Vite më parë kishte shkruar për fatin e foshnjës shtatëmuajshe nga Fusha e Pejës, e cila kishte shpëtuar nga serbët veç pse kishte qenë vajzë. Kurse sot profesori dhe publicisti Milazim Krasniqi në një mënyrë krejt rastësore, kishte takuar Tringa Kastratin, pikërisht personazhin e poezisë së tij ‘Fati i një vajze’, shkruan KultPlus.
Për Krasniqin ky ishte një takim që i dha atij emocione të shumta, madje e konsideron si një nga takimet më emocionuese në jetë.
“Takimi me këtë vajzë, Tringa Kastratin, është nga takimet më emocionuese që kam pasur në jetë. Sot sapo hymë me Ediben në barnatoren “Kastrati”, ajo m’u afrua dhe më tha se ishte ajo vajza të cilën e kam paraqitur në poezinë time “Fati i një vajze.” Gjithë trupin ma përshkuan mornica!”, shkruan profesori universitar.
Tutje ai shpjegon historinë e Tringës dhe të familjes së saj, ku tregon se nga gjashtë burrat qe kishin vrarë atë ditë, ajo kishte shpëtuar.
“Në këtë poezi kam paraqitur fatin e një vajze shtatëmuajshe të familjes Kastrati, nga Fusha e Pejës, të cilën kriminelët serbë, pasi e kishin zhveshur në djep dhe e kishin parë që është femër, nuk e kishin vrarë, ndërsa meshkujt e familjes së saj, Sokolin, Xhaferin,Valdetin, Adrianin dhe Albanin bashkë me nikoqirin e tyre, Hasan Muratagiqin, i kishin ekzekutuar. Pra, kriminelët serbë kishin ndjekur modelin e krimit të përbindshëm të faraonit”, ka shtuar Krasniqi.
Krejt në fund publicisti Milazim Krasniqi ka theksuar se është mjaft i lumtur se poezi e tij ka i ka shërbyer të vërtetës dhe njerëzve të mirë.
“Tringa që takova sot, ishte një vajzë e edukuar, e mençme, e bukur dhe mirënjohëse. Poezinë time e kishte në celular. Falënderova me zemër Zotin, që më ka mundësuar që edhe me poezinë time t’i shërbejë të vërtetës dhe njerëzve të mirë”, ka përfunduar ai./ KultPlus.com