Alarmi i ASK-së: 106 mijë të rinj në Kosovë të shkëputur krejtësisht nga tregu i punës

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka ngritur alarmin për një kategori të shoqërisë mjaft të rrezikuar. Bëhet fjalë për të rinj (të moshës 15 deri 24 vjeç) që nuk janë as në shkollim, as të punësuar dhe as në ndonjë trajnim.

“Rrafsh 106 mijë e 287 të rinj janë në këtë kategori”, thuhet në raportin e ASK-së “Anketa e Fuqisë Punëtore”.

Të rinjtë e këtij grupi (NEET) përfshijnë të rinjtë që nuk janë të punësuar, nuk ndjekin shkollën, as nuk trajnohen, që do të thotë se ata janë krejtësisht të shkëputur nga tregu i punës dhe nuk marrin pjesë as në sistemin arsimor.

“Përqindjet e larta të këtij grupi në popullsinë e të rinjve rrisin shqetësimet në lidhje me punësimin e të rinjve në të ardhmen pasi tregon shkëputje nga tregu i punës. Përveç kësaj, një numër i madh i të rinjve të pa angazhuar në vendet me papunësi të lartë të të rinjve, siç është Kosova, mund të shkaktojë uljen e fitimeve për shkak të rritjes së konkurrencës, si dhe ka mundësi t’i kontribuojë problemeve sociale”, vlerëson ASK në këtë raport. / KultPlus.com

MKRS-ja ndan 500 mijë euro për programet për Tregun e Punës, për 400 të rinj punëkërkues

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Vlora Dumoshi, dhe Përfaqësuesja e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP), Maria Suokko, kanë nënshkruar marrëveshjen e financimit mes MKRS-së dhe UNDP-së për zbatimin e projektit Programet Aktive të Tregut të Punës 2, konkretisht programit të praktikës në punë në Kosovës.

Programi do të ndihmojë rreth 400 të rinj të regjistruar në Agjencinë e Punësimit, si punëkërkues që të bëjnë praktikë në punë, në sektorin privat por edhe në institucione publike dhe kështu të aftësohen profesionalisht, ndërkaq, financimin për 6 muaj do ta bëjë MKRS-ja me një fond prej gjysmë milioni euro, që do të zbatohet në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Do të synohen ato kompani dhe ato institucione të cilat pas përfundimit të punës praktike do të kenë mundësi të ofrojnë mundësi të punës më afatgjatë.

Me këtë rast, Ministrja Dumoshi, ka vlerësuar se nëpërmjet kësaj marrëveshje, bëhet e mundur përkrahja e të rinjve në tregun e punës, dhe se MKRS-ja ka treguar gatishmëri të përfshihet në këtë kontribut për mbështetjen e të rinjve të Kosovës.

“Ne jemi befasuar sivjet, ndonëse kohë pandemie, por interesimi i të rinjve për programet e MKRS-së ka qenë shumë i madh. Vetëm në fushën e edukimit për ndërmarrësi, ne kemi paraparë të certifikojmë 400 të rinj, por për shkak të interesimit të lartë, kemi shpërndarë mbi 1200 certifikata për të rinjtë. Për planet për vitin e ardhshëm ne do të rrisim buxhetin për trajnime për të rinjtë. Duke e parë tërë këtë interesim si dhe vështirësitë që kanë të rinjtë, ne bazë të kapaciteteve që kemi për këtë vit, kemi kontribuuar për të rinjtë në punën praktike që t’i ndihmojmë ata”, tha ndër të tjera ministrja Dumoshi.

Ndërkaq, përfaqësuesja e UNDP-së, Suokko, shprehu falënderimin e ministres Dumoshi dhe të MKRS-së për besimin ndaj UNDP-së, që ajo ta zbatojë projektin për Tregun e Punës.

“Për shkak të pandemisë, të rinjtë janë ndër më të prekurit dhe kjo përkrahje që po jepni do të jetë e dobishme për ta, andaj ju falënderoj për reagimin e shpejtë dhe gatishmërinë që në kohë krize keni ndërmarrë veprime për përkrahjen e të rinjve”, u shpreh Suokko./ KultPlus.com