Jabanxhi

Nga Xhabir Tabaku

jabanxhi

mori kodrat me vrap. ishin kodra të thata shkëmbinjsh ngjyre të murrmë. ndonjë pishë shatorre aty – këtu këpuste ndoca monotoninë dhe piklonte cikla jete mbi gurët e nxehtë gushtit. fabrika e tjegullave ishte m’at anë kodrave, pranë një katundi të vogël me emër të çuditshëm Rrenc. goja i qe tharë e trupi i djersinte çurg. herë – herë e lëshonte këmba a i rrëshqiste çakulli poshtë dhe lëshohej mbi gurë, binte. ngrihej ashtu e gjakuar e fillonte risht vrapin. Mendimi se mund ta gjente të vdekur burrin e tmerronte. i erreshin sytë e i tkurrej diçka poshtë barkut… boshllëk. kur mbërriti majë kodrës desh iu mbajt fryma. atje poshtë, shtrihej një trupë gjigante betoni. ca automobilë të mëdhej të shëmtuar parkuar në një rrethomë me mur e tela me gjëmba. ishte parku i tatrrave e ndanë tij një punishtë e mirëmbajtjes dhe riparimit të armëve. zona ishte tejet e militarizuar. bri kodrave ishin pesë a gjashtë reparte speciale ushtarake.

fabrika e tjegullave ishte tej, më të djathtë… larg. fabrika ishte me seksione ngrehinash, si stalla bagëtish. ndër ato gërmadha prodhoheshin tjegullat e nxehta.

këmbët zunë t’i dalin jashtë kontrollit e rreziku i theqafjes ndër shkrepat e thatë e të nxehtë rritej. po i afrohej fabrikës. sa më shumë afrohej, më tepër i rritej ankthi, frika. o Zot i madh jo! – thirri me zë, kur pau një grumbull njerëzish në rrugë pranë një autoambulance lyer me të verdhë e të kuqe, si të ishte qerre kineze. nga fabrika drejt rrugës, një karvan me njerëz që nxitonin me shkalca në duar drejt automobilit spitalor. thua të kenë qenë shumë të dëmtuar? të kenë vdekur vallë?

***

mbas vorrimit të burrit, Lena shkoi në katund të vet diku në jug të vendit… nuk u kthye më. atje gjeti një burrë vejan që e kishte dashur në rini. më vonë të dy thuhet se vdiqen në Greqi në aksident me motor. askush nuk dinte gjë me siguri.

Lena nuk u kujtua kurrë për burrin e vorruar në atë katund të Shkodrës ku nuk kishin asnjë të njohur. askush nuk ia vizitonte vorrin burrit të vetmuar…

***

katundarët pyesnin njëri – tjetrin: – kush qenë vallë këta njerëz? pse i sollën nga jugu në këto anë? ca thoshin se qenë grekë minoritarë të internuar… disa të tjerë, mendonin se ishin spijunë të policisë sekrete. kishte nga të dy llojet në atë katund përzierjesh. një fëmijë i mbrapshtë iu thoshte të gjithëve se e kishte parë Lenen sa e sa herë me operativin e sigurimit te zonës duke u puthur e duke bërë turpe tek ullishta, poshtë moknave me mrina bri Kirit, pranë urës me tela… roja i vreshtave përdridhte musteqet kur flitej për Lenen dhe lironte një nënqeshje prej bandilli. / KultPlus.com

‘Më bjen ndërmend si njitash n’vogli kur shkoja me gjyshin në breg t’bunës me zanë peshk e mandej merrnim rrugën për në Shirokë’

Tregim nga Xhabir Tabaku

Petullat n’ujë

Më bjen ndërmend si njitash n’vogli kur shkoja me gjyshin në breg t’bunës me zanë peshk e mandej kadalë-kadalë merrnim rrugën për në Shirokë. Gjyshi bante sikur shkonim për hatrin tim, por un e vëreja se ai ma shumë shkonte me takue nji mikun e tij të vjetër, Tomen. Toma ishte plak, a ndoshta plak më dukej mue ngase isha fëmijë. Toma e kishte shtëpinë në mes të Shirokës, sa kalojshe nji klub n’qoshe të rrugës së vetme e merrshe rrugën përpjetë për kah kampi i fmijëve, dikur vila e Mbretit Zog. Gjyshi e gjuante penxheren e shtëpisë me guralec: -Erdha me vrep, ndihej zani i Tomës. Toma kishte za të pakët… përherë me nji xhaketë bojkafe, dimën-verë e n’krye nji kasketë doku. Gjyslykët me skelet të trashë të zi, i jepnin atij pamje prej intelektuali. Fliste ngadalë e me buzen në gaz krejt kohës. E donte fort gjyshin, e vëreja se i ndrinin sytë kur takoheshin. Mos të ishte për gurabijat pesë lekëshe që më blinte, nuk do e kisha kujtue me kaq hollësi Tomen…

Mandej zbrisnim të tre drejt bregut të liqenit. Toma e gjyshi mblidhnin do gur petashuqa e mi jipnin mue me gjuejt petulla n’uj. Kur ta çojsh në dhjetë petulla me ‘i gurë, ke i gurabi tjeter më thonin.

Me binte krahu n’tokë tue dashte me mbërri dhjetën. – Oh, po për Zoten! -thërriste Toma e qeshte me za. Fiks dhjetë. Qê artist! – e ma zgjaste nji pesë lekësh tjetër për gurabinë e premtueme, ani se edhe ai edhe unë e dinim se as gjasht petulla nuk i kisha ba. Më bante përshtypje pse gjyshi e Toma përherë flisnin me za të ulët.

Isha kureshtar me i ndigju, por me petulla uji, e gurabija klubi me mbanin gjithmonë larg. Vetëm pak vite mâ vonë, kur Toma pat vdek në senatorium nga tuberkulozi, e pata kuptue se Toma kishte qênë prift… E ndigjova gjyshin kur i tha nji burri thatuk që erdhi te na me marr vesht si qé puna. Nesër mbrama, i tha gjyshi lehtë, dom Lorenci ka me çu meshë për Tomen diku në shtëpin e nji miku të tyre në Shkodër. Gjyshi me Tomen kishin pas jetue për vite me radhë në nji odë burgu dhe e kishin nda kafshatën e bukës me njêni-tjetrin. Me pat marrë edhe mue me vedi gjyshi kur shkuam në vorrimin i Tomës. Ata i kishin vorret e tyne në mal, atje mbi liqen. Vorret e tyre më paten shti friken… ishin do qiparisa të naltë e kumritë zinin vend ndër ta… nuk kishte shum njerëz në varrimin e tij. Kah u kthyem në shtëpi, gjyshi heshti e un nuk bzana hiç. Ma mori mendja që po përcillte ndërmend të kaluemen me mikun e tij. Vetëm kur mbërritem në Tophane, mori frym thellë e tha duke me fërkue qafen e duke iu dridhun gusha: -E kam pasë si vlla! Lotët që i rrodhen për faqe nuk i fshiu. Vetëm mblodhi vetullat e shikimin treti diku larg.

Prej aty e deri te shtëpija, gjyshi nuk çeli ma gojë. Atbotë e mbrapa, kurrë nuk më pat marrë mâ për shetitje kah liqeni.

Kur shkoj në Shirokë, përherë më kujtohen ata dy burra të mirë… herë kthej kryet poshtë kah bregu i liqenit ku uleshin mbi gurë e përshpërisnin lehtë-lehtë e herë kthej kryet kah qiparisat ndër vorre ku prehet Toma, mbi të cilat kukujnë pa prâ kumritë. / KultPlus.com

‘E bardhë e frikshme e bardha pa cicërima, pa bate e rrëmujë fëmijësh gazmor’

Nga Xhabir Tabaku

Bie borë në Nju Jork sot. Shumë borë. Qëlloi e shtunë, kësisoj lëvizjet pothuaj ndaluan fare. Rrallë ndonjë kamion me rruspë dëgjohet duke gërvishtur asfaltin e duke shpërndarë kripë gjithandej. Tek-tuk ndonjë i papërtuar pastron borën para shpie, e shumta ngujuar – secili në mënyrën e vet. Nga vij unë nuk bie shumë borë. Atje bie shumë shi. Por në fëmininë time mbaj mend çoku kishte më shumë borë. Krejt i vogël prindërit e mij e unë me motrën banonim të kushtëzuar në nji katund të Shkodrës. Ishte rast i veçantë në historinë e vendit tim që katundi të vinte nga e kaluara e largët nga një qytet. Në lashtësi qyteti kishte shkëlqyer. Drivast e thirrnin e ma vonë qyteti u bë katund dhe ne e thërrasim Drisht. Drishti ishte dhe prapë është ndër vendet më të bukura që kam parë në jetën time. Dhe unë nuk se s’kam shëtitur dynjâ. Ai shtrihet mbi mokna e vende-vende në nje fushë imcake por pjellore në luginën e lumit Kir. Përveç lumit poshtë, bukurinë Drishtit ia shtojnë edhe malet mbas shpine e përballë, matanë Kirit. Banesa jonë ishtë nji odë e vetme, një shtrat për prindërit, një tavolinë buke e një raft i vogël librash që prindërit i sillnin nga shpia në Shkodër per t’i lexuar. Mua e motrës na shtronin me fjetë përtokë. Banjoja ishte e përbashkët me të zotët e shpisë. Mahalla ku banonim ne quhej Habibaj. Nuk e di nëse emri i asaj mahalle kishte të bënte me rrënjën arabe të fjalës, por një gjë e di me siguri, njerëzit më të dashur në botë ishin habibët. Shtëpia e tyre ishte jona. Babën e nanën time i trajtonin sikur të ishin prej qelqi, ndonëse prindërit e mij ishin të thjeshtë deri në thjeshtësine e përkryer katundare. Dasma a deka, prindët e mij ishin në krye të vendit. Mësuesi e hoxha mâ! – thonin ata dhe u qeshnin sytë. Ai katund burrash e trimash! Grashë të fisme e të ndershme deri ku s’ka mâ. Bukëdhânë si ata. Shkolla ku jepnin mësim baba e nana ishte në mahallën ngjitë, Zhup. Atëherë mâ nalt vinte lagja kala. Kalaja e Drishtit pra. Baba i kishte miq krejt katundin e na çonte shpesh në kalá. Kalalitë shquheshin per veti fisnike e trimnije. Mua më llastonin burrat e djemt e rritur e motren e trajtonin si kukull grate e vajzat. Kur binte borë, mblidheshim here te oda jonë te shpija e Shaban Rrustemit e herë te shpijat e miqve të babës. Burrat ngrenin biseda të moçme, ma të rinjtë e na fëmijët ngrenim “bàt”.

Bati mâ së shumti ishte nji rrasë petashuqe guri apo dërrasë e rëndë mbajtun nalt me një krânde të lidhur me spango. Hidhnim dromca buke kollomoqi dhe prisnim mbas penxhereve për zogjtë. Kishte shumë zogj. Nuk ua dija emrin por të gjithë i thirrnin zogj bore. Zinim shumë zogj, ua këpusnim krenat, i shpuplonim e mandej gratë e shpisë herë na goditshin pilaf me zogj t’pjekun e herë i piqnim vetë me gështenja.

***

Tek pashë gjithë atë borë sot kur u ngrita nga shtrati, mora një kafe në dorë bashkë me gruan dhe pranë kaloriferit tek penxherja po shihnim kah oborri e rruga e madhe që shtrihet tej pára. Gruaja si gratë, piu kafen e u ngrit për punët e shpisë. Unë tek soditja borën që binte e shtresohej me ngut më ra n’mend çka shkrova mâ nalt. Zogjtë, mendova. Sigurisht që malli për vitet e fëminisë me mua, batet, pilafi me zogj, gështêjat e pjekna etj, por tash qasja ndryshe patjetër. U ngrita, mora një pjatë në kuzhinë, mora do oriz, bollgur dhe thekna e i hodha në tè. I vura mbi pragun e ballkonit dhe u rehatova prap pranë kaloriferit tek penxherja. Prita e prita por asnjë zog s’u afrua. Asnjë.

Më krijoi një ndjenjë boshllëku në shpirt. Gjithë ata kujtime të hareshme fëminie me borë e zogj e jetë, u përkthyen në heshtje të bardhë. E bardhë e frikshme e bardha pa cicërima, pa bate e rrëmujë fëmijësh gazmor. Ndoshta atje bie shi, mendova me vedi, duke dashtë me shkund veten nga ankthi i bardhë dhe hova më kambë. / KultPlus.com