“Travel Off Path”: Pse Shqipëria po bëhet destinacioni kryesor turistik në Evropë?

Evropa të sjell në mendje imazhe të bulevardeve madhështore pariziene, rrënojave të lashta romake dhe plazheve spanjolle të mbushura me diell, sipas “Travel Off Path”.

Për dekada të tëra, këta gjigantë të Evropës Perëndimore kanë dominuar listat e dëshirave të udhëtimit, duke tërhequr miliona turistë në monumentet e tyre ikonike dhe qytetet e tyre plot jetë.

Le të jemi realistë: Këto vende janë të mahnitshme, por të gjithë jemi ne dijeni se vera në Evropën Perëndimore sjell turma masive me vizitorë dhe çmime shumë të larta.

Por trendet e udhëtimeve po ndryshojnë. Ndërsa destinacionet klasike mbeten të njohura, turistët e zgjuar që kërkojnë përvoja autentike, peizazhe mahnitëse po e kthejnë vëmendjen e tyre drejt lindjes.

Harrojini vizitat ​​në Kolose këtë vit. Ekziston një vend që krenohet me bukurinë mesdhetare, pa turma vizitorësh dhe çmime të larta krahasuar me fqinjët e tij.

Ekipi i “Travel Off Path” e ka vizituar personalisht këtë vend në zhvillim dhe është plotësisht dakord – se është një destinacion i jashtëzakonshëm pushimsh dhe një vend unik evropian!

Përgatituni të eksplorini këtë verë Shqipërinë!

Shqipëria? Shifrat nuk gënjejnë!

Mund të habiteni. Shqipëria? Ndonëse ndoshta nuk është emri i parë që ju vjen ndërmend për pushime në Evropë, statistikat dëshmojnë një destinacion që po rritet me shpejtësi në popullaritet.

Sipas agjencisë së Turizmit të OKB-së, Shqipëria përjetoi një rritje të jashtëzakonshme prej 80% të mbërritjeve turistike në vitin 2024 – krahasuar me nivelet para pandemisë – duke e vendosur atë midis liderëve botërorë për rritjen e turizmit.

Shifrat e hershme për vitin 2025 tregojnë se ky trend nuk po ngadalësohet, me numrin e vizitorëve të huaj në janar që është rritur tashmë me 14,5% krahasuar me vitin e kaluar.

Sharmi i Rivierës Shqiptare pa shtrënguar buxhetin 

Një nga atraksionet më të mëdha të Shqipërisë është Riviera Shqiptare.

Mendoni për bregdete të mrekullueshme që ju kujtojnë Greqinë ose Kroacinë, por me çmime shumë më të përballueshme.

Ndërsa çmimet po rriten në mënyrë të pashmangshme – siç u vu re në fillim të vitit 2025 – Shqipëria ende ofron një përvojë mesdhetare relativisht të përballueshme.

Ju mund të rezervoni dhoma cilësore në bujtina ose edhe hotele buzë detit me çmime që do t’i bënin turistët në Itali “të qanin”.

Po bregdeti? Është spektakolar.

Riviera Shqiptare, që shtrihet përgjatë Detit Jon, ofron ujëra të kristalta ngjyrë bruz, shkëmbinj dramatikë dhe plazhe të bukura që variojnë nga brigjet e gjalla të Sarandës deri te plazhet gjithnjë e më të famshme dhe mahnitëse rreth Ksamilit, të quajtura shpesh “Maldivet e Evropës”.

Gjiret e fshehura si, Plazhi i Gjipesë ose brigjet pranë Dhërmiut ofrojnë relaks perfekt si në kartolina.

Ju mund të shijoni darka me ushqime të freskëta deti pranë bregdetit me kosto të përballueshme.

Përveç Plazheve: Histori, Male dhe Kulturë

Ndërsa Riviera Shqiptare mund të tërheqë vëmendjen, atraksionet e Shqipërisë shkojnë shumë më thellë se vija e saj bregdetare.

Ky është një vend me një histori të pasur dhe peizazhe mahnitëse të larmishme.

Adhuruesit e historisë mund të eksplorojnë tre vende të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Shëtisni në rrugët e pjerrëta, të shtruara me gurë të Gjirokastrës, “Qytetit të Gurtë”, duke u mahnitur nga arkitektura e saj unike e epokës osmane dhe kalaja madhështore.

Vizitoni Beratin, “Qytetin e një mbi një Dritareve”, ku shtëpitë e bardha duket sikur rrëzohen nga shpati i kodrës drejt lumit.

Eksploroni rrënojat e lashta të Parkut Kombëtar të Butrintit, një vend i banuar që nga kohërat parahistorike, ku shfaqet historia greke, romake, bizantine dhe veneciane.

Zbuloni kryeqytetin e gjallë dhe plot ngjyra, Tiranën, një qytet që po heq dorë nga e kaluara e tij komuniste – me kafene të shumta, tregje si Pazari i Ri, muze magjepsës – duke përfshirë bunkerët e Luftës së Ftohtë – të shndërruar në hapësira arti si Bunk’Art dhe Sheshin madhështor Skënderbej.

Për adhuruesit e natyrës, Malet e Nemuna (Alpet Shqiptare), në veri ofrojnë shtigje për ecje dhe peizazhe dramatike, ndërsa Qafa e Llogorasë ofron një udhëtim mahnitës bregdetar .

Koha për të vizituar Shqipërinë është pikërisht tani

Koha për të vizituar Shqipërinë është pikërisht tani. Lidhjet e përmirësuara të fluturimeve dhe popullariteti në rritje ndërkombëtarisht do të thotë se është më e lehtë për ta vizituar se kurrë më parë.

Megjithatë, kjo rritje e shpejtë do të thotë se ditët kur ajo ishte një sekret krejtësisht i pazbuluar janë të numëruara.

Ndërsa Shqipëria ende ofron një përvojë autentike dhe më pak të mbushur me turistë sesa shumë fqinjë, fjala po përhapet me shpejtësi.

Nëse jeni duke kërkuar një destinacion evropian në vitin 2025 që ndërthur bukurinë mahnitëse natyrore, historinë interesante dhe vendasit mikpritës – Shqipëria duhet të jetë në krye të listës suaj të udhëtimeve.

Ajo ofron një ndërthurje gjithnjë e më të rrallë: një vend që të jep ndjesinë e një risie emocionuese dhe thellësisht historike.

Vizitoni Shqipërinë përpara se të gjithë të tjerët ta bëjnë – nuk do të pendoheni pasi të keni zbuluar yllin në ngritje të Evropës!/atsh/KultPlus.com

“Travel off Path”: Vlora, qyteti bregdetar i mbushur me brigje mahnitëse dhe vendpushime të qeta

Mesdheu është i mbushur me brigje me ujëra blu dhe vendpushime të qeta – që përqafojnë stilin e jetës si nomad, por jo të gjitha mund të kurorëzohen si më të mirat ne Evropë, shkruan Sam Sears në një artikull të botuar në “Travel off Path”.

Ekspertët veçojnë Shqipërinë, një vend i vogël që ka regjistruar një fluks të numrit të nomadëve digjitalë – që nga lëshimi i vizave jozyrtare në vitin 2022 – ndërsa shumë prej tyre kanë zgjedhur të jetojnë në kryeqytet, Tiranë, mes qyteteve të tjera bregdetare.

Vlora është një nga qytetet më mahnitëse në Shqipëri.

Ku ndodhet Vlora?

Vlora është qyteti i tretë më i madh i Shqipërisë, i vendosur përgjatë brigjeve të pacenuara me pamje nga Gjiri i Vlorës – dhe i shtrirë në një vijë të drejtë me qytetin turistik, Leçe – aktualisht “arratisja” më në trend e Italisë.

Qyteti bregdetar – së shpejti pritet të kthehet në pikën turistike më të vizituar të Shqipërisë nga turistët e huaj – pasi vendi vazhdon të tërheqë vëmendjen, kryesisht falë zbulimit të më shumë xhevahireve të fshehura, si Vlora.

Ky qytet turistik ofron akomodime cilësore për një pushim të qetë, dhe apartamente të cilat mund të rezervohen për 400 dollarë në muaj.

I rrethuar nga nga më shumë ujëra bruz se sa Santa Fe – kryeqyteti i shtetit amerikan të Nju Meksiko – ky qytet i mrekullueshëm ofron peizazhe si në kartolina – ndërsa jeni duke pushuar në një nga shumë plazhet e tij idilike.

Sipas ekspertëve të udhëtimeve tre plazhet më të mira të Vlorës për të vizituar janë:

Plazhi i Gjipesë
Plazhi i Dhërmiut
Plazhi Pulëbardha

Aeroporti i ri i Vlorës hapet në mars 2025

Mbërritja në Vlorë do të jetë shumë më e lehtë në mars 2025, pasi aeroporti i ri të jetë funksional.

Transportuesi kryesor i Shqipërisë, “Air Albania” është në krye të linjave ajrore.

Duke qenë se kompania ajrore “Ryanair” po nis fluturimet për në Dakhla, Sahara Perëndimore nga të gjitha vendet, a nuk mendoni se edhe Vlora do të jetë në radarin e saj?

Për momentin, mënyra më e lehtë për të mbërritur në Vlorë është me autobus nga Tirana.

Për një mundësi më aventureske, mund të fluturoni gjithashtu në Korfuz ose në porte të ndryshme italiane si në Bari, Brindisi dhe Leçe, dhe të merrni një traget./atsh/KultPlus.com

‘Travel off Path’: Shqipëria mes pesë vendeve më të mira në Evropë për nomadët dixhitalë

Të qenit një nomad dixhital është bërë më popullore se kurrë.

Sipas Organizatës Botërore të Turizmit të OKB-së, rreth 16,9 milionë amerikanë e konsiderojnë veten nomadë dixhitalë, më shumë se dyfishi i numrit në vitin 2019.

Për të përmbushur këtë kërkesë, më shumë se 50 vende aktualisht ofrojnë viza nomade dixhitale që lejojnë punëtorët në distancë dhe personat e vetëpunësuar të jetojnë dhe punojnë në një vend tjetër.

Për shumë nomadë dixhitalë, të jetosh në Evropë është një ëndërr.

Revista amerikane e udhëtimeve “Travel off Path” ka sugjeruar vendet më të mira evropiane që ofrojnë aktualisht viza nomade dixhitale.

Kjo renditje bazohet në disa faktorë, duke përfshirë:

Lehtësia e aplikimit për vizë nomade dixhitale

Kërkesat e të ardhurave për vizën nomade dixhitale

Kohëzgjatja e vizës nomade dixhitale

Cilësia e jetës dhe kostot e jetesës

Shqipëria është renditur mes pesë vendeve më të mira në Evropë për nomadët dixhitalë për të jetuar dhe punuar.

Shqipëria

Shqipëria është një nga vendet kryesore evropiane për nomadët dixhitalë për shkak të lehtësisë së lëvizjes atje.

Ndërsa vendi ofron një vizë nomade dixhitale për një vit e cila mund të rinovohet deri në pesë vjet.

Gjithashtu, amerikanët mund të qëndrojnë në Shqipëri deri në një vit pa vizë.

Shqipëria është një vend i bukur me plazhet më mahnitëse dhe të pacënuar në Evropë.

Destinacionet bregdetare si Saranda dhe Ksamili janë perfekte për nomadët dixhitalë.

Shqipëria ofron male mahnitëse, qytete të lashta dhe një kryeqytet të gjallë, Tiranën, e cila është gjithashtu një pikë e nxehtë nomadësh dixhitale.

Jetesa në Shqipëri është më e lirë se pothuajse kudo tjetër në Evropë, duke e bërë atë shumë të përballueshëm për nomadët dixhitalë./atsh/KultPlus.com