Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) dhe forumZFD programi në Kosovë, në shënimin e 19 qershorit – Ditës Ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikt do të promovojë librin “Përtej dhimbjes, drejt guximit: Rrëfime për traumën e dhunës seksuale në luftë”.
Libri është përpjekje për të dokumentuar dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë, si dhe jehonën traumatike që këto përvoja kanë në organizimin familjar, komunitar dhe shoqëror.
Përgjatë vitit 2020, QKRMT dhe forumZFD programi në Kosovë janë përfshirë në një proces hulumtues duke intervistuar dhjetë familjarë të të mbijetuarave të dhunës seksuale në luftë dhe dy burra të mbijetuar të dhunës seksuale nga lufta e fundit në Kosovë.
I përpiluar në formë rrëfimtarie të historive gojore, libri shqyrton implikimet e dhunës seksuale në luftë dhe drejtësinë sociale përmes tregimeve të burrave dhe grave, vajzave dhe motrave, që (bashkë)jetojnë dhe ballafaqohen me traumën, turpërimin dhe stigmën kolektive.
Dokumentimi i këtyre historive po ashtu synon të kontribuojë në diversifikimin e rrëfimit për luftën në Kosovë.
Një panel i përbërë nga njohës të kësaj çështjeje do të diskutojnë për mënyrat se si ekspozimi i tërthortë ndaj kësaj traume ndikon shoqërinë, të afërmit dhe familjarët. Diskutimi po ashtu shqyrton diskursin mbi dhunën seksuale si pjesë e një narracioni më të gjerë historik dhe politikave publike, etikën dhe rëndësinë e dokumetimit të përvojave të tilla.
Libri është i përgatitur në tri gjuhë dhe në fund te promovimit do të shpërndahen ekzemplarë falas!
Përgatitja dhe publikimi i librit mbështetet nga Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë dhe Ambasada Zvicerane në Kosovë. /rtklive.com/ KultPlus.com