Tre zëvendësministrat nga Kosova të emëruar në Qeverinë Rama, njihuni me profilin e tyre

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka publikuar sot listën e zëvendësministrave në Qeverinë e Republikës së Shqipërisë. Bazuar në këtë listë, në Qeverinë e Shqipërisë, risia e emrave të zv/ministrave ishin edhe tre emrat nga Kosova. Valbona Shujaku emërohet zv/ministre e Kulturës, Hajrulla Çeku – zv/ministër i Turizmit dhe Mjedisit, ndërsa Besa Shahini në Ministrinë e Arsimit, shkruan KultPlus.

Valbona Shujaku vjen nga Prishtina – aktualisht e angazhuar në drejtorinë e Kulturës në Komunën e Prishtinës, ndërsa tani e emëruar zëvendësministre në Ministrinë e Kulturës në Shqipëri në Qeverinë e re të Edi Ramës.

Hajrulla Çeku vjen nga Prizreni – ai është aktivist i shoqërisë civile dhe mbrojtës i trashëgimisë kulturore dhe gjithashtu drejton organizatën EC Ma Ndryshe, organizatë me bazë në komunitet që angazhohet për mbrojtjen e qyteteve të Kosovës. Ka përfunduar studimet master në qeverisje dhe zhvillim lokal. Ai njihet edhe si autor i shumë shkrimeve që lidhen kryesisht me problemet sociale. Çeku tashmë zëvendësministër i Turizmit dhe Mjedisit, dhe i njëjti e ka konfirmuar se i është besuar kjo detyrë.

Ndërsa Besa Shahini e cila vjen nga Prishtina – tashmë e emëruar zëvendësministre e Ministrisë së Arsimit në Shqipëri, është analiste dhe hulumtuese e çështjeve të integrimit evropian dhe politikave arsimore. Deri në verën e vitit 2015, Besa ka punuar si analiste me oganizatën me bazë në Berlin, Inciativa Europiane për Stabilitet (ESI). Ajo herë pasë herë ligjëron dhe shkruan për gazetat ditore në Kosovë. Besa ka master nga HertieSchoolof Governance në Berlin.

Shahini pas marrjes së detyrës nga Edi Rama ka konfirmuar marrjen e detyrës dhe ka folur rreth punës që do ta bëjë në fushën e arsimit në Shqipëri.

“Kryeministri Rama sot më emëroi zëvendësministre të Arsimit në qeverinë shqiptare. Ndihem e nderuar që puna ime e deritanishme në fushën e arsimit vlerësohet si aset në qeverinë e Republikës së Shqipërisë. Shpresoj që kontributi im të çojë tek përmirësimi i mëtutjeshëm i shkollave dhe arsimit në Shqipëri. Marrë parasysh që standardet e arsimit shqip vendosen në Tiranë, arritjet atje domosdoshmërisht do të ndikojnë në përmirësimin e arsimit në Kosovë dhe vendet e tjera shqipfolëse në rajon. Punën time në Shqipëri e shoh si thellim të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe tejkalim të kufijve në interes të përfitimit të përbashkët të shqiptarëve”, ka shkruar Shahini. / KultPlus.com