“Tri Zanat” dhuruan performancë të jashtëzakonshme mbrëmë në Kamerfest


Qendrim Badalli

Kamerfesit mbrëmë i ka takuar “Zanave”. Tri artistet që performuan mbrëmë ishin me një emër por jo edhe me një shije dhe kolorit. Në fakt, pikërisht se secila prej tyre ishte në një pozicion ndryshe, një fakt ky dhe bazë e mjaftueshme që publiku të dëgjonte tinguj pianoje, flaute si dhe zërin e çlirët dhe të pastër të sopranos Zana Abazi-Ramadani, e cila qe e përcjellur nga pianistja Zana Badivuku- Basha dhe flautistja Zana Abazi, shkruan KultPlus.

Salla ishte e mbushur, ndërsa në skenë arriti ansambli që do të performonte aty. Ata u pritën me duartrokitje të pasuar me një heshtje si shenjë përgatitje për fillimin e koncertit. Veprat të ndryshme të huaja, të interpretuara nga artistet në fjalë përshëndeteshin vazhdimisht, por kulmimi i emocioneve dhe duartrokitjeve erdh kur sopranoja Zana Abazi-Ramadani nën përcjelljen e artisteve tjera, filloi interpretimin e këngës “Valsi i Lumturisë”.  Çdo i dyti mysafir ishte me telefon në duar, duke incizuar apo fotografuar. Momentet që ajo dhuroi gjatë asaj performance nuk mjaftonin vetëm që të shijoheshin, ato duhej të ruheshin.

E gjithë mbrëmja ka kaluar nën një atmosferë shumë relaksuese dhe pozitive. Formacioni artistik, përveç anës profesionale ka arritur që tek publikun të transmetonte edhe një energji pozitive dhe të krijonte një klimë miqësore që në fakt ishte edhe një nga  veçantitë e kësaj mbrëmje.

Siç ndodh zakonisht, mbrëmja u mbyll me shumë fotografi dhe shkëmbime mendimesh rreth asaj performance, ku vërehej se të gjithë ishin të kënaqur.

Sopranoja, Zana Abazi- Ramadani, ka thënë se programi që kanë pasur nuk ka qenë i lehtë.

“Me të vërtetë ka qenë mjaftë i vështirë, ka epoka të ndryshme dhe secila epokë, secila këngë, secila vepër e ka stilin e vet dhe duhesh t’i përshtatesh stilit të saj. Duhesh të jesh vazhdimisht në formë në mënyrë që të performosh në çdo moment”.

Ajo tutje ka folur për vështirësitë që krijon mungesa e një salle koncertale në Kosovë.

“Me të vërtetë kjo biseda për sallën është bërë si traditë të diskutohet mirëpo, nëse nuk kemi salla si duhet atëherë edhe për neve si instrumentistë dhe si artistë e kemi më të vështirë t’i realizojmë interpretimet tona”.

Zana Abazi,  tha se është ndjerë e nderuar që ka ndarë skenën me dy artistet tjera.

“Ka qenë privilegj shumë i madh për mua që ta ndaj skenën me dy profesioniste si profesoreshën Zana Badivuku dhe profesoreshën Zana Abazi-Ramadani. Një mundësi shumë e mirë për mua që më është ofruar nga profesoresha Sihana Badivuku”.

Më pas, shkurt ka treguar edhe për përzgjedhjen e programit.

“Përzgjedhja e veprave është bërë në bashkëpunim me drejtoreshën e festivalit, ndërsa trion që e kemi luajtur së bashku tri zanat, ka qenë vepër e aranzhuar nga profesori Edon Ramadani”.

Pianistja, Zana Badivuku-Basha ka folur pak për organizimin si dhe për provat që kanë pasur së bashku para performimit.

“Mendoj se kemi qenë një ansambël i mirë, jemi përshtatë mirë. Provat i kemi mbajtur dy-tri javët e fundit, jo shumë por mjaftueshëm sa për ta realizuar një koncert, do të ishte mirë që ta vazhdonim këtë bashkëpunim”.

Pianistja Lejla Pula e ka vlerësuar si “shumë të bukur” mbrëmjen e djeshme.

“Ishte një mbrëmje shumë e bukur. Vërtetë jam shumë e lumtur që jemi dëshmitarë që artistët tanë punojnë pa pushim dhe përparojnë gjithnjë e më shumë. Ishte një përshtypje e jashtëzakonshme artistike”.

Ajo ka zgjedhur fjalë të mëdha për sopranon Zana Abazi-Ramadanin.

“Është një prej sopranove më të mira që ne kemi dhe me të cilën ne mund të mburremi vërtetë dhe mendoj se ne duhet të gjejmë rrugë që këta artistë të kemi rastin dhe t’i shfaqim edhe jashtë kufijve të Kosovës”.

Festivali Kamerfest 2019 që po zhvillohet në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë Veriore, do të vazhdojë edhe netëve të tjera me aktivitetet të ndryshme artistike teksa edhe KultPlus do të vazhdojë t’i mbajë të informuar lexuesit e tij. / KultPlus.com