorë të Kosovës, dhe si institucion që i parapriu dhe kontribuoi në themelimin e Akademisë së Arteve të Kosovës”, thuhet në reagimin që ka bërë Rrjeti i Organizatave të Kulturës në Pejë.

Përkundër faktit që ky objekt nuk ka qenë pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore, vlerat e listuara më lartë janë argumente të mjaftueshme për të vlerësuar rrënimin si akt shkatërrues kundrejt trashëgimisë kulturore të qytetit te Pejës. Vlerat e qytetit nuk i kanë shpëtuar agresionit të të gjitha qeverive lokale të pas-luftës në Pejë, ndërsa rrënimi i objektit të shkollës së arteve paraqet vazhdimësinë e mendësisë së mbrapshtë që po e zhduk Pejën që qytetarët e kujtojnë dhe njohin.

“Ne shprehim edhe pakënaqësinë tonë me punën e autoriteteve të trashëgimisë kulturore. Si pasojë e mosefikasitetit të tyre për të dokumentuar dhe ofruar mbrojtje ligjore për shumë objekte me vlerë në qytet, rrënimet e objekteve me vlerë dhe zhdukja e kujtesës kolektive janë shndërruar në normalitet”, thuhet tutje në reagim.

Komunën e Pejës si kryese e këtij akti të shëmtuar dhe Ministrinë e Kulturës si përgjegjëse për mbrojtjen ligjore të trashëgimisë kulturore, kjo organizatë i fton në përgjegjësi.

“Qytetarët e Pejës janë thellësisht të zhgënjyer me nivelin e ultë të llogaridhënies nga institucionet publike. Paaftësia e tyre për të dhënë përgjegjësi publike për këtë rrënim nënkupton miratim dhe përkrahje të përpjekjeve për të vazhduar degradimin, edhe ashtu në nivele alarmante të qytetit të Pejës”. / KultPlus.com

Ura e Prokopit në Himarë shpallet Monument Kulture i Kategorisë së Parë

Ura e Prokopit në Bashkinë Himarë, e shpallur së fundi Monument Kulture i Kategorisë së Parë, është një objekt me vlera monumentale dhe pjesë e historisë së zhvillimit dhe vazhdimësisë së ndërtimit të Qendrës Historike të Himarës.

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, me urdhrin nr. 477, dt.14.07.2017, shpalli Monument Kulture të Kategorisë së Parë, “Urën e Prokopit” në Bashkinë Himarë. Propozimi për shpalljen e kësaj ure Monument Kulture u krye nga DRKK Vlorë dhe IMK, për vlerat arkitektonike që ajo mbart dhe duke e konsideruar atё pjesё tё natyrshme tё historisё dhe dinamikёs sё zhvillimit urbanistiko-arkitektonik tё Qendrёs Historike tё Himarёs.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, me urdhrin nr. 477, dt.14.07.2017, shpalli Monument Kulture të Kategorisë së Parë, “Urën e Prokopit” në Bashkinë Himarë. Propozimi për shpalljen e kësaj ure Monument Kulture u krye nga DRKK Vlorë dhe IMK, për vlerat arkitektonike që ajo mbart dhe duke e konsideruar atё pjesё tё natyrshme tё historisё dhe dinamikёs sё zhvillimit urbanistiko-arkitektonik tё Qendrёs Historike tё Himarёs.

Ajo ndodhet në lindje të qendrës historike, në përroin që lidhte këtë qendër me lagjen përballë saj, ku ndodhet kisha e Shën Prokopit, nga e cila ka marrë emrin ura. Ura dhe kalldrëmi karakteristik, u ndërtuan në vitin 1878 nga himarjoti Vjero Kosta.

Ura është një ndërtim solid me një hark rreth 4 m të lartë. Këmbët e saj janë mbështetur në shkëmbinjtë anësor të përroit. Lartësia e përgjithshme është rreth 7 m dhe gjerësia e kalldrëmit 3.80 m.

DRKK Vlorë në kuadër të mbrojtjes, mirëmbajtjes, gjurmimit, dokumentimit dhe promovimit të trashëgimisë kulturore në zonën e Bregdetit të Himarës, vijon të eksplorojë vlerat monumentale të kësaj zone, duke propozuar dhënien e statusit Monument Kulture për objektet e kultit, ndërtimet me vlera të rralla inxhinierike dhe arkitektonike, si dhe rrënojat arkeologjike të zonës. / KultPlus.com