Ato janë pjesë e grupit të artistëve “Art Color” në Berat dhe ndër vite janë prezantuar denjësisht në evente ndërkombëtare të pikturës duke u vlerësuar me çmime të rëndësishme. Tashmë që po hyjnë drejt një faze të re të jetës artistike vijnë me një ekspozitë të përbashkët që është kuruar nga profesori i tyre Jani Kumati. Jerisa Kola, Margarita Xhaxho dhe Flavia Gishti nxënëse të gjimnazit “BabDud Karbunara” hapën mbrëmjen e djeshme ekspozitën me titull “Retrospektiva e ndjenjave”, shkruan KultPlus.
Erjola Azizolli
Miq të galerisë, nxënës dhe mësues, drejtues të institucioneve kulturore, ishim mbrëmjen e djeshme në hapjen e një ekspozite tejet të veçantë. Ndonëse, ende të reja në moshë, por të apasionuara pas artit të pikturës, të cilës i kanë përkushtuar vite të gjata studimi tre nxënëset e grupit “Art Color” hapën ekspozitën e tyre, duke bashkuar krijimet më të fundit. Duke kaluar në një stad të ri studimi, nga grupi që kanë ndjekur deri tani drejt vazhdimit të rrugës artistike Jerisa Kola, Margarita Xhaxho dhe Flavia Gishti erdhën përpara publikut beratas me 50 vepra në pikturë.
“Plotë 50 vepra të teknikave të vajit, akuarelit, pastelit dhe plumbit vijnë në këtë ekspozitë që bashkon tre vajzat e reja, por tepër të talentuara dhe mjaft premtuese në botën e artit pamor, bëri me dije në hapje të ekspozitës kuratori i saj Jani Kumati. Të tria vajzat janë mjaft të veçanta në mënyrën e tyre të krijimit, pasi kanë secila personalitetin e vetë, por ajo që i bashkon është përgatitja ndër vite dhe pasioni që duket se do ti ndjek në botën e bukur të artit, tha Kumati. Mënyra se si vajzat hedhin mbi telajo ngjyrat, duke lënë gjurmët e emocioneve personale padyshim që janë të ndryshme, por secila prej tyre ka individualitetin e saj sa të thellë edhe shpërthyes që pasqyron përgatitjen e tyre, por dhe pasionin që duket se ka lindur bashkë me to, pohoi Kumati. Mbetet tashmë për tu parë në vijimësi se si do vazhdojë jeta e tyre artistike, por një gjë është e sigurt se çfarë do lloj drejtimi do të ndërmarrin padyshim që artin e pikturës nuk do ta braktisin kurrë”, tha ai për KultPlus.
Të emocionuara në këtë përballje të parë përpara publikut me një ekspozitë personale vetë vajzat u shprehën se emocionet e tyre të momentit, ndjesitë, fantazitë, i kanë shprehur nëpërmjet kësaj ekspozite që siç dhe thanë nuk do të jetë e fundit. Për hapjen e kësaj ekspozite vajzat falënderuan profesorin e tyre të grupit “Art Color”, nga i cili tashmë do të largohen për shkak të kapërcimit të moshës, Jani Kumati, dhe prindërit e tyre që i kanë ndjekur në këto hapa të parë të rrugëtimit artistik.
Më pas pjesëmarrësit shijuan punimet ku pikasën peisazhe nga qyteti, natyra, portrete të spikatur, por dhe kompozime plotë ngjyra e forma të ndryshme.
Nxënësit e grupit artistik “Art Color” janë tepër të njohur në Berat, pasi çdo vit prezantohen në evente ndërkombëtare pikure ku janë vlerësuar me çmime të para./ KultPlus.com