‘Biber’ hap konkursin e tretë rajonal për tregimin e shkurtër. Për dallim nga dy konkurset e më hershme që për temë kishin pajtimin, kësaj radhe temat janë zgjeruar, njofton KultPlus.
Përveç tregimeve që për temë kanë luftën dhe dhunën në vendet e ish-Jugosllavisë, kësaj radhe do të merren parasysh edhe tregimet të cilat mund t’i ndihmojnë mirëkuptimit më të madh ndërmjet njerëzve, zbutjes së urrejtjes dhe kapërcimit të paragjykimeve, pastaj tregimet kundër luftës, tregimet të cilat ballafaqohen me të kaluarën, me kapërcimin e pasqyrimeve të armikut, tregimet për dhembshurinë ndaj tjetrit, tregimet e guximshme të cilat marrin guximin të ecin me këpuca të „armikut“, tregimet të cilat i lëvizin kufijtë dhe na i hapin rrugët për të ndërtuar një të ardhme më të qartë, më të sigurtë e më të lirë për të gjithë.
Ftohen të gjithë autorët të cilët shkruajnë në boshnjakisht, kroatisht, malazezisht, maqedonisht, serbisht dhe shqip t’i dërgojnë tregimet e tyre. Thirrja u bëhet si autorëve të afirmuar, ashtu edhe atyre që nuk kanë botuar deri më tani.
Së paku njëzet tregime të përzgjedhura do të botohen në një përmbledhje shumëgjuhëshe.
Juria përbëhet nga Lejla Kalamujiq, Rumena Buzharovska dhe Shkelzen Maliqi.
Juria do të përzgjedhë tri tregime të cilat do të marrin shpërblim. Vendimi i jurisë do të bëhet publik deri në fund të tetorit 2019. Konkursi mbetet i hapur deri më 10 qershor.
Me këtë konkurs “Biber” ka për qëllim të japë kontribut kulturës së përkthimit dhe të botimit të autorëve fqinjë, si dhe t’i mbështesin autorët e angazhuar, që të vazhdojnë të ndikojnë në ndryshimet shoqërore.
Këtë konkurs e organizon ekipi i ‘Biberit’ në bashkëpunim me Qendrën për Veprim të Padhunshëm Sarajevë-Beograd.
Më shumë informata lidhur me kushtet dhe shpërblimet e konkursit mund të gjeni në faqen e Biberit http://biber.nenasilje.org . /KultPlus.com