Alberina Haxhijaj
Sonte në hapësirën e Galerisë së Ministrisë së Kulturës është bërë promovimi i CD-së nga “Trio Vivo”, që përbëhet nga Lejla Haxhiu- Pula në piano, sopranoja Besa Llugiqi si dhe Enkelejda Zajmi-Gorani në flaut, shkruan KutlPlus.
Promovimi i CD-së ka ardhur si rezultat i punës që bënë kjo trio së bashku, tash e pesë vite, mirëpo pikërisht ky promovimin koincidon edhe me 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, prandaj edhe bartë emrin “Për vendin tim”. Ansambli “Trio Vivo” gjatë këtyre viteve ka koncertuar disa herë në vend por edhe jashtë vendit, në Londër, Lugano, Zagreb dhe Shkup. Ky ansambël po ashtu me punën e tij ka nxitur edhe kompozitorët që të shkruajnë vepra pikërisht për një formacion të tillë. Diçka të tillë ka bërë kompozitori Rafet Rudi por edhe kompozitorja Lyra Kastrati.
Në këtë CD, dëgjuesit mund të dëgjojnë një ndërthurje të kompozimeve shqiptare por edhe botërore, e që vijnë me shumë mjeshtri nga ky ansambël. Nga nëntë vepra muzikore sa përmban kjo CD, pesë prej tyre janë të kompozitorëve shqiptarë, duke filluar me këngën e njohur “Vendi im apo Mallëngjimi” nga R. Krasniqi aranzhuar nga Valton Beqiri. Për të vazhduar me veprat e kompozitorëve: Massenet, Ravel, Kovaçi, te ajo popullore shkodrane “Pranvera filloi me ardhë” e përpunuar nga Kreshnik Aliçkaj. Në mesin e veprave të kësaj CD-je janë edhe këngët “N’at zaman t’asaj furie” nga L. Kastrati si dhe “Arbëresh song” nga Rafet Rudi, njëherësh edhe kënga përmbyllëse.
Një program i cili sipas kritikut Samir Piraj, përmbyllet me një natyrshmëri dhe frymëzim artistik të veçantë.
“Solistja Besa Llugiqi, në rolin e interpretimeve të këtyre veprave dhe pjesëve apo këngëve të njohura të traditës tonë popullore i realizon ato me një dashamirësi të veçantë. E saktë në intonacion dhe kreative në zbërthimin e linjave melodike, ajo tregon edhe një herë për përkushtimin e saj në formësimin përkatës të këtij programi. Ndërsa në rolin e përcjellëses në piano, të luajtur me kompetencë profesionale e artistike është Lejla Haxhiu- Pula. Tingulli i pianos nuk imponohet por është segmenti kyç i mbështetjes artistike por edhe intonative gjatë gjithë programit. Si një brumosje e vlerave të prezantuara herë si logjikë polifonike, apo kontrapuntike e herë si logjikë solistike, flauti i lumtur nga Enkelejda Zajmi- Gorani, rrjedhë i sigurt dhe me intonacione të pastërta bën zbërthimin e tekstit notal”, u shpreh ai.
Pas fjalëve të kritikut Piraj, pianistja Lejla Pula u shpreh se ai me fjalët të cilat i tha për ansamblin i kujtoi kohën para luftës, kur Piraj shkruante kritika pas çdo koncerti por i kujtoi edhe incizimet e asaj kohë të cilat fatkeqësisht kanë humbur.
“Incizimet të cilat janë bërë më parë është shumë vështirë që ti gjemë sot pasi që siç e shihni muzika artistike, klasike perfomohet live dhe shumë rrallë ruhet. Kjo CD është një hap shumë i madh për ne, i vogël ndoshta për komunitetin pasi që është vetëm një CD, mirëpo konsideroj se si dukuri kjo duhet kultivuar dhe kam dëshirë që në të ardhmen jo vetëm ansambli jonë por edhe ansamblet e të tjera të botojnë CD-ja të tilla”, u shpreh ajo.
Tutje ajo u shpreh se muzika solistike është shumë sfiduese mirëpo muzika kamertale dhe bashkëpunimi muzikor poashtu e ka një sfidë të veçantë të adaptimit dhe balancimit pasi që janë tri personalitete të ndryshme. E që në këtë rast, të tria së bashku kanë gjetur gjuhën e përbashkët të komunikimit muzikor duke sjellë edhe këtë CD dhe këngët brenda saj me një harmoni të theksuar.
Punën që bëjnë së bashku e çmoi edhe sopranoja Besa Llugiqi e cila falënderoi të gjithë ata që ju kanë ndihmuar në këtë rrugëtim, gjatë këtyre pesë viteve. Ndërsa Enkelejda Zajmi –Gorani theksoi se është shumë e rëndësishme që sadopak artistët të japin kontributin e tyre në aspektin kulturorë për vendin e tyre.
“Trio Vivo” është ansambli i parë i këtij formacioni në Kosovë, i themeluar në vitin 2013./ KultPlus.com