Qeveria e Brazilit shpalli tri ditë zi kombëtare pasi futbollisti legjendar brazilian Pele ndërroi jetë në moshën 82-vjeçare.
Në një dekret të publikuar në Gazetën Zyrtare, me nënshkrimin e presidentit Jair Bolsonaro thuhet se “si shenjë treguese e trishtimit për vdekjen e Edson Arantes do Nascimento, Pele, janë shpallur tri ditë zi kombëtare në të gjithë vendin duke filluar që nga publikimi i këtij dekreti”.
Në një postim nga llogaria e tij në Twitter lidhur me vdekjen e Pele-s, Bolsonaro tha se ”Pele e ktheu sportin në art dhe argëtim dhe emrin e Brazilit e transmetoi nëpër botë me futbollin. I uroj durim familjes dhe të dashurve të tij”.
Ceremonia mortore e Peles do të zhvillohet më 3 janar në stadiumin “Santos” ku ai ka kaluar një pjesë të madhe të karrierës së tij./ atsh / KultPlus.com