Filmi i metrazhit të shkurtër “Prishtinë 2002” me regjisore Trëndelinë Halili dhe producent Ermal Gërdovci, shfaqi premierën në festivalin e filmit të shkurtër Clermont-Ferrand në Francë, njërin prej festivaleve më të mëdha ndërkombëtare të filmit të shkurtër në botë i kategorisë A, dhe i dyti në Francë pas festivalit të Kanës sa i përket audiencës.
“Ishte një ndjenjë shumë e mirë të përjetoj një gjë të tillë para një audience të madhe si kjo e Clermont. Filmi u prit shumë mirë dhe kjo gjë po hapë mundësi të reja bashkëpunimi edhe për projektet e radhës”, tha regjisorja Halili pas shfaqjes së premierës.
“Është një sukses jashtëzakonisht i rëndësishëm i radhës për kinematografinë dhe filmin tonë të shkurtë. Njëkohësisht edhe dëshmi për nivelin dhe kulturën e arritur nga kineastët tanë në tregimin e copëzave të jetës përmes mediumit të kinemasë” është shprehur drejtuesi i QKK-së Lum Çitaku me rastin e premierës së filmit.
“Prishtinë 2002” u shfaq në ekranet franceze në kuadër të edicionit të 45-të të festivalit, i cili ka nisur më 27 janar dhe do të vazhdojë deri më 4 shkurt 2023.
Filmi rrëfen historinë e nje adoleshenteje, e cila priret të transformojë vetveten, për t’i bërë përshtypje shoqes së saj të ngushtë. Ndërkohë që gjatë tërë këtij rrugëtimi, personazhi kryesor ndeshet me të papriturën.
Realizimi i filmit është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës, dhe prodhuar nga shtëpia e filmit Kandërr. /KultPlus.com