“Biber” shpall rezultatet e konkursit të katërt për tregim të shkurtër

Rreth 750 tregime mbërritën në konkursin e katërt për tregim të shkurtër Biber. Juria që përbëhet nga Tatjana Gromaça, Anton Berishaj dhe Selvedin Avdiq mori vendimin për shpërblime dhe bëri përmbledhjen e tregimeve të cilat do të botohen në një përmbledhje shumëgjuhëshe, përcjellë KultPlus.

Tri tregimet e shpërblyera janë:

Çmimi i parë: “Ptičice” nga Bojan Krivokapiq nga Novi Sadi

Çmimi i dytë: “Kućica u šumi” nga Alma Tabak nga Sarajeva

Çmimi i tretë: “Trokut” nga Maja Halapir nga Samobori

Përmbledhja shumëgjuhëshe me tregime pritet të shohë dritën e botimit deri në vjeshtë dhe të jetë në dispozicion në faqen Biber.

Përveç tregimeve të shpërblyera, në përmbledhje do të përfshihen edhe 22 tregime të këtyre autorëve/eve: Aleksandra Jovanović nga Vranja, Aneta Vellkoska nga Shkupi, Besa Morina nga Prishtina, Bojan Krivokapiq nga Novi Sadi, Boshko Lomoviq nga Gornji Millanovac, Dinko Teleqan nga Zagrebi, Goran Paladin nga Zagrebi, Hoja Ogrizoviq nga Novi Sadi, Irena Skopljak Bariq nga Vërboveci, Jellena Kalajxhija nga Bijeljina, Jovana Matevska-Atanasova nga Manastiri, Marijana Çanak nga Novi Zhedniku, Mihovil Rismondo nga Zagrebi, Milan Vorkapiq nga Vërnjaçka Banja, Milena Babiq nga Krushevaci, Milica Rashiq nga Nishi, Nikolla Nikoliq nga Podgorica, Nikolla Petroviq nga Beogradi, Petra Rapaiq nga Novi Sadi, Sanja Tërpkovska nga Shkupi, Senad Jusiq nga Bugojno dhe Vesa Qena nga Prishtina.

Biber është konkurs për tregim të shkurtër, të angazhuar në gjuhën shqipe, maqedonase, boshnjake, kroate, serbe dhe malazeze. Tema e konkursit është pajtimi në kontekstin e trashëgimisë së luftërave dhe dhunës në vendet e ish-Jugosllavisë, ndërsa parasysh merren edhe tregimet që mund të kontribuojnë për mirëkuptim më të madh mes njerëzve, që zbusin urrejtjen dhe thyejnë paragjykimet, tregime kundër luftës, tregime rreth ballafaqimit me të kaluarën, thyerje të imazheve për armikun, tregime të dhembshurisë për të tjerët, tregime të guximshme që guxojnë të ecin me këpucë “të armikut”, tregime që lëvizin kufijtë dhe hapin rrugën për të ndërtuar një të ardhme më të qartë, më të sigurt dhe më të lirë për të gjithë.

Konkursin e organizon ekipi Biber nga Qendra për Veprim të Padhunshëm Sarajevë-Beograd.

Në vazhdim po ju përcjellim kumtesën e jurisë.

Ekipi Biber

Ana Bitoljanu, Davorka Turk, Ivana Franoviq, Katarina Miliqeviq, Qerim Ondozi dhe Radomir Radeviq.

Kumtesa e jurisë

Juria e Biberit dëshiron t’i falënderojë të gjithë pjesëmarrësit dhe pjesëmarrëset që i janë përgjigjur këtij konkursi, me ç’rast, secili në mënyrën e vet unike, i ka dhënë mbështetjen idesë së krijimit të paqes, mirëkuptimit dhe lidhjes mes njerëzve. Përgëzime për secilin, sidomos fituesit e tregimeve të shpërblyera.

Duke u nisur nga gjykimi i vlerave letrare, për shpërblim kemi përzgjedhur tri tregimet në vijim:

Ptičice

Kućica u šumi

Trokut

Po ashtu, mirënjohje të posaçme dëshirojmë t’u shprehim tregimeve „Mačići u zidovima“, „Maline“ dhe „Brkovi na štapiću ili tko zna koja o ratu“.

Për përmbledhjen Biber kemi zgjedhur 22 tregime, të cilat sipas gjykimit tonë kanë lënë gjurmë më të mëdha. Këto tregime janë:

„Mysafiri“, „Shija e gjalpit të kikirikut“, „Antifada“, „Bitka izjutra“, „Igra: kraj“, „Razmjena“, „ Воен чистач“, „Не зборувај лошо за мртвите“, „Prsluk“, „Miris“, „Veliki žuti pas“, „Moj brat“, „Brkovi na štapiću ili ko zna koja o ratu“, „Maline“, „Mačići u zidovima“, „Пас апорт“, „Ikona Svetog Jovana“, „Kako je Dado postao drvo“, „Terase“ dhe „More“.

Me këtë rast, si juri e këtij viti, dëshirojmë të falënderojmë edhe një herë të gjithë ata që u përgjigjën sivjet. Njëherësh, ftojmë autorët e afirmuar dhe të paafirmuar t’u përgjigjen konkurseve të ardhshme Biber. Ne konsiderojmë se ky konkurs ofron një hapësirë tejet të mirë dhe shumë të nevojshme për komunikim letrar mes vendeve të Ballkanit, dhe këtë duam ta përshëndesim në veçanti si shembull pozitiv i komunikimit, njohjes dhe përafrimit.

Selvedin Avdiq, Anton Berishaj dhe Tatjana Gromaça. / KultPlus.com