Me një vonesë prej tre muajsh, shkaku i pandemisë botërore Covid – 19 që përfshiu edhe Kosovën, nesër në Grykën e Karadakut, afër trekëndëshit kufitar, mbahet edicioni i dhjetë i Manifestimit Rajonal të Poezisë, “Trekëndëshi poetik i paqes”.
Ky edicion, që planifikohej të jetë si edicion jubilar, shkaku i rrethanave pandemike, këtë herë mbahet ndryshe nga herat tjera, duke shmangur Orën e madhe letrare “Koha e poezisë” dhe, duke u mjaftuar vetëm me botimin e revistës së Manifestimit si dhe organizimin e tryezës letrare, që kësaj here i përkushtohet shkrimtarit të shquar gjilanas, Mirko Gashit, në 25 vjetorin e shkuarjes së tij në amshim.
Organizatori i këtij Manifestimi, Ars Clubi “Beqir Musliu” nga Gjilani, është përpjekur që, përmes përzgjedhjes së poezive për Edicionin e dhjetë, jo vetëm ta ruaj cilësinë e krijimeve por, edhe ta kultivojë si herave të kaluara, edhe gjjithëpërfshirjen, veçanërisht në raport me krijuesit letrar të të trija shteteve ( Kosovës, Maqedonisë së Verirut e Kosovës Lindore – Serbisë ), përkatësisht brezit të trekëndëshit kufitar që pikëpjekë në një gurë të vetëm, Gjilanin, Kumanovën e Preshevën.
Poashtu, edhe si në edicionet e mëparshme, edhe këtë herë, një figure e shquar letrare e këtij trekëndëshi kufitar, është temë shqyrtimi, përkatësisht vlerësimi dhe përkujtimi, shkrimtari Mirko Gashi.
Duke i sjellur në një botim të ri dhe tejet përmbledhës, poezitë e botuara pas vdekjes së këtij shkrimtari, bashkë me një parathënie të detajuar nga Anton Nikë Berisha si dhe poashtu shënimet bibliografike ( thuaja në tërësi për Mirko Gashin ) nga Prend Buzhala, Ars Clubi “Beqir Musliu”, shënon këtë përvjetor të këtij shkrimtari, duke e freskuar kujtesën , si të lexuesit të mëhershëm po, edhe të lexuesit të ri, lexuesit të ardhur në ndërkohë, për këtë figure të shquar të letërsisë.
Tryeza letrare e përkushtuese e këtij Manifestimi , mbahet në ambientet e restorant “DUNAVI”, në Dunav dhe pjesmarrës, me një numër të kufizuar krijuesisht nga kjo hapësirë krijuese, janë vetëm të ftuarit nga organizatori, i cili është përkujdesur që ta ruaj edhe përfaqësimin qoftë nga Kosova, nga Maqedonia e Veriut po edhe nga Kosova Lindore ( Presheva, Bujanovci, Medvegja )
Referues në Tryezën letrare do të jenë emra të shquar dhe aktiv të kritikës letrare si, Anton Nikë Berisha, Nexhat Rexha, Prend Buxhala, Emin Azemi e Sherafedin Kadriu. Ndërsa Manifestimin e mbështesin Ministria për Kulturë, Rini e Sport e Republikës së Kosovës ( Revistën letrare të Manifestimit dhe Tryezën letrare të “Trekëndëshit poetik…” ) dhe Komuna e Gjilanit – Zyra e kryetarit ( Librin e Mirko Gashit: “Blegërimë resh”). / KultPlus.com